ATV

Author: ATVLive

  • Gjobitja e lokaleve me zë të lartë të muzikës në Prishtinë- vjen paralajmërimi i fundit

    Gjobitja e lokaleve me zë të lartë të muzikës në Prishtinë- vjen paralajmërimi i fundit

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga muaji gusht i këtij viti do të fillojë zbatimi i masave ndëshkuese për të gjitha lokalet që nuk respektojnë decibelët e lejuar për nivelin e zërit të muzikës.

    Këtë njoftim, Komuna e Prishtinës e ka bërë në llogarinë e saj në Facebook.

    “Sot u mbajt takim i frytshëm në mes Drejtorisë së Inspeksionit, zyrtarëve të Komunës së Prishtinës dhe anëtarëve të Shoqatës së Gastronomëve, ku kanë diskutuar për zbatimin sa më të lehtë dhe të mirë të rregullores për ndotjen akustike”, thuhet në njoftim.

  • ZRrE në mëdyshje, pyet Kushtetuesen për kompensimin e qytetarëve për rrymën e shpenzuar në veri

    ZRrE në mëdyshje, pyet Kushtetuesen për kompensimin e qytetarëve për rrymën e shpenzuar në veri

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me aktgjykimin e Supremes, përmes së cilit iu dha të drejtë qytetarëve për të kërkuar kompensim për faturimin që u është bërë për disa vite për rrymën e shpenzuar në katër komunat veriore. Nga ky institucion thonë se po presin sqarimet nga Kushtetuesja se si të veprojnë, saktësisht për formën se si do të kompensohen qytetarët.

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk po e ka të qartë se si ta obligoj Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, që t’i kompensojë qytetarët për faturimin që u është bërë me vite për rrymën e shpenzuar në katër komunat veriore të vendit.

    Për Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, e cila u dha të drejtë qytetarëve që të kërkojnë kompensim, ZRRE i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

    Nga ZRRE i kanë thënë Gazetës Express se kanë kërkuar nga Kushtetuesja sqarime se si duhet të veprohet në këtë rast, meqë në Aktgjykim vetëm kërkohet nga ZRRE që të ndërmerr veprime për ta obliguar Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes që të bëj kthimin e shumës së faturuar, por nuk specifikohet forma e mënyra.

    “ZRRE, pas pranimit të Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, brenda afateve ligjore ka parashtruar kërkesë pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës me datë. 24.05.2023, duke kërkuar nga Gjykata që të jepen sqarime se si duhet të veprohet në rastin konkret, marr për bazë se me Aktgjykimin në fjalë është kërkuar nga ZRRE që të ndërmerr veprime (pa e specifikuar formën, e as mënyrën), që ta obligoj Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, që të bëj kthimin e shumës së faturuar”, kanë deklaruar nga ky institucion.

    Ky institucion thotë se është njoftuar nga Kushtetuesja në qershor se është regjistruar rasti dhe se janë në pritje të shqyrtimit nga Gjykata. Sapo të merret vendimi nga Kushtetuesja, ZRRE thotë se do t’i zbatojë në tërësi detyrimet ligjore dhe Kushtetuese sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

    Zbatimi i këtij vendimi thonë se fillimisht ka qenë obligim i KEK’ut, por se me rastin e privatizimit ky obligim ka kaluar te KEDS. Pas ndryshimit të legjislacionit të sektorit të energjisë, ZRRE thotë se tash ky obligim ka kaluar te KOSTT.

    “Po ashtu ju informojmë se zbatimin e vendimit V_399_2012 fillimisht e ka pasur për obligim KEK sh.a. me aktivitetin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, pastaj me rastin e privatizimit ky obligim ka kaluar te KEDS, si dhe me ndryshimet ligjore të legjislacionit të sektorit të energjisë ky obligim ka kaluar te KOSTT. Prandaj, krejt këto që i theksuam më lartë, kërkojnë qartësim ligjor dhe procedural për të ndërmarr veprime ligjore, dhe me rastin e marrjes së vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese, ZRRE do ti zbatoj në tërësi detyrimet ligjore dhe Kushtetuese sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e ZRRE’së për Express.

    Gjykata Supreme u ka dhënë të drejtë qytetarëve që të kërkojnë kompensim për faturimin që u është bërë për disa vite për rrymën e shpenzuar në katër komunat veriore, duke refuzuar kështu kërkesën e ZRRE’së.

    Sipas Aktgjykimit të Supreme, ata kanë të drejtë për kthimin e këtyre mjeteve. Pretendimet lidhur me arsyetimin e mos inkasimit në këto komuna me shkaqe sigurie dhe mos pasjes qasje në leximin e njehsorëve në atë pjesë, Supremja i ka konsideruar si të paqëndrueshme.

    “Prandaj, nuk janë të qëndrueshme pretendimet lidhur me arsyetimin e mos inkasimit në katër komunat e veriut me shkaqe sigurie dhe mos pasjes qasje në leximin e njehsorëve në atë pjesë, sepse nuk justifikohet që qytetarët tjerë për këto arsye të ngarkohen me pagesën e energjisë elektrike të harxhuar pa një bazë ligjore. Prandaj me këtë faturim dhe pagesë është bërë trajtim jo i barabartë i qytetarëve të Kosovës, e që bie ndesh me nenin 55 par. 4, të Kushtetutës, trajtim i pabarabartë, të cituar si në aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta, sepse është bërë kufizim i të drejtave të njeriut. Andaj bazuar në nenin 194 të LMD, konsumatorët, të cilët pa bazë ligjore dhe pa dijeninë e tyre janë faturuar dhe kanë paguar për energjinë e shpenzuar në veri, u lindë e drejta për kthimin e shumës së paguar si kanë vendosur gjykatat e instancave më të ulëta”, ka njoftuar Supremja.

    Ndryshe, rrymën që kanë shpenzuar qytetarët në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, e kanë paguar qytetarët e pjesëve të tjera të vendit, për18 vjet me radhë.

    Refuzimi për të paguar rrymën ka ardhur si pasojë e mosbindjes qytetare por edhe ndikimit të strukturave të ndryshme në veri, që kanë operuar nën dirigjimin e Serbisë.

    Për t’i shlyer këto borxhe, qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës, kanë paguar fatura për 3.5 përqind më të shtrenjta.

    Nga viti 2017 e këndej, për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka kaluar përgjegjësinë e pagesës te institucionet e vendit. Po atë vit, Gjykata e Apelit ka kërkuar që konsumatorët që kanë paguar rrymën e shpenzuar në veri për 18 vjet, të kompensohen.

    Më 18 prill, Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën e ZRRE’së që të rishshyrtohet aktgjykimi i Apelit, duke thënë se konsumatorëve duhet t’u rikthehen mjetet.

    Në një postim të bërë në shkurt të këtij viti, Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se se që nga viti 1999, për shkak të veprimeve të Serbisë, Kosova ka humbur mbi 300 milionë euro nga faturat e rrymës dhe ujit që serbët në veri nuk kanë paguar.

    Kurti tha se për mospagesën e faturave në veri nuk kanë faj serbët që jetojnë atje, por ai për këtë fajësoi “strukturat paralele të kontrolluara nga Serbia”.

    “Që nga viti 1999, Kosova ka humbur mbi 300 milionë euro për shkak të veprimeve të Serbisë, sikurse janë mbajtja e tarifave të transmisionit dhe detyrimi i tregtarëve që të paguajnë TVSH-në te Serbia për tregtinë tonë të energjisë elektrike. Edhe tani, refuzimi i Beogradit për të lejuar tregtinë Kosovë-Serbi, i kushton Kosovës deri në 10 milionë euro në muaj”, kishte shkruar Kurti.

  • ​Kryenegociatorët e dialogut në Bruksel, ende nuk dihet nëse do të ketë takim trepalësh

    ​Kryenegociatorët e dialogut në Bruksel, ende nuk dihet nëse do të ketë takim trepalësh

    Sot kur në Bruksel po mbahen takimet e nivelit të kryenegociatorëve, ende nuk dihet nëse do të ketë një takim trepalësh.

    Emisari evropian Miroslav Lajçak ka takuar fillimisht kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.

    Deri tash dihet se Lajçak dhe zëvendëskryeministri Bsnik Bislimi janë takuar, dhe se bisedimet po vazhdojnë, shkruan KosovaPress.

    Ndërsa, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë të martën se i dërguari për dialogun, Miroslav Lajçak, do të presë në takim kryenegociatorët nga të dyja palët.

    “Fokusi do të jetë tek implementimi i marrëveshjes së 27 shkurtit [Marrëveshja Bazë] dhe hapat për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës”, ka shkruar ai në Twitter.

    KosovaPress i ka dërguar pyetje zëdhënësit të BE-së për takimet e sotme, dhe është në pritje të një përgjigjeje.

    Marrëveshja për shtensionimin e situatës në veri u arrit më 10 korrik në Bratisllavë të Sllovaksië, në takimin që kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi zhvilloi me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

    Janë katër hapa që për dy javë duhet të përfundojnë mes Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

    Pika e parë dhe pika e dytë kanë filluar të zbatohen javën e kaluar, ajo e zvogëlimit të pranisë policore për 25 për qind në dhe rreth ndërtesave komunale dhe ajo, ku Policia e Kosovës bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in të vlerësojnë gjendjen e sigurisë, “në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale”.

  • ​Berisha: Prokurori Rasim Maloku ka abuzuar me detyrën për arrestimin tim

    ​Berisha: Prokurori Rasim Maloku ka abuzuar me detyrën për arrestimin tim

    Avokati Besnik Berisha, e ka quajtur arbitrar dhe skandaloz arrestimin e tij që u bë ditë më parë, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Ushtrimi i ndikimit”, “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave” dhe “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”.

    Ai ka akuzuar prokurorin e shtetit Rasim Maloku se e ka arrestuar duke manipuluar provat, sipas tij për shkak të kritikave ndaj pushtetit dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Megjithatë, avokati Berisha nuk paraqiti prova për këto pretendime të tij, pasi tha se fillimisht do të pres padinë e paralajmëruar nga ana e ministres Haxhiu ndaj tij.

    “Besnik Berisha nuk ka kryer asnjë krim. Besnik Berisha është sanksionuar për një emision televiziv që e ka goditur pushtetin për një skandal që e keni dëgjuar edhe vet. Është një betejë e pushtetit që mundohet të maskojë embargon që është duke përjetuar dhe që unë e kam denoncuar. Kjo ka parapri të nesërmen me një marrje të një urdhërese të një bastisje të njërës nga pronat e mija. Ku filloi kundërligjshmëria, e para prokurori i çështjesh me epitetet që unë i kam dhënë nuk ka pasur të drejtë të urdhëroj arrestimin tim, pasi veprimin që ai më pandeh mua padrejtësisht dhe kundërligjshëm, janë detyrat e mia të avokatit”, tha ai në konferencë për medie të mërkurën, transmeton KP.

    Ai paraqiti edhe kërcënimet që ia ka bërë prokurorit Maloku, por sipas tij të njëjtat do të jenë vetëm në kuadrin e veprimeve ligjore.

    Siç thotë ai nuk ka asnjë provë që dëshmon se ka pranuar 20 mijë euro nga disa klientë të tij për ushtrim të ndikimit.

    “Prokurorin e kam kërcënuar në çdo formë dhe mënyrë. Por ia kam bërë me dije se kërcënimet e mia janë se unë do të marrë veprime të ligjshme. Unë nuk jam ai që merrem me ty se t’i nuk meriton të merrem me ty. Madje i kam thënë se pse i harxhon para publikut për mbrojtje të afërt, pasi juve nuk iu prek askush. Për sigurinë tonë juridike 120 deputetë të Kuvendit kanë votuar Kushtetutën dhe ligjin, s’kemi nevojë të marrim drejtësinë në duar tona. Por kemi nevojë që mos të heshtim dhe të shpërfaqim arbitraritetin kurdo dhe ndaj kujtdo. Ky prokuror meqenëse asnjë nga pyetjet nuk arrita të kuptoj pse unë jam privuar nga liria, përveç se a e njeh personin x apo y. Unë e kuptova se unë jam para tij për shkak të urdhrit, inateve personale dhe bindjeve të mija dhe kritikave publike ndaj ministres dhe vet prokurorinë… Rasim Maloku është i shantazhuar çdo ditë dhe ju e dini sa urdhëresa i ka nxjerrë për disa njerëz, që më pas është detyruar t’i shfuqizojë ato. Ky është edhe shantazhues, i kam treguar edhe arsyet, mos mendoni që po tërhiqem”, shtoi ai.

    Avokati Berisha e denoncoi prokurorin Rasim Maloku për abuzim me detyrën zyrtare, derisa i bëri thirrje kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi që të arrestojë prokurorin Maloku ose atë për deklarim të rrejshëm.

    “Kjo është ftesë publike e kryeprokurorit të shtetit ose të më arrestojë mua prapë për lajmërim të rrejshëm. Pasi unë po bëjë lajmërim se Rasim Maloku ka kryer krim, ose të arrestojë Rasimin për abuzim me detyrën e tij”, theksoi Berisha.

    I pyetur nga gazetarët, avokati Berisha, foli edhe për deklarimin e ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu se do të ushtrojë padi ndaj tij për shpifje dhe fyerje.

    “Unë kam prova që ky i përkëdhelur (Rasim Maloku) i pushtetit në prezencën e shumë figurave të shquara të drejtësisë është rrah krahëve dhe është marrë si një prokuror që ka një mandat për të arrestuar njerëz, përfshirë edhe figurën time. Tash ministrja Haxhiu ka paralajmëruar padi, nuk e di a ka për shkak të shpifjes apo fyerjes. Nëse ajo e konsideron fyerje që unë e quaj të padijshme, ajo nuk din asgjë. Nuk merr vesh në drejtësi”, tha ai.

    Ndërkaq, nënvizoi se ai vazhdon të jetë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, përkundër thirrjeve nga zyrtari i lartë i PDK-së, Sami Lushtaku për t’iu bashkuar kësaj partie.

    “Partia ime është LDK-ja. Unë jam në LDK dhe kam kryer shërbime si këshilltar i ish kryeministrit dhe vazhdoj të kryej edhe sot. Jam anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, kam pas oferta nga kryetari aktual për t’iu bashkangjitur në hierarkinë e partisë, por për shkak se jam i “martuar” me profesionin tim të avokatit, partia mbetet LDK-ja, profesioni mbetet avokati”, përfundoi ai.

    Avokati Berisha është liruar me datën 16 korrik me vendim të Gjykatës, pas arrestimit të tij për dyshimet se ka kryer veprën penale ushtrim të ndikimit.

  • ​MPJD reagon ndaj Berishës: Për shpifjet e akuzat e rënda do të ketë proces tjetër gjyqësor

    ​MPJD reagon ndaj Berishës: Për shpifjet e akuzat e rënda do të ketë proces tjetër gjyqësor

    Genc Nimoni, shef i kabinetit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas deklaratave të sotme të avokatit Besnik Berisha, i cili e ka akuzuar prokurorin e shtetit Rasim Malokun se e ka arrestuar duke manipuluar provat, sipas tij, për shkak të kritikave ndaj pushtetit dhe ministres së Drejtësisë.

    Nimoni ka potencuar se në dy ditët e fundit, janë thënë shumë të pavërteta dhe akuzave të rënda në drejtim të ministrisë dhe ministres Haxhiu.

    “Kur shpifjet dhe akuzat mbesin argument kryesor. Dhe ende më keq, kur kjo bëhet nga të dyshuar të Prokurorisë për vepra penale. Dy ditët e fundit, jemi dëshmitarë të shumë të pavërtetave dhe akuzave të rënda në drejtim të Ministrisë dhe Ministres Haxhiu. Kjo bëhet në studio televizive dhe hapësirë publike, duke mos kursyer fjalët më shpifëse dhe ofenduese, e të cilat bien në kundërshtim edhe me etiken dhe sjelljen profesionale të cilën do të duhej ta kishte një avokat. Për çdo keqardhje niveli dhe gjuha e tillë. Madje shqetësuese ishin edhe deklarimet të cilat shkonin deri në nivel kërcënimi për zyrtarë shtetëror.”, ka shkruar ai.

    Sipas tij, edhepse po tentohet t’i jepet konotacion politik, rasti nuk është i tillë – politik, “ndonëse personi në fjalë ka pasur angazhim e të kaluar politike dhe mbase avokon për subjekt të caktuar politik”.

    “Ministria e Drejtësisë qëndron larg dhe e papërlyer në këtë rast që do të duhej zhvilluar normalisht dhe profesionalisht në Gjykatë. Nuk është aspak në rregull që veprimet dyshuese inkriminuese, të cilat duhet zbardhur në një proces fer dhe të drejt gjykimi, të arsyetohen me gjuhen dhe konotacionin politik, supozues dhe ofendues.”, ka shkruar ai, duke shtuar se beteja është ligjore me organet e drejtësisë, jo politike me Ministren për raste të tilla.

    “As që bëhet fjalë se liria e shprehjes, për këdo, është e garantuar, për çka, fort është punuar. Mirëpo kur kjo kalon në nivel ofendimi e shpifje, e besa edhe kërcënimi ndaj zyrtarëve shtetëror, atëherë kjo mbetet punë për organet përgjegjëse, njëjtë siç do të duhej të ishte zbardhja e dyshimeve të përmendura për këtë rast. Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar në mandatin e saj, pa u përfshirë në procese të tilla të cilat i takojnë organeve të tjera. Ndërsa për shpifjet dhe akuzat e rënda, do të ketë një proces tjetër gjyqësor.”, ka shkruar tutje ai.

  • Profesori Bekim Bejta jep dorëheqje nga Universiteti i Prishtinës

    Profesori Bekim Bejta jep dorëheqje nga Universiteti i Prishtinës

    Profesori Bekim Bejta, ligjërues në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij.

    Në një letër drejtuar Senatit të UP-së, Bejta ka thënë se nga sot (19 korrik) lë vendin e punës në UP.

    “Unë, Bekim Bejta, profesor dhe hulumtues shkencor i Universitetit të Poitiers, Francë, po ju njoftoj që nga dita e sotme, nuk jam më profesor i Universitetit të Prishtinës. Domethënë unë po e braktisi (lë, lëshoj) këtë vend pune”, ka shkruar ai në njoftimin për dorëheqje.

    Bejta në prill të këtij viti është suspenduar nga procesi mësimor dhe nga të gjitha aktivitetet akademike në UP, për shkak të shkeljeve të vazhdueshme disiplinore të denoncuara nga studentët.

    Në fund të muajit mars të këtij viti në media është publikuar një audio-incizim në të cilin dëgjohet profesori Bejta duke iu drejtuar një studenteje në gjuhë denigruese.

  • Rrëzohet një aeroplan turistësh në Ulqin

    Rrëzohet një aeroplan turistësh në Ulqin

    Dy persona kanë mbetur të lënduar nga rrëzimi i aeroplanit në lagjen Shtoj të Ulqinit.

    Këtë e kanë konfirmuar për “Vijesti” nga Qendra Operative dhe Komunikuese e Drejtorisë së Policisë.

    Një person ka marrë plagë të rënda dhe një të lehtë.

    Sipas informacioneve të Televizionit Vijesti, ka mbetur i plagosur piloti dhe një person tjetër që ndodhej me të në avionin e vogël turistik.

    Televizioni Vijesti ka mësuar se i plagosuri rëndë është jashtë rrezikut për jetën.

    Avioni që u rrëzua po çonte turistët në një turne ajror të përditshëm në bregdetin e Ulqinit.

  • ​Mbrojtja e Thaçit përfundon kundra-pyetjet për oficerin britanik

    ​Mbrojtja e Thaçit përfundon kundra-pyetjet për oficerin britanik

    Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve edhe sot vazhdoi intervistimi i oficerit të inteligjencës britanike, Francis Ledwidge, i cili ka shërbyer gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

    Në vazhdën e marrjes në pyetje nga mbrojtja e Hashim Thaçi, oficeri britanik foli për dëbimet e shqiptarëve nga forcat serbe, derisa theksoi se edhe ai për një periudhë ishte zhvendosur në Shqipëri.

    Avokati, Kehoe pyeti dëshmitarin nëse konsideron se pas masakrës së Reçakut ishte situatë kaotike në terren, më pas dëshmitari i 14-të i ZPS-së tha se kjo situata ishte kaotike që nga momentin kur ata kishin arritur në Rahovec.

    Kehoe: A do të ishte e drejtë të thuhet se pas Reçakut gjërat u bënë shumë kaotike si në terren dhe u bënë edhe shumë të vështira për juve që duhet edhe të raportonit?

    Ledwidge: Gjërat ishin kaotike që nga momenti që ne mbërritëm në Rahovec të paktën flas për ekipin tonë, që prej ditës së parë ne kemi shumë të zënë me punë që nga lindja e diellit derisa perëndonte e kishim të pamundur që të punonin ndryshe, që nga momenti që kemi arritur ka pasur incidente të posaçme, incidente konkrete, vrasje, të shtëna shkelje të të drejtave të njeriut arrestime kemi gjetur njerëz të vdekur si dhe kishim edhe punën e përditshme të patrullimit.

    Teksa u pyet për një raport të OSBE që flet për dëbimet e popullatës shqiptare nga forcat serbe, dëshmitari, Ledwidge u shpreh se edhe ai me sytë e tij i kishte parë disa prej tyre.

    Kehoe: Mendoj se ju njerëzit e OSBE dhe në librin ashtu që është parë e thoni këtë se në periudhën nga marsi-qershor 1999 ish-jugosllavia forcat serbe dëbuan rreth 8063 mijë shqiptarë të Kosovës nga Kosova….dhe më pas në këtë dokument thoni se 80% e popullsisë shqipare rreth 1.4 milionë njerëz janë zhvendosur nga zonat e konfliktit deri në qershor 1999 a ka ndonjë arsye që t’i vini në pikëpyetje statistikat e OSBE në këtë libër

    Ledwidge: Jo përkundrazi e konfirmoj këtë ekipet tona pas dëbimit janë zhvendosur në Shqipëri unë vetë kam qenë njëri prej këtyre personave këto janë fakte të vërteta dhe që i pranoj plotësisht

    Kehoe: Duke filluar në shkurt e duke vazhduar mars prill e me radhë popullsia shqiptare e Kosovës është dëbuar me forcë nga forcat serbe qofshin ato ushtarake, policia apo para ushtarake apo paramilitarët

    Ledwidge: Po disa prej tyre i kam parë me sytë e mi

    Më pas, Kehoe parashtroi disa pyetje dhe rreth operacionit të forcave serbe në fshatin Bellacerk, Krushë e Madhe e Krushë e Vogël, që forcat serbe zhvilluan pas bombardimeve të NATO-së.

    Kurse, dëshmitari i ZPS-së u shpreh se nuk i kundërshton mizoritë që kanë bërë forcat serbe karshi popullatës shqiptare.

    Kehoe: Një pjesë e kohës e punës ishte kaluar duke u marrë me shqiptarët e zhdukur dhe të vdekur dhe në paragrafin 16 përsëri thoni që arsyeja për këtë ishte se ata ishin në numër shumë më të madh shqiptarët rreth 7 mijë shqiptarë të zhdukur shqiptarë të Kosovës

    Ledwidge: Po rreth 1 mijë serbë të zhdukur që përfaqësojnë statistikisht ndoshta një proporcion më të lartë por nuk kundërshtoj mizoritë që janë kryer vrasjet në masë nga forca serbe disa element të UÇK kanë bërë të njëjtë gjë

    Kehoe: Nuk prisja që të thonit nga ju një gjë të tillë, por po iu them se ka pas shumë më shumë shqiptar të Kosovës dhe ju si OSBE është dashur që t’i kushtoni shumë më shumë kohë për të kërkuar këta persona të zhdukur

    Ledwidge: Në cilën periudhë kohore në misionin tonë disa më vonë mund të them se në dy periudha kohore para bombardimit dhe gjatë bombardimit dhe pas bombardimit kështu ka qenë saktësisht, sepse siç e thatë edhe ju numri i personave të vrarë nga autoritetet serbe ishte më i madh se sa numri i vrarë nga UÇK

    Oficeri ushtarak britanik, i cili po dëshmon në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve theksoi se pas periudhës së konfliktit ka pas prani të krimit të organizuar

    Kjo përgjigje e Ledwidge rrodhi pas pyetjes së bëri nga avokati Kehoe pasi lexoi edhe një raport të OSBE-së.

    Kehoe: Në periudhën pas konfliktit në Prizren dhe zonat tjera ku keni qenë ka ekzistuar një element i bandave kriminale që ekzistojnë aty

    Ledwidge: Natyrisht

    Kehoe: Në të njëjtën mënyrë ka ekzistuar një element që vinte nga Shqipëria që përfitonte nga situata rrëmujë në Kosovë pas konfliktit

    Ledwidge: Them sigurisht, sepse përvoja ime lidhur me këtë pikë me kthimin tonë nga Shqipëria…kam vërejtur dëgjuar pretendime të vajzave të reja që merreshin për qëllime të trafikimit me qenie njerëzore nga trafikant shqiptar, ashtu siç shefi i inteligjencës së UÇK në zonën tonë nuk i interesonte kjo gjë, UÇK në zonat pas konfliktit siç është rasti në Kosovë keni gjithmonë praninë e krimit të organizuar që përfiton nga kaosi dhe situata dhe ka pas dyshime për vrasje në seri jashtë elementit politik…besoj që krimi i organizuar ka qenë një karakteristik përpara konfliktit e kam fjalën para bombardimeve të NATO kjo ka qenë e dominuar nga bandat serbe në bashkëpunim me shqiptar, pastaj kanë vazhduar duke përfituar nga mungesa e rendit dhe ligjit dhe kaosi vazhdon deri sot

    Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe vazhdoi me pyetje për dëshmitarin e ZPS-së lidhur me atë se a ishte ai në dijeni për deklaratat e Thaçit përmes të cilave këshillonte shqiptarët për ndërprerje të dhunës dhe promovonte Kosovë ndër etnike.

    Më pas, dëshmitari u shpreh se nuk i kujtohet të ketë dëgjuar për këto deklarata dhe raportimet e tij për këtë çështje mund të kenë ndodhur bazuar në raportimet nga takimet.

    Ledwidge: Nuk i kam ndjek deklaratat e Thaçit për medie

    Kehoe: Po a ishit në dijeni të faktit që zotëri Thaçi po e bënte këtë

    Ledwidge: Nuk më kujtohet të kem qenë në dijeni të kësaj apo të asaj, sepse ne kishim punë të përditshme

    Kehoe: Në përmbledhjen e Prokurorisë ju thoni se rreth nëntorit 1999 ju zotëri Ledwidge ikishit dëgjua nga shumë njerëz që Thaçi kishte bërë një fjalim në një tubim në Rahovec ku kishte deklaruar se koha kur flitet serbishtja ka përfunduar..10’51Ju thatë zotëri Ledwidge se ju nuk dini asgjë rreth deklaratave të Thaçit

    Ledwidge: Unë nuk e thash këtë, unë thash se nuk i kam ndjekur komentet deklaratat e zotërit Thaçi në medie ndoshta më është raportuar në takimet tona me njerëzit nga medie në lidhje me këto deklarata mirëpo këto deklarata të politikave nuk ishin pjesa kryesore e punës tonë

    Kehoe: Domethënë nuk iu kujtohen këto komente që ka bërë Thaçi në medie në Kosovë para popullit të Kosovës

    Ledwidge: Po ashtu e thash që nuk më kujtohet qoftë kështu apo ashtu

    Tutje, mbrojtja e Thaçi ka vazhduar tutje ta pyes dëshmitarin e ZPS-së se ishte në dijeni për një vizitë në korrik të Thaçit në Mitrovicë për të qetësuar dhunën atje. Më pas, dëshmitari tha se atë kohë nuk ishte në dijeni po javën që shkoi lexoi për këtë gjë.

    E pas insistimit të avokatit të Thaçit, Kehoe rreth asaj se dëshmitari a e kishte dëgjuar deklaratën e Thaçit se kishte thënë se ka përfunduar koha kur flitet serbishtja, oficeri i inteligjencës britanike, Francis Ledwidge ritheksoi se nuk ka qenë i pranishëm kur është bërë ajo deklaratë nga ish-presidenti, Hashim Thaçi.

    Siç u shpreh ai puna e tij ishte të gjente njerëzit e zhdukur dhe të trajtonte shkeljet e të drejtave të njeriut.

    Ledwidge: Nuk e kam dëgjuar atë deklaratë, puna ime ishte të gjeja njerëzit e zhdukur

    “Puna ime ishte të gjeja njerëzit e zhdukur dhe të trajtoja çështje e shkeljeve të të drejtave të njeriut, mendoj se nuk kam dëgjuar në atë kohë ishte posaçërisht e vështirë për ata që nuk ishin shqiptar të dalin në rrugë të Prizrenit dhe për këtë edhe në Rahovec dhe siç thash ishte diku rreth apo në Ditën e Flamurit mund edhe mos të ketë qenë, por unë nuk kam qenë i pranishëm kur është bërë ajo deklaratë’”, u shpreh ai.

    Më pas, kundra-pyetjet i vazhdoi mbrojtja e Kadri Veselit.

    Ndryshe, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë të pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit gjatë seancës së sotme.

    Oficeri ushtarak britanik, Francis Ledwidge dëshminë e tij para Speciales e nisi gjatë seancës së djeshme, kur ndaj tij parashtroi pyetje ZPS, ndërsa mbrojtja e viktimave nuk kishte pyetje për dëshmitarin e 14-të në rastin Thaçi dhe të tjerët.

    Gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse, ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./KP

  • RLIOF gati për Gala Mbrëmjen ‘Rame & Friends’

    RLIOF gati për Gala Mbrëmjen ‘Rame & Friends’

    Mos e lëshoni rastin të përjetoni emocione të paharrueshme… Gala Mbrëmja ‘Rame Lahaj&Friends’ ndalet edhe një herë në zemër të Prishtinës, me yjet e operas.

    Programi qëndror i edicionit të 3-të festivalit ndërkombëtar ‘Rame Lahaj’ risjellë para publikut tenorin kosovar të skenave botërore, nën shoqërinë e miqve të tij si: soprano e njohur Yulia Suleimanova, tenori Alessandro Safina e baritoni Massimo Cavalleti.

    Nën dirigjimin e Pier Giorgio Morandi, shoqëruar nga Filharmonia e Kosovës, ju presim në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, në një natë magjike!

    Gala Mbrëmja “Rame Lahaj & Friends” nis rrugëtimin e pesë netve muzikore të Festivalit Ndërkombëtar të Operas.

    Biletat për Gala Night Rame Lahaj & Friends po shiten shumë shpejt! Edhe 4 ditë na ndajnë nga koncerti. Siguroje biletën tënde këtu: https://www.rave-travel.com/tickets-en.nspx?eventid=2616 dhe pikat fizike të shitjes.

  • ShBA pritet të lejojë Kosovën në stërvitjet ushtarake me forcat e NATO-s

    ShBA pritet të lejojë Kosovën në stërvitjet ushtarake me forcat e NATO-s

    Projektligji vjetor i mbrojtjes i Senatit amerikan do të shtojë Kosovën në listën e vendeve të Europës Lindore që kualifikohen për trajnime ushtarake të ShBA-së në mes të tensioneve të rritura në Ballkan.

    Ky projektligj e lejon Kosovën të angazhohet në stërvitjet ushtarake të udhëhequra nga SHBA për të rritur ndërveprimin me forcat e NATO-s. Një gjë e tillë do t’i mundësonte Kosovës të merrte rimbursime për trajnime nëpërmjet stërvitjeve ushtarake shumëpalëshe me anëtarët e NATO-s dhe ato të Partneritetit për Paqe të NATO-s, një listë e vendeve që përfshin edhe Serbinë.

    Siç shkruan Defense News, kjo vjen si përpjekje për të thelluar lidhjet ushtarake Kosovë-SHBA pasi administrata e Biden dhe ligjvënës të shumtë kërkojnë të zbutin marrëdhëniet e përkeqësuara të Kosovës me Serbinë në mes të tensioneve në rritje.

    “Komiteti vlerëson përpjekjet e Departamentit të Mbrojtjes për të mbështetur Republikën e Kosovës ndërsa punon për të zhvilluar dhe përmirësuar forcat e saj të sigurisë kombëtare, veçanërisht përpjekjet për të rritur profesionalizimin, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe përforcimin e aftësisë së Kosovës për t’iu përgjigjur kërcënimeve të jashtme dhe hibride”, thuhet në një raport të komisionit shoqërues të projektligjit thuhet.

    Raporti thekson gjithashtu se Komiteti i Shërbimeve të Armatosura të Senatit “mbështet zgjerimin e bashkëpunimit të sigurisë kibernetike” me forcat e armatosura kosovare, duke udhëzuar Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin që të informojë Kongresin mbi përpjekjet për ta bërë këtë deri në fund të vitit.

    “Komiteti beson se Departamenti i Mbrojtjes duhet të identifikojë fushat për të çuar më tej bashkëpunimin ekzistues të sigurisë kibernetike dhe gjithashtu mundësi të reja për të forcuar partneritetin dypalësh”, thuhet në raport.

    Komisioni për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve mbajti një seancë dëgjimore për këtë çështje më 18 korrik, megjithëse ligjvënësit kanë qenë disi të ndryshëm në lidhje me presionin për të ushtruar ndaj Kosovës dhe Serbisë në mosmarrëveshje.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet Defender Europe 2023 në fund të majit që ishte pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës, pasi i refuzoi thirrjet e Uashingtonit që të shtensionojë situatën në veri.