ATV

Author: ATVLive

  • Ndeshjet Ballkani-Ludogorets dhe Dukagjini-Europa zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri”

    Ndeshjet Ballkani-Ludogorets dhe Dukagjini-Europa zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri”

    Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se dy ndeshjet e para të klubeve tona për edicionin e ri të garave evropiane do të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Pas monitorimit dhe vlerësimit të fushës nga eksperti i UEFA-s, u vendos që ndeshja Ballkani-Ludogorets, në kuadër të rrethit të parë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, më 11 korrik, dhe ajo Dukagjini-Europa, në kuadër të Ligës së Konferencës, më 13 korrik, të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri”.

    Pas këtyre dy ndeshjeve, eksperti i UEFA-së së bashku me ekipin e mirëmbajtjes së stadiumit do të punojnë për t’u rikuperuar edhe mëtutje fusha, e cila ka pësuar dëmtime kohët e fundit.

    FFK fton klubet që të përkujdesen maksimalisht në ruajtjen e fushës dhe kësisoj stërvitjet zyrtare t’i zhvillojnë në ndonjë stadium tjetër ose në Kampin Nacional në Hajvali, në mënyrë që fusha të mos dëmtohet më shumë.

    Duke pasur parasysh se në këtë periudhë është e pamundur të intervenohet në ndërrimin e barit dhe as në zëvendësimin e tij, dhe meqenëse në këtë stadium do të zhvillohen edhe ndeshjet zyrtare të Kombëtares A, Kombëtares U21 dhe të Kombëtares së vajzave, është e nevojshme që fusha të jetë sa më pak e ngarkuar në gjendjen aktuale.

    Në këtë rast, FFK i fton tifozët dhe opinionin që t’i përkrahin skuadrat tona në këto ndeshje dhe të jenë në numër sa më të madh në tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri”. Për të siguruar suksesin e skuadrave tona, nevojitet mbështetja dhe entuziazmi i tyre gjatë këtyre ndeshjeve.

    FFK do të vazhdojë të monitorojë gjendjen e fushës dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ta rikuperuar atë sa më mirë. Shpresojmë që skuadrat tona të na dhurojnë emocione dhe të hedhin hap të rëndësishëm drejt kualifikimit tutje.

  • Edhe kryeministri Kurti ndjek trendin, çelë llogari në Threads

    Edhe kryeministri Kurti ndjek trendin, çelë llogari në Threads

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk i ka shpëtuar “trendit” të platformës më të re të Metas, Threads.

    Threads është një rrjet social i bazuar në tekst që u lansua të enjten, ku përdoruesit mund të bëjnë postime me 500 karaktere dhe gjithashtu mund të publikojnë edhe video.

    Deri më tani, miliona njerëz i janë bashkuar platformës së Threads dhe presidentja Osmani është gjithashtu në mesin e tyre.

    Threads edhe nga pamja është i ngjashëm me Tëitter-in, si dhe ka veçori të ngjashme me aplikacionin që është në pronësi të Muskut.

  • Presidentja ndjek trendin, çelë llogari në Threads

    Presidentja ndjek trendin, çelë llogari në Threads

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, nuk i ka shpëtuar “trendit” të platformës më të re të Metas, Threads.

    Threads është një rrjet social i bazuar në tekst që u lansua të enjten, ku përdoruesit mund të bëjnë postime me 500 karaktere dhe gjithashtu mund të publikojnë edhe video.

    Deri më tani, miliona njerëz i janë bashkuar platformës së Threads dhe presidentja Osmani është gjithashtu në mesin e tyre.

    Threads edhe nga pamja është i ngjashëm me Twitter-in, si dhe ka veçori të ngjashme me aplikacionin që është në pronësi të Muskut.

  • OBSH ngre alarmin: 1.4 milionë vdekje në vit vetëm nga ndotja mjedisore

    OBSH ngre alarmin: 1.4 milionë vdekje në vit vetëm nga ndotja mjedisore

    Çdo vit, 1.4 milionë vdekje në Europë humbasin jetën si pasojë e ndotjes dhe ndryshimeve klimatike.

    Raporti i fundit i hartuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë bën me dije se vdekjet e lidhura me shkaqe mjedisore përbëjnë afërsisht 15% të barrës së sëmundjeve në rajon.

    Rreth 570 000 vdekje mund t’i atribuohen ndotjes së ajrit të ambientit dhe më shumë se 150 000 vdekje nga ndotja e ajrit në banesa.

    Sipas ekspertëve 77 milionë njerëzve u mungon qasja në ujë të pijshëm të menaxhuar në mënyrë të sigurt në vitin 2020.

    Ndërkohë që vetëm vitin e kaluar 20 000 njerëz vdiqën nga nxehtësia ekstreme në Evropë.

    Hapësirat e gjelbra kanë një efekt mbrojtës shëndetësor që mund të zvogëlojë vdekshmërinë nga shkaqet natyrore me gati 1%.

    Për të menaxhur këtë situatë ministrat e mjedisit dhe shëndetësisë të rajonit evropian pritet të angazhohen në ndërmarrjen e veprimeve urgjente për të reduktuar atë shifër marramendëse të jetëve të humbura dhe për të mbrojtur mbijetesën tonë në këtë planet.

  • “Dardanet” publikojnë listën e lojtareve për miqësoret kundër Lihtenshtajnit

    “Dardanet” publikojnë listën e lojtareve për miqësoret kundër Lihtenshtajnit

    Kombëtarja e Kosovës e femrave do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore gjatë muajit korrik kundër Lihtenshtajnit.

    Këto dy miqësore do të zhvillohen në kuadër të përgatitjeve për edicionin e parë të Ligës së Kombeve, që fillon garat në shtator, raporton KosovaPress.

    “Dardanet” të dy ndeshjet kundër Lihtenshtajnit do t’i zhvillojnë në Kampin Nacional në Hajvali më 13 korrik dhe më 16 korrik.

    Miqësorja e parë (13 korrik) zhvillohet me fillim nga ora 18:30, kurse e dyta (16 korrik) zhvillohet në ora 11:30.

    Trajnerja, Anneli Andersen ka grumbulluar 24 futbolliste për këto dy miqësore, të cilat do t’i ketë të gatshme nga 10 korrik, kur edhe do të mbahet edhe stërvitja e parë në Hajvali në orën 16:00.

    Ndeshjen e parë në kuadër të Ligës së Kombeve, Kosova do ta luajë në shtator kundër Bullgarisë. “Dardanet” janë pjesë e Ligës C në Grupin 5, ku bën pjesë edhe Maqedonia e Veriut.

    Më poshtë e gjeni listën e Kosovës për dy miqësoret ndaj Lihtenshtajnit.

  • “20 mijë euro çdo të riu kur të mbushë 18 vjet”, propozimi ambicioz i ministres së Punës në Spanjë për të kapërcyer pabarazinë sociale

    “20 mijë euro çdo të riu kur të mbushë 18 vjet”, propozimi ambicioz i ministres së Punës në Spanjë për të kapërcyer pabarazinë sociale

    “20.000 euro për t’u shpenzuar për studime, trajnime ose hapjen e një biznesi pasi të arrijnë moshën 18 vjeç”.

    Ky është plani ambicioz i Spanjës për të trajtuar pabarazinë sociale në vend, që pritet t’i kushtojë qeverisë në Madrid rreth 10 miliardë euro ose 0.8% e PBB-së së Spanjës.

    Nisma surprizuese u prezantuar nga ministrja e Punës në Spanjë, Yolanda Díaz, pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme të 23 korrikut.

    Díaz thotë se paratë që do t’u jepen të rinjve për studim, trajnim ose fillimin e një biznesi do të përkthehen në “barazi mundësish” pavarësisht nga prejardhja familjare ose të ardhurat e njerëzve.

    Plani “Sumar” parashikon që shuma rekord të mblidhet duke taksuar ata që fitojnë më shumë se 3 milionë euro në vit, ndërsa pagesa do të nisë në moshën 18 vjeç dhe do të vazhdojë deri në moshën 23 vjeç.

    Përveç shumës universale, të rinjtë do të marrin edhe mbështetje administrative për të studiuar, trajnuar ose që të krijojnë biznesin e tyre.

    “Nisma ka të bëjë me krijimin e një të ardhmeje për të rinjtë dhe t’u japim atyre mundësinë për të studiuar ose për të filluar një biznes, pa pasur nevojë të varen nga mbiemrat e tyre ose nga familja prej së cilës vijnë“, tha Díaz kur prezantoi planin.

    Ministrja, e cila u rrit në një familje të vendosur komuniste, tha se nuk kishte qenë në gjendje të ndiqte ëndrrat e saj për t’u bërë inspektore punësimi, sepse nuk kishte para të mjaftueshme që të përballonte studimet.

    “Të bëhesh inspektor punësimi në Spanjë do të duhen rreth pesë vjet. Unë nuk jam inspektore punësimi sepse jam bijë e prindërve të klasës punëtore dhe nuk mund ta arrija kurrë atë që doja. Kjo është një masë rishpërndarëse që do të lejojë të rinjtë e vendit tonë të kenë një të ardhme pavarësisht mbiemrit të tyre”, tha ajo.

  • Gjermania ndalon duhanin në automjetet me fëmijë

    Gjermania ndalon duhanin në automjetet me fëmijë

    Pirja e duhanit në automjete nuk do të lejohet më kur pasagjerë janë fëmijët ose gratë shtatzëna, sipas Ministrisë gjermane të Shëndetësisë.

    Ndalimi, i cili është kërkuar prej kohësh nga shtetet federale, parashikohet në projektigjin për ndryshimin e Ligjit për Mbrojtjen e Joduhanpirësve.

    Drafti i Ministrit të Shëndetësisë, Karl Lauterbach duhet të koordinohet me ministritë e tjera përpara se të paraqitet në kabinet.

    Sipas draftit, ndalimi i pirjes së duhanit, i cili tashmë zbatohet në transportin publik, në të ardhmen duhet të zbatohet edhe në automjete të mbyllura në prani të të miturve apo grave shtatzëna.

    Disa shtete federale kanë nisur tashmë nisma që nga viti 2019 për të zbatuar zgjatjen e projektligjit, duke vendosur gjoba deri në 3 000 euro (3 265 dollarë) në rast shkeljeje.

    Së fundmi, Dhoma e Lartë e parlamentit gjerman, Bundesrat, vendosi në mars 2022 të paraqesë projektligjin në Dhomën e Ulët, Bundestag.

    Qeveria shtetërore e Saksonisë së Ulët, iu referua Qendrës Gjermane të Kërkimit të Kancerit, duke deklaruar se përqendrimi i duhanit në automjete mund të jetë pesë herë më i lartë se në ndonjë bar ose lokal.

    Për fëmijët dhe të rinjtë, kjo mund të shkaktojë dëmtime në mushkëri, si dhe sëmundje të frymëmarrjes dhe infeksione të veshit të mesëm.

    Lauterbach ka kërkuar zgjatjen e projektligjit që ndalon pirjen e duhanit, duke përfshirë cigaret elektronike dhe produktet e kanabisit, në vendet ku zbatohet ligjërisht.

  • Kërkohet që nga Projektligji për çmimin e barnave të largohen prodhuesit vendës

    Kërkohet që nga Projektligji për çmimin e barnave të largohen prodhuesit vendës

    Komisioni për Shëndetësi nuk ka hedhur në votim Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale, për shkak të mospajtimeve të thella mes deputetëve, përfshirë edhe atyre të mazhorancës. Deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, por nga radhët e Listës Guxo, kërkuan plotësim-ndryshimin e këtij projektligji, pasi sipas tyre, nuk po përkrahën prodhuesit vendor farmaceutik, gjë të cilën e përkrahën edhe anëtarët e komisionit nga opozita. Mirëpo të kundërtën e thanë deputetët e LVV-së, që potencuan se përmes këtij projektligji do të ketë unifikim të çmimeve të barnave.

    Kryetarja e komisionit për shëndetësi, Fatmire Kollçaku, tha se qytetarët do të përfitojnë më së shumti nga ky projektligj.

    “Qëllimi i këtij projektligji është që të vendoset një rregullativ dhe për herë të parë të kemi një unifikim të çmimeve dhe një kosto më të përballueshme për qytetarët. Besoj që ky ligj do të ndryshojë shumë për të mirë situatën sa i përket qytetarëve dhe pacientëve që kanë nevojë për barna. Kjo nuk do t’i detyrojë të sillen në barnatore të ndryshme, por kudo që të jenë çmimi do të jetë i unifikuar dhe do të ketë një kontroll më të lartë të cilësisë së barnave”, tha ajo.

    Por mëdyshje për të njëjtin shprehu deputeti i mazhorancës, Haxhiu Avdyli, i cili tha se ai nuk po mbështet prodhuesit vendor.

    “Ky ligj ka një problem të vogël që ne duhet ta zgjidhim. Deri tani nuk kemi arritur që të zgjidhim, të avancojmë një segment i cili më bën skeptik se a duhet të votojmë sot Projektligjin. Janë shumë elemente të mirë të këtij projektligji, por kemi një mangësi që nuk jemi duke përkrah prodhuesin vendor…Me anë të këtij Projektligji ne nuk jemi duke i bërë favor por jemi duke i bërë disfavor, nuk jemi duke bërë të barabartë me prodhuesit e rajonit, por jemi duke bërë disfavor. Me anë të këtij ligji mund të ndodh të mbyllet një fabrikë shumë prestigjioze që ka mbi 20 milionë euro investim”, deklaroi Avdyli.

    Kritik u shpreh edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili tha se përmes projektligjit për produktet medicinale, krijohet një hapësirë e madhe e manipulimit për çmimet e barnave, derisa shtoi se i njëjti është harmonizuar më shumë me kompanitë jashtë Kosovës.

    “Ky ligj shihet se është harmonizuar më shumë me lobuesit e kompanive jashtë Kosovës sesa me vendorët. Dje në këtë sallë sa ishim në grup punues u vë në pah se në draftin e parë ishte i paraparë rregullimi edhe i përcaktimit të çmimit për prodhuesit vendor, që atyre t’iu lejohet e drejta si vend të origjinës të deklarojnë çmimin”, tha ai.

    Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj tha se ky projektligj duhet të ndryshohet pasi nuk përkrahen prodhuesit vendor.

    “Prodhuesi vendor nuk është mbështetur sa duhet me këtë ligj dhe mendoj se i njëjti duhet të ketë në konsiderim këtë. Nuk pajtohet që ky ligj të aprovohet sot kësisoj dhe pastaj edhe një herë të marrin ne në dorë. Ligji duhet të jetë i mirë ose të kthehet ose të aprovohet”, deklaroi ai.

    Krahas kësaj, komisioni miratoi raportin për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit. Mes tjerash në këtë raport kërkohet edhe plotësim-ndryshimi i këtij projektligji, ku do të përfshihen edhe cigaret elektronike, po ashtu edhe përcaktimi i ambienteve të mbyllura dhe hapura./KP/

  • Vazhdon aksioni për rrënimin e vilave pa leje në Batllavë

    Vazhdon aksioni për rrënimin e vilave pa leje në Batllavë

    Komuna e Podujevës vazhdoi sot aksionin e rrënimit të vilave pa leje në Batllavë, i cili ishte ndërprerë disa muaj më parë.

    Në Batllavë do të rrënohen katër vila, të cilat janë ndërtuar pa leje. Kështu bëri të ditur zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, i cili u shpreh se aksioni do të vazhdojë deri në rrënimin e katër vilave.

    Ai shtoi se procedurat për rrënimin e katër vilave në Batllavë kanë përfunduar.

    Në muajin nëntor të vitit të kaluar ka filluar aksioni për rrënimin e vilave pa leje në Batllavë./KP

  • PDK me “ultimatum” ndaj kryeministrit Kurti

    PDK me “ultimatum” ndaj kryeministrit Kurti

    Partia më e madhe opozitare ka dal me një ultimatum për shefin e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti sa i përket zhvillimeve të fundit të krijuar tash e sa muaj në veriun e Kosovës.

    Nga Partia Demokratike e Kosovës po vlerësojnë se Albin Kurti i ka dy rrugë për deeskalimin e situatës në veriun e Kosovës.

    Betim Gjoshi nga ky subjekt politik ka thënë për Gazeta Blic, se shefi i qeverisë duhet me urgjencë të gjejë modelin ose rrugën për përshkallëzimin e situatës së krijuar në veriun e vendit.

    “Qeveria e Kosovës duhet të gjejë zgjidhje për deeskalimin e situatës si shkaktar i kësaj situate”, ka thënë Gjoshi.

    Mirëpo, Gjoshi thotë se në rast se vazhdohet me këtë situatë vendi duhet të shkoj në zgjedhje të parakohshme.

    “Ose sa me parë duhet të dorëhiqet kjo qeveri dhe vendi të shkojë në zgjedhje”, tha ai.

    Por dorëheqjen e Kurti apo rrëzimin e tij nuk po e kërkon vetëm PDK-ja.

    Tashmë ka një nismë për mocion mosbesimi ndaj qeverisë së Kosovë të nisur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Pak më parë gazeta Blic raporti se nga java e ardhshme do të ketë lëvizje konkrete për rrëzimin e Albin Kurtit nga pozita që mban.

    AAK do të hartojë një draft se si mund të duket rrëzimi i qeverisë, ku do të ketë një takim mes shefave të grupeve parlamentare për harmoznimin e atij draft dhe më pas një takim mes tre liderëve të PDK, LDK dhe AAK, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj.