ATV

Author: ATVLive

  • ​Rusia dhe Ukraina nisin sulme ajrore ndaj njëra-tjetrës, pas bisedës Trump-Putin

    ​Rusia dhe Ukraina nisin sulme ajrore ndaj njëra-tjetrës, pas bisedës Trump-Putin

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky thotë se Rusia kishte në shënjestër “infrastrukturën civile” gjatë natës, duke përfshirë një spital në Sumi.

    “Fatkeqësisht, veçanërisht infrastruktura civile është goditur” tha ai disa orë pas bisedës telefonike Trump-Putin.

    Zelensky renditi njëmbëdhjetë rajone të Ukrainës që janë sulmuar.

    “Janë sulmet e natës ruse si ky [që] shkatërrojnë sistemin tonë energjetik, infrastrukturën tonë, jetën normale të Ukrainës, fakti që kjo natë nuk është përjashtim tregon se presioni ndaj Rusisë duhet të vazhdojë për hir të paqes”, tha presidenti ukrainas.

    Ai u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës që të vazhdojnë të ofrojnë ndihmë dhe gjithashtu të vendosin sanksione ndaj Rusisë, raporton BBC.

    Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ra dakord për një pauzë 30-ditore në sulmet ndaj infrastrukturës energjetike, gjatë një telefonate me presidentin amerikan, Donald Trump, të martën, por hodhi poshtë një armëpushim më të plotë.

    Putin i tha Trumpit se një armëpushim i plotë do të funksiononte vetëm nëse aleatët e Ukrainës ndalonin dhënien e ndihmës ushtarake dhe ranë dakord vetëm për të ndalur sulmet në infrastrukturën energjetike.

    Ndërkaq, bisedimet për Ukrainën do të vazhdojnë të dielën në Arabinë Saudite, tha i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff.

    Gjatë bisedës, Putin dhe Trump ranë dakord gjithashtu që Ukraina dhe Rusia do të shkëmbejnë 175 të burgosur.

  • ​A mund të bëhet BE-ja superfuqi ushtarake?

    ​A mund të bëhet BE-ja superfuqi ushtarake?

    Vetëm dy javë pas një samiti të Bashkimit Evropian ku udhëheqësit e bllokut u zotuan t’i shpenzojnë miliarda në mbrojtje në “një moment të rëndësishëm për Evropën”, ata po kthehen në Bruksel për një takim tjetër më 20-21 mars.

    Këtë herë, udhëheqësit e BE-së synojnë t’i konsolidojnë planet për forcimin e autonomisë së mbrojtjes të Evropës në mes të dyshimeve lidhur me angazhimin amerikan për t’i mbrojtur shtetet evropiane dhe për ta vazhduar mbështetjen ushtarake për Ukrainën, raporton REL.

    Në prag të samitit, ministrat e Jashtëm të bllokut diskutuan më 17 mars për propozimin e fundit nga shefja e diplomacisë të BE-së, Kaja Kallas, për të gjetur para për Kievin. Dhe më 19 mars, Komisioni Evropian ishte paraparë që të publikonte një plan veprimi për të ardhmen e mbrojtjes evropiane.

    Dokumenti pritet të dalë me ide se si të krijohet plani për Riarmatosjen e Evropës, të paraqitur nga Komisioni Evropian, përmes të cilit krahu ekzekutiv i BE-së do të gjenerojë deri në 800 miliardë euro për shpenzime të mbrojtjes gjatë katër vjetëve të ardhshëm.

    Si gjithmonë, në Bruksel ka dyshime lidhur me atë se sa e besueshme është e gjithë kjo. Diplomatët me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë janë pajtuar se ky është një hap i parë i mirë, por një zyrtar i lartë i BE-së i tha REL-it se “djalli fshihet gjithmonë në detaje dhe këtu ka shumë djaj”.

    Duke e shikuar më nga afër, duket se shifra prej 800 miliardë eurosh është shumë ambicioze, e përcjellë me pasiguri të mëdha: nëse – dhe sa shpejt – ky propozim mund të përkthehet në armë dhe municion të rinj; dhe nëse ndonjë prej atyre armëve do të shkonte në Ukrainë, përcjell KosovaPress.

    Faktet janë të qarta. Komisionari i BE-së për mbrojtje, Andrius Kubilius, theksoi në Parlamentin Evropian javën e kaluar se Evropa aktualisht ka një mungesë në mbrojtje prej të paktën 500 miliardë eurosh dhe po ashtu i mungojnë “mijëra tanke dhe autoblinda”.

    Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, po ashtu duke folur në PE tha se mesatarisht shtetet e BE-së kontribuojmë pak më pak se 2 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm për mbrojtje. Uashingtoni po kërkon që kjo të arrijë në 5 për qind, ndërsa NATO-ja, sipas burimeve brenda aleancës, po eksperimenton me idenë që objektivi zyrtar i shpenzimeve të bëhet 3.7 për qind. Kjo pritet të thuhet në samitin e ardhshëm të NATO-s që do të mbahet në Hagë gjatë muajit qershor.

    Megjithatë, edhe nëse ka një rritje të madhe dhe të shpejtë të shpenzimeve për mbrojtjen, diplomatët evropianë thonë privatisht se do të duhet një dekadë që Evropa të kryejë ndonjë operacion të madh ushtarak pa ndihmën e SHBA-së. Në Evropë për momentin inteligjenca, vëzhgimi dhe kërkimi ofrohen nga SHBA-ja.

    Riarmatosja e Evropës?

    Plani Riarmatosja e Evropës synon të adresojë varësinë e BE-së ndaj SHBA-së, duke bërë që shtetet e BE-së të rrisin buxhetet e tyre për mbrojtjen. Por, a do ta bëjnë shtetet këtë? Nga 800 miliardë eurot që Von der Leyen po synon të gjenerojë, 650 miliardë euro mund të mblidhen duke lehtësuar rregullat e shpenzimeve në mbrojtje për shtetet anëtare të BE-së gjatë katër vjetëve të ardhshëm. Ky propozim do t’i lejonte çdo shteti anëtar që të alokojë një shtesë prej 1.5 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm për shpenzime ushtarake. Edhe pse kjo hapësirë shtesë fiskale është mirëpritur, pak veta besojnë se kryeqytetet evropiane do ta shfrytëzojnë.

    Të 150 miliardë eurot e mbetura janë skemë e huadhënies e siguruar nga fondet e pashfrytëzuara të buxhetit të BE-së, të cilat mund të përdoren nga 20 vende të bllokut që nuk kanë vlerësime të kredisë të llojit AAA. Këto hua synojnë të financojnë blerjet nga prodhuesit evropianë të mbrojtjes, megjithatë mbetet e paqartë nëse të gjithë komponentët e pajisjeve duhet të jenë nga vendet e BE-së ose mund të jenë nga shtete joanëtare sikurse Norvegjia, Zvicra dhe Turqia.

    Problemi këtu qëndron në atë se kjo mbetet ende një hua dhe shumë nga vendet, veçanërisht ato në Evropën Jugore, që duhet të rrisin shpenzimet për mbrojtjen, janë tashmë të zhytura në borxhe.

    Gjithashtu, disa shtete të Evropës Veriore po vënë në pikëpyetje logjikën e këtij propozimin, me Parlamentin holandez që së voni miratoi një rezolutë jodetyruese për të refuzuar planin për Riarmatosjen e Evropës, duke argumentuar se ai vetëm sa e zhyt më shumë në borxh bllokun evropian.

    Pastaj është edhe pjesa e tretë e propozimit të Von der Leyenit, që do t’u lejonte shteteve anëtare të përdorin për mbrojtje mbi 300 miliardë euro fonde të mbetura në buxhetin e BE-së, që normalisht do të shkonin në rajonet më të varfra të bllokut për investime në infrastrukturë. Problemi, këtu, përsëri është se kjo është vullnetare. Kjo do të thotë që, megjithëse nuk mund të bllokohet nga vendet miqësore sikurse Hungaria dhe Sllovakia, pasi nuk kërkon unanimitet, disa shtete nuk do të çajnë kokën, përveç nëse detyrohen.

    Gjermania

    Pastaj është Gjermania. Kancelari në ardhje, Friedrich Merz, ka premtuar shpenzime të mëdha në mbrojtje. Më 18 mars, ligjvënësit gjermanë votuan për rritje të madhe për shpenzime të mbrojtjes. Ligji i miratuar në Budenstag parasheh lejimin që shpenzimet e mbrojtjes të kalojnë rregullat strikte të borxhit në Gjermani, për të krijuar një fond prej 500 miliardë eurosh për infrastrukturën e mbrojtjes.

    “Ky hap që po marrim sot për gatishmërinë e mbrojtjes… është vetëm hapi i parë i madh drejt komunitetit të ri të mbrojtjes evropiane”, tha Merz.

    Të premten, ligji do të kalojë në dhomën e lartë të parlamentit për miratim.

    Von der Leyen e cilësoi si “lajm të shkëlqyeshëm” vendimin e ligjvënësve gjermanë për të mundësuar shpenzime më të mëdha në mbrojtje.

    “Dërgon një mesazh të qartë për Evropën se Gjermania është e vendosur të investojë në mënyrë masive në mbrojtje”, tha ajo.

    Deri më tani, ligjet përcaktonin se limiti i deficitit buxhetor prej 0.35 për qind të Bruto Prodhimit Vendor nuk mund të kalohej, përveç në raste emergjente.

    Kjo lëvizje e Gjermanisë potencialisht mund të rikthejë thirrjet nga shtetet në jug të Evropës drejtuar Brukselit që të lëshojë eurobonde (obligacione) për investime në mbrojtje. E njëjta gjë kishte ndodhur për të luftuar recensionin që mbërtheu kontinentin pas pandemisë së koronavirusit. Lëshimi i eurobondeve të përbashkëta kundërshtohet nga shumica e vendeve në veri të Evropës, veçmas në Holandë dhe Gjermani – por me Berlinin që e tregon qartë se shpenzimi për mbrojtje është një detyrim – propozimi mund të kalojë.

    Lëvizshmëria ushtarake dhe modeli danez

    Eurobondet, apo “bondet për mbrojtje” ka mundësi të përfshihen në planin e veprimit të Komisionit Evropian për të ardhmen e mbrojtjes evropiane. Por, ajo që është vërtetë interesante dhe duhet të ndiqen janë disa propozime për lëvizshmërinë ushtarake. Mund të mos duket si gjëja më urgjente, por zyrtarët e BE-së sa e rëndësishme është që të mund të lëvizen shpejt pajisjet ushtarake nga një shtet anëtar i BE-së në tjetrin.

    Ashtu siç është situata tani, kjo nuk do të ishte e lehtë. Nuk ka rregulla të harmonizuara në mbarë bllokun, për shembull, për të lëvizur pajisjet ushtarake nga një shtet në një shtet tjetër të BE-së në rast të një emergjence. Nisma të tilla si forcimi i urave, hekurudhave dhe rrugëve për të mundësuar transportimin e mjeteve të rënda ushtarake po ashtu janë sugjeruar në planin e veprimit.

    Një tjetër aspekt që ka shumë gjasa që të përfshihet është ideja e integrimit të tregut të mbrojtjes të Ukrainës në tregun e BE-së, ndërsa vendi po lëviz ngadalë, por me hapa të sigurt, drejt anëtarësimit në bllok. Kjo shihet nga shumë diplomatë evropianë si një fitore e vërtetë për BE-në, pasi Ukraina tani, në fakt, ka ndoshta ushtrinë më të aftë të kontinentit dhe është “para të gjithëve në aspekte si dronët ushtarakë”, siç tha për REL-in një zyrtar i BE-së që ka njohuri për këtë çështje.

    Në këtë kuadër, dokumenti do të promovojë gjithashtu modelin e quajtur danez për mbështetje ndaj Ukrainës. Kjo qasje përfshin shtetet anëtare të BE-së që sigurojnë drejtpërdrejt pajisje mbrojtëse të prodhuara në Ukrainë ose që krijojnë bashkëpunime me kompani ukrainase të mbrojtjes. Gjithashtu, po përmendet edhe ideja e trajnimit të ushtarëve ukrainas në Ukrainë dhe jo vetëm në BE.

    Ndihma e Ukrainës

    Por, këto plane janë të gjitha për të ardhmen, dhe pyetja mbetet se çfarë mund të bëjë Brukseli për Ukrainën tani. Kievi ka lënë të kuptohet se mund t’i nevojiten deri në 33 miliardë euro mbështetje shtesë ushtarake këtë vit. Me Shtetet e Bashkuara që mund të mos kontribuojnë shumë në këtë drejtim, BE-ja duhet të gjejë shumicën e kësaj shume në mënyrë urgjente.

    Shefja e diplomacisë të BE-së, Kaja Kallas, javën e kaluar prezantoi një plan të ri për shtetet e bllokut. Ky plan, i parë nga REL-i, propozon skema vullnetare që inkurajojnë pjesëmarrjen e shteteve “për të dërguar ndihmë ushtarake për Ukrainën më 2025, me një vlerë të përkohshme prej të paktën 20 miliardë eurosh dhe mundësisht që të arrijë deri në 40 miliardë euro në varësi të nevojave të Ukrainës”.

    Teksti jep një afat deri më 30 prill për ata që marrin pjesë që të deklarojnë se si planifikojnë të plotësojnë kontributet e tyre përkatëse dhe thotë se pagesat duhet të angazhohen jo më vonë se 30 qershori për të siguruar dërgesat deri në fund të këtij viti.

    Plani thotë se këto para duhet të shkojnë kryesisht për municionin e artilerisë me kalibër të madh, sisteme të mbrojtjes ajrore, raketa, dronë, avionë luftarakë dhe trajnim të trupave ukrainase. Ato gjithashtu duhet të mbështesin kontributet e tjera nga shtetet anëtare, për shembull, dërgimin e trupave në Ukrainë në rast të një marrëveshjeje paqeje.

    Plani ende sugjeron që vendet duhet të kontribuojnë në përputhje me peshën e tyre ekonomike, duke u bazuar në të ardhurat bruto kombëtare. Kjo ide kishte zemëruar më parë Francën, e cila pretendon se ndjekësit e mbështetjes ushtarake për Ukrainën, si Instituti Kiel për Ekonominë Botërore, gabojnë dhe se Parisi bën shumë gjëra në fshehtësi dhe është gjithashtu i gatshëm të dërgojë ushtarë në Ukrainë për të mbrojtur një armëpushim të mundshëm në të ardhmen.

  • Prej sot, fillon e pamja për babanë e Thaçit

    Prej sot, fillon e pamja për babanë e Thaçit

    Prej sot, për tri ditë, do të mbahet e pamja për vdekjen e Haxhi Thaçit.

    E pamja mbahet në palestrën ‘Ilaz Kodra’ në Skënderaj.

    Ende Hashim Thaçit nuk i është aprovuar kërkesa për të ardhur në Kosovë.

  • Moti sot: Me diell, temperaturat deri në 12 gradë

    Moti sot: Me diell, temperaturat deri në 12 gradë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar se sot do të mbajë mot me diell.

    Sipas IHMK-së, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri -1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 8 dhe 12 gradë Celsius.

    “Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi i verilindjes”, thuhet në njoftim.

  • Zeqaj thotë se pa Abdixhikun LDK-ja do të ishte më keq

    Zeqaj thotë se pa Abdixhikun LDK-ja do të ishte më keq

    Gazetari Florent Zeqaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Lumir Abdixhiku ka arritur ta përmirësojë rezultatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pavarësisht kufizimeve dhe sfidave që ka pasur.

    Sipas tij, Abdixhiku nuk e ka çuar LDK-në në rënie, por e ka rritur me aq mundësi sa kishte, duke e mbështetur në shtatë komuna.

    “Zoti Abdixhiku ka arritur një rezultat, nuk e ka çuar LDK-në poshtë, por e ka rritur me aq mundësi sa ai ka pasur. E dimë që i ka pasur shtatë komuna pas vetes. Unë si gazetar po e them, kjo rritje nuk është diçka që e kam pritur. Sa për vete, unë prisja një rezultat tjetër për LDK-në”, tha Zeqaj.

    Ai ngriti dyshime se struktura e brendshme e partisë ose strategjia e lidershipit mund të kenë ndikuar në rezultatin zgjedhor.

    “Pyetja është: Kush e sabotoi Abdixhikun? A e sabotuan strukturat e vjetra? Apo ky interaksioni i marrjes në krah të liderëve dhe njerëzve të rinj rreth vetes, a i solli vota LDK-së apo ia largoi?”, shtroi Zeqaj.

    Deklaratën e plotë të Florent Zeqajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • “Kemi dëgjuar për pakënaqësi të vazhdueshme”, Muja tregon se çka po ndodh në LDK

    “Kemi dëgjuar për pakënaqësi të vazhdueshme”, Muja tregon se çka po ndodh në LDK

    Profesori i Shkencave Politike, Basri Muja, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se shqetësimet për situatën brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) janë të pritshme dhe se partia nuk ka arritur të artikulojë si duhet kërkesat e elektoratit të saj.

    Sipas tij, pakënaqësitë brenda LDK-së janë shfaqur edhe gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa humbja e partisë duhet të bartet si përgjegjësi nga kryetari.

    “Po, unë e lexova postimin e zotit Hoti dhe, të jem i sinqertë, nuk pashë diçka që nuk vlen. Mendoj se nuk është shqetësuese që LDK-ja ka disa probleme, sepse kemi dëgjuar për pakënaqësi të vazhdueshme. Edhe gjatë fushatës, një grup i caktuar është ndier i lënë anash. Në fund të fundit, një ish-kryeministër i partisë më të vjetër në Ballkan nuk do të mund të ishte i kënaqur me pozitën e tretë dhe një rezultat më të dobët se në zgjedhjet e mëparshme”, tha Muja.

    Ai thotë se LDK-ja ka shënuar një ngritje, por ajo nuk ka qenë e mjaftueshme për të rikthyer votuesit e humbur.

    “Unë e di në çfarë pozite është marrë drejtimi i partisë, vërtet ka qenë një pozitë e palakmueshme. Ka një ngritje, por nuk është e mjaftueshme. LDK-ja nuk ka arritur t’i artikulojë si duhet kërkesat e elektoratit të vet dhe nuk ka mundur të bindë ata që në vitin 2021, për një arsye apo tjetër, u larguan dhe votuan dikë tjetër”, u shpreh Muja.

    Deklaratën e plotë të Basri Mujës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Pantina thotë se pajtohet me Hotin: LDK-ja duhet të hetojë dhe ndëshkojë manipulimet në zgjedhjet e brendshme

    Pantina thotë se pajtohet me Hotin: LDK-ja duhet të hetojë dhe ndëshkojë manipulimet në zgjedhjet e brendshme

    Ish-deputetja Shqipe Pantina, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se pajtohet me vlerësimin e Avdullah Hotit për situatën në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), duke përmendur nevojën për hetim të brendshëm dhe ndëshkim të përgjegjësve për parregullsitë në procesin zgjedhor.

    Sipas saj, problemet gjatë zgjedhjeve të brendshme kanë dëmtuar imazhin e partisë dhe kërkojnë një auditim të brendshëm për të identifikuar përgjegjësit.

    “Unë me dy gjëra pajtohem me zotin Hoti: E para, që kanë ndodhur disa probleme në procesin zgjedhor brenda LDK-së, të cilat i kanë hedhur një hije jo të mirë gjithë procesit. Për këtë arsye, mendoj se LDK-ja duhet ta hulumtojë nga brenda situatën, ndoshta edhe të kryejë një auditim për të parë çfarë ka ndodhur dhe kush ka qenë i përfshirë në këto parregullsi”, tha Pantina.

    Ajo tha se individët që kanë manipuluar numrat duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe politike.

    “Ata që drejtpërdrejt kanë manipuluar me numra, duhet të japin përgjegjësi para ligjit. Nëse ka individë që kanë urdhëruar ose kanë kërkuar manipulime të tilla, ata duhet të japin përgjegjësi edhe politikisht”, shtoi Pantina.

    Deklaratën e plotë të Shqipe Pantinës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Askush nuk do t’i qeverisë 1,5 milion kosovarë

    Askush nuk do t’i qeverisë 1,5 milion kosovarë

    Veç mos thuani qe nuk u kam tregu!

    Deri në Fitër Bajram dihet që s ka gjë, ka mbet të shihet a bëhet diçka për atë Bajramin tjetër. Të nisim me të që ndodhu sot. Fokusi është në Lidhjen Demokratike të Kosovës – 2 lajme – i pari që Gaz Muhaxhiri dhe Imri Ahmeti hoqën dorë nga mandatet e deputetëve dhe kjo lëshoi vend për Arben Gashin dhe për Paris Gurin.

    Lajmi i dytë – Avdullah Hoti, ish Kryeministri i Kosovës pohon se rritja e LDK-së ka qenë e pamjaftueshme që në votat e LDK-së nga diaspora ka pasur votë joproporcionale dhe kjo e ka cenuar besimin në LDK. Për tu kthyer besimi në LDK, sipas Hotit duhet lidership i ri.

    Përderisa Hoti reth votave të diasporës vetëm deklarohet, Vetëvendosje për këtë punë është ankuar dhe duhet pritur vendimin e PZAP-së për të konstatuar nëse ka pasë manipulim apo jo.

    Deri tash nga LDK-ja dimë vec për manipulimet e konstatuara në Vushtrri.

    Mirëpo, këto dy lajme të sotme kallëzojnë diçka tjetër – që krejtve është kah iu konvenon shtyrja e procesit dhe askush nuk dëshiron ti qeverisë 1 milion e gjysmë kosovarë që e durojnë edhe me iu shtrenjtu rryma, edhe artikujt elementarë në markete.

    Presidentja nuk deklarohet nëse për shkak të situatës në rajon, ose në Evropë, Kosova ka nevojë ose domosdohmsëri për Parlament të ri që Qeveri të re sipas vullnetit të popullit.

    Vetëvendosja nuk i ka numrat që Qeverinë ta bëjë me partnerët e vetë dhe blen kohë me ankesa, parashtresa e Sami Kurtesha.

    Tek opozita ka pakënaqësi të brendshme tek secila parti, e më pas telashe tjera ndërmjet vete. Po ashtu e dinë që në pushtet mund të vinë vetëm nëse Vetëvendosja do që ata të vinë në pushtet dhe nuk kanë faj që nuk e kanë për nguti këtë punë.

    Kuptohet që takime sekrete ose jo zyrtare ndërmjet partive ka dhe një nga ata të mundshmit është zvarritje e procesit deri në dështim, zgjedhje të reja, mundësisht verës, ridefinim i skenës politike sepse AAK-ja e NISMA zor që shjojnë bashkë, kurse Lista për Familjen zor që shkon vetëm dhe pas të shohim kush del fitues.

    Mirëpo, më shumë sesa me temën cka mund të prodhojë zvarritja, mirë është të merremi me temën sa do të zgjatë kjo zvarritje dhe sa mund të na kushtojë.

    E para – stiuata ku jemi aktualisht është që kemi rezultate përfundimtare por jo të certifikuara. Rezulattet përfundimatre mund të kontestohen në PZAP, gjë që ka ndodhur dhe më pas të kontestohen në Gjykatë Supreme. Të dyja këto instanca i kanë nga pak a shumë një javë kohë të merren me ankesa dhe pas tyre, mund të certifikohen rezulatet, diku 50 ditë pas zgjedhjeve.

    Pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, brenda 30 ditësh, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Kuvendi konsiderohet i konstituuar pasi të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, mirëpo, për këtë punë nuk ka afat. Kryetari I Kuvendit duhet të nominohet nga grupi më I madh parlametar, por për këtë punë nuk ka kufizim kohor. Pas konstituimit të Kuvendit Presidentja e vendit obligohet që të nominojë partinë fituese të zgjedhjeve si mandatare për formimin e qeverisë dhe procesi duhet të zhvillohet “sa më parë që të jetë e mundur”. Kabineti qeveritar i propozuar duhet ti sigurojë votat e 61 deputetëve. Në rast se dështon, atëherë, presidentja është e obliguar që brenda dhjetë ditësh t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandatarin e re, nëse dikush dëshmon që i ka 61 vota. Mandatari I dytë I ka mandej 15 ditë kohë që të marrë votat në Kuvend për kabinetin që e propozon dhe nëse dështon prapë, Presidentja duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.

    Pra, në rastin më të mirë, qy më të mirë, ec e dije a është I mirë. Në skenarin më të shpejt të mundshëm, kemi qeveri në maj.

    Eh tash të flasim për koston! Rryma do të shtrenjtohet, kjo po dihet! Lumenjtë plot bërllog, ajri i ndotur, rrugët e këqija ku vdesin njerëzit, sanksionet e BE-së e këto tjerat – po dihet!

    I vetmi është problem është koha – viti 2025 është vit i humbur politik dhe këtë humbje kemi me e pagu të gjithë ne që paguajmë tatim dhe s’marrim asgjë në kthim!

    Mirëpo, kjo punë e ka edhe të mirën e vet! Këqyre, mirë është që partitë e mbrojnë votën, mirë është që partitë iu besojnë gjykatave, mirë është që partitë kërkojnë ndryshime sepse kanë paasë ambicie më të mëdha, mirë është që tash shumica e politikanëve e dinë sa e kanë vlerën në tregun politik, mirë është që janë mbi 900 mijë kosovarë që dalin në zgjedhje. Nëse e humbim një vit, e fitojmë pak më shumë vetëdije politike, në rregull jemi!

    E mira tjetër – derisa krejt majnë ymyt që vijnë në pushtet, s’ka polarizim e hasmërim ndërmjet vete, krejt militantët mbajnë shpresë që do të përfitojnë diçka, dhe rrijnë në kondicion të fushatës. E nëse diçka shkon mbrapsht, gati që s merr përgjegjësi kush se jemi n tranzicion, që nuk edimë kur përfundon!

  • Kosova, Shqiperia e Kroacia nënshkruajnë marrëveshje për aleancë ushtarake

    Kosova, Shqiperia e Kroacia nënshkruajnë marrëveshje për aleancë ushtarake

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Kosova, Shqipëria e Kroacia tashmë kanë marrëveshje në fushën e mbrojtjes.

    Nënshkrimi u bë në Shqipëri ku Ministri Mbrojtjes, Pirro Vengu të martën priti dy homologët nga Kosova e Kroacia, ministrin Ejup Maqedonci, e Ivan Anushiq të cilët nënshkruan deklaratën.

    Kjo ujdi u tha që synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tri vendeve, të rrisë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe të përmirësojë ndërveprimin ushtarak përmes trajnimeve të përbashkëta.

    “Shqipëria dhe Kroacia do të vijojnë të mbështesin Kosovën në aspiratën e saj për integrim të plotë në strukturat rajonale dhe euroatlantike”, tha Vengu.

    Bashkë me Shqipërinë dhe me Kroacinë, Kosova është më e fortë e rajoni më i sigurt u shpreh ministri, Ejup Maqedonci.

    “Kjo deklaratë sikur edhe i tërë bashkëpunimi i Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, rrjedhë nga fryma e miqësisë ndërshtetërore dhe e angazhimit të përbashkët për fqinjësi të mirë, për paqe dhe siguri. Ky bashkëpunim i yni nuk është kërcënim ndaj askujt, por angazhim shtesë për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor”, tha Maqedonci.

    E ministri kroat i Mbrojtjes, tha se ky zhvillim strategjik pasqyron aleancën e ngushtë mes tri shteteve, të lidhura nga historia, sakrificat për liri dhe një vizion i përbashkët për një të ardhme të sigurt.

    “Pas 35 vjetësh pavarësie si anëtar i NATO-s dhe BE-së, Kroacia ka njohuri të vlefshme që dëshiron ti ndaj me aleatët e saj. Me këtë iniciativë, e cila do të përfshijë edhe vende të tjera të interesuara nga Evropa Juglindore, ne forcojmë pozitat tona brenda NATO-s dhe BE-së dhe kontribuojmë në një rajon më të qëndrueshëm dhe më të sigurt”, tha Ivan Anusic, ministër i Mbrojtjes në Kroaci.

    Ndërkaq marrëveshja është e para e këtij lloji në rajon.

  • Mbi 27 mijë fletëvotime të pavlefshme në zgjedhjet e 9 shkurtit

    Mbi 27 mijë fletëvotime të pavlefshme në zgjedhjet e 9 shkurtit

    Përgatiti: Krenare Mulliqi KAMERA: RINOR KRASNIQI MONTAZHI: FITIM XHARRA

    Kandidatët për deputet i votuan por partin harruan.

    E në një fletëvotim tjetër një votues nuk diti se për kë ta ndaj mendjen andaj votoi për disa subjekte politike.

    Këto dy gabime po dalin te jenë arsyeje më të shpeshta që fletëvotimet e zgjedhjeve të 9 shkurtit janë të pavlefshme, ani pse ka edhe raste kur votuesit i dëmtuan votat e tyre qëllimisht.

    Në total sipas KQZ-së votat e pavlefshme në këto zgjedhje janë 27 mijë e 433. Por pavarësisht që ky numër është më i vogël se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 ku pavlefshmëria e Fletëvotimeve ishte 33 mijë e 271 mijë, njohës të procesit zgjedhor e konsiderojnë ende shqetësues këtë nivel pavlefshmërie.

    “Ka një ndryshim, por prapë është një përparim shumë i vogël në ketë drejtim sepse numri është shumë i lart 27 mijë, nuk duhet të ketë kaq shumë fletëvotime të pavlefshme për këto arsyeje..”, tha Melos Kolshi nga IKD.
    Andaj fajin për numër kaq të lartë të fletëvotimeve të pavlefshme, po vlerësohet se e ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që nuk ka bërë aq sa duhet fushatë informuese për mënyrën se si të votohet.

    “Kemi pasur një aftat katër vjeçar KQZ-ja për të organizuar projekte për informonin se si të votohet, të bëjnë vizita të bëjnë trajnime për ndryshimet që kanë qenë në këtë proces zgjedhor”, tha Mazllum Baraliu, ish-kryetar i KQZ-së.

    Edhe në zgjedhjet e shkurtit 2021, një analizë e KQZ-së tregoi se 46.52% e fletëvotimeve të pavlefshme kishin të njëjtën arsye, qytetarët kishin votuar për kandidatët për deputetë pa e shënjestruar partinë politike.