ATV

Author: ATVLive

  • “E kishte një dhëmb të dukatit”, historia e burrit që u mashtrua në tregun e kafshëve

    “E kishte një dhëmb të dukatit”, historia e burrit që u mashtrua në tregun e kafshëve

    Emisioni veror “n’mal A n’det” ka filluar transmetimin në ATV. Ky emision, i cili vjen në një format më ndryshe, drejtohet nga yjet e ATV-së, Roberti, Emira dhe Jeta dhe jepet çdo ditë nga e hëna deri të premten prej orës 21:10.

    Në këtë emision, pos rubrikave të shumta argëtuese, çdo ditë do të ketë edhe tregime popullore.

    Mbrëmë, në ciklin e tregimeve popullore, u rrëfye një histori e një burri, që ishte mashtruar në tregun e kafshëve.

    Një mashtrues me dhëmb të arit i kishte blerë lopën, por i njëjti i kishte thënë se paratë do t’ia sillte pas një jave, të cilat do t’ia linte në një vend të caktuar.
    Por kaluan javët, “blerësi” u zhduk dhe burri i pashtruar kishte filluar ta kërkonte nëpër fshatra.

    Për të mësuar se çfarë ndodh më pas, shikoni tregimin e plotë, të cilin e gjeni në videon më poshtë. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë “n’mal A n’det” e gjeni në videon më poshtë:

  • Dyshimet për keqpërdorim? Hajdari: Nuk e di që jam nën hetime

    Dyshimet për keqpërdorim? Hajdari: Nuk e di që jam nën hetime

    Dyshimet për keqpërdorim, Hajdari: Nuk e di që jam nën hetime

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari deklaroi se nuk ka informata që është nën hetime.

    Ajo shtoi se nuk është ftuar në intervistim nga Prokuroria.

    “Unë nuk jam ftuar asnjëherë nga askush për ndonjë hetim… Jo, nuk e di (që jam nën hetime)”, tha ajo.

    Kështu u shpreh ajo pas realizimit të verifikimin periodik të peshoreve shumëtonëshe në mullirin “Albatros” në fshatin Torinë.

    Së fundmi është raportuar se ministrja Rozeta Hajdari është duke u hetuar nga task-forca antikorrupsion në Policinë e Kosovës nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Hajdari dyshohet se ka keqpërdorur rezervat shtetërore, në lidhje me blerjen e miellit dhe vajit dhe se është dëmtuar buxheti i shtetit. /kp

  • “Fjalët e hallkut e birat e gardhit nuk mshelen kurrë”, gazetari befason të ftuarit në studio me këto anekdota

    “Fjalët e hallkut e birat e gardhit nuk mshelen kurrë”, gazetari befason të ftuarit në studio me këto anekdota

    Emisioni veror “n’mal A n’det” ka filluar transmetimin në ATV. Ky emision, i cili vjen në një format më ndryshe, drejtohet nga yjet e ATV-së, Roberti, Emira dhe Jeta dhe jepet çdo ditë nga e hëna deri të premten prej orës 21:10.

    Një ndër rubrikat që do ta përcjellin këtë emision është edhe rubrika me anekdota.

    Edhe në emisionin e mbrëmshëm, u përmenden disa anekdota të cilat janë mjaft të njohura në mesin tonë.

    Gazetari Ensar Ramadani, deri sa në emision po bisedohej për anekdotat, tregoi se shprehje të urta popullore ka dëgjuar shumë nga gjyshja e tij, të cilat janë përcjellë deri tek ajo prej gjeneratave të më hershme.

    “’Fjalët e hallkut e birat e gardhit nuk mshelen kurrë’, ka thanë ai i moçmi. Unë jam rritë, fatmirësisht e kam pasur një gjyshe që krejt sendet në jetë m’i ka lidhë qysh ka thënë babai i saj, gjyshi i saj, për deri sa nuk kemi pasur gjëra të shkruara”, tregon gazetari. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Përleshje në Prishtinë: Lëndohen tre persona, arrestohen pesë

    Përleshje në Prishtinë: Lëndohen tre persona, arrestohen pesë

    Tre persona janë lënduar si pasojë e një përleshje e cila ka ndodhur rreth orës 20:00 në Prishtinë në rrugën “Ibrahim Luftiu”, në afërsi të gjimnazit “Sami Frashëri”. Ndërsa janë arrestuar pesë.

    Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se është raportuar se gjatë përleshjes është përdorur edhe një armë zjarri, e cila është konfiskuar.

    “Janë arrestuar pesë të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që, janë rrahur në mes vete. Me vendim të prokurorit të dyshuarit, katër janë dërguar në mbajtje, ndërsa njëri do të dërgohet në vuajtje të dënimit pasi që, kishte urdhër arrest nga gjykata”, thuhet në raport.

  • Kanosi dy prokurorë, arrestohet dhe ndalohet pejani

    Kanosi dy prokurorë, arrestohet dhe ndalohet pejani

    Policia e Kosovës ka arrestuar në Pejë një person të dyshuar për kanosje ndaj dy prokurorëve.

    Në një njoftim për media bëhet e ditur se Drejtoria Rajonale e Policisё Pejё, më 14 korrrik rreth orёs 19:20, ёshtё informuar se nё rrugën “Mbretёresha Teutё”, i dyshuari ka kanosur pёrmes telefonit dy prokurorë tё shtetit.

    “Policia menjëherë ka marrё masat e nevojshme duke kërkuar tё dyshuarin (i njohur pёr Policinё), nё vendbanimin e tij, mirёpo i njëjti nuk ёshtё hasur nga Policia”, thuhet në njoftim derisa bëhet e ditur se pas njё pune intensive tё hetuesve tё Sektorit Rajonal pёr Hetime DRP Pejё, ёshtё arritur tё identifikohet lokacioni i personit tё dyshuar dhe i njëjti ёshtё arrestuar.

    Lidhur me rasti ёshtё njoftuar Prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar qё i dyshuari tё ndalohet pёr 48- orё.

  • Plazhi i Jalës, parajsa që ofron kamping e argëtim

    Plazhi i Jalës, parajsa që ofron kamping e argëtim

    Emisioni veror “n’mal A n’det” ka filluar transmetimin në ATV. Ky emision, i cili vjen në një format më ndryshe, drejtohet nga yjet e ATV-së, Roberti, Emira dhe Jeta dhe jepet çdo ditë nga e hëna deri të premten prej orës 21:10.

    Një ndër rubrikat që do ta përcjellin këtë emision është edhe rubrika “Ku me shku n’mal”, në të cilën do të shfaqen reportazhe nga vende të ndryshme malore në Kosovë.

    Dje në emisioni veror “n’mal A n’det” u shfaq një reportazh nga Jala, një ndër vendet më atraktive për të kaluar pushimet në bregdetin shqiptar.

    Në Jalë, gazetarja e ATV-së zhvilloi disa biseda me turistët, të cilët treguan eksperiencat e tyre në këtë vend turistik.

    Shumë nga turistët treguan se tash e disa vite i bëjnë pushimet në Jalë, për shkak se është një vend me i veçantë në krahasim me vendet tjera në bregdetin shqiptar. /atvlive.tv

    Reportazhin e plotë të ATV-së në Jalë e gjeni në videon më poshtë:

  • Si të kurseni para gjatë udhëtimeve në Evropë?

    Si të kurseni para gjatë udhëtimeve në Evropë?

    Të gjithë ne mezi presim sezonën e verës për të kaluar pushime të paharrueshme, ku synojmë aventura nga më të ndryshme por me një kosot më të përballueshme.

    Një udhëtim nëpër Evropë mund të themi se është një ëndërr e realizuar nëse bëjmë një planifikim të duhur edhe nëse nuk mund të kurseni shumë në pjesën e pushimeve verore evropiane për të shkuar atje, ka disa mënyra të tjera për të konsideruar uljen e kostove pasi të jeni në terren.

    Së pari, kostoja e akomodimit në Evropë mund të jetë mjaft e tepruar, veçanërisht në qytetet e njohura si Parisi, Londra dhe Roma. Dhe këto shpenzime mund të shtohen shpejt pa i kushtuar shumë vëmendje, veçanërisht nëse planifikoni të qëndroni për një periudhë të gjatë.

    Me aeroplanët që përshkojnë Oqeanin Atlantik dhe hotelet që nuk kanë probleme të mbushin dhomat nëpër pikat e nxehta turistike, do t’ju duhet të veproni me zgjuarsi.

    “CNN Travel”, foli me agjentë udhëtimesh, ekspertë dhe udhëtarë ekspertë gjithashtu, për këshillat e tyre mbi kursimin e parave në udhëtimet evropiane këtë verë të paprecedentë.

    “Ndërsa tarifat e hoteleve dhe biletat e avionit rriten edhe më shumë këtë verë, lundrimi vazhdon të jetë një opsion pushimesh me vlerë të lartë dhe një mënyrë fantastike për të eksploruar Evropën në një mënyrë më ekonomike sesa nëse do të udhëtonit me rrugë tokësore”, tha Colleen McDaniel, kryeredaktor i “Cruise Critic”.

    Ndërsa vera përfundon dhe shkollat fillojnë të hapen, Katy Nastro nga agjencia për biletat e fluturimeve nga Amerika e Veriut në Evrop thotë se kërkesa e reduktuar për udhëtime mund të sjellë me vete çmime më të lira.

    Veçanërisht nëse jeni duke kërkuar të përfitoni sa më shumë nga bileta ajrore që keni paguar për të shkuar në Evropë dhe për të vizituar më shumë se një destinacion pa pasur nevojë të hipni në një aeroplan tjetër, thotë ajo, lundrimi mund të korrë kursime serioze mbi atë që do të paguanit për një pushim të ngjashëm që lidh vendet me rrugë. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • NASA thotë se çdo vit e më shumë vera do të jetë më e nxehtë

    NASA thotë se çdo vit e më shumë vera do të jetë më e nxehtë

    Shkencëtari i NASA-s, Peter Kalmus, ka paralajmëruar se kjo verë “do të jetë më e freskëta” nga çfarë do të përjetojmë për pjesën tjetër të jetës, pasi valët e të nxehtit vazhdojnë të shkatërrojnë Evropën dhe SHBA-në, ndërsa përmbytjet, musonët dhe tajfonët godasin Azinë.

    “Shumica e njerëzve ende nuk e dinë se në çfarë rreziku janë”, tha Peter Kalmus në Twitter.

    “Kjo do të jetë vera më e freskët për sa jetë ju ka ngelur, dhe kjo nuk duhet të jetë vetëm një meme. Në fakt është e tmerrshme” shtoi ai.

    Kalmus bëri thirrje që përdorimi i lëndëve djegëse fosile të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, përpara se të sqaronte në një postim të mëvonshëm se “do të ketë gjithmonë ndryshime rajonale dhe ndërvjetore, por në një kuptim mesatar, tendencat e nxehtësisë nënkuptojnë se kjo do të jetë vera më e freskët për një kohë të gjatë”.

    Ai tha gjithashtu se nëse bota dhe shoqëria “kalojnë në modalitetin e emergjencës klimatike”, do të ishte e mundur që planeti të fillonte të ftohet deri në fund të shekullit.

  • Escobar: Nuk shoh gatishmëri të Kosovës dhe Serbisë për zbatim të Marrëveshjes së Ohrit

    Escobar: Nuk shoh gatishmëri të Kosovës dhe Serbisë për zbatim të Marrëveshjes së Ohrit

    I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të martën se nuk sheh gatishmëri të Kosovës dhe Serbisë për ta zbatuar Marrëveshjen e Ohrit, ndonëse ajo, sipas tij, ofron mundësi të jashtëzakonshme për të dyja vendet.

    Ai i ka bërë këto deklarata para Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, teksa ka diskutuar për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe qasjen e Shteteve të Bashkuara ndaj këtij rajoni.

    “Ne kemi tentuar vazhdimisht t’i shtyjmë të dyja palët që të veprojnë, dhe në kthim kemi parë disa seri të përshkallëzimit të situatës. Pozicioni ynë është se marrëveshja do të mund të zbatohej menjëherë pas arritjes së pajtueshmërisë. Secila palë është dashur të hartojë rrugën sesi do ta zbatonte atë”.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri, në shkurt të këtij viti në Bruksel, për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Më pas, në mars, në Ohër janë pajtuar për ankesin e zbatimit të marrëveshjes.

    “Marrëveshja i kërkon Serbisë që ta njohë sovranitetin e Kosovës dhe integritetin e saj territorial. T’ia njohë simbolet kombëtare, flamurin, dokumentet qeveritare, diplomat, targat e makinave dhe ia ndalon Serbisë që ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kosovës i kërkohet që të zbatojë obligimin që e ka për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne besojmë që të dyja vendet duhet të angazhohen menjëherë në këto aspekte, pa parakushte. Duhet të nisin ta kryejnë pjesën e tyre”, ka thënë Escobar.

    Ai ka thënë se aspirata më e lartë e SHBA-së është që Kosova të ketë ulëse në Bashkimin Evropian, NATO dhe Kombet e Bashkuara.

    I pyetur se çfarë po bën SHBA-ja që t’i bindë pesë shtetet e BE-së – Spanjën, Sllovakinë, Rumaninë, Greqinë, dhe Qipron – që ta njohin shtetësinë e Kosovës, Escobar ka thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me to.

    “Marrëveshja e Ohrit na ofron neve mundësinë më të madhe në 15 vjetët e fundit që të bashkëpunojmë me Qeverinë e Kosovës që të niset, jo vetëm një fushatë evropiane e njohjeve, por një fushatë globale e njohjeve. Shumica e shteteve do të dëshironin ta shihnin gatishmërinë e Kosovës që ta përmbushë pjesën e saj të marrëveshjes [së Ohrit], që është Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Kjo është njëra prej arsyeve pse e kam shtyrë Qeverinë e Kosovës që ta çojë përpara këtë gjë – me mbështetjen amerikane – përmes një rruge që Asociacioni të mos e rrezikojë kushtetutën, apo strukturën ligjore, që të mund të nisim këtë vit fushatën e njohjeve. Deri më tani nuk e kam marrë atë zotim prej Qeverisë së Kosovës”.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

    Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

    Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

    Mekanizmi ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që ta formojë Asociacionin në përputhje me kushtetutën, dhe duke ia përmendur disa modele që veçse ekzistojnë në botë.

    “Kemi marrë zotime që Serbia nuk do t’i refuzojë zgjedhjet në veri”
    Duke folur për situatën aktuale në Kosovë, ligjvënësit amerikanë i kanë konsideruar tensionet e fundit në veri si shumë alarmuese.

    Ata e kanë kritikuar edhe qasjen e Qeverisë së Kosovës dhe mungesën e koordinimit me SHBA-në, por edhe rolin e Serbisë në protestat në veri.

    Mirëpo, Escobar ka thënë se ka marrë zotime që Serbia nuk do t’i kundërshtojë zgjedhjet e ardhshme në veri të Kosovës dhe se Serbia do të përballet me pasoja nëse vepron ndryshe.

    Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta që disa javë, sidomos në muajin qershor.

    Situata është përkeqësuar pasi serbët lokalë në komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.

    Krytarët i kanë fituar mandatet në zgjedhjet e mbajtura në prill të këtij viti, të cilat i kanë bojkotuar serbët.

    Mirëpo, më 11 korrik Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje me Kosovën me qëllim të uljes së tensioneve.

    Sipas BE-së, Kosova ka pranuar të reduktojë praninë e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, dhe se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.

    Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë hapat do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”.

    Problemet kyçe të Ballkanit Perëndimor
    Escobar ka vlerësuar se, në mesin e problemeve kyçe me të cilat përballet Ballkani Perëndimor janë: përparimi i ngadalshëm në demokratizim, korrupsioni, varësia nga burimet ruse të energjisë, politikat etno-nacionaliste, dezinformatat dhe ndikimi i dëmshëm prej jashtë.

    Për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi
    Escobar ka thënë se si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia e Veriut i kanë hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe se të dyja janë partnere solide në inkurajimin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    “Për t’i çuar përpara aspiratat për anëtarësim në BE, Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar për ndryshimet kushtetuese për ta njohur pakicën bullgare. Ne e mbështesim fuqishëm këtë hap të vështirë, por të nevojshëm, dhe jemi të angazhuar me Qeverinë e re të Bullgarisë, për t’u siguruar se ajo nuk do të ketë kërkesa të reja, sapo Maqedonia e Veriut t’i përmbushë kërkesat e marrëveshjes ekzistuese”.

    Ai ka thënë se integrimet evropiane dhe transatlantike janë thelbësore për ta zvogëluar ndikimin e aktorëve të dëmshëm në këtë rajon, siç janë Rusia dhe Kina, por edhe të aktorëve lokalë të korruptuar, që synojnë ta destabilizojnë rajonin dhe t’i pengojnë integrimet, duke e zgjeruar ndikimin e tyre.

    Escobar ka thënë gjatë dëshmisë së tij se Rusia e shtrin ndikimin e tij në rajon përmes dy rrugëve: dezinformatave dhe energjisë.

    “Asgjë më shumë. Rusia nuk ofron tregti bilaterale, as nuk ofron ndihmë, as kapacitet për ndërtim, as mbështetje për reforma demokratike. Thjesht, e fut rajonin në kurth përmes varësisë energjetike. Prandaj, sa më shpejt që mund t’i ndihmojmë rajonit në zvogëlim të varësisë, qoftë përmes gazit të lëngshëm natyror, apo përmes energjisë së ripërtrishme, aq më shpejt do të mund ta luftojmë ndikimin rus në rajon”.

    Ai e ka përmendur edhe ndikimin që synon ta shtrijë Kina përmes investimeve.

    “Ne ofrojmë alternativa për të ndërtuar qëndrueshmëri kundër këtyre ndikimeve”, ka thënë mes tjerash Escobar.

    Duke e përshkruar situatën në Malin e Zi, Escobar ka thënë se është rikthyer momentumi drejt të ardhmes evropiane së këtij vendi.

    Ai ka vlerësuar se zgjedhjet e fundit presidenciale dhe parlamentare kanë qenë të lira, paqësore dhe se votuesve u janë ofruar mjaft zgjedhje.

    “Rezultati e ka forcuar synimin e Malit të Zi drejt integrimit dhe reformave që do të mundësojnë përparim”.

    Për Bosnje – Hercegovinën
    Escobar ka thënë se presidenti i entitetit të Republikës Sërpska në Bosnje – Hercegovinë, Millorad Dodik, vazhdon të jetë i fokusuar në shpërbërjen e Marrëveshjes së Dejtonit dhe kushtetutës së shtetit.

    Marrëveshja e Dejtonit i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990.

    “Veprimet e vazhdueshme anti-demokratike të Dodikut kërcënojnë stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e shtetit dhe gjithë rajonit”, ka thënë ai.

    Escobar ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojë t’i vëzhgojë këto veprime dhe të kërkojë llogaridhënie nga të gjithë ata që e dëmtojnë Marrëveshjen e Dejtonit apo që e kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës.

    Dodik është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.

    Escobar i ka bërë këto deklarata në kohën kur Bosnja po përballet me një sërë krizash politike.

    Së fundi, Qeveria e Republikës Sërpska ka miratuar ligje për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe që të mos i publikojë vendimet e Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare./REL

  • Engel kritikon ShBA-në: Stop bullizimit të Kosovës, qasja e butë me Serbinë s’po funksionon

    Engel kritikon ShBA-në: Stop bullizimit të Kosovës, qasja e butë me Serbinë s’po funksionon

    Eliot Engel është një nga figurat më të njohura amerikanë në Kosovë, për shkak të angazhimit disa dekadash për Kosovën në Uashington.

    Ish-kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ka shkruar një artikull të gjatë në lidhje me Kosovën, Serbinë dhe marrëdhënien mes Kosovës dhe ShBA-së, ku ka kritikuar ashpër Administratën Biden.

    Në artikullin e titulluar “ShBA-ja duhet të qëndrojë me Kosovën”, Engell, politikan demokrat, shkruan që në hyrje se dëshira e ShBA-së për stabilitet në Ballkan e ka tejkaluar mbështetjen e saj për demokracinë, rendin dhe ligjin dhe luftën kundër korrupsionit. Në shkrimin e tij, z. Engell thekson se ka shqetësime për trajtimin që Administrata Biden ka ndaj Kosovës dhe Serbisë.

    “Por, megjithëse në përgjithësi mbështes atë që po bën administrata e Presidentit Joe Biden brenda dhe jashtë vendit, kam shqetësime për trajtimin e mosmarrëveshjes së vazhdueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga Departamenti i Shtetit.” – shkruan ai për revistën e njohur amerikane, Foreign Policy.

    Në fakt, Engel e kritikon Departamentin e Shtetit, duke shkruar se kohët e fundit ky dikaster i rëndësishëm është “dukur më pak i gatshëm për të mbështetur ushtrimin e sovranitetit të Kosovës në gjithë territorin e saj”.

    “Kur Kosova u përpoq që të gjithë qytetarët e saj, përfshirë serbët etnikë në veri, të përdorin targat e saj dhe jo ato të Serbisë, Departamenti i Shtetit kritikoi ashpër Kosovën. Kur Kosova kërkoi të kishte kryetarë komunash të zgjedhur siç duhet, të cilët ishin shqiptarë etnikë për shkak se serbët etnikë bojkotuan votimin, e që të fillonin punën në zyrat e tyre në veri të Kosovës – një funksion themelor dhe normal i një qeverie demokratike – Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken “dënoi ashpër” republikën e re dhe dënoi vendin.” – shkruan Engel.

    Tutje, Engel i ka shtruar disa pyetje retorike, të cilës në fund edhe i është përgjigjur vetë.

    “A e dënoi Uashingtoni presidentin serb Aleksandar Vuçiq për presionin ndaj serbëve të Kosovës që të bojkotojnë zgjedhjet? Jo. A e dënoi grupin e vogël të serbëve që sulmuan Forcën e NATO-s në Kosovë, duke plagosur 30 paqeruajtës? Mezi — e dënoi dhunën, por nuk i përmendi sulmuesit. A e dënoi Serbinë për nxitjen e qytetarëve serbë etnikë të veriut të Kosovës që të refuzojë në mënyrë agresive përdorimin e targave të vendit ku ata jetojnë? Jo. A i ka dënuar ajo veprimet e Serbisë kundër shqiptarëve etnikë në Serbinë jugore, të cilat, sipas Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, përbëjnë “spastrim etnik përmes mjeteve administrative”? Përsëri, mezi, nëse fare.” – shkruan ai.

    Sipas Engel, që tash është jashtë politikës, ShBA-ja përveç se e ka lëmuar një bullizues gjysmë autokratik si Aleksandar Vuçiq, është bërë edhe vetë një bullizuese.

    “Me ngurrim kam arritur në përfundimin se në mosmarrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Uashingtoni ka lëmuar një bullizues gjysmë autokratik – Vuçiqin – dhe është bërë vetë një lloj bullizuesi, duke abuzuar dhe duke e frikësuar vendin më të vogël, më të cenueshëm, Kosovën. Është sjellje që është nën Shtetet e Bashkuara dhe është koha për të rivendosur qasjen.” – shkruan ai.

    Engel edhe ka dhënë përgjigjen e tij se pse po ngjan një gjë e tillë në raportet mes Kosovës, Serbisë dhe ShBA-së.

    “Unë besoj se në dritën e luftës në Ukrainë, dëshira e Uashingtonit për stabilitet në Ballkan ka tejkaluar mbështetjen e tij për demokracinë, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin. Presidenti amerikan meriton një meritë të madhe për mënyrën se si administrata e tij po udhëheq Perëndimin në mbështetje të Ukrainës. Por dëshira e tij e zjarrtë për të ruajtur stabilitetin në Evropë ka shtrembëruar pikëpamjen e administratës së tij për konfliktin e gjatë midis Serbisë dhe Kosovës. Uashingtoni tani po e qetëson Vuçiqin në një përpjekje për të ulur tendencat e tij ndezëse.” – shkruan ai.

    Ai e ka kritikuar administratën e Bidenit se po e bllokon Prishtinën nga frika se Beogradi mund të ndezë flakët nacionaliste.

    “Por tani, administrata e Bidenit duhet të mbështesë Kosovën teksa ajo forcon demokracinë e saj dhe konsolidon sovranitetin. Në vend të kësaj, ajo po e bllokon Prishtinën nga frika se Beogradi gjysmë-autokratik mund të ndezë flakët nacionaliste dhe t’i vërë flakën fuçisë së barutit që ka kultivuar në veri të Kosovës.” – shkruan ai.

    Ai ka theksuar se duhet ndryshuar kursi i ShBA-së, pasi qasja e butë ndaj Serbisë nuk po funskionon.

    “Në ndërkohë, qasja e butë ndaj Serbisë nuk po funksionon dhe është koha për të ndryshuar kursin. Administrata Biden ndërmori hapin e parë në këtë drejtim javën e kaluar, kur Departamenti i Thesarit vendosi sanksione ndaj shefit të spiunazhit të Serbisë, Aleksandar Vulin, për shkak të “korrupsionit të avancuar … duke përfshirë përfshirjen në një rrjet të trafikut të drogës” dhe duke përdorur “pozitat e tij publike për të mbështetur Rusinë, duke lehtësuar aktivitetet keqdashëse të Rusisë që degradojnë sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”. Por këto aktivitete kanë vazhduar në të gjithë qeverinë serbe për vite me radhë, dhe është koha për të bërë një shkëputje të vërtetë me të kaluarën.” – shkruan ai.

    Në fund, ai i ka kërkuar që ShBA-ja të ndalojë “bullizimin” e Kosovës.

    “Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin demokracinë, sundimin e ligjit dhe shtypin e lirë, si dhe të kundërshtojnë korrupsionin. Ato veçori janë në rënie në Serbi, por janë në rritje në Kosovë. I bëj thirrje administratës së Bidenit që t’i kthehet bazamentit: Rifokusimi në vlerat e ShBA-së dhe ndalimi i bullizimit të Kosovës. Dhe ajo duhet të ribalancojë politikën e saj në Ballkan për të mbështetur ata që i përqafojnë ato prioritete dhe të jenë të zëshëm kundër atyre që nuk i përqafojnë.” – përfundon Engel në shkrimin e tij.