ATV

Author: ATVLive

  • Familjari i viktimave në Pejë: S’arritëm t’i nxjerrim të gjallë, mezi shpëtuam fëmijët e tjerë

    Familjari i viktimave në Pejë: S’arritëm t’i nxjerrim të gjallë, mezi shpëtuam fëmijët e tjerë

    Familjari i dy viktimave që humbën jetën si pasojë e vërshimeve të djeshme në Pejë, Milaim Ademaj rrëfeu për KosovaPress momentin se si ndodhi ngjarja.

    Gjyshi i nipit 5-vjeçar, Ademaj tha se pavarësisht mundimeve për shpëtim, nuk ia dolën t’i nxjerrin trupat e gjallë.

    “Shi ka rënë, ka rrëshit një pjesë e kodrës, e ka nxënë jazin, u mbush te vëllau oborri plot ujë, del, deri kur ka pas mundësi e ka mbajt muri, por më pas uji ka depërtuar brenda. Menzi i kemi shpëtuar dy fëmijët e tjerë, jemi munduar ta shpëtojmë nusen, sepse atë të voglin nuk e kemi pa askund, pastaj e kemi gjet në shtëpi të komshinjëve, e nusen e kemi gjet në tretën shtëpi në podrum”, tha Ademaj.

    Ndërkaq, axha i viktimës, Albert Ademaj tha për KosovaPress se pavarësisht thirrjeve tek institucionet, nuk hasën në ndihmën e tyre.

    “I ka thirr kryetarja e lagjes, Policinë, ambulancën, ndihmën, por veç dy policë kanë qenë nalt, as nuk është ardhë ambulanca. Djalin vet e kemi çu në spital, ja kemi dhënë ndihmën e parë, jemi munduar. Nusen nuk na ka ndihmuar askush, për me nxjerrë, e kam nxjerr vet me një shok timin. Ata kanë hallakat qaty e më kanë thënë nuk ka asgjë në podrum. Ne kemi hy vetë për te dytën herë dhe e kam gjetë aty…Një polic e ka thy krahun dhe ambulanca është ardhë për të dhe jo me marrë gjenazen”, tha Ademaj.

    Edhe i afërmi tjetër, Haki Rama derisa e përshkroi ngjarjen, tha se pavarësisht përpjekjeve për shpëtim, nuk kanë arritur të shpëtojnë gruan dhe djalin e saj.

    “Kjo është tmerrim, kurrë nuk ka ndodhë. Që 70 vjet i kam mbush këtu, dhe kurrë nuk ka qenë uji kështu. Rrugës me ecë uji kështu, e shpijat me ardhë në këtë gjendje, kurrë s’ka ndodhë. Pesë pare nuk i jepi për dëme, vetëm që janë hup gruaja me djalin… Ne të gjithë kemi vrapu t’i shpëtojmë, bile jam i sëmurë prej këmbës, gati uji më ka çu. Nuk kam mujt asgjë t’i ndihmojë. Vetëm shyqyr i kemi shpëtu një familje aty pranë, e kemi ngreh njeriun zhag deri e kemi shpëtu, se ai ka qenë i pal՞vizshëm”, tregoi Rama.

    Mbrëmë, një grua dhe djali saj 5-vjeçar vdiqën si pasojë e vërshimeve në Pejë. Policia informoi se pas vdekjes së 5-vjeçarit, në lagjen “Asllan qeshme”, u gjet e vdekur edhe nëna e tij, e cila ishte e zhdukur. /kp

  • Abdixhiku: Ngjarja tragjike e vdekjes së nënës dhe fëmijës së saj është humbje e madhe për të gjithë ne

    Abdixhiku: Ngjarja tragjike e vdekjes së nënës dhe fëmijës së saj është humbje e madhe për të gjithë ne

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas humbjes të jetës së nënës dhe fëmijës së saj 5 vjeçar si pasojë e reshjeve të shiut në komunën e Pejës.

    “Jam në komunikim të vazhdueshëm me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri pas vërshimeve të shiut të cilat shkaktuan humbje jetësh e dëme të mëdha në disa lagje të Pejës”, është shprehur kryetari i LDK-së.

    “Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri së bashku me organet tjera lokale, janë duke i ndërrmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të ndihmuar familjet e prekura në këtë kohë të vështirë. Solidariteti dhe bashkëpunimi janë thelbësore në momente të tilla për të ndihmuar bashkëqytetarët të ngrihen përsëri pas një fatkeqësie tragjike.

    Si kryetar i LDK-së, falënderoj të gjitha organet lokale, njësitë e kërkim-shpëtimit të FSK-së si dhe të gjithë qyetarët për angazhimin e tyre për të tejkaluar këtë situatë. Po ashtu lus të gjithë të tregojnë kujdes të shtuar deri në menaxhimin e plotë të situatës.

    U bëj thirrje institucioneve qendrore të mobilizojnë të gjithë mekanizmat shtetëror të iu dalin në ndihmë të menjëhershme qytetarëve të prekur nga vërshimet. Institucionet tona duhet të koordinohen me të gjitha organet lokale për t’iu përgjigjur nevojave të familjeve tona në përballje me këtë situatë”, ka deklaruar Abdixhiku.

  • Krasniqi: Thellësisht i pikëlluar me ngjarjen tragjike në Pejë, ngushëllimet më të thella familjes e miqve

    Krasniqi: Thellësisht i pikëlluar me ngjarjen tragjike në Pejë, ngushëllimet më të thella familjes e miqve

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave, nënë e bir, që humbën jetën mbrëmë në Pejë, si pasojë e vërshimeve.

    Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, tha se në një moment të rëndë si ky, me zemër e mendje, është pranë familjes së viktimave.

    “Thellësisht i pikëlluar me ngjarjen tragjike në Pejë, ku si pasojë e vërshimeve kanë humbur jetën Mirsada dhe Dion Ademaj, nënë e bir, 30 respektivisht 5 vjeç. Në momente të rënda si ky, me zemër dhe mendje jam pranë familjes Ademaj për të ndarë dhembjen e madhe nga humbja e më të dashurve të tyre. Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, ngushëllimet më të thella familjes, miqve dhe të gjithë qytetit të Pejës, të cilët u goditën nga kjo fatkeqësi natyrore”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

    Të lënduarve u ka uruar shërim të shpejtë, derisa ka kërkuar të ofrohet mbështetje për tejkalimin e kësaj situate në Pejë.

    “Vërshimet e mëdha kanë lënduar edhe shumë persona të tjerë, për të cilët uroj shërim të shpejtë. Ashtu siç kanë shkaktuar edhe shumë dëme të mëdha materiale, për të cilat, pas komunikimit me zyrtarët në qytetin e Pejës, mësova se janë duke u bërë përpjekjet maksimale për sanimin dhe rikuperimin e tyre. E rëndësishme është që i gjithë vendi, pa përjashtim, në këtë moment sfidues, të solidarizohet me qytetin e Pejës dhe të ofrojë mbështetjen e parezervë për tejkalimin e kësaj situate”, ka shtuar ai.

    Krasniqi e ka ftuar edhe Qeverinë e Kosovës që të jetë aktive dhe të shfrytëzojë të gjitha kapacitetet e saj logjistike e materiale, në ndihmë qytetarëve dhe institucioneve të Pejës në përballimin e kësaj fatkeqësie.

  • Pamje të rënda nga Peja pas vërshimeve

    Pamje të rënda nga Peja pas vërshimeve

    Vërshimet si pasojë e shiut të madh ishin tragjike për qytetin e Pejës. Gjithë vendi u trondit për vdekjen e një nëne dhe fëmijës të saj 5-vjeçar, anëtarë të familjes Ademaj.

    Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, në një prononcim për Sinjalin mëngjesin e sotëm, vetëm pak orë pas vërshimeve, tha se situata është e qetë dhe nuk raportohet për ndonjë incident tjetër, përveç rastit tragjik.

    Pavarësisht se Muhaxheri tha se nuk dihet ende për dëmet e shkaktuara si pasojë e vërshimeve, në pamjet që qytetarët po i publikojnë nga atje shihet se pasojat materiale janë jashtëzakonisht të mëdha.

    Shtëpi të shkatërruara, toka të çara në mes, vetura të dëmtuara nga shembja e rrënoja, janë vetëm disa nga dëmet në zona të ndryshme të Pejës.

  • “Ishin t’u nejtë, shiu ua rrëzoi shtëpinë”, detaje nga rasti tragjik i familjes Ademaj në Pejë

    “Ishin t’u nejtë, shiu ua rrëzoi shtëpinë”, detaje nga rasti tragjik i familjes Ademaj në Pejë

    ërshimet që u shkaktuan mbrëmë nga shiu i madh në Pejë lanë të vdekur një nënë dhe fëmijën e saj 5 vjeçar.

    Kryetarja e Bashkësisë Lokale “2 Korriku” në Pejë, Valbona Avdijaj, ka shpalosur disa detaje të reja për humbjen tragjike të dy personave, nënë e bir pas vërshimeve të mëdha me të cilat u përballë qyteti.

    Ajo tha se u lajmërua nga banorët e qytetit që vërshimet në lagjen “Asllan Qeshme”, ku banonin edhe dy viktimat, janë të nivelit të lartë, teksa shtoi se nga po të njëjtit kuptoi edhe lajmin për vdekjen e fëmijës 5-vjeçar.

    Me të marrë këto informacione, ajo tha se kishte telefonuar kunatën e nënës së 5-vjeçarit, e cila dhe ia konfirmoi rastin e rëndë.

    “Ndodhi papritur, të reshurat e shiut ishin të mëdha dhe i morën dy jetë njerëzish. Ishin në shtëpi brenda t’u nejtë, shiu i madh e rrëzoj shtëpinë”

    “Jam shumë e mërzitur si kryetare e Bashkësisë lokale. E di, ekipet emergjente, drejtoriati i Emergjenës u munduan, por aq ishte fuqia e madhe e ujit, saqë ndodhi çka ndodhi…”, u shpreh ajo.

    Ajo gjithashtu shtoi se të gjithë banorët e lagjës “2 Korriku” u angazhuan në orët e mesnatës për gjetjen e dy kufomave.

  • IHMK: Edhe sot pritet të ketë reshje shiu në rajonin e Dukagjinit

    IHMK: Edhe sot pritet të ketë reshje shiu në rajonin e Dukagjinit

    Edhe gjatë ditës së sotme pritet të ketë reshje shiu në rajon e Dukagjinit.

    Besim Aliu nga Instituti i Metorologjisë së Kosovës bëri të ditur se reshje shiu do të ketë pasdite në këtë rajon.

    “Sot pasdite pritet të ketë sërish reshje shiu në rajonin e Dukagjinit”, tha ai.

    Ndryshe, të shtunën si pasojë e reshjeve të shumta të shiut në qytetin e Pejës janë shkaktuar vërshime.

    Nga vërshimet kanë humbur jetën një nënë së bashku me birin e saj, ndërsa janë lënduar disa tjerë.

    Gjithashtu ka pasur edhe dëme të shumta materiale, uji ka dëmtuar vetura si dhe ka depërtuar në brendi të disa shtëpive.

    Institucionet e shtetit kanë ofruar gjithë kapacitet që të ndihmohen qytetarët në Pejë.

  • Osmani: Humbja e dy qytetarëve si pasojë e vërshimeve tronditi Kosovën

    Osmani: Humbja e dy qytetarëve si pasojë e vërshimeve tronditi Kosovën

    Presidentja Vjosa Osmani u shpreh se humbja e dy qytetarëve si pasojë e vërshimeve të djeshme në Pejë, tronditi të gjithë Kosovën.

    Osmani potencoi se Forca e Sigurisë së Kosovës dhe të gjithë institucionet e tjera që merren me emergjenca të tilla janë në Pejë, duke ofruar ndihmën dhe përkrahjen e tyre.

    “I shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve, miqve, kryetarit të Komunës z. Gazmend Muhaxheri dhe gjithë qytetarëve të komunës së Pejës për këtë humbje të madhe e kaq tragjike. Në këto momente të rënda, është me rëndësi që përkrahja të vazhdojë në mënyrë që komuna e Pejës të përballojë dhe të rikuperohet nga kjo situatë e vështirë e tragjike.”, shkroi Osmani në Facebook.

    Një grua dhe djali i saj, 5-vjeçar vdiqën si pasojë e vërshimeve të djeshme në Pejë. Policia informoi se pas vdekjes së 5-vjeçarit, në lagjen “Asllan qeshme”, u gjet e vdekur edhe nëna e tij, e cila ishte e zhdukur.

  • Kurti: Jemi angazhuar të ndihmojmë në përballimin dhe tejkalimin e pasojave të vërshimeve

    Kurti: Jemi angazhuar të ndihmojmë në përballimin dhe tejkalimin e pasojave të vërshimeve

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se me pikëllim e mori lajmin për vdekjen e dy qytetarëve si pasojë e vërshimeve të djeshme në Pejë.

    Ai shprehu ngushëllime për jetët e humbura dhe u uroi shërim të lënduarve.

    “Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të jetëve të dy qytetarëve tanë, Dion Ademaj dhe Mirsada Ademaj, nga vërshimet e mbrëmshme në Pejë. Kjo humbje e madhe për familjet Ademaj dhe Hoxhiq është humbje e madhe për vendin tonë. Në këto ditë të rënda, dhembjen e ndajmë bashkë me familjarët dhe miqtë e tyre. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Të lënduarve u uroj shërim sa më të shpejtë.”, shkroi Kurti në Facebook.

    Kurti u shpreh se qeveria është angazhuar me kapacitetet e saj me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave që të ndihmojë në përballimin dhe tejkalimin e pasojave të vërshimeve.

    “Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, janë në komunikim me Komunën e Pejës për të koordinuar veprimet në ofrim të mbështetjes së nevojshme.”, shkroi tutje Kurti.

    Një grua dhe djali i saj, 5-vjeçar vdiqën si pasojë e vërshimeve të djeshme në Pejë. Policia informoi se pas vdekjes së 5-vjeçarit, në lagjen “Asllan qeshme”, u gjet e vdekur edhe nëna e tij, e cila ishte e zhdukur./KP

  • “Dua t’u tregoj njerëzve diçka që nuk e dinë: Turqia e ka armatosur seriozisht FSK-në…”; thotë Vuçiq

    “Dua t’u tregoj njerëzve diçka që nuk e dinë: Turqia e ka armatosur seriozisht FSK-në…”; thotë Vuçiq

    “Dua t’u tregoj njerëzve diçka që nuk e dinë. Turqia e ka armatosur seriozisht FSK-në…Turqia u ka dhënë raketa anti-tank, dronë, topa me rreze të gjatë. Këto i ka FSK-ja sot”, ka thënë Aleksandar Vuçiq duke folur në emisionin e mëngjesit në Tv Pink teksa u ankua për mbështetjen turke dhe “armatimin serioz” që po ia sigurojnë Forcës së Sigurisë së Kosovës, për të cilën tha se “është kundër të drejtës ndërkombëtare.

    “Ne refuzuam të blejmë bajraktarë sepse ata ia dhanë Prishtinës. Nuk do të bashkëpunojmë më me ta në këtë. Dronët kinezë, CH-90, na kanë ardhur kohëve të fundit. Brenda pesë muajsh, do të kemi 1 mijë dronë kamikazë që i kemi porositur nga Lindja e Mesme, për të parandaluar një agresor potencial”, ka thënë Vuçiq.

    “Kurti dëshiron të na ngrejë në luftë dhe ai nuk do të ndalet”, ka thënë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke folur rreth ngjarjeve të fundit në Kosovë, derisa thotë se “edhe aktorët kyç perëndimorë e dinë që ai është fajtori”.

    Vuçiq madje tha për Kurtin se ai “është enverist, marksist dhe anarkist” dhe se “ai dëshiron gjithçka që unë dua ta shmang”.

    “Kurti nuk do ta formojë Asociacionin, as në një mënyrë e as në një tjetër. Ai e di që Asociacioni duhet të jetë në pajtim me parimet e nënshkruara nga unë dhe Isa Mustafa. Nuk pranon asnjë parim. Ai dëshiron të nga nrejë në luftë. Sepse dëshiron të jetë lider lufte. Është enverist, marksist dhe anarkist. Gjithçka që unë dua të shmang, ai e dëshiron ta bëjë. Dhe tash dëshiron të nga ngrejë në konflikt me NATO-s. Janë tejet të këmnaqur që turqit kanë arritur”, ka thënë Vuçiq.

  • Dy të lënduarit nga vërshimet në Pejë janë jashtë rrezikut për jetë

    Dy të lënduarit nga vërshimet në Pejë janë jashtë rrezikut për jetë

    Nga vërshimet në Pejë janë lënduar dy persona, ndërkaq kanë vdekur dhe dy të tjerë.

    Zëdhënësi për media në Spitalin Rajonale të Pejës, Naim Sahiti, ka thënë se të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë.

    “Ata janë duke e vazhduar trajtimin nga dje në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës”, ka thënë Sahiti.