ATV

Author: ATVLive

  • Autoriteti i Konkurrencës nis hetim ndaj Telekomit të Serbisë, Beqa jep detaje

    Autoriteti i Konkurrencës nis hetim ndaj Telekomit të Serbisë, Beqa jep detaje

    Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetim ndaj MTS, filialit të Telekomit të Serbisë në Kosovë. Ky hetim është nisur nën dyshimin se ndërmarrja ka realizuar shitblerje të aksioneve në tregun përkatës duke fituar kontroll mbi ndërmarrjet tjera për të cilat përmbushet detyrimi ligjor për njoftimin e përqendrimit sipas Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, raporton Ekonomia Online.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të këtij institucioni, Selajdin Beqa, thotë për Ekonomia Online është nxjerrë një Konkluzion për fillimin e procedurës kundër MTS D.O.O, e cila operon në tregun e Kosovës me ofrim të shërbimeve të internetit dhe atë kabllor.

    “Në fund të vitit 2022 kemi filluar monitorim të theksuar të tregut të telekomunikimeve siç jeni të njohur edhe media e juaj edhe opinioni i gjerë kemi hapur disa hetime nga ky sektor, me të cilët jemi në procedurë tash më hetimore dhe vlen të theksohet rasti i procedurës hetimore ndaj ndërmarrjes MTS për të cilën veçse tash jemi në hapat e fundit të procedurës ku pala është njoftuar për njoftimin e fakteve paraprake të konstatuara në procedurë tash më i kemi edhe konstatimin e fakteve me të cilat do të ftohet ndërmarrja në seanca dëgjimore para komisionit të Autoritetit të Konkurrencës dhe aty do të përballemi me të gjeturat të cilat janë konstatuar nga grupet hetimore në kuadër të AK dhe mbi bazën e asaj, tani komisioni do të tërhiqet të marrë një vendim”, u shpreh Beqa për EO.

    “… ne kishim hapur hetim ndaj ndërmarrjes MTS lidhur me mosaplikimin e paraqitjes së njoftimit të përqendrimeve në Autoritetin e Konkurrencës ashtu si e parasheh ligji, ndërmarrja kishte dështuar të paraqes pranë autoritetit transaksionet me të cilat kishte blerë disa ndërmarrje në vendbanime të ndryshme të Kosovës duke i blerë ato pa i paraqit modifikimin ne autoritet dhe mbi këtë bazë ne kemi hapur hetim, tash kem bërë njoftimin preliminar, jemi te konstatimi fakteve dhe shkojmë sipas procedurës ligjore në seanca dëgjimore me ndërmarrjen dhe tani komisioni e thotë fjalën e vet”, thotë tutje Beqa.

    Beqa ka treguar se në njoftimin e fakteve, MTS ka blerë së paku katër ndërmarrje regjionale, në vendbanimet kryesisht të banuara me serb.

    “Në veri dhe gjithsej 11 komuna gjithandej duke filluar nga veriu, komuna e Shtërpcës, Graçanicës e tjera, ku ka vendbanime të komunitetit serb. Është ë habitshme ky fakt por kështu është”, thotë Beqa, teksa tregoi edhe për kohën se kur kanë filluar këto hetime.

    “Në vjeshtën e vonshme të vitit të kaluar, Autoriteti vazhdimisht bënë monitorime të tregjeve të caktuara. Tregu i telekomunikimeve respektivisht kabllorë dhe shërbime të internetit po duket që kanë një shkallë të lartë të koncentrimit, dhe në bazën e kësaj ne në atë kohë kemi filluar monitorimet të cilat dolën me dyshime të bazuara se mund të fillojmë një procedurë hetimore dhe me pa çfarë ka ndodhur, përkitazi me ketë ne kemi hapur fillimisht hetim ndaj ndërmarrjes MTS e po ashtu kemi hapur edhe hetime, kemi pasur edhe ankesa në fakt, e kemi vazhduar procedurën sipas detyrës zyrtare”, u shpreh Beqa, duke thënë se ankesat kryesisht kanë ardhur nga ndërmarrjet e vogla.

  • Mot me diell e vranësira sot në Kosovë

    Mot me diell e vranësira sot në Kosovë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot me vranësira të pjesëshme dhe intervale me diell.

    “Të dielen do të mbajë mot me vranësira të pjesëshme dhe intervale me diell, Në fushat termike nuk parashihet të ketë ndryshime të mëdha . Minimalet do të lëvizin ndërmjet 9-12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 28-32 gradë Celsius. Era do ta mbajë drejtimin e njejtë nga verilindja , shpejtësia e së cilës mund të arrijë deri 4 m/s.”

  • Mbi 6 milionë udhëtarë e kanë përdorur Trafikun Urban për gjashtë muaj, paralajmërohen linja të reja

    Mbi 6 milionë udhëtarë e kanë përdorur Trafikun Urban për gjashtë muaj, paralajmërohen linja të reja

    6 milionë e 300 mijë udhëtarë kanë përdorur autobusët e Trafikut Urban, vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti.

    E gjithë kjo sipas Kryeshefit të Ndërmarrjes “Trafiku Urban”, Butim Maraj, është bërë pas vendimit të autoriteteve komunale që të vendosin në përdorim biletat ditore, me çmim prej 80 cent, të cilat mund të shfrytëzohen për 24 orë në të gjitha linjat.

    Ndërsa bileta njëdrejtimëshe në autobusët e Trafikut Urban në Prishtinë, thotë se mbetet 50 cent.

    “Ne mburremi me numrin,numri është kogja i madh,shummë pak njerëz munden me ditë po dikun nëse e marrim që në ditë kemi dikun 35 mijë udhëtarë që e frekuentojnë autobusin urban atëherë del dikun 6 milionë e 300 mijë që i kemi në këtë 6 mujorin e parë në trafikun urban që është një shifër shumë ë madhe, po na bën më u mburrë sepse me gjithë këtë shifër të madhe dhe me gjithë intenzitetin e lartë të frekuentuesve të udhëtarëve neve po ia dalim që të jemi sa më konkret dhe të jemi sa më të mirë në shërbimet tona”, thotë Maraj.

    “Ne përditë e më shumë jemi duke punuar… prej shtatorit fillon një fazë e re e trajnimeve të punëtorëve të stafit të trafikut urban, se mendoj që pavarësisht që ne i kemi në shërbim të mirë ne duhet me kërku që shërbimi të jetë ende më i mirë se ka raste që punëtorët nuk e bëjnë punën si duhet, por ato janë raste shumë te vogla, duke krahasuar sa kemi udhëtarë dhe sa shumë jemi të fokusuar që shërbimet të jenë në kohë të saktë siç është edhe planifiku”, u shpreh ai, teksa e konfirmon se nuk kanë probleme me staf.

    Maraj gjithashtu ka shtuar se shumë shpejtë do të shtohen edhe 30 autobusë të rinj, gjashtë prej të cilëve do të jenë elektrik.

    “Me staf jemi mirë, por nuk jemi mirë me autobus, ne kemi kërkesë të madhe prej udhëtarëve që ta shfrytëzojmnë autobusin e trafikut urban. Tash jemi në proces të autobusave të rinj. Procesi muomentalisht është një thirrje ndërkombëtare ku përgatitet një dosjë për specifikat e autobusëve të cilat na vijnë, ne e dim përafërsisht autobusët do të jenë 6 elektrik të tjerët do të jenë me emitim, që është një emitim shumë më i ulët edhe më i butë i gazrave të këqija edhe po besoj me 30 autobus të tjerë,neve na bëhën 80 autobus duhet shtohet edhe numri i punëtorëve, do të shtohet me një anë me një anë do letohet pasi që ne do të kemi një sistem digjital të biletave, jemi duke punu afër me komunën që të krijohet një sistem dixhital i biletave, momentalisht i kemi vetëm 3 pika në të cilat mundemi me i ble biletat mujore, po njerëzit me pasë mundësi më blë biletën mujore pse jo edhe biletën vjetore ,me një ofertë shumë më të mirë që me u shftytezu shumë më shumë trafiku urban dhe mos me qenë të tej ngarkuar autobusat, siç momentalisht kemi faza ku janë të tej ngarkuar, keshtu që ne i bëjmë thirrje qytetarëve që të kenë durim edhe naj ditë, besoj deri në vitin tjetër, në janar, në shkurt presim që të fillojmë me autobusat e ri”, thotë Maraj.

    Me blerjen e autobusëve të rinj, Maraj shprehet i bindur se “Trafikut Urban” do t’i shtohen edhe linja të reja.

    “Na vjen keq për të gjitha, për ne është ë rëndësishmë që shtritja e trafikut urban të jetë pothuajse në gjithë Prishtinën, momentalisht nuk i kemi mundësitë. Është kriju ekipi edhe prej pjestarëve të Komunës edhe prej trafikut urban, po besoj që edhe me një projekt të ri që e ka komuna do të jetë edhe një ndhmë shtesë prej ekspertëe që do të vinë me na ndihmu për zgjerim. Po ashtu me bisedën që e kemi pas edhe me kryetarin Rama edhe me drejtorin e Drejtorisë për Shërbime Publike jemi duke e diskutuar mundësinë që shume shpejtë do të fillojmë më një projekt të ri i cili do të përfshinte edhe autobusat, miniautobusat, në zonat që janë më të rënda dhe kanë mudësi më të vogël të infrastrukturës me pas qasje më të lehtë”, u shpreh tutje Maraj.

    E sa i përket vendimit për përdorimin e biletës prej 80 cent, e që mund të shfrytëzohet për 24 orë në të gjitha linjat, Maraj thotë se ka dhënë rezultate të dukshme.

    Thotë se ky vendim ka bërë që të rritet numri i udhëtarëve në ditë.

    “Unë besoj që njerëzit janë shumë të interesuar me pa që ka oferta në Prishtinë, që kryesuesit e komunës mendojnë për qytetarët, që t’ua bëjnë një jëtë pak më të lëhtë dhe pak më të lirë, duke e ditur sa të larta janë shpezimet sot dhe sa janë pagat sot të uleta, kështu që e kam përshendet si nismë dhe me këtë numri i udhëtarëve është rritë per 10 mijë udhëtarë, kjo do të shtohet po ashtu ne po punjmë se bashku me komunën, që me kriju edhe disa parakushte të tjera që kanë me kriju edhe një momentum por edhe një insentiv për udhëtarët që me udhëtu mashum me trafikun urban se me veturat e tyre”, u shpreh ai. /EO/

  • Rasti Klan Kosova, reagon edhe presidentja Osmani

    Rasti Klan Kosova, reagon edhe presidentja Osmani

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar për rastin e Klan Kosovës, pasi sot MINT refuzoi ankesën e televizionit dërguar në ARBK për çështjen e pezullimit të certifikatës së biznesit Klan Kosova sh.p.k.

    Në këtë reagim, ajo thotë se “liria e mediave nuk është privilegj, por një e drejtë themelore që mbështet funksionimin e një shoqërie demokratike”.

    E para e shtetit thotë se “është detyrë e secilit në shoqërinë tonë që ta vlerësojmë lirinë e mediave, ta mbrojmë atë dhe të krijojmë kushte për të, në përputhje me kornizat e përcaktuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë”.

    Presidentja thotë se “respektimi i Kushtetutës dhe i ligjeve janë thelbësore për ruajtjen e rendit, drejtësisë dhe kohezionit social”.

    “Promovimi i lirisë së medias brenda kufijve të ligjit, sikurse edhe mbështetja ligjore e fjalës së lirë dhe të drejtës për informim janë parime bazike të shoqërisë sonë, të cilat burojnë edhe nga akti më i lartë juridik i shtetit tonë”.

    “Çdo dilemë ligjore rreth rastit të licensës së mediumit Klan Kosova, duhet të sqarohet deri në fund nga instancat përkatëse të sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës”.

    “Presidentja e Republikës pret që kjo të bëhet duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit”, ka theksuar Presidentja Osmani në këtë reagim.

  • QUINT dhe BE reagojnë për vendimin e MINT ndaj Klan Kosovës

    QUINT dhe BE reagojnë për vendimin e MINT ndaj Klan Kosovës

    Ambasadorët e QUINT-it dhe Zyra e Bashkimit Evropian përmes një komunikate të përbashkët kanë reaguar ndaj vendimit të Ministrisë së Tregtisë për pezullimin e licencës së televizionit Klan Kosova.

    Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe Bashkimi Evropian në Kosovë kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për vendimin e sotëm të Ministrisë ku konfrimohet pezullimi i licencës së Klan Kosova.

    Ne reagim thuhet se një vendim i tillë është jopropocional e që do të ketë pasoja në plurlalizmin mediati në Kosovë. QUINT potencon se heqja e licencës së çdo media është hap i rëndësishëm që kërkon shqyrtim rigoroz.

    “Ne jemi veçanërisht të shqetësuar se heqja e licencës së biznesit të Klan Kosovës është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralitetin mediatik në Kosovë. Revokimi i licencës së çdo media është një hap i rëndësishëm që kërkon shqyrtim rigoroz. Liria e shprehjes dhe e informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike. Presim një proces të drejtë dhe transparent ligjor për zgjidhjen e situates”, thuhet në komunikatën e QUINT.

  • Vrasje e trefishtë në Rufc të Lipjanit, reagon kryeministri Kurti

    Vrasje e trefishtë në Rufc të Lipjanit, reagon kryeministri Kurti

    Tre anëtarë të familjes Bekteshi, burrë e grua dhe djali i tyre, kanë mbetur të vdekur në fshatin Rufc të Vjetër të Lipjanit.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 16:30, ka konfirmuar policia. Dyshohet se kryefamiljari, rreth 60-vjeçar, e ka vrarë bashkëshorten dhe të birin e tyre, dhe më pas ka qëlluar dhe veten me armë zjarri.

    Lidhur me këtë ngjarje tronditëse ka reaguar kryeministri Kurti, i cili përmes një statusi në facebook, ka shkruar se është i trishtuar pamasë nga lajmi i kobshëm për vdekjen tragjike të tre anëtarëve të familjes Bekteshi nga fshati Rufc i Vjetër i Komunës së Lipjanit.

    “Përtej rrethanave që do të sqarohen nga autoritetet, tronditje të tilla lënë boshllëk në zemrat e secilit prej nesh. Sot, jemi pranë familjarëve e miqve të viktimave. Familjes Bekteshi i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e madhe, sikurse edhe të gjithë qytetarëve të Komunës së Lipjanit”, ka shkruar Kurti. /atvlive.tv

  • Trafikuan 18 vjeçaren, gjykata e Pejës i dënon me 23 vjet e gjysmë burgim

    Trafikuan 18 vjeçaren, gjykata e Pejës i dënon me 23 vjet e gjysmë burgim

    Me 23 vjet burgim gjithsej janë dënuar pesë persona nga Gjykata Themelore e Pejës për veprën penale trafikim me njerëz.

    K.G , në tetor të vitit 2021 ishte keqtrajtuar, mashtruar e detyruar të kryejë shërbime seksuale në këmbim të hollave në shuma prej 50 deri në 200 euro.

    “Të akuzuarës M.Xh i përcakton dënim me burg ne kohëzgjatje prej 3 vite dhe dënimin me gjobë në shumën prej pesëqind (500) euro .Të akuzuarit I. M i caktohet dënim me burgim në kohëzgjatje prej pesë (5) vite, dhe dënim me gjobë në shumë prej 1.000 euro. Të akuzuarës E.Z tre ( 3) vite dhe dënimin me gjobe ne shumen prej pesëqind (500). Të akuzuari M.I në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vite, si dhe dënim me gjobe ne shumen prej njëmijë (1.000) €. Te akuzuarit i shqiptohet dënim unik ne kohëzgjatje prej shatë (7 ) vite si dhe dënim me gjobë në shumë prej dymijë (2.000) €,. Të akuzuarit J. A dënim me burgim ne kohëzgjatje prej pesë (5) vite, dhe dënim me gjobe ne shumen prej njëmijë (1.000)”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore të Pejës.

    Prokurorja e rastit Lumturije Vuçetaj në një intervistë për ATV, ka thënë se 18 vjeçarja është treguar bashkëpunuese gjatë tërë procesit gjyqësor, përkundër presionit të vazhdueshëm.

    Sipas Prokurorisë provat në këtë rast kanë drejtuar në hetime edhe të rasteve të tjera.

    Organi i akuzues thotë se vendimi dënues në këtë rast përçon një mesazh.

    Ndërkohë mbrojtja e të akuzuarve ka paralajmëruar se do ta apelojë dënimin.

    Aktakuza në këtë rast ishte ngritur në mars të vitit të kaluar, disa muaj pasi viktima kishte paraqitur rastin. Ajo ishte trajtuar në tetor të vitit 2021 në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë si pasojë e gjendjes jo të mirë psikofizike. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Vendimi i MINT për mbylljen e Klan Kosovës, reagon ministrja Hajdari

    Vendimi i MINT për mbylljen e Klan Kosovës, reagon ministrja Hajdari

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në një postim në Facebook i ka qëndruar mbrapa vendimit të dikasterit që udhëheq që sot mori vendim për të mbyllur Klan Kosovën. Ajo ka thënë se fakti që Klan Kosova është media nuk amnistohet nga shkeljet që pretendohen.

    Postimi i plotë:

    Çdo biznes me veprimtari në Republikën e Kosovës, e ka për obligim që të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë.

    Ndërsa, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është e vendosur për të mbrojtur rendin dhe ligjin në çdo rast brenda fushëveprimit të saj, pa përjashtim e pa diskriminim.

    Fakti që një biznes sh.p.k., mes shumë veprimtarive të tjera, merret edhe me media, nuk e amniston aspak prej llogaridhënies për shkeljet ligjore që i kryen, sado i fuqishëm që të jetë ekonomikisht apo politikisht.

    Për sa i përket vendimmarrjes në kuadër të MINT, procedimi i rastit Klan Kosova sh.p.k. ka përfunduar.

    I ftoj Policinë e Kosovës dhe prokurorët kompetentë, që të ndërmarrin hapat e nevojshëm ligjorë për të hetuar, deri në fund, shkeljet ligjore të kryera nga ana e këtij biznesi, si dhe nga ana e disa zyrtarëve të ARBK, për të cilat shkelje ligjore kjo Ministri ka parashtruar kallëzim penal para disa javësh.

  • Reporterët pa Kufij: Duke ia pezulluar licencën, Qeveria e Kurtit po e shtyn drejt mbylljes Klan Kosovën

    Reporterët pa Kufij: Duke ia pezulluar licencën, Qeveria e Kurtit po e shtyn drejt mbylljes Klan Kosovën

    Një prej organizatave më të mëdha për mbrojtjen e gazetarëve dhe lirisë së medias kanë reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova.

    Reporterët pa Kufij kanë thënë se me një vendim të tillë po kërcenohen rëndë pluralizmi i informacionit.

    Sipas kësaj organizate, duke pezulluar certifikatën e Klan Kosova, Qeveria e Kurtit po e shtyn televizionin drejt mbylljes dhe kanë bërë thirrje që vendimi të rrezohet.

  • Potenciali i Kosovës për të tërhequr investime të huaja, i kufizuar

    Potenciali i Kosovës për të tërhequr investime të huaja, i kufizuar

    Të kufizuar e ka vlerësuar Departamenti Amerikan i Shtetit potencialin e Kosovës për të tërhequr investime të huaja.

    Raporti për “Klimën e Investimeve” për vitin 2023, Kosovën e ka cilësuar si vend jo të përshtatshëm për të investuar, për shkak të disa problemeve si “integrimi i kufizuar ekonomik rajonal dhe global, ndërhyrja politike në ekonomi dhe gjyqësor, furnizim jo i besueshëm me energji, korrupsioni dhe sundimi i dobët i ligjit.

    Emërues i përbashkët i këtyre problemeve, po vlerësohet të jetë jostabiliteti politik në vend.

    Vendet e rajonit, sipas Safet Gërxhaliut, qëndrojnë më mirë sesa Kosova në këtë aspekt.

    Ndërkaq, njohës të sigurisë konsiderojnë se zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës, kanë trembur investitorët e huaj.

    Megjithatë, Departamenti amerikan i Shtetit thotë se ekonomia kosovare është këndellur pas tronditjeve që ishin derivat i pandemisë, teksa përmend edhe vlerësimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar se rritja ekonomike në vend për vitin 2023 parashihet të jetë 3,8%. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: