Pasi disa incizime në të cilat punëtorët e Ministrisë së Tregtisë dëgjohen duke folur për pagesa prej 200 mijë eurosh, që Ministria i ka bërë nga buxheti i rezervave shtetërore, për vaj, grurë e sheqer, të rinjtë e PDK-së mbajtën një aksion protestues.
“Përgjimet që lidhen specifikisht me vajin e sheqerin, dëshmojnë se kjo ministri ka blerë vaj e sheqer mbi 300 mijë euro prej një kompanie polake, paret i kanë dhënë por vaji, sheqeri e gruri nuk janë kurrkund. Ne po e zhvillojmë këtë aksion simbolik, sepse kjo ministri në krye me Rozetën nuk ka treguar rezultat deri më tani, por ka treguar vetëm keqmenaxhim e abuzim të parasë publike”, tha Arbnora Salihu nga RDK.
Këta të rinj kërkuan edhe dorëheqjen e ministres Rozeta Hajdari.
“Po shihet qartë që Qeveria Kurti me skandale të njëpasnjëshme nuk është duke pasur kohë e as nuk e ka prioritet rininë. Andaj, ne kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Rozeta Hajdarit dhe kërkojmë nga organet e rendit të hetojnë mbi këto skandale korruptive”, tha Salihu.
Protesta e organizuar para Ministrisë përfundoi e qetë, por qetësinë dikush ia prishi kryetares së të rinjve të PDK-së, Arbnora Salihu.
Salihut derisa po merrte pjesë në këtë aksion, dikush ia theu xhamin e veturës dhe i vodhi gjësende personale të saj e të aktivistëve të tjerë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni një videon më poshtë:
Ani pse Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ditë më parë ka marrë vendim për vendosjen e çmimit tavan për produktet e naftës, vendimi nuk po zbatohet as dy ditë pas publikimit në gazetën zyrtare.
Kësisoj naftëtarët po shesin naftë deri në 30 centë më shtrenjtë derisa blihet me më pak se 1 euro e 16 centë. Nëpër disa pika të karburantit, çmimi i naftës gjatë ditës ishte 1 euro e 43 centë për litër.
Shoqata e naftëtarëve, në një përgjigje të shkurtër për ATV-në, tha se janë ankuar në Ministrinë përkatëse.
“Ne kemi bërë ankesë në MINT dhe për më tutje do të vendosë kuvendi i Shoqatës së Naftëtarëve”, tha kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani.
Sidoqoftë, një rritje e tillë në çmimin e naftës përkundër se nuk ka rritje në bursë, sipas ekspertëve të ekonomisë, është e papranueshme, pasi naftëtarët fitojnë shumë duke dëmtuar qytetarët.
Andaj, sipas tij, gjendja dëshmon se ka mungesë të kontrolleve dhe se shfrytëzohet diaspora.
Ndryshe, në vetëm një muaj, çmimi i naftës është rritur mbi 20 centë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni një videon më poshtë:
Para katër muajsh ka filluar vendosja e pajisjeve për matjen e zhurmës në hapësirat e gastronomisë, derisa projekti i komunës së Prishtinës ka filluar të zbatohet nga 1 gushti.
Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica, tha se deri më tani rreth 380 lokale të gastronomisë e kanë vendosur këtë pajisje.
“Deri më tani, rreth 380 lokale të gastronomisë janë bërë pjesë e kësaj rregulle. Dhe kanë vendosur akustikat. Është diçka e re, ne kemi qenë që e kemi propozuar këtë projekt, i cili ka shumë të mira”, tha Vranica.
Për vonesën në zbatimin e këtij projekti, ka arsyetim.
“Kemi pasë problemeve me vendosjen e sensorëve në fillim. Problemi ka qenë te kompania e cila ka fitu tenderin për vendosjen e tyre. Megjithatë, pas shumë takimeve që kemi pasur me Komunën e Prishtinës, jemi dakorduar që zbatimi të fillojë nga 1 gusht, i cili ka filluar nga dje”, tha Vranica.
Nga ana tjetër, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, tha se nuk do të mungojnë as gjobat për ata që nuk e respektojnë këtë rregull.
“Nga fillimi i këtij muaji, pra nga tani do të fillojmë me gjobat. Drejtoria e Inspeksionit do të gjobisë ata që bëjnë shkelje dhe njëkohësisht për ata të cilët ende nuk kanë aplikuar për vendosjen e matësve”, tha drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Ilirik Musliu.
Në prill të këtij viti, komuna kishte ndarë 180 mijë euro për blerje të sensorëve akustikë për matje të zhurmës në qytet.
Ndryshe, bizneset në rast të mosvendosjes së këtyre pajisjeve mund të gjobiten deri në 5 mijë euro. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni një videon më poshtë:
Nxënësit shkuan në pushim por për shkollën vazhdon të përkujdeset Xhevahire Bojniku.
Tash e një vit Bojniku është e angazhuar si punëtore teknike në shkollën fillore “Emin Duraku”. Meqë pagën e kishte vetëm 220 euro, miratimi i Ligjit për Pagën Minimale prej 250 eurosh, ju gëzua shumë.
Por, Bojniku nuk e di se kur do ta marrë pagën me rritje pasi Kuvendi nuk ia doli të rishikojë buxhetin për vitin 2023, gjë e cila do t’i mundësonte më shumë para.
Më rishikimin e buxhetit për vitin 2023 ishte paraparë edhe rritja e pagave për punëtorët e sektorit publik.
Rishikimi i buxhetit rëndom bëhet në gjysmëvjetorin e dytë të vitit, respektivisht në muajin qershor.
Vlera e buxhetit e miratuar për vitin 2023 është 3 miliardë e 212 milionë euro. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni një videon më poshtë:
Opozita u konsiderua fajtore që plani legjislativ për sesionin pranveror të Kuvendit, u përmbush vetëm 13%. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Demokratik i Kosovës, kjo ndodhi për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve opozitarë, si rrjedhojë as pyetje parlamentare nuk u bënë sa duhet.
Nga 178 pyetje opozita adresoi vetëm 68 karshi ekzekutivit.
Në përgjithësi deputetët i kanë parashtruar ndaj ekzekutivit 171 pyetje parlamentare, por këtu hynë edhe pyetje të cilat janë përsëritur disa herë, për shkak të mungesës së ministrave në seanca. Deputetët e partisë në pushtet kanë parashtruar më shumë pyetje. Kjo në vetvete paraqet problematikë, pasi tregon se deputetët e opozitës nuk kanë qenë shumë aktiv në parashtrimin e pyetjeve parlamentare gjatë ekzekutivit. Kështu, PDK-ja ka parashtruar 45 pyetje, LDK-ja ka parashtruar 10 pyetje dhe AAK-ja 13 pyetje. Të gjitha pyetjet parlamentare i kanë parashtruar vetëm 38 deputetë të Kuvendit, ndërsa 82 deputetë nuk kanë parashtruar fare pyetje që është shqetësuese”, tha Violeta Haxholli, hulumtuese në KDI.
Sesioni pranveror i Kuvendit vlerësohet se u karakterizua me shumë të papritura.
Vetëm 17 nga këto, janë projektligje apo marrëveshje ndërkombëtare, që janë të përfshira në agjendën e këtij viti, të tjerat u takojnë viteve paraprake. Nga problemet të cilat duhet t’i evidentojmë ka qenë mungesa e deputetëve, e cila ka shkaktuar vazhdimisht problemin e mungesës së kuorumit. Në bazë të gjetjeve tona, mesatarisht në secilën seancë 22,5 për qind e deputetëve kanë munguar. Trendet janë varësisht prej partive politike, në këtë rast partitë opozitare tregojnë shifra më të larta të mungesave. LDK-ja ka diku 22 për qind të deputetëve që i mungojnë, PDK-ja ka rreth 19 për qind, LV-ja ka nëntë për qind”, tha Arbër Thaçi, hulumtues në KDI.
Në raportin e KDI-së për punën e Kuvendit evidentohet edhe gjuha joparlamentare. Rrjedhimisht kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, iu kërkua të jetë më rigoroz.
Po ashtu, u shprehën shqetësime lidhur me mungesën e transparencës së Kuvendit ndaj publikut, përfshirë mungesën e votimit elektronik, mospublikimin e votave me dorë, dhe mospublikimin e rregullt të procesverbaleve të mbledhjeve të komisioneve parlamentare dhe atyre Ad-Hoc. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni një videon më poshtë:
Dyfish më shumë lëndë të pazgjidhura u grumbulluan në gjykata, gjatë vitit 2022, krahasuar me një vit më parë.
Sipas raportit “Drejtësia civile 2022”, i hartuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, viti 2022 ka shënuar rekord të lëndëve të pazgjidhura, të cilat barten vit pas viti, me 99.407 lëndë të pazgjidhura.
“Sipas të njëjtës formulë, mesatarja e kohëzgjatjes së trajtimit të lëndëve nga Gjykata e Apelit, është 638 ditë apo 1.7 vjet. Kështu, në total, kohëzgjatja e një lëndë civile nga momenti i parashtrimit në gjykatë e deri në momentin kur ajo përfundon në Gjykatën e Apelit është gjithsej 5.5 vjet. Mesatarja e përgjithshme e kohëzgjatjes së lëndëve gjyqësore, qartazi flet për një trajtim të lëndëve gjyqësore civile, brenda një afati jo të arsyeshëm kohor. Në këtë drejtim, IKD-ja ka gjetur se kanë ndikuar shumë faktorë, duke nisur nga keqadministrimi i institucioneve administrative dhe performanca e gjykatave, e edhe administrimi jo adekuat i drejtësisë”, tha Aurela Mërlaku, hulumtuese në IKD.
Gjykata më e ngarkuar me lëndë është ajo e Prishtinës me gjithsej 32 mijë e 453 lëndë, ndërsa gjykata më e pak e ngarkuar del të jetë Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Zubin Potok, me gjithsej 39 lëndë në punë.
“Për të marrë epilog një lëndë civile, vetëm në shkallë të parë, qytetarët duhet të presin gjithsej 3.8 vjet. Sipas të njëjtës formulë, mesatarja e kohëzgjatjes së trajtimit të lëndëve nga Gjykata e Apelit është 638 ditë apo 1.7 vjet. Kështu, në total, kohëzgjatja e një lënde civile, nga momenti i parashtrimit në gjykatë e deri në momentin kur ajo përfundon në Gjykatën e Apelit, është gjithsej 5.5 vjet”, tha Nuraje Bllaca, hulumtuese në IKD.
Situatë më e komplikuar paraqitet te kohëzgjatja e trajtimit të lëndëve, lidhur me çështjet pronësore në shkallë të parë.
“Zvarritja në këto raste është një zvarritje më specifike se zvarritja në përgjithësi e rasteve, për arsye se mesatarja e trajtimit të rasteve pronësore del të jetë 9 vjet e 3 muaj në shkallë të parë, krahasuar me rastet që dalin nga kontratat kolektive, nga analizimi i 20 aktgjykimeve të tilla del të jetë mesatarja e trajtimit 1 vit e 7 muaj. Kjo diferencë e madhe bën që sistemi i drejtësisë në vitin 2022 të anashkalojë trajtimin e rasteve pronësore dhe të fokusohet në rastet e kontratave kolektive”, tha Bllaca.
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka monitoruar gjithsej 492 seanca gjyqësore të natyrës civile, vitin e kaluar.
Prej tyre, 401 seanca janë mbajtur, derisa 91 të tjera janë shtyrë.
Arsyeja më e madhe e shtyrjes së seancave gjyqësore ishte mungesa e paditësit, në plot 37 raste pasuar nga mungesa e të paditurit në 35 raste.
Por, në jo pak raste, edhe vetë gjykatësit kanë qenë arsye pse seancat gjyqësore në rastet civile janë shtyrë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni një videon më poshtë:
Në llogarinë e TRUST-it janë transferuar mjetet për rimbursimin e një pjese të kontribuesve, të cilët kanë tërhequr kontributet pensionale gjatë periudhës dhjetor 2021- prill 2022, sipas Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.
Në njoftimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve thuhet se ky institucion e ka bërë këtë transferim të parave, duke shtuar se shpërndarja është bërë nëpër llogari të 12,090 kontribuesve, në përputhje me metodologjinë e dakorduar në mes të MFPT dhe TRUST.
“Rimbursimi këtë vit është bërë për personat të cilët kane dalë apo pritet të dalin në pension deri në fund të vitit 2023. Rimbursimi do të vazhdojë vitin e ardhshëm për personat që pritet të dalin në pension gjatë vitit 2024 e kështu me radhë, deri në përmbylljen e plotë të rimbursimit për të gjitha gjeneratat e tjera deri në vitin 2028”.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të sigurojë shumën vjetore të rimbursimit, ndërsa TRUST do të bëjë shpërndarjen e shumave direkt tek qytetarët. Pra, për rimbursim nuk do të ketë nevojë për aplikim, pasiqë rimbursimi realizohet automatikisht nga TRUST”, thuhet në njoftim.
Pas largimeve të Albert Dabiqajt, Egzon Sinanit, Arber Prekazit, trajnerit Klodian Duro, nga Gjilani janë larguar edhe dy futbollistë të tjerë.
Bëhet fjalë për Përparim Islamin dhe Yll Hoxhën, ku dyshja e ka konfirmuar se nga sot nuk do të jenë më pjesë e Gjilanit, raporton KosovaPress.
“Falenderoj shum stafin të cilët punuam sbashku gjatë kësaj periudhe 1 vit sa isha pjes e Sc Gjilanit sepse kishum shum probleme , nje falenderim shkon për gjithë bashklojtarët e skuadres , E falenderim kan te gjithe tifozat SKIFTERAT të cilët na kan qendruar gjithmon afër dhe na kan përkrah”, shkroi Islami në “Facebook”.
“Ishin dy vite me shumë mund durim dhe sakrifica të njëpasnjëshme ku arritëm nje herë finalen e Kupës së Kosovës dhe luajtëm per dy vite në garat evropiane me fanellën gjilanase.
Afër 80 ndeshje me këtë fanellë, mijëra minuta në fushë nëpër ndeshje zyrtare e trefish aq kohë e kaluar në stërvitje më bëjnë krenar dhe të lumtur që dhash çdo gjë që pata mundësi për skuadrën.
Faleminderit të gjithë atyre që na qëndruan afër mes vështirësive të mëdha që kaluam e poashtu faleminderit edhe Skifterave që ishin çdo herë krahë nesh”, ishin fjalët e Yll Hoxhës.
Zyrtarë nga Komuna e Prishtinës, përmes një komunikate kanë njoftuar se të enjten, nga ora 11:15 deri në 12:45, Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca do të organizojë një ushtrim praktik në objektin e vjetër të komunës me qëllim testimin e gatishmërisë reaguese të pjesëtarëve të personelit komunal dhe qytetarëve.
Kjo do të bëhet për të testuar ata që gjenden brenda, në rast të zjarrit dhe fatkeqësive tjera natyrore, si dhe koordinimin e institucioneve për reagim në zjarre dhe fatkeqësi tjera natyrore për: shuarjen e zjarrit, kërkim shpëtimin, evakuimin e personelit dhe qytetarëve.
”Për shkak të ushtrimit, në koordinim me policinë është marrë vendimi që një pjesë e rrugës “UÇK” (ku gjendet komuna) të mbyllet për qarkullimin e veturave për dy orë”, thuhet në njoftim.
Dyshohet se për shkak të një mosmarrëveshje kosovari E.N., nga komuna e Drenasit me shtetësi të Zvicrës e ka hedhur nga dritarja e dhomës së hotelit të katit të gjashtë në Fushë Kosovë shtetasen argjentinase M.K.U. Viktima 27-vjeçe ka pësuar lëndime trupore dhe përkundër trajtimit në QKUK e njëjta ka vdekur.
Këto detaje i ka dhënë Gjykata Themelore e Prishtinës në njoftimin dërguar mediave, në të cilin bëhet e ditur se ndaj E.N., është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji në drejtim të veprës penale “vrasje”.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri E.N me datë 01.08.2023 rreth orës 01:59 minuta në rrugën “ Nënë Terezë” në Fushë Kosovë, pas një mosmarrveshje paraprake me të dëmtuarën – tani të ndjerën M.K.U, të njëjtën e privoj nga jeta duke e hudhur nga dritarja e dhomës së hotelit, nga kati gjashtë, me ç’rast e ndjera kishte pësuar lëndime trupore, e që edhe përkundër trajtimit mjekësor e njëjta kishte ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ( QKUK)”, njofton gjykata, transmeton Gazeta Express.
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prshtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.N, i dyshuar për veprën penale Vrasje nga neni 172 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.N dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, njofton gjyakata.
Në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit E.N dhe ka vlerësuar se është përmbushur kriteri nga neni nenit 184 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si kusht i veçantë për caktimin e paraburgimit.
“Nngase ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurit, pasi që i njëjti është shtetas i Zvicrës dhe nëse i pandehuri gjendet në liri i njëjti do të mund të ik me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale dhe do të ishte i paarritshëm për organet e ndjekjes, e në këtë mënyrë do të pengohej rrjedha e procedurës penale, andaj konstatoi së masa e paraburgimit në këtë fazë të procedurës penale është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje juridiko – penale”.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.