ATV

Author: ATVLive

  • Shqipëria vizitohet për herë të parë nga një president i Estonisë

    Shqipëria vizitohet për herë të parë nga një president i Estonisë

    Presidenti i Estonisë, Alar Karis, me ftesë të presidentit Bajram Begaj do ta vizitojë Shqipërinë më 7-9 qershor.

    Kjo është vizita e parë e një presidenti të Estonisë në Shqipëri dhe një ngjarje e shënuar në marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve.

    Sipas agjendës së vizitës, pas ceremonive të mirëseardhjes, që do të zhvillohen më 7 qershor 2023, ora 15:00, në Institucionin e Presidentit të Republikës, të dy Presidentët do të zhvillojnë një takim kokë më kokë e më pas do të kryesojnë delegacionet zyrtare në një takim të zgjeruar. Në fund të takimeve, të dy presidentët do të kenë dhe një dalje të përbashkët për mediat.

    Në qendër të bisedimeve, siç u bë e ditur, do të jenë nevoja e nxitjes së mëtejshme të marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në çështjet e bashkëpunimit ekonomik dhe qeverisjes elektronike, por edhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, integrimi evropian i Shqipërisë dhe i vendeve të këtij rajoni, si dhe ndikimi i agresionit ushtarak rus në Ukrainë, për Estoninë dhe rajonin e vendeve Balltike por edhe të Ballkanit Perëndimor.

    Më 9 qershor, të dy presidentët do të ndjekin një stërvitje të përbashkët kibernetike të ekspertëve nga Estonia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

    Në kuadër të kësaj vizite, presidenti i Estonisë do të takohet edhe me autoritetet e tjera të larta shqiptare, si dhe do të vizitojë edhe qytetin e Beratit.

  • Kurti e falënderon kryetarin e Leposaviqit për “qëndresën shembullore”

    Kurti e falënderon kryetarin e Leposaviqit për “qëndresën shembullore”

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar se kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi çdo ditë merr mesatarisht nga dhjetë kërkesa të ndryshme që të dalë prej zyrës së tij.

    Kurti ndërsa tregoi se ai është vëllai i dëshmores së UÇK-së, Fatime Hetemi ka falënderuar Lulëzim Hetemin për qëndresën e tij shembullore për Republikën e Kosovës.

    “Çka s’i thonë: disa e marrin me të mirë, disa jo më të mirë, e disa të dyja këto njërën pas tjetrës. Lulzim Hetemi është vëllau i dëshmores Fatime Hetemi (që ra heroikisht si ushtare e UÇK-së bashkë me Fehmi e Xhevë Lladrovcin më 22 shtator 1998). E falënderoj Kryetarin Lulzim nga zemra për qëndresën e tij shembullore për Republikën e Kosovës dhe rend e ligj”, ka shkruar Kurti.

  • Turqia nis trupat e saj në Kosovë për të përforcuar KFOR-in

    Turqia nis trupat e saj në Kosovë për të përforcuar KFOR-in

    Ministria turke e Mbrojtjes ka bërë të ditur se ka nisur një numër të ushtarëve turq në Kosovë, si përforcim për misionin e NATO-s në Kosovë.

    Autoritetet turke kanë thënë se pas ngjarjeve të fundit në Kosovë, batalioni i Brigadës 65 të Mekanizuar të Këmbësorisë, është nisur drejt Kosovës.

    “Pas ngjarjeve që ndodhën në Kosovë, batalioni komando i Komandës sonë të Brigadës së 65-të të Mekanizuar të Këmbësorisë (Lüleburgaz) i caktuar në rajon filloi të shpërngulet në Kosovë”, thuhet në postimin e publikuar në Twitter.

  • Komandanti i KFOR-it e ashpërson gjuhën ndaj Kurtit: Nuk është NATO çadër ku strehohesh pas veprimeve të njëanëshme

    Komandanti i KFOR-it e ashpërson gjuhën ndaj Kurtit: Nuk është NATO çadër ku strehohesh pas veprimeve të njëanëshme

    Misioni paqeruajtës i NATO “nuk mundet dhe nuk duhet të konsiderohet si një çadër ku duhet të strehohesh pas veprimeve të njëanshme që shqetësojnë balancet e pasigurta”, ka thënë Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia.

    Ai këtë e ka deklaruar në një intervistë për gazetën italiane “Corriere”, ku ka kritikuar gjerësisht kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për “veprime të njëanshme” dhe “hapa të mbrapsht prej dy viteve”.

    “Para së gjithash, vendimi i kryeministrit kosovar Albin Kurti për të vendosur kryetarë komunash me përkatësi etnike shqiptare të pa njohur nga shumica serbe, pa marrë parasysh këshillat e kundërta të gjithë bashkësisë ndërkombëtare. Veprimi i dytë i njëanshëm i qeverisë së Prishtinës ishte përdorimi i forcës pa u konsultuar me ne, duke e bërë kështu të nevojshme ndërhyrjen tonë për të shmangur një tragjedi”.

    NATO tashmë ka dërguar edhe 700 trupa shtesë në Kosovë, pas tensioneve të fundit.

    Komandant Ristuccia ka mbajtur takim edhe me kryeministrin Kurti gjatë këtyre tensioneve.

  • New York Times për protestat në Serbi: Më të mëdhatë që nga përmbysja e Millosheviq

    New York Times për protestat në Serbi: Më të mëdhatë që nga përmbysja e Millosheviq

    Gjatë së shtunës është mbajtur protesta e pestë radhazi që nga fillimi i majit në kryeqytetin e Serbisë, Beograd. Protestat “Serbia kundër dhunës” kanë filluar si pasojë e dy masakrave që ndodhën atje, njëra në një shkollë në Beograd, tjera në një fshat në rrethinë të Beogradit, ku mbetën 18 persona të vrarë.

    Për këto protesta ka shkruar e prestigjiozja amerikane “New York Times”, ku në një artikull i ka cilësuar këto protesta si më të mëdha në rrugët e kryeqytet serb që nga përmbysja e 5 tetorit të vitit 2000, kur u përmbys qeveria e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

    “Protestat në Serbi për të shtënat masive radhazi muajin e kaluar, u përhapën të shtunën më të mëdha në rrugët e kryeqytet, Beograd, qëkur demonstruesit rrëzuan Slobodan Millosheviçin si president i Serbisë në vitin 2000”, shkruan prestigjiozja amerikane.

    Gjithashtu, në artikullin dedikuar këtyre protestave, shkruhet se protestat janë shndërruar në një revoltë kundër sundimit gjithnjë e më autoritar të presidentit Aleksandër Vuçiq.

    “Protestat janë shndërruar në një revoltë më të gjerë, por deri më tani, paqësore kundër sundimit gjithnjë e më autoritar të zotit Vuçiç, i cili ka qeverisur kombin ballkanik, fillimisht si kryeministër dhe më pas si president, për gati një dekadë. Z. Vuçiq e filloi karrierën e tij politike si një nacionalist radikal gjatë luftërave ballkanike të viteve 1990, por ka kërkuar në vitet e fundit të paraqitet si një udhëheqës proevropian i etur që Serbia të ringjallë përpjekjet e saj të ngecura për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Ai ka hequr dorë nga vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë për luftën e saj në Ukrainë, por Serbia votoi në Kombet e Bashkuara për të dënuar Moskën”.

  • Vela komenton protestën e qetë në Beograd: Kështu duken kur s’i organizon Vuçiqi

    Vela komenton protestën e qetë në Beograd: Kështu duken kur s’i organizon Vuçiqi

    Blerim Vela, shef i stafit të presidentes, Vjosa Osmani ka thënë se një Serbi demokratike dhe integruese në BE është garanci për paqe dhe stabilitet në rajon.

    Ai në një postim në Twitter ku ka shpërndarë pamje nga protesta e së shtunës kundër Vuçiqit e mbajtur në Beograd e cila ishte me pjesëmarrje të madhe dhe e qetë, ka thënë se kështu është kur një protestë nuk organizohet nga Vuçiqi.

    “Kështu duken protestat në Serbi kur ato nuk organizohen nga Vuçiqi dhe makineria e tij e dhunshme SNS. I qetë dhe i denjë. Një Serbi që është vërtet demokratike dhe e integruar në BE është një garanci për paqen dhe stabilitetin në rajon”, ka shkruar Vela.

  • Ish-zëdhënës i NATO-s: Serbia të heqë ushtrinë nga kufiri, veriu është çështje e brendshme e Kosovës

    Ish-zëdhënës i NATO-s: Serbia të heqë ushtrinë nga kufiri, veriu është çështje e brendshme e Kosovës

    Ish-zëdhënës i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, duke komentuar sitën e krijuar në veri të Kosovës gjatë ditëve të fundit a thënë se prania e ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën është e papranueshme.

    Në një intervistë për “Euronews Albania”, Shea e cilësoi këtë veprim mbireagim të papranueshëm nga Beogradi, për diçka që është çështje e brendshme e Kosovës.

    “Kam qenë mjaft i qartë për dërgimin e forcave ushtarake serbe në kufi për një çështje që nuk i përket Serbisë, por është një çështje e brendshme e Kosovës. Ka një mbireagim, është e papranueshme dërgimi i këtyre trupave. Ato duhet të rikthehen në vendin e tyre. Beogradi duhet të heqë dorë nga ndërhyrja në punët e brendshme të Kosovës. Veriu është një çështje e brendshme e Kosovës. Mesazhi im është që: Kosovë, puno bashkë me BE dhe SHBA! Pavarësisht zemërimit, mos humbisni besimin e miqve më të ngushtë”, ka thënë Shea.

  • Rama shpallet “Qytetar Nderi’” në komunën Vaccarizzo Albanese në Kalabri

    Rama shpallet “Qytetar Nderi’” në komunën Vaccarizzo Albanese në Kalabri

    Kryeministri Edi Rama ndodhet sot për një vizitë në Kalabri të Italisë, ku dhe është shpallur “Qytetar Nderi” i komunës Vaçarizzo Albanese.

    Në fjalën e tij, Rama tha se kultura arbëreshe është një gur i çmuar i historisë dhe traditës. Ai tha se në komunën e Vaccarizzo Albanese është historia e një pjesë të lirisë së Shqipërisë.

    “Faleminderit për nderimin, qytetar nderi i Vaçarizzo Albanese, aty ku kultura arbëreshe është një gur i çmuar i historisë dhe traditës”, u shpreh ai.

    Rama u shoqërua në këtë aktivitet nga bashkëshortja Linda Rama si dhe të zgjedhur të pushtetit vendor si kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha etj.

  • Ministri britanik: Qindra emigrantë shqiptarë janë kthyer në atdhe

    Ministri britanik: Qindra emigrantë shqiptarë janë kthyer në atdhe

    Ministri i imigracionit britanik Robert Jenrick, në një intervistë dhënë për mediat vendase është shprehur se qindra emigrantë janë kthyer deri më tani në Shqipëri në bazë të marrëveshjes së arritur para pak kohësh mes dy vendeve.

    Sipas shifrave zyrtare vetëm vitin e kaluar, hynë në territorin britanik me gomone 12 mijë shqiptarë. Jenrick në një intervistë për Skyneës, u shpreh se qindra ishin planifikuar të nisen sërish, ndërkohë që ka evidentuar se shumë persona janë ende të akorduar në hotele në pritje të nisjes apo edhe janë arratisur.

    Ndër të tjera ai është përegjigjur pyetjes nëse mes të kthyerve janë edhe persona me precedentë kriminalë apo vetëm qytetarë të thjeshtë, ministri britanik u përgjigj vetëm me “Janë qindra prej tyre”.

    Ndërkohë në prill qeveria britanike njoftoi se mbi 1000 shtetas shqiptarë janë kthyer në vendlindje që nga dhjetori, shifër kjo që përfshin azilkërkuesit të cilëve iu është refuzuar kërkesa, emigrantët e paligjshëm dhe kthimet vullnetare.

    Sipas ministrit britanik, marrëveshja e arritur mes dy vendeve ishte shumë e mirë, për sa kohë mijëra emigrantë të paligjshëm shqiptarë po kthehen në shtëpi dhe numri i emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria është ulur ndjeshëm.

    Në dhjetor të vitit të kaluar, kryeministri Rishi Sunak dhe Edi Rama, ranë dakord të “rrisin bashkëpunimin në tre fusha çështjet e sigurisë dhe punët e brendshme (me fokusin kryesor në luftën kundër krimit të organizuar dhe imigracionit të paligjshëm); rritja e investimeve; inovacioni, rinia dhe arsimi”.

    Kjo përfshinte ngritjen e një task force të përbashkët migracioni midis dy vendeve për menaxhimin e emigrimit të paligjshëm të shtetasve shqiptarë në Britani.

    Sipas Jenrick më parë kishte deklaruar se emigrantët e paligjshëm shqiptarë duhet të përjashtoheshin nga e drejta për të kërkuar azil në Britani.

    Gjiothashtu ai vlerësoi edhe marrëveshjen e arritur me Francën për vëzhgimin e kanalit të Suezit, pasi tha se ka ndaluar një numër tepër të lartë kalimesh, referuar me periudhën e mëparshme, duke llogaritur që numri i personave që nuk janë lejuar të hyjnë në territor, është 33 mijë./abcnews.al

  • Ish-përfaqësuesi i BE-së në Kosovë: Kurti të dalë përpara me një veprim të vetin politik për veriun

    Ish-përfaqësuesi i BE-së në Kosovë: Kurti të dalë përpara me një veprim të vetin politik për veriun

    Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar për Kosovën dhe ish-Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Pieter Feith, tha në një intervistë për Euronews Albania se kryeministri i Kosovës Albin Kurti duhet të dalë me një iniciativë të vetën politike për zgjidhjen e situatës në veri.

    Feith u shpreh se tërheqja e përkohshme e policisë së Kosovës nga veriu do të ndihmonte në shtensionimin e situatës.

    “Kurti të dalë me një iniciativë të vetën për veriun. Jam i sigurt që bota do ta mbështesë. Të hiqet përkohësisht prania e policisë së Kosovës nga veriu. Kjo do të ndihmojë në uljen e tensionit dhe do të shihet si vullnet i veprimit të mirë nga ana e Kosovë”, tha Feith.

    Ai shtoi se gjëja më e rëndësishme në këtë moment është që Kurti të dalë përpara me një veprim të vetin politik.

    “Nëse Amerika nuk e mbështet Kosovën do jetë një rrugë shumë e rrezikshme për Kosovën. Kurti duhet të fitojë besimin e SHBA, Berlinit dhe Parisit. Kosova ka nevojë të njihet në të gjithë botë, jemi në një pikë të ulët të besimit si ndaj Kosovës edhe ndaj Serbisë, po Kosova është më e cenueshme. Dhe si një mik i Kosovës jap këshillën miqësore: punoni të rrugën e dialogut, mos ndiqni rrugën e dhunës”, tha zyrtari i lartë.

    Feith tutje shtoi se situata në veri mund të ishte shmangur. Ai u shpreh se ajo që ndodhi nuk e kishte habitur, pasi e njëjta situatë kishe ndodhur në 2011 kur ai ishte përfaqësues i BE.

    Feith rekomandoi Qeverinë e Kosovës të jetë më e kujdesshme në kushtet kur aleati më i madh strategjik i Kosovës, SHBA është bërë shumë kritike ndaj saj.

    “Doja të vija theksin te fakti që SHBA që gjithmonë kanë qenë aleati më i ngushtë i Kosovës, tani janë bërë shumë kritike dhe kjo është shenjë e keqe. Kjo duhet ta bëjë qeverinë të mendojë lidhur me qasjen, duhet të jetë më e kujdesshme”, tha ai.