ATV

Author: ATVLive

  • Anulohet gjykimi në rastin “Toka”

    Anulohet gjykimi në rastin “Toka”

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është anuluar gjykimi në rastin e njohur si “Toka”, për shkak se i akuzuari Ndue Palushi përsëri mungoi për arsye shëndetësore.

    Një gjë e tillë u bë e ditur për “Betimi për Drejtësi”, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti i cili tha se për shkak se i akuzuari Palushi nuk mund të jetë i pranishëm për arsye shëndetësore, seancat e parapara për 27 dhe 28 korrik 2023 anulohen.

    Ndryshe, në këtë rast ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Azem Syla dhe të tjerë po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsion e krimin e organizuar.

    Kurse edhe seanca e 27 korrikut 2023 kishte dështuar për shkak se i akuzuari Ndue Palushi kishte munguar për arsye shëndetësore, e po ashtu edhe seanca e 22 majit 2023 ishte shtyrë për shkak se Azem Syla kishte munguar për arsye shëndetësore.

    Ndërsa, në seancën e mbajtur me 11 maj 2023, avokati Berisha i kishte propozuar gjykatës që për arsye shëndetësore të të mbrojturit të tij Azem Syla, gjykimi në vazhdim të mbahet në mungesë të të njëjtit.

    Kurse, një propozim i tillë është refuzuar nga gjykata, me arsyetimin se nuk janë përmbushur kriteret nga neni 303, paragrafi 5, pika 5.1, 5.2 dhe 5.3 të Kodit të Ri të Procdures Penale (i cili parasheh gjykimin në mungesë).

    Ndërsa, më 17 nëntor 2022 është bërë veçimi i procedurës për të akuzuarin F.G, pasi që për të njëjtin ishte caktuar të përpilohej një ekspertizë psikiatrike dhe eksperti kishte konstatuar se ai nuk është në gjendje të përcjellë shqyrtimin gjyqësor.

    Në seancën e 10 qershorit 2022, Azem Syla dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.

    Në këtë rast, F.G, ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla dhe të tjerët nga viti 2016 po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin e krimin e organizuar.

    Fillimisht në këtë rast kanë qenë 22 të akuzuar, ku për N.U., dhe Sh.M., është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të sigurojë prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura.

    Gjykatësi më pas ka bashkuar procedurën penale ndaj Ilaz Sylës, i cili ka qenë i akuzuar në këtë rast.

    Po ashtu, ka bashkuar procedurën edhe ndaj tani të akuzuarit Vidosav Novakovic, duke thënë se në këtë çështje penale do të merret një aktgjykim meqenëse sipas tij, janë provat të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

    Ndryshe, kjo lëndë fillimisht gjykohej nga gjykatësi Beqir Kalludra dhe pasi që gjykimi ishte afër përfundimit të tij, avancimi i gjyqtarit Kalludra kishte ndikuar që kjo lëndë të mbetej pa u përfunduar.

    Gjykata Themelore në Prishtinë këtë lëndë më pas ia kishte ndarë në punë gjykatëses Shpresa Hasaj-Hyseni, e cila nuk kishte mbajtur asnjë seancë.

    Por, edhe pasi rasti ishte pothuajse në përfundim, kur gjykohej nga gjykatësi Kalludra, i njëjti duhet të nis përsëri. Kjo pasi neni 311, paragrafi 3 i Kodit të Procedurës Penale përcakton se: “kur shtyrja ka zgjatur më shumë se tre (3) muaj ose kur shqyrtimi gjyqësor mbahet para një kryetari tjetër të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të fillojë rishtas dhe përsëri të shqyrtohen të gjitha provat”.

    Duke u bazuar në Kodin e Procedurës Penale, të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe provave të tjera që janë shqyrtuar nga gjykatësi Kalludra, duhet që të shqyrtohen edhe njëherë nga fillimi nga kryetari i ri i trupit gjykues, Arben Hoti.

    Ndryshe, ky shqyrtim nga fillimi i gjykimit është karakterizuar me zvarritje, në masën më të madhe, në kohën që gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

    Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, F.G, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.

    Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe N.U., Sh.M., Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura.

    Por, gjykatësi Hoti, jashtë seancës ka bashkuar procedurën për të akuzuarin Ilaz Syla dhe Vidosav Novakovic, ku për këtë të fundit ka thënë se provat janë të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

    Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

    Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

    Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.

  • ATK do të trajtojë personat e pasur përmes projektit specifik

    ATK do të trajtojë personat e pasur përmes projektit specifik

    Administrata Tatimore e Kosovës ka informuar sot se ka lancuar projektin më të ri për përmbushje tatimore “Personat e pasur”.

    Projekti ka për qëllim identifikimin e personave të pasur duke përdorur bazë të të dhënave në formë sistemi/platforme, e cila mundëson ndërlidhjen me institucione qeveritare, joqeveritare, financiare me qëllim të trajtimit tatimor të kësaj kategorie, rritjen e numrit të deklarimeve dhe pagesës së tatimit nga kjo kategori e tatimpaguesve, si dhe zvogëlimin e hendekut tatimor si rezultat i mosdeklarimit të të ardhurave nga personat me të ardhura të larta.

    Ky projekt ka qëllim të qartë dhe të rëndësishëm: të sigurojë që personat e pasur kontribuojnë në mënyrë adekuate dhe të drejtë për financat e shtetit. Fushëveprimi i këtij projekti do të jetë i shtrirë në kategorinë e personave si në vijim:

    Kategoria I – Personi, pasuria e të cilit është mbi 1 milion euro deri në 5 milionë euro;

    Kategoria II – Personi, pasuria e të cilit është mbi 5 milionë euro deri në 10 milionë euro;

    Kategoria III – Personi, pasuria e të cilit është mbi 10 milionë euro deri në 20 milionë euro; dhe

    Kategoria IV – Personi, pasuria e të cilit është mbi 20 milionë euro.

    “Përmes këtij projekti synohet që të reduktohet evazioni tatimor dhe të përmirësohet efikasiteti i sistemit të tatimeve për personat e pasur. Ky projekt do të sjellë transparencë, drejtësi dhe njëkohësisht do të krijojë një bazë më të qëndrueshme të burimeve për të investuar në sektorë kyç të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit.”, është bërë e ditur në komunikatë.

    ProjektI do të siguroj që të gjithë qytetarët e Kosovës të trajtohen barabartë para ligjit dhe të ndiejnë një angazhim të përbashkët për të kontribuar në mirëqenien e vendit.

  • ​FFK kërkon reagimin e FIFA-së dhe UEFA-së për koreografinë skandaloze të klubit serb, Crvena Zvezda,

    ​FFK kërkon reagimin e FIFA-së dhe UEFA-së për koreografinë skandaloze të klubit serb, Crvena Zvezda,

    Federata e Futbollit të Kosovës e ka dënon ashpër dhe njëherësh ka shprehur zemërimin dhe shqetësimin e saj lidhur me koreografinë skandaloze, luftënxitëse të tifozëve të klubit serb, Crvena Zvezda, në ndeshjen e futbollit kundër Fiorentinës në Beograd.

    Paraqitja e një tanku si koreografi në tribuna me simbolikën kundër Kosovës është një akt i papranueshëm dhe i pashoq për sportin, por edhe për harmoninë e paqen ndërmjet vendeve dhe popujve në rajonin tonë, e sidomos në periudhën e tensioneve mes dy vendeve.

    Ky akt i shprehur publikisht, i shoqëruar edhe me slogane provokuese, dëshmon se opinioni në Serbi dhe autoritetet e atjeshme nuk kanë ndryshuar aspak nga qasja agresore dhe njëherësh është një provokim i hapur ndaj sportit të futbollit dhe Republikës së Kosovës.

    Federata e Futbollit të Kosovës ka vepruar në përputhje me rregulloret dhe parimet e UEFA-së, duke paraqitur ankesë zyrtare për këtë çështje. Ne kemi kërkuar nga organet e UEFA-së që ta hetojnë me urgjencë këtë rast dhe të marrin masa të ashpra ndaj klubit dhe tifozëve të Crvena Zvezdës, në mënyrë që veprimet e tilla shoviniste dhe provokimet e ngjashme të parandalohen në të ardhmen.

    Futbolli është sport që përveç argëtimit duhet t’i afrojë njerëzit dhe të shërbejë për ndërtimin e urave të bashkëpunimit. Koreografitë dhe sloganet e tilla që synojnë të shkaktojnë konflikte dhe urrejtje ndërmjet vendeve dhe popujve nuk duhet të tolerohen.

    Ky rast na bën të kuptojmë se duhet urgjentisht organet e UEFA dhe FIFA të marrin masa më të ashpra kundër shkeljes së parimeve dhe vlerave bazë të lojës së futbollit. Shpresojmë dhe besojmë që ankesa e reagimi jonë do të merret seriozisht dhe ata që nxisin urrejtje nëpërmjet futbollit do të ndëshkohen.

    FFK do të vazhdojë të promovojë vlerat e vërteta të futbollit, pasi është e vetëdijshme se një mjedis i sigurt dhe i respektueshëm në stadiume është thelbësor për të përjetuar emocionin e futbollit në mënyrë pozitive.

  • “Nuk e pranoj fajësinë”, del para gjyqit ish-drejtori që ia ndaloi hyrjen në shkollë mësueses me shami në Suharekë

    “Nuk e pranoj fajësinë”, del para gjyqit ish-drejtori që ia ndaloi hyrjen në shkollë mësueses me shami në Suharekë

    Liman Bytyçi, ish-drejtor i shkollës fillore të mesme të ulët “Flamuri i Arbërit”, është ulur në bankën e të akuzuarve për t’u ballafaquar me aktakuzën e Prokurorisë që rëndon ndaj tij.

    Bytyçi po ngarkohet për veprën penale, shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës.

    Sipas Prokurorisë i pandehuri në gusht të vitit 2022, kishte vendosur që mësueses së lëndës së matematikës, Remize Lezi t’ia ndalojë ushtrimin e detyrës dhe t’ia mohojë nënshkrimin në listën e arsimtarëve prezent.

    Megjithëse, për shumë vite përcolli breza të nxënësve, mësueses iu pamundësua hyrja në shkollë kur vendosi të barte shaminë.

    Përball kësaj akuze, drejtori Bytyçi u deklarua i pafajshëm.

    “Nuk e pranoj fajësinë, pasi aktakuza është e pabazuar”- tha ai.

    Muhamet Mujaj, avokat i cili përfaqëson mësuesen Lezi, ka deklaruar se qëndron prapa ndjekjes penale dhe pranë kërkesës pasurore juridike.

    Pas kësaj gjykata ka udhëzuar të akuzuarin që në afatin prej 30 ditësh të parashtrojë kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

    Sipas aktakuzës më datë 30 gusht 2022, në fshatin Reshtan, Komuna e Suharekës, në shkollën fillore të mesme të ulët “Flamuri i Arbërit i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar, si drejtor i shkollës duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij ia mohon ose ia kufizon të drejtën për shprehje të lirë të identitetit të saj ose për të gëzuar autonominë e saj fetare të dëmtuarës, Remzije Lezi.

    Në aktakuzë thuhet se pasi e dëmtuara kishte vendosur mbulesë fetare dhe për herë të parë ishte paraqitur me mbulesë në shkollën ku punonte si mësimdhënëse e matematikës, i pandehuri si drejtor i shkollës ia ndalon hyrjen në objekt.

    Prokuroria thotë se e dëmtuara edhe përkundër ndalesës ka shkuar në shkollë dhe ka qëndruar aty aq sa ka qenë e paraparë të rri por që nuk është lejuar të nënshkruaj listën e prezencës në detyrë e as listën e sindikatës meqë ishin në grevë.

    Ditën kritike i pandehuri ia ofron të dëmtuarës vendimin e Këshillit Drejtues të shkollës nr.31 datë 29 gusht 2022, në bazë të së cilit nuk i lejohet ushtrimi i profesionit të mësueses në atë shkollë dhe pas këtij vendimi e njëjta dy ditë nuk shkon në shkoll por pasi dëgjon në lajme kryetarin e komunës së Suharekës, se ai vendim është i pavlefshëm të nesërmen shkon në shkollë por përsëri i pandehuri i kërkon që të largohet dhe po ashtu ia mohon të drejtën e nënshkrimit në listën e arsimtarëve prezent në shkollë.

    Me këtë sipas Prokurorisë i pandehuri akuzohet se ka kryer veprën penale shkelja e statusit të barabartë të shtetsve dhe banorëve të Republikës së Kosovës.

  • Murtaja afrikane e derrit përhapet në Dragash, Komuna ka një njoftim për qytetarët

    Murtaja afrikane e derrit përhapet në Dragash, Komuna ka një njoftim për qytetarët

    Komuna e Dragashit ka bërë të ditur se në territorin e komunës është konfirmuar murtaja afrikane e derrit.

    Në një njoftim zyrtar, komuna bën të ditur se sëmundja në fjalë nuk transmetohet as te njeriu e as te kafshët tjera.

    Megjithatë, kujdesi duhet të jetë maksimal.

    Komuna bën të ditur gjithashtu se janë duke u ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për eliminimin e kësaj sëmundjeje.

    Ky është njoftimi i plotë:

    NJOFTIM

    Të dashur qytetarë të Komunës së Dragashit,

    Ju informojmë se në territorin e Komunës sonë tashmë edhe zyrtarisht është konfirmuar MURTAJA AFRIKANE e derrit. Shoqata e Gjahtarëve “Dhia e Egër”, së bashku me Drejtorinë e Bujqësisë dhe Pylltarisë në Dragash, si dhe institucionet relevante qeveritare, janë duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për eliminimin e kësaj sëmundje.

    Kjo sëmundje nuk transmetohet te kafshët tjera, as te njeriu, mirëpo kujdesi duhet të jetë maksimal, pasi më herët nuk kemi pasur raste të tilla.

  • Zelensky: Mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi mbi 30 raketa ruse

    Zelensky: Mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi mbi 30 raketa ruse

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi të mërkurën se më shumë se 30 raketa ruse u rrëzuan gjatë ditës nga sistemi i mbrojtjes ajrore të vendit të tij.

    “Të dhënat janë ende duke u finalizuar, por sipas raporteve paraprake, më shumë se 30 raketa u rrëzuan vetëm gjatë sulmit raketor të sotëm, shumica dërrmuese e atyre të përdorura kundër nesh”, tha Zelensky gjatë një fjalimi në mbrëmje.

    “Kishte disa goditje dhe disa fragmente raketash. Por, është shumë e rëndësishme që guximi i këtij sulmi u shkatërrua. Sistemi i mbrojtjes ajrore bëri një punë të shkëlqyer! I jam mirënjohës çdo personi që mbron qiellin e Ukrainës. Dhe ne punojmë çdo ditë për të siguruar që ushtarët tanë të kenë gjithnjë e më shumë mundësi për të mbrojtur Ukrainën, qytetet dhe njerëzit tanë. Përfshirë ditën e sotme”, shtoi ai.

    Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha më parë përmes një deklarate në Facebook se mbrojtja ajrore e vendit shkatërroi 36 raketa të lëshuara nga Rusia në dy sulme të veçanta gjatë ditës.

    Zyrtarët rusë nuk komentuan ende për këtë çështje dhe verifikimi i pavarur i pretendimeve të Ukrainës është i vështirë për shkak të luftës.

  • ​Kuvendi zgjodhi dy anëtarët e Bordit të RTK-së

    ​Kuvendi zgjodhi dy anëtarët e Bordit të RTK-së

    Seanca plenare ku ishte paraparë shqyrtimi i pikave të papërfunduara nga seancat e kaluara ka përfunduar.

    Dardan Beqiri dhe Radoica Merdinjac janë emrat e dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës të cilët sot morën mbështetjen e Kuvendit të Kosovës për këto pozita.

    Dardan Beqiri mori 59 vota, ndërsa Radoica Mërdinjac u votua nga 52 deputetët, derisa në votim morën pjesë gjithsej 75 deputetë.

    Nga radhët e komunitetit shqiptar në garë ishin Dardan Beqiri dhe Besnik Aliu, ndërsa nga komuniteti serb, Dragan Stankoviq dhe Radoica Merdinjac.

    Duke qenë se opozita nuk ndodhej në sallën e Kuvendit të Kosovës, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, propozoi që të zhvendoset në njërën nga seancat e sesionit vjeshtor propozim-rezoluta për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.

    Kuvendi i Kosovës në orën 14:00 do të mblidhet përsëri në seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar në lexim të parë Projektligjin = për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin.

  • “Çmimet ishin rritë, s’ishin si përpara”, ky është ndryshimi i vetëm që mërgimtari e ka dalluar këtë vit në Kosovë

    “Çmimet ishin rritë, s’ishin si përpara”, ky është ndryshimi i vetëm që mërgimtari e ka dalluar këtë vit në Kosovë

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, që nisi transmetimin javën e kaluar, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Në këtë emision, çdo natë ka të ftuar mysafirë të shumtë, ku shumica nga ata vijnë nga diaspora.

    Mërgimtarët e ftuar në këtë emision flasin për tema të ndryshme që kanë të bëjnë me jetën në vendet në të cilat jetojnë dhe punojnë, si dhe pushimet e vendlindje, përvoja e tyre këtu, dallimet, etj.

    I pyetur për ndryshimet që ka parë në Kosovë në krahasim me vitin e kaluar, një mërgimtar tha se nuk ka vërejtur asnjë ndryshim, pos rritjes së çmimeve.

    Emisioni n’mal An’det, i cili vjen në një format më ndryshe, drejtohet nga yjet e ATV-së, Roberti, Emira dhe Jeta dhe jepet çdo ditë nga e hëna deri të premten prej orës 21:10.

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë “n’mal A n’det” që u transmetua mbrëmë:

  • ​Vazhdon shpërndarja e dokumenteve false në emër të Policisë së Kosovës

    ​Vazhdon shpërndarja e dokumenteve false në emër të Policisë së Kosovës

    Policia e Kosovës ka bërë edhe një sqarim pas qarkullimit të disa emaileve me dokumente të falsifikuara me pretendimin që janë lëshuar nga zyrtarë të lartë brenda policisë. PK sqaron se dokumentet e tilla nuk janë lëshuar nga ky institucion.

    Policia ka bërë publike këto emaile me qëllim të sqarimit të opinionit derisa ka bërë të ditur se ka filluar hetimet intensive lidhur me këtë rast.

    “Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth qarkullimit të e-mailave/dokumenteve të tilla, dhe vazhdimin e shpërndarjes së tyre, me kohë ka filluar hetimet intensive duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

    Lidhur me shpërndarjen e emaileve false, Policia e Kosovës kishte reaguar edhe me 17 korrik duke sqaruar se të njëjtat nuk janë dokumente zyrtare.

    Në këto dokumente, sipas policisë, ka pasur logo të PK-së, logo qeveritare, vula të ndryshme e mbishkrim të EUROPOL-it, dhe kinse janë lëshuar me qëllim të njoftimit të palës së caktuar për urdhër gjykate.

    “Siç e kemi theksuar në sqarimin e parë, tani edhe në sqarimin e dytë e ri-theksojmë se, në e-mailin dhe dokumentin e falsifikuar, janë përdorur emrat e zyrtarëve të lartë të PK-së dhe logot e ndryshme, por se ri potencojmë se nuk janë dokumente zyrtare, nuk përmbajnë formatin dhe shkrimin zyrtar të PK-së, si dhe nuk janë lëshuar nga adresat zyrtare të Policisë së Kosovës”, është theksuar në njoftimin e Policisë.

    Policia ka ftuar qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave dhe nëse dikush pranon emaile të tilla, ta adresojë çështjen në adresën zyrtare të PK-së: [email protected].

  • UFO-t bashkojnë Kongresin e ndarë të ShBA-së

    UFO-t bashkojnë Kongresin e ndarë të ShBA-së

    Dhoma e Përfaqësuesve mblodhi të mërkurën një panel mbi fenomenin anormal të paidentifikuar të njohur më shumë si UFO, me arsyen se pamjet misterioze meritojnë shqyrtim në nivelet më të larta të qeverisë.

    Gjatë dy orëve të seancës, tre dëshmitarë treguan rreth takimeve të tyre me objektet e paidentifikuara dhe treguan rreth pilotëve, të cilët ishin të frikësuar të flasin. Të gjithë pranuan se fenomenet anormale ishin një kërcënim potencial për sigurinë kombëtare.

    Komandanti në pension i Marinës amerikane, David Fravor rrëfeu edhe një herë takimin e tij me një UFO në vitin 2004, i cili lëvizi në një mënyrë që i hutoi aviatorët, pamjet e të cilave janë publikuar në vitin 2017 dhe janë verifikuar publikisht nga Marina e SHBA dy vjet më vonë.

    “Teknologjia me të cilën u përballëm ishte shumë më e lartë se çdo gjë që kishim, kemi sot, ose që po kërkojmë të zhvillojmë në 10+ vitet e ardhshme”, tha Fravor.

    David Grusch, ish-oficer i inteligjencës së Forcave Ajrore, la të kuptohej se zyrtarët qeveritarë kishin fshehur informacionin dhe kishin ndëshkuar informuesit, por pretendoi se ai nuk mund të fliste më tepër në publik për shkak të ligjit.

    Nancy Mace, një republikane e Karolinës së Jugut, i kërkoi Gruschit të shtjellonte atë që dinte për trupat jotokësorë.

    A ishin njerëz apo jo? Pyeti Mace.

    “Jo-njerëzore,” u përgjigj Grusch. Gjatë një linje tjetër të marrjes në pyetje, ai konfirmoi se kurrë nuk kishte parë personalisht një alien.

    Dëshmitarët kërkuan gjithashtu një proces raportimi zyrtar për personelin ushtarak ose anëtarët e publikut që të raportojnë pamjet e pashpjegueshme

    “Ne kemi nevojë për një sistem ku pilotët mund të raportojnë pa humbur punën e tyre”, tha Ryan Graves, drejtor ekzekutiv i Americans for Safe Aerospace.

    Ndërsa, ligjvënësit republikanë dhe demokratë i morën seriozisht çështjet, disa shprehën skepticizëm se aktiviteti jashtëtokësor po ndodhte.

    Hetimi i UFO-ve, i njohur tani për shumë si UAP, është bërë një çështje e rrallë dypartiake në Kongres. Ligjvënësit e të dyja palëve kanë kërkuar hetime dhe transparencë ushtarake. Në vitin 2022, Komiteti i Inteligjencës i Dhomës së Përfaqësuesve mbajti një seancë dëgjimore për programin sekret të Pentagonit. NASA mbajti një seancë publike për këtë çështje në qershor.

    Të dy ish-presidentët Barack Obama, një demokrat dhe Donald Trump, një republikan e trajtuan këtë çështje në intervista publike, shkruan BBC, përcjell KosovaPress

    Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby tha se ai ishte mendjehapur.

    “Ajo që ne besojmë është se ka fenomene ajrore të pashpjegueshme që janë cituar dhe raportuar nga pilotët – Marina dhe Forcat Ajrore”, tha Kirby. “Nuk i kemi përgjigjet se cilat janë këto dukuri”.

    Një gjë e rrallë për një seancë dëgjimore të Kongresit të transmetuar në televizion, pothuajse të gjithë ligjvënësit i përqendruan pyetjet e tyre në temën në fjalë të mërkurën.