ATV

Author: ATVLive

  • Vjosa Osmani: I përhershëm qoftë kujtimi për Haqif Mulliqin

    Vjosa Osmani: I përhershëm qoftë kujtimi për Haqif Mulliqin

    Presidentja Vjosa Osmani i ka shprehur ngushëllime familjes, komunitetit të gazetarëve dhe komunitetit kulturor për ndarjen nga jeta të gazetarit, profesorit e dramaturgut, Haqif Mulliqi.

    Ajo ka thënë se me dhimbje të thellë e ka pranuar lajmin për ndarjen e nga jeta të gazetarit, profesorit e dramaturgut, Haqif Mulliqi, raporton Klan Kosova.

    “Ai la gjurmë jo vetëm në fushën e gazetarisë, sferës akademike, por edhe në atë të dramaturgjisë, ndaj veprat e tij janë testament për brezat e ardhshëm. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, komunitetit kulturor dhe atij të gazetarëve”, ka shkruar ajo në Facebook.

    “Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Haqif Mulliqin”, ka thënë ajo tutje.

  • Telashe me regjistrimin e veturave

    Telashe me regjistrimin e veturave

    Veturën e shiti në 2003-tën. Por ajo i nxori problem 20 vjet pas, Fatmir Krasniqit nga Klina.

    Për shkak se atë kohë, nuk e kishte larguar pronësinë mbi veturën e shitur, ai mezi arriti ta regjistrojë veturën e re.

    “Unë kam shku në Pejë, sepse administrata e Klinës më ka thanë shko në Pejë. Kur kam shku atje, më kanë thanë se kjo veturë po figuron se është e shitur në Prizren, pastaj kam ardhur prapë në Klinë, mandej është dashur të pres edhe 3-4 ditë, derisa Prishtina e konfirmoi se është e shitur në Drenas dhe aty është gjetur pronari i saj edhe është shtyp në emrin tim”, tha Fatmir Krasniqi, qytetar.

    Ani pse të njëjtën veturë e posedon tash e 4 vjet, ai thotë se nuk pati problem më herët, por këto vështirësi i erdhën me vendimin e fundit të Agjencisë së Regjistrimit Civil, që specifikon se kushdo që ka në pronësi një veturë të paregjistruar, të mos mund ta regjistrojë një tjetër, pa e shpronësuar të vjetrën.

    “Për çdo vit d.m.th. e kam regjistruar të njëjtën veturë, që 4 vjet, edhe d.m.th. ajo veturë për 5 minuta është regjistruar në Klinë”, tha Fatmir Krasniqi, qytetar.

    Të njëjtin telash e pati edhe Mustafë Hoti, që nuk mundi ta regjistrojë veturën e re, derisa e largoi pronësinë nga ajo e vjetra.

    “I kam pasur dy vetura të regjistruara, por njërës i ka dalë regjistrimi dhe s’e kam përsëritur më regjistrimin dhe tash e kanë pru një rregullore që duhet me i dorëzu tabelat e asaj veture që s’është e regjistruar, përndryshe veturën tjetër s’mund ta regjistrosh”, tha Mustafë Hoti, qytetar.

    Por, krejt kjo është bërë me qëllim që të zvogëlohet numri i veturave që nuk kanë pronarë, pasi që vlerësohet se sjellin dëme të shumta.

    “Gjatë shfrytëzimit të dy veturave, ti po i ikën taksave, në anën tjetër kur shkakton aksident te fondi i kompensimeve te BSK-ja po ka ngarkesa për kompanitë e sigurimeve, dhe në përgjithësi ka edhe raste të kryerjes së veprave penale kur një veturë përdoret për qëllime tjera, tash ka raste ndoshta kur dikush ia shet veturën por nuk e di për çfarë qëllimi e ka”, tha Sami Mazreku nga Byroja Kosovare e Sigurimit.

    Nuk dihet numri i qytetarëve që kanë probleme të tilla, por brenda vitit, llogaritet që rreth 100 mijë veturave iu ndërrohet pronësia. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • “Ulja e prezencës së policisë në veri”, EULEX i pret ftesën për vlerësim të përbashkët

    “Ulja e prezencës së policisë në veri”, EULEX i pret ftesën për vlerësim të përbashkët

    EULEX-i është në pritje të ftesës për të bërë vlerësimin e përbashkët të situatës së sigurisë në veri të Kosovës dhe mundësinë e uljes së mëtejme të prezencës së policisë në dhe përreth ndërtesave komunale.

    Në një përgjigje për ATV-në, Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë lë të kuptohet se ende nuk është bërë vlerësimi i përbashkët – siç parasheh pika e dytë e dakordimit të 10 Korrikut, në Bratislavë, për hapat e parë për shtensionim të situatës në veri.

    “Sipas hapave të dakorduar, Kosova duhet të mbajë rregullisht vlerësime të përbashkëta me EULEX-in dhe me KFOR-in sipas rrethanave, për të vlerësuar mundësinë e uljes së mëtejme të prezencës së policisë. Si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, ne mbesim në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës në këtë çështje, dhe ne presim që të ftohemi nga lidershipi i Policisë së Kosovës për të marrë pjesë në vlerësimin e përbashkët të sigurisë”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

    “E qetë, por ende e brishtë” është përshkrimi që EULEX-i i bën situatës së sigurisë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

    Në Qeveri nuk treguan specifikisht nëse do të ketë vlerësime të përbashkëta çdo dy javë me EULEX-in dhe KFOR-in.

    “Institucionet tona të sigurisë janë në kontakt, komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me KFOR-in dhe EULEX-in… Qeveria e Kosovës po e respekton detyrimin e saj që buron nga dakordimi i Bratislavës, ku ulëm për 25% prezencën e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale. Megjithatë, ne vazhdojmë të jemi vigjilent mbi zhvillimet atje, me përkushtim maksimal të respektimit e sundimit të ligjit dhe kushtetutshmërisë në njërën anë, dhe ruajtjes së rendit e sigurisë në anën tjetër”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

    Jo-zyrtarisht ATV-ja mëson se Qeveria konsideron se vlerësimet e përbashkëta do të bëhen vetëm në varësi të rrethanave dhe jo rregullisht çdo dy javë.

    Qeveria vlerëson se shtensionimi nga ana e Kosovës ka filluar dhe se me uljen e prezencës policore në dhe përreth ndërtesave komunale për 25%, ka përmbushur detyrimet nga dakordimi i Bratislavës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Banorët e Klinës e kundërshtojnë ndërtimin e fabrikës së çimentos

    Banorët e Klinës e kundërshtojnë ndërtimin e fabrikës së çimentos

    Freskinë në temperatura të larta po e gjen nën hijen e pemëve. Por hijen e tyre banorët e fshatit Dollc kanë frikë se nuk do ta shfrytëzojnë më, nëse komuna e Klinës lejon që fabrika e çimentos të ndërtohet aty.

    Kështu të rinj e të moshuar u bënë bashkë që protestën e së martës ta bëjnë pikërisht para komunës, duke i thënë “jo” ndërtimit të kësaj fabrike.

    “Po i pyes ata që ua kemi dhënë votën, ata që kanë premtuar e që po thonë se e duan vendin e vet. Pse duhet ta bëjmë dikë milioner, pse duhet qytetarët ta falin vendin e vet, pse duhet të ndotet ajri. Nuk po kërkojmë luks, qytetarët po duan rehati, ujë e tokë”, tha Egzona Shala, përfaqësuese e OJQ-ve.

    “Ata që nuk dhanë asgjë për këtë vend, duan t’i marrin të gjitha. Unë fuqishëm jam dhe do jem kundër ndërtimit të kësaj fabrike”, tha Ramadan Gashi, qytetar.

    “Të jetojmë në vendin tonë. Fabrika e çimentos jo dhe duhet të jetë jo. Derisa ne kundërshtojmë, nuk do të ndërtohet kjo fabrikë”, tha Nrec Mirdita, qytetar.

    Ata patën edhe akuza ndaj të parit të kësaj komune, Zenun Elezaj.

    “Në takime që kemi pasë me kryetarin, me shumë bindje na thoshte se derisa të ketë banorë kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos, nuk do të lejohet kjo. Për më keq, ai prapa shpine punonte që operatorët të pajisen me dokumentacion dhe këtë e bënte në mënyrë tinëzare. Ai mori përsipër ta mësitnojë këtë punë dhe të arrijë ta pajisë me dokumentacion operatorin ekonomik”, tha Veton Rraci, organizator.

    “Komuniteti jonë nuk është kundër investimeve, por është kundër fabrikave të çimentos që janë ndotësit e tretë në botë. Kryetari na thotë jemi me popullatën e lëshon pëlqime pas shpine”, tha Sylejman Gashi, qytetar.

    Por zyrtarë të kësaj komune nuk ishin të qasshëm as për protestuesit e as për mediat.

    Ndërkohë, ATV-ja ka pyetur edhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, në lidhje me atë se cila do të jetë zgjidhja për kërkesat e banorëve të fshatit Dollc, por as ajo nuk ka kthyer përgjigje.

    Gjithashtu, banorët thonë se nëse institucionet nuk gjejnë zgjidhje, ata sërish do t’i bllokojnë rrugët me protesta. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • BE-ja konfirmon mosorganizimin e konferencës së donatorëve

    BE-ja konfirmon mosorganizimin e konferencës së donatorëve

    Janë bërë 130 ditë nga dakordimi për shtojcën e Ohrit, mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Teksti i aneksit parashikonte organizimin e konferencës së donatorëve, 150 ditë pas arritjes së marrëveshjes, me qëllim krijimin e një pakoje financiare për Serbinë dhe Kosovën.

    Por, në një përgjigje për ATV-në, Bashkimi Evropian ka konfirmuar se aktualisht, nuk është në plan organizimi i një konference të tillë.

    “Është e rëndësishme të kujtojmë se marrëveshja lidh konferencën e donatorëve me progresin në implementimin e marrëveshjes dhe aneksit të saj. Për fat të keq, koha e synuar është penguar nga përshkallëzimi i fundit. Fokusi tani është në shpërshkallëzimin e menjëhershëm të situatës në terren dhe të vazhdohet implementimi i marrëveshjeve të dialogut”, thuhet në njoftimin e BE-së.

    Me mosorganizimin e konferencës së donatorëve, vlerësohet se Kosova është pala që humbi më shumë.

    “Fatkeqësisht Kosova e ka një ekonomi më të dobët ka më shumë nevojë për donacione dhe projekte nga shtetet mike të Bashkimit Evropian, projektet e USAID-it e kështu me radhë”, tha Fitim Mulolli nga “Polcon”.

    Sipas Fitim Mulollit, dy liderët, ai kosovar e ai serb, qëllimshëm po e zvarrisin zbatimin e marrëveshjes së 27 shkurtit dhe aneksin e Ohrit.

    “Si presidenti i Serbisë ashtu edhe kryeministri i Kosovës nuk po e duan këtë marrëveshje dhe po kërkojnë arsyetime të vazhdueshme, për ta shtyrë zbatimin e saj”, tha Mulolli.

    Për vazhdimin e diskutimeve apo finalizimin eventual të planit të sekuencimit, i domosdoshëm për nisjen e zbatimit të Marrëveshjes Bazë dhe Shtojcës, do të nevojitet një takim i nivelit të lartë, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ky takim nuk pritet të mbahet para pushimeve verore. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Mërgimtarët e përkrahin fushatën për parandalimin e përdorimit të armëve gjatë ahengjeve

    Mërgimtarët e përkrahin fushatën për parandalimin e përdorimit të armëve gjatë ahengjeve

    “Festo me zemër e jo me armë”, është motoja e fushatës së përvitshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që synon të parandalojë përdorimin e armëve nëpër ahengje e festa.

    Kësaj radhe ishin mërgimtarët në pikën kufitare në Merdare që iu transmetua thirrja se përdorimi i armës për festime është vepër penale.

    “Arsyeja janë shtimi i ahengjeve, shtimi i popullsisë, pra ardhja e mërgatës, e me këtë shtim edhe shtimi i të shtënave. Mendojmë se institucionet mund të arrijnë ndalimin e shtënies së armëve. Policia e Kosovës vazhdimisht punon në këtë drejtim, por e vetme nuk mund të arrijë të ndalojë këtë fenomen”, tha zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani.

    Për shkak të shtimit të ahengjeve gjatë muajve të verës, u tha se Policia do të jetë më aktive në terren, në mënyrë që të parandalojë ndonjë tragjedi.

    “Jemi këtu sot për të përçuar porosinë për parandalimin e të shtënave festive, qëllimi ynë është të parandalohen këto të shtëna, se të shtënat janë vepër penale dhe dënohet me ligj”, tha menaxher i Projektit për Siguri në Kosovë Në UNDP, Mentor Cakolli.

    Ndonëse të lodhur nga rruga e gjatë, mërgimtarët nuk hezituan të ndalen për të mësuar më shumë rreth fushatës.

    Ndërkaq, zhvillimin e këtij aktiviteti e lehtësonte atmosfera e qetë në pikën e kalimit kufitar në Merdar.

    Çdo vit në Kosovë plagosen dhe vriten fëmijë, gra e burra nga të shtënat nëpër festa. Muaj më parë u plagos një vajzë 15-vjeçare dhe dy meshkuj nga plumba qorr, ndërsa 76 persona të tjerë u plagosën nga mjetet piroteknike. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • AGK-ja me telegram ngushëllimi për vdekjen e gazetarit Haqif Mulliqi

    AGK-ja me telegram ngushëllimi për vdekjen e gazetarit Haqif Mulliqi

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shkruar një telegram ngushëllimi për vdekjen e gazetarit dhe dramaturgut Haqif Mulliqi.

    “Veprimtarinë e tij si gazetar e kishte filluar në gazetën Bota e Re, (1983 – 1990), duke vazhduar në gazetën Fokus në Kroaci (1992), gazetën Potlet në Zagreb (1988 -1991), e më pastaj edhe si redaktor e korrespodent edhe në shumë gazeta e revista të tjera vendore dhe ndërkombëtare”, shkruan AGK-ja.

    Mulliqi gjithashtu ishte profesor në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Filologjisë në Departamentin e Gazetarisë, si dhe në Fakultetin e Arteve.

    “Ai la pas vetes një krijimtari të gjerë në gazetari, publicistikë e dramaturgji. Gjithashtu, kontribut të jashtëzakonshëm, Mulliqi ka dhënë gjatë viteve 1998-99, në raportimin gjatë luftës në Kosovë”, thuhet tutje.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e tij.

  • Shuhet Haqif Mulliqi

    Shuhet Haqif Mulliqi

    Ka vdekur gazetari dhe dramaturgu Haqif Mulliqi. Lajmin për këtë e ka dhënë vajza e tij, Getoarba Mulliqi.

    “Babi na la.
    Dashnise tone ma te madhe iu ndalen dhimbjet, per me na fillu neve dhimbja e perjetshme.
    Per detajet e ceremonise, ju njoftojme me vone”.

  • Ujëvara magjepsëse e Drinit të Bardhë, një perlë natyrore e Kosovës

    Ujëvara magjepsëse e Drinit të Bardhë, një perlë natyrore e Kosovës

    Pa dyshim që Ujëvara e Drinit të Bardhë, e cila gjendet në fshatin Radavc të komunës së Pejës është një ndër burimet më të rëndësishme të vendit tonë dhe një atraksion turistik.

    Burimi krijon ujëvarën e bukur të Drinit me një gjatësi prej 30 metrash. Në territorin e Kosovës, Drini i Bardh gjarpëron për 122 kilometra në drejtim veri-jug.

    Gjithashtu, ky burim furnizon edhe qytetin e Pejës me ujë të pijshëm për të gjithë banorët.

    Peizazhet malore e ajri i pastër që e rrethojnë këtë vend e bëjnë pikën më tërheqëse dhe më turistike në gjithë Kosovën.

    Ujëvara e Drinit buron rreth bjeshkës së Rusolisë, ku loja e egër natyrore mund të vazhdohet në mënyrë mbresëlënëse.

    Madhështia e ujëvarës së Drinit, të gjithëve nga rrëmben zemrat, sidomos gjatë ditëve të nxehta.

    Ekipi i ATV-së ka qëndruar në këtë pikë turistike, ku ka takuar turistë të shumtë që kishin ardhur për të kaluar ditën nga qytete të ndryshme si të Kosovës, ashtu edhe nga Shqipëria dhe diaspora në përgjithësi. /atvlive.tv

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë “n’mal A n’det” që u transmetua mbrëmë:

  • E preu gati krejt krahun e djathtë me xham, në QKUK kryhet me sukses operimi i 36-vjeçarit

    E preu gati krejt krahun e djathtë me xham, në QKUK kryhet me sukses operimi i 36-vjeçarit

    Një operacion goxha i rrallë dhe i ndjeshëm u krye para disa ditësh në sallën operative të Klinikës Emergjente, të Qendres Klinike dhe Universitare.

    Bëhet fjalë për rastin e A.R, 36-vjeçar i cili kishte pësuar një aksident të rëndë.

    Ai e kishte prerë gati krejt krahun e djathtë me xham në shtëpi.

    “Mjekët kirurgë, me punë ekipore, (ekipa e Kirugjisë Vaskulare që e udhëheqi operimin, e Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive dhe ekipa e Neurokirurgjisë), bashkë me Anesteziologë dhe pjesën tjetër të ekipit operativ, kanë kryer operimin te një pacient i moshës 36 vjeç, duke i realizuar dy bypasse (urëzime), në pjesën e mesme të arteries brahiale dhe venës basilica të djathtë, (arterie kryesore që ushqen dorën me gjak dhe vena sipërfaqsore, e cila e kthen gjakun në zemër)”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës.

    “Si graft për rekostrukcion të enëve të lëndura, ekipa përdori venën sipërfaqësore të këmbës së djathtë; (Vena saphena magna). Po ashtu ekipa operative, kishte përkujdesur dy venat brahiale dhe kishte bërë hemostazë korrekte. Ekipa e Neurokirurgjisë e bëri qepjen e nervit të dorës, ndërsa ekipa e Kirurgjisë Plastike, bëri qepjen e muskujve dhe të tendinave”.

    “Pas operacionit janë kryer ekzaminimet kontrolluese, ku është konstatuar se intervenimi kirurgjik ishte kryer me sukses të plotë dhe pacienti pas 6 ditë hospitalizimi në Kirurgji Vaskulare, u lirua në shtëpi në gjendje shumë të mirë shëndetësore”.