ATV

Author: ATVLive

  • ​Zyrtare: Buffon pensionohet nga futbolli

    ​Zyrtare: Buffon pensionohet nga futbolli

    Ish-portieri i Kombëtares së Italisë dhe fituesi i Kupës së Botës, Gianluigi Buffon është pensionuar nga futbolli në moshën 45 vjeçare.

    Buffon njoftoi sot për pensionimin e tij, duke shkuar në rrjetet sociale: “Kjo është e gjitha miq, ju më dhatë gjithçka. Ju kam dhënë gjithçka juve. Ne e bëmë së bashku”, raporton KosovaPress.

    Buffon shijoi një karrierë të suksesshme 28 vjeçare dhe kaloi dy sezonet e kaluara te klubi i tij i fëmijërisë, Parma në Serie B.

    Buffon e shkëputi kontratën e tij me Parman para se ajo t’i përfundonte në qershor të vitit 2024, para se të konfirmojë pensionimin e tij.

  • Sunak këmbëngul se Britania duhet “t’i përmbahet planit” për të ulur inflacionin

    Sunak këmbëngul se Britania duhet “t’i përmbahet planit” për të ulur inflacionin

    Kryeministri Rishi Sunak këmbënguli sot se Mbretëria e Bashkuar duhet “t’i përmbahet planit” për të ulur inflacionin edhe nëse kjo do të thotë pagesa më të larta të hipotekave për pronarët e shtëpive.

    Sunak këmbënguli se kishte “dritë në fund të tunelit” për familjet në vështirësi, ndërsa ai u qortua në një transmetim të drejtpërdrejtë në radio. Kryeministri milioner u kap nga “Jack”, një baba i katër fëmijëve në fillim të të 30-ave nga Guildford, Surrey. Ai tha se po përballet me një rritje prej 87 për qind në pagesat e tij të hipotekës nga 1,500 £ në 2,800 £ kur norma e tij fikse dyvjeçare skadon në fund të vitit.

    Ai pyeti: “Si një person që punon shtatë ditë në javë dhe ka paguar në sistemin e taksave që nga përfundimi i shkollës pa marrë asnjë qindarkë nga ajo, pse ndihem sikur po ndëshkohem padrejtësisht dhe çfarë mund të bëni për të më ndihmuar?”

    Ajo vjen përpara një rritjeje të re të pritshme të normave të interesit që do ndodhë nesër, me Bankën e Anglisë që pritet t’i rrisë ato me një çerek përqindjeje në 5.25 për qind, shkruan DailyMail, përcjell KosovaPress

    Sunak tha se ishte e “dhimbshme” dhe i sugjeroi telefonuesit ‘të fliste me bankën e vet’ dhe të diskutonte zgjatjen e afatit ose kalimin vetëm në interes. Ai sugjeroi që Jack kishte një hipotekë “jashtëzakonisht të madhe”.

    Për inflacionin ai tha gjithashtu: Unë e di që familjet po luftojnë me koston e jetesës dhe kjo është arsyeja pse e vendosa si prioritetin tim të parë përgjysmimin e inflacionit dhe ne po bëjmë përparim.

  • Zbulohet studimi: Inteligjenca artificiale ekzaminuesi më korrekt i kancerit të gjirit

    Zbulohet studimi: Inteligjenca artificiale ekzaminuesi më korrekt i kancerit të gjirit

    Inteligjenca artificiale mund të konstatojë në mënyrë të sigurt imazhet e ekzaminimit të kancerit të gjirit, kështu thuhet në raportin e një studimi suedez.

    Ata zbuluan se me ndihmën e kompjuterit inteligjenca artificiale mund të dallojë kancerin në mënyrë të saktë, por shtuan se nevojiteshin më shumë kërkime për të përcaktuar plotësisht nëse mund të përdoret në programet e shqyrtimit.

    BBC shkruan se nuk është studimi i parë që shqyrton përdorimin e inteligjencës artificiale për të diagnostikuar kancerin e gjirit në mamografi.

    Në hulumtimet e mëparshme, duke përfshirë disa të kryera në Mbretërinë e Bashkuar, teknologjia vlerëson skanimet që tashmë janë parë nga mjekët.

    Studimi përfshin mijëra gra të marra nën mbikëqyrje, ku në gjysmën e skanimeve u vlerësuan nga dy radiologë, ndërsa gjysma tjetër u vlerësuan nga mjeti i shqyrtimit i mbështetur nga inteligjenca artificiale.

    Në total, 244 gra u zbuluan nga aparatura e mbështetur në inteligjencën artificiale, ndërsa 203 u konstatuan nga aparatura e zakonshme.

    Autorja kryesore e studimit doktoresha Kristina Lang tha se inteligjenca artificiale ka potencialin për t’u përdorur në zbulimin e kancerit të gjirit në të ardhmen edhe pse ende nevojiten shumë kërkime. /tch

  • ​Arrestohet një person dhe konfiskohet sasi e narkotikëve

    ​Arrestohet një person dhe konfiskohet sasi e narkotikëve

    Policia e Kosovës, në dy raste të ndara, ka arrestuar një person dhe ka konfiskuar sasi të substancave narkotike.

    Sipas Policisë, rasti i parë ka ndodhur me datë 31 korrik në orët e hershme të mëngjesit kur Njësia Patrulluese në Gjilan, gjatë punës operative, ka konfiskuar një çantë krahu në të cilën janë gjetur dhe konfiskuar në cilësi të provave materiale.

    “Një qese substancë narkotike e dyshuar për marihunë në peshë prej 703.3 gr (shtatëqind e tre pikë tre gramë), 2 (dy )peshore elektrike për matjen e substancës narkotike, 3 pako me substancë të dyshuar të llojit kokainë në peshë prej 5.2 gr (pesë pikë dy gramë), 1 pako mbështjellës për substanca narkotike, 94 qese plasmani të papërdorur (të zbrazura)”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

    Ndërsa lidhur me rastin e dytë, Policia ka bërë të ditur se sot në Prizren, njësiti i antidrogës [përmes realizimit të një urdhër kontrolli nga gjykata kompetente, ka arritur të ndalohet personi i dyshuar me iniciale A.D.

    Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar disa provat materiale.

    Një (1) kavanoz qelqi brenda të cilit ishin 13 doza me substancë narkotike që dyshohet të jetë e llojit heroinë, me peshё të përgjithshme 78.80 gramë, ku vlera e tregut në të holla është rreth 1800 euro, një sasi e substancës narkotike që dyshohet të jetë e llojit marihuanë me peshё 0.98 gram, të holla të gatshme në vlerë dymijë (2000) euro dhe një (1) telefon mobil”, ka njoftuar Policia.

    I dyshuari në këtë rast është ndaluar për 48 orë ndërsa për rastin e pare, njësitet policore janë duke kryer veprime operativo-hetimore intensive, me qellim te arrestimit te personit te dyshuar./kp

  • Gruri sivjet, pak e me cilësi të dobët

    Gruri sivjet, pak e me cilësi të dobët

    Kosova sivjet nga sezoni i korrje-shirjeve nuk do të mund t’i plotësojë nevojat e saj për grurë. Për më tepër, kjo kulturë bujqësore këtë vit nuk ka as cilësi të mirë.

    Fermeri Korab Sejdiu nga komuna e Podujevës ka korrur mbi 150 hektarë sipërfaqe të mbjellë me grurë.

    Por, këtë vit sasia e grurit që ka siguruar ka qenë më e vogël.

    “Deri 3.000 kilogramë grurë për një hektar të kultivuar kemi arritur të sigurojmë sivjet – gjysmën e sasisë krahasuar me vitin e kaluar”, thotë për Radion Evropa e Lirë fermeri Korab Sejdiu.

    Për shkak të sasisë më të vogël të grurit të korrur, Sejdiu thotë se “sivjet nuk ka bukë dhe kualiteti është i dobët”.

    Për këtë gjendje, fermeri ua lë fajin kushteve klimatike që këtë vit kanë qenë të pafavorshme për bujqit.

    “Ka pasur shumë reshje shiu, mjegull, brymë mëngjesi”, thotë ai, duke sqaruar se kjo ka bërë që gruri të mos fryhet aq sa duhet.

    Për shkak të kushteve jo të favorshme atmosferike, këtë vit fushata e korrje-shirjeve ka nisur më 15 korrik, teksa rëndom nis në fillim të po këtij muaji. Sipas ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, këtë vit kanë qenë të mbjellë me grurë rreth 67.000 hektarë tokë.

    Ndërkaq, fermeri Valon Vehapi nga komuna e Lipjanit thotë se sasia më e vogël e rendimenteve të grurit këtë vit është shkaktuar edhe nga mostrajtimi i duhur i kësaj kulture bujqësore.

    Ai tashmë ka korrur mbi 100 hektarë tokë me grurë.

    Edhe Vehapi, sikurse Sejdiu sivjet ka siguruar më pak grurë sesa ka pritur, pasi ai ka synuar 7.000 kilogramë për një hektar, por ka siguruar deri në 5.000.

    “Kushtet klimatike nuk kanë qenë ideale për bujqësi, as për kulturën e grurit e as për të misrit. Kjo për arsye se muajt maj dhe qershor kanë qenë të ftohtë dhe të lagësht. Për shkak të lagështisë së madhe janë shfaqur shumë sëmundje që i kanë bërë dëm bimës së grurit. Kjo ka ndikuar edhe në tokën time, pasi siç e kam punuar tokën dhe e kam trajtuar bimën duke punuar 12 orë në ditë kam pritur deri në 7.000 kilogramë për hektar, por kam dalë me pak më shumë se 5.000 kilogramë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Nga Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës thonë se temperaturat e ulëta gjatë pranverës ulën pritjet për prodhim të bollshëm të grurit. Kreu i kësaj federate, Tahir Tahiri, thotë se mesatarja e prodhimit për hektar, këtë vit do të jetë më e ulët krahasuar me vitet e kaluara.

    Megjithatë, ai nuk tregon se sa për qind të nevojave të saj për grurë do të arrijë t’i sigurojë Kosova këtë vit.

    “Kam frikë se do të jetë viti më i dobët dhe më i vështirë sa i përket prodhimtarisë vendore. Unë nuk mbaj mend që në 40 vjet të ketë pasur lagështi nga muaji mars, prill, maj dhe qershor. Kemi pasur vërshime, breshër… Por, më e rënda ka qenë lagështia e stërzgjatur, e cila ka krijuar kushte për paraqitjen e sëmundjeve të ndryshme”, thotë ai.

    Disa zona në Kosovë gjatë këtij viti janë përballur me vërshime. Në janar, komuna e Skenderajt, ajo e Mitrovicës së Jugut, Klinës dhe Istogut u goditën nga vërshimet. Ndërkaq, në qershor, komuna e Pejës u përball me vërshime.

    Zejnullahu: Gruri nuk plotëson kriteret për prodhim të miellit

    Përveç sasisë së pamjaftueshme të grurit që Kosova ka siguruar sivjet, cilësia e tij nuk është e duhur, thotë udhëheqësi i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu.

    Ai shpjegon se cilësia e kësaj kulture bujqësore varet nga rajonet ku mbillet. Rrafshi i Kosovës, ku gjendet edhe komuna e Lipjanit, sipas tij, ka pasur rendiment dhe cilësi të mirë. Por, cilësia e grurit në rajonet e tjera, sipas Zejnullahut, nuk garanton se ai mund të përpunohet dhe të prodhohet miell.

    “Gruri duhet të ketë një cilësi minimale për përpunim të miellit. Gruri i këtij viti ka pasur një kualitet aq të dobët, sa nuk ka mundësi që të prodhohet miell. Ky grurë, i këtij kualiteti, mund të përpunohet si ushqim për kafshë, por jo si ushqim për njerëzit”, thekson ai.

    Gruri është lënda e parë për prodhimin e miellit dhe si i tillë konsiderohet produkt strategjik për sigurinë kombëtare.

    Radio Evropa e Lirë ka pyetur edhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për sasinë dhe cilësinë e grurit, por deri në publikimin e këtij teksti, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

    Sipas të dhënave zyrtare të vitit 2021, konsumi mesatar i grurit për kokë banori, duke përfshirë edhe produktet me përmbajtje gruri, janë 207 kilogramë, ose mbi 410.000 tonë grurë.

    Por, prodhimi vendor ndër vite ka qenë rreth 300.000 tonë grurë.

    Kjo ka bërë që Kosova t’i përmbushë nevojat me këtë produkt përmes importit.

    Në vitin 2021, nga fermerët e Kosovës kishin prodhuar 280.000 tonë grurë. Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës për atë vit, 115.000 tonë lloje të grurit dhe miellit janë importuar nga shtete të ndryshme të Evropës.

  • Gjobitet shoferi që voziti me fëmijën ulur mbi karriget e pasme të veturës, i merret patentë shoferi

    Gjobitet shoferi që voziti me fëmijën ulur mbi karriget e pasme të veturës, i merret patentë shoferi

    Policia e Kosovës ka njoftuar se Njësia për Kontroll të Autostradave kanë gjobitur një shofer, që gjatë drejtimit të automjetit nuk e ka siguruar fëmijën në ulësen për fëmijë.

    Në fotografitë e publikuara, vërehet fëmija i shtrirë mbi karriget e pasme të veturës.

    Policia ka bërë të ditur që shofin e kanë gjobitur me 150 euro gjobë, si dhe i është ndaluar drejtimi i mjetit.

  • Kërkohet ndëshkim maksimal për vrasësit e Marigona Osmanit, thirret protestë për të premten

    Kërkohet ndëshkim maksimal për vrasësit e Marigona Osmanit, thirret protestë për të premten

    Kolektivi për mendim dhe veprim feminist po bën thirrje për protestë, në seancën përfundimtare për rastin e vrasjes makabre të Marigona Osmanit, akt të cilin e kreu i dashuri i saj, Dardan Krivaqa, i shoqëruar nga shoku i tij, Arbër Sejdiu.

    Me këtë veprim synohet që të sigurohet drejtësia duke i dhënë të akuzuarve ndëshkimin maksimal, transmeton klankosova.tv.

    ‘’Për t’u siguruar që kërkesa jonë për drejtësi të jehojë edhe të premten para Gjykatës Themelore në Ferizaj, ne mblidhemi nga ora 10:30 para dyerve të Gjykatës për të kërkuar drejtësi për Marigonën dhe ndëshkim maksimal për vrasësit’’.

    Vrasja e Marigona Osmanit ndodhi në gusht të vitit 2021, ndërsa aktgjykimi ndaj dorasve të këtij akti, do të shpallet më 4 gusht.

  • Konfirmohet puna në udhëzimin administrativ për zgjedhjet në veri

    Konfirmohet puna në udhëzimin administrativ për zgjedhjet në veri

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Elbert Krasniqi, ka konfirmuar të mërkurën se një udhëzim administrativ, i cili ua mundëson qytetarëve të komunave shkarkimin e kryetarëve të tyre përmes peticionit, do të jetë gati në shtator.

    Punimi i një udhëzimi të tillë administrativ vjen në kohën kur Kosovës është duke iu kërkuar me ngulm nga Bashkimi Evropian (BE) të shpallë zgjedhje të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

    “Grupi punues ka afat një muaj që ta bëjë drafit e udhëzimit administrativ… dhe mandej të jetë gati nga shtatori si udhëzim administrativ në të cilin mund të deklarohen qytetarët të cilët kanë për qëllim organizimin e peticioneve për largimin e kryetarëve”, tha Krasniqi, më 2 gusht, gjatë përurimit të një salle sportive në një fshat të Lipjanit.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 26 korrik se autoritetet e vendit janë duke u përgatitur për zgjedhje në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, por se ato nuk mund të mbahen pa u shtensionuar situata në këtë zonë.

    Zgjedhjet janë obligim që dalin nga një marrëveshje mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për shtensionimin e situatës në veri.

    Tensionet në këtë zonë janë rritur qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë hyrë në objektet komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë serbë.

    Protestat e tyre kanë kulmuar edhe në përleshje të dhunshme me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës mund të shkohet në rast se kryetari aktual jep dorëheqje; në rast se qytetarët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të komunës përkatëse; si dhe në rast se kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye.

    Krasniqi shtoi se kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe nuk mund t’iu kërkohet të japin dorëheqje “por ata mund ta bëjnë këtë me vendim individual”.

    “Peticioni është shprehje e vullnetit të 20 për qind të trupës votuese të një komune. Nëse në një komunë të caktuar qytetarët e asaj komune arrin t’i kenë 20 për qind të trupës votuese me kërkesën që të largohet kryetari i komunës, atëherë do të trajtohet si kërkesë, nëse nuk do të ketë atëherë kjo mbetet aty, kryetarët e vazhdojnë punën në komunë”, shtoi Krasniqi.

  • Rusia nis manovra ushtarake në Detin Baltik, mes tensioneve me fqinjët evropianë

    Rusia nis manovra ushtarake në Detin Baltik, mes tensioneve me fqinjët evropianë

    Rusia ka njoftuar të mërkurën se ka nisur manovra detare në Detin Baltik, mes tensioneve në rritje me fqinjët e saj evropianë rreth konfliktit në Ukrainë.

    Rusia mban rregullisht ushtrime detare në Detin Baltik, shpesh në kundërpërgjigje ndaj manovrave të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në zonë.

    Marina ruse ka luajtur një rol kyç në luftën e Moskës kundër Ukrainës, duke goditur vendin e mbështetur nga Perëndimi me raketa lundruese të lëshuara nga anijet dhe nëndetëset, përveç me armë të tjera.

    “Ushtrimet detare Mburoja e Oqeanit-2023 kanë nisur në Detin Baltik”, ka bërë të ditur ministria ruse e Mbrojtjes, nëpërmjet një komunikate, raporton AFP.

    Rusia ka njoftuar se 30 luftanije dhe barka, si dhe 20 lundra të tjera mbështetëse, do të marrin pjesë në manovra, bashkë me 6.000 ushtarakë.

    Gjatë manovrave, marina ruse do të ushtrojë mbrojtjen e rrugëve detare, transportimin e trupave dhe ngarkesave ushtarake, dhe mbrojtjen e vijës bregdetare, thuhet në komunikatën e ministrisë ruse.

    “Planifikohet kryerja e mbi 200 ushtrimeve luftarake, ku do të përfshihet edhe përdorimi i armëve”, kanë bërë të ditur autoritetet ruse.

  • BBC rendit fotografinë e super hënës në Prishtinë, si ndër më të bukurat në botë

    BBC rendit fotografinë e super hënës në Prishtinë, si ndër më të bukurat në botë

    Vëzhguesit e yjeve në të gjithë botën panë një Hënë të plotë më të madhe dhe më të ndritshme se zakonisht, të martën mbrëma.

    Hëna e plotë e këtij muaji, e quajtur Hëna e Sturgeon, ndriçoi qiellin e natës ndërsa u ngrit mbi horizont pak pas perëndimit të diellit, shkruan BBC.

    Është e para nga dy superhënat e këtij muaji – hëna e plotë e ardhshme më 30 gusht do të quhet Hëna Blu pasi është hëna e dytë e plotë që shfaqet në një muaj kalendarik.

    Ndërkohë, BBC ka renditur disa nga fotot më të mira të superhënës së të martës nga e gjithë bota dhe në krye të listët qëndron fotografia ku Hëna shkëlqen mbi ndërtesat në Prishtinë, Kosovë.