ATV

Author: ATVLive

  • “Isha në depresion, fjeta këtu dy ditë, zemra me tha duhet ta bëj”, flet një nga pronarët e vilave në Makresh

    “Isha në depresion, fjeta këtu dy ditë, zemra me tha duhet ta bëj”, flet një nga pronarët e vilave në Makresh

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, që nisi transmetimin javën e kaluar, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Një prej rubrikave eksploruese në këtë emision është rubrika “Ku me shku n’mal”, në të cilën çdo ditë për shikuesit sjellin nga një reportazh nga fshatrat e ndryshëm të Kosovës.

    Në emisionin e mbrëmshëm, ekipi i ATV-së bëri një vizitë në fshatin Makresh të komunës së Artanës.

    Ndonëse shumë fshatra të Kosovës po braktisen nga vetë banorët e tyre, në fshatin Makresh që ndodhet në mes të Prishtinës dhe Gjilanit, banorët kanë një arsye për të qëndruar.

    Numri i madh i vilave dhe i pushimoreve që janë ndërtuar këtu viteve të fundit, kanë bërë që ata ta kalojnë shumë mirë në vendin e tyre, dhe po ashtu të tërheqin vizitorë edhe nga vende të ndryshme të Kosovës.

    Me 130 vila të ndërtuara shumë pran njëra tjetrës, në hyrje të fshatit shihet lagjia ‘Alegro’ si pikë e rëndësishme turistike e Makreshit.

    Këngëtari Labinot Rexha, i cili është një nga pronarët e vilave në Makresh, në një bisedë për ATV-në, tha se ideja për ndërtimin e tyre ka qenë spontane dhe ka ardhur në kohën e pandemisë, pasi kishte kaluar dy net aty dhe e kishte kuptuar se ndihej më mirë me shëndet.

    “Ishte ideja spontane, të cilët artistët e shumtë, sportistët e posaqerisht artistët, shoqëria e ime kanë blerë këtu dhe unë rastësisht kam ardhur, ishte koha e pandemisë e çka me bo, edhe ia kam nisë nja 2-3 vila, kam blerë tokë gati 9 hektarë edhe nuk i kam treguar fare familjes. Kam bujt nja 2 ditë këtu, e kam që kisha pak depresion në vetvete edhe pas nja 2 dite që bujta këtu, më tha zemra ime edhe e pashë që me shëndet jam shumë mirë dhe ka ndryshuar jeta e ime për këto 2-3 ditë”, thotë Rexha. /atvlive.tv

    Reportazhin e plotë të ATV-së në fshatin Makresh e gjeni në videon më poshtë.

    Emisioni n’mal An’det, i cili vjen në një format më ndryshe, drejtohet nga yjet e ATV-së, Roberti, Emira dhe Jeta dhe jepet çdo ditë nga e hëna deri të premten prej orës 21:10.

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë “n’mal A n’det” që u transmetua mbrëmë:

  • “Vështirë me i kuptu ata, kaniher u dashke si me përkthy”, komenti i kosovarit për të folurën në Shqipëri

    “Vështirë me i kuptu ata, kaniher u dashke si me përkthy”, komenti i kosovarit për të folurën në Shqipëri

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, që nisi transmetimin javën e kaluar, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Një ndër rubrikat e këtij emisioni është edhe rubrika “Shqipnisht”, përmes së cilës mësohen fjalë dhe shprehje të ndryshme, që përdoren në regjione të rajonit.

    Në kuadër të kësaj rubrike, gazetarja e ATV-së i ka pyetur qytetarët në Prishtinë se a e dinë ata kuptimin e fjalës “gollovezhgë”, e cila përdoret në Berat.

    Me ndihmën e gazetares, disa nga të intervistuarit e qëlluan përgjigjen e kësaj fjale, derisa disa të tjerë thanë se vetëm e kanë dëgjuar këtë shprehje por nuk e dinë kuptimin e saj.

    Një qytetar thotë para kamerës së ATV-së se e ka të veshtirë t’i kuptojë kur flasin në Shqipëri.

    “Mu marrë vesh me ta problem, se flasin shqip, por po theksin ndryshe. Do fjalë që i kuptojshim deri diku, por u dashke me pasë me përkthim. Por, kryesorja ambienti i mirë, njerëzit e mirë, ajo është me rëndësi”, thotë ky qytetar. /atvlive.tv

    Emisioni n’mal An’det, i cili vjen në një format më ndryshe, drejtohet nga yjet e ATV-së, Roberti, Emira dhe Jeta dhe jepet çdo ditë nga e hëna deri të premten prej orës 21:10.

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë “n’mal A n’det” që u transmetua mbrëmë:

  • Kurti për djalin e Enver Zymberit: Sokoli na jep shpresë se rinia jonë do t’i shërbejë vendit

    Kurti për djalin e Enver Zymberit: Sokoli na jep shpresë se rinia jonë do t’i shërbejë vendit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se të mërkurën bashkë me Sokolin, djalin e heroit Enver Zymberit, kanë vendosur lule të freskëta në vendin ku ka rënë ai, këtu e 12 vite më parë.

    Ai tha se Enverin do ta kujtojmë gjithmonë sepse përpjekja e tij vetëmohuese është edhe e jona: Kosovën e lirë ta bëjmë me sovranitet të plotë, pa krim e korrupsion, me jetë cilësore për të gjithë, pa dallim.

    Kurti po ashtu shkroi në Facebook se dëshira e Sokolit për t’i ndjekur hapat e babait të tij, na jep shpresë se rinia jonë do t’i shërbejë Kosovës.

    “Sytë e Sokolit janë veç dritë. Dëshira e tij për t’i ndjekur hapat e babait, na jep shpresë se rinia jonë do t’i shërbejë vendit”, shtoi shefi i qeverisë.

  • ​Xavi i befasuar ngs internziteti i Arsenalit në miqësore: Nuk ishte normale

    ​Xavi i befasuar ngs internziteti i Arsenalit në miqësore: Nuk ishte normale

    Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez ka pranuar se ishte i befasuar nga “intensiteti” i treguar nga Arsenali gjatë ndeshjes së tyre parasezonale në Los Angeles.

    “Topçinjtë” fituan me rezultat 5-3 në miqësore falë golave të Bukayo Saka, Kai Havertz, Fabio Vieira dhe një dygolësh nga Leandro Trossard. Por ishte një miqësore që mori internsitet të lartë për shkak të 34 faulleve të mëdha, 22 prej të cilave ishin nga lojtarët e Arsenalit.

    Duke folur pas ndeshjes, Xavi, i cili udhëhoqi Barçën drejt titullit të La Ligës sezonin e kaluar, tregoi pakënaqësinë e tij për mënyrën se si Arsenali i Mikel Arteta-s iu qas ndeshjes, përcjellë KosovaPress.

    “I thashë Artetas në fund të lojës, ishte si një ndeshje e Ligës së Kampionëve me intensitetin që ata dhanë. Nuk ishte normale për një miqësore, por e kuptoj që të gjithë duan të fitojnë. Për ne, ishte miqësorja jonë e parë.”, tha Xavi.

    Kur u pyet nëse intensiteti i lojës e befasoi Xavi-n, ai u përgjigj: “Jo i yni, por i Arsenalit, po. Nuk është normale të luash me kaq intensitet, duke bërë faulle taktike.”.

  • ​PDK largohet nga seanca e Kuvendit

    ​PDK largohet nga seanca e Kuvendit

    Deputetët e Partisë Demokratike Kosovës e kanë lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës ku po mbahet seanca plenare.

    Ata e lëshuan sallën gjatë kohës sa nisi votimi për dy anëtarë të Bordit të RTK-së, përcjell KP.

    Në këtë seancë pa pjesëmarrjen në votim të deputetëve të kësaj partie u votuan disa pika të papërfunduara nga seancat e kaluara të Kuvendit të Kosovës.

  • Kuvendi miraton disa pika të seancave të kaluara, PDK e AAK nuk marrin pjesë në votim

    Kuvendi miraton disa pika të seancave të kaluara, PDK e AAK nuk marrin pjesë në votim

    Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës janë votuar disa pika të papërfunduara nga seancat e kaluara. Por, njëra projekt-rezolutë e propozua nga LDK u hoq nga rendi i ditës, ndërsa ajo e AAK-së nuk mori votat e mjaftueshme, transmeton KP.

    E në votimin e pikave që u miratuan nuk mori pjesë Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Në Kuvendin e Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është votuar në lexim të dytë plotësim-ndryshimi i Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Ky projektligj u përkrah edhe nga LDK.

    Kurse, 62 deputetë ia dhanë mbështetjen rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.

    Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme plenare ka votuar Hamit Bashollin dhe Selvete Gagicën anëtarë të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

    Këta dy emra janë propozuara nga Qeveria e Kosovës, dhe në Parlamentin e Kosovës morën 63 vota.

    Mandati i këtyre dy anëtarëve është 3 vjeçar.

    Ndërsa, Kuvendi nuk e ka votuar Projekt-rezolutën nga interpelanca me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për çështjen: “Rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik”.

    Kjo projekt-rezolutë e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk mori mbështetjen e 58 ligjvënësve të Kosovës që ishin nga mazhoranca, derisa 14 votuan pro, e 4 ishin abstenime.

    E shqyrtimi i propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e propozuar nga 8 deputetë të Kuvendit të Kosovës është shtyrë për sesionin vjeshtor të Kuvendit të Kosovës.

    Aktualisht, në seancë po zhvillohet procesi i përzgjedhjes së dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

  • Veprimtari kriminale në fushën e mashtrimeve kompjuterike, ekzekutohen 14 masa sigurie

    Veprimtari kriminale në fushën e mashtrimeve kompjuterike, ekzekutohen 14 masa sigurie

    Policia e Shtetit infirmoi se ka ekzekutuar 14 masa sigurie për shtetas të implikuar në veprimtarinë kriminale në fushën e mashtrimeve kompjuterike.

    Policia bëri të ditur se janë sekuestruar pajisje të ndryshme kompjuterike, aparate celulare, USB dhe pajisje të tjera për prodhimin e bitcoin, të gjetura gjatë kontrolleve të ushtruara në disa banesa.

    Gjatë operacionit janë angazhuar 60 forca Policore të DVP Tiranë, të komisariateve në varësi të saj dhe të DVP Fier.

    Në kuadër të procedimit penal nr.121/2021 të Prokurorisë Kundër Korupsionit dhe Krimit të Organizuar, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është përfshirë në hetime në bazë të autorizimeve të Prokurorisë, ku gjatë këtyre hetimeve janë aplikuar metoda speciale të hetimit.

    Nga veprimet hetimore të kryera është bërë i mundur identifikimi i plotë i të gjitha subjekteve të hetimit.

    Më konkretisht, më datë 25 tetor 2022 është bërë identifikimi i subjektit dhe pas autorizimit të marrë për lejimin e ushtrimit të kontrolleve të vendit, së bashku me Njësinë “C” të Krimit Kibernetik të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe partnerët e Policisë italiane, është ndërhyrë në subjektin call center, në rrugën “Dritan Hoxha”, ku janë kryer të gjitha veprimet hetimore procedurale.

    Në vijimësi të këtij procedimi, pas ekpertimit të pajisjeve elektronike të sekuestruara, ka rezultuar se në këtë veprimtari kriminale janë të implikuar disa shtetas.

    Më datë 26.07.2023, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Fiananciare, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në funksion të vendimit nr. 92 të datës 21.07.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, janë ekzekutuar 9 masa sigurie, nga të cilat 5 “Arrest në burg”, dhe 4 “Arrest në shtëpi”.

    “Janë ekzekutuar masat e sigurimit personal “Arrest në burg”, për shtetasit Hamit Dobi, Erion Kastrati, Aldo Pasku, Gjin Shelnishta, dhe Mojsi Zuna. Janë ekzekutuar masat e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, për shtetasit Greta Gjoci, Olta Toci, Rezarta Ibrahimi dhe Silvana Veliu.”, bëri të ditur Policia.

    Gjithashtu, janë shpallur në kërkim shtetasit B. Ç., O. C., B. GJ., A. M., dhe F. B., shkruan Atsh. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi B. Ç., ka dalë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë më datë 23.07.2023 nga Pika e Kalimit Kufitar Kakavijë, ndërsa shtetasja A. M., më datë 27.10.2022, nga Pika e Kalimit Kufitar Rinas.

    Sipas Policisë, në kuadër të këtij procedimi janë kontrolluar 12 banesa dhe janë sekuestruar pajisje të ndryshme kompjuterike (telefona, laptopë, USB dhe pajisje për prodhimin e Bitcoin), të cilat kanë kaluar për ekspertim kompjuterik në laboratorin pranë Sektorit të Ekzaminimeve Kompjuterike në Prokurorinë e Posaçme.

  • Plazhi i Velipojës, mrekullia e veriut të Shqipërisë

    Plazhi i Velipojës, mrekullia e veriut të Shqipërisë

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, që nisi transmetimin javën e kaluar, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Një prej rubrikave eksploruese në këtë emision është rubrika “Ku me shku n’det”, në të cilën çdo ditë për shikuesit sjellin nga një reportazh nga plazhet më të bukura shqiptare.

    Në emisionin e mbrëmshëm, ekipi i ATV-së bëri një vizitë në Velipojë.

    30 kilometra nga qyteti i Shkodrës, sot një nga qendrat turistike më të vizituara në pjesën veriore shqiptare.

    Është fshati Velipojë, një nga vendet më tërheqëse për turistët.

    Plazhi i Velipojës me ujin e tij të pastër dhe të kthjellët ndërthuret me gjelbërimin e pishave që pushtojnë gjithë bregdetin. Peizazhi i tij i bukur e bën për vete pushues të shumtë çdo vit.

    Për pushuesit, plazhi i Velipojës ofron rehati dhe siguri, madje për shumë nga ta, ky plazh mbetet i preferuari.

    Ekipi i ATV-së ka qëndruar në këtë vend turistik, ku ka takuar turistë të shumtë që kishin ardhur për të kaluar ditën nga qytete të ndryshme si të Kosovës, ashtu edhe viset e tjera shqiptare dhe diaspora në përgjithësi.

    “Jam nga Malësia e Madhe e Shkodrës. Jam me banim në Norvegji, po bëj rreth 32 vite që jam atje. Jam shumë i mirëpritur në zonën time, kam kënaqësi të madhe që të jetoj, të vij e të punoj këtu, megjithëse kam shumë vite që jam andej”, thotë një pushues. /atvlive.tv

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë “n’mal A n’det” që u transmetua mbrëmë:

  • ​Basketboll/ Kosova luan sot për vendin e tretë në Evropianin U16

    ​Basketboll/ Kosova luan sot për vendin e tretë në Evropianin U16

    Sot është dita e fundit e Kampionatit Evropian, Divizioni C U16 për meshkuj në Prishtinë.

    Nga 19 korriku janë zhvilluar shumë ndeshje interesante, ndërsa përmbyllet sonte mbrëma. Gjithsej garuan nëntë shtete.

    Dardanët do të garojnë për vendin e tretë, ku do të përballen me Andorrën. Kosova-Andorra ishin përballur edhe në ndeshjen e fundit në grupe, ku basketbollistët e Kosovës kishin triumfuar 97:90.

    Basketbollistët e Kosovës kanë nevojë për përkrahje nga publiku për të përfunduar këtë Evropian me fitore.

    Ndërkohë, finalja do të zhvillohet ndërmjet Qipros dhe Azerbajxhanit, ku të dy kombëtaret duan trofeun e më të mirit dhe të depërtojnë në Divizionin B.

    Pas finales do të zhvillohet edhe ceremonia përmbyllëse, ku përveç titullit do të jepet edhe çmimi MVP dhe Top 5.

    Për vendet 5-9 do të ndeshen Armenia-Gjibraltari dhe Malta-Shqipëria.

  • Francezja “L’Alsace”: Shqipëria, perla e panjohur e Ballkanit

    Francezja “L’Alsace”: Shqipëria, perla e panjohur e Ballkanit

    Francezja “L’Alsace” zbulon për lexuesit Shqipërinë turistike, ndërsa i kushtoi një artikull bukurive natyrore të vendit dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe historike.

    Nën titullin ”Shqipëria, perla e panjohur e Ballkanit, “L’Alsace” rendit disa nga vendet më të bukura, duke nisur me Ksamilin.

    “Shqipëria befason me bukurinë e plazheve të saj, me rërë të pastër dhe ujë të kristaltë. Mes tyre edhe Ksamili në jug të vendit. Por në fakt, i gjithë bregdeti është plot me vende të shkëlqyera për t’u larë, të cilat nuk kanë përse t’i kenë aspak zili Greqisë fqinje”, shkruhet në artikull.

    “Një vend i vogël që ndodhet në veri të Greqisë, Shqipëria shfaqet absolutisht madhështore. Deti i bruztë nuk është kurrë larg maleve apo qendrave kryesore kulturore. Por, kjo ende nuk dihet gjerësisht! Prandaj, është koha e duhur për të zbuluar këtë destinacion origjinal dhe të lirë. Aty ku ndjenja e mikëpritjes ndriçon buzëqeshjet”, vijon artikulli.

    Si surprizë tjetër, “L’Alsace” rendit faktin se Shqipëria është një vend malor (70% e sipërfaqes së saj përbëhet nga male). Alpet dinarike në veri të vendit, arrijnë 2700 metra mbi nivelin e detit. Ato janë ende të egra dhe pak të frekuentuara, pavarësisht nga shtigjet që përshkojnë këto peizazhe madhështore. Një domosdoshmëri për amatoret e shtigjeve te pashkelura.

    Qyteti i Beratit është i denjë për reputacioni që ka si një thesar historik. Me një kështjellë mesjetare me kulla me bedena. Një lagje historike e ngjitur pas shpatit, ku xhamitë osmane, një katedrale dhe kishat bizantine rrinë pranë e pranë. Pa harruar Muzeun Etnografik dhe Muzeun kombëtar të ikonave.

    Shkodra ndodhet në veri të Shqipërisë. Në brigjet e liqenit me të njëjtin emër (më i madhi në Ballkan që shënon kufirin me Malin e Zi. Të tjera bukuri të tij: Kalaja madhështore Rozafa, e cila shpalos një panoramë të gjerë të qytetit dhe maleve. Por, edhe qendra historike me shtëpitë e shekullit të 19-të dhe xhaminë e shkëlqyer të plumbit.

    Parku Kombëtar i Thethit është një nga vendet që duhet parë në vend. Me malet e tij krenare, kanionet e tij, ujëvarat e tij, shpellat e tij. Dhe fshatrat e tij tradicionale si ai i Thethit, një thesar i vërtetë arkitekturor. Një rajon mikpritës, edhe pse mjaft i thellë, ku mund të strehoheni te vendasit ose në një kamping.

    Një tjetër qytet me rëndësi historike. Gjirokastër. Me një kështjellë të madhe që dominon luginën. Një qytet i vjetër në stilin otoman, me shtëpi të lyera me të bardhë dhe rrugica mesjetare që ngjiten thikë. Një pazar piktoresk. Një kishë e shekullit të 11-të, me dekorime të bukura të brendshme.

    Korça është mbiquajtur “Parisi i vogël shqiptar” për ngjashmërinë e saj me Francën. Për të vizituar: një muze të jashtëzakonshëm arkeologjik, xhaminë më të vjetër në Shqipëri, një katedrale të bukur ortodokse, një pazar të mbushur me dyqane të vogla, ku lulëzon tradita e kuzhinës lokale…

    Në zemër të Alpeve Shqiptare (por, i aksesueshëm me rruge automobilistike), liqeni i Komanit ju fton të bëni një ekskursion, me traget ose kajak, mes shkëmbinjve të lartë që i japin gjithë relievin. Në shoqërinë e zogjve të tillë si çafka gri apo pulëbardha kokëzezë.

    Tirana, kryeqyteti, mban gjurmë të së shkuarës komuniste të vendit, edhe pse ajo është në ringjallje të plotë. Vende që duhet t’i shihni patjetër: pazari i ri, me mijëra aroma dhe ngjyra. Sheshi i madh Skënderbej, zemra e qytetit. Piramida e Tiranës, Pallati i Kulturës…

    Artikulli mbyllet me Butrintin, i cili përshkruhet si një vend kyç arkeologjik në Shqipëri, shkruan Atsh. “Ai mban brenda tij gërmadha të jashtëzakonshme. Si një tempull i madh romak i stolisur me statuja mermeri. Një portë e madhe hyrëse në qytet, e quajtur “porta e luanit”. Një bazilikë e shekullit të IV-të, e përbërë nga tre nefet”, shkruhet tutje në artikull.