ATV

Author: ATVLive

  • Nga Berlusconi tek…/ Miliarderët që u ndanë nga jeta në vitin 2023

    Nga Berlusconi tek…/ Miliarderët që u ndanë nga jeta në vitin 2023

    Sado para të grumbulloni në jetë, një ditë do të vdisni ashtu si gjithë të tjerët. E në vitin 2023 ndërruan jetë disa nga njerëzit më të pasur në botë.

    Megjithatë, nëse ndiqni vetëm ato që raportohen në internet, do të mendonit se kanë vdekur shumë më shumë miliarderë sesa numri aktual.

    Marrim shembull, Hamish Harding, një nga pesë viktimat e shpërthimit të nëndetëses Titan. Pothuajse çdo artikull për vdekjen e tij e quan atë një miliarder.

    Ai ishte i pasur, sigurisht, por Forbes, e cila mban një listë në kohë reale të çdo miliarderi në planet, shkroi se sasia aktuale e pasurisë së tij nuk dihet. Dhe pavarësisht se disa media britanike i referohen si “miliarder”, Forbes në thelb nuk e njeh atë si të tillë.

    Në raste të tjera, si Roberto Ongpin dhe Mario Lopez Estrada, ata ishin padyshim miliarderë në një moment, por vlera e tyre neto kishte rënë në kohën kur vdiqën.

    Dhe disa, si oligarku rus Sergey Grishin, kishin financa kaq të errëta saqë, megjithëse ka shumë të ngjarë që ata të ishin miliarderë, nuk ka asnjë mënyrë reale për ta provuar këtë.

    Ne ju sjellin ata që kishin një pasuri të verifikueshme prej 1 miliard dollarësh në emrin e tyre (dhe shumë më tepër) që vdiqën në 2023.

    Lista:

    -JOSEPH HARDY III

    -TED LERNER

    -BILLY JOE ‘RED’ MCCOMBS

    -THOMAS LEE

    -TOM LOVE

    -MASATOSHI ITO

    -GORDON MOORE

    -SILVIO BERLUSCONI

    -JAMES CROWN

  • Arrestohen dy të dyshuar për vrasje në tentativë

    Arrestohen dy të dyshuar për vrasje në tentativë

    Policia e Kosovës mbrëmë ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar për vrasje në tentativë.

    “Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 10:30, në lagjen “Përroi i njelmët” në Prishtinë , me ç’ rast, viktimat kishin pësuar lëndime trupore nga një mjet i mprehtë që dyshohet të jetë përdorur nga të dyshuarit e përfshirë në rast”, thuhet në njoftim.

    V.S 27 vjeç dhe A.Z 22 vjeç janë dërguar në mbajtje.

    Njoftimi i plotë:

    Arrestohen dy të dyshuar për rastin vrasje në tentativë

    Prishtinë, 16 korrik 2023 – Zyrtarët policor nga stacionit policor Jugu në Prishtinë, kanë arrestuar dy persona të dyshuar për rastin “Vrasje në tentativë”.

    Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 10:30, në lagjen “Përroi i njelmët” në Prishtinë , me ç’ rast, viktimat kishin pësuar lëndime trupore nga një mjet i mprehtë që dyshohet të jetë përdorur nga të dyshuarit e përfshirë në rast.

    Ndërkohë që kanë vazhduar veprimet hetimore të policisë, janë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarit;

    ▪︎ V. S, mashkull, 27 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe

    ▪︎ A. Z, mashkull, 22 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,.

    ndaj të të cilëve policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Vrasje në tentativë” dhe me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar, të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, të njëjtit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh.

  • Dy të vdekur pas një “emergjence” në Urën e Krimesë

    Dy të vdekur pas një “emergjence” në Urën e Krimesë

    Zyrtarët rusë kanë thënë që dy njerëz kanë vdekur pas një emergjence në një urë në gadishullin e pushtuar të Krimesë.

    Incidenti nuk është quajtur sulm, mirëpo raportime të pakonfirmuara thonë që kanë dëgjuar eksplodime herët gjatë së hënës, shkruan BBC-ja.

    Ura e Kerchit qe hapur më 2018 dhe lidh transportin rrugor dhe hekurudhor midis Moskës dhe Krimesë, territorit ukrainas që është në duar të Moskës që nga viti 2014.

    Në tetor të vitit të kaluar, ura ishte mbyllur pjesërisht pas një eksplodimi të madh, për t’u rihapur në shkurt.

    “Trafiku është ndalur në urën e Krimesë. Një emergjencë ngjau në zonën e 145-të [ana ruse e urës]”, ka shkruar kreu i administratës ruse në Krime, Sergey Aksyonov në Telegram.

    “Po ndërmerren masa për ta rregulluar situatën. Kërkoj nga banorët dhe mysafirët e gadishullit që të ndalojnë së udhëtuari përmes urës së Krimesë, dhe për shkaqe sigurie, ta zgjedhin ndonjë rrugë alternative tokësore përmes rajoneve të reja”.

  • ​Euro U20/ Kosova e 11-ta në kampionatin e basketbollit

    ​Euro U20/ Kosova e 11-ta në kampionatin e basketbollit

    Kosova U20 është renditur në vendin e 11-të në Kampionatin Evropian, Divizioni B.

    Dardanët në ndeshjen për vendin e 11-të ka mundur Austrinë pas vazhdimeve me rezultat 78:67 (13:16, 20:12, 7:19, 20:13, 18:7).

    Në periudhën e parë, austriakët për një nuancë ishin më të mirë, duke e fituar këtë pjesë 13:16, por Dardanët e rinj u rikthyen në çerekun e dytë, për të shkuar në pushim me rezultat 33:28.

    Por, në periodën e tretë, austriakët u rikthyen sërish, ku e fituan këtë pjesë 7:19, por në dhjetë minutat dhe vendimtare, Kosova u rikthye dhe pas një fundi dramatik rezultati ishte 60:60. Në vazhdime, basketbollistët e Kosovës ishin shumë më të mirë dhe triumfuan 78:67.

    Te Kosova u dallua Jon Ismajli me 19 pikë e pesë kërcime, ndërsa u ndihmua nga Bardh Istrefi me 14 pikë e tetë kërcime, Olsi Kurtaj me 13 pikë e gjashtë kërcime dhe Jon Ukaj me 14 pikë e tetë kërcime.

  • ​Zëdhënësi i Qeverisë arsyeton mospjesëmarrjen e Kurtit në takimin në Tiranë

    ​Zëdhënësi i Qeverisë arsyeton mospjesëmarrjen e Kurtit në takimin në Tiranë

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka sqaruar se kryeministri Albin Kurti e ka njoftuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama se nuk do të mund të shkojë në takimin joformal të liderëve të rajonit në Tiranë, meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor, është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë.

    Kryeziu ka shkruar në Facebook se para një jave Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ftuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për një drekë joformale me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor.

    “Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë. Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”, ka shkruar ai.

  • ​Temperaturat deri në 42 gradë në këto qytete të Shqipërisë

    ​Temperaturat deri në 42 gradë në këto qytete të Shqipërisë

    Ri-aktivizimi i valëve të të nxehtit afrikan do të kushtëzojë në Shqipëri sërish mot të kthjellët dhe shumë të nxehtë.

    Problematike situata nga temperaturat ekstremisht të larta do të jenë në zonën midis Elbasanit deri poshtë në Berat ku termometri do të ngjitet serish në 42 gradë C.

    Orët e vona të mbrëmjes do të sjellin vranësira të lehta e kalimtare vetëm në zonat Verilindore dhe Juglindore.

    Temperaturat e ajrit do të rriten sërish në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 21°C deri në 41°C.

    Era do te fryjë e lehtë në tokë dhe në det duke arritur shpejtësinë 28 km/h nga drejtimi Perëndimore, kjo do të bëjë që në brigjet detare të krijohet dallgëzim i ulët./ TCh/

  • ​Edhe SHBA zhuritet nga i nxehti, 51 gradë Celsius në Death Valley

    ​Edhe SHBA zhuritet nga i nxehti, 51 gradë Celsius në Death Valley

    Në SHBA, nga Florida në Kaliforni përmes Teksasit, pjesa më e madhe e vendit është ende nën kontrollin e një vale të nxehti, e cilësuar si “dërrmuese” nga shërbimet meteorologjike, të cilat parashikojnë rekorde të reja të temperaturës.

    Në Death Valley, Kaliforni, termometri u ngjit në 51C mbrëmë, ndërsa sot priten 54C.

    Krahas temperaturave të larta, Kalifornia Jugore po digjet nga disa zjarre ende të ndezura, të cilat tashmë kanë shkatërruar më shumë se 1 214 hektarë dhe kanë çuar në evakuimin e popullsisë.

    Disa zona në Arizona, por edhe në Kaliforni, Utah dhe Nevada janë në një nivel paralajmërimi “magenta”, një “nivel i rrallë dhe/ose afatgjatë i nxehtësisë ekstreme” që përfaqëson nivelin maksimal të paralajmërimit kombëtar të shërbimit të motit.

    Rënia e temperaturave nuk duket ende në horizont.

    Pjesë të tjera të SHBA janë në rrezik të motit të keq.

    “Stuhitë, shirat e dendur dhe përmbytjet janë të mundshme në shumë vende, veçanërisht në New England, e cila tashmë është ngopur me shirat e fundit”, raporton Shërbimi Kombëtar i Motit.

    ”Përmbytjet e shpejta vranë tre persona dje në një qark në veri të Filadelfias, Pensilvani, dhe katër persona të tjerë raportohen ende të zhdukur”, thanë zjarrfikësit lokalë.

    Në Kanada, më shumë se 10 milionë hektarë tokë janë djegur tashmë në tym këtë vit.

    ”Sipas një raporti, 906 zjarre ishin ende aktive ditën e djeshme, duke përfshirë 570 jashtë kontrollit”, sipas të dhënave nga Qendra Kanadeze e Zjarrit. /ANSA/

  • Lajçak paralajmëron takimin Bislimi-Petkoviq

    Lajçak paralajmëron takimin Bislimi-Petkoviq

    Emisari Special i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, e ka paralajmëruar takimin në mes të kryenegociatorëve të dyja vendeve, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit, që pritet të mbahet javën e ardhshme.

    Lajçak tha se është duke e përgatitur mbajtjen e këtij takimi.

    Ai u shpreh i lumtur se janë bërë hapa konkrete drejt shtensionimit të situatës në veri.

    Ai tha se janë shkëmbyer mendime dhe u përgatit për takimin e ardhshëm në Bruksel.

  • Presidenca paralajmëron analizimin e Ligjit për pagën minimale

    Presidenca paralajmëron analizimin e Ligjit për pagën minimale

    Një ditë më parë përfaqësues të veteranëve të UÇK-së kërkuan nga presidentja Osmani që të mos e dekretojë Ligjin për Pagën Minimale, i cili nuk u garanton atyre pension në lartësinë e pagës së re.

    E, në Presidencë thanë se ligji do të analizohet sapo Kuvendi t’ua dërgojë. Ndërkaq, juristët tregojnë rrethanën kur ligji mund t’i kthehet Kuvendit.

    Në Presidencë ende nuk ka shkuar Ligji për Pagën Minimale, i cili nuk ua garanton veteranëve të UÇK-së pensionin në lartësinë e pagës së re.

    Veteranët kërkojnë që presidentja Vjosa Osmani të mos e dekretojë ligjin dhe t’ia kthejë Kuvendit.

    Në institucionin më të lartë të shtetit thanë se ligji do të trajtohet ngjashëm sikur të tjerat që u shkojnë nga Kuvendi.

    “Ligji është ende në Kuvendin e Kosovës dhe nuk ka ardhë në Presidencë. Kur të vjen, do të analizohet sikurse edhe ligjet e tjera”, ka thënë këshilltari i presidentes, Bekim Kupina.

    Njohësi i çështjeve ligjore, Anton Nrecaj, numëron arsyet të cilat mund të ndikojnë tek presidentja që t’ia kthejë Ligjin Kuvendit.

    Nrecaj rikujton se edhe nëse ligji dekretohet nga deputetët, atij mund t’i kontestohet kushtetutshmëria në Gjykatën Kushtetuese.

    Një numër i madh ligjesh janë rrëzuar në Kushtetuese deri tash, ndërkaq kanë qenë të pakta rastet kur ato i janë kthyer Kuvendit nga presidenti i shtetit. Por presidenti ka të drejtën e kthimit të një ligji në Kuvend vetëm një herë, dhe në rast se përmbajtja e njëjtë i vjen për dekretim, ai nuk mund të refuzohet më.

  • Nuk ka pritje të gjata në pikëkalimet kufitare

    Nuk ka pritje të gjata në pikëkalimet kufitare

    Për shkak të situatës në veri, Qeveria ditë më parë u kishte bërë thirrje bashkatdhetarëve që ta shmangin rrugën nëpër Serbi për të ardhur në Kosovë. Ndonëse në masë më të vogël, bashkatdhetarët edhe këtë vit po e shfrytëzojnë rrugën nëpër Serbi.

    Megjithatë, shfrytëzimi më i pakët i kësaj rruge, ka bërë që në pikëkalimin kufitar në Merdar të mos ketë pritje të gjata.

    Bashkatdhetari Safet Mehmetaj, kaloi përmes pikëkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdar. Ai arriti në Kosovë pas shumë orë në rrugë nga Gjermania.

    Megjithatë, rruga e mërgimtarëve për të ardhur në Kosovë nuk është e lehtë. Endrit Bullatovci, që ka ardhur nga Gjermania, flet për vështirësitë e kësaj rruge të gjatë.

    “Jo të gjithë i shfrytëzojnë makinat për të ardhur në Kosovë. Të tjerë zgjedhin të vinë me autobus”, ka thënë Bullatovci.

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet për të hyrë dhe për dalë nga Kosova, si në Merdar, ashtu edhe në pikëkalimet tjera kufitare nuk janë më të gjata se 5 minuta.

    Pas tensioneve në veri të vendit, Qeveria u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që t’i shmangin pikëkalimet kufitare me Serbinë, për të shmangur çfarëdo incidenti, dhe t’i shfrytëzojnë rrugët tjera alternative për udhëtim.