ATV

Author: ATVLive

  • Aliu: Muzeu Kombëtar i Kosovës ka një numër tejet të lartë të vizitorëve

    Aliu: Muzeu Kombëtar i Kosovës ka një numër tejet të lartë të vizitorëve

    Sot, në mbarë botën po shënohet Dita Ndërkombëtare e Muzeve. Kjo festë shënon rëndësinë kulturore të muzeve dhe rolin e tyre në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë.

    U.D. e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës, Vjollca Aliu, në një intervistë në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, tha se muzeu vazhdon ta ketë një numër tejet të lartë të vizitorëve.

    “Ndërtesa e Muzeut Kombëtar të Kosovës është një ndërtesë historike dhe në vete përmban nga periudha e parahistorisë e deri te lufta e fundit, normalisht në pjesën e arkeologjisë dhe ekspozita e historisë. Nëse flasim për numër të vizitorëve, për dy vitet e fundit, Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe Kompleksi Etnologjik “Emin Gjiku” në Prishtinë, në mungesë të ekspozitës, me qenë se renovimi ka përfunduar vitin e kaluar, ka kaluar një shifër prej 42 mijë vizitorë”, tha Aliu.

    Ajo thotë se e sheh një trend të numrit të lartë të vizitorëve, ku nganjëherë nuk i zë as ndërtesa e muzeut.

    “Në anën tjetër, jo vetëm sot që është lajmëruar dhe presim një numër shumë të madh të vizitorëve, unë kam kaluar vonë në detyrën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Muzeut, por që e shoh një trend të një numri shumë të madh të vizitorëve, nganjëherë ka aq shumë vizitorë sa që ndërtesa e muzeut nuk mundet me i përballu”, tregoi Aliu. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Prokuroria kërkon një muaj paraburgim ndaj katër të dyshuarve për fajde

    ​Prokuroria kërkon një muaj paraburgim ndaj katër të dyshuarve për fajde

    Prokuroria Themelore në Ferizaj kërkon paraburgim prej 30 ditësh ndaj katër të dyshuarve lidhur me aksionin e realizuar për Fajde.

    Në një komunikatë të kësaj prokurorie, bëhet e ditur është kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimi i masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj katër të pandehurve me inicialet B.M., A.H., B.K dhe A.M., për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale “Fajdeja” nga neni 331 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Detyrimi” dhe “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

    “Të pandehurit, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh për veprat penale të lartë cekura”, thuhet në njoftim.

    Të mërkurën, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj kanë zhvilluar aksion në Prishtinë dhe Podujevë ku janë bastisur shtëpi e lokale nën dyshimin për fajde.

  • Mbrojtja e Thaçit vazhdon intervistimin e dëshmitarit të pestë të Prokurorisë

    Mbrojtja e Thaçit vazhdon intervistimin e dëshmitarit të pestë të Prokurorisë

    Herë në seancë të mbyllur, herë në private dhe e përcjellur me redaktime, është duke u dhënë dëshmia e dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS).

    Pas përfundimit të intervistimit nga ana e Prokurorisë, dëshmitari i mbrojtur i cili mban kodin 3165 ka nisur të përgjigjet edhe në pyetjet e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.

    Avokati Albert Moskowitz e ka ballafaquar atë me një deklaratë të një personi(i koduar me numrin 3.

    Derisa dëshmitari po fliste për një rast, që sipas tij, bashkë me “numrin 3” e kishin parë një veturë në një anë të rrugës e cila, ka thënë ai, ishte e tipit Golf 3, mbrojtja e Thaçit e kujtoi një deklaratë të “numrit 3” dhënë për UNMIK-un, i cili kishte deklaruar se vetura ishte Fiat.

    E pas kësaj pyetje nga mbrojtja e Thaçit seanca ka vazhduar me përmbajtje të redaktuar dhe më pas e mbyllur për publikun.

    Para këtij dëshmitari kanë dëshmuar edhe katër dëshmitarë të tjerë, dëshmia e të cilëve u zhvilluar në seancë të mbyllur për publikun përkundër masave tjera mbrojtëse.

    Ndërsa të mërkurën, trupi gjykues u ka kërkuar parashtrime palëve, deri më 31 maj, në lidhje me hapat konkret që mund të merren për të siguruar që procedurat të jenë publike në shkallë më të lartë.

    Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

    Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

  • Zjarr në një shtëpi në Prishtinë

    Zjarr në një shtëpi në Prishtinë

    Një shtëpi e pabanueshme është përfshirë nga zjarri në rrugën “Vasil Andoni” në Prishtinë, dhe dyshohet se kjo ka ndodhur si pasojë e mbeturinave në këtë objekt. Nga Agjencioni për Menaxhimin e Emergjencave kanë deklaruar se shkak është faktori njeri, ani pse nuk dihet nëse ka qenë e qëllimshme.

    Shtëpia është përplot me mbeturina, për çka janë ankuar edhe banorët përreth.

    Inspektori i preventivës në kuadër të Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave, Muharrem Beka, ka thënë se ka persona jo rezident të cilët qëndrojnë në këtë shtëpi dy-katëshe.

    “Gjatë hulumtimit që kemi bërë tash, sapo e përfunduam është diçka e çuditshme se ka aq shumë mbeturina është shtëpi e banuar në mënyrë, nga njerëz të cilët nuk janë rezident. Dikush që nuk e dimë as kush janë ata. Në fillim është aluduar se është edhe prej instalimeve, por nuk është edhe pse ka kyçje ilegale. Mirëpo, faktori njeri është 100 për qind. Ne mund të vërejmë se a është aksidentale dhe ka gjasa që është e qëllimshme për shkak për të eliminuar këtë gjendje sepse është me të vërtetë jashtëzakonisht e keqe, e stërmbushur me mbeturina”, ka thënë Beka.

    Tutje, Beka ka shtuar se dyshohet që zjarri ka nisur në hyrje të prapme, në korridorin e shtëpisë.

    “I gjithë podrumi poshtë edhe pjesa ka oborri edhe lartë është plot mbeturina. Ne e pamë një pikënisje, dyshohet se ka filluar prapa atje në një korridor, mirëpo nuk gjetëm diçka, gjurmë bindëse që ka mundur të shkaktohet e qëllimshme apo ka mundur të hedhet diçka aksidentalisht, mirëpo faktori njeri është i sigurt. Nuk është prej instalimeve elektrike. Ne e pamë një dhomë të adaptuar atje, me disa shtretër, një gjendje jashtëzakonisht e keqe”, ka shtuar inspektori i Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave.

    Ibrahim Delibashzade, i cili jeton përballë shtëpisë së djegur, ka thënë se tash e sa kohë janë ankuar në polici për këtë gjendje.

    “I vjen era, na mbyten minjtë as që mundem me punua qe ku e kam ordinancën prej papastëtisë. Vjen policia hyn brenda, nuk kanë cka t’i bëjnë, tha ‘duhet me sigurua banesë’. Por, ti hiqe prej këtuhit nuk është e atij….Është e disa biznismenave, nuk ju di emrat…Gjithë ato harrna, gjithçka ka brenda…100 herë i kemi lajmëruar, por kujt. Vetëm vijnë policia e shëtisin, asgjë tjetër”, ka shtuar ai.

    Në njoftimin e Policisë thuhet se informata për një zjarr është pranuar rreth orës 08:45.

    “Rreth orës 08:45, është pranuar informata për një zjarr në rrugën “Shaban Polluzha” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes ku ka ftuar zjarrfikësit me qëllim të lokalizimit të zjarrit si dhe zyrtarët e KEDS-it. Dyshimet e para sugjerojnë që nga zjarri të jenë përfshirë disa mbeturina përpara një objekti të pabanueshëm. Aktualisht nuk raportohet për të lënduar përveç dëmeve materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Përveç zjarrfikësve, në vendin e ngjarjes kanë qenë edhe ekipet e KEDS-it, ku është thënë se kjo shtëpi ka pasur kyçje ilegale në rrjetin elektrik. /KP

  • Njihuni me pëllumbat rrotullues që sfidojnë gravitetin

    Njihuni me pëllumbat rrotullues që sfidojnë gravitetin

    Ditë më parë u zhvillua një garë e pëllumbave rrotullues, garë kjo që zhvillohet në qytete të caktuara në Kosovë.

    ATV zhvilloi një bisedë me Fahri Abazi në Fushë Kosovë, i cili është anëtar i Federatës së Pëllumbave Rrotullues të Kosovës.

    Ai tregoi se garat mbahen tri herë në javë në pothuajse të gjitha qytet e Kosovës.

    “Sot është një pëllumbat që mbahet në krejt Kosovën dhe këta pëllumba janë që i kultivojnë të gjithë qytetarët e Kosovës. Shumica janë nga Mitrovica, nga Vushtrria, Prishtina, Ferizaj, Gjilani, Vitia edhe Prizreni. Këta pëllumba janë dynek thirren, akrobatik i Kosovës. Ky pëllumb rrjedh nga qyteti i Prishtinës. Këta pëllumba janë rrotullues dhe me këta bëjmë gara, jemi 275 anëtarë në Federata e Pëllumbave Rrotullues të Kosovës që garojmë me këtë lloj pëllumbi”, tregoi Fahriu.

    Ai shpjegoi edhe arsyen se përse këta pëllumba quhen rrotullues.

    “Këta pëllumba janë të veçantë, bëjnë një rrotullim, bëjnë një salltë, shkojnë me kokë të poshtë dhe rrotullohen ashtu derisa mundem edhe me vdekë, pra me ba vetëvrasje, sepse janë aq të fortë sa që nuk dinë me u ndalë edhe vijnë deri në toke prej qiellit, kështu që ka mundësi ndonjë edhe me ba vetëvrasje. Ka pas këso raste që kanë ndodh”, tregoi Fahriu. /atvlive.tv

  • Dikur babai e mësonte të gatuante, sot specialiste në kuzhinë

    Dikur babai e mësonte të gatuante, sot specialiste në kuzhinë

    Ekipi i ATV-së ishte në një vizitë në shtëpinë e Edona Rudarit. Ajo për emisionin STUDIO A të ATV-së, përgatiti një specialitet të veçantë, me oriz, kërpudha, mish viçi dhe perime.

    Deri sa po e përgatiste këtë specialitet, Edona tregoi edhe historinë se nga kush e përvetësoi pasionin për kuzhinën.

    Ajo tha se nëna e saj përgatitë shumë mirë ushqimin, mirëpo pasionin për kuzhinë, ajo e përvetësoi nga babai i saj.

    “Të çështja e gatimit është pak histori në veti se më ka përly gjithmonë. Prej e vogël që kam qenë, gjithmonë kam qenë ajo që jam përzi te kuzhina. Normal edhe mami gatuan më së miri në botë si krejt qysh mendojmë për nënat, që s’ka me ushqime të nënës, mirëpo këtë pjesën e pasionit e kam trashëguar nga babai, sepse ai nëse dy ve i përgaditë, i bënë me një far delikadese, ia jep një shije tepër të mirë. Mandej kam fillu edhe vet, normal prej përvojës, obligimet familjare dhe secilën herë me e përvetësua”, tregoi Edona.

    Procesin e përgatitjes së këtij specialiteti si dhe bisedën e plotë me Edona Rudarin e gjeni në videon më poshtë.

  • Pula tregon pse nuk po sanksionohet Serbia për moszbatimin e marrëveshjeve

    Pula tregon pse nuk po sanksionohet Serbia për moszbatimin e marrëveshjeve

    Njohësi i çështjeve politike, Shqiprim Pula, në emisionin A23 në ATV, tha Serbia nuk është sanksionuar për moszbatimin e marrëveshjeve me Kosovën, për shkak se e ka marrë primatin si një shtet i cili mund të dëmtojë rendin ndërkombëtarë në Ballkanin Perëndimor.

    “Çështja është se Serbia ka marrë primatin e një shteti i cili mund të dëmtojë rendin ndërkombëtarë në Ballkanin Perëndimor, normativën e të drejtës ndërkombëtare për sa i takon ndërhyrjeve në shteteve të tjera, siç është rasti me ndërhyrje në Bosnjë-Hercegovinë, në Mal të Zi apo edhe në Kosovë, diçka edhe në Maqedoninë e Veriut. Pra, Serbia është parë si një shtet problematik që në çdo kohë mund të prodhojë rreziqe për rajonin”, tha Pula.

    Ai tha po të ndodhnin sanksionimet e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë, ato do të mund të ishin të ndryshme, qoftë përmes fondeve të BE-së apo edhe përmes sanksioneve politike.

    “Do duhej të sanksionohej Serbia dhe sanksionimet mund të jenë nga më të ndryshmet qoftë për sa i takon fondeve të Unionit Evropian që i jepen shteteve të cilat kanë marrë statusin e vendit kandidat që kanë filluar negociatat e kapitujve, qoftë edhe atyre të cilat janë më mbrapa siç është rasti i Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Shqipërisë e kështu më radhë sepse shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk janë në të njëjtin stad në procesin e integrimit. Qoftë përmes sanksioneve të tjera politike që mund të jenë sepse ka instrumente të mjaftueshme për ta sanksionuar një shtet që nuk i bindet zbatueshmërisë së dakordimeve”, tha Pula. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Pula: Kosova rrezikohet nga projekti ”Nova Rusia”

    Pula: Kosova rrezikohet nga projekti ”Nova Rusia”

    Njohësi i çështjeve politike, Shqiprim Pula, në emisionin A23 në ATV, tha se Kosova rrezikohet nga projekti sllav që quhet “Nova Rusia”, projekt ky që është një platformë politike pothuajse 150 vite e vjetër.

    “Kosova gjendet në një situatë jo të mirë, në një situatë ku rrezikohet nga një projekt që quhet “Nova Rusia”, projekt i cili ka akterë të ndryshëm në etapa të ndryshme kohore dhe tani së voni kemi të bëjmë me akterë të Serbisë të cilët po e jetësojnë projektin e quajtur “Nova Rusia”, e që kanë një moto diku 150 vjeçare tashmë sepse kemi qasje në dokumente të tyre, në platformë politike të tyre që ka të bëjë me “Sllavizmi nuk ka fund askund””, tha Pula.

    Ai tha se bashkësia e komunave me shumicë serbe nënkupton betonizimin e shtetit serb brenda Kosovës.

    “Nuk duhet harrur dhe duhet të jemi shumë të vëmendshëm si qeveri, si institucione, në veçanti ato që janë përgjegjëse në procesin e dialogut, që të kenë kujdes në këtë drejtim sepse Kosova vërtetë rrezikohet madje unë do e quaja edhe nga terrorizmi politik që i bëhet shtetit të Kosovës nga spin doktorë të ndryshëm të cilët për të toleruar apetitet e shumta të Serbisë zyrtare kundrejt kombit shqiptar dhe shtetit të Kosovës në veçanti, insistojnë që të bëhet një bashkësi e komunave serbe dhe natyrisht edhe kisha serbe ortodokse në Kosovë që të dyja të kenë rolin, njëra e aspektit shpirtëror siç ata e proklamojnë me të madhe dhe tjetra në aspektin institucional në territorin e Kosovës”, tha Pula.

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Pula: Serbia tentoi të ndërtojë një reaktor bërthamor

    Pula: Serbia tentoi të ndërtojë një reaktor bërthamor

    Njohësi i çështjeve politike, Shqiprim Pula, në emisionin A23 në ATV, tha se Serbia kishte shprehur dëshirën për të krijuar një rotor bërthamor me ndihmën e Rusisë duke pretenduar që të marrë uraniumin e varfëruar në Kazakistan.

    “Serbia në vazhdimësi është parë si një shtet problematik, si një shtet që në çdo kohë mund të prodhojë rreziqe potenciale për rajonin dhe shto faktin këtu se ka informacione të mjaftueshme nga studiues të sigurisë ndërkombëtare me të cilët jam në kontakt për shkak të hulumtimeve që bëjmë se Serbia ka shprehur dëshirën për të krijuar një rotor bërthamor në Serbi me ndihmën e Rusisë dhe duke pretenduar që të marrë uraniumin e varfëruar në Kazakistan”, tha Pula.

    Ai tha se ky është një shqetësim jo vetëm në gjeopolitikën rajonale dhe më gjerë, duke shtuar edhe faktin që Serbia është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka përkrahë asnjë lloj të sanksioneve ndaj federatës ruse.

    “Një gjë e tillë natyrisht që paraqet një shqetësim jo vetëm në gjeopolitikën rajonale dhe më gjerë, shto faktin këtu që Serbia është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka përkrahë asnjë lloj të sanksioneve ndaj federatës ruse dhe të gjitha këto tolerime që i janë bërë Serbisë i kanë dhënë mundësinë që të përkëdhelet dhe të tolerohet në të gjitha pretendimet e saj politike dhe territoriale karshi Kosovës”, u shpreh Pula. /atvlive.tv

  • ​Sondazhi nga IRI: FSK shënon rritje të besueshmërisë së qytetarëve

    ​Sondazhi nga IRI: FSK shënon rritje të besueshmërisë së qytetarëve

    Forca e Sigurisë së Kosovës mbetët institucioni më i besueshëm për qytetarët e vendit, siç tregon edhe një sondazh mbarëkombëtar nga Qendra për Perceptime në Hulumtime të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI).

    Sipas këtij sondazhi, 73% e kosovarëve besojnë shumë në institucionin e sigurisë, ndërsa 15% të tjerë kanë shfaqur disi mosbesim për të.

    Statistikat tregojnë se vetëm 11% e qytetarëve në Kosovë janë shprehur se nuk i besojnë këtij institucionit, derisa 1% e tyre kanë refuzuar të anketohen.

    Sondazhi ka bërë edhe një krahasim me matjen e vitit 2021, kur përqindja e qytetarëve që i besonin ushtrisë ishte 66%.

    Dy vjet më vonë është rritur besueshmëria për 7%.

    Nga matje të ndryshme e të përvjetshme, Forca e Sigurisë së Kosovës prinë sa i përket besueshmërisë së qytetarëve.