ATV

Author: ATVLive

  • Nga dialogu në menaxhim krize, zgjedhjet e reja përmes peticionit marrin kohë

    Nga dialogu në menaxhim krize, zgjedhjet e reja përmes peticionit marrin kohë

    Nevoja për zgjedhje të reja në katër komunat me shumicë serbe në Kosovë, ishte ndër pak gjërat për të cilat pati pajtim në takimet e ndara të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Krahas largimit nga Kosova ose burgosjes së ekstremistëve të dhunshëm, Kurti tha se inicimi i zgjedhjeve mund të ndodhë vetëm në pajtim me ligjin – ndërsa iu referua mundësisë për shkarkimin e kryetarëve me kërkesë të qytetarëve.

    Për largimin e kryetarit të komunës, sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, si hap i parë kërkohet shprehja e vullnetit përmes nënshkrimit të kërkesës nga së paku 20% e votuesve të regjistruar në atë komunë.

    Juristi Qëndrim Arifi shpjegon se zgjedhjet nuk shkaktohen në atë moment, pasi një kërkesë e suksesshme përcillet nga dy veprime të tjera kryesore, që marrin kohë.
    “Pasi që të zhvillohet ky peticion me sukses, kryesuesi i Kuvendit Komunal përkatës, ka për detyrë që ato rezultate të peticionit t’i dërgojë në KQZ. Pasi që KQZ-ja ta vlerësojë ligjshmërinë e atij peticioni dhe rezultatet e suksesshme të peticionit, atëherë KQZ-ja inicion jo-proces zgjedhor, por një lloj referendumi”, tha Arifi.

    Që zgjedhjet të mbahen, fillimisht, në referendumin për shkarkim duhet të votojnë më shumë se gjysma e qytetarëve me të drejtë vote.

    “Pasi që KQZ-ja i nxjerr rezultatet dhe i referon te Presidentja, atëherë Presidentja, në bazë të atyre rezultateve – nëse mbi 50% e qytetarëve me të drejtë vote kanë votuar për shkarkimin e tyre – automatikisht këta kryetarë kalojnë në kryetarë të përkohshëm. Nuk ecin në shtëpi, kushtimisht, ata mbesin, administrojnë si kryetar të dorëhequr, dhe presidentja brenda afatit ligjor shpallë zgjedhjet”, tha Arifi.

    Teksa si zgjidhje më të shpejtë përmend dorëheqjet eventuale nga kryetarët, opinionisti Bekim Kabashi vë theksin te kalimi nga dialogu për normalizim në dialog për menaxhim krizash.

    “Nuk është vetëm forma se si do të shpallen zgjedhjet, por paraprakisht edhe deeskalimi i situatës. Tash a do të tërhiqen kryetarët e komunave dhe njësia speciale nga ajo pjesë, dhe të lirohen policët e Kosovës, që kushtimisht janë kidnapuar nga Serbia, mbetet të shihet. Por, unë besoj se kjo do të ndodhë, sepse pas kidnapimit të policëve kemi njëfarë balance të përgjegjësisë sa i përket deeskalimit të situatës, por ajo që është shqetësuese është se procesi i paqes është lënë anash”, tha analisti Bekim Kabashi.

    Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok me pjesëmarrje 3.4% prodhuan katër kryetarë shqiptarë.

    Komuniteti serb, i cili bojkotoi zgjedhjet e 23 prillit, të mbajtura për shkak të dorëheqjes së kryetarëve paraprakë nga Lista Serbe, po i kundërshton kryetarët e rinj me protesta, në të cilat ka pasur dhunë ndaj gazetarëve, Policisë dhe KFOR-it. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Në AAB diskutohet për “dhunën”, gjinitë dhe mediat në Ballkan

    Në AAB diskutohet për “dhunën”, gjinitë dhe mediat në Ballkan

    Me gjithë përmirësimet e bëra viteve të fundit, dhuna seksuale dhe ajo me bazë gjinore, vazhdojnë të jenë fenomen shqetësues në vend.

    Të paktën kështu u vlerësua në tryezën publike, të organizuar nga Mediumi Francez “Courrier des Balkans” dhe Instituti “Musine Kokalari”, me temën: “Dhuna, gjinitë dhe mediat në Ballkanin Perëndimor.”

    Përfaqësues të Belgjikës, Zvicrës e Luksemburgut që ishin të pranishëm në Kolegjin AAB, theksuan rëndësinë e angazhimit të mëtejshëm, derisa grupet e margjinalizuara të mos ndihen të diskriminuar.

    “Në këtë seminar kemi mësuar shumë gjëra. E kemi vënë në pah progresin që është shënuar ndër vite. Por, mendoj se duhet të organizohet sërish ky seminar, dhe ne si Belgjikë të ndihmojmë në përmirësimin e të drejtave të Njeriut”, tha shefi i Zyrës Diplomatike të Belgjikës, Julien Sassel.

    “Shoqëria civile vazhdon të luajë rol kyç për të përmirësuar barazinë gjinore. Për t’ua mundësuar grave të ushtrojnë të drejta të barabarta, por edhe komuniteteve, siç është edhe LGBTI. Kemi ende tema tabu. Por, jemi të bindur që së bashku me mediat, do të mund ta përmirësojmë situatën, në mënyrë që grupet e margjinalizuara të shprehen më mirë”, tha zëvendësambasadorja e Zvicrës për Kosovë, Pauline Menthonnex – Gacaferri.

    Përmirësimet në dekadën e fundit, sipas Arian Lumezit, nga Instituti “Musine Kokalari”, duhet të përdoren si motiv për të arritur më shumë progres.
    “Duket që shoqëria jonë e ka arritur njëfarë pragu që duhet me kalu, për me shku në një tjetër shkallë të përmirësimit…”, tha Arian Lumezi nga Instituti “Musine Kokalari”.

    Përveç përfaqësive të këtyre shteteve, në panelin e parë të diskutimit, morën pjesë edhe gazetarë dhe udhëheqës të organizatave joqeveritare nga Kosova, Serbia e Shqipëria. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Edi Rama – Serbisë: Po i mbani peng policët, menjëherë lirojini!

    Edi Rama – Serbisë: Po i mbani peng policët, menjëherë lirojini!

    Lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të arrestuar nga autoritetet serbe, e ka kërkuar përsëri kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

    Sipas tij, shpërshkallëzimi i situatës në Veri dhe dialogu nuk mund të ndodhin në rast se Serbia vazhdon t’i mbajë peng policët kosovarë.

    Po ashtu, Rama tha se u ka dërguar edhe një letër Presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit të KiE, Charles Michel, për zbatimin me doemos të planit francezo-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe Kosovë – Serbi.

    Kryeministri i Shqipërisë ka kërkuar nga Macroni e Sholzi që ata të jenë më të ashpër me Kurtin e Vucicin.

    Po ashtu, ai ka kritikuar të dy liderët, të Kosovës dhe Serbisë, që për poenë politikë të brendshëm po mbajnë peng rajonin dhe, sipas tij, përplasjet në rajon i shkojnë për shtati vetëm politikave të Rusisë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kryetarët e PDK-së në komunat në veri s’e mendojnë dorëheqjen

    Kryetarët e PDK-së në komunat në veri s’e mendojnë dorëheqjen

    Në objekte të komunave si kryetarë hynë vetëm një herë, madje me ndihmën e policisë.

    Mirëpo, dy nga katër kryetarët shqiptarë, punën e tyre e vazhduan në zyra alternative, për shkak të tensioneve në Veri.

    Ndërkohë, sa do ta ushtrojnë këtë mandat ende nuk dihet pasi që për shtensionimin e situatës, Bashkimi Evropian ka propozuar që në katër komunat në veri të përsëriten zgjedhjet.

    Mbajtja e zgjedhjeve të reja për kryetarët nga radhët e PDK-së, është e mirëpritur.

    Duke thënë se nuk do të japë dorëheqje, Zeqiri thotë se nuk do të kandidojë përsëri në rast se mbahen zgjedhjet.

    Një qëndrim për këtë çështje nuk pranoi ta japë kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, duke thënë se do të deklarohet javën e ardhshme.

    Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk mund të flasë për ndonjë zgjidhje në emër të kryetarëve që i takojnë PDK-së.

    Mirëpo, sa i përket organizimit të zgjedhjeve të reja në katër komunat në Veri, PDK-ja kërkon që të respektohen ligjet e Kushtetuta. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Arrestohet “rusi” në Mitrovicë të veriut, dyshohet për sulm ndaj KFOR-it në protestën e 29 majit

    Arrestohet “rusi” në Mitrovicë të veriut, dyshohet për sulm ndaj KFOR-it në protestën e 29 majit

    Nga nxitimi për t’i parë veturat që erdhën në autolarje, serbi Nenad Orlloviq doli gjysmë i zhveshur.

    “Rusi” siç e ka nofkën, shpejt e kuptoi se tri patrullat e policisë nuk ishin klientë të autolarjes në Mitrovicë të Veriut, por kishin ardhur enkas për ta arrestuar atë, andaj ngriti duart lart.

    Orlovic, i njohuri edhe me nofkën “Nemac”, dyshohet të jetë i përfshirë në sulmin ndaj KFOR-it, në fund të muajit maj.

    “Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer pas sigurimit të dëshmive, se ai është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it, me datën 29 maj 2023, ku si pasojë e sulmeve dhe dhunës së shfaqur, dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime trupore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Por, ky është vetëm arrestimi i nëntë, nën dyshimet për sulm ndaj KFOR-it, Policisë dhe gazetarëve.

    Më parë ishin arrestuar Dushan Obrenoviq, Radosh Petroviq, Millun Millenkoviq-Llune, Dalibor Spasiq, Urosh Vukasinoviq, Nemanja Vlashkoviq, Millan Bozhoviq dhe Sllagjan Trajkoviq. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kabashi: Veprimet e Kurtit nuk u bëjnë përshtypje ndërkombëtarëve

    Kabashi: Veprimet e Kurtit nuk u bëjnë përshtypje ndërkombëtarëve

    Gazetari dhe analisti Bekim Kabashi, në emisionin DIREKT në ATV, tha se kryeministri Kurti, ditëve të fundit ka reflektuar që të tregojë se ka vullnet të bëjë zgjidhjen e situatës në të cilën ndodhet sot në Kosovë.

    “Situata është e tensionuar në Kosovë dhe është e tensionuar si asnjëherë më parë, këtë po e dëshmon edhe presioni që po vjen prej bashkësisë ndërkombëtare. Kuti po mundohet t’i bëjë disa lëvizje në këtë drejtim që të reflektojë sikur po ka vullnet ta zgjidh situatën problematike në Kosovë, duke iu adresu serbëve në gjuhën serbe, pastaj takimi me Papën edhe vullneti për me shku në Bruksel për tu taku, për ta de-eskalu situatën”, tha Kabashi.

    Mirëpo, këto përpjekje të kryeministri, sipas Kabashit, nuk i bëjnë përshtypje bashkësisë ndërkombëtare, pasi këta të fundit kanë kërkesa konkrete për Kosovën.

    “Por veprime të tilla nuk është se i bëjnë përshtypje bashkësisë ndërkombëtare sepse ata kanë kërkesa konkrete në këtë rast dhe kërkesat e tyre janë që të tërhiqen kryetarët e komunave nga objektet ku janë të vendosura, të tërhiqen edhe njësia speciale dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme, por përveç kësaj edhe me procedu me draftimin e statutit të Asociacionit, për të cilin mendoj se është thelbi i të gjithë kësaj problematike”, tha Kabashi. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Hamidi: Kurti bëri shumë mirë që nuk u takua me Vuçiqin

    Hamidi: Kurti bëri shumë mirë që nuk u takua me Vuçiqin

    Gazetari dhe analisti Lavdim Hamidi, në emisionin DIREKT në ATV, tha se veprimi më i mirë i Kurtit që ka bërë kohëve të fundit është që e nxori keq presidentin Vuçiq, pasi ky i fundit nuk pranoi të takohet.

    “Veprimin më të mirë që e bëri kohëve të fundit është që shkoi në Bruksel edhe ndoshta të vetmin rast ku e nxori keq Vuçiqin që nuk pranoi të takohet, pavarësisht që shteti i tij mbanë tre policët tanë që i kanë rrëmbyer dhe një grup i madh i strukturave kriminale në veri menaxhohen ose udhëhiqen vetë nga Vuçiq”, tha Hamidi.

    Ai përmendi kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës, për të cilët thotë se ende nuk është pa asnjë veprim dhe se mos realizimi i tyre e ka nxjerrë palën kosovare në një pozicion të vështirë.

    “Problemi kryesor është se kanë mbetur më pak se 60 ditë deri në afatin e fundit kur pala kosovare duhet ta dorëzojë draftin e statutit për Asociacion, ndërsa asnjë veprim nuk është bërë deri më tani. Kërkesë e vazhdueshme është që kryetarët e komunave të zhvendosen në objekte alternative, ndërsa e kemi kryetarin e Leposaviqit që është i mbyllur që sa ditë çka ka me ndodh, që kanë me u shpallë zgjedhjet. E dyta është me i tërheqë njësitet speciale nga komunat. Pra janë disa veprime që nuk po shkojnë me njëra tjetrën. Po shkon me u taku në Bruksel, por nuk po i përmbahet kërkesave dhe kushteve të bashkësisë ndërkombëtare që e kanë nxjerrë palën kosovare në një pozicion shumë të vështirë”, tha Hamidi. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Haliti: Takimi me Borrell-in nuk solli asgjë, policët tashmë ishte dashur të lirohen

    Haliti: Takimi me Borrell-in nuk solli asgjë, policët tashmë ishte dashur të lirohen

    Gazetarja Albina Haliti, në emisionin DIREKT në ATV, tha se takimi i shefit të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell me Kurtin e Vuçiqin nuk solli asgjë të re, pasi që sipas saj, policët e rrëmbyer tashmë ishin dashur të lirohen.

    “Takimi me shefin e BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell që ishte ndarë veçmas me Kurtin edhe Vuçiqin, nuk solli asgjë, nuk solli një garancë, sepse tash në këto momente veç se ish dashtë të lirohen policët e arrestuar. Veç me e pa reagimin e Borrellit, e sheh që lirimin e policëve e ka dhënë te pika e tretë, mandej është edhe një kusht tjetër që ia ka rritë fuqinë EULEX-it”, tha Haliti.

    Sipas saj, nga ky takim është fuqizuar EULEX-i, si një mekanizëm ndërkombëtarë që të bëjë monitorimin e zhvillimeve në veri.

    “Ne e dimë që një kohë të gjatë, forcat policore të EULEX-it kanë qenë në një numër shumë të vogël. Borrelli kërkoi monitorim, do të thotë një mekanizëm i jashtëm ndërkombëtar ta monitorojë punën e policisë tonë, do të thotë nuk është që kanë besim të plotë në krejt këtë situatë që është duke ndodhur”, tha Haliti. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Shfaqja “La Sylphide”, premierë në teatrin “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB

    Shfaqja “La Sylphide”, premierë në teatrin “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB

    Sonte duke filluar nga ora 19:00, “, në teatrin “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB, do të jepet premiera e shfaqjes së baletit “La Sylphide”.

    Kjo shfaqje vlerësohet si më e bukura në botën e baletit.

    Koreografja Behie Murtezi, në një prononcim për ATV-në tregoi se në premierën e sontme do të ketë shumë surpriza të bukura.

    “Sonte premiera është prej orës 19:00, kemi shumë emocione. Kemi me pasë surpriza shumë të bukura që publiku edhe as prindërit që i sjellin fëmijët këtu nuk i dinë. Po besoj se ka me shku gjithçka mirë sepse vërtetë jemi përgatitur”, tha Behia.

    Ajo tregoi se shfaqja “La Sylphide”, për të gjithë ata që nuk e dinë është njëra prej perlave të baletit, është njëra prej shfaqjeve më të mira dhe më të njohura në botë.

    “Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë. Kjo shfaqje është duke u përgatitur tash e tre muaj. Shfaqja “La Sylphide”, për të gjithë ata që nuk e dinë është njëra prej perlave të baletit, është njëra prej shfaqjeve më të mira dhe më të njohura në botë. Këtë shfaqje e kanë luajtur nëpër të gjithë teatrot e botës, kështu që pa dyshim, edhe ne kemi dashur ta kemi në skenën tonë. Kjo shfaqje është edhe më e dashura për fëmijët sepse në rolet kryesore është magjistarja, është zana e malit, është Efi, e fejuara e princit që zhvillojnë një ngjarje shumë interesante për fëmijët”, tregoi ajo. /atvlive.tv

  • ​Osmani: Vepra e Shyqri Nimanit na mban të lidhur përjetësisht

    ​Osmani: Vepra e Shyqri Nimanit na mban të lidhur përjetësisht

    Profesor Shyqri Nimani është ndarë vetëm fizikisht pasi vepra e tij do të jetojë gjithmonë. Kështu u tha sot në mbledhjen komemorative për të nderuar profesorin e ndjerë, Shyqri Nimani, me ç’rast u mbajt edhe një minutë heshtje.

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani teksa vlerësoi lart veprën e Nimanit, u shpreh tha se profesor Nimani po ndahet vetëm fizikisht prej nesh, pasi vepra e jeta e tij do të jetojnë gjatë sa shtetësia e Kosovës.

    “Profesor Shyqa siç e quanim të gjithë do ta gjejë paqen në botën e përtejme, duke marrë me vete dashurinë e njerëzve që patën fatin ta njihnin, ta kishin në familje e duke na lënë prapa veprën e jashtëzakonshme artistike pasionin e madh për artin, kujtimin e pasosur si njeri e ëndrrën për të ngjarë sado pak. Rastet e tilla sikur është ndarja prej miq të shquar si profesor Shyqa, njeriu e kupton se ndarja është vetëm dhimbje që na shtyn drejt afrimit më të madh me atë që ata përfaqësojnë dhe me peshën e tyre në jetët tona…Profesor Shyqa po ndahet vetëm fizikisht prej nesh, por pikërisht në këtë ndarje ne e kuptojmë se ai, vepra e tij, personaliteti i tij i jashtëzakonshëm, kontributi i tij për artin përfshirë edhe organizimin e jetës artistike, duke qenë shtytës i madh i krijimit të Galerisë Kombëtare veprat e shumta të dizajnit grafik, mësimet e tij, karligrafia e tij e mbetur dëshmi kohe në deklaratën e pavarësisë. Pra, të gjitha këto bashkë nuk na ndajnë, por na mbajnë të lidhur përjetësisht me të. Ato nguliten thellësisht në kujtesën tonë e në veprimin tonë“, tha presidentja Osmani.

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku teksa shprehu ngushëllime për vdekjen e profesor Nimanit, deklaroi se vdekja e tij i ka gjetur në befasi.

    Ministri Çeku tha se profesor Nimani ka lënë gjurmë në artin vendor, të cilat sipas tij, institucionet duhet t’i kultivojnë.

    “Një shqiptar i devotshëm një njeri i botës që e shihet botën me syrin e një shqiptari pa asnjë kompleks por me shumë mburrje e krenari për historinë e kombit të tij, një personalitet poliedrik që ka punuar në shumë fusha ka lënë shumë vepra e gjurmë jo vetëm në numër, por edhe cilësi e elegancë në shumë stil. Ne natyrisht që na takon që të bëjmë më të mirë tonë si institucione për ta kultivuar këtë trashëgimi që na ka lënë pas”, u shpreh Çeku.

    Bashkëpunëtorit i Shyqri Nimanit, profesori Jusuf Buxhovi theksoi se tashmë i ndjeri Nimani ka merita historike për ndërtimin e binarëve të shteti të Kosovës.

    Buxhovi tha se Shyqri Nimani është ndër ata që kanë krijuar vepra, të cilat e kanë ndërlidhur identitetin tonë me atë perëndimor.

    “Shyqri Nimani nuk do të mbetet në kujtesë vetëm për këtë, kujtoj se ai i takon brezit të intelektual e krijuesve që lirisht mund të quhen brezi i Republikës së Kosovës, brez, i cili në fund të viteve 60’ta, 70’ta, 80’ta e tutje krijoi platformën intelektuale, institucionale e shpirtërore të një rrugëtimi tonë fillimisht kah barazia…Shyqri Nimani është ndër ata, të cilët i takoi merita historike se shtetin e Kosovës ta vënë në binarët historik dhe ajo karligrafia e tij me deklaratën e pavarësisë do ta ruajë imazhin e përhershëm të tij. Unë kujtoj se ky është një nderim i jashtëzakonshëm, të cilin e ka pas fatin ta ketë vetëm Shyqri Nimani nuk e ka pas pse i ka rënë ashtu rastësisht, por se ka qenë një mjeshtër i madh”, tha ai.

    E fjalë të mëdha për jetën dhe veprën e Shyqri Nimanit pati edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili Nimanin e quajti si një yll polar.

    “Kontributet e gjithë ndryshme të tij shtrihen larg përtej dizajnit karligrafik, dizajni grafik ai ishte edhe sfidues e historian i flaktë i artit që gjurmoi artistët shqiptar gjatë renesancës italiane nëpër Evropë ose edhe gjatë perandorisë osmane, duke na lënë disa monografi mbresëlënëse. Krahas rritjeve të jashtëzakonshme si studiues arti, profesori Nimani kishte po ashtu edhe një shpirt poetik, rrugëtimi artistik e çoi shumë larg atdheut…Nuk ishte ai thjesht vetëm një profesor, por ylli polar për të gjithë ata që e patën fatin me u arsimua dhe aftësua prej tij”, theksoi ai.

    Djali i akademikut, Shyqri Nimani, Albani falënderoi të gjithë që po u qëndrojnë pranë në këto ditë të vështira për familjen e tyre, ndërsa kërkoi që ata njerëz të mëdhenj që kanë mbetur, të vlerësohen.

    “Edhe si shtet edhe si shoqëri duhet me e dashtë njëri-tjetrin dhe sidomos njerëzit e paktë që kemi dhe po na humbin gjeneratat që i pamë edhe në këtë posterin e teatrit janë komplet historia modern…mendoj se ata që na kanë mbetur me i deshtë dhe me i respektua shumë, me i vlerësuar në mënyrë që të krijojmë bazat e mira edhe për gjeneratat tjera”, tha ai.

    Profesor, Shyqri Nimani ka ndërruar jetë dje (22 qershor). E gjatë ditës së sotme, personalitetet kulturore e politike në vend bënë homazhe në nderim të profesorit të ndjerë, Shyqri Nimani.

    Profesori Nimani për në banesën e tij të fundit do të përcillet në orën 17:00.

    Shyqri Nimani ka qenë dorëshkruesi i pavarësisë së Republikës së Kosovës. /KP