ATV

Author: ATVLive

  • Kurti u thotë gjeneratës së 58-të të policëve: Jeni vijimësi e UÇK-së

    Kurti u thotë gjeneratës së 58-të të policëve: Jeni vijimësi e UÇK-së

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se Policia e Kosovës është vijimësi e UÇK-së dhe si pjesëtarë të Policisë do të jenë pjesë e historisë, raporton EO.

    Ai në diplomimin e gjeneratës së 58-të të policisë shtoi se Policia e Kosovës vazhdon të jetë një ndër institucionet më të besueshme për qytetarët.

    Kurti tha se në dy vitet e fundit, Policia e Kosovës ka vijuar me intensitet të madh punën edhe në veri të vendit, që sipas tij, në të kaluarën ka qenë zonë e rehatisë për “bandat kriminale të udhëhequra nga Beogradi”.

    “Jam i nderuar dhe i lumtur që gjendem këtu me rastin e diplomimit te 418 kadetëve. Policia e Kosovës vazhdon të jetë një ndër institucionet më të besueshme në vendin tonë. Si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi zotuar për luftim ndaj çdo krimi të organizuar, për ruajtje të sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë”.

    “Janë arrestuar mbi 3 200 persona për dhunë, vrasje, kanosje e deri në përfshirje për akte terroriste. Aktiviteti i Policisë sonë është shtrirë edhe në veri të vendit. Pesë zyrtarë janë lënduar lehtë e disa të tjerë më rëndë. Të gjitha këto rezultate e sakrifica janë dëshmi se kjo detyrë kërkon bindje të pa kompromis”.

    “Policia jonë është vijimësi e UÇK-së. Liria jonë ka ardhur pas sakrificave të brezave të tërë për liri e çlirim nga okupatori serb. Si pjesëtarë të Policisë së Kosovës, do të jeni pjesë e historisë së vendit tonë dhe përpjekjeve tona për ta forcuar Republikën tonë”.

    “Si pjesëtarë të Policisë së Kosovës do jeni pjesë e historisë sonë për të mbrojtur republikën tonë. Zyrtarët policorë që nuk kanë bërë kompromis me ligjin janë shembulli më i mirë për t’u ndjekur nga ju. Kemi një qeveri bashkëpunuese e cila do adresojë secilën sfidë që keni para vetes. Policia jonë do vazhdojë të mbesë në shërbim te qytetarëve çdo ditë. Ju falënderoj për gatishmërinë dhe vendosshmërinë, për qëndrimin dhe vullnetin”.

  • Kurti: BE ta ndjekë shembullin e ShBA-së për sanksionimin e Vulinit

    Kurti: BE ta ndjekë shembullin e ShBA-së për sanksionimin e Vulinit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi sot që edhe Bashkimi Evropian të ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të sanksionuar drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin.

    Kurti u shpreh se rasti i Aleksandar Vulin tregon se përzierja helmuese e autokracisë dhe korrupsionit rrezikon jo vetëm demokracinë dhe sundimin e ligjit, por edhe paqen dhe sigurinë, në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë, transmeton KP.

    Sipas Kurtit, komuniteti ndërkombëtar duhet ta ndjekë vendimin e ShBA-së.

    Ai bashkangjiti një thirrje të Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian S&D, i cili ka shkruar se mbështet vendimin e ShBA-së për futjen e drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin në listën e sanksioneve, si dhe i ka bërë thirrje BE-së që ta ndjekë shembullin e ShBA-së.

    Drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin është futur të martën (11 korrik) në listën e sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

  • ​Haradinaj: Dhuna në Kuvend, alarm se situata mund të përshkallëzohet

    ​Haradinaj: Dhuna në Kuvend, alarm se situata mund të përshkallëzohet

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkruar se ngjarjet e djeshme në Kuvendin e Kosovës dhe dhuna e shpërfaqur aty, janë alarm se situata mund të përshkallëzohet, jo vetëm në Kuvendin e Kosovës por edhe jashtë tij.

    Haradinaj ka shkruar në Facebook se zbardhja e koordinimit të fshehtë të përfaqësuesve të Albin Kurtit me armiqtë e shtetit të Kosovës, për të përmbysur kategorinë më të shenjtë – luftëtarët e lirisë, është thikë pas shpine.

    Thikë pas shpine, SIPAS Haradinajt është edhe prishja e marrëdhënieve me aleatët e Kosovës, BE dhe SHBA, që rezultoi me përjashtimin e Kosovës nga “Defender 23”, duke e komplikuar tej mase aspiratën e Kosovës për anëtarësim në strukturat euro-atlantike.

    Tërheqja e tij nga veriu, me një vonesë të pashpjegueshme dhe vetëm pasi që Kosova është futur nën sanksione të BE-së dhe të SHBA-së, duke i shkaktuar kështu një dëm të pariparueshëm vendit, nuk mund të konsiderohet ndryshe përveç si një politikë antishtetërore e antikombëtare.

    Komenti i plotë i Haradinajt:

    QEVERIA PO NA NGUL THIKË PAS SHPINE ATY KU NA DHEMB MË SË SHUMTI

    Zbardhja e koordinimit të fshehtë të përfaqësuesve të Albin Kurtit me armiqtë e shtetit të Kosovës, për të përmbysur kategorinë më të shenjtë – luftëtarët e lirisë, është thikë pas shpine.

    Thikë pas shpine është edhe prishja e marrëdhënieve me aleatët e Kosovës, BE dhe SHBA, që rezultoi me përjashtimin e Kosovës nga “Defender 23”, duke e komplikuar tej mase aspiratën e Kosovës për anëtarësim në strukturat euro-atlantike.

    Tërheqja e tij nga veriu, me një vonesë të pashpjegueshme dhe vetëm pasi që Kosova është futur nën sanksione të BE-së dhe të SHBA-së, duke i shkaktuar kështu një dëm të pariparueshëm vendit, nuk mund të konsiderohet ndryshe përveç si një politikë antishtetërore e antikombëtare.

    Ngjarjet e djeshme në Kuvendin e Kosovës dhe dhuna e shpërfaqur aty, janë alarm se situata mund të përshkallëzohet, jo vetëm në Kuvendin e Kosovës por edhe jashtë tij.

    Kosova nuk mund të qëndrojë e qetë, në kohën kur Qeveria e vendit, na e ngulë thikë pas shpine aty ku na dhemb më së shumti, në lidhjen më të shenjtë të Kosovës, me NATO-n, Amerikën dhe me kategoritë e lirisë.

    Do të jemi të pakompromis dhe më të vendosur se kurrë në mbrojtje të interesave të shtetit e të qytetarit, aspiratës sonë për anëtarësim në NATO, në ruajtjen e miqësisë me aleatët tanë, Amerikën dhe BE e në mbrojtje të vlerave të lirisë sonë.

  • Bëhuni gati programin magjepsës veror të ATV-së, “n’mal A n’det” sjell argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor

    Bëhuni gati programin magjepsës veror të ATV-së, “n’mal A n’det” sjell argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor

    Nga 17 korriku, në ekranin e ATV-së vjen emisioni veror “n’mal A n’det”, i cili do të transmetohet çdo ditë, nga e hëna deri të premten, duke filluar nga ora 21:10 dhe do të zgjasë deri në ora 23:00.

    Ky emision, i cili vjen në një format më ndryshe, do të drejtohet nga yjet e ATV-së, Roberti, Emira dhe Jeta.

    Producenti i emisionit, Zija Rexhepi, në emisionin ALARM në ATV, tha se bëhet fjalë për një platformë në të cilën do të mund të shprehen të gjithë ata që kanë konsumuar pak përmbajtje televizive shqip.

    Ai tha se një theks i veçantë në këtë emision do të jenë diaspora.

    “Pse emri “n’mal A n’det”, është ajo pyetja më e zakonshme kur ne takohemi mes veti, a ke vendos, ku do të shkosh në pushime, ku po shkon, n’mal a n’det, është një nga ato fjalët kyçe që ne në përditshmëri e kemi gjithmonë. Është një nga titujt që mbahet në mend lehtësisht edhe besoj se njerëzit do të përcaktohen. Kjo nuk është e vetmja arsye, sepse brenda programit, brenda skemës, përmbajtjes që do të ketë, do të jenë tri sete të skenografisë, do të jetë pjesa e malit, pjesa e detit, sigurisht edhe studio televizive. Do të ketë dy ekipe të njerëzve të cilët do të përcaktohen për malin ose për detin dhe ata do të zhvillojnë lojëra të ndryshme përmes “Trivia Games” që janë të njohura për televizionin, do të ketë pastaj të ftuar, do të ketë, do të ketë intervista, e gjëra të tjera”, tregoi Rexhepi.

    Ai tregoi se e veçantë e këtij emisioni do të jenë edhe tregimet popullore.

    “Mendoj që kjo do të jetë ajo që ndryshon në programin tonë të verës, sepse kryesisht do të ofrojë përmbajtje që prodhohet jashtë, nuk do të jemi të fokusuar brenda në studio televizive dhe biseda, nga të cilat njerëzit janë lodhur. Sigurisht, do të kemi çdo natë një të ftuar special, i cili qoftë artist apo person nga jeta publike që do të flasë për jetën, për pushimet, etj, në një format pak më ndryshe të intervistave, por do të fokusohemi te njerëzit të cilët nuk kanë qenë shumë prezent në televizion. Ajo që e bën të veçantë programin e verës këtë vit në ATV është se jemi fokusuar kryesisht tek tregimet popullore. Kemi prodhuar diku mbi 60 tregime popullore me një nga aktorët tanë më të mirë të cilat janë realizuar jashtë, përmes të cilave do të përpiqemi të sjellim dhe të rikthejmë nostalgjinë te mërgimtarët tanë, të cilët mezi i presin këto prodhime televizive”, tha Rexhepi.

    Ai po ashtu tregoi se, një rubrikë tjetër e veçantë e emisionit “n’mal A n’det” është se do të ketë lojëra të ndryshme, përmes të cilave do të sjellin edhe mësime nga historia e trojeve shqiptare.

    “Përveç kësaj do të jetë edhe një rubrikë tjetër e veçantë, sepse fokusi kryesor ose qëllimi kryesor i emisionit të verës do të jetë që përmes kësaj platforme, ne të përpiqemi t’i ofrojmë diasporën dhe fëmijët tanë të diasporës më afër gjuhës shqipe, më afër historisë dhe trojeve tona. Andaj, përmes pjesës së lojërave ku do të jenë pjesëmarrësit, do të përpiqemi që përmes lojërave argëtuese të mësojmë diçka edhe nga historia e trojeve shqiptare. Një rubrikë tjetër e veçantë do të jetë rubrika “Shqipnisht”. Ne do të përpiqemi që përmes qytetarëve të mësojmë fjalë të ndryshme se si quhen në regjine të ndryshme”, tregoi producenti Zija Rexhepi. /atvlive.tv

    Më shumë detaje për emisionin “n’mal A n’det” mund të mësoni në intervistën e plotë të producentit Zija Rexhepi në ALARM, të cilën e gjeni në videon më poshtë:

  • Osmani policëve të rinj: Mbrojtjen e kufirit e keni përgjegjësi, anëtarësimi në Interpol e Europol domosdoshmëri

    Osmani policëve të rinj: Mbrojtjen e kufirit e keni përgjegjësi, anëtarësimi në Interpol e Europol domosdoshmëri

    Presidentja Vjosa Osmani, tha se profesioni i polici është një profesion fisnik, prandaj u shpreh e bindur se prestarët e rinj të këtij institucioni që diplomuan të premten do ta kryejnë me nder detyrën, raporton EO.

    Ajo ne ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 58-të të policëve, u tha tyre se e kanë përgjegjësi mbrojtjen e kufirit bashkë edhe me partnerët.

    Më tej e para e shtetit tha se për siguri e paqe në rajon është i domosdoshëm anëtarësimi në Interpol dhe Europol.

    Osmani pohoi se sa më shumë gra në institucionet e sigurisë do të thotë aq më shumë siguri për të gjithë qytetarët tanë pa dallim.

    “Të nderuar ministra, drejtor Hoxha, i nderuar komandant i KFOR-it, të dashur zyrtarë e zyrtarë të Policisë së Kosovës e mbi të gjitha të dashura familje krenare. Sot është një ditë e rëndësishme për të gjithë ne sepse jemi mbledhur për të kremtuar angazhimin tuaj të palodhshëm. Më lejoni t’i shpreh urimet e mia më të përzemërta për të gjithëve prej jush”.

    “Të diplomosh në akademinë e Policisë së Kosovës nuk është e lehtë, por mos harroni se distinktivi që ju mbani përfaqëson mbi të gjitha vlerat dhe aspiratat e popullit tonë. Në këto momente kur ju do të bëni betimin e shenjtë, për të ju bashkuar kolegëve e kolegeve tuaja. Si dhe përgjegjësinë për mbrojtjen e kufirit në partneritet me partnerët tanë”.

    “Është domosdoshmëri që Republika e Kosovës të bëhet anëtare e Interpol dhe Europol. Sa më shumë gra në institucionet e sigurisë aq më shumë siguri për të gjithë qytetarët tanë pa dallim. Ne duhet të punojmë sa më shumë që të rrisim numrin te grave e vajzave e komuniteteve pakicë në Policinë e institucionet tona. Të gjithë ju keni zgjedhur një profesion fisnik prandaj jam e bindur në aftësitë tuaja për të kryer detyrat tuaja”, tha Osmani.

  • ​Prokuroria interviston Bislimin dhe Muratin, Lushtaku s’i përgjigjet ftesës

    ​Prokuroria interviston Bislimin dhe Muratin, Lushtaku s’i përgjigjet ftesës

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Financave, Punës dhe Tranfsereve, Hekuran Murati u intervistuan pas rrahjes së djeshme në Kuvendin e Kosovës.

    Intervistimi i tyre u bë me ftesë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Burime të KosovaPressit brenda prokurorisë bënë të ditur se Bislimi dhe Murati u dëgjuan dje, derisa ftesës nuk iu përgjigj deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

    Po ashtu, sipas burimeve, bëhet e ditur se intervistimi dhe veprime të tjera hetimore do të zhvillohen gjatë ditëve në vijim.

    Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar dje se Prokurori i Shtetit ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Sulmi”, lidhur me incidentin, i cili ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës.

    Ndryshe, gjatë fjalimit të kryeministrit Albin Kurti në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës, deputetë e ministra janë përfshirë në përleshje fizike.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në drejtim të foltores së Kuvendit, Mërgim Lushtaku ka hedhur ujë në drejtim të Kurtit dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Ky i fundit e ka hedhur shishen në drejtim të tij. Më pas, Lushtaku e ka shtyrë ministrat Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiun. Kjo e fundit është dëgjuar të thotë “a je normal”.

    Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thirrur Policinë brenda sallës së parlamentit.

  • Arrestohet Faruk Mujka i dyshuar për korrupsion

    Arrestohet Faruk Mujka i dyshuar për korrupsion

    Është arrestuar Faruk Mujka kryeshef ekzekutiv i Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, nën dyshimin për korrupsion, derisa ishte nënkryetar i Komunës së Mitrovicës, raporton Betimi për Drejtësi.

    Mujka ishte nënkryetar i Mitrovicës, në kohën sa kjo komunë udhëhiqej nga Kryetari Agim Bahtiri. Mujka njëherësh ishte edhe Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë.

    Sipas raportimeve të mediave, ish-nënkryetari i Mitrovicës kishte qenë pjesë e partisë së gruas së Sllobodan Millosheviqit, Mira Markoviq. Këto pretendime, Mujka nuk i ka mohuar asnjëherë.

  • Belgjika mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO

    Belgjika mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO

    Kryesuesi i delegacionit të Parlamentit Federal të Belgjikës në NATO, Theo Francken ka shprehur mbështetjen ndaj Kosovës për anëtarësim në këtë institucion.

    Në ditën e parë të vizitës së tyre në Kosovë, ai tha se stabiliteti dhe siguria në Ballkanin Perëndimor është kyçe, sidomos pas invazionit rus në Ukrainë.

    “Belgjika gjithmonë e ka mbështetur Kosovën dhe integritetin territorial. Belgjika qëndron në anën e juaj”, tha ai.

    Para mediave foli edhe kryesuesi i delegacionit të Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s, Driton Hyseni, i cili nënvizoi nevojën për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

  • Gjendet i vdekur një burrë pranë një shtëpie të djegur në Lipjan

    Gjendet i vdekur një burrë pranë një shtëpie të djegur në Lipjan

    Të enjten në mesnatë, një person është gjetur pa shenja jete në afërsi të një shtëpie të pabanuar e cila ishte përfshirë nga zjarri në rrethana ende të panjohura.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, zjarrfikësit të cilët e kanë fikur zjarrin dhe mjeku kujdestar i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    “Lipjan 13.07.2023-23:33. Viktima mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete në afërsi të një shtëpie të pabanuar e cila ishte përfshirë nga zjarri në rrethana ende të panjohura. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, zjarrfikësit të cilët e kanë fikur zjarrin dhe mjeku kujdestar i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa rasti është në proces hetimor”, thuhet në raport.

  • OKB: 165 milionë njerëz ranë në varfëri në tri vjetët e fundit

    OKB: 165 milionë njerëz ranë në varfëri në tri vjetët e fundit

    Pandemia COVID-19, kriza e kostos së jetesës dhe lufta në Ukrainë kanë shtyrë 165 milionë njerëz në varfëri që nga viti 2020, u tha në një raport të publikuar më 13 korrik nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

    OKB-ja bëri thirrje që të shqyrtohet mundësia e një pauze në shlyerjen e borxhit për vendet në zhvillim.

    Për shkak të këtyre krizave, 75 milionë njerëz mendohet se kanë rënë në varfëri ekstreme gjatë periudhës kohore 2020-2023. Varfëri ekstreme cilësohet kur një person jeton me më pak se 2.15 dollarë në ditë.

    Sipas një studimi të publikuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim edhe 90 milionë të tjerë do të bien nën kufirin e varfërisë prej 3.65 dollarë në ditë.

    “Më të varfrit vuajnë më shumë dhe të ardhurat e tyre në vitin 2023 parashikohet të mbeten nën nivelet e para pandemisë”, thuhet në raport.

    “Në vendet me borxhe të larta, ekziston një korrelacion midis niveleve të larta të borxhit, shpenzimeve të pamjaftueshme sociale dhe një rritjeje alarmante të normave të varfërisë”, tha në një deklaratë shefi i UNDP-së, Achim Steiner.

    Sipas një raporti tjetër të OKB-së të publikuar më 12 korrik, rreth 3.3 miliardë njerëz, gati gjysma e njerëzimit, jetojnë në vende ku shpenzohet më shumë për pagesën e interesit për borxhin sesa për arsimin dhe shëndetin.

    Dhe vendet në zhvillim, pavarësisht se kanë nivele më të ulëta të borxhit, po paguajnë më shumë interes, pjesërisht për shkak të normave më të larta.

    Sipas raportit, kostoja vjetore e nxjerrjes nga varfëria të 165 milionë njerëzve do të ishte mbi 14 miliardë dollarë amerikanë.

    Në fillim të kësaj jave, Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres, i cili ka bërë presion për një reformë të institucioneve financiare ndërkombëtare, denoncoi “sistemin tonë financiar global të vjetërsuar, i cili pasqyron dinamikën e fuqisë koloniale të epokës kur u krijua”.