ATV

Author: ATVLive

  • Historia frymëzuese e qëndrueshmërisë dhe krijimtarisë letrare së Angela Kostës

    Historia frymëzuese e qëndrueshmërisë dhe krijimtarisë letrare së Angela Kostës

    Angela Kosta, e lindur në Shqipëri në vitin 1973, u përball me vështirësi të paimagjinueshme, duke përfshirë humbjen e vëllait të saj të vetëm në trazirat e vitit 1997. E emigruar në Itali në vitin 1995, ajo duroi punët e vështira dhe përgjegjësitë familjare, ndërkohë që ushqeu pasionin e saj për të shkruar. Me kalimin e viteve, Angela botoi disa romane dhe libra me poezi, duke shfaqur talentin e saj dhe duke përqafuar kulturën e pasur të Italisë.

    Vepra e saj e fundit, “Ylberi dhe Sara e Vogël”, është një përrallë emocionuese e ëndrrës së një vajze të paralizuar për të ecur përsëri, e sjellë në jetë përmes vizatimeve magjepsëse të Kristiana Sterjo, një e mbijetuar e leukemisë. Të ardhurat e këtij libri u dhuruan për luftën kundër leukemisë, duke ilustruar angazhimin e Angelas për të bërë një ndryshim sado të vogël në botë.

    Në letrën e saj drejtuar redaksisë sonë, Angela ndau udhëtimin e saj të jashtëzakonshëm, një dëshmi e qëndrueshmërisë, kreativitetit dhe fuqisë së shpresës. Historia e saj është një frymëzim për të gjithë ata që e lexojnë.

    Letra e saj e plotë:

    Isha në moshë fare të re e megjithatë kisha dy fëmijë, gjë kjo e cila më ndihmoi të përballoj kurbetin, mallin që më mundonte për familjen time, sidomos pas tragjedisë që pësuam. Vëllai im i vetëm, mbeti pre e trazirave në Shqipëri në vitin 1997, gjë e cila gjymtoi shpirtin tonë familjar. Kjo tragjedi në familjen tonë pati pasoja shëndetësore tek nëna ime e cila vdiq në moshën 66 vjeçe pas një sëmundje të rëndë.

    Unë erdha në Itali, nëpërmjet Ambasadës Italiane, pasi bashkëshorti im prezantoi dokumentet për bashkim familjar. Ai emigroi me anijen panameze në eksodin e vitit 1991 e cila mbërriti në brigjet italiane. Pas disa muajsh nga mbërritja ime në Itali, fillova të punoja si asistente pranë të sëmurëve në një klinikë private shëndetësore. Edhe pse puna ishte me turne dhe më merrte shumë energji, sikurse familja dhe fëmijët, kjo gjithsesi nuk më pengoi të rinisja e të shkruaja.

    E kam kultivuar këtë pasion që në moshën gjashtë vjeçare kur shkrova poezinë e parë për nënën time, si edhe më pas rrjedhuan, disa poezi të tjera e tregime. Por vetëm në vitin 2003 munda të realizoj ëndrrën time të madhe duke botuar në Shqipëri romanin e parë: “Shpirti i burgosur.” Më pas, në vitin 2004 botova librin me novela “Më fal”.

    Shumë kurioze, fillova të lexoj poetët dhe shkrimtarët e mëdhenj italianë, vëzhgova dhe admirova kulturën e tyre të pasur, ndaj vendosa të botoj ndonjë libër edhe në Itali. Në fakt në vitin 2007 ia arrita këtij qëllimi duke botuar romanin tim të parë: “Varësja Magjike”. Në vitin 2008 vijoi botimi i librit me poezi “Loti i shkëlqyeshëm”, përfitimin e të cilit ia dhurova Shoqatës ONLUS Amyotrophic Lateral Sclerosis. Në vitin 2011 botova romanin thriller “Sytë e nënës” e më pas, në vitin 2017 vijoi romani “Millioneri i varfër”. Në vitin 2018 botova librin me poezi “Të jetosh”, 2019 romanin “Përtej oqeanit”, dhe më pas në vitin 2020, botova librin me përralla “Ylberi dhe Sara e vogël.

    Libri flet për një vajzë e cila fatkeqësisht është e paralizuar; teksa e zë gjumi nën hijen e një peme, sheh në ëndërr sikur i afrohet një ketër. Atij i erdhi keq që ajo nuk mund të ecte ndaj mendoi se duhej ta ndihmonte pasi çdo gjë në fund të fundit e kishte një zgjidhje. Ketri foli me një zog i cili, edhe ai u tregua i gatshëm ta ndihmonte Sarën. Që të ecte sërish ajo duhet të kapërcente patjetër Ylberin. Shkuan tek një flutur e cila u tha të merrnin mendimin e bletës. Bleta u tha që të gjithë sëbashku, të shkonin tek arushi sepse vetëm ai ishte në gjendje ta mbante ndër krahë Sarën. Në fakt, ky i fundit u gëzua pa masë që do të mundej t’i vinte në ndihmë Sarës. Gëzimit të tyre iu shtua edhe një vesë shiu dhe vetëm disa minuta më pas, Ylberi u shfaq më mahnitës se kurrë. Arushi e mori në krahë Sarën dhe të gjithë bashkë ecën ta kapërcenin Ylberin…

    Përfitimin e këtij libri ia dhurova Shoqatës ONLUS Komitetit Daniele Chianelli për kërkimin shkencor të kurimit të Leuçemisë, Limfomave dhe Tumoreve. Projektin e librit me përralla e përfundova edhe falë ndihmës shumë të çmuar me vizatimet e saj, Kristiana Sterjo, e cila u kurua dhe ia doli të sfidojë sëmundjen e Leuçemisë.

    Pas një transplanti të palcës kurrizore, Kristiana u shtrua në Repartin e Onkologjisë Pediatrike në spitalin “Shën Mëria e Mëshirimit” në Perugia. Kimioterapia pati efekte anësore serioze që e çuan në paralizë dhe nga aty erdhi në Umbertide në Klinikën “Prosperius” ku unë punoja. Kristiana ndenji falas për tetë muaj sëbashku me gjyshen e saj në klinikën tonë. Një ditë, (ajo ishte vetëm 12 vjeçe), e pashë duke vizatuar: pashë që ishte shumë e talentuar ndaj i premtova se në tē ardhmen do të realizonim një libër sëbashku. Pas shumë vitesh ne ia dolëm ta përfundonim më në fund projektin tonë. Kristiana është autorja e vizatimeve të librit tim me përralla “Ylberi dhe Sara e vogël”. Ky libër u realizua edhe falë ndihmës së çmuar të Catia Rossit (fizioterapiste në klinikën Prosperius) dhe shtypin e kopjeve nga Monia Tirimagni”.

    “Ajo që ne bëjmë është vetëm një pikë në oqean, por oqeani pa atë pikë do të ishte më i vogël”. (Nënë Tereza)

  • Këshilltari i Bislimit: Zv/kryeministri s’ka planifikuar të shkojë në Tiranë, janë spekulime

    Këshilltari i Bislimit: Zv/kryeministri s’ka planifikuar të shkojë në Tiranë, janë spekulime

    Klinsman Kadiu, këshilltari i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se numri dy i qeverisë nuk ka pasur plane të shkojë në Tiranë të hënën.

    Rrjedhimisht, ka thënë ai, lajmi i publikuar sot nga mediumi Abc News në Shqipëri për refuzimin e pranisë së zëvendëskryeministrit Bislimi në samitin joformal të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë është i “pavërtetë”.

    “Lajmi i djeshëm për pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit Bislimi në takimin joformal në Tiranë nuk është i vërtetë. Nuk ka qenë i planifikuar e aq më pak i konfirmuar”, ka thënë Kadiu.

    Sipas tij, meqë nuk ka patur asnjë konfirmim nga Bislimi për pjesëmarrje në samitin në Tiranë, atëherë edhe lajmi për refuzimin e pranisë së tij nuk qëndron.

    “Meqë nuk ka patur asnjë konfirmim nga zëvendëskryeministri Bislimi, atëherë nuk ka mundur as t’i refuzohej pjesëmarrja apo prania e tij”, ka deklaruar ai. “Prandaj edhe raportimet nga disa media shqiptare në lidhje me refuzimin nuk janë gjë tjetër veçse spekulim dhe duke qenë i tillë veç mund të spekulojmë për origjinën e tij”.

  • Më shumë se gjysma e familjeve në Kosovë nuk mund t’i përballojnë shpenzimet për pushime

    Më shumë se gjysma e familjeve në Kosovë nuk mund t’i përballojnë shpenzimet për pushime

    Këtë vit çmimet janë ngritur edhe në sektorin e turizmit, çka ka bërë që shumë qytetarë të mendojnë që mos të shkojnë në bregdet fare. Sipas raportit të fundit të ASK-së, rreth 60 për qind e familjeve në Kosovë nuk mund t’i përballojnë shpenzimet për pushime.

    Në raportin “Të ardhurat dhe kushtet e jetesës“, thuhet se për mbi 40% prej tyre shpenzimet për strehim janë paraqitur si barrë e rëndë financiare.

    “57.3 për qind e ekonomive familjare nuk mund të përballojnë shpenzimet e një jave pushimi larg shtëpisë. Për 40.7 për qind të ekonomive familjare, shpenzimet për strehim janë paraqitur si barrë e rëndë financiare. Në shpenzimet për strehim janë përfshirë: pagesa e kredisë hipotekare, qiraja, sigurimet dhe pagesat për shërbime, shpenzimet për mbledhjen e plehrave, kanalizimet e ujërave të zeza, mirëmbajtja e rregullt, riparimi dhe shpenzime tjera”.

    Ndërsa mbi 40 për qind e ekonomive familjare thuhet se mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 euro dhe të paguajnë prej burimeve vetanake, por 57 për qind e tyre nuk mund të përballojnë këtë shpenzim.

  • ​Programi i shkëmbimit kreativ, nënshkruhet marrëveshja Kosovë-SHBA

    ​Programi i shkëmbimit kreativ, nënshkruhet marrëveshja Kosovë-SHBA

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier dhe Leutrim Fishekqiu, drejtor i Organizatës Joqeveritare “Autostrada Biennale”, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për projektin “Ndërtimi i urave përmes artit dhe kulturës: Programi i shkëmbimit kreativ ShBA – Kosovë”, raporton EO.

    Përmes kësaj marrëveshje, artistë botërorë do të vijnë në Kosovë për t’i promovuar veprat e tyre.

    Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, tha se artistë të mirënjohur nga Amerika do të performojnë në Prishtinë, duke e quajtur këtë diplomaci kulturore.

    “Sot e kemi një ditë me interes të veçantë ku po e nënshkruamë një marrëveshje ‘Autostrada Biennale’. Kjo kontratë nënkupton se bashkëpunimet që i kemi pas do të vazhdojnë edhe më tutje në aspektin e artit dhe kulturës ku do të sjellim artistë të mirënjohur amerikan që do të performojnë në kryeqytet”, tha Rama.

    “Do të bëjnë diplomaci kulturore e kështu do të njihemi me këta artistë botërorë”, tha tutje Rama.

    E ambasadori i ShBA-së, Jeffrey Hovenier, tha se artistët që do të vijnë në Kosovë, me vete do të sjellin edhe këndvështrime të artit të tyre amerikan.

    Madje sipas tij, ata do të mundohen të krijojnë dialog që synon t’i rrënojë të gjitha barrierat, raporton EO.

    “Me të vërtetë jam i lumtur që dua të theksoj së përmes kësaj marrëveshje do të mundohemi të sjellim një mostër të larmishme të artit amerikan. Artistët cilët do të vijnë në Kosovë, me vete sjellin edhe këndvështrime të artit të tyre”.

    “Gjatë qëndrimit në Kosovë do të krijojnë dhe do të ekspozojnë veprat e tyre prandaj e mirëpres këtë sinergji të ndjenjave amerikane me ato kosovare dhe ata do të angazhohen në tërë vendin”, tha Hovenier.

    “Meqenëse po flasim artit ata do të mundohen të krijojnë dialog që synon t’i rrënojë të gjitha barrierat”, tha tutje Hovenier.

    Drejtor i Organizatës Joqeveritare “Autostrada Biennale”, Leutrim Fishekqiu, u shpreh i lumtur me këtë bashkëpunim. Sipas tij, përmes këtyre bashkëpunimeve, po krijohet arti në Kosovë.

  • Festë në familjen Jashari: Diplomon Shaban Jashari i ri

    Festë në familjen Jashari: Diplomon Shaban Jashari i ri

    Pasardhësi i familjes heroike Jashari, Shaban Jashari, ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Kolegjit AAB.

    Një student i shkëlqyer si Shabani është motiv shtesë për gjithë studentët dhe angazhimin e pakusht nga stafi akademik dhe administrativ i Kolegjit AAB.

    I lumtur për këtë arritje u shpreh vetë ai, ku ndër të tjera tha se studimet në Kolegjin AAB ishin një përvojë shumë e mirë duke marrë parasysh cilësinë dhe korrektësinë që ofrohet nga institucioni për çdo student, pa dallim.

    Ai falënderoi rektorin e Kolegjit AAB Lulzim Tafa për mbështetjen e vazhdueshme, stafin akademik dhe administrativ.

  • ​Mbrojtja e Veselit përfundoi intervistimin e ish-komandant Remit

    ​Mbrojtja e Veselit përfundoi intervistimin e ish-komandant Remit

    Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, i cili po dëshmon në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe sot ka vazhduar dhënien e dëshmisë së tij para trupit gjykues në Hagë.

    Seanca gjyqësore filloi me parashtrimin e pyetjeve nga mbrojtja e Kadri Veselit, avokati Ben Emmerson, i cili e pyeti atë për anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

    Rrustem Mustafa pohoi se ishte në dijeni se përveç Azem Sylës, ishin edhe disa anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm që qëndronin jashtë Kosovës.

    Emmerson: A ishit në dijeni asokohe që disa nga anëtarët e shtabit të përgjithshëm përveç Azem Sylës për të cilin biseduam qëndronin jashtë Kosovës për pjesën më të madhe të konfliktit veçanërisht nga nëntori 1998 dhe marsi 1999. ‘Të gjithë qëndronin jashtë vendit me përjashtim të Jakup Krasniqit, Ramë Bujës dhe komandantit të zonave, të gjithë të tjerët qëndronin jashtë vendit’. Ju kujtohet që na e dhatë këtë përgjigje, a mund ta e pohoni në seancë publike se përgjigje juaj ishte e saktë dhe unë lexova përgjigje tuaja?

    Mustafa: Po

    Po ashtu, mbrojtja e Kadri Veselit pyeti edhe për pozitën që Azem Syla kishte në UÇK.

    Emmerson: Para Rambujesë, Azem Syla ishte komandanti i përgjithshëm i UÇK-së…

    Mustafa: …..

    Emmerson: Thoni që nuk e dije por a është e vërtetë që Azem Syla qëndronte në Tiranë gjatë gjithë kohës së konfliktit, bazën e ka pas në Tiranë gjatë konfliktit, nuk është dikë që e ke ndeshur në këto gjatë këtyre dy viteve?

    Mustafa: Po

    Emmerson: Dhe nuk ka qenë ushtarak apo jo?

    Mustafa: Ne e kemi llogaritur që ai po punon në logjistikën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Emmerson: Logjistikën, pra si komandant në terren personalisht ju nuk e kishit idenë se kush e kishte marr rolin e komandantit të UÇK-së nga Shtabi i Përgjithshëm…

    Pjesa më e madhe e pyetjeve nga avokati Emmerson është bërë në seancën e së premtes.

    Ndërsa aktualisht, ish-komandant Remi po intervistohet nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.

    Kjo është dita e pestë e Rrustem Mustafës si dëshmitar në Gjykatën Speciale, në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

    Gjykimi kundër tyre ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./kp

  • Si ndikon moti i nxehtë në trup dhe kush rrezikohet më së shumti?

    Si ndikon moti i nxehtë në trup dhe kush rrezikohet më së shumti?

    Dhjetëra miliona njerëz janë duke u përballur me temperatura shumë të larta në gjithë botën.

    Moti i nxehtë në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Azi, konsiderohet një prej shembujve se si rrezikohet bota nga ngrohja globale.

    Temperatura mesatare globale e ka prekur një rekord të ri në javën e parë të korrikut.

    I nxehti mund të ndikojë te secili mirëpo disa grupe janë më të cenueshme, sikurse të moshuarit dhe foshnjat.

    Çfarë i bën i nxehti ekstrem trupit tonë?

    Teksa trupi bëhet më i nxehtë, nisin të hapen enët e gjakut.

    Kjo rezulton me tension më të ulët të gjakut dhe e bën punën e zemrës më të vështirë për ta lëvizur gjakun nëpër trup.

    Diçka e tillë mund të shkaktojë simptoma të lehta, siç janë kruarjet apo këmbët e ënjtura.

    Në të njëjtën kohë, djersitja ndikon në humbje të lëngjeve dhe kripës, prandaj edhe ndryshon balanci i tyre në trup.

    E gjithë kjo, e kombinuar me tension të ulët të gjakut, mund të çojë në dërrmim nga nxehtësia.

    Disa prej simptomave janë:

    • marramendje
    •  të përziera
    •  të fikët
    • ngërçe të muskujve
    •  dhimbje koke
    • djersitje e madhe
    •  lodhje
    •  lëkurë e zbehtë

    Nëse tensioni i gjakut bie shumë shpejt, rritet rreziku për sulm zemre.

    Pse trupat tanë reagojnë në këtë mënyrë?

    Trupat tanë tentojnë ta mbajnë temperaturën në rreth 37 gradë Celsius, qofshim në borë, apo mot të nxehtë.

    Kjo është temperatura në të cilën është mësuar të punojë trupi.

    Mirëpo kur moti të nxehet, trupi duhet të punojë më shumë për ta ulur temperaturën.

    Prandaj i hap enët e gjakut afër lëkurës për ta nxjerrë nxehtësinë dhe nis të djersijë.

    Si të qëndrojmë të sigurt në mot të nxehtë?

    Qendrat për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) në Shtetet e Bashkuara i kanë disa këshilla:

    • Vishni rroba të përshtatshme që janë të lehta dhe të gjera.
    • Qëndroni në vende me kondicionerë, sa të keni mundësi. Nëse shtëpia juaj nuk ka kondicionerë, shkoni në qendër tregtare apo në biblioteka publike.
    • Mund ta telefononi edhe departamentin lokal shëndetësor për të parë nëse kanë vende të lira për t’i ikur vapës.
    • Kufizojeni aktivitetin në ambiente të jashtme apo ndërrojeni orarin kur është më freskët.
    • Pini shumë lëngje dhe mos pini shumë alkool.
    • Qëndroni në hije, përdorni krem kundër diellit me mbrojtës të lartë dhe vendosni kapele me mbulim të gjerë.
    • Keni kujdes që t’iu ndihmoni atyre që kanë nevojë, personave të moshuar, atyre që kanë ndonjë sëmundje, apo atyre që jetojnë vetëm.
    • Mos e lini askënd, sidomos foshnjat, fëmijët e vegjël apo kafshët nëpër makina të mbyllura.

    Si të bëni gjumë të mirë?

    Përdorni mbulesa të holla, ftohni çorapet tuaja në frigorifer para se t’i mbathni dhe krijojeni një orar të saktë të gjumit, sugjerojnë ekspertët.

    Çfarë të bëni nëse e shihni dikë që e ka dërrmuar i nxehti?

    Nëse ata mund të freskohen brenda një gjysme ore, atëherë lodhja e madhe nuk është shumë serioze.

    Por, CDC këshillon:

    • Dërgojini në një vend të freskët
    • Freskojuani lëkurën me ujë të ftohtë
    • U jepni që të pinë shumë ujë

    Megjithatë, nëse nuk e marrin veten brenda 30 minutave, atëherë ajo që pason njihet si goditje nga i nxehti.

    Një situatë e tillë është urgjente dhe duhet të thërrisni menjëherë emergjencën.

    Njerëzit me një gjendje të tillë mund të mos djersijnë më, edhe pse kanë temperaturë shumë të nxehtë në trup.

    Temperatura e trupit mund t’iu shkojë në mbi 40 gradë Celsius dhe mund ta humbin vetëdijen.

    Kush është më i rrezikuar?

    Moshat e shtyra dhe personat me sëmundje kronike, sikurse sëmundje të zemrës, mund ta kenë më të vështirë funksionimin në këto kushte.

    Diabeti mund ta bëjë trupin që të humbë ujin më shpejt dhe disa komplikime të sëmundjes mund t’i ndryshojnë enët e gjakut dhe aftësinë për të djersitur.

    Edhe fëmijët janë të cenueshëm.

    Personat që vuajnë nga harresa rrezikohen, po ashtu, sepse nuk janë të vetëdijshëm se çfarë është nxehtësia dhe si të veprojnë.

    Njerëzit e pastrehë janë po ashtu të ekspozuar shumë ndaj diellit.

    A e rrisin rrezikun disa ilaçe?

    Po – por njerëzit duhet të vazhdojnë t’i marrin ilaçet si zakonisht dhe duhet të bëjnë përpjekje të qëndrojnë të hidratuar.

    Diuretikët – që ndonjëherë quhen edhe “pilula uji” e rrisin sasinë e ujit që trupi e largon. Ato merren në shumë raste, përfshirë ato për komplikime të zemrës. Mirëpo, në temperatura të larta, ato e rrisin rrezikun e dehidrimit dhe çrregullimit të balancit të mineraleve në trup.

    Më pas janë ilaçet për ulje të tensionit të gjakut, pasi në kombinim me enët e gjakut që tentojnë ta nxjerrin nxehtësinë, mund të nxisin ulje të shpejtë të tensionit.

    Disa ilaçe për epilepsi dhe Parkinson mund ta bllokojnë djersitjen dhe mund ta bëjnë më të vështirë uljen e temperaturës trupore.

    A vret i nxehti?

    Më shumë se 700 persona në Shtetet e Bashkuara vriten nga i nxehti ekstrem çdo vit, sipas CDC-së.

    Shumica prej tyre e pësojnë nga sulmi në zemër dhe sulmet e shkaktuara nga përpjekjet e trupit për ta mbajtur temperaturën stabile.

    Shkalla e vdekjeve rritet sapo termometri të tejkalojë temperaturat 25-26 gradë Celsius.

    Megjithatë, të dhënat sugjerojnë se vdekjet shkaktohen më shpesh nga temperaturat e larta në pranverë, apo fillim të verës, sepse në pikun e verës.

    Kjo për faktin se ne nisim të ndryshojnë përditshmërinë dhe nisim të mësohemi dalëngadalë me të nxehtin.

    Të dhënat nga valët e kaluara të të nxehtit tregojnë për rritje të shpejtë të vdekjeve në orët e para të rritjes së temperaturave.

     

  • Twitter humbet gati gjysmën e të ardhurave nga reklamat që nga blerja e Elon Musk

    Twitter humbet gati gjysmën e të ardhurave nga reklamat që nga blerja e Elon Musk

    Twitter ka humbur pothuajse gjysmën e të ardhurave të tij nga reklamat, ka zbuluar pronari i këtij rrjeti social, Elon Musk, i cili e bleu atë për 44 miliardë dollarë (rreth 39 miliardë euro) tetorin e kaluar.

    Sipas mediave të huaja, ai tha se kompania nuk kishte parë rritjen e të ardhurave që pritej në qershor, por shtoi se korriku ishte “pak më premtues”.

    Ndryshe, Elon Musk shkarkoi rreth gjysmën e stafit prej 7,500 të Twitter-it kur mori detyrën në vitin 2022 në një përpjekje për të ulur kostot.

    Në anën tjetër, aplikacioni rival Threads tani ka 150 milionë përdorues, sipas disa vlerësimeve.

    Lidhja e integruar me Instagram i jep automatikisht Threads, platformës së projektuar nga Meta, qasje për dy miliardë përdorues të mundshëm.

    Kujtojmë se në fillim të këtij muaji Twitter vendosi të kufizojë sa tweet-e mund të lexojnë përdoruesit e tij.

    Kështu, ishte bërë e ditur se përdoruesit e paverifikuar mund të lexojnë 1,000 cicërima, dhe përdoruesit e verifikuar 10,000 në ditë, një lëvizje për të cilën thuhet se ka “hutuar” reklamuesit.

    Ai pasoi përpjekjet për të shtyrë përdoruesit drejt Twitter Blue, shërbimi i tij i abonimit me pagesë.

    Ndërkohë, Linda Yaccarino, më parë drejtuese e reklamave në NBCUniversal, u angazhua si CEO në qershor – një lëvizje që sugjeron se shitjet e reklamave janë ende një prioritet për Twitter.

  • ​Samiti në Tiranë ‘përze’ Bislimin

    ​Samiti në Tiranë ‘përze’ Bislimin

    Edi Rama vijon përpjekjet paraprake për të mirëpritur në tetor në Tiranë takimin e radhës së Procesit të Berlinit. Pas turit dy ditor në gjithë rajonin, kryeministri shqiptar ka ftuar liderët e Ballkanit Perëndimor në një drekë informale këtë të hënë në Tiranë.

    Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar: katër kryeministra të rajonit, ajo e Serbisë Bërnabiç, kryeministri maqedonas Kovaçevski, shefi i qeverisë malazeze Abazoviç dhe kryeministrja e Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo. Në takim do të marrë pjesë edhe komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

    Ftesë ka marrë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, por edhe pas përpjekjes së Varhelyi, ai ka zgjedhur të shkojë në një simpozium ndërkombëtar që po mbahet në Greqi, ku Shqipëria prezantohet nga një grup të organizatave joqeveritare të kryesuar nga Remzi Lami.

    Mësohet se në takimin e liderëve rajonit në Tiranë nga qeveria e Kosovës ishte konfirmuar ardhja e zëvendës kryeministrit Besnik Bislimi. Por ky takim i Bislimit me krerët e rajonit nuk do të jetë i mundur për shkak të protokollit. Zëvendëskryeministrit të Kosovës i është komunikuar nga organizatorët e takimit se niveli i tij është dytësor dhe jo i përshtatshëm dhe se dosja e takimit do t’i dërgohet me poste të sigurt qeverisë së Kosovës, përkatësisht zyrës së kryeministrit. Kjo gjithmonë nëse Albin Kurti nuk ndryshon mendje në minutë të fundit, dhe lë Greqinë për Tiranën.

    Duket se Kurti vijon të rrijë larg tryezës së Ramës, duke e mbajtur edhe Kosovën larg.

    Këto mbledhje koordinuese kanë për qëllim që rajoni të krijojë një plan të përbashkët veprimi kur në tetor të ulet në tryezë përballë Bashkimit Evropian.

    Veç sigurisë dhe gjeopolitikës në tërësi, Ballkani Perëndimor është i etur për fonde evropiane dhe ato jepen kryesisht për projekte të mëdha që ndërlidhin vendet, ndaj secili shtet nuk mund të shkojë me kërkesat e veta, por me një plan të përbashkët me fqinjët.

    Samiti i Berlinit është një format i nisur nga Gjermania, në të cilin kanë marrë pjesë pa rezerva të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Përfshirë edhe Kosovën, që ka qenë një kritike e madhe e Open Ballkan, të cilin Rama për momentin e ka lënë mënjanë. Paradoksalisht tani është Kurti ai që po i qendron larg Procesit të Berlinit, i cili tashmë thuajse ka përcaktuar Tiranën si qendrën kryesore të koordinimit të tij./abcnews.al/

  • Djegia e veturave të autosallonit në Vushtrri, policia del me detaje

    Djegia e veturave të autosallonit në Vushtrri, policia del me detaje

    Një autosallon është përfshirë nga zjarri në Vushtrri ditën e diel. Sipas policisë, aty janë djegur gjashtë vetura tërësisht dhe disa të tjera janë dëmtuar pjesërisht nga zjarri.

    Sipas ankuesit, persona të panjohur i kanë vënë zjarrin veturave. PK-ja ka bërë të ditur se s’ka të lënduar nga incidenti.

    Rasti po hetohet.

    Njoftimi i plotë i policisë:

    ZJARRVËNIE/Vushtrri 16.07.2023 – 00:57. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se persona të panjohur i kanë djegur gjashtë (6) vetura tërësisht dhe disa të tjera janë dëmtuar pjesërisht nga zjarri. Njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin. Të lënduar nuk ka, lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.