ATV

Author: ATVLive

  • Aprovohet ankesa e avokatit Berisha, Apeli kthen në rivendosje vendimin e Gjykatës në Ferizaj

    Aprovohet ankesa e avokatit Berisha, Apeli kthen në rivendosje vendimin e Gjykatës në Ferizaj

    Gjykata e Apelit ka nxjerrë vendim për aprovimin e ankesës së avokatit, Besnik Berisha, në çështjen penale kundër tij, raporton Gazeta Sinjali.

    Me këtë vendim, Apeli ka kthyer në rivendosje vendimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj në rastin kundër Berishës, ndaj të cilit Prokuroria ka ngritur dyshime për tri vepra penale.

    Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe ankesave të paraqitura, vlerësoi se aktvendimi i ankimuar duhet anuluar dhe kthyer në rivendosje, për shkak se i njëjti është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, sepse Gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye lidhur me ekzistimin e dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen.

    Sipas aktvendimit të Apelit, në pjesën arsyetuese nuk janë paraqitur në mënyrë të qartë dhe të plotë vlerësimet se në cilat fakte dhe prova është bazuar Gjykata me rastin e marrjes së aktvendimit me të cilin ka caktuar masat ndaj të pandehurve.

    Gjykata e Apelit vlerësoi se aktvendimi me të cilin të pandehurve iu janë caktuar masat e sigurisë, në mungesë të vlerësimit dhe arsyetimit të nevojshëm, është jo i drejtë dhe si i tillë nuk mund të qëndrojë si i ligjshëm.

  • ​Sindikata e punëtorëve të AAC-së kërkon shkarkimin e drejtorit Bujar Ejupi

    ​Sindikata e punëtorëve të AAC-së kërkon shkarkimin e drejtorit Bujar Ejupi

    Shoqatës Sindikale e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil (“SPAAC”) ka reaguar për veprimet e fundit të drejtorit të përgjithshëm, Bujar Ejupi lidhur me hartimin e rregullores së brendshme të AAC-së. Sindikata e AAC-së kundërshton projekt-rregulloren e brendshme të AAC-së të cilën drejtori Ejupi e ka dërguar në MPB për aprovim, si dhe gjithë procesin që i ka paraprirë këtij dokumenti.

    “Sindikata ka siguruar projekt-rregulloren e brendshme përmes Agjencisë për Informim dhe Privatësi sepse Bujar Ejupi ka refuzuar ta ndajë atë. Projekt-rregullorja të cilën e ka hartuar vet Bujar Ejupi, edhe pse me ligj parashihet që kjo të jetë punë e Grupit Punues, ka për qëllim shkatërrimin e një strukture funksionale e cila ka dëshmuar rezultate të konfirmuara nga vlerësimet ndërkombëtare që nga viti 2011, degradimin e pozitave dhe strukturave ku punojnë anëtarët e Sindikatës dhe avancimin e pozitave dhe strukturave ku ndodhen personat e dëgjueshëm të Ejupit”, thuhet në reagim.

    Kjo sindikatë mbron fuqishëm argumentin se drejtori aktual nuk e ka kredibilitetin që të dizajnojë të ardhmen e AAC-së dhe të ekspertëve brenda saj për shkak të keqmenaxhimit të organizatës të vërtetuar me mosmiratimin nga Kuvendi i Kosovës të dy Raporteve Vjetore të Punës së AAC-së.

    “Për të mos u mjaftuar me kaq, dy raporte nga institucione ndërkombëtare: njëra e mundësuar përmes Agjencisë së Bashkimit Evropian për Sigurinë e Aviacionit (EASA) dhe tjetra nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Islandës (ICETRA) rishtazi kanë konfirmuar atë që SPAAC vazhdimisht e ka sinjalizuar se AAC nën udhëheqjen e Bujar Ejupit nuk është funksionale, gjë që kërkon zgjidhje emergjente. Ndërsa për qasjen jo dinjitoze dhe diskriminuese ndaj stafit flet Raporti i Avokatit të Popullit i publikuar në qershor 2022”, njofton sindikata.

    Po ashtu sipas kësaj sindikate, duhet të largohet vet ose të shkarkohet sa më parë drejtori i përgjithshëm, Bujar Ejupi.

    “Një drejtor i tillë nuk i bën nderë institucionit e as shtetit dhe duhet të largohet vet ose të shkarkohet sa më parë, në mënyrë që t’i jepet mundësi AAC-së të kthejë funksionalitetin dhe profesionalizimin e dëshmuar ndër vite. Apelojmë te ministri Aliu dhe kryeministri Kurti që të angazhohen urgjentisht për ta adresuar situatën në AAC”, thuhet në fund të reagimit.

  • “O doktor a e nal deken ti, a veç dhimtë” – Pyetja e dëgjuesit që i bëri moderatoren dhe të ftuarin të mos ndalen duke qeshur

    “O doktor a e nal deken ti, a veç dhimtë” – Pyetja e dëgjuesit që i bëri moderatoren dhe të ftuarin të mos ndalen duke qeshur

    Neurologu Armend Agolli, ishte mysafir në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, ku foli për problemet më të zakonshme neurologjike me të cilat ballafaqohen kosovarët, duke treguar edhe se si të bëhen trajtimet e duhura për to.

    Gjatë emisionit, disa shikues u drejtuan te neurologu për ndihmë me shqetësimet e tyre shëndetësore.

    Një shikuese iu drejtuar mjekut me një pyetje, e cila shkaktoi të qeshura në studio.

    “O doktor a e nal deken ti, a veç dhimtë?”, ishte pyetja e shikuesit që bëri doktorin dhe moderatorin të shpërthejnë së qeshuri në studio. /atvlive.tv

    Bisedën e plotë të neurologut Armend Agolli në ALARM e gjeni në videon më poshtë:

  • ​“Rinia largohet, Rozeta pasurohet”, të rinjtë e PDK-së kërkojnë dorëheqjen e Hajdarit

    ​“Rinia largohet, Rozeta pasurohet”, të rinjtë e PDK-së kërkojnë dorëheqjen e Hajdarit

    Të rinjtë e Partisë Demokratike të Kosovës, sot (e mërkurë) përmes një aksioni simbolik para Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë kërkuar dorëheqjen e ministres Rozeta Hajdari e përfshirë në disa incizime si e dyshuar që qëndron mbrapa disa keqpërdorimeve në lidhje me rezervat shtetërore.

    “Vaji dhe Polonia, si Rozeta e hajnia!”; “Rinia largohet, Rozeta pasurohet”; “Ju me zemër, na pa bukë!” – ishin disa nga parullat e aksionit të sotëm të RDK-së.

    Kryetarja e Rinisë Demokratike të Kosovës, Arbnora Salihu tha se MINT në krye me ministren Rozeta Hajdari deri tani ka shpërfaqur vetëm keqmenaxhim e abuzim të parasë publike.

    “Përgjimet që lidhen specifikisht me vajin e sheqerin dëshmojnë se kjo ministri ka blerë vaj e sheqer mbi 300 mijë euro prej një kompanie polake, paret i kanë dhënë por vaji, sheqeri e gruri nuk janë kurrkund. Ne po i zhvillojmë këtë aksion simbolik sepse kjo ministri në krye me Rozetën nuk ka treguar rezultat deri më tani por ka treguar vetëm keqmenaxhim e abuzim të parasë publike”, tha Salihu.

    Të rinjtë e PDK-së kërkuan dorëheqjen e menjëhershme të Rozeta Hajdarit dhe nga organet e rendit t’i hetojnë ato që i quajti si skandale korruptive.

    “Po shihet qartë që Qeveria Kurti me skandale të njëpasnjëshme nuk është duke pasur kohë e as nuk e ka prioritet rininë. Andaj, ne kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Rozeta Hajdarit dhe kërkojmë nga organet e rendit të hetojnë mbi këto skandale korruptive”, tha Salihu.

    Të rinjtë më pas janë larguar paqësisht nga shkallët e Ministrisë së Industrisë ndërsa aty lanë parullat me të cilët protestuan ndaj ministres Hajdari. /kp

  • Polonia thotë se Bjellorusia e shkeli hapësirën e saj ajrore, çon më shumë ushtarë në kufi

    Polonia thotë se Bjellorusia e shkeli hapësirën e saj ajrore, çon më shumë ushtarë në kufi

    Ministria e Mbrojtjes e Polonisë ka thënë se helikopterët luftarakë të Bjellorusisë që kryen ushtrime ushtarake afër kufirit, e kanë shkelur hapësirën ajrore të Polonisë më 1 gusht.

    Ministria tha në një komunikatë se i ngarkuari me punë i Bjellorusisë do të thirret në Ministrinë e Jashtme të Polonisë për t’i shpjeguar rrethanat e incidentit.

    Në komunikatë thuhej se helikopterët bjellorusë kaluan në hapësirën ajrore polake në një lartësi shumë të ulët, duke e bërë të vështirë detektimin e tyre.

    Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Mariusz Blaszczak, e mblodhi në një takim Komitetin e Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, për të biseduar për këtë çështje, ku edhe urdhëroi rritjen e numrit të ushtarëve në kufi, përfshirë edhe helikopterët luftarakë.

    Polonia tha se NATO-ja është njoftuar për këtë incident.

    Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë tha se akuzat për shkelje të hapësirës ajrore nga dy helikopterë të ushtrisë bjelloruse “janë të fabrikuara”.

    Kjo Ministri tha në Telegram se ato u shpikën nga lidershipi politiko-ushtarak i Polonisë “për ta arsyetuar shtimin e forcave dhe resurseve afër kufirit me Bjellorusinë”.

    Polonia, Lituania dhe vendet e tjera në pjesën lindore të NATO-s, kanë shprehur shqetësimin e tyre për një kërcënim të mundshëm nga Bjellorusia, e cila tani strehon mijëra trupa të grupit mercenar, Wagner.

    Mijëra mercenarë të Wagner-it kanë mbërritur në Bjellorusi që nga rebelimi jetëshkurtër i këtij grupi në qershor.

    Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, tha më 29 korrik se një grup prej “100 mercenarëve të Wagner-it” në Bjellorusi janë zhvendosur më afër kufirit polak, duke e quajtur këtë “hap tjetër drejt sulmit hibrid në territorit polak”. /rel

  • ​Peticioni për largimin e kryetarëve, Krasniqi: Një muaj kohë për Udhëzimin administrativ

    ​Peticioni për largimin e kryetarëve, Krasniqi: Një muaj kohë për Udhëzimin administrativ

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi deklaroi sot se grupi punues ka një muaj kohë për të hartuar udhëzimin administrativ, për nisjen e peticionit të qytetarëve për largimin e kryetarëve nga komunat. Sipas tij, ky udhëzim administrativ nuk është për veriun e Kosovës dhe se nuk është i përpiluar në atë formë për largimin e kryetarëve nga zyrat. Kështu u shpreh ai pas vizitës në dy salla sportive ne Lipjan.

    Ai tha se Ligji për Vetëqeverisje Lokale ka shumë mangësi dhe hapësirë të korrigjohet, por për plotësim-ndryshim nevojiten edhe 2/3 e votave të komuniteteve. Sipas tij, së fundmi kanë filluar udhëzimin administrativ mbi procedurat se si organizohet një peticion në komuna, ku ka kërkesë nga qytetarët për largim nga komunat.

    Krasniqi shtoi se grupi punues ka kohë një muaj për draftimin e udhëzimit administrativ, ku qytetarët do të kenë mundësi hartimin e peticionit.

    “Kemi formuar një grup punues profesional nga akterët e përfshirë në qeverisjen lokale edhe të shohim se cila do të jetë puna e tyre…Grupi punues ka afat një muaj që ta bëjë draftin e këtij udhëzimi administrativ, faktikisht të përfundojë edhe konsultimet publike dhe mandej të jetë nga 1 shtatori si udhëzim administrativ, në të cilën mund të referohen qytetarët, të cilët kanë për qëllim organizimin e peticioneve apo largimin e kryetarëve. Mirëpo, çka është shumë e rëndësishme të përmendet, ky nuk është një udhëzim administrativ për veriun e Kosovës, është një udhëzim administrativ, i cili buron prej Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe një gjë të tillë nesër qytetarët edhe të komunës së Lipjanit mund ta shfrytëzojnë për pakënqësinë e tyre në raport me kryetarin e komunës dhe largimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni”, deklaroi ai.

    Më tej, ministri u shpreh se udhëzimi administrativ e përcakton rregullin se si organizohet peticioni.

    “Udhëzimi administrativ përcakton rregullin se si organizohet peticioni, se si një peticion i inicuar nga qytetarët është i pranueshëm. Mirëpo, përpilimi i peticionit nuk është largimi i kryetarëve nga zyret, për shkak se pas kësaj ka edhe procedura tjera…Ne kemi kryetarë të komunave në zyre, kjo është me rëndësi…peticioni është shprehje e vullnetit të 20 për qind të trupës votuese të një komune. Nëse në një komunë të caktuar qytetarët e asaj komune arrijnë të kenë 20 për qind të trupës votuese me kërkesën që të largohet kryetari i komunës, atëherë do të trajtohet si kërkesë. Nëse nuk do të ketë, atëherë kjo do të mbetet aty dhe kryetarët vazhdojnë të punojnë”, tha ai.

    Sa i përket largimit të kryetarëve të komunave, Krasniqi shtoi se të njëjtit kanë fituar mandat dhe dorëheqja e tyre është kërkesë e Serbisë.

    “Unë nuk mund të flas për Listën Serbe, por çfarë mund të them për situatën aktuale është që çkado që ata veprojnë dhe mendojnë, asnjëherë nuk është për të mirën e Republikës së Kosovës. Ne kemi zgjedhje legale të organizuar në veriun e Kosovës, bazuar në kushtetutën dhe ligjet aplikative. Ne e dimë që këto zgjedhje kanë prodhuar kryetarët komune me mbështetje të vogël të qytetarëve, por prapë se prapë këta janë kryetarë të komunave, të cilët burojnë nga vota e lirë. Pengesa që të marrin pjesë qytetarët e veriut të Kosovës në zgjedhje është nga Serbia. Dhe kjo Serbi dhe këto instirucionet e saj që i ka në dispozicion për të penguar zhvillimin demokratik të Kosovës, do të vazhdojnë gjithmonë. Për ata na duhet të fokusohemi në punën tonë, në demokracinë e shtetit tonë dhe forcimin e shtetit tonë. Udhëzimi administrativ do të parasheh disa procedura, mirëpo udhëzimi administrativ nuk është një diçka që definon secilin pozicion përtej asaj që është kompetencë e vetëqeverisjes lokale”, u shpreh ai.

    Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti tha se duhet të krijohet një zgjidhje në veri të Kosovës, e cila sipas tij, është çështje politike e jo ligjore.

    “Nuk besoj që ky mekanizmi i peticionit është mjet adekuat për të zgjidhur problemet politike. Për shkak se kjo mund të riciklohet pas tre muajve të mbahen zgjedhjet, pas tre muajve prapë peticion tjetër. Derisa nuk ka një peticion, i cili do të provon me i zgjidh këto situata është vështirë për të komentuar…Ne nuk kemi parë një udhëzim administrativ, i cili do të ketë parasysh për të qenë në kuadër të rregullativës ligjore shtetërore. Çështja e veriut është çështje politike, nuk është çështje e legjislacioneve”, deklaroi ai./KP

  • ​AGK: Vetëvendosje të mos bëjë presion ndaj gazetarëve të mediumit publik

    ​AGK: Vetëvendosje të mos bëjë presion ndaj gazetarëve të mediumit publik

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, përmes një komunikate për media, tha se ka ndjekur me shqetësim presionin publik që deputetë të Vetëvendosjes kanë bërë ndaj gazetares së RTK-së, Edona Podvorica, e cila e ka bojkotuar konferencën për shtyp të ministres së MINT, Rozeta Hajdari, bashkë me shumicën e kolegëve të mediave të tjera.

    Deputeti Valon Ramadani ka shkruar se “si duket, ky institucion i qenka shmangur obligimit ligjor, duke mos qëndruar në konferencën e Ministres Rozeta Hajdari”. Në vijë të njëjtë ka shkruar edhe deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, kurse të tjerë eksponentë të partisë në pushtet i kanë bërë jehonë këtyre qëndrimeve duke kërkuar largimin nga puna të gazetares.

    AGK-ja, e konsideron bojkotin e së martës, si formë legjitime të protestës së gazetarëve dhe mediave, dhe fton partinë në pushtet të mos bëjë presion ndaj gazetarëve të mediumit publik.

    Gjithashtu, AGK-ja e fton menaxhmentin e RTK-së të mos ndikohet nga presioni i pushtetit në raportim me veprimin e ekipit të vet në terren.

  • ​Opozita pasive në Kuvend, adresoi vetëm 68 pyetje parlamentare

    ​Opozita pasive në Kuvend, adresoi vetëm 68 pyetje parlamentare

    Kuvendi i Kosovës ka përmbushur vetëm 13 për qind të agjendës legjislative të vitit 2023, thuhet në raportin e publikuar sot nga Instituti Demokratik i Kosovës(KDI).

    Sipas këtij raporti Kuvendi gjatë këtij gjysmë viti miratoi 44 ligje, mirëpo pjesa dërmuese e tyre ishin të bartura nga viti i kaluar.

    Në bazë të gjetjeve të KDI-së del se opozita nuk ka qenë mjaft aktive gjatë këtij sesioni pranveror, pasi deputetët e tyre kryesojnë sa i përket mungesave në seanca plenare, ndërkaq nga 171 pyetje parlamentare vetëm 68 sosh janë bërë nga opozita ndaj ekzekutivit.

    Hulumtuesi në KDI, Arbër Thaçi, në publikimin e këtij raporti të mërkurën, tha se sesioni pranveror i Kuvendit është karakterizuar nga shumë të papritura, me përmbajtje të llojllojshme dhe shumë sfida.

    “Shumë prej tyre nuk janë projektligje që i takojnë agjendës legjislative të vitit 2023. Vetëm 17 nga këto janë projektligje apo marrëveshje ndërkombëtarë që janë të përfshira në agjendën e këtij viti, të tjerat i takojnë viteve paraprake. Prandaj mund të themi se në përqindje diku vetëm 13 për qind e planit legjislativ të vitit 2023 është përmbushur gjatë këtij sesioni. Një nga problemet të cilën duhet të evidentojmë ka qenë mungesa e deputetëve, e cila ka shkaktuar vazhdimisht problemin e mungesës së kuorumit. Në bazë të gjetjeve tona mesatarisht në secilën seancë 22.5 për qind e deputetëve kanë munguar. Trendet janë varësisht prej partive politike, në këtë rast partitë opozitare tregojnë shifra më të larta të mungesave. LDK ka diku 22 për qind të deputetëve që i mungojnë, PDK ka rreth 19 për qind, LVV ka nëntë për qind”, tha ai.

    Ndërkaq, hulumtuesja tjetër në KDI, Violeta Haxholli tha se Kuvendi ka dështuar edhe në rolin mbikëqyrës ndaj Qeverisë së Kosovës.

    “Sa i përket rolit mbikëqyrës të Kuvendit, fatkeqësisht nuk ka qenë shumë i kënaqshëm aktiviteti i deputetëve gjatë këtij sesioni. Në përgjithësi deputetët i kanë parashtruar ndaj ekzekutivit 171 pyetje parlamentare, por këtu hynë edhe pyetje të cilat janë përsëritur disa herë për shkak të mungesës së ministrave në seanca. Deputetët e partisë në pushtet kanë parashtruar më shumë pyetje. Kjo në vetvete paraqet problematik, pasi tregon se deputetët e opozitës nuk kanë qenë shumë aktiv në parashtrimin e pyetjeve parlamentare gjatë ekzekutivit. Kështu PDK-ja ka parashtruar 45 pyetje, LDK ka parashtruar 10 pyetje dhe AAK 13 pyetje. Të gjitha pyetjet parlamentare i kanë parashtruar vetëm 38 deputetë të Kuvendit, ndërsa 82 deputetë nuk kanë parashtruar fare pyetje që është shqetësuese”, tha ai.

    Më korrekti në përgjigjen e pyetjeve sipas KDI-së ka qenë kryeministri Albin Kurti, duke iu përgjigjur të gjithave, ndërkaq më të papërgjegjshëm del të jenë ministri Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla që nuk i është përgjigjur asnjë pyetje dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

    Në raportin e KDI-së për punën e Kuvendit evidentohet edhe gjuha joparlamentare, ku kërkohet nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca të jetë më rigoroz në dënimin e deputetëve.

    Po ashtu u shprehën shqetësime lidhur me mungesën e transparencës së Kuvendit ndaj publikut, përfshirë mungesën e votimit elektronik, mos publikimin e votave me dorë, dhe mos publikimin e rregullt të procesverbaleve të mbledhjeve të komisioneve parlamentare dhe atyre Ad-Hoc.

    Në fund, KDI ofroi disa rekomandime për Kuvendin dhe deputetët, duke theksuar nevojën për planifikim të mirëfilltë të seancave, pjesëmarrje të rregullt të deputetëve në punimet e Kuvendit, zgjerim të konsensusit dhe gjithëpërfshirjes për Reformën në Drejtësi, rritje të mbikëqyrjes ndaj ekzekutivit, adresimin e gjuhës jo parlamentare dhe garantimin e transparencës së Kuvendit ndaj publikut./kp

  • A e dini kuptimin e fjalës “veruke”? Ky qytetar ishte i vetmi që e dinte përgjigjen

    A e dini kuptimin e fjalës “veruke”? Ky qytetar ishte i vetmi që e dinte përgjigjen

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Një ndër rubrikat e këtij emisioni është edhe rubrika “Shqipnisht”, përmes së cilës mësohen fjalë dhe shprehje të ndryshme, që përdoren në regjione të rajonit.

    Në kuadër të kësaj rubrike, gazetarja e ATV-së i ka pyetur qytetarët në Lipjan se a e dinë ata se cilës frutë i thuhet “veruke” (një mollë, kokërr-vogël).

    Disa nga të intervistuarit thanë se asnjëherë nuk kanë dëgjuar për këtë fjalë, ndërsa të tjerë thanë se kanë dëgjuar por se nuk e dinë kuptimin e saj.

    Ajo çka ishte befasuese, më në fund doli një qytetar që e dinte përgjigjen e kësaj fjalë.

    Për të ndjekur përgjigjet e qytetarëve, klikoni në videon e mëposhtme:

    Emisioni n’mal An’det, i cili vjen në një format më ndryshe, drejtohet nga yjet e ATV-së, Roberti, Emira dhe Jeta dhe jepet çdo ditë nga e hëna deri të premten prej orës 21:10.

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë “n’mal A n’det” që u transmetua mbrëmë:

  • Shkollimi si çelës për ndryshim në mes gjeneratave

    Shkollimi si çelës për ndryshim në mes gjeneratave

    Anita Behluli, 25 vjeçe, është nënë e pesë fëmijëve. Tre nga ata i ka në shkollë fillore, ndërsa dy të tjerë i ka në shtëpi. Njërin që pret këto ditë ta dërgojë në parashkollor dhe tjetrin rreth moshës dy vjeç.

    Anita është pjesëtare e komunitetit ashkali në Ferizaj. Ajo e kishte ndërprerë shkollën në moshë shumë të re. Anita ishte martuar dhe ishte bërë nënë në moshë të mitur.

    “Unë i kam pasur 21 vjet kur e kam çu djalin parashkollor, do me thanë të parin fëmijë dhe jam ndierë shumë e gëzueshme, se i pari fëmijë është gëzim shumë i madh kur e përgatitë me çanta me sende, kur te çon në shkollë, tani kur vjen, të tregon me gëzim, shumë jam ndierë e kënaqur”, rrëfen ajo.

    Anita është nostalgjike për kohën e shkollë.

    “Shumë mirë ndihna, e them t’isha kanë edhe unë njëherë kështu e me vazhdu si këta, amo prapë ndihem shumë e kënaqur me këta. Edhe kur vijnë te shpija, mi tregojnë notat, ndihem edhe më e kënaqur. Unë nonstop iu ndihmoj”, rrëfen ajo.

    Anita është amvise që kujdeset për fëmijët dhe shtëpinë. Ajo për fëmijët e saj ka ëndrra të tjera nga ato që kishte për veti. Sot, ajo shkollimin e sheh si njërën nga vlerat kryesore.

    “Të tretë i kam çu parashkollor, e kanë kryer. Është mirë, janë me nota të mira, nuk kam problem me ta”, tregon ajo.

    Dokumentarin e plotë “Shkollimi si çelës për ndryshim në mes gjeneratave”, e gjeni në videon më poshtë: