ATV

Author: ATVLive

  • Vdekjet e dy qytetarëve në Pejë, rrëfehen familjarët

    Vdekjet e dy qytetarëve në Pejë, rrëfehen familjarët

    Mes lotëve e trishtimit, Albert Ademaj, i afërm i dy viktimave, Dion e Mirsade Ademaj, tregon për humbjen e familjarëve të tij, që vdiqën si pasojë e përmbytjeve nga të reshurat që ndodhën mbrëmë në qytetin e Pejës.

    Derisa tregon për rastin, Alidemaj kritikon institucionet për mos ofrim të ndihmës së mirëfilltë.

    “Jemi të gjithë të shqetësuar, është tmerr, me vdek një nuse 26-vjeçare dhe një fëmijë 5-vjeçar, është katastrofë. Jemi munduar t’i shpëtojmë, gruan dhe djalin e vëllaut i ka tërhek një vrimë që e ka thyer murin. Jemi dalë t’i kërkojmë dhe pas një kohe e kemi gjet djalin e vëllait në një shtëpi më poshtë. Jemi munduar t’i japim ndihmën e parë, kemi thirr ambulanten, Policinë. Derisa e kemi pas djalin e vogël, askush nuk është ardhë hiç, as ambulanca e Policia, e kemi marrë vet dhe e kemi çua në spital, e aty nuk ka pas shenja për jetë, ka qenë i ngulfatur. Jemi kthyer në shtëpi dhe kam pyet nëse kanë hallakat për nënën e djalit, më thanë po kemi shikuar dhe kishin qenë dy policë”, tregoi Albert Ademaj, familjar i dy viktimave.

    Gjyshi i 5 vjeçarit, tha se pavarësisht përpjekjeve nuk arritën t’i shpëtonin të gjallë familjaret e tyre.

    “Shi ka rënë, ka rrëshit një pjesë e kodrës, e ka nxënë jazin, u mbush te vëllau oborri plot ujë, del, deri kur ka pas mundësi e ka mbajt muri, por më pas uji ka depërtuar brenda. Menzi i kemi shpëtuar dy fëmijët e tjerë, jemi munduar ta shpëtojmë nusen, sepse atë të voglin nuk e kemi pa askund, pastaj e kemi gjet në shtëpi të komshinjve, e nusen e kemi gjet në tretën shtëpi në podrum”, rrëfeu, Milaim Ademaj, familjar i viktimave.

    Ndërkaq, sipas të afërmve të tjerë, të tilla vërshime nuk mbahen mend të kenë ndodhur më parë.

    “Kjo është tmerrim, kurrë nuk ka ndodhë. Që 70 vjet i kam mbush këtu, dhe kurrë nuk ka qenë uji kështu. Rrugës me ecë uji kështu, e shpiat me ardhë në këtë gjendje, kurrë s’ka ndodhë”, tha Haki Rama, i afërm i viktimave.

    Derisa foli për ngjarjen tragjike që ndodhi mbrëmë në qytetin e Pejës, i pari i këtij qyteti Gazmend Muhaxheri tha se do të bëjnë rishikimin e situatës.

    “Përveç këtij rasti tragjik që kanë humbur nëna me fëmijë, këto tjera janë sende që rregullohen, por këto dy jetë nuk mund të kthehen. Ka ra shi shumë kohë të gjatë dhe mbrëmë ka qenë sasi e reshjeve që nuk ka ndodhur ndoshta për 50 vite. Duhet t’i bëjmë sajimet dhe të shohim çfarë do të bëjmë”, tha kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri.

    Si pasojë e reshjeve të shiut, mbrëmë në qytetin e Pejës, u shkaktuan përmbytje, ku përveç dëmeve në njerëz, pati edhe dëme të mëdha materiale. /atvlive.tv

  • “Të bisedohet për arrestime”, Serbia propozon një plan katër-pikësh për situatën në veri

    “Të bisedohet për arrestime”, Serbia propozon një plan katër-pikësh për situatën në veri

    Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç, ka propozuar një “plan me katër pika”, të cilat, sipas tij, do të kontribuonin në qetësimin e situatës në veri të Kosovës.

    “Duhet të ketë bisedime për arrestimet e paligjshme. Duhet të ketë bisedime për tërheqjen e njësive speciale. Duhet të ketë bisedime për themelimin e Asociacionit të Komunave (me shumicë) serbe dhe të flasim për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale”, tha Vuçeviç.

    “Për mendimin tim, këto janë katër pikat që duhet të jenë bazamenti i zgjidhjes së kësaj situate, nëse me të vërtetë duam të lëvizim në drejtimin e shtensionimit”, ka thënë ndër të tjera Vuçeviç, ndërsa ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për siç tha “rrezikim të sigurisë së Serbisë”.

    Ndryshe, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paraqitur një plan në përbërje prej gjithsej pesë pikave, të cilën ua ka prezantuar shteteve partnere të QUINT-it (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe) për uljen e tensioneve në veri dhe rikthimin në dialog.

    Sundimi i ligjit në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, tërheqja e “milicisë fashiste” atje, kryerja e vlerësimeve të përbashkëta të sigurisë nga Policia e Kosovës, KFOR-i e EULEX-i, shpallja e zgjedhje lokale të parakohshme dhe rikthimi në dialog janë pikat e propozuara nga kryeministri Kurti.

    Ndërkaq, qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve janë kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për de-eskalim, por këto ende nuk janë përmbushur nga asnjëra palë.

  • Haxhiu për ngjarjen e trishtë në Pejë: Shpresojmë të jetë e fundit

    Haxhiu për ngjarjen e trishtë në Pejë: Shpresojmë të jetë e fundit

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi nënë e bir vdiqën të shtunën prej vërshimeve në Pejë.

    Sipas saj, mbrëmja e djeshme në Pejë shkaktoi shqetësim tek qytetarët atje dhe në të gjithë Kosovën në përgjithësi.

    “Mëngjesi i sotëm u bë edhe më pikëllues kur kuptuam se nga përmbytjet në disa pjesë të qytetit, pas të reshurave të shiut, paskan humbur jetën fëmiju 5 vjeçar dhe nëna e tij”, shkroi ajo në Facebook.

    Ajo shtoi institucionet lokale atje si dhe mekanizmat të tjerë shtetëror po veprojnë që kjo krizë të tejkalohet sa më parë dhe duhet të bëhet maksimumi në kushtet optimale të rregullimit infrastrukturor që vërshimet e tilla të mos përsëriten.

    “Bashkëndjejmë me dhimbjen e familjarëve për humbjen e më të dashurve të tyre, me shpresën që kjo të jetë ngjarje e fundit e trishtë që ndodhë jo vetëm si pasojë e kushteve natyrore por edhe si papërgjegjësi institucionale në ndërtimin cilësor të infrastrukturës urbane”, përfundoi Haxhiu.

  • Haradinaj viziton Pejën pas përmbytjeve, fton pushtetin të ndajë një fond emergjent

    Haradinaj viziton Pejën pas përmbytjeve, fton pushtetin të ndajë një fond emergjent

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka vizituar sot Pejën pas vërshimeve që ndodhën mbrëmë si pasojë e të cilave humbën jetën dy persona dhe u shkaktuan shumë dëme materiale.

    Haradinaj ka ngushëlluar familjen Ademaj pas humbjes së 2 anëtarëve të familjes, ndërkaq ka ftuar Qeverinë e Kosovës dhe institucionet relevante për mobilizim të menjëhershëm.

    “Vizitova sot qytetin e Pejës, për të parë nga afër situatën e krijuar pas vërshimeve. Ndamë dhimbjen me familjen Ademaj, e cila humbi më të dashurit e tyre në këtë tragjedi”, shkroi ai në Facebook.

    “Ftoj Qeverinë e Kosovës dhe institucionet relevante për mobilizim të menjëhershëm duke ndarë një fond emergjent për t’u dalë në ndihmë të gjitha familjeve të cilat pësuan nga këto vërshime”, tha ai.

    “Jemi me qytetarët e Pejës në këto ditë të vështira”.

  • Mes lotësh, familjari i viktimave në Pejë tregon se si arritën të nxjerrin trupat e pajetë

    Mes lotësh, familjari i viktimave në Pejë tregon se si arritën të nxjerrin trupat e pajetë

    Familjari i personave që humbën jetën në Pejë si pasojë e vërshimeve, Albert Ademaj për KosovaPress tregoi rastin me detaje si arritën t’i nxjerrin trupat e pajetë.

    Axha i 5-vjeçarit që vdiq si pasojë e vërshimeve, tha se nuk ka hasën në ndihmën e institucioneve.

    “Jemi të gjithë të shqetësuar, është tmerr, me vdek një nuse 26-vjeçare dhe një fëmijë 5-vjeçar, është katastrofë”, rrëfeu mes lotësh Ademaj për KosovaPress.

    Ademaj u shpreh se për t’i ndihmuar shkoi ekipi policor, porse, sipas tij, të njëjtit nuk ofruan ndihmë të mirëfilltë dhe as sjellje të duhur ndaj tyre.

    Madje, sipas tij, në vendin e njëjtë që Policia deklaroi se gjurmoi dhe nuk hasi në gjetje, ai tha se pikërisht aty, arritën ta nxjerrin trupin e familjares.

    “Jemi munduar t’i shpëtojmë, gruajen dhe djalin e vëllaut i ka tërhek një vrimë që e ka thyer murin. Jemi dalë t’i kërkojmë dhe pas një kohe e kemi gjet djalin e vëllaut në një shtepi më poshtë. Jemi munduar t’i japim ndihmën e parë, kemi thirr ambulantën, Policinë. Derisa e kemi pas djalin e vogël, askush nuk është ardhë hiç, as ambulanca e Policia, e kemi marrë vet dhe e kemi çu në spital, e aty nuk ka pas shenja për jetë, ka qenë i ngulfatur. Jemi kthy në shtëpi dhe kam pyet nëse kanë hallakat për nënën e djalit, më thanë po kemi shiku dhe kishin qenë dy policë. Njëri prej tyre tha kemi hallakat në podrum ku unë dyshojsha dhe nuk u binda pa hy vet. Hyra e kontrollova, hetova diçka, por nuk isha në dijeni nëse sigurt është ajo derisa e kam prek dhe e kam dallu që është trup i njeriut, gruaja vëllaut”, tha Ademaj.

    Ai akuzoi institucionet që nuk i dolën në ndihmë.
    Derisa tregoi rastin, Ademaj tha se edhe trupin e pajetë e dërguan vetë në ambulantë.

    “Veç Policia kanë qenë, më vonë është ardhë prokurorja e rastit edhe një shpëtimtar ka qenë. Një polic nuk është sjellë aspak mirë me do gjeste tmerr…Unë duke e nxjerrë gjenzën, ai thoshte mos e prek, leje aty. As nuk më ka ndihmuar, si qytetar të më ofrojë përkrahje më të mirë, por me atë sjelljen e “rrugaqit”. Me pas e kemi thirr ambulanten dhe më pas e kemi bajt me dorë, sepse rruga ka qenë e pakalueshme. Kemi shku poshtë dhe aty kemi menduar që është ardhë ambulanta, një kish qenë, por për një polic që është rrëzuar dhe ka thy krahun. I pyeta ku është ambulanta të çojmë për në spital, ndërsa përgjigjja e tyre ishte që nuk kanë qenë të informuar për këtë rast dhe nuk mundemi me marrë, sepse jemi ardhë për lëndim të krahut të një polici”, shtoi Ademaj.

    Mbrëmë, një grua dhe djali saj 5-vjeçar vdiqën si pasojë e vërshimeve në Pejë. Policia informoi se pas vdekjes së 5-vjeçarit, në lagjen “Asllan qeshme”, u gjet e vdekur edhe nëna e tij, e cila ishte e zhdukur.

  • Blinken: Përderisa Putin ishte i zënë me Kievin, tani po i duhej të mbronte Moskën nga një mercenar i krijuar nga po ai

    Blinken: Përderisa Putin ishte i zënë me Kievin, tani po i duhej të mbronte Moskën nga një mercenar i krijuar nga po ai

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se vendimi i Vladimir Putinit për të pushtuar Ukrainën ka krijuar kaos në vendin e tij.

    Blinken, në një intervistë ka thënë se Putini ishte në pragun e Kievit, teksa tani iu desh ta mbrojë Moskën nga një person që e ka krijuar vetë.

    “Nëse e vendosni këtë në kontekst 16 muaj më parë, Putin ishte në pragun e Kievit në Ukrainë, duke kërkuar të merrte qytetin brenda pak ditësh, ta fshinte vendin nga harta”, u shpreh Blinken, shkruan BBC.

    “Tani, atij i është dashur të mbrojë Moskën, kryeqytetin e Rusisë, kundër një mercenari të krijuar prej tij”, tha Blinken.

    “Pra, mendoj se kjo është e qartë – ne shohim të çara që shfaqen. Ku shkojnë, nëse diku, kur arrijnë atje, është shumë e vështirë të thuhet. Nuk dua të spekuloj për këtë,” thotë ai.

    Këto janë ndoshta vërejtjet më të forta për situatën në Rusi deri tani që është parë nga një zyrtar i lartë perëndimor.

  • Szunyog: Thellësisht i pikëlluar nga humbja tragjike e dy jetëve nga vërshimet në Pejë

    Szunyog: Thellësisht i pikëlluar nga humbja tragjike e dy jetëve nga vërshimet në Pejë

    Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáss Szunyog ka ngushëlluar familjen nga Peja e cila humbi dy anëtarë të saj në vërshimet e mbrëmshme.

    Ai përmes një postimi në Twitter iu ka uruar shërim të shpejtë të lënduarve.

    “ I pikëlluar thellësisht nga humbja tragjike e dy jetëve nga vërshimet në Pejë mbrëmë. Ngushëllime të përzemërta familjes së viktimave, shërim të shpejtë të lënduarve dhe rindërtim të shpejtë të zonës së prekur. Falënderoj reaguesit e parë, policinë dhe FSK-në”, tha ai.

  • Ambasadori britanik shpreh ngushëllime për viktimat në Pejë

    Ambasadori britanik shpreh ngushëllime për viktimat në Pejë

    Nicholas Abbot, ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovës, ka shprehur ngushëllime familjes së dy viktimave, nënë e bir, që humbën jetën si pasojë e vërshimeve në Pejë.

    Përmes një postimi në Twitter, ambasadori ka bërë të ditur se atij i ka bërë përshtypje përkushtimi i të gjithëve atyre që janë përfshirë në mbështetjen e të prekurve nga përmbytjet.

    “Dëshiroj t’i shpreh ngushëllimet e mia familjes së dy personave që humbën jetën mbrëmë në Pejë. Më bën përshtypje përkushtimi i të gjithë atyre që janë përfshirë në mbështetjen e të prekurve nga përmbytjet”, ka thënë ambasadori britanik.

  • Istogu i gatshëm t’i dalë në ndihmë Pejës pas vërshimeve të mbrëmshme

    Istogu i gatshëm t’i dalë në ndihmë Pejës pas vërshimeve të mbrëmshme

    Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave të cilët humbën jetën tragjikisht si pasojë e vërshimeve të mbrëmshme në Pejë.

    Ferati, përmes një postimi në Facebook, tha se kjo komunë është e gatshme t’i ndihmojë qytetarët e Pejës, në çfarëdo forme që nevojitet.

    Postimi i plotë:

    Bashkëndjejmë me qytetarët e Pejës, të cilët u dëmtuan mbrëmë nga vërshimet.

    Ne jemi të gatshëm, në çdo formë dhe në çdo kohë, t’iu dalim në ndihmë qytetarëve të Pejës!

    Së bashku e ndajmë dhimbjen dhe ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Ademaj të cilët humbën tragjikisht dy anëtarë të familjes së tyre.

  • Akademiku Qosja sot feston datëlindjen e 87-të

    Akademiku Qosja sot feston datëlindjen e 87-të

    Akademiku i njohur shqiptar Rexhep Qosja sot feston datëlindjen e 87-të. Ai ka lindur më 25 qershor 1936.

    Qosja është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.

    Dhjetëvjeçarin para luftës në Kosovë mori emër si figurë e realitetit kombëtar shqiptar. Politikisht organizoi Forumin Demokratik të Intelektualëve Shqiptarë si kundërpeshë ndaj LDK-së së Ibrahim Rugovës, më 1998 shkoi edhe më tej, duke e themeluar Lëvizjen Demokratike të Bashkuar (LDB). Në këtë cilësi mori pjesë në bisedimet në Rambouillet në shkurtin e vitit 1999 si anëtar i delegacionit shqiptar. Pas luftës Qosja mori pjesë në Këshillin Administrativ Interim vendosur më 15 dhjetor 1999. Pas një viti, më 16 dhjetor, dha dorëheqjen nga kryetarësia e LDB-së pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet e 28 tetorit të atij viti.