ATV

Author: ATVLive

  • Lista Serbe kërkon nga Escobari që Kosova ta themelojë Asociacionin

    Lista Serbe kërkon nga Escobari që Kosova ta themelojë Asociacionin

    Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq bashkë me Slavko Simiq kanë zhvilluar të enjten një takim me Zëvendës Ndihmës Sekretarin dhe Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Takimi në mes tyre ka ndodhur në Departamentin amerikan të Shtetit.

    Siç ka njoftuar Lista Serbe, në takim është përcjellë “qëndrimi i komunitetit serb për situatën e sigurisë politike në Kosovë, si dhe nevojën e respektimit të marrëveshjeve të nënshkruara, përfshirë marrëveshjet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe udhërrëfyesin. për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës”.

    Qeveria e Kosovës ka arritur një marrëveshje me Bashkimin Evropina, ku thotë se i kanë ndërmarrë veprimet për deeskalim.

    Por, Lista Serbe nuk është mjaftuar, duke kërkuar formimin e Asociacionit si dhe lirimin e serbëve që sipas Beogradit dhe Listës Serbe ”po persekutohen“.

    Zyrëtët e Listës Serbe do të zhvillojnë edhe të tjera takime në SHBA.

  • Raporti i DASH: Kontesti me Serbinë, korrupsioni, interferimi politik në ekonomi dhe gjyqësor pengojnë tërheqjen e investimeve

    Raporti i DASH: Kontesti me Serbinë, korrupsioni, interferimi politik në ekonomi dhe gjyqësor pengojnë tërheqjen e investimeve

    Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për “klimën e investimeve në Kosovë“, për vitin 2023.

    Në këtë raport theksohen një mori problemesh e pengesash që frenojnë investitorët e huaj për të investuar në Kosovë.

    Një nga këto arsyeje përmendet edhe korrupsioni si dhe sundimi i dobët i ligjit.

    Por theksohet se ka edhe ndërhyrje politike në ekonomi që automatikisht e bën më të vështirë çështjen e investitorëve të huaj.

    Po ashtu, përmendet problemi me energjinë elektrike, pra nuk ka besueshmëri për furnizim të vazhdueshëm – si dhe të drejtat pronësore e integrimi i kufizuar rajonal e global ekonomik.

    Në këtë raport, si problem theksohet edhe çështja e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme në mes Kosovës dhe Serbisë.

    ”Potenciali i Kosovës për të tërhequr IHD në rritje është i kufizuar nga çështje të shumta strukturore, duke përfshirë integrimin e kufizuar ekonomik rajonal dhe global; ndërhyrja politike në ekonomi dhe gjyqësor; furnizim jo i besueshëm me energji; një sektor i madh informal; vështirësi në vendosjen e të drejtave pronësore; korrupsioni; dhe sundimi i dobët i ligjit, duke përfshirë mungesën e zbatimit të kontratave. Aftësia e vendit për të mbështetur rritjen mbështetet ndjeshëm në mbështetjen financiare ndërkombëtare dhe remitancat. Mosmarrëveshja e vazhdueshme e Kosovës me Serbinë dhe mungesa e njohjes formale nga shumë vende dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, gjithashtu pengon investimet dhe krijon pengesa për të bërë biznes”, thuhet në raport.

    Në këtë raport, ka edhe të tjera detaje për mosmarrëveshjet e Kosovës dhe Serbisë, si një problem në klimën e investimeve.

    “Mungesa e marrëdhënieve të normalizuara me Serbinë, nga e cila Kosova u shkëput në vitin 1999 dhe shpalli pavarësinë në vitin 2008, mbetet një burim tensionesh politike dhe kërcënimesh për konfrontime të dhunshme, veçanërisht në katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Një shembull i fundit dhe ilustrues përfshin një njoftim të qeverisë së Kosovës në tetor 2022 për zbatimin e një vendimi të mëparshëm që kërkonte shkëmbimin e targave të Serbisë me targat ‘RKS’ të lëshuara nga Republika e Kosovës. Si përgjigje ndaj këtij njoftimi dhe rritjes së tensioneve, u ngritën barrikada në katër komunat veriore të Kosovës duke bllokuar rrugët e transportit brenda dhe jashtë rajonit”, thuhet në raport.

  • Gjendet i vdekur një person te Mati 1, dyshohet për vetëvrasje

    Gjendet i vdekur një person te Mati 1, dyshohet për vetëvrasje

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në orët e mbrëmjes në lagjen Mati 1 në Prishtinë, ku një 28-vjeçar dyshohet se ka bërë vetëvrasje brenda një veture.

    Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

    Ai tha se vdekja e 28-vjeçarit është konfirmuar nga ekipi i mjekëve emergjent.

    Borovci shtoi se dyshohet se bëhet fjalë për vetëvrasje ndërsa rasti është duke u hetuar si “Hetim mbi vdekjen”.

    “Rreth orës 21:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në një veturë në rrugën “Sokol Sopi” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi i mjekëve emergjent të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull, rreth 28 vjeç.

    Përkundër që mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vetëvrasje, policia me kujdes të shtuar po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen”, tha Borovci.

  • Uta Ibrahimi, gruaja e parë në Ballkan që ngjet majat e 11 maleve

    Uta Ibrahimi, gruaja e parë në Ballkan që ngjet majat e 11 maleve

    Uta Ibrahimi e njohur ndryshe si heroina jonë e maleve e ka ngjitur edhe K2 me lartës 8,661 metra.

    K2 është maja e 11 në listën e Utës që ajo e ka ngjitur, dhe ajo vazhdon të jetë gruaja e parë në Ballkan që ka ngritur flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë në to.

    Lajmin e konfirmoi “Utalaya”, faqja e cila shpërndanë lajmet për ngjitjet e Ibrahimit nëpër botë.

    “Jemi krenarë dhe të lumtur të japim lajmin se Uta, heroina jonë e maleve, tashmë ka ngjitur edhe K2 me lartësi 8,611 m, dhe e ka renditur “Malin e egër” në vendin e 11 në listën e saj të projektit 14/8000. Kjo arritje e madhe është një moment historik ndër të tjera, që i ka dhënë një frymëzim të fuqishëm komunitetit alpinist shqiptar”, shkruante në postimin e “Utalayas”.

    “Përkushtimi dhe vendosmëria e Uta Ibrahimit tregojnë se ajo është një udhëheqëse e vërtetë dhe një shembull frymëzues për të gjithë ne që kërkojmë të kalojmë kufijtë dhe të bëjmë ëndrrat tona realitet”, shkruante më tej.

  • ​LDK dhe AAK kundërshtojnë seancën e jashtëzakonshme

    ​LDK dhe AAK kundërshtojnë seancën e jashtëzakonshme

    Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e konsiderojnë të jashtëzakonshme mbajtjen e seancës së sotme në orën 14:00 dhe atë për të cilën thanë se kanë marr njoftim për në orën 16:00.

    Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi u shpreh se propozuesi duhet të jap arsyeshmërinë e kësaj jashtëzakonshmërie ku në një seancë të trajtohen dy çështje totalisht të ndryshme.

    Sipas tij, kjo po ndikon në negativisht në kualitetin e ligjeve.

    “Kishte qenë mirë që propozuesi me të na shpjegojë arsyeshmërinë e jashtëzakonshmërisë së këtyre dy çështjeve totalisht të ndryshme si bashkohen në jashtëzakonshmërinë e tyre, dhe ne po ashtu para disa orësh morëm një ftesët për një seancë tjetër të jashtëzakonshme por sot në ora 16:00. Çka ka të jashtëzakonshme pse duhet Kuvendi t’i mbajë dy seanca të jashtëzakonshme brenda një dite të shqyrtojë tri pika të cilat janë totalisht të ndryshme dhe të paktën dy prej tyre mund të presin zakonishmërinë e seancave. Pse duhet me u bë kjo punë sepse kjo po ndikon negativisht në kualitetin e ligjeve dhe po krijon një precedent jashtëzakonisht të rrezikshmërinë ku një grup parlamentar”, tha ai.

    Tutje ai theksoi se me këtë sjellje po i humb esenca e parlamentarizmit.

    “Unë nuk po shoh diçka të jashtëzakonshme që duhet me u mbledh sot në ora 16:00 ose ora 14:00 me I trajtua me një zakonshmëri dy çështje totalisht të ndryshme dhe po ashtu me ardhur në ora 16:00 me ftesën që e kemi marr po sot me trajtua një ligj në dy leximet po sot po i humb esenca parlamentarizmit, ky normaliteti i shkeljes së procedurave kuvendore dhe i praktikave demokratike në këtë mënyrë po fillon po bëhet I rrezikshëm”, tha ai.

    Mendim të njëjtë me Gashin paraqiti edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri i cili tha se është e paprecedent që të sillen ligje për shqyrtim të cilat janë duke u trajtuar nga Gjykata Kushtetuese.

    Ai theksoi se kjo qasje është totalisht e paarsyeshme.

    “Ky Kuvend sot i ka thirrur tri seanca të jashtëzakonshme për tri ligje të zakonshme, për një ligj që është në trajtim në Gjykatë Kushtetuese. Është e paprecedent dhe as në historinë e këtij parlamenti edhe të parlamentarizmit që të thirret seancë e jashtëzakonshme për një ligj i cili është në trajtim në Gjykatë Kushtetuese, është totalisht e pakuptimitë dhe po të drejtohem edhe ty kryetar si thirrës i seancës që po ashtu ta trajtosh këtë çështje me shumë kujdes… 100 mijë herë kishte më qenë më urgjente të diskutohet rrezikshmëërinë e Policisë në veri të Kosovës dhe e kishte pas mbështetjen e deputetëve, por me na sjell ligje të cilat i nënshtrohen një procedure parlamentare, me na sjell një ligj që është duke u diskutuar në Gjykatë Kushtetuese kjo tregon me të vërtetë për një logjikë ose totalisht të paaftë ose seriozisht të mbrapsht. Kërkoj prej teje si kryetar dhe prej kolegëve të LVV të reflektojnë pse, pse duhet ky me u bë peng i një qeverisje totalisht in-efektive i një qeverisje me ligje anti-kushtetuese për të trajtuar ligje”, theksoi ai.

    Në këtë seancë të jashtëzakonshme pritet të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti.

    Po, ashtu në këtë seancë në rend dite është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-239 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-128./kp

  • Përkujtohet Haqif Mulliqi – E bija e tij: Po e përcjellim me duartrokitje në shfaqjen e tij të fundit

    Përkujtohet Haqif Mulliqi – E bija e tij: Po e përcjellim me duartrokitje në shfaqjen e tij të fundit

    Bashkëpunëtorë, miq, familjarë e personalitete të ndryshme të enjten kanë përkujtuar jetën dhe veprën e profesorit, gazetarit e dramaturgut Haqif Mulliqi, raporton Ekonomia Online.

    Hazir Haziri, dekan në Fakultetin e Arteve, tha se profesori Mulliqi punoi me përkushtim të pashoq dhe se mbetet ndër pedagogët e rrallë të dramaturgjisë skenike.

    “E nderuar familje Mulliqi, të nderuar kolegë gazetarë, studentë, dhe ju të pranishëm. Jemi mbledhur në këtë akademi përkujtimore për ta nderuar profesor Mulliqin. Profesori Mulliqi punoi me përkushtim të pashoq. Ai ishte ndër pedagogët e rrallë të dramaturgjisë skenike”.

    “Profesor Mulliqi ishte emër që do të mbahet mend në artet dramatike. Duke kontribuar vazhdimisht në këtë fushë. Profesorin kisha fat ta njoh dhe e njoha siç e njohin njerëzit kalibrin e tij, përmes veprave të tij”, Haziri.

    Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, u shprehi ngushëllime familjes e dashamirëve, për si cak thënë ai këtë humbej të madhe.

    Sipas tij, Mulliqi do të mbetet një figurë e shquar në punën e universitetit.

    “Më lejoni që në emër të UP-së dhe në emrin të shpreh ngushëllimet më te sinqerta me rastin e humbjes së tij. Profesori Mulliqi nisi rrugëtimin e tij duke u bërë pjesë e Fakultetit të Arteve duke lënë shembullin e një figure të shquar”.

    “Profesori Mulliqi ka bërë vite të shumta puna në universitet dhe pothuajse një jetë të tërë në art. Përderisa ne e mbajmë mend figurën e flasim për suksese në fushën e artit, duhet ta themi me mburrje e krenari se kontribuuesi i këtij suksesi është profesori Mulliqi”.

    E bija e tij, Getoarbë Mulliqi, tha se babai e la Kosovën për të cilën punoi shumë, duke pohuar se po e përcjellim me duartrokitje në shfaqjen e tij të fundit.

    “Ai ishte burrë, baba, gjysh i pashoq. Shqiptar i madh. Babai e la Kosovën, për të cilën punoi shumë dhe e deshi shumë”.

    “Unë sot babit do i them faleminderit dhe mirupafshim babë. Dua ta përcjell babin me duartrokitje në shfaqjen e tij të fundit. Ashtu siç veç ai e ka merituar”, tha ajo, raporton EO.

    Mulliqi vdiq dy ditë më parë në moshën 63 vjeçare duke lënë pas një veprimtari të larmishme si dramatur, gazetar e profesor.

  • Mediat bojkotojnë seancën e Kuvendit, pasi iu kufizua hapësira

    Mediat bojkotojnë seancën e Kuvendit, pasi iu kufizua hapësira

    Gazetarët dhe kameramanët e bojkotuan seancën e Kuvendit, pasi atyre iu kufizua hapësira.

    Në pjesën ku qëndrojnë mediat, kur nisi seanca u vendos shirit ndarës. Ai u vendos nga administrata e Kuvendit, siç u tha për çështje sigurie.

    Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme, ku pritet të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti.

    Në seancën e jashtëzakonshme, në rend dite është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-239 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-128./KP

  • Murati: Me skemën e re pensionale do të përfitojnë rreth 70 mijë persona

    Murati: Me skemën e re pensionale do të përfitojnë rreth 70 mijë persona

    Komisioni Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka shqyrtuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se nga kjo skemë pensionale do të përfitojnë rreth 70 mijë persona.

    “Ka qenë një zotim i yni si qeveri dhe ka qenë edhe kërkesë e pensionerëve, e cila më në fund po merr përgjigjen e duhur sa i përket rregullimit të kuadrit ligjor. Në lidhje me këtë kemi pranuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtuese. Në bazë të përllogaritjes që kemi bërë parashihet që në skemën parciale të kalojnë rreth 70 mijë persona. Periudha nga largimi nga puna konsiderohet si periudhë e punës për hir të njohjes së kontributit 15-vjeçar. Si impakt buxhetor vlerësohet të jetë diku 60 milionë euro në vit. Është e nevojshme të bëhet edhe llogaritja e kostove për 50 vite. Dhe kostoja ka dalë të jetë rreth 1.3 miliard euro për këto 50 vite”, ka theksuar ministri Murati.

    Mirëpo për ligjin ngritën kritika deputetë të opozitës. “Kam pritur shumë më tepër nga ju. Nuk janë dy rekomandimet e Gjykatës Kushtuese të përfshira brenda. Të gjitha vendet që kanë dalë nga konfliktet e kanë rregulluar që me reformë çdo tre vjet të bëhet rirregullimi i pjesëmarrësve në këtë kategori. Ndoshta ministër do të ishte mirë që një skemë që e ka hartuar Kroacia të merrej në konsideratë. Ftoj që të gjithë të jemi unik pasi këta njerëz kanë nevojë për ne”, tha deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.

    “Nuk e di se si do ta informoni Gjykatën Kushtetuese sa i përket plotësimit të vendimit në plotni dhe se si ata do të përgjigjen. Mendoj që zgjidhja parciale do të mbetet temë e hapur. Ne duhet të ulemi bashkërisht. Nuk po dyshoj në vullnet por duhet të jemi koherent në lidhje me atë që po kërkojmë”, ka thënë deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

    Mirëpo deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku tha se të gjithë qytetarët e mirëpresin këtë ligj. “Besoj që të gjithë qytetarët e mirëpresin ligjin. Ne jemi para një reforme të të gjitha skemave dhe mendoj që edhe skemat tjera do të rregullohen”, ka shtuar ajo.

    Ndryshe, Projektligji për Skemat Pensionale të financuara nga shteti do të shqyrtohet në seancën e sotme të Kuvendit në orën 14:00./rtk

  • Vendoset shiriti – gazetarëve u “kufizohet” hapësira në Kuvend

    Vendoset shiriti – gazetarëve u “kufizohet” hapësira në Kuvend

    Kuvendi ka vendosur një shirit në pjesën e mediave duke i zhvendosur gazetarët dhe kameramanët të cilët përcjellin punën e këtij institucioni më prapa.

    Kuvendi është arsyetuar se ka vendosur shiritin për shkaqe sigurie derisa pritej të niste seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga ora 14:00, e kësaj të enjte.

    Shiriti u vendos në pjesën ku janë mediet dhe xhamit ndarës të ballkonit për medie.

    Na ballkonin e Kuvendit, nga ku mundësohet pamja e plotë e sallës së seancave, janë vendosur rregullisht ekipet e gazetarëve që kanë përcjellë seancat. Ajo është hapësira e vetme nga e cila gazetarët mund t’i përcjellin punimet e Kuvendit.

  • Çeku: Serbia mobilizon tifozëri për mesazhe lufte ndaj Kosovës

    Çeku: Serbia mobilizon tifozëri për mesazhe lufte ndaj Kosovës

    Paraqitja e një tanku si koreografi në tribuna me simbolikën kundër Kosovës ishte akti më i fundit që Serbia, përkatësisht tifozët serb e bënë gjatë ndeshjes mes Crvena zvezdas dhe Fiorentinës.

    Ndeshja mes “Yllit të Kuq” dhe Fiorentinas u zhvillua në Beograd, ku në stadium u shfaq një koreografi me paraqitjen e një tanku, dhe me shkrimi nën të “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”, raporton KosovaPress.

    Tani, për këtë gjë ka reaguar edhe ministri i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili tha se Serbia po mobilizon tifozëri për mesazhe lufte ndaj Kosovës.

    “Serbia mobilizon tifozëri për mesazhe lufte! Koreografia e organizuar në ndeshjen miqësore të futbollit të zhvilluar dje ndërmjet ‘Yllit të kuq dhe Fiorentinës në Beograd, tregon qartazi për mendësinë e pandryshuar të Serbisë. Grupi i tifozerisë ‘Delije’ mbrëmë ka shfaqur një koreografi ku shihet një tank i madh me sfondin e flamurit serb dhe me shkrimin nën të ‘Kur të kthehet ushtria në Kosovë’”, shkroi Çeku në “Facebook”

    Më tej, Çeku tha se Serbia nuk po e kursen as sportin për promovimin e politikës luftënxitëse, ndërsa kërkoi që komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të hesht.

    “Serbia edhe një herë tregoi që nuk e kursen as sportin si platformë për promovimin e politikës së saj luftënxitëse. Kërcënimet me luftë nga stadiumi i futbollit duhet të kundërshtohen nga organizatat ndërkombëtare të futbollit, të cilat i ftojmë për marrjen e masave të duhura ndëshkuese. Këto veprimeve të Serbisë janë të papranueshme, andaj komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të qëndrojë në heshtje”, shkroi Çeku.

    Edhe Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka kërkuar nga UEFA dhe FIFA që të marrin masa më të ashpra kundër Serbisë për shkeljen e parimeve dhe vlerave bazë të lojës së futbollit.