ATV

Author: ATVLive

  • ​Merr detyrën shefi i ri i EULEX-it

    ​Merr detyrën shefi i ri i EULEX-it

    Giovanni Pietro Barbano e ka marrë detyrën si shef i ri i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

    Ai është gjeneralmajor i karabinierëve italianë me më shumë se 40 vjet përvojë në ligj dhe rend, në aktivitete policore dhe operacione paqeje.

    Sipas njoftimit të EULEX-it, Barbano “pranoi se Misioni operon në një kontekst ende të vështirë, në mes të tensioneve të rritura”.

    “Misioni është një mjet i shkëlqyer për përgjigjen më të gjerë të BE-së ndaj sfidave të sigurisë, pasi EULEX-i është reaguesi i dytë i sigurisë i Kosovës. Brenda kufijve të mandatit të tij, Misioni do të vazhdojë të mbështesë stabilitetin në Kosovë, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve të saj”, ka thënë ai.

    Ai pason diplomatin suedez, ambasadorin Lars-Gunnar Wigemark, i cili përfundoi mandatin e tij si Shef i Misionit më 25 qershor.

    “Me një ndjenjë të madhe përgjegjësie i marr sot detyrat e mia si Shef i EULEX-it, një partner strategjik i Kosovës në sundimin e ligjit dhe sigurisë. Duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për mandatin jetik të Misionit, unë do të punoj me integritet dhe profesionalizëm për të përmbushur moton e Misionit ‘Partneritet për Drejtësi’, për të ndikuar pozitivisht në terren dhe për të avancuar qëllimet tona të përbashkëta për sundimin e ligjit në Kosovë” ka thënë Barbano.

    Ai gjithashtu ka thënë se EULEX do të vazhdojë të monitorojë nga afër rastet e përzgjedhura në nivelin policor, prokurorial, gjyqësor dhe korrektues për të vlerësuar se si këto raste trajtohen nga autoritetet e Kosovës.

    Sipas tij, ndër të tjera, monitorimi do të fokusohet në respektimin e të drejtave të njeriut, garancitë e gjykimit të drejtë, si dhe trajtimin e barabartë për të gjithë, duke përfshirë pjesëtarët e komuniteteve joshumicë në Kosovë./KP

  • ​Prishtina prezantoi planin e veprimit për siguri në shkolla

    ​Prishtina prezantoi planin e veprimit për siguri në shkolla

    Një përqindje e konsiderueshme nxënësve të kryeqytetit nuk ndihen të sigurt në shkolla.

    Prandaj, për të rritur sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve , komuna e Prishtinës ka hartuar planin e veprimit për siguri në shkolla 2023/26, i cili u prezantua sot.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama u shpreh se hulumtimet kanë nxjerr në pah një përqindje të konsiderueshme të nxënësve të cilët ndihen të pasigurt në shkollat e kryeqytetit.

    Rama u shpreh se sigurinë në shkolla e kanë si prioritet në planin qeverisës.

    “Hulumtimet e përfshira të kryera nga institucionet e kryeqytetit OSBE dhe Policisë së Kosovës kanë nxjerr në pah se një përqindje e konsiderueshme e nxënësve ndihen të pasigurt në shkollat e tyre. Kemi vizitor të pa dëshiruar nëpër shkolla, zënkat fizike nëpër shkolla, vandalizmi, ngacmimet gjatë rrugës, vjedhjet e gjërave të nxënësve dhe këta janë vetëm disa nga faktorët që nxënësit tanë i shohin në aspektet që cenojnë sigurinë e tyre. Madje, edhe nxënësit më të vegjël kanë raportuar apo kanë qenë të shqetësuar me dukuri të ngjashme. Kështu që komuna e Prishtinës e sheh me prioritet të lartë sigurinë e nxënësve tanë, sepse pa ndjenjën e sigurisë edhe fokusi në mësim mungon”, theksoi ai.

    Ndërsa, drejtoresha për Arsim në kryeqytet, Besiana Musëmurati theksoi se plani i veprimit për siguri në shkolla 2023/26 ka tri objektiva kryesore për të ofruar siguri për nxënësit.

    Ajo tha se hulumtimi ka treguar se nxënësit nga klasa 1 deri 5 ndihen për 12% jo aq të sigurt në shkolla, ndërsa 24% e nxënësve të klasës 6 deri në 12 ndihen të pasigurt në shkollat e Prishtinës.

    “Nxënësit e klasave 1-5 12% e tyre kanë thënë se nuk ndihen aq të sigurt, ndërsa nxënësit e klasave 6-12, 24% pra gati se dyfishin që ndihen jo aq të sigurt në disa raste 2.35% kanë thënë se ndihen jo aq të sigurt. Këto janë të dhëna na shqetësojnë të gjithëve…Plani i veprimit në përgjithësi ka tri objektiva kryesore, objektiva e parë është infrastruktura shkollore që garanton siguri…përmirësimi i klimës së shkollës dhe objektiva e tretë është rritja e sigurisë nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas. Buxheti vjetor është 1.5 milionë euro në vit”, u shpreh Musëmurati.

    E Merita Jonuzi nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit u shpreh se pa krijuar favore për siguri në shkolla është vështirë të flitet për rezultate mësimore.

    Sipas saj edhe përkundër dokumenteve të mira për mbrojtje të fëmijëve, sistemi vit pas viti ka çaluar për shkak të ndërrimit të qeverisjes lokale.

    “Në rrethanat e përgjithshme që i kemi konsideroj se pa krijua favore për siguri dhe mbrojtje të fëmijëve në kontekst të shkollës siç e kërkon legjislacioni në fuqi shumë është e vështirë me u fol për rezultate mësimore dhe është shumë e vështirë me fol për kompetencat apo ato që pretendon kurrikula dhe shkolla. Përgjatë kësaj pune që kemi punuar shumë konsideroj se sistemi vit pas viti ka çaluar…Konsideroj se çalohet për shkak se pushtetet ndryshohen nëpër komuna dhe ne nuk jemi mësuar me trasua memorien institucionale”, u shpreh ajo.

    Sipas të parës për arsim në kryeqytet, plani parasheh shumë aktivitete si: vendosja e kamerave të sigurisë në shkolla, rritja e numrit të psikologëve, zhvillimi i protokolleve për raportim të dhunës, rritja e sigurisë prej shkollës në shtëpi, inspektimet e lokaleve afër shkollave.

    Plani i Sigurisë është hartuar në bashkëpunim me nxënësit, prindërit, shkollat, Policinë e Kosovës, organizata jo qeveritare e shumë akterë të tjerë.

    Për hartimin e planit të veprimit hulumtimi është realizuar në 20 shkolla të Prishtinës me 500 nxënës, përfshirë 150 staf të shkollës dhe 150 prindër./kp

  • Arrestohen dy të kërkuar nga INTERPOL-i, policia jep detaje

    Arrestohen dy të kërkuar nga INTERPOL-i, policia jep detaje

    Dy persona të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar janë arrestuar sot në Istog dhe Malishevë.

    Që nga mëngjesi i sotëm, Policia e Kosovës është duke zhvilluar një operacion të madh në rajonin e Malishevës dhe të Istogut. Aksioni policor po zhvillohet kundër krimit të organizuar dhe trafikimit.

    Siç raporton portali Indeksonline, bazuar në burime brenda organeve të rendit, në këtë aksion është i përfshirë njësiti FAST Kosova.

    Dy persona janë arrestuar.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, e ka konfirmuar zhvillimin e aksionit dhe arrestimin e dy personave.

    “Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit (ILECU), ka realizuar një operacion policor në Istog dhe Malishevë, ku janë arrestuar dy meshkuj, kosovar”, ka thënë sot Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

    Dy personat e dyshuar kanë qenë të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet italiane.

  • Lirohen tre policët e rrëmbyer nga Serbia

    Lirohen tre policët e rrëmbyer nga Serbia

    Gjykata në Kralevë ka marrë vendim për lirimin e tre policëve të Kosovës që ishin rrëmbyer nga forcat serbe me 14 qershor.

    Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi, ishin arrestuar më 14 qershor.

    Policia derisa kishte konfirmuar arrestimin e tyre nga forcat serbe kishte thënë se “njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë”.

    Arrestimi i tre policëve ka nxitur reagime të shumta në vend, ku u kërkua lirimi i menjëhershëm dhe pa kushte.

    Lirimin e tre policëve e kanë kërkuar Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

  • Eksplorimi i botës së librave, brenda grupit “Maniakë t’Leximit” në Facebook

    Eksplorimi i botës së librave, brenda grupit “Maniakë t’Leximit” në Facebook

    Grupi i quajtur “Maniakë t’Leximit” përfaqëson të gjithë lexuesit e zellshëm që me plot vullnet e pasion shkruajnë, kritikojnë e analizojnë librat, me të cilët shoqërohen kudo që shkojnë.

    Ky grup i përbërë nga 41 mijë anëtarë në rrjetin social facebook mbledh lexues nga shumë troje shqiptare.

    Ndër ta është edhe një ndër administratorët e tanishëm të grupit, Zgjim Sherifi, i cili vetë merret me shkrimin e prozave poetike.

    “Historia e ime me librin ka filluar shumë herët që kur kam qenë fëmijë, libra kam pasur në shtëpi gjatë gjithë kohës, për shkak se axhi ka blerë libra shumë kur ka qenë student dhe ato libra i kemi trashëgu. Libri i parë që e kam lexu është libri “Malësorja” i Nazmi Rrahmanit edhe prej aty ka nisë një lloj shkëndije që me fillu me lexu gjatë gjithë kohës, rregullisht, prej shkollës fillore deri tash. Grupi i “Maniakë t’Leximit” ekziston prej vitit 2015 nëse s’gaboj. E kanë themelu disa djem nga Gjilani janë, Kushtrim Krasniqi e Luan Morina. Unë jam bërë pjesë e këtij grupit prej një shokut, ai më ka tregu që të bëhem pjesë dhe unë jam bërë pjesë, kurse si admin jam pjesë prej vitit 2020. Më kanë ftu vetë me u bo kështu që jam ende admin. Kjo ka ndikuar shumë pozitivisht tek unë për shkak se kam njohur libra që më herët nuk e kam ditë. Kështu edhe për nga rrethi i njerëzve, aty kam njohur shumë shokë e shoqe edhe sot dëm më hënë edhe jemi shokë e shoqe dalim flasim për libra”, thotë Sherifi.

    Krijimi i një platforme të tillë ka filluar shoqëri të reja ka zbuluar talent të rinj në fushën e shkrimit të zhanreve të shumta letrare dhe përmban diskutime të përditshme mbi autorë e libra të ndryshëm.

    Një ndër qëllimet kryesore të përmbajtjes së grupit ishte zgjimi i interesimit tek qytetarët për tu afruar me librin.

    “Grupi është një lloj dritare për ata që dojnë me lexu për ata që dojnë me u inspiro për me lexu. Grupi ka pasë goxha ndikim të madh në lexueshmërinë te ne, te qytetarët e Kosovës për shkak se shumë njerëz janë njoftu me njëri-tjetrin dhe i kanë sugjeru libra të ndryshëm ose i inspiru prej një postimit të një personi i cili e ka postu një libër dhe e ka shkru për atë libër një revy shumë bukur atë thjesht dikush e ka kapë atë libër e ka lexu. Kam vrejtë që te disa persona sepse edhe i njoh disa që postojnë kanë ndiku shumë mirë kjo grupi i “Maniakë t’Leximit” për shkak se më herët s’kanë lexu por kur e kanë pa që librat po vlerësohen dhe po ka rishikime të bukura, kanë fillu me lexu”, tregon Sherifi.

    Për t’u bërë pjesë e grupit “Maniakë t’Leximit” duhet tu përgjigjesh tri pyetjeve: Cilin libër je duke e lexu momentalisht, shkrimtari i yt i preferuar dhe thënia e preferuar.

    Në këtë grup janë disa rregulla strikte, ku nuk lejohen sharjet, fryrjet, nuk lejohen postimet me lloj “PDF-je” për shkak se mund të përmbajnë viruse, po ashtu edhe profilet false.

    “Maniakë t’Leximit” përveç postimeve, zhvillojnë edhe organizime të shumta në lidhje me librin si mënyrë për të takuar njëri-tjetrin dhe shpeshherë për të ndihmuar ata në nevojë.

    Ndër të tjera grupi çdoherë tenton të rritet në numër e të pasurojë përmbajtjen e faqes me vlera të vërteta të letërsisë. /atvlive.tv

  • Shkenca ‘ka zbuluar’ cila lindi e para, pula apo veza

    Shkenca ‘ka zbuluar’ cila lindi e para, pula apo veza

    Eshtë një çështje që çdo njeri e ka debatuar, që nga fëmijët e shkollave deri te profesorët e universitetit, por tashmë shkencëtarët thonë se më në fund kanë mësuar se cila ka lindur e para, pula apo veza.

    Kësaj pyetjeje një grup shkencëtarësh duket se i kanë dhënë zgjidhje kësaj enigma duke hulumtuar mbi proceset që çojnë në kristalizimin e karbonat kalciumit dhe formimin e lëvozhgës së vezës.

    Studimi ose teoria e publikuar në revistën shkencore ‘Nature Ecology & Evolution’, përfshinte analizën e 51 specieve fosile dhe 29 specieve në jetë, duke i ndarë në kategori ekzaminimi: oviparous vezë dhe viviparous.

    Studiuesit thonin se pararendësit reptilianë të pulave ishin viviparous – të cilët lindnin pa lëshuar vezë.

    Studiuesit e universiteteve të Bristol dhe Nanjing në Kinë, thanë se kafshët që lëshojnë vezë kanë qenë në fakt një inovacion i madh.

    Në disa terma të vështira shkencore Profesor Michael Benton, i University of Bristol, jepte te tjera detaje per teoritë: “Para lindjeve amniote, tetrapodët apo kafshët me 4 gjymtyrë u zhvilluan nga flatrat e peshkut”.“Ato duhet të jetonin në ujë ose pranë ujit në mënyrë që të ushqeheshin dhe të shumoheshin, siç bëjnë amfibët moderne si bretkosat apo salamandrat”.

    Ai shtonte: “Puna jonë dhe e studiuesve të tjerë vitet e fundit na ka bërë të besojmë se ‘modeli fiks i vezës zvarranike’ nuk është më i vlefshëm”.

    Profesor Baoyu Jiang, tha: “Kjo pikëpamje standarde po sfidohet teksa biologët kanë vërejtur gjarpërinj e hardhuca me strategji të papërcaktuar shumimi, pra si oviparitet dhe viviparitet.”

    Por megjithëse studiuesit thonë se kanë zgjidhur debatin, ku sipas tyre pula, ose më mirë proteina OC-17, është krijuar përpara vezës. /atvlive.tv

  • 89-vjeçares i kthehet kuleta e humbur pas 75 vitesh

    89-vjeçares i kthehet kuleta e humbur pas 75 vitesh

    Si një nga gjërat pa të cilat nuk dalim asnjëher nga shtëpia, është kuleta ku të gjithë e përdorim për t’i mbajtur dokumentet tona identifikuese, kartelat bankare e disa edhe si aksesor mode, mirpo cfarë ndodhë kur e humbni kuletën, ndoshta nuk prisni ta merrni, sidomos pas 75 vjetësh.

    E një gjë e tillë i ka ndodhur Betty Sissom 89 vjecare nga Illinois të cilës i është kthyer portofoli që i është vjedhur 75 vite më pare apo thënë ndryshe që nga viti 1940.

    Kuleta e Sissom, së bashku me dhjetëra tjera, u zbulua kur po kryheshin pune në ish-ndërtesën e Shkollës së Mesme Centralia për ta shndërruar në Kishë.

    Pastori Seth Baltzell ka deklaruar se si një mjeshtër i ujit ka gjetur portofola të shumtë në murin e tualetit të femrave, ku në mesin e tyre ishte i Betty.
    “Ne kemi punuar në këtë ndërtesë për gjashtë muaj. Nuk kam pritur që diçka që askush nuk e kishte parë për 75 ose 100 vjetët e fundit të dalë në pah”, tha Baltzell.

    Pastori besonte se kuletat ishin vjedhur 75 vjet më parë dhe donin të provonin t’i bashkonin ato me pronarët e tyre. Ai postoi fotografi në Facebook së bashku me emrat e disa prej ID-ve në to. Për habinë e tij, postimi ishte shpërndarë më shumë se 3.000 herë.

    Sissom, e diplomuar në vitin 1947 nga Centralia High, e cila tani jeton në zonën e St. Louis, ishte e shokuar kur pa kuletën e saj të kuqe të copëtuar pas gjithë këtyre dekadave.

    “Nuk mund ta imagjinoj se dikush i kishte vjedhur të gjitha ato kuleta dhe i ka vënë ato prapa tualetit në një hapësirë që as nuk e dija se ishte atje”, tha Sissom.

    Në kuletë kishte fotografi të shokëve të klasës që ajo nuk i kishte parë gjatë viteve. Ajo ishte gjithashtu e entuziazmuar për një fotografi të vëllait të saj, i cili ishte në Luftën e Dytë Botërore në atë kohë, por që atëherë ka vdekur. /atvlive.tv

  • Shefi i EULEX-it: Nuk mund të ketë mosndëshkueshmëri për kryerësit e dhunës, kushdo qofshin ata

    Shefi i EULEX-it: Nuk mund të ketë mosndëshkueshmëri për kryerësit e dhunës, kushdo qofshin ata

    Lars-Gunnar Wigemark, shef i Misionit Evropian të Sundimit të Ligjit në Kosovë (EULEX), ka thënë se nuk mund të ketë mosndëshkueshmëri për kryerësit e dhunës kushdo qofshin ata, duke iu referuar arrestimeve të fundit të disa serbëve në Kosovë si të dyshuar për sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës e punonjëseve të mediave.

    Gjatë një interviste për Albanian Post, shefi i EULEX-it në Kosovë, thotë se edhe të arrestuarit i kanë të drejtat e tyre themelore. Rrjedhimisht, ka kërkuar që Policia e Kosovës të punojë më shumë me gjyqësorin.

    Është zotuar se EULEX’i do t’i monitorojë të gjitha rastet e arrestimeve të fundit, ato që institucionet e Kosovës i cilësojnë si luftë kundër krimit të organizuar.

    “Të jem i qartë këtu: nuk mund të ketë mosndëshkueshmëri për kryerësit e dhunës kushdo qofshin ata. Sistemi i drejtësisë duhet t’i trajtojë këto raste në mënyrë profesionale dhe të paanshme duke respektuar të drejtat themelore të të akuzuarve apo të dyshuarve për kryerjen e akteve të dhunshme pavarësisht përkatësisë etnike të tyre. Dhe EULEX-i do të jetë aty për të monitoruar se si ato raste trajtohen nga institucionet e Kosovës”, ka thënë ai.

    Për më tepër, Lars-Gunnar Wigemark, ka shpërfaqur gjendjen në Veri të Kosovës. Ka thënë se ka grupe të armatosura, si dhe rritje të rasteve të dhunës.

    Por, kjo situatë nuk duhet të normalizohet – beson se duhet të mbahen zgjedhjet në Veri, pasi votimet e prillit i cilëson si “pjesshme”.

    Për t’u zgjidhur çështja, pra de-eskalohet situata e tensionuar, shefi i EULEX’it kërkon që tavolina e Brukselit të jetë ajo ku Kosova dhe Serbia i “përplasin” dallimet.

    “Situata aktuale në Kosovën veriore nuk mund të bëhet normaliteti i ri. Duhet të ketë de-eskalim të menjëhershëm, zgjedhjet e reja në veri duhet të mbahen sa më parë që është e mundur dhe me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Një zgjidhje afatgjate mund të gjendet vetëm përmes dialogut të fasilituar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është parësore për Kosovën, Serbinë, për rajonin dhe për BE-në”, ka thënë ai.

    Ka disa javë që në Veri të Kosovës vazhdo gjendja e tensionuar, pasi protestuesit serbë që shpesh herë janë shfaqur si grupe të dhunshme po kundërshtojnë prezencën e kryetarëve shqiptarë në objektet e komunave veriore.

    Lista Serbe i kishte bojkotuar zgjedhjet e prillit, pasi në vitin 2022 ata ishin larguar nga institucionet me arsyetim se ”Prishtina po i persekuton”.

    Që nga ajo koha, kima e pasurisë në Veri është rritur dhe trupat ndërkombëtare paqeruajtëse janë shtuar.

    Këta të fundit u sulmuan nga protestuesit e dhunshëm në Veri, akt që mori dënim deklarativ nga Bashkimi Evropian – e në këta rast Kosova thotë se “po i arreston pikërisht sulmuesit e KFOR’it, Policisë së Kosovës dhe nëpunësit e mediave”.

  • Tre policët e kidnapuar kosovarë dalin sot para gjykatës në Serbi

    Tre policët e kidnapuar kosovarë dalin sot para gjykatës në Serbi

    Tre policët të cilët u kidnapuan në Kosovë nga autoritetet e Serbisë më 14 qershor, do të dalin sot para gjykatës së Kralevës.

    Seanca gjyqësore ndaj tre policëve do të nisë në orën 09:00.

    Më 16 qershor atyre iu caktua masa e paraburgimit, por Gjykata e Kralevës nuk tregoi se sa është periudha e paraburgimit për zyrtarët policorë të Kosovës.

  • Analistët: Rikthimi në dialog, i domosdoshëm

    Analistët: Rikthimi në dialog, i domosdoshëm

    Pas tensioneve në veri, rikthimi në tavolinën e dialogut në Bruksel paraqitet i ngadalësuar por jo edhe i pamundur. Kështu vlerësojnë analistët kosovarë, të cilët thonë se vështirësi do të ketë por që duhen përpjekje maksimale nga të dyja palët që të rikthehen aty ku ishin, në mënyrë që situatat të tejkalohen dhe të zgjidhen problemet.

    E enjtja e 22 qershorit i dërgoi kryeministrin e Kosovës e presidentin e Serbisë sërish në Bruksel. Këtë radhë nuk u ulën së bashku në tryezë diskutimi.

    Në takime të ndara me shefin për Politikë të Jashtme e Siguri të BE-së, Josep Borrell, palët diskutuan për të gjetur zgjidhjen në uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Por a ka gjasa që palët të kthehen në një tryezë të përbashkët?

    Njohës të çështjeve politike në Kosovë thonë se tensionet në veri e kanë ngadalësuar procesin e dialogut dhe se duhet kohë për t’u kthyer në pikën ku ishim para krizës në veri. Megjithatë, sipas tyre, rikthimi i shpejtë në dialog është i domosdoshëm për Kosovën.

    “Natyrisht që ngjarjet në veri e kanë ngadalësuar dialogun dhe e kanë cenuar trajektoren e tij dhe tash duhet energji shtesë që palët të kthehen në pikën ku ishin para këtyre ngjarjeve. Çështja është që tani kërkesat do jenë shumë më të qarta, më të drejtpërdrejta sepse nuk ka shumë kohë për të humbur”, tha Artan Muhaxhiri, analist.

    Sipas tyre, marrëveshja e Ohrit do të mbetet baza dhe do bëhet shumë presion që pikat e kësaj marrëveshjeje të zbatohen maksimalisht, pavarësisht situatës në të cilën ndodhemi.

    “Marrëveshja e Ohrit është orientimi kryesor për të gjithë, pra edhe për palët edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Do bëhet shumë presione që pikat nga ajo marrëveshje të respektohet maksimalisht dhe palët nuk kanë ndonjë mundësi që t’i bishtnojnë. Mund të gjenden modalitete të ndryshme por ajo do mbetet baza”, tha Muhaxhiri.

    Ndërsa , analisti Visar Xani tha se rikthimi i shpejtë i dialogut është domosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm për Kosovën.

    “Rikthimi i shpejtë i dialogut dhe rikthimi i shpejtë në pikat e diskutimit për tu realizuar plani evropian ose marrëveshja e Ohrit është i domosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm për Kosovën. Pa marrë parasysh situatën në të cilën jemi për Kosovën është shumë më e favorshme që të ketë dialog, të ketë një marrëveshje finale që mundëson stabilitet dhe paqe, dhe të përmbyllë një proces të gjatë me dekada, sepse pa një marrëveshje finale nuk do të mund ti shfrytëzojmë të mirat e një dialogimi”, tha ai.

    Pas takimit të fundit me shefin e diplomacisë së BE-së, Kurti kishte deklaruar se e kupton nevojën për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri, me një proces që paraprihet nga sundimi i ligjit.