ATV

Author: ATVLive

  • UP dhe AAB, liderë në Kosovë sipas Webometrics

    UP dhe AAB, liderë në Kosovë sipas Webometrics

    Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, si institucion arsimor publik dhe AAB-ja, si institucion jopublik, janë dy universitete të cilat prijnë në listën e Ëebometrics.

    Në rezultatet e muajit korrik, vlerësim ky i dyti për këtë vit, në mesin e mbi 31 mijë universitete globale, në krye të listës të institucioneve të arsimit të lartë që operojnë në Kosovë, janë ranguar Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Kolegji AAB

    UP i prin listës së universiteteve publike në vend, ndërsa në sektorin e institucioneve të arsimit të lartë jopublik, për gjashtë vjet me radhë, lider i këtij rangimi mbetet Kolegji AAB.

    Për më tepër AAB është ranguar si ndër institucionet më të mira edhe në nivel të institucioneve të arsimit të lartë në trojet shqiptare.

    Në publikimin e Cybermetrics Lab, pjesë e Spanish National Research Council me seli në Madrid, bëhet e ditur se progres të pakontestueshëm viteve të fundit këto dy universitete kanë bërë në hulumtime shkencore, duke numëruar numrin e punimeve shkencore gjatë viteve 2018-2022 dhe duke numëruar numrin e citimeve sipas Google Scholar nga top 310 autorët.

    Ky sukses i jashtëzakonshëm i Kolegjit AAB, duke mbajtur primatin e më të mirit në mesin e institucioneve jopublike të arsimit të lartë në trojet shqiptare, për disa vjet me radhë, ka ardhur si rezultat i angazhimit të vazhdueshëm në fushën e hulumtimit shkencor dhe në ngritjen e cilësisë në të gjitha sferat.

    Ëebometrics është ranglistë e grupit hulumtues Cybermetrics Lab, që është pjesë e institucionit më të madh kërkimor publik në Spanjë, Këshillit të lartë për kërkime shkencore (CSIC). Rezultatet shpallen dy herë në vit, në janar dhe në korrik ndërsa në të përfshihen mbi 31 mijë universitete botërore. /atvlive.tv

  • Vrau gruan dhe e hodhi në gropën septike, gjendet i vdekur 55-vjeçari Gjergji Mullalli

    Vrau gruan dhe e hodhi në gropën septike, gjendet i vdekur 55-vjeçari Gjergji Mullalli

    Gjergji Mullalli 55-vjeçari që vrau të shtunën gruan dhe e hodhi në gropën septike në Maliq ka vrarë veten. Mullalli është gjetur i vdekur nga autoritetet e policisë.

    Ai dyshohet se e vrau bashkëshorten për motive xhelozie. Ata ishin në proces divorci.

  • Talibanët djegin instrumentet muzikore në perëndim të Afganistanit

    Talibanët djegin instrumentet muzikore në perëndim të Afganistanit

    Udhëheqësi rajonal i Departamentit për Promovim të Virtytit dhe Parandalim të Vesit, Aziz al-Rahman al-Muhajir, ka thënë se autoritetet kanë konfiskuar dhe djegur instrumentet muzikore, sepse dëgjimi i muzikës është gjë e ndaluar.

    Ky zyrtar ka bërë thirrje për promovim të muzikës si formë të “korrupsionit”, duke shtuar se muzika shkakton “devijim të rinisë dhe shkatërrim të shoqërisë”.

    Pas kthimit në pushtet në Afganistan, në gusht të vitit 2021, talibanët ua kanë ndaluar televizioneve transmetimin e muzikës.

    Së fundi, sallat e dasmave janë udhëzuar që të përmbahen nga lëshimi i muzikës.

    Aktiviteteve që janë në kundërshtim me rregullat islame – sipas interpretimit të talibanëve – janë ndaluar edhe në dasma dhe organizime të ngjashme.

    Shumë artistë afganë dhe muzikantë kanë kërkuar azil në shtetet perëndimore.

  • FBI paralajmëron për vjedhje nga Kina të teknologjisë amerikane të Inteligjencës Artificiale

    FBI paralajmëron për vjedhje nga Kina të teknologjisë amerikane të Inteligjencës Artificiale

    Kina po vjedh teknologjinë e Inteligjencës Artificiale të zhvilluar nga Shtetet e Bashkuara për të ushqyer aspiratat e veta dhe për të kryer operacione të shtrirjes së ndikimit të saj, thanë të premten zyrtarë të lartë të FBI-së.

    Zyrtarët thanë se Kina dhe kundërshtarët e tjerë të Shteteve të Bashkuara po vendosin në shënjestër bizneset amerikane, universitetet dhe qendrat kërkimore qeveritare për të marrë në dorë studimet dhe produktet më të fundit të Inteligjencës Artificiale.

    “Shtetet kundërshtare, veçanërisht Kina, përbëjnë një kërcënim të madh për kompanitë amerikane dhe sigurinë kombëtare, duke vjedhur teknologjinë dhe të dhënat tona të Inteligjencës Artificiale për të avancuar programet e tyre të kësaj teknologjie dhe për të mundësuar fushata të ndikimit të huaj”, tha një zyrtar i lartë i FBI-së gjatë një bisede informuese me gazetarët.

    Kina ka një plan kombëtar për të kapërcyer Shtetet e Bashkuara si fuqia më e madhe e inteligjencës artificiale në botë deri në vitin 2030, por zyrtarët amerikanë thonë se pjesa më e madhe e përparimit të saj bazohet në teknologjinë e vjedhur amerikane.

    “Ajo që ne po shohim janë përpjekje nëpër vektorë të shumtë, nëpër industri të shumta, nëpër rrugë të shumta për të kërkuar dhe përvetësuar teknologjinë amerikane … për të qenë në gjendje të rikrijojnë, zhvillojnë dhe avancojnë programet e tyre të Inteligjencës Artificiale”, tha zyrtari i lartë i FBI.

    Konferenca e shypit kishte për qëllim të jepte pikëpamjen e FBI-së për peizazhin e kërcënimit, jo për të reaguar ndaj ndonjë ngjarjeje specifike të fundit, thanë zyrtarët.

    Drejtori i FBI-së, Christopher Wray dha alarmin për synimet e Kinës lidhur me Inteligjencën Artificiale në një takim të sigurisë kibernetike në Atlanta të mërkurën. Ai paralajmëroi se pas “viteve të tëra duke vjedhur si teknologjinë tonë ashtu edhe rezervat masive të të dhënave”, Kina është e pozicionuar mirë “për të përdorur fuqinë e saj të gjerë kibernetike, me Inteligjencën Artificiale, në përpjekje edhe më të fuqishme hakerimi”.

    Kina i ka mohuar akuzat.

    Zyrtari i lartë i FBI-së në konferencën me gazetarët tha se ndonëse FBI-ja mbetet e përqëndruar në blerjet e huaja të teknologjisë dhe talentit të Inteligjencës Artificiale të Shteteve të Bashkuara, ajo ka shqetësime për kërcënimet e ardhshme nga kundërshtarët e huaj që e shfrytëzojnë këtë lloj teknologjie.

    FBI-ja ka paralajmëruar se ekstremistët e dhunshëm dhe terroristët po eksperimentojnë me përdorimin e mjeteve të ndryshme të Inteligjencës Artificiale për të prodhuar eksplozivë.

  • Lista Serbe e pabindur, Simiq: Pa i plotësuar kushtet tona, s’mund të flasim për zgjedhje të reja

    Lista Serbe e pabindur, Simiq: Pa i plotësuar kushtet tona, s’mund të flasim për zgjedhje të reja

    Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq në një intervistë goxha sfiduese për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe ka thënë se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje të reja në veri të Kosovës, pa u plotësuar disa kushte.

    “Pa plotësuar kushtet që na i kanë vënë qytetarët, nuk mund të diskutojmë mundësinë e zgjedhjeve”, tha Simiq. Simiq përmendi largimin e kryetarëve shqiptarë nga komunat veriore dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës, si parakushte për zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve.

    “Pra, të flasësh për zgjedhjet, si ndonjë pilulë magjike që do t’i zgjidhë të gjitha çështjet e hapura, është vërtet e papërgjegjshme”, tha Simiq.

    “Kjo është diçka që po ju kërkojnë partnerët tuaj, SHBA-ja, BE-ja, njerëzit me të cilët biseduat gjithashtu e mbështesin atë…”, i tha gazetari i Zërit të Amerikës.

    Simiq insistoi se “depërshkallëzimi vjen i pari dhe pastaj flasim për zgjedhje”. Nëse nuk ka depërshkallëzim, tha ai “historia për zgjedhjet është një histori hipotetike”.

    Simiq pohoi kur u pyet nëse ua kanë përcjellë këtë zyrtarëve amerikanë të cilët përfaqësuesit e Listës Serbe i takuan në Washington.

    “Dallimi i vetëm është se tek ata ka shpresë se do të ndodhë depërshkallëzimi, dhe unë si njeri që jetoj në zonën e Kosovës nuk e shoh atë depërshkallëzimin. Më shqetëson periudha që na pret, se dikush në Prishtinë do ta shfrytëzojë periudhën e këtyre pushimeve për të krijuar një problem tjetër në veri të Kosovës me lëvizje të njëanshme”, tha nënkryetari i Listës Serbe.

  • Ligji për KPK, Shefi i Zyrës së BE: Mirëpres gatishmërinë e Konjufcës për konsultim me Venecian

    Ligji për KPK, Shefi i Zyrës së BE: Mirëpres gatishmërinë e Konjufcës për konsultim me Venecian

    Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se e mirëpret gatishmërinë e kryekuvendarit Konjufca për t’u konsultuar me Komisionin e Venecias për amandamentet e rishikuara në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

    “E mirëpres gatishmërinë e Glauk Konjufcës që të konsultohet me Komisionin e Venecias për amandamentet e rishikuara në Ligjin për KPK-në. Pajtueshmëria me standardet evropiane është prerogativë kryesore në zbatimin e reformave”, ka shkruar ai.

    Para rreth një jave, shefi i Zyrës së BE-së për Kosovë, Tomas Szunyog, i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufcës që përsëri ta dërgojë draft-ligjin e ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) për konsultim në Komisionin e Venedikut.

    “Marrë parasysh rëndësinë e kësaj iniciative dhe faktit që draft-ligji përfshin dispozita të reja që më parë nuk janë vlerësuar nga Komisioni i Venedikut, unë iu inkurajoj fuqishëm që të (ri) konsultoni Komisionin e Venedikut dhe të siguroheni që rekomandimet e tij janë inkorporuar siç duhet në draft-ligjin e finalizuar”, shkruan në këtë letër Szunyog.

  • 14-vjeçari vdes pasi u pickua nga një mushkonjë

    14-vjeçari vdes pasi u pickua nga një mushkonjë

    Një 14-vjeçar nga province e Udines në Itali, ka vdekur gjatë një udhëtimi në Brazil pasi u pickua nga një mushkonjë.

    I riu, Matteo Chieu ishte nisur për të takuar disa të afërm të nënës së tij, me origjinë nga shteti i Amerikës Latine, por fatkeqësisht humbi jetën.

    Ende nuk dihet se çfarë patologjish e shkaktuan vdekjen e djalit, i cili kishte mbaruar vitin e parë të shkollës së mesme.

    Dinamika e vdekjes nuk është ende e qartë, por u konfirmua vetëm shtrimi i tij në spital pas pickimit nga insekti.

  • Lufta në Ukrainë: Putin thotë se Rusia nuk i refuzon bisedimet e paqes

    Lufta në Ukrainë: Putin thotë se Rusia nuk i refuzon bisedimet e paqes

    Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se nuk e kundërshton idenë e bisedimeve të paqes për Ukrainën.

    Duke folur pas takimit me udhëheqësit afrikanë në Shën Petersburg, ai tha se një nismë afrikane dhe kineze mund të shërbejë si bazë për gjetjen e paqes.

    Putin tha gjithashtu se ishte e vështirë të zbatohej një armëpushim kur ushtria ukrainase ishte në ofensivë.

    Ukraina dhe Rusia kanë thënë më parë se nuk do të shkojnë në tryezën e bisedimeve pa parakushte të caktuara.

    Ukraina dëshiron që kufijtë e saj siç ishin në vitin 1991 të rivendosen, diçka që Kremlini është thellësisht kundër.

    Moska argumenton në vend të kësaj se që të zhvillohen negociatat, Kievit duhet të pranojë “realitetin e ri territorial” të vendit të tij.

    Putin tha në konferencën për shtyp të shtunën vonë natën se nuk kishte plane për të intensifikuar veprimet në frontin ukrainas për momentin, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

    Ai mbrojti gjithashtu arrestimin e zërave kritikë nga Kremlini, duke pretenduar se disa njerëz po dëmtonin Rusinë nga brenda.

    Në konferencën e gjerë, presidenti rus iu tha gazetarëve se Moska kreu disa “sulme parandaluese” pas një shpërthimi në një urë të Krimesë në fillim të këtij muaji.

    Pas incidentit të urës – i cili la dy persona të vdekur – Putin u zotua të përgjigjet ndaj asaj që ai pretendoi se ishte një akt “terrorist” nga Ukraina. Kievi nuk tha zyrtarisht se ishte përgjegjës për shpërthimin në urën, e cila lidh gadishullin e pushtuar me Rusinë.

    Samiti Rusi-Afrikë vjen pasi një kontingjent afrikan, duke përfshirë udhëheqës dhe përfaqësues nga shtatë vende, u takua me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe Putinin muajin e kaluar.

  • Deri në tri orë e gjysmë pritjet për të hyrë në Kosovë, kjo është gjendja në pikat kufitare

    Deri në tri orë e gjysmë pritjet për të hyrë në Kosovë, kjo është gjendja në pikat kufitare

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet më të gjata për të hyrë në Kosovë janë në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë, ku për të hyrë në Kosovë nga kjo pikë duhet pritur deri në tri orë e gjysmë, kurse rreth 20 minuta për të dalë.

    Kolona e veturave në hyrje të kësaj pike kufitare është 120 metra, kurse në dalje 20-30 metra.

    Ndërsa, në Merdar bashkatdhetarët po presin 10 deri në 20 minuta për të hyrë në vendin tonë.

  • U zhduk që disa ditë, gruaja gjendet e vdekur në kufirin me Serbinë

    U zhduk që disa ditë, gruaja gjendet e vdekur në kufirin me Serbinë

    Një grua nga Zubin Potoku është gjetur e vdekur pas disa ditë kërkimi.

    Njoftimin e ka bërë të ditur Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim.

    Në njoftim bëhet e ditur se ajo është gjetur në brezin kufitare me Serbinë, ku edhe kishte rënë në humnerë.

    “Pas një kërkimi disa ditorë për gjetjen e gruas nga Zubin Potoku, së bashku me Policinë e Kosovës u bë e mundur gjetja dhe tërheqja e trupit nga një vend i vështirë në brezin kufitar me Serbinë”, thuhet në njoftim.