ATV

Author: ATVLive

  • Kushtetuesja i hap rrugë dekretimit të Ligjit për Zyrtarët Publikë, i rrëzon vetëm disa nene

    Kushtetuesja i hap rrugë dekretimit të Ligjit për Zyrtarët Publikë, i rrëzon vetëm disa nene

    Gjykata Kushtetuese i ka shpallur të pranueshme ankesat e deputetëve të PDK-së dhe të LDK-së për Ligjin për Zyrtarët Publikë, teksa ka konstatuar se është pjesërisht antikushtetues.

    “Në lidhje me përmbajtjen e Ligjit të kontestuar, Gjykata njëzëri ka vendosur që (i) kriteri “i përshtatshmërisë’ i përcaktuar në paragrafët 2 dhe 5 të nenit 9 (Kriteret e përgjithshme për pranimin në detyrë të zyrtares/it publik) nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    Megjithatë, organi më i lartë juridik në vend, i hapi rrugë dekretimit të këtij ligji.

    “Bazuar në konstatimet e mësipërme, Gjykata gjithashtu vendosi: (i) të konstatojë që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Ligji i kontestuar i dërgohet presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje, pa dispozitat e konstatuara në kundërshtim me Kushtetutën dhe sipas specifikave të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    Reagimi i opozitës në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i menjëhershëm, duke e cilësuar fitore të demokracisë.

    “Ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, për të shtatën herë me radhë konfirmon veprimtarinë dhe aktivitetin antikushtetues të kësaj qeverie dhe paraqet në të njëjtën kohë, goditje të drejtpërdrejtë të tendencave dhe përpjekjeve të pushtetit autokratik të Albin Kurtit për të kapur dhe nënshtruar administratën shtetërore dhe ta kthejë në çerdhe të militantëve, familjarëve dhe partisë së tij”, thuhet në reagimin e PDK-së.

    “Për tri vjet qeverisje, partia në pushtet ka shkelur 4 herë Kushtetutën, derisa janë edhe disa ligje që janë në pritje të vendimit nga Gjykata Kushtetuese. Këto shkelje tregojnë më së miri mospërkushtimin e kësaj Qeverie për shtetin e së drejtës”, thuhet në reagimin e LDK-së.

    Ligji për Zyrtarët Publikë nga Qeveria u pa si pika kyçe për reformën e administratës publike dhe rrjedhimisht adresimin e nevojave të shoqërisë.

    Ndryshe më parë, Kushtetuesja kishte konstatuar se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kishte ndërhyrë në kompetencat e Komunës së Kamenicës për reformën në arsim, derisa Ligji për Këshillin Prokurorial ishte rrëzuar.

    Ndërkohë, në shqyrtim, kjo Gjykatë e ka edhe Ligjin për Pagën Minimale, pas dërgimit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kosova dëbon dy serbë për “pjesëmarrje në protesta të dhunshme” në veri

    Kosova dëbon dy serbë për “pjesëmarrje në protesta të dhunshme” në veri

    Sinisa Jevtic, ish-ushtar i Serbisë, pjesëmarrës në betejën e Koshares, i cili u arrestua në maj në veri, pasi iu bashkua protestave të dhunshme, nuk do të ketë të drejtë të hyjë më në Kosovë.

    Ai, bashkë me policin Ivan Sekuliq, janë shpallur fajtorë të enjten nga Gjykata Themelore e Prishtinës, një ditë pasi kishin pranuar fajësinë për akuzat për huliganizëm dhe armëmbajtje pa leje.

    Pranimi i fajësisë është vlerësuar si rrethanë lehtësuese nga gjykata dhe dënimi në pajtim me të akuzuarit iu është zëvendësuar me gjobë.

    Ivan Sekuliqit iu shqiptua dënimi unik me gjobë prej 9.000 eurosh, teksa gjyqtari tregoi edhe çfarë i është konfiskuar. Ndërkaq, mbrojtja u shpreh e gatshme të paguajë dënimin menjëherë.

    Sinisha Jevtiq e Ivan Sekuliq, shtetas të Serbisë, ishin arrestuar më 30 maj në pikën kufitare në Jarinjë.

    Gati dy muaj pas, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë, sipas së cilës Jevtiq e Sekuliq
    në Leposaviq, të armatosur u ishin bashkangjitur protestave të dhunshme që u organizuan kundër kryetarëve të zgjedhur në katër komunat veriore.

    Në atë protestë, siç edhe përshkruhet në aktakuzë, ishin lënduar së paku 30 pjesëtarë të KFOR-it dhe ishin djegur vetura të gazetarëve.

    Ndërkohë, siç kishte raportuar edhe ATV-ja, Sinisa Jevtic para nisjes për Kosovë, kishte shpërndarë mesazhe përkrahëse të sulmeve ndaj KFOR-it dhe Policisë.
    Gjithashtu, ai kishte shpërndarë njoftime që bëjnë thirrje për mobilizim të veteranëve të ushtrisë serbe, për, siç thuhet, “çlirimin përfundimtar të tokës së shenjtë” – referuar Kosovës.

    Por ishte arrestuar vetëm pak orë pasi kishte hyrë në territorin e Kosovës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Ka filluar gjykimi për krime lufte ndaj Zlatan Arsiq, keqtrajtoi shqiptarë në Kamenicë

    Ka filluar gjykimi për krime lufte ndaj Zlatan Arsiq, keqtrajtoi shqiptarë në Kamenicë

    “I uniformuar, e ndalon Besim Muhaxherin dhe i drejtohet me fjalët: ku po i dërgon këto cigare? UÇK-së a? Tash të tregoj unë”.

    Kështu përshkruhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale se iu drejtua Besim Muhaxherit, duke e kërcënuar edhe me jetë, ish-polici, tani i akuzuar për krime lufte, Zlatan Arsiq.

    Sipas aktit akuzues, Arsiq nuk u ndalua me kaq dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare, mori pjesë në dëbimin dhe torturimin e civilëve shqiptarë në Kamenicë dhe në qytetet në rrethinë.

    Por, 42-vjeçari në shqyrtimin fillestar që u mbajt të enjten në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka mohuar se mori pjesë në keqtrajtimin e shqiptarëve gjatë muajve shkurt – mars të vitit 1999.

    Arsiq i cili u arrestua në mars të këtij viti, punonte në Policinë e Kosovës që nga viti 2006 dhe jetonte në Ajnovc të Kamenicës.

    Ndërkohë, mbrojtja ka kërkuar zbutjen e masës së paraburgimit me arsyetimin se vajza e tij është në gjendje të rëndë shëndetësore.

    Megjithatë, sipas Prokurorisë, kjo nuk duhet të pranohet nga Gjykata për shkak të peshës së veprës penale dhe mosbashkëpunimit juridik me Serbinë, pasi i akuzuari ka nënshtetësinë edhe të Serbisë dhe ekziston rreziku që ai të arratiset.

    Rasti, sipas Prokurorisë, ka qenë duke u hetuar nga viti 2015, kur EULEX-i kishte në kompetencë hetimin e krimeve të luftës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Çitaku: Kurti ka prodhuar vetëm kriza

    Çitaku: Kurti ka prodhuar vetëm kriza

    Korrupsion, krizë me aleatët e kriza të brendshme janë akuzat që Partia Demokratike e Kosovës pati në drejtim të Qeverisë. Madje, për të gjitha këto, partia më e madhe opozitare ka kërkuar hetime.

    Sipas nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, kryeministri Kurti po i shkel të gjitha parimet e dhëna nga vetë ai.

    “E vetmja gjë që ka prodhuar kryeministri Kurti tani pothuajse tri vjet në pushtet, është një cikël i pafund i krizave, të cilat kanë rezultuar në polarizime të brendshme dhe në acarimet e skajshme me aleatët tanë. Kjo vetëm Kosovës nuk i konvenon, vetëm interesit publik nuk i konvenon dhe nuk po flas këtu vetëm për dëmin politik, po flas edhe për dëmin në fushën e ekonomisë, frikën që ka ndjellë kjo qeveri tek investitorët, frikën që kemi ndjellë tek aleatët si partnerë kredibilë dhe të besueshëm. E vetmja gjë konsistente te kryeministri Kurti ka qenë mungesa e konsistencës, sot e thotë një gjë, i rendit 10 parime, nesër i shkel ato”, tha Çitaku.

    Sipas Çitakut, të vetmit që po vuajnë pasojat nga keqmenaxhimi janë qytetarët.

    “Çdo ditë e më shumë, po rrënohet aura e epërsisë morale, të cilën LV-ja ia kishte veshur vetes, si parti me duar të pastra. Faktet po tregojnë që këto kanë qenë vetëm fraza boshe. Audio-incizimet po tregojnë edhe për presionin e madh që po u bëhet administratës publike dhe shërbyesve civilë, jo për ta respektuar ligjin, por për ta shkelur atë. Derisa aferat po shtohen, keqpërdorimet e detyrës zyrtare po prekin të gjitha institucionet e kësaj Qeverie, fatkeqësisht, janë qytetarët të cilët po i vuajnë pasojat. Rritja e çmimeve, papunësia dhe varfëria, janë tri problemet më të mëdha me të cilat po ballafaqohen qytetarët tanë sot! Në vend të zgjidhjeve, kjo Qeveri ka ofruar vetëm cikle të pafundme të krizave dhe skandaleve. Edhe një herë, po e ripërsëris thirrjen për institucionet e hetuesisë dhe drejtësisë që të veprojnë”, tha Çitaku.

    Në konferencën e Çitakut ishte shpallur edhe një pllakat me, siç i quajti ajo, skandalet e Qeverisë, ndërsa nënkryetarja e PDK-së u shpreh se janë edhe tri pika meqë nuk ka pllakat që i zë të gjitha skandalet e ekzekutivit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • “Pushteti i do mediat, por në kafaz”, PSD ja aksion kundër Qeverisë

    “Pushteti i do mediat, por në kafaz”, PSD ja aksion kundër Qeverisë

    Në këto kafaze vend zunë mikrofonat e kamerat. Në këtë mënyrë, Partia Socialdemokrate paraqiti lirinë e medias në Kosovë.

    “Pushteti, është e vërtetë që i do mediat, por i do në kafaz. Albin Kurti i dëshiron mediat e kontrolluara, të nënshtruara, të varura dhe po ashtu pa asnjë lloj kritike. Andaj kafazi siç jemi munduar me shpreh në mënyrë simbolike, është vendi adekuat që ia ka nda hapësirën kryeministri për me i vendos ato aty. Sulmi ndaj mediave është me paramendim, ne e dimë se caqet apo objektivat që i ka ky pushtet aktual gjithmonë marrin me vete çfarëdo që i del përpara, pa marrë parasysh arsyetimet dhe pasojat që i shkaktojnë. Kësaj mënyre si funksionon qeveria nuk kanë mundur t’i shpëtojnë as mediat, siç s’kanë mundur me i shpëtu as sindikatat, mësimdhënësit dhe as temat mbi UÇK-në”, tha Sonila Pllashniku, aktiviste e PSD-së.

    Sipas kësaj partie, është një rend autoritar i qeverisë që tenton përmes çështjeve teknike të arrijë caqe politike.

    “Është një lloj rendi autoritar, ku tenton që çështjet teknike me qenë edhe çështje politike, jo thjesht me qenë një rend ku shiten si veprime të duhura, por prapa saj duhet me ditë që është një veprim politik me këtë cakun ose objektivin që e ka si synim ky pushtet aktual… Rreziku është permanent për një pushtet autoritar, por ne gjithmonë e kemi guximin për me bë aksione të tilla dhe me ngritë zërin tonë” tha Pllashniku.

    Aksioni i PSD-së është pjesë e kundërshtimeve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për t’ia pezulluar certifikatën e biznesit, televizionit Klan Kosova. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Ndjenjë shtëpie: Jeta e fëmijëve me aftësi të kufizuara në strehimoren në Shtime

    Ndjenjë shtëpie: Jeta e fëmijëve me aftësi të kufizuara në strehimoren në Shtime

    Nëntë persona me aftësi të kufizuara, mendore e fizike, jetojnë në një shtëpi-strehë në qytetin e Shtimes. Ata janë pa përkujdesje familjare që nga fëmijëria, por personeli i shtëpisë kujdeset për ta. Shtëpia, e hapur në vitin 2002, u ndërtua si strehë për fëmijët me nevoja të veçanta nga e gjithë Kosova.

    U.D i drejtorit të SHFAKM, Jeton Ademaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se aty ofrohen shërbime 24 orë dhe fëmijët e strehuar gëzojnë përkujdesje mjekësore, ushqim, veshmbathje e shumë shërbime tjera.

    “Këtu ofrohen shërbime 24 orë, të gjithë fëmijët që janë të strehuar në këtë shtëpi gëzojnë përkujdesje mjekësore, marrje të ushqimit, përkujdesje në mirëmbajtjen e higjienës personale, veshmbathje dhe shumë e shumë shërbime tjera”, ka thënë ai.

    Aty është e paraparë të jetojnë vetëm personat e mitur me aftësi të kufizuara. Por asnjëri nga ta nuk është nën moshën 18 vjeçare. Dy banorët e parë jetojnë aty tash e 21 vjet, ata ishin 12 dhe 15 vjeç kur u dërguan aty nga Instituti Special i Shtimes dhe tashmë i kanë kaluar të tridhjetat.

    “Shtëpia është e paraparë deri në moshën 18-vjeçare. Por ne këtu ofrojmë vetëm shërbime kurse për largimin në ndonjë institucion tjetër, familje apo qëndrimi në këtë shtëpi, kujdestar ligjorë janë qendrat për punë sociale”, ka thënë Ademaj për REL.

    Avokati i Popullit u ka rekomanduar autoriteteve që të gjendet një zgjidhje për ta, në mënyrë që të lirohen hapësirat për fëmijët në nevojë. REL nuk ka marrë përgjigje nga institucionet përkatëse, se pse ata vazhdojnë të mbesin në këtë qendër, edhe pse kanë arritur moshën madhore.

    Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë jetojnë mbi 77.000 persona me aftësi të kufizuara.

  • Diant Ramaj, portieri i ri i Ajaxit

    Diant Ramaj, portieri i ri i Ajaxit

    Portieri me prejardhje nga Kosova, Diant Ramaj është transferimi më i ri i Ajaxit.

    Lajmin e ka konfirmuar vetë gjiganti holandez, i cili njoftoi se ka arritur marrëveshje me Eintracht Frankfurt për transferimin e Ramajt, raporton KP.

    21 vjeçari gjerman me rrënjë nga Kosova ka nënshkruar një kontratë pesë vjeçare, e cila do ta mbajë atë te Ajaxi deri më 30 qershor të vitit 2028.

  • Nga nesër nis zvogëlimi i policëve për 25% nga objektet komunale në veri

    Nga nesër nis zvogëlimi i policëve për 25% nga objektet komunale në veri

    Nga nesër do të fillojë zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri. Kështu ka informuar sot Policia, me ç’rast është bërë e ditur se vendimi ka ardhur pas vlerësimit nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i.

    Sipas vlerësimit, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë.

    “Policia e Kosovës në vazhdën e realizmit të detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore në interes të sigurisë publike në vend, si dhe me qëllim të zbatimit të dakordimeve të arritura në Bratisllavë me 10 korrik 2023, në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, saktësisht hapit dy të këtij dakordimi, me këtë rast është mbajtur takimi punues mes Policisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR për vlerësim të situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave veriore. Sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë.”, është bërë e ditur në komunikatë.

    Po ashtu, është potencuar se ekipet e Policisë së Kosovës, bashkë me EULEX dhe KFOR, do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore të Republikës se Kosovës.

  • Në muajin qershor shitjet me pakicë ranë për 0.2% në vlerë, dhe 0.7% në vëllim

    Në muajin qershor shitjet me pakicë ranë për 0.2% në vlerë, dhe 0.7% në vëllim

    Shitjet italiane me pakicë ranë për 0.2 për qind në terma të vlerës dhe 0.7 për qind në vëllim në muajin qershor krahasuar me muajin maj, theksuan të enjten nga Istat.

    Agjencia Kombëtare e Statistikave bëri të ditur se shitjet me pakicë u rritën me 3.6 pwr qind në terma të vlerës në raport me muajin qershor të vitit 2022, por ranë për 3.5 për qind në vëllim.

    Të dhënat nga viti në vit japin një tregues të ndikimit që ka kriza e kostos së jetesës tek konsumatorët italianë, të cilët paguajnë më shumë për të marrë më pak./ANSA/

  • Senegali ndalon përdorimin e TikTokut

    Senegali ndalon përdorimin e TikTokut

    Senegali ka ndaluar aplikacionin e rrjetit social TikTok deri në njoftimin e mëtejshëm sepse kërcënon stabilitetin e vendit.

    Ky lajm u bë i ditur sot nga ministri i Komunikimeve, disa ditë pas kufizimit të përdorimit të internetit në celular gjatë protestave të opozitës.

    “Është vërejtur se TikTok favorizon njerëzit që kanë qëllime të këqija për të përhapur mesazhe urrejtjeje dhe subversive që kërcënojnë stabilitetin e shtetit”, tha ministria në një deklaratë, raporton Reuters.

    Kufizimet erdhën pasi kreu i opozitës Usman Sonko u akuzua për komplot rebelimi, komplot kriminal dhe krime të tjera.

    Protestat e dhunshme të opozitës mbahen periodikisht gjatë gjithë vitit në Senegal, mbështetësit e së cilës akuzojnë Presidentin Macky Sall për ngritjen e akuzave kundër Sonko në mënyrë që ta skualifikojë atë nga zgjedhjet e ardhshme.