ATV

Author: ATVLive

  • Ligji për pagën minimale, çka parasheh dhe pse po kundërshtohet?

    Ligji për pagën minimale, çka parasheh dhe pse po kundërshtohet?

    Ndonëse është paraqitur si sukses nga Qeveria e Kosovës, ligji i ri që parasheh rritjen e pagës minimale në Kosovë, që u miratua të enjten në Kuvend, ka hasur në kundërshtime nga veteranët e luftës në Kosovë.

    Në pika të shkurtra më poshtë mund të lexoni më shumë detaje rreth këtij ligji dhe pse ka ngjallur reagime.

    Çfarë është ky ligj?

    Emri zyrtar i tij është “Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore”.

    Në parim, me të parashihet që paga minimale në Kosovë të arrijë vlerën e 264 eurove bruto për të gjithë të punësuarit, në sektor publik e privat.

    Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.

    Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar që nga viti 2011 dhe është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.

    Po ashtu, ky ligj ndryshon shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, si dhe procedurën e vendosjes së pagës minimale.

    Ky ligj përcakton se vlera e pagës minimale do të ketë tatim zero.

    Sipas ligjit, Qeveria e Kosovës në fund të çdo viti kalendarik përcakton pagën minimale, sipas propozimit të Këshillit Ekonomiko-Social. Por, në mungesë të një propozimi nga ky Këshill, ministri për Financa mund të parashtrojë një propozim për pagën minimale për Qeverinë.

    Sipas një studimi të Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP, të publikuar në muajin prill, janë më shumë se 100 mijë punëtorë në Kosovë që marrin pagë minimale. Mbi 94 për qind e tyre janë të punësuar në sektorin privat.

    Kur do të hyjë në fuqi?

    Janë edhe disa shkallë deri sa ky projektligj të hyjë në fuqi dhe të shndërrohet në ligj.

    Deri më tani, projektligji ka kaluar disa faza të rëndësishme. Ai është miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës më14 qershor 2022.

    Ndërsa, më 13 korrik 2023, ai është miratuar edhe në lexim të dytë në Kuvend.

    Me këtë, ky ligj konsiderohet i miratuar nga Kuvendi dhe pasi nënshkruhet nga kryetari i Kuvendit, ai duhet t’i dërgohet Presidentes së vendit për nënshkrim.

    Kushtetuta e Kosovës i jep të drejtë Presidentes që me arsyetim ta kundërshtojë dhe kthejë ligjin në Kuvend.

    Megjithatë, për ta përmbysur veton e Presidentes nevojiten që së paku 61 deputetë të votojnë për ligjin e miratuar, i cili është kthyer në Kuvend dhe ligji konsiderohet i shpallur.

    Ligji hyn në fuqi përfundimisht 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës.

    Edhe pas hyrjes në fuqi, secili ligj i publikuar mund të sfidohet në Gjykatën Kushtetuese dhe nëse kjo gjykatë parasheh se është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, mund ta shpallë atë të pavlefshëm.

    Pse u kundërshtua?

    Përveç se nuk u përkrah nga opozita, Ligji për pagën minimale ka hasur në kundërshtim të ashpër nga personat që përfitojnë nga skema pensionale për veteranët e luftës së viteve 1998-‘99 në Kosovë.

    Kjo për shkak se ky Ligj nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, siç ka qenë në të kaluarën.

    Përkatësisht, ndonëse paga miminale parashihet të rritet në 264 euro, veteranët do të vazhdojnë të marrin pension në vlerë 170 euro, sa është paga minimale momentalisht.

    Lidhur me veteranët ky ligj thekson se ‘deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranit Qeveria e Kosovës, me propozimin e Ministrisë përgjegjëse për financa, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual’.

    Pas votimit në Kuvend, Faton Klinaku, ushtrues detyre i kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ka kritikuar këtë vendim të deputetëve.

    “Siç po e marr vesh nga mediat, pasi u largua opozita nga salla, në terr, deputetët e këtij pushteti të paskrupullt, e kanë kaluar Ligjin për pagën minimale duke i hequr veteranët e luftës së UÇK-së. Ne do të takohemi si organe drejtuese dhe do të vendosim për hapat që do t’i ndërmarrim”, shkroi ai në Facebook.

    Në Kosovë, punëdhënësi më i madh është sektori privat, me më shumë se 220 mijë të punësuar. Paga mesatare bruto në këtë sektor është rreth 380 euro.

    Në sektorin publik, ndërkaq, janë të punësuar mbi 80 mijë persona, me pagë mesatare bruto rreth 620 euro. /REL

  • ​PDK: Qeveria kontrabandoi mbrëmë dy ligje me të cilat goditi veteranët dhe UÇK-në

    ​PDK: Qeveria kontrabandoi mbrëmë dy ligje me të cilat goditi veteranët dhe UÇK-në

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra dhe koordinatori për Financa në KQM, Arben Mustafa, kanë reaguar ndaj miratimit të ligjit të pagave minimale në Kuvendin e Kosovës, përmes së cilave, në njërën anë përjashtojnë veteranët e UÇK-së nga përfshirja në pagën minimale dhe, në anën tjetër, në themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, kanë zgjatur afatin kohorë të hetimit deri më 31 dhjetor të vitit 2000.

    Deliu-Kodra ka thënë se nga 12 qershori, kur në Kosovë ka hyrë NATO dhe OKB, nuk ka pasur as luftë dhe as krime që mund t’i përvishen UÇK-së, siç ka pretenduar Serbia, e sot, fatkeqësisht, edhe qeveria e Albin Kurtit, transmeton KP.

    Ajo e ka quajtur këtë vendim të Qeverisë si skandal i radhës, për të cilin, nuk do të qëndrojnë të heshtur dhe, natyrisht, në koordinim me Radojçiqin përmes shefes së Grupit të tyre Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila.

    “Mbrëmë Qeveria Kurti ose më mirë të them Qeveria Zdravo, është koordinuar me Radojçiqin me listën serbe për të përjashtuar veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës prej pagës minimale. Pran në njërën anë i përjashton veteranët prej pagës minimale dhe në anën tjetër e ka miratuar kërkesën e Serbisë për gjoja të krimeve të luftës të kryera në Kosovë deri në 31 dhjetor të vitit 2000….ky është një skandal tjetër i kësaj Qeverie dhe më lejoni të them se PDK i ka bërë amandamentet e saj edhe në komision, kemi bërë që mos të jemi në linjë si qeveri e Kosovës, si Kosovë me pretendimet e përhershme të Serbisë, por ky është skandal i paparë sepse më thoni ju qytetarë se cilat janë ato krime të cilat kanë ndodhur pas mbarimit të luftës në qershor të vitit 1999 dhe për çfarë krime po flet sot ky kryeministër i cili i falënderon deputetët e Kosovës, të cilët në terr mbrëmë kanë marrë një vendim të padinjitetshëm, anti-kombëtar dhe natyrisht që shkon në linje me fabrikimet që godasin çdo ditë e më shumë luftën e UÇK-së dhe ne nuk do të ndalemi, PDK do të jetë konsistente për ta ndalur këtë qasje anti-kombëtare të kësaj qeverie e cila koordinohet me Radojçiqin për ta dëmtuar në themel Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, tha ajo duke shtuar se janë të drejta protestat e veteranëve.

    “Janë plotësisht të drejta kërkesat e veteranëve për të dal dhe për t’i thënë stop kësaj qeverie sepse mënyra se si i ka trajtu kjo qeveri duke i thënë mercenarë, deri te ideja për t’i lënë jashtë pagës minimale, mi lënë ata njerëz që as bukën e gojës mos me mund me siguru, e në fund e kemi parë me çfarë shpërfillje e në çfarë forme flet për pjesëtarët e UÇK-së, me njeriun e akuzuar për krime të kryera në Kosovë, i cili është në listën e zezë të Kosovës, në listën e zezë të SHBA “, tha ajo.

    Ajo është pyetur edhe për dhunën në Kuvendin e Kosovës.

    “Dhuna u provokua prej zëvendëskryeministrit Bislimi. PDK nuk ka shkuar atje për të provokuar dhunën. Për herë të parë në historinë e Kosovës ndodh që Qeveria vjen dhe e sulmon deputetët. Një zëvendëskryeministër i zgjedhur vjen pas një akti simbolik që ne i kemi bërë e që duhet të shfaqet çdo ditë”, tha ajo.

    Në anën tjetër, Koordinatori për Financa në kuadër të KQM-së, Arben Mustafa, ka thënë se ky nivel i pagës minimale paraqet vetëm edhe një dorëzim tjetër të kësaj qeverie para nevojave të qytetarëve të Kosovës për përmirësim të kushteve të jetesës.

    Sipas tij, kjo pagë minimale ishte propozuar nga kjo Qeveri vite më parë dhe nga qytetarët dhe përfaqësuesit e punëtorëve ishte konsideruar si e pamjaftueshme për t’i plotësuar nevojat minimale për jetesë të një familje kosovare. Në ndërkohë, në Kosovë ka ndodhë një rritje shumë e madhe e çmimeve, që po varfëron çdo ditë e më tepër qytetarët e Kosovës.

    Ai shtoi se produkte të shumta bazike kanë shënuar rritje prej mbi 40 e 50%, ndërsa energjia elektrike e tatimi në pronë janë rritur me mbi 100

    Mustafa e ka quajtur vendim tjetër skandaloz të Qeverisë së Albin Kurtit, përjashtimin e veteranëve nga rritja sado e vogël e pagës minimale. Ai shpjegoi se Arsyeja e lidhjes së pensionit të veteranit të luftës çlirimtare me pagën minimale ka qenë vlerësimi se aq para i nevojiteshin një familje kosovare që t’i plotësonte nevojat minimale të jetesës dhe se nuk duhet harruar se përfituesit e pensionit të veteranit varen vetëm nga ky burim i të hyrave sepse nuk kanë të drejtë punësimi.

    “Qeveria e Kosovës me vendimin për përjashtimin e veteranëve nga rritja e pagës minimale, po konstaton se për një familje që ka një të punësuar nuk mjaftojnë 170 euro por duhen 264 euro për t’i plotësuar nevojat bazike të jetesës, ndërsa një familje e veteranit të UÇK duhet të mjaftohet me 170 euro…ky vendim paraqet një diskriminim të paskrupullt ndaj një kategorie të qytetarëve më fisnik të këtij vendi, në fakt nga këta njerëz që luftëtarët e lirisë i quajnë si mercenarë e ankohen për ta te Sllakvo Simiqi dhe Millan Radojçqi, nuk mund të presim diçka më mirë nga kjo qeveri”, tha ai.

    Mustafa ka thënë se PDK nuk do të heqë dorë nga kërkesat për t’u siguruar një jetë më të dinjitetshme atyre që i dolën zot Kosovës kur kishte më së shumti nevojë.

    “Në momentin që ky ligj del në gazetën zyrtare, PDK do të marrë të gjitha masat për ndryshim-plotësimin e këtij ligji”, ka thënë Mustafa.

    Për më tepër, Mustafa ka thënë se ky nivel i pagës minimale paraqet vetëm edhe një dorëzim tjetër të kësaj qeverie para nevojave të qytetarëve të Kosovës për përmirësim të kushteve të jetesës.

  • Ambasada e ShBA: Mirëpresim marrëveshjen e Kosovës me BE-në, të merren hapa tjerë konkret për de-eskalim

    Ambasada e ShBA: Mirëpresim marrëveshjen e Kosovës me BE-në, të merren hapa tjerë konkret për de-eskalim

    Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë njëzëri në kërkesën e tyre për de-eskalimin në veri të Kosovës duke kërkuar që Kosova dhe Serbia të zbatojnë pa vonesa planin tre pikësh të propozuar nga Brukseli.

    Vonesat për të zbatuar planin tre pikësh për de-eskalim kanë bërë që Kosovës zyrtarisht t’i vendosen sanksione nga Bashkimi Evropian, ndërkohë edhe Gjermania si shtet anëtar ka vendosur të nderprejë bashkëpunimin me Kosovën në disa fusha. Heqja e këtyre masave do të varet nga lëvizjet që do të bëhen nga Kosova në drejtim të de-eskalimit.

    Pas presionit të madh ndërkombëtar, Kosova ka arritur një pajtueshmëri për të kaluar nëpër disa hapa fillestar që kanë për synim dërgimin tek de-eskalimi i plotë. Kjo ka përfshirë edhe redutkimin në 25% të forcave policore nga objektet komunale në veri dhe përreth objekteve komunale. Gjithashtu Kosova është zotuar për sigurimin e bazës ligjore për organizimin e zgjedhjeve të reja dhe është kërkuar një takim i nivelit të kryenegociatorëve në Bruksel. Në këtë takim me të cilin do të mbyllej edhe faza dy javore e hapave të parë duhet të bëhet finalizimi i implementimit të planit të sekuencimit për Marrëveshjen për Normalizim.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mirëpritur marrëveshjen e arritur në mes të Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajcak dhe Qeverisë së Kosovës për hapat e parë drejt de-eskalimit në veri dhe gjithashtu edhe lëvizjen përpara drejt implementimit të marrëveshjeve ekzistuese në Dialog.

    Në një përgjigje për Gazetën Express nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, kanë thënë se SHBA dhe BE-ja kanë qenë të qarta rreth pritjeve nga palët sa i përket de-eskalimit dhe dialogut.

    “Ne mirëpresim marrëveshjen e arritur në mes të Përfaqësuesit Special të BE-së dhe Qeverisë së Kosovës për hapat e parë drejt de-eskalimit në veri të Kosovës dhe për të ecur përpara në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese të Dialogut. Shtetet e Bashkuara dhe BE kanë qenë të qarta për pritshmëritë tona nga të dyja palët”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së.

    Nga Ambasada Amerikane gjithashtu kanë thënë se vazhdojnë t’i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë për të ndërmarrë hapat tjerë konkret për të de-eskaluar tensionet dhe për të evituar veperimet që mund të cilësohen si acaruese të situatës.

    “Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa të mëtejshëm konkret për të de-përshkallëzuar tensionet dhe për të shmangur veprimet që mund të interpretohen si përshkallëzuese”, kanë përfunduar nga Ambasada e SHBA-së për Gazetën Express.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas arritjes së pajtimit me BE-në rreth hapave të parë që çojnë tek de-eskalimi, ka thënë se këto veprime të Kosovës tregojnë gatishmërinë për të ndërmarrë hapa konkret për garantimin e paqes dhe për normalizimin e raporteve me Serbinë.

    “Qeveria jonë ka arritur një marrëveshje me BE-në për hapat e ardhshëm për de-përshkallëzimin në veri dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo tregon gatishmërinë tonë për të ndërmarrë hapa konkretë për të garantuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon, në shërbim të demokracisë dhe sundimit të ligjit”, ka shkruar kryeministri Albin Kurti.

  • ChatGPT gjeneron informacione të rreme, dalin provat

    ChatGPT gjeneron informacione të rreme, dalin provat

    Komisioni Federal i Tregtisë i SHBA (FTC) aktualisht po heton OpenAI, krijuesin e aplikacionit popullor ChatGPT, mbi shqetësimet se aplikacioni po gjeneron informacione të rreme.

    Hetimi ngre pyetje në lidhje me dëmin e mundshëm të shkaktuar ndaj konsumatorëve dhe keqpërdorimin e të dhënave të përdoruesve nga teknologjia e OpenAI.

    Në një letër drejtuar OpenAI, FTC kërkoi informacion në lidhje me incidentet në të cilat përdoruesve iu dhanë informacione të rreme dhe kërkoi detaje mbi përpjekjet e kompanisë për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të tilla. Hetimi vjen pasi rregullatorët shqyrtojnë gjithnjë e më shumë rreziqet që lidhen me teknologjinë e inteligjencës artificiale (AI).

    Kryetarja e FTC Lina Khan shprehu shqetësimet e agjencisë së saj në lidhje me rezultatet e ChatGPT gjatë një seance dëgjimore të komitetit të kongresit.

    CEO i OpenAI, Sam Altman, i cili u paraqit para Kongresit në fillim të këtij viti, pranoi se teknologjia mund të jetë e prirur ndaj gabimeve. Ai nënvizoi nevojën për rregullore dhe krijimin e një agjencie të re për të mbikëqyrur sigurinë e AI.

    Ndërsa OpenAI ka bërë përpjekje për të rritur sigurinë dhe besueshmërinë e ChatGPT, shqetësimet rreth përmbajtjes fyese ose të pasaktë të krijuar nga modeli i AI kanë vazhduar.

    Në prill, Italia ndaloi përdorimin e ChatGPT për shkak të shqetësimeve të privatësisë, duke e rikthyer atë vetëm pasi OpenAI zbatoi mjetet e verifikimit të moshës dhe ofroi informacion shtesë mbi politikat e privatësisë.

    OpenAI dhe FTC ende nuk kanë komentuar mbi hetimin në vazhdim.

  • Diplomon gjenerata e 58-të, 418 kadetë i bashkohen Policisë së Kosovës

    Diplomon gjenerata e 58-të, 418 kadetë i bashkohen Policisë së Kosovës

    Sot në gjeneratën e 58-të të Policisë së Kosovës kanë diplomuar 418 kadetë të rinj, në mesin e tyre, 46 janë femra.

    Në ceremoninë e diplomimit, krerët e shtetit kanë theksuar se Policia e Kosovës është prioritet për Qeverinë e Kosovës, për të cilën kanë premtuar se do të adresojnë çdo sfidë të secilit zyrtar policor.

    Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se të diplomosh në Akademinë e Policisë nuk është një arritje e vogël.

    Osmani para kadetëve të rinj, ka theksuar se e kanë përgjegjësi mbrojtjen e kufirit me autoritetet vendore dhe partneret ndërkombëtar.

    “Mos harroni se distinktivi që mbani përfaqëson jo vetëm autoritetin që ju është dhënë, por mbi të gjitha, shpresat dhe aspiratat e qytetarëve tanë…Në këto momente kur ju do të bëni betimin e shenjtë për te realizuar detyrat e përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe do të bashkoheni kolegëve tuaj për të realizuar me vendosmëri përgjegjësinë për ruajtjen e rendit të sigurisë publikë në tërë territorin e Kosovës si dhe përgjegjësinë për kontrollin e mbrojtën e kufirit në bashkëpunim të drejtpërdrejt me autoritetet vendore si dhe me partneret tanë ndërkombëtar”, ka thënë Osmani.

    E para e shtetit, Osmani është shprehur se është e domosdoshme që Kosova të bëhet anëtare e Interpol-it dhe Europol-it. Ajo ka thënë se është e nevojshme që të ketë më shumë gra e vajza në Policinë e Kosovës.

    Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka theksuar se Policia e Kosovës vazhdon të mbetet një ndër institucionet më të besueshme për qytetarët.

    Derisa ka uruar kadetët e rinj, Kurti ka shtuar se qeveria do t’i mbështesë për të tejkaluar çdo sfidë.

    “Si qeveri që nga marrja e mandatit jemi zotuar për luftë të pa kompromis ndaj korrupsionit, veçanërisht atij që është mirëmbajtur me vite në institucionet tona…15:17 Në mbështetje të parezervë keni një qeveri demokratike e bashkëpunuese, e cila asnjëherë nuk do të synojë të minoj rolin tuaj, e që do të adresojë secilën sfidë që keni para vetes. Sfida juaj është sfida jonë. Policia e Kosovës do të vazhdojë të mbetet në shërbim te të gjithë qytetarëve pa dallim dhe dyert e saj do të jenë gjithmonë të hapura për të gjithë ata që duan të jenë faktor i garantimit të sigurisë dhe ligjshmërisë në vendin tonë”, ka thënë Kurti.

    Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla derisa është shprehur krenar për punën që po realizon Policia e Kosovës, ka theksuar se zyrtarët policorë në muajt e fundit me angazhimin e tyre kanë treguar se nuk bëjnë kompromis me banda dhe krim.

    “Dita ditës ne po i shtojmë dhe forcojmë radhët e Policisë së shtetit tonë e të jemi krenarë për punën që Polica e Kosovës po e bënë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim. Ajo po mbron dinjitetshëm dhe me sukses jetën dhe pronën e të gjithë qytetarëve tanë dhe me përkushtim po zbaton ligjshmërinë në tërë territorin e Republikës….Zyrtarët tanë policorë në vitet e fundit e veçanërisht në muajt e fundit me angazhimin e tyre kanë treguar se nuk bëjnë kompromis me banda e krim”, ka thënë Sveçla.

    E drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka pasur disa porosi për kadetët e rinj.

    “Gjenerata e 58-të që diplomon sot numëron gjithsej 418 kadet nga sot policë të Kosovës, prej tyre janë 372 meshkuj, 46 femra…20:46 Sot derisa për herë të parë mbani uniformat policore do të bëni betimin për t’i shërbyer shtetit të Kosovës duke zbatuar ligjet e vendit dhe duke mbrojtur ligjshmërinë, rendin dhe sigurinë publike. Kërkoj nga ju që t’i zbatoni me nder dhe me krenari përgjegjësitë dhe obligimet që vinë me profesionin dhe detyrat e juaja si Polic të Kosovës”, ka thënë Hoxha.

    Zëdhënësja e gjeneratës, Marigona Brahimi është shprehur e lumtur që pas të gjitha sfidave gjatë trajnimit, kanë arritur t’i kalojnë me sukses.

    Brahimi ka thënë se njohuritë e fituara gjatë trajnimit, do të shërbejnë që ta bëjnë popullin e Kosovës më të sigurtë.

    “Jemi krenarë që jemi këtu në këtë ditë të veçantë për vendin tonë. Ne kemi kaluar sfida të ndryshme gjatë periudhës të trajnimit dhe kemi arritur që me sukses të kurorëzojmë këtë ditë të rëndësishme, jo vetëm për ne, por edhe për Policinë e Kosovës. Angazhimi dhe njohuritë e fituara gjatë trajnimit, profesionalizmi për punën do të bëjnë shtetin Kosovës dhe popullin tonë më të sigurte”, është shprehur Brahimi./KP

  • Gjykata Speciale: Pranohet si provë materiale intervista e Remit për BBC

    Gjykata Speciale: Pranohet si provë materiale intervista e Remit për BBC

    Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në seancën e së premtes, është pranuar si provë materiale video dhe transkripta e intervistës së Rrustem Mustafës- Remit, për BBC për kohën e Rambujesë.

    Fillimisht mbrojtja e Thaçit, konkretisht avokati Luka Mishetiq ka kërkuar të lëshohet një intervistë që dëshmitari Mustafa e kishte dhënë për BBC pas luftës, në lidhje me kohën e Rambujesë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në videon e lëshuar, dëshmitari Mustafa dëgjohej të thoshte se ky kishte qenë për shkuarjen në Rambuje, por jo për të nënshkruar.

    “Kam qenë për shkuarjen në Rambuje, jo për nënshkrim po, veç me shku edhe me i thanë kërkesat tona”, dëgjohej të thoshte Mustafa.

    Tutje, dëshmitari Mustafa dëgjohej të thoshte se shumica e komandantëve nuk kishin mundur të shkonin për shkak se ka qenë luftë.

    “Po kena folë përmes telefonit, por ju kemi thanë se normalisht duhet me shku në Rambuje, me uniformë, me i prezantu qëllimet tona por kurrqysh nuk duhet me u mashtru, nuk bën me u tradhtu edhe duhet me fitu atje”, dëgjohej ai.

    Gjithashtu, Mustafa dëgjohej të thoshte se i kanë thirrë në telefon të gjithë anëtarët e grupit dhe se i kanë kërcënuar se nuk guxojnë të nënshkruajnë dhe se nëse e bëjnë, nuk guxojnë të kthehen në Kosovë.

    “E kom marrë telefonin, e kemi telefonu edhe kom ba kërcënim, nuk guxoni me nënshkru. M’u kujtohet si sot, i kemi thanë ju e dini se kemi raketa kundër ajrit për raketa edhe do t’i ruajmë ato raketa, s’do t’i përdorim me serbë, po aeroplanin e juaj po zbritet në Sllatinë do ta rrëzojmë”, thoshte Mustafa në atë intervistë.

    Ndërkaq, tha se ata kanë vepruar ashtu, duke u kthyer në Kosovë, ashtu që të konsultoheshin.

    Pas dëgjimit të kësaj videoje, avokati Mishetiq e ka pyetur dëshmitarin Mustafa në lidhje me atë që Thaçi iu kishte dhënë garanci komandantëve të zonave.

    Në lidhje me këtë, dëshmitari Mustafa tha se Thaçi ishte shef i delegacionit të Rambujesë dhe se ka bërë gjithçka për t’i bindur.

    Sipas tij, Thaçi i kishte bindur një nga një dhe se i ka siguruar se ai po kontakton me njerëzit më të fuqishëm.

    “Kam qenë skeptik derisa ka fillu bombardimi i NATO-së”, shtoi tutje Mustafa.

    Po ashtu, avokati Mishetiq e ka pyetur edhe në lidhje me atë se nëse komandantët e zonave do e hiqnin pëlqimin që i kanë dhënë Thaçit.

    Dëshmitari Mustafa tha se pa ata, marrëveshja nuk do kishte kuptim.

  • Nesër protestojnë veteranët kundër Qeverisë

    Nesër protestojnë veteranët kundër Qeverisë

    Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të shtunën me fillim nga ora 18:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, kanë thirrur protestë kundër qeverisë.

    Në njoftimin e publikuar nga këshilli organizativ i protestës, thuhet se protesta organizohet me qëllim të kundërshtimit të “koordinimit të Qeverisë me Milan Radojiçiqin” dhe “kundër shkeljes së të drejtave të luftëtarëve të UÇK-së”, mes tjerash.

    “Mimoza Kusari duhet ta dorëzojë mandatin. Një politikane që është zënë duke u koordinuar me Milan Radojiçiqin kundër luftëtarëve të UÇK-së nuk duhet të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës”.

    “Ligji që përjashton veteranët nga paga minimale, u votua turpshëm nga shumica parlamentare. Prandaj kërkojmë nga presidentja që ta kthejë mbrapsht këtë ligj të padrejtë dhe anti-UÇK”, thuhet mes tjerash në thirrjen për protestë.

  • Konjufca dhe delegacioni belg në NATO flasin për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon

    Konjufca dhe delegacioni belg në NATO flasin për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim një delegacion nga Parlamenti Federal i Mbretërisë së Belgjikës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, i kryesuar nga Theo Francken, me të cilët kanë biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon.

    “Në takim me parlamentarët belgë u bisedua për zhvillimet e përgjithshme politike në vend e rajon, raportet e shkëlqyera dypalëshe dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit të ndërsjellë”, thuhet në komunikatë.

    Bëhet e ditur se Konjufca, pasi i njoftoi mysafirët përkitazi me punën, të arriturat dhe synimet e legjislativit, vlerësoi lart përkrahjen e vazhdueshme që Belgjika i ka dhënë ndër vite Republikës së Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit dhe kërkoi njëherësh vazhdimin e mbështetjes ndaj vendit në rrugën euroatlantike dhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

    “Parlamentarët belgë e falënderuan Kryetarin e Kuvendit për pritjen dhe po ashtu shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërparlamentar, si dhe në fusha tjera me interes të përbashkët ndërmjet Mbretërisë së Beligjikës dhe Republikës së Kosovës”, thuhet po aty.

  • Gjykimi për vrasjen e ndodhur 22 vjet më parë, dëshmitarët thonë se nuk iu kujtohet ngjarja

    Gjykimi për vrasjen e ndodhur 22 vjet më parë, dëshmitarët thonë se nuk iu kujtohet ngjarja

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Fahri Kajtazi, Labeat Kastrati dhe Hamdi Marviqi, po akuzohen për vrasjen e A.M, në vitin 2001 në Prishtinë, dëshmitarët Bahri Nika dhe Nuredin Makovci deklaruan se nuk iu kujtohet asgjë nga rasti.

    Këto deklarime, dëshmitarët Nika e Makovci i dhanë në seancën e së premtes, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Armend Hamiti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    E me qenë se të njëjtit deklaruan se nuk iu kujtohet asgjë nga rasti, ata thanë se qëndrojë pranë deklaratave të dhëna më parë në hetuesi e në shqyrtimet e mëparshme.

    “Jo asgjë nuk më kujtohet nga rasti, pasi që në ndërkohë kam pasur edhe ngarkesa një kokë, andaj nuk më kujtohet asgjë, veç se ju rri mbrapa atyre deklaratave të cilat i kam dhënë me herët”, tha dëshmitari Nika.

    “Me thënë të drejtën është një kohë e gjatë që ka kalu, kom pas edhe sfida të tjera familjare që nga ajo kohë dhe nuk më kujtohet hiç kurrgjë nga ajo kohë, atë dëshmi të cilën e kam dhënë në gjyq asaj i rri mbrapa”, deklaroi Makovci.

    Dëshmitari Makovci, ka thënë se në atë kohë ka qenë pronar i “Inter Klub”, bashkë me dy të tjerë dhe se natën kur kishte ndodhur rasti kishte qenë i lokal.

    I njëjti tha se nuk i kujtohej nëse natën kritike në lokalin e tij kanë qenë tani të akuzuarit.

    Mirëpo, ai tha se në atë kohë ishte njohur me të akuzuarit Mavriqi dhe Kastrati, ndërsa të akuzuarin Kajtazi tha se nuk e ka njohur.

    Duke qenë se të dy dëshmitarët deklaruan se nuk e kujtojnë ngjarjen, pyetje për të njëjtit nuk patën as mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Florent Latifaj, Ahmet Tahiri dhe Ragip Zeneli.

    Ndryshe, në këtë seancë munguan mbrojtësi i viktimave dhe dëshmitarët Ibër Alaj, Besim Mehmeti, Skender Berisha dhe Laura Nushi,

    Lidhur me mungesën e mbrojtësit të viktimave dhe dëshmitarit Berisha, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi ka thënë se, për të njëjtit deri në këto momente nuk është kthyer fletëkthesa në gjykatë për të konstatuar nëse të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt apo jo.

    Ndërsa, për dëshmitarin Alaj, gjykatësi Kuçi ka thënë se në fletëkthesë është konstatuar se “jeton në Prishtinë”, për dëshmitarin Mehmeti në fletëkthesë është shënuar adresa jo e plotë, kurse për dëshmitaren Nushi gjykatësi Kuçi tha se në fletëkthesë është shënuar “e shpërngulur”.

    Lidhur me këta dëshmitarë, prokurori Hamiti i propozoi gjykatës që edhe një herë të tentohet të ftohen për të dëshmuar, me të cilin propozim u pajtuan edhe mbrojtësit e të akuzuarve.

    Në fund, gjykatësi Kuçi tha se për dëshmitarët, Alaj, Mehmeti dhe Nushi nga Policia e Kosovës do të kërkohet verifikimi i adresës, ndërsa për dëshmitarin Berisha ai tha se do të ndërmerren veprime varësisht nga ajo se çfarë do të konstatohet në ftesën e dërguar më herët.

    Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 20 shtator 2023.

    Ndryshe, në seancën e rigjykimit të mbajtur më 22 shkurt 2023, tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.

    Për këtë çështje, Gjykata e Qarkut në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim më 1 dhjetor 2002, ku të akuzuarit Labeat Kastrati, Fahri Kajtazi dhe Milaim Cakaj i kishte shpallur fajtorë, ndërsa të akuzuarin Hamdi Mavriqi e kishte liruar nga akuza.

    Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Kastrati dhe Kajtazi ishin dënuar me nga 3 vite burgim (secili veç e veç), ndërsa i akuzuari Cakaj me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh.

    Ndërsa, të akuzuari Mavriqi e Kastrati me aplikimin e dispozitës së nenit 350 të Ligjit të Procedurës Penale (LPP), janë liruar nga akuza.

    Në këtë rast, prokurori publik kishte bërë ankesë në Gjykatën Supreme, ku kishte kërkuar që aktgjykimi që ka të bëjë me të akuzuarin Milaim Cakaj dhe ai i mbrojtësve të tij të refuzohet si i pabazuar dhe në këtë pjesë aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë i datës 1 shtator 2002 të vërtetohet.

    Ndërsa, më 26 nëntor 2009, Gjykata Supreme kishte miratuar ankesën e prokurorit publik të Qarkut në Prishtinë dhe mbrojtësve të të akuzuarve Labeat Kastrati dhe Fahri Kajtazi, me ç’rast kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të 1 dhjetorit 2002, që ka të bëjë me të akuzuarit Labeat Kastrati, Hamdi Mavriqi dhe Fahri Kajtazi dhe kishte vendosur në këtë pjesë që lënda t’i kthehet së njëjtës gjykatë për rigjykim.

    Sipas aktakuzës së përpiluar më 24 qershor 2002, i akuzuari Fahri Kajtazi, më 17 dhjetor 2001, rreth orës 02:30- 03:20, në “Inter Klub” në Prishtinë, pas disa fjalosjeve- zënkave, sharjeve dhe kërcënimeve nga ana e tij drejtuar Labeat Kastratit dhe Hamdi Mavriqit, kur këta për t’iu shmangur zënkave dhe kërcënimeve të tij, vendosin të dalin nga klubi dhe të shkojnë në shtëpitë e tyre, por para tyre ka dalë i akuzuari Fahri me shokët e tij A.M dhe Milaim Cakajn, i cili prapë vazhdon me sharje dhe kërcënime se do t’i vras.

    Sipas aktakuzës, i akuzuari Milaim Cakaj nga brezi ia merr revolen e markës “Crvena Zastava” dhe me të nga shkallët e Pallatit të Rinisë, nga një distancë e pavërtetuar shtie tri- katër herë në drejtim të tyre me qëllim që t’i privojë nga jeta, por nuk e godet asnjërin.

    Në këtë mënyrë, akuzohet se ka kryer dy vrasje në tentativë nga neni 30 al.1 të Ligjit Penal të Kosovës (LPK) lidhur me nenin 19 të Ligjit Penal të Jugosllavisë (LPJ), i aplikuar sipas rregullores se UNMIK-ut, e të ndëshkueshme sipas dispozitës të nenit 30 al.3 të LPK-së.

    Sipas dispozitivit të dytë, i akuzuari Milaim Cakaj, më 17 dhjetor 2001 në “Inter Klub” në Prishtinë, e ka poseduar pa leje armën-revolen e markës “Crvena Zastava”,

    Sipas aktakuzës, në këtë mënyrë i pandehuri Cakaj ngarkohet se ka kryer veprën penale nga neni 8.2. e ndëshkueshme sipas nenit 8.6. të rregullores se UNMIK-ut nr.2001/7 për Autorizimin e Posedimit të Armëve në Kosovë.

    Tutje, sipas dispozitivit të tretë, të akuzuarit Labeat Kastrati dhe Hamdi Mavriqi, në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë, si në pikën I të dispozitivit, pasi që më parë i akuzuari Fahri Kajtazi ka filluar që me revole të shtie në drejtim të tyre dhe këta i nxjerrin revolet e tyre, të cilat i kanë pasur me leje, Labeat Kastrati me revolen e markës “Tokarev”, kurse Hamdi Mavriqi, gjithashtu, me revolen e markës “Tokarev” dhe kanë shtënë shumë herë në drejtim të Fahri Kajtazit, me qëllim që të njëjtin, ta privojnë nga jeta.

    Sipas këtij dispozitivi, duke shtënë në drejtim të tij, një predhë e njërit prej tyre e godet për vdekje tani të nderin A.M, të cilin qytetarët e dërgojnë në Spital, për t’i dhënë ndihmë, ku mjekët e konstatojnë vdekjen e tij.

    Në këtë mënyrë, akuzohen se në bashkëveprim e kanë kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” nga neni 30 al.I të LPK lidhur me nenin 19 të LPJ, i aplikuar sipas rregullores së UNMIK-ut dhe veprën penale “Vrasje” nga neni 30 all të LPK, e të ndëshkueshme sipas nenit 30 al.3. të LPK.

  • NLB Banka dhe BERZH-i nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për kreditimin e biznesve të vogla në Kosovë

    NLB Banka dhe BERZH-i nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për kreditimin e biznesve të vogla në Kosovë

    10 milionë euro për NVM dhe gra ndërmarrëse; mbështetje nga Suedia.

    NLB Banka është tashmë bankë partnere e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Kosovë. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, BERZH-i i ka siguruar dy kredi në vlerë totale prej 10 milionë euro për NLB Banka. Qëllimi i këtyre kredive është t’i mundësojë Bankës të mbështesë më tej klientët e saj biznese të vogëla, duke përfshirë kompanitë e drejtuara ose në pronësi të grave.

    Nga financimi i përgjithshëm, 7 milionë euro nga fondet e BERZH-it do të kanalizohen për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) në mbarë Kosovën ndërsa 3 milionë euro do të mbështesin ndërmarrësinë e grave dhe do t’u ofrohen si kredi kompanive në pronësi ose të menaxhuara nga gratë. Kjo kredi është pjesë e Programit të BERZH-it Gratë në Biznes, një kombinim i kreditimit dhe shërbimeve këshilluese për gratë ndërmarrëse. Si pjesë e projektit, NLB Banka do prezantojë produkte të reja financimi të cilat do të jenë më gjithëpërfshirëse dhe më të përshtatshme ndaj specifikave gjinore. Përveç kësaj, grave ndërmarrëse do t’iu ofrohet këshillim për biznes në kuadër të Programit të BERZH-it Këshillim për Biznesin e Vogël.

    Kjo pjesë e kresidë së BERZH-it do të mbështetet nga Qeveria e Suedisë si donatore e fondeve që do të përdoren për këshillim për gratë ndërmarrëse dhe për ngritjen e kapaciteteve në NLB Banka. Mbështetja shtesë me fonde të donatorëve do të sigurohet në formën e mbulimit të një pjese të riskut dhe do të financohet nga Fondi i Posaçëm i Aksionarëve të BERZH-it.

    NLB Banka Prishtinë është anëtare e Grupit NLB, një grup lider bankar dhe financiar me seli dhe interes strategjik ekskluziv në Evropën Juglindore.  NLB Banka ka bashkëpunuar me BERZH-in në të kaluarën në kuadër të Programit për Ndërmjetësim të Tregtisë, por ky projekt është bashkëpunimi i parë në formë të kredisë.

    Kreu i BERZH për Kosovën, Sergiy Maslichenko, u shpreh se: “Jemi të kënaqur që po bëhemi bashkë me NLB Banka Prishtina për kreditimin e bizneseve të vogla. Prioriteti ynë kryesor është mbështetja e sektorit privat, i cili luan një rol vendimtar në zhvillimin ekonomik të vendit. Mbështetja e NMVM-ve dhe grave ndërmarrëse të Kosovës do të thotë gjithashtu mbështetje për krijimin e vendeve të punës dhe inovacionin, sepse bizneset e vogla janë përgjegjëse për pjesën më të madhe të punësimit në vend. Në shumë raste, kreditimi për bizneset e vogla mund të ketë risk më të ulët sesa parashikojnë modelet ekzistuese të bankave lokale; por ne j’u ofrojmë bankave tona partnere edhe mbulimin e një pjese të riskut, çka ua mundëson ta rrisin edhe më shumë portofolin e tyre të NVM-ve”.

    Gazmend Kadriu, kryetar i Bordit Udhëheqës në NLB Banka, u shpreh se: “Jemi jashtëzakonisht mirënjohës BERZH-it për besimin dhe bashkëpunimin e tyre. Ky partneritet është shembull i përkushtimit të fortë ndaj stimulimit të rritjes ekonomike dhe promovimit të ndërmarrësisë në mbarë Kosovën. Kemi besim se kjo aleancë do të sigurojë rezultate të jashtëzakonshme, duke na lejuar të fuqizojmë NVM-të, të lartësojmë gratë ndërmarrëse, si dhe të krijojmë një të ardhme më premtuese për të gjitha palët e përfshira.”

    Deri më sot, BERZH-i ka investuar më shumë se 600 milionë euro në Kosovë.