ATV

Author: ATVLive

  • Në BE përmes Serbisë, kontrabandohen mbi 5 mijë persona nga Kuba

    Në BE përmes Serbisë, kontrabandohen mbi 5 mijë persona nga Kuba

    Mbi 5 mijë migrantë janë kontrabanduar nga Kuba nëpërmjet Serbisë në Bashkimin Evropian për 9 mijë euro për person, ka bërë të ditur Europol.

    Forcat e zbatimit të ligjit nga pesë vende kanë ndërprerë një rrjet kriminal ndërkontinental që kontrabandon emigrantë nga Kuba në Bashkimin Evropian. Hetimi, i koordinuar nga Europol dhe INTERPOL, çoi në arrestimin e 62 personave, 25 prej të cilëve ishin shtetas kubanë. Anëtarët e rrjetit të kontrabandës së emigrantëve përdorën një aplikacion të njohur mesazhesh për të reklamuar shërbimet e tyre të paligjshme për klientët kubanë që gjenden në situata të vështira. Për një pagesë prej rreth 9 000 euro organizonin udhëtimin, transfertat dhe siguronin dokumentacion fals. Kriminelët udhëtuan

    personalisht nga Kuba në Serbi, duke përfituar nga mungesa e kërkesave për viza për të hyrë në Serbi në atë kohë. Më pas emigrantët do të kontrabandoheshin në Greqi, nga ku udhëtuan për në Spanjë. Në total, dyshohet se rrjeti kriminal ka kontrabanduar me sukses në BE rreth 5 000 shtetas kubanë, duke nxjerrë një fitim prej rreth 45 milionë euro.

    Hetimi zbuloi një infrastrukturë komplekse kriminale të ngritur në shumë qytete në të gjithë Spanjën, Greqinë dhe Serbinë, e aftë për t’iu përshtatur rrethanave në ndryshim për të mbajtur biznesin e tyre të paligjshëm. Në ditën e aksionit në qershor të vitit 2023, oficerët e policisë nga të tre vendet sekuestruan një sërë asetesh kriminale, duke përfshirë qindra dokumente të falsifikuara dhe pajisje falsifikuese. Në total u sekuestruan 18 pasuri të paluajtshme, 33 automjete dhe 144 llogari bankare, së bashku me shuma të mëdha parash në monedha të ndryshme.

    Rrugë jashtëzakonisht e gjatë dhe e shtrenjtë kontrabande

    Hetimi nisi në tetor të vitit 2021 pasi autoritetet serbe, greke, maqedonase të veriut dhe finlandez raportuan një numër të shtuar të qytetarëve kubanë që tentonin të hynin në Evropë me dokumentacion të falsifikuar. Në janar të vitit 2023, një Njoftim i Përbashkët i Inteligjencës që përshkruan këtë prirje u lëshua nga Europol, Agjencia e Bashkimit Evropian për Azilin dhe Frontex. Njoftimi me temën “Shtetasit kubanë të kontrabanduar në BE: ndryshimi i rrugëve dhe metoda e veçante në një peizazh gjeo-politik të ndryshuar” raportonte mbi efektin që lufta ruse në Ukrainë pati në rrugët e kontrabandës së emigrantëve.

    Fillimisht, shtetasit kubanë udhëtonin komercialisht në Rusi nga Kuba. Atje, kontrabandistët u ofruan atyre mundësinë ose të kalonin kufirin finlandez-rus në mënyrë të parregullt për të hyrë në territorin e BE-së, ose të udhëtonin për në Serbi për të vazhduar udhëtimin e tyre në Evropën Qendrore ose Jugore përmes rajonit të Ballkanit Perëndimor. Që nga fillimi i luftës së nisur nga Rusia kundër Ukrainës, rruga u ndryshua. Shtetasit kubanë u dërguan në Serbi nëpërmjet aeroportit të Frankfurtit, Gjermani. Pas mbërritjes së shtetasve kubanë në Serbi, anëtarët e rrjetit kriminal do të lehtësonin hyrjen e tyre të parregullt në Maqedoninë e Veriut dhe Greqi nga toka. Duke përdorur rrugë të ndryshme, kontrabandistët drejtonin grupe të mëdha migrantësh dhe i bënin të ecnin në errësirë pa furnizime për orë të tëra. Përveç këtyre kushteve të vështira, kriminelët do të përfitonin nga emigrantët, përfshirë të miturit, dhe do t’i nënshtroheshin atyre mashtrimeve, grabitjeve dhe zhvatjeve. Në disa raste, gratë transferoheshin në grupe të tjera kriminale për shfrytëzim seksual.

    Pas mbërritjes së tyre në Greqi, emigrantët ose do të aplikonin për azil ose do të përdornin transportin e mëtejshëm drejt vendeve të tjera të BE-së të organizuar nga kriminelët, si fluturimet për në Spanjë ose transportin detar për në Itali. Për të udhëtuar brenda BE-së, rrjeti kriminal u siguronte migrantëve dokumente të falsifikuara ose përdori të ashtuquajturën metodë të ngjashme, në të cilën dokumentet origjinale të udhëtimit vidhen dhe i jepen një migranti që ngjan shumë me pronarin e vërtetë të pasaportës.

    Roli i Europolit

    Europol organizoi një sërë takimesh operacionale dhe lehtësoi bashkëpunimin, koordinimin dhe shkëmbimin e personelit ndërmjet partnerëve të tij. Gjatë ditës së aksionit, tre analistë të Europolit dhe një specialist u vendosën në Spanjë, Greqi dhe Serbi. Analistët dhe specialisti ofruan mbështetje në vend me analiza të inteligjencës dhe raporte të kryqëzuara. Për më tepër, një ekip hetuesish të Europol-it dhanë mbështetjen e tyre në ditën e veprimit nga selia e Europol-it në Hagë duke ofruar koordinim dhe udhëzime për personelin e vendosur.

  • “Thaçi ka qenë veç turist në luftë”, deputeti Lushtaku e quan të pavërtetë deklaratën e Haradinajt

    “Thaçi ka qenë veç turist në luftë”, deputeti Lushtaku e quan të pavërtetë deklaratën e Haradinajt

    Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku e ka komentuar deklaratën e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se Hashim Thaçi në luftë ka qenë vetëm turist.

    Lushtaku e ka quajtur deklaratën të pavërtetë, duke shtuar se informatat më të sakta për veprimtarinë e Thaçit në luftë i ka rrethi i këtij të fundit.

    “Besoj që Ramush Haradinaj nuk e ka informatën për Hashim Thaçin. Informatat më të sakta i ka rrethi që ka bashkëpunuar dhe ka bashkëvepruar Hashim Thaçi, i cili është tashmë edhe para Gjykatës së Hagës padrejtësisht. Në këtë fushë nuk dua të zgjerohem pasi që dihet se ka një aktakuzë edhe pse nuk ndërlidhet me këtë gjë. Krejtësisht të pavërteta ato çka i ka thënë. Por në këtë pjesë ne e dimë shumë mirë që ai ka marrë pjesë në betejë dhe më së shumti e dinë bashkëluftëtarët e tij”, ka thënë Lushtaku në InfoNata në Tëvë 1.

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në emisionin Respublika në Tëvë 1 ka folur për kohën e luftës dhe rolin që e ka pasur ish-drejtori politik i UÇK-së, Hashim Thaçi gjatë asaj kohë.

    Haradinaj ka thënë se ish-presidenti Thaçi dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi kanë qenë “turistë” në UÇK.

    “Zoti Thaçi turist është, më falni në shprehje. Turist është, ai ka qëndru në Drenicë, ai ka qëndru në Rogner, ka qëndru diku tjetër. Zoti Rrustem Mustafa turist është. Ka luftuar tre javë Remi në Llap. Ose tjetri ose tjetri, turista janë në UÇK, o djem. E kanë bërë të përkohshëm, përkohësisht hin e dil. Nuk jam duke ju fol pahiri, por po ju fol dikush i cili që nga data 24 mars 1998, shkoni le t’i marrin hetuesit e Kosovës, prokurorët, le t’i hijnë rend Dukagjinit, le t’i pyesin katun për katun: A jeni kanë në luftë, sa vet jeni kanë, kur ja keni nis, çka ka ndodhë me ju?”, ka thënë Haradinaj.

  • “Tre djem, secili më i madh se shoqi, por punën nuk e kishin dashtë hiç”, historia e fermerit që u bë mësim për të gjithë brezat e ardhshëm

    “Tre djem, secili më i madh se shoqi, por punën nuk e kishin dashtë hiç”, historia e fermerit që u bë mësim për të gjithë brezat e ardhshëm

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, që nisi transmetimin javën e kaluar, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Në këtë emision, pos rubrikave të shumta argëtuese, çdo ditë do të ketë edhe tregime popullore.

    Mbrëmë, në ciklin e tregimeve popullore, u rrëfye një histori e një bujku që i kishte pasur tre djem, secilin më të zotë se shoqin, por këta të fundit nuk e kishin dashtë punën hiç. Në këtë tregim thuhet se babai i tyre, për t’i motivuar që ta punojnë tokën, u thotë se kishte fshehur një qyp me para në vreshtë, por për ta gjetur atë, duhet të rrëmihin tokën thellë e më thellë. Pas disa tentimeve ata nuk gjetën një, por me kalimin e viteve e kuptuan se kanë gjetur thesarin e vërtetë që u kishte lënë babai.

    Tregimin e plotë mund ta shikoni në videon më poshtë.

    Emisioni n’mal An’det, i cili vjen në një format më ndryshe, drejtohet nga yjet e ATV-së, Roberti, Emira dhe Jeta dhe jepet çdo ditë nga e hëna deri të premten prej orës 21:10.

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë “n’mal A n’det” që u transmetua mbrëmë:

  • “Bereqat versum”, turqishtja e Robit shkakton të qeshura në studio

    “Bereqat versum”, turqishtja e Robit shkakton të qeshura në studio

    Mbrëmë në emisionin “n’mal A n’det”, nuk munguan momentet komike, të cilat shkaktuan të qeshura në studio.

    Deri sa po zhvillohej loja “qëllo titullin e këngës përmes refrenit”, bëhej fjalë për këngën “Thërret Prizreni”. Me të dëgjuar refrenin, një mysafire e qëlloi këngën, ndërsa moderatori i emisionin Robet Bojaj me një turqishte të shqiptarizuar, shkaktoi të qeshura në studio.

    Shikoni videon e më poshtme për ta parë moderatorin duke folur turqisht.

    Emisioni n’mal An’det, i cili vjen në një format më ndryshe, drejtohet nga yjet e ATV-së, Roberti, Emira dhe Jeta dhe jepet çdo ditë nga e hëna deri të premten prej orës 21:10.

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë “n’mal A n’det” që u transmetua mbrëmë:

  • ​Një i vdekur dhe disa të lënduar nga stuhia që përfshiu qytetin zviceran

    ​Një i vdekur dhe disa të lënduar nga stuhia që përfshiu qytetin zviceran

    Të paktën një person ka vdekur dhe shumë të tjerë janë lënduar pasi një stuhi përfshiu qytetin La Chaux-de-Fonds në rajonin Neuchatel në kufi me Francën. Stuhia u përshkrua me shira të dendura dhe erëra që arrijnë shpejtësinë 217 kilometra (135 milje) në orë.

    Stuhia shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale, ku çatitë e shtëpive u rrëzuan. Gjithashtu janë dëmtuar automjete, ndërsa në autostradë ka ndodhur një aksident trafiku ku janë përfshirë disa automjete, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    Zyra Federale Zvicerane e Meteorologjisë dhe Klimatologjisë tha në një deklaratë se po përpiqen të përcaktojnë nëse ka pasur një tornado.

    Erërat e forta të stuhisë shkulën gjithashtu shumë pemë dhe trungje pemësh, bllokuan shinat e trenit duke shkaktuar ndërprerje në transportin hekurudhor në disa zona.

  • ​Fillojnë kërcënimet ndaj policëve serbë që sapo kanë filluar shërbimin në Policinë e Kosovës

    ​Fillojnë kërcënimet ndaj policëve serbë që sapo kanë filluar shërbimin në Policinë e Kosovës

    Rrjete sociale serbe kanë publikuar fotografitë dhe emrat e pesë pjesëtarëve të rinj serbë që sapo kanë filluar detyrën në Policinë e Kosovës.

    Publikimi është bërë nga kanali serb t.me/BunkerSrb në platformën ruse telegram.

    Publikimi i plotë:

    “Lista e serbëve nga veriu i Kosovës që sot kanë filluar punën në të ashtuquajturën Policia e Kosovës”, thotë postimi.

    Më tej janë publikuar emrat dhe mbiemrat e serbëve, që ne do t’i publikojmë me iniciale: N.S, T.V, J.M, P.S dhe S.M.

    Postimi ka vazhduar me kërcënimin, duke thënë se “kjo nuk është lista përfundimtare, dhe se të tjerat do të publikohen më vonë”.

    Kosovapress, ua ka mbyllur identitetin serbëve të kërcënuar, në mënyrë që mos t’i kontribuojë rritjes së kërcënimeve ndaj tyre!

    Kujtojmë se serbët janë dorëhequr nga Policia e Kosovës në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, me kërkesë të Listës Serbe.

  • PSG e pranon ofertën e Al Hilal për Mbappen

    PSG e pranon ofertën e Al Hilal për Mbappen

    Paris Saint Germain raportohet se e ka pranuar ofertën e klubit arab, Al-Hilal për Kylian Mbappen.

    Sipas Sky Sports, klubi francez e ka pranuar ofertën prej 300 milionë euro për yllin e tyre.

    Oferta ka vlerën e 300 milionë eurove, që është rekord botëror. Transferimi më i shtrenjtë mbetet ai i Neymarit nga Barcelona te PSG-ja për 222 milionë euro.

    Gjithashtu raportohet se parisienët i kanë dhënë lejen Al-Hilalit që të nisin bisedimet edhe me Mbappen.

    Mbetet të shihet në vazhdim se cili do të jetë vendimi i ish-sulmuesit të Monacos.

  • Komuna e Vushtrrisë organizon “Ditët e Diasporës”, Idrizi e çmon kontributin e tyre

    Komuna e Vushtrrisë organizon “Ditët e Diasporës”, Idrizi e çmon kontributin e tyre

    Komuna e Vushtrrisë ka mbajtur aktivitete të ndryshme kulturo-artistike, të titulluar “Ditët e Diasporës”. Me këtë rast, i pari i Vushtrrisë, Ferit Idri, çmoi lartë rolin dhe kontributin e diasporës vushtrriasve, duke përmendur etapa të ndryshme të shtetësisë, raporton EO.

    Tha se rol të madh kanë dhënë ndër vite, duke filluar nga paslufta e deri më sot.

    “Jemi shumë të gëzuar sonte që bashkërisht e ndajmë këtë natë që me fillimin e takimeve tradicionale tanimë ‘Ditët e Diasporës’. Neve na ndajtën dikur dallkët e egra të dhunës dhe terrorit por na bashkoi atdheu, na bashkoi vendlindja e na bashkoi Kosova për të cilën ju dhatë mundin, sakrificën, lotin dhe gjakun dhe tani ajo që na ndajti dikur sot na bashkon vendlindja, sot na bashkon liria e Kosovës”, tha Idrizi, teksa përmendi edhe krijimin e një platforme për regjistrimin e diasporës.

    Idrizi e konsideron diasporën si shtyllë kryesore të zhvillimit ekonomik në vend.

    “Ju dhatë gjithçka për lirinë e Kosovës, për familjet e juaja andaj ndjehuni ngrohtë në familjet e juaja e në vendin tonë të përbashkët për të cilën ju dhatë mundin, ndjersën dhe sakrificën. Komuna e Vushtrrisë, tanimë i ka bërë tradicionale ‘Ditët e Diasporës’. Ne pos të tjerash kemi hapur edhe një platformë për regjistrimin e diasporës sepse kontributi dhe roli i diasporës ka qenë prej vitesh dhe mbetet shtylla qendrore e zhvillimit ekonomik të Vushtrrisë por edhe tërë Kosovës”, tha ai.

    Për fund, kryetari Idrizi ka ndarë disa mirënjohje për kontribuesit nga diaspora.

  • ​Ballkani luan sot në Ligën e Konferencës

    ​Ballkani luan sot në Ligën e Konferencës

    Pasi u eliminua nga Liga e Kampionëve, Ballkani do ta vazhdojë aventurën ne garat evropiane, përkatësisht në Ligën e Konferencës.

    Kampioni i Kosovës do të ballafaqohet me skuadrën irlandese Larne, të cilën e pret sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me fillim nga ora 20:45, raporton KP.

    Para ndeshjes, në konferencë për media, trajneri Ilir Daja e konsideroi Larnen si një skuadër shumë të papërshtatshme dhe se lojtarët e tij duhet të jenë të vëmendshëm gjatë gjithë ndeshjes.

    Përveç Ballkanit, në këtë kompeticion Kosova përfaqësohet edhe nga Dukagjini dhe Drita.

  • Ndryshimet që diaspora do të donte t’i shihte në Kosovë

    Ndryshimet që diaspora do të donte t’i shihte në Kosovë

    “Shumë gjëra do të doja të ndryshohen në Kosovë, por do të veçoja largimin e mbeturinave”, thotë për Radion Evropa e Lirë Shyqyri Demaku nga Prishtina, i cili tash e 33 vjet, bashkë me familjen, jeton në Suedi.

    “Pastrimi nuk është në nivel. Këta kontejnerë që i keni për mbeturina, të futen nën tokë disi. Kjo duhet të ndryshohet dhe kjo mund të bëhet lehtë me angazhimin më të madh të institucioneve”, thotë Shyqyriu, i cili Kosovën e viziton deri në tri herë në vit.

    Ai dhe dhjetëra kosovarë të tjerë nga diaspora vizituan të hënën ambientet e Kuvendit të Kosovës dhe u pritën nga disa deputetë.

    Aktiviteti tradicional, i njohur si “Bashkatdhetarët në Kuvend”, zgjat dy ditë.

    Hysni Makovci, i cili vizitoi Kuvendin bashkë me djalin e tij, thotë se “syrin ia vrasin ndërtimet e shumta në Kosovë”.

    “Më mirë është të investohet në shëndetësi. Do të duhej të kishte sigurime shëndetësore, ashtu siç i kemi ne në Gjermani”, thotë Hysniu.

    Ai migroi në Gjermani gjatë kohës së luftës, në vitin 1999. Vendlindjen e tij, Prishtinën, e viziton deri në katër herë në vit.

    Hysniu thotë se duhet punuar edhe për rritjen e pagave në Kosovë, ku mesatarja sillet rreth 520 euro në muaj.

    “Kam motrat këtu dhe nënën dhe më duhet t’i ndihmoj. Dërgoj para çdo muaj. Edhe për mua është vështirë t’i ndaj ato mjete që i dërgoj në Kosovë, por punojmë shumë dhe ia dalim”, thotë ai.

    Diaspora e Kosovës është e përqendruar kryesisht në Gjermani, Zvicër, Austri dhe vende të tjera të Evropës.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, deri në fund të vitit 2018, ka qenë mbi 850.000.

    Vizitat e tyre në Kosovë janë më të shumta gjatë verës.

    Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, shpenzimet e diasporës në Kosovë në vitin 2022 – qoftë në hotele, restorante apo biznese lokale – kanë kapur vlerën e rreth 1.9 miliard eurove.

    Diaspora dërgon shuma të konsiderueshme parash edhe në formë të remitencave – vlera e të cilave, vitin e kaluar, ka arritur në 1.2 miliard euro.

    Kuvendin e Kosovës e vizitoi të hënën edhe Albion Krasniqi, nga komuna e Klinës, i cili jeton dhe studion në Itali.

    Ai synon që një ditë të kthehet në Kosovë. Thotë se do të dëshironte që “ligjet që miratohen në Kosovë, të zbatohen”, si dhe t’u jepet më shumë hapësirë të rinjve.

    “Mendoj se çdo i ri që jeton atje, në Itali, ka shumë aftësi që mund t’i zhvillojë këtu dhe mund të kontribuojë më shumë këtu sesa në Itali”, thotë Albioni.

    Fatmir Bytyçi ka disa javë që bashkë me familjen gjenden në Kosovë. Me prejardhje nga Prizreni, ai ka emigruar në Gjermani në vitin 1992.

    Për Fatmirin, arsimi është fusha ku duhet investuar më së shumti në Kosovë.

    “Subjektet politike nuk i njohin problemet e arsimit… Një problem që nuk e kupton, nuk mund as ta zgjidhësh. Mendoj se arsimi është shumë i dobët në Kosovë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, diaspora zë vendin e parë edhe sa u përket investimeve të huaja në vend, që bëhen kryesisht në patundshmëri. Ndërtuesit konfirmojnë se deri në 70 për qind e blerësve janë nga diaspora.