ATV

Author: ATVLive

  • Prigozhin është kthyer në Rusi, zbulohet arsyeja

    Prigozhin është kthyer në Rusi, zbulohet arsyeja

    Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka thënë sot në mëngjes se shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin është në Rusi dhe jo në Bjellorusi, siç është rënë dakord në një marrëveshje të ndërmjetësuar pas rebelimit të tij të dështuar.

    Është përditësimi i parë që kemi pasur nga ndonjë personazh publik mbi vendndodhjen e mundshme të liderit mercenar.

    Por duket se Prigozhini mund të ketë vizituar Rusinë për të mbledhur një arsenal armësh në fillim të kësaj jave, sipas një raporti të gazetës ruse të lajmeve Fontanka, raporton Skynews, transmeton Klan Kosova.

    Pika, e cila operon jashtë qytetit të lindjes së shefit të Wagner-it, Shën Petersburg, tha se Prigozhini u pa duke mbërritur në një ndërtesë të shërbimit të sigurisë ruse (FSB) të martën në mbrëmje.

    Disa orë më parë, ai ishte ftuar zyrtarisht t’i mblidhte armët e konfiskuara gjatë kontrolleve, pas përpjekjes së tij të ndërprerë për grusht-shteti muajin e kaluar.

    Një pistoletë Glock thuhet se i është dhuruar nga ministri rus i mbrojtjes Sergei Shoigu, si dhe pushkë dhe armë të tjera ishin midis armëve që iu kthyen Prigozhinit, tha Fontanka.

    Ai “u largua shpejt” pasi rikuperoi arsenalin e tij, shtoi gazeta, duke theksuar po ashtu se 10 miliardë rubla (99 milion euro) i ishin kthyer tashmë Prigozhinit.

    Pasi tentativa për kryengritje u anulua, Kremlini tha se të gjitha akuzat penale kundër Prigozhinit do të hiqen dhe luftëtarët e tij të Grupit Wagner nuk do të ndiqen penalisht.

  • “Nuk jam në gjendje…”, Dardan Krivaqa mbrohet në heshtje

    “Nuk jam në gjendje…”, Dardan Krivaqa mbrohet në heshtje

    Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Dardan Krivaqa i akuzuar për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, në seancën e së enjtes, shfrytëzoi të drejtën të mbrohet në heshtje,

    Ndërsa, i akuzuari tjetër Arbër Sejdiu, do të japë mbrojtjen, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Nuk jam në gjendje me dhënë mbrojtjen, do të shfrytëzoj të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje”, tha Krivaqa.

    Ai shtoi se nuk është në gjendje të sqarojë atë që ka ndodhur.

    Ndrysh, në seancën e 24 janarit 2023, gjyqtari i çështjes Sahit Krasniqi, ka aprovuar propozimin e avokatit mbrojtës, Admir Salihu, që të bëhej një ekzaminim psikiatrik ndaj Dardan Krivaqës. Ndërsa, në raportin e ekzaminimit psikiatrik të Institutit të Forenzikës, të cilin e ka pranuar gjykata në fjalë, është konstatuar se i akuzuari për vrasjen e 18-vjeçares, nuk ka ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore të karakterit psikotik.

    Gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi më 2 shtator 2022, ka marrë aktvendim në bazë të së cilit i ka refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave, të parashtruara nga mbrojtja e të akuzuarve, ndërsa të akuzuarve Krivaqa dhe Sejdiu, iu konfirmua aktakuza.

    Kurse, më 23 gusht 2022, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se mbrojtësit e të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët ngarkohen për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani në gusht të vitit 2021, kanë kërkuar hudhjen e aktakuzës.

    Ndryshe, më 14 korrik 2022, është mbajtur seanca fillestare ku Dardan Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, është deklaruar i pafajshëm.

    Krivaqën prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, aty thuhet se i pandehuri Krivaqa fillimisht pa dëshirën e tani të ndjerës ka kryer marrëdhënie seksuale në sallon, pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e kishte dërguar në banjo, nga aty me dhunë e kishte dërguar në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore tani e ndjera Marigona Osmani si pasojë e dhunës së ushtruar kishte humbur aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kishin kryer marrëdhënie seksuale, pastaj i pandehuri Dardan të zhveshur e kishte dërguar në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, par. 4, nënpar 4.1, lidhur me par.1 të Kodit Penal.

    Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i pandehuri Arbër Sejdiu më 21 gusht 2021, në banesën e të pandehurit të parë në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje i kishte ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

    Sipas aktit akuzues thuhet se fillimisht dy të pandehurit kishin kontaktuar përmes telefonit dhe ishin takuar në qytet, pastaj së bashku ishin kthyer në banesë, ku i pandehuri Arbër posa kishte arritur, duke qenë në dijeni se i pandehuri Dardan është duke e dhunuar tani të ndjerën Marigona Osmani, me dashje kishte marrë veprime me të cilat lehtësohet kryerja e dhunimit.

    Tutje thuhet se dy të pandehurit së bashku kishin hyrë në dhomën ku kryhet dhunimi, e ku e ndjera ishte e zhveshur, e të cilin veprim gjatë qëndrimit në banesë e merr disa herë, po ashtu dhe gjatë asaj kohe kishte përcjellë gjendjen nëse ndonjë nga banorët është duke lëvizur aty pari.

    Siç e përshkruan aktakuza, i pandehuri Arbër Sejdiu po ashtu edhe disa herë kishte dalë nga banesa për të blerë gjëra ushqimore, ndërsa gjatë gjithë kohës dy të pandehurit kishin biseduar mes vete, kështu tutje, të pandehurit Dardan Krivaqa i kishte dhënë telefonin për të thirrë kompaninë e cila menaxhon kamerën, që ishte e vendosur në korridorin e banesës me qëllim që të fshihen video-incizimet, gjegjësisht provat e veprës penale.

    Me këtë, Sejdiu akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e dhunimit” nga neni 227, par 4, nënpar. 4.1, lidhur me par. 1 dhe nenin 33 të Kodit Penal.

    Kjo aktakuzë në dispozitivin e III-të, dy të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu i ngarkon për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

    Aty thuhet se më 22 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa, në rrugën “Ramadan “Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën i pandehuri i parë ishte në bashkësi jashtëmartesore.

    Tutje, sipas aktakuzës, përshkruhet se në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë kishte marrë një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin tani të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike, ku nga goditjet e njëjta ka pësuar politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme, thyerja e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.

    Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par. 1, nënpar. 1.3, 1.4 dhe 1.7, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

  • ​Kompania Meta lanson aplikacionin Threads, rivalin e Twitter-it

    ​Kompania Meta lanson aplikacionin Threads, rivalin e Twitter-it

    Kompania “Meta” në pronësi të Mark Zuckerberg ka lansuar zyrtarisht të mërkurën një aplikacion të ri të quajtur Threads, i cili është rival i Twiterit.

    Threads synon të ofrojë një hapësirë për biseda në kohë reale në internet.

    Aplikacioni duket se ka shumë ngjashmëri me Twitter-in.

    “Vizioni për Threads është të krijojë një opsion dhe hapësirë publike miqësore për bisedë”, tha CEO i Meta Mark Zuckerberg në një postim në Threads pas lansimit.

    Zuckerberg tha në llogarinë e tij të verifikuar në Threads aplikacioni kaloi 2 milionë regjistrime në dy orët e para të lansimit.

    Më vonë, të mërkurën, ai shkroi se Threads “kaloi 5 milionë regjistrime në katër orët e para”.

    Lista e aplikacionit e përshkruan atë si një vend, ku komunitetet mund të bashkohen për të diskutuar gjithçka, nga temat që u interesojnë sot deri tek ato që janë në trend, shkruan CNN, përcjell KosovaPress

    Kompania Meta tha se mesazhet e postuara në Threads do të kenë një kufi prej 500 karakteresh.

  • Avionët luftarakë rusë për pak sa nuk përplasen me dronët amerikanë mbi Siri

    Avionët luftarakë rusë për pak sa nuk përplasen me dronët amerikanë mbi Siri

    Forcat Ajrore të SHBA-së kanë publikuar pamjet që tregojnë avionë luftarakë rusë që fluturojnë në mënyrë të rrezikshme pranë disa dronëve amerikanë mbi Siri, duke detyruar dronët MQ-9 Reaper të ndërmarrin manovra të mprehta.

    “Këto ngjarje përfaqësojnë një nivel të ri sjelljeje joprofesionale dhe të pasigurt nga Forcat Ajrore Ruse që operojnë në Siri”, tha selia e Forcave Ajrore të SHBA në një deklaratë. Pamjet përbëhen nga një seri videosh që tregojnë një avion luftarak rus SU-35 duke iu afruar Reaper dhe më vonë duke gjuajtur një seri flakërimesh që rri pezull në shtegun e fluturimit të dronit.

    Gjenerali amerikan Alex Grynkewich tha se një nga pilotët rusë e lëvizi avionin e tij përpara dronit dhe ndezi pas djegësin, gjë që zvogëloi aftësinë e operatorit për të drejtuar dronin në mënyrë të sigurt.

    Grynkewich tha se avionët rusë “filluan t’i ngacmojnë dronët” pasi tre dronët po vepronin mbi Siri rreth orës 10:30 të mëngjesit me kohën lokale dje. Dronët morën pjesë në misionin kundër ISIS-it, por nuk u specifikua se cila ishte saktësisht detyra e tyre.

  • Vushtrri: Dhëndri e pëson keq nga vjehrri, pas ankesës për gruan

    Vushtrri: Dhëndri e pëson keq nga vjehrri, pas ankesës për gruan

    Ankesa e dhëndrit nga Vushtrria për gruan e tij nuk shkoi mirë. Ai e pësoi keq pikërisht nga babai i gruas.

    Më datë 3 korrik rreth orës 20:00, burri nga fshati Gojbule derisa kishte qenë me veturë duke u kthyer nga miqtë e tij me gruan e tij dhe djalin e tyre 13 muajsh, gjatë rrugës gruaja e tij e kishte qortuar fëmijën i cili kishte filluar të qajë.

    Kështu burri e ka ndalur veturën dhe e thirri në telefon babain e gruas, i cili menjëherë ka arritur atje.

    Siç ka deklaruar ankuesi, derisa ka tentuar të bisedojë me vjehrrin, ai kishte filluar ta godasë me grushta në fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit.

    Përveç kësaj, siç thonë burimet e Indeksonline, ai dyshohet se është kërcënuar.

    Kështu i njëjti ka pranuar tretman mjekësor. Rasti është duke u hetuar.

  • Gjilan, parandalohet një rast i kontrabandës me duhan

    Gjilan, parandalohet një rast i kontrabandës me duhan

    Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandës me duhan mbrëmjen e së mërkurës në rrugën Stançiq-Gjilan.

    Në një komunikatë për media bëhet e ditur se fillimisht është identifikuar një automjet BMW me targa vendore për të cilin njësitët e Task Forcës ‘DRK – Lindje’ kishin informacione se merret me kontrabandë të mallrave nga Maqedonia e Veriut.

    “Me datën 05.07.2023 rreth orës 22:00 në rrugën Stançiq-Gjilan është identifikuar një automjet BMË me targa vendore për të cilin njësitet e Task Forcës–DRK-Lindje kishin informacion se merret me kontrabandim të mallrave nga republika e Maqedonisë veri në Republikën e Kosovës. Automjeti i lartcekur është arrit të ndalohet në hyrje të Gjilanit dhe gjatë kontrollit në ulëset e prapme dhe në bagazh të veturës kishte të ngarkuar (25) thasë duhan të përpunuar me peshë rreth 250 kilogram dhe për të cilin mall nuk posedonte asnjë dokument mbi prejardhjen, andaj dyshohet për kontrabandë”, thuhet në komunikatë.

    Bëhet e ditur se, lidhur me rastin, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kompetent malli është dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtejme.

  • ​Trajneri i Galatasaray-t kërkon ta mbajë Rashicën

    ​Trajneri i Galatasaray-t kërkon ta mbajë Rashicën

    Trajneri i Galatasaray, Okan Buruk e ka bërë të qartë se dëshiron të nënshkruajë me Milot Rashicën nga Norwich City.

    Sulmuesi ishte nënshkroi me skuadrën angleze kur ata ishin në Premier Ligë, por Rashica nuk e gjeti veten duke shënuar vetëm një gol në sezonin e tij atje.

    Tani, pas paraqitjeve të tij mbresëlënëse me Galatasarayn, trajneri i gjigantit turk ka bërë të ditur se dëshiron ta mbajë në skuadër reprezentuesin kosovar.

    “Ne duam të shtojmë sërish në skuadër lojtarë të huazuar si Icardi dhe Rashica. Ata janë objektivat tanë të parë. Ndeshjet evropiane nisin shumë herët. Duhet të jemi atje me një skuadër të mirë. Një nga problemet më të mëdha është se ndeshjet parakualifikuese luhen para se të përfundojë afati kalimtar. Duhet të fillojmë me skuadrën te gatshme në mënyrë që të kalojmë raundet kualifikuese .”, ka thënë Buruk.

    Rashicës i kanë mbetur edhe dy vite kontratë me Norwich Cityn, andaj e ardhmja e tij mbetet ende e pa qartë.

  • ​Në Nju Jork nis shitja e fanellave të Messit

    ​Në Nju Jork nis shitja e fanellave të Messit

    Imazhet e para të Lionel Messit me fanellë të Inter Miamit janë shfaqur në një dyqan të kompanisë “Adidas” në Nju Jork, krahas sloganit “e pamundur, po vjen”.

    Shtatë herë fituesi i Topit të Artë ka zbuluar se do të shkojë në Shtetet e Bashkuara si lojtar i lirë këtë verë, pasi ka përfunduar kontratën e tij me Paris Saint-Germain. Marrëveshja ende nuk është përfunduar zyrtarisht, por dyqani “Adidas” në lagjen SoHo të qytetit të Nju Jorkut duket se ka konfirmuar se gjithçka është nënshkruar, vulosur dhe dorëzuar pasi ata tashmë po përdorin fituesin e Kupës së Botës 2022 në materiale promovuese.

    Dritarja kryesore e dyqanit përmban imazhe të Messit me fanellën rozë të Inter Miamit, me ekrane rrotulluese që shfaqin slloganin “e pamundur, po vjen”, krahas sloganit standard të “Adidas-it” “e pamundur nuk është asgjë”, përcjellë KosovaPress.

    Megjithatë, asnjë fanellë e Inter Miamit me emrin dhe numrin e amerikano-jugorit në anën e pasme nuk është e disponueshme për t’u blerë brenda dyqanit, por pajisjet e markës së Messi-t të Miamit dhe Argjentinës janë kudo së bashku me produktet nga gama e vetë argjentinasit ‘Messi 10’, me 36- vjeçarin që ka një marrëveshje të përjetshme me “Adidas”.

    Ai pritet të bëjë debutimin e tij për ekskluzivitetin e MLS-së në bashkëpronësi të David Beckham kundër Cruz Azul në Kupën e Ligës më 21 korrik.

    Stopped by the Adidas flagship store in SoHo on my way home. Think it’s fair to say it’d be especially weird if the deal didn’t actually happen now. pic.twitter.com/4jjUiCNlwf

    — Alexander Abnos (@AnAbnos) July 6, 2023

  • Shpallja e dy organizatave serbe si terroriste, BE-ja e quan “hap të njëanshëm”

    Shpallja e dy organizatave serbe si terroriste, BE-ja e quan “hap të njëanshëm”

    Bashkimi Evropian vlerwson se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” si organizata terroriste, është “hap i njëanshëm” që sipas bllokut, nuk i kontribuon uljes së tensioneve.

    Qeveria e Kosovës më 29 qershor i shpalli këto dy organizata si terroriste. Ato besohet se veprojnë në veriun e Kosovës dhe numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb, që janë shumicë në këtë zonë.

    “Ky cilësim [shpallja si organizata terroriste] është hap i njëanshëm dhe nuk i kontribuon shtensionimit të situatës dhe gjetjes së rrugës për të adresuar problemet ekzistuese në një mënyrë të qëndrueshme”, tha zëdhënësi i bllokut evropian, Peter Stano, në një përgjigje për REL.

    Stano shtoi se liderët e 27 shteteve anëtare të BE-së gjatë një takimi të mbajtur javën e kaluar bënë thirrje për shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri të Kosovës.

    “Ne përsërisim thirrjen për të dyja palët që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të çojë në rritjen e mëtejme të tensioneve dhe që urgjentisht të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën aktuale në veri të Kosovës në linjë me propozimin e bërë nga përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, më 22 qershor dhe deklaratës së BE-së të 3 qershorit”, tha Stano.

  • Prokuroria suedeze ngre aktakuzë ndaj aktivistes Greta Thunberg

    Prokuroria suedeze ngre aktakuzë ndaj aktivistes Greta Thunberg

    Prokurorët suedezë kanë ngritur aktakuzë ndaj aktivistes së njohur për klimën Greta Thunberg për mosbindje ndaj zbatimit të ligjit në lidhje me një protestë në qytetin e Malmos muajin e kaluar.

    Gazeta lokale Sydsvenskan raportoi të mërkurën se Thunberg u arrestua me aktivistë të tjerë pasi ata ndaluan trafikun në terminalin e naftës të portit në Malmo më 19 qershor.

    Një deklaratë e shkurtër nga prokurorët suedezë të mërkurën tha se një “grua e re” u akuzua për mosbindje sepse “refuzoi të zbatonte urdhrat e policisë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes” gjatë protestës. Deklarata nuk e identifikoi personin, por zëdhënësja e Prokurorisë Suedeze Annika Collin konfirmoi se ishte Thunberg.

    Gazeta Sydsvenskan tha se aktivistja 20-vjeçare suedeze do të thirret në gjyq në fund të korrikut.

    Një prokurore suedeze i tha gazetës se akuza e mosbindjes zakonisht dënohet me gjoba.

    Ekipi mediatik i Thunberg nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

    Thunberg frymëzoi një lëvizje globale rinore që kërkon përpjekje më të forta për të luftuar ndryshimet klimatike pas organizimit të protestave javore jashtë Parlamentit suedez duke filluar nga viti 2018.

    Në fillim të këtij viti, aktivistja Thunberg u arrestua nga policia e Gjermanisë teksa po merrte pjesë në një protestë kundër prishjes së planifikuar të një fshati, për t’i hapur rrugë zgjerimit të një miniere të qymyrit.

    Ajo u lirua të nesërmen. /REL