ATV

Author: ATVLive

  • Fillimi i vitit shkollor, siguria e fëmijëve shqetësim dhe përgjegjësi e përbashkët

    Fillimi i vitit shkollor, siguria e fëmijëve shqetësim dhe përgjegjësi e përbashkët

    Policia e Kosovës ka dhënë statistika për pasojat vdekjeprurëse në trafik, e ku përfshihen edhe fëmijët, për të cilët ka theksuar se siguria e tyre duhet të jetë shqetësimi dhe përgjegjësia jonë e përbashkët.

    Me fillimin e vitit të ri shkollor, fëmijët sërish bëhen pjesëmarrës aktivë në trafik.

    “Ne e dimë që fëmijët nuk janë të vetëdijshëm për të gjitha rreziqet e mundshme në rrugë, prandaj siguria e tyre duhet të jetë shqetësimi dhe përgjegjësia jonë e përbashkët. Në vitin 2022 në trafik jetën e kanë humbur 106 persona, prej tyre 5 kanë qenë deri në moshën 12 vjeçare, 7 kanë qenë nga mosha 13 deri 18 vjeçare dhe 94 kanë qenë mbi moshën 19 vjeçare. Në vitin 2022 në trafik janë lënduar 14,714 persona, prej tyre 787 kanë qenë deri në moshën 12 vjeçare, 962 kanë qenë nga mosha 13 deri 18 vjeçare dhe 12,965 kanë qenë mbi moshën 19 vjeçare. PËR TË MINIMIZUAR KËTO SHIFRA DHE PËR TË KONTRIBUAR PËR SIGURINË E TË GJITHË PJESËMARRËSVE NË TRAFIK VEÇANËRISHT TË FËMIJËVE, PËRGJEGJËS JEMI TË GJITHË”, thuhet në reagimin e Policisë.

    Kurse, Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor ka ndërmarrë një sërë masash ligjore për të garantuar rendin, me qëllim zhvillimin normal të procesit mësimor në shkolla dhe sigurinë në trafik afër shkollave.

    “Në kuadër të kësaj ka hartuar planin operacional ,,Siguria në shkolla’’, plan i cili parashikon hapa konkret për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe stafin e shkollës, duke përfshirë bashkëpunimin e policisë dhe angazhimin e komunitetit shkollor. Me këtë rast është planifikuar që në të gjitha shkollat dhe përreth ambienteve të tyre të ketë prezencë të shtuar të policisë me qëllim parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal. Nga njësitet e komunitetit në kuadër të gjitha stacioneve policore në nivel të Drejtorisë rajonale të Policisë Gjilan është vendosur bashkëpunim me autoritet edukativo-arsimore, si në nivel të drejtorive komunale të arsimit, drejtorive të shkollave, këshillave të prindërve dhe këshillave të nxënësve duke përcaktuar masa të përbashkëta në implementim të projekteve e fushata vetëdijësuese me qëllim të parandalimit të dukurive negative dhe rritjes së nivelit të sigurisë në ambientet shkollore. Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan uron të gjithë personelin mësimor, nxënësit dhe prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor”, thuhet në njoftim.

  • ​Gjërat që mësuesit duhet t’i bëjnë në ditën e parë

    ​Gjërat që mësuesit duhet t’i bëjnë në ditën e parë

    Përshtypjet e para kanë rëndësi – veçanërisht në ditën e parë të shkollës. Nxënësit atë ditë janë mes emocionesh të përziera. Megjithatë, shumica janë të stresuar. Arsyet ndryshojnë nga fëmija në fëmijë, por fëmijët priren të ndihen të shqetësuar për fillimin e shkollës. Kjo nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe; disa ankthe janë normale, madje edhe të shëndetshme. Megjithatë, mësuesit mund të bëjnë shumë për të siguruar që klasat e tyre të jenë të sigurta dhe mikpritëse në ditën e parë të shkollës.

    Caktoni vendet para fillimit të shkollës

    Mësuesi Chad Donohue thotë se kjo është një strategji që e kishte mësuar në mënyrë të vështirë. Më poshtë është e shkruar përvoja e tij:

    Duke menduar se isha progresiv, i ftova studentët të “uleshin ku të dëshironi” në ditën e parë të mësimit. Për tmerrin tim, më shumë se një student u kap në situatën e sikletshme të shmangies ose largimit nga një karrige që supozohej se ishte ruajtur për një mik. Pakujdesia ime kishte bërë që disa studentë të ndiheshin si të huaj, të padëshiruar. Caktimi i vendeve përpara fillimit të vitit është i lehtë në çdo nivel klase. Thjesht numëroni vendet. Ditën e parë, jepini secilit student një numër kur ai ose ajo hyn në dhomë. Nëse e kuptoni shpejt se Tanner dhe Isabella nuk duhet të ulen pranë njëri-tjetrit, mund të bëni rregullime.

    Përdorni emrat e nxënësve që ditën e parë

    Sa më shpejt që të jetë e mundur, filloni t’i thërrisni nxënësit me emrat e tyre. Nxënësit mund t’i shkruajnë emrat e tyre në letre që mund t’i vendosin ato në bankë. Kërkojuni të shkruajnë emrin e tyre me një marker të theksueshëm. Kjo ju mundëson t’u referoheni atyre me emër që në fillim. Përdorimi i emrit të një nxënësi krijon një ndjenjë familjariteti. Kur njihni dikë, e thërrisni me emër.

    Mos e bëni vetëm prezantimin tuaj, tregoni pak nga historia jote

    Çfarë iu shtyu të merreni me mësimdhënie? Pas disa vitesh në këtë profesion, shikimi prapa mund të jetë frymëzues. Ndarja e historive tona me fëmijët jo vetëm që i ndihmon ata të na njohin, por gjithashtu na kujton rrugën tonë të zgjedhur. Pavarësisht se sa e vjetër ju duket historia në të cilën keni kaluar, ajo është krejt e re për klasën tuaj të re të studentëve.

    Jepuni mjetet që ju duhen

    Së bashku me dhënien e studentëve një xhingël ose kujtim simbolik, rekomandohet t’u jepni lirisht lapsa gjatë gjithë vitit. Kjo eliminon ankthin që shpesh lidhet me harrimin e diçkaje për të shkruar. Kështu tregon se ju nuk do të ju qaseni me qortim gabimeve të tyre.

    Edhe fëmija që harron ose humb lapsin në mënyrë kronike është i mirëpritur të ma marrë një të tillë sa herë që të jetë e nevojshme. Kjo nuk do të thotë që mësuesi nuk duhet të bëj strategji me studentë individualë se si ata mund të kujdesen më mirë për furnizimet e tyre; megjithatë, në klasë duhet të jeni i përkushtuar për të eliminuar çdo formë të poshtërimit ose zhgënjimit publik që lidhet me harrimin ose humbjen e furnizimeve nga fëmijët. Edhe nëse një nxënës është i papërgjegjshëm me një laps (p.sh., e thyen atë ose e lë pa kujdes në dysheme), duhet tu kërkoni në heshtje të bisedoni me të pas mësimit. Më pas do të mendoni për zgjidhjet.

    Theksoni çfarë mund të bëjnë nxënësit, jo atë që nuk mund të bëjnë

    Kur bëhet fjalë për krijimin e rregullave të klasës, përdorimi i zërit pozitiv është i dobishëm. Për shembull, mund të jetë e zakonshme të keni një tabelë në klasën tuaj që thotë: “Nuk lejohen lëngjet” pse të mos provoni të shkruani “Lejohen shishet e ujit”.

    Premtoni që do të jepni më të mirën

    Është praktikë e zakonshme që ne t’u kërkojmë studentëve të japin më të mirën e tyre, të jenë më të mirë, të tregojnë respekt për veten dhe të vlerësojnë të mësuarit. Megjithatë, në një klasë të ngrohtë dhe mikpritëse, mësuesit gjithashtu mund t’u premtojnë studentëve se do të japin më të mirën për ta. Kjo mund të jetë aq e thjeshtë sa: “Unë do të punoj shumë për ju. Unë do t’ju shtyj të mësoni. Unë do të kërkoj më të mirën tuaj dhe do t’ju jap më të mirën time.”

    Jepuni diçka që mund të marrin me vete në shtëpi

    Mësuesit e mirë dërgojnë në shtëpi një pako mirëseardhjeje. Shpesh, kjo përfshin një letër, planprogram, orar të ngjarjeve të ardhshme dhe një listë të furnizimeve shkollore. Provoni të shtoni diçka unike në paketën tuaj të mirëseardhjes këtë vit. Nuk mund të jetë e dëmshme t’u drejtoheni bizneseve lokale për kupona “blej një merr një falas”, bileta kinemaje falas ose oferta të tjera, veçanërisht kur ata e dinë që do t’ua jepni familjeve në komunitet. Biblioteka juaj publike lokale mund të ketë gjithashtu disa të mira që ju t’i përfshini në paketë. / AkademiPune

  • Sot në Rahovec hapet edicioni i 22-të i Hardh Fest-it

    Sot në Rahovec hapet edicioni i 22-të i Hardh Fest-it

    Sot mbahet ceremonia zyrtare e hapjes së edicionit të 22-të të festës së vjeljes së rrushit “Hardh Fest”, me sloganin “Prek n’rrush, shijo n’ven”.

    Sipas njoftimit, ceremonia është paraparë të nis nga ora 12:00.

    Është bërë e ditur se aty merr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

  • ​Shqipëria ishte bërë me mbret para 95 vjetësh

    ​Shqipëria ishte bërë me mbret para 95 vjetësh

    Sot mbushen 95 vjet kur Asambleja Kushtetuese e Shqipërisë votoi unanimisht duke e shpallur Shqipërinë Mbretëri demokratike, parlamentare të trashëguar dhe Zogun I u shpall mbret i shqiptarëve.

    Gjithashtu u aprovua edhe formula e betimit të Mbretit. Ceremonia e kurorëzimit ishte planifikuar për në orën pesë, por në katër e gjysmë Dhoma e bardhë e Parlamentit ishte mbushur plot me deputetë, punonjës civilë, kryetarë të fiseve. Krerët e misioneve të huaja ishin gjithashtu të pranishëm, edhe pse përpiqeshin të mos binin në sy.

    Rasti ngrinte pyetje të vështira protokolli, ndaj duke reflektuar verdiktet pezull të qeverive të tyre, diplomatët kishin zgjedhur veshje mëngjesi, pa dekorime. Për të dëshmuar se pjesëmarrja e tyre ishte informale ata u rrasën në turmën e mbledhur në hollin modest, duke ua lënë hapësirën e rezervuar për to korrespondentëve të “Associated Press”.

    Ai u betua (Formula e betimit):

    “Unë Zogu, Mbret i Shqiptarëve, në çastin në të cilin po hedh këmbën mbi Thronin e Mbretnis Shqiptare dhe po marr në duer Pushtetin Mbretnuer, betohem përpara fuqisë së Zotit me mbajte Bashkimin Kombëtar, Independencën e Shtetit dhe Tokat. Betohem edhe të mbahem besnik ndaj Statutit dhe të veproj mbas pikave të tij dhe mbas ligjeve që ndodhen në zbatim, duke pas parasysh kurdoherë të mirën e popullit. Zoti më ndihmoftë”.

    Ahmet Zogu lindi në Burgajet të Matit, më 8 tetor 1895.Mësimet e para i mori në vendlindje nga mësues privat si Sali Toron, Hysen (Efendi) Cekën dhe Dervish Himën për gjuhën shqipe, Hafiz Muharremin për gjuhën turke, deri në moshën 13 vjeçare. Më 15 Qershor 1905, largohet për në Stamboll dhe fillon studimet në Lyce Imperial de Galatasaray, qendra e atëhershme e Perandorisë Osmane në rënie, që kontrollonte Shqipërinë dhe më vonë në akademinë ushtarake deri më 1912. Pas vdekjes së t’atit më 1908, u bë Beu i Matit, i quajtur edhe Beu i vogël. U zgjodh në vend të vëllait Xhelal bej Zogolli.

    Gjatë Lufta e Parë Botërore doli vullnetar në krah të Perandorisë Austro-Hungareze. U mbajt në Vjenë në 1917 e 1918, e në Romë në 1918 e 1919 përpara se të kthehej në Shqipëri më 1919. Gjatë kohës në Vjenë, ai shijonte stilin e jetës së Evropës Perëndimore, dhe thuhet të ketë qenë shumë i pëlqyer mes grave vjeneze. Mori mësimet në gjuhën gjermane dhe thelloi njohuritë në artin ushtarak dhe në diplomacinë perëndimore.

    Mbas vdekjes së babait të tij, Xhemal Pasha Zogu, ai u bë i zoti i shtëpisë së tij dukë u mbështetur nga nëna ë tij, Sadije Toptani që më pas u bë nëna mbretëreshë. Në këtë kohë 13 vjeç, Ahmet Zogu bëhet kështu shef i krahinës së Matit.

    Më 20 korrik 1912 Ahmeti, u kthye në Shqipëri, për arsye se Fuqitë Ballkanike, të përkrahur hapur nga Rusia, po përgatiteshin që ti shpallnin luftë Perandorisë Osmane, si rrjedhojë Shqipëria do të vuante pasojat e kësaj lufte. Në 1 Nëntor 1912, ai merr pjesë me 2000 matjanët e tij në luftë kundër ushtrive serbo-malazeze duke i ardhur në ndihmë qytetit të Shkodrës i cili mbrohej nga Hasan Riza Pasha dhe daja i tij Esat Pashë Toptani. Por thyhet keq nga serbët në Zadrimë. Më 28 Nëntor 1912, në shpalljen e pavarësisë në Vlorë nga Ismail Qemali, Matin, Dibrën dhe Mirditën do ta përfaqësonte Beu i Vogël, i cili kryesonte delegacionin prej 26 vetash. Ndërkohë që luftonte, u njoftua se Dibra u pushtua dhe u dogj nga forcat serbe, si dhe po i drejtoheshin Matit. Atëherë Ahmet Zogu me shpejtësi të madhe u nis për në Mat, ku filloi menjëherë përgatitjet për të mbrojtur të paktën Matin nga sulmi.

    Mbas përfundimit të kuvendit u kthye në vendlindje, ku organizoi mbrojtjen e krahinave të Matit dhe Dibrës, kundër ushtrisë serbo-sllave. Në Mat Zogu, kishte shumë armatim dhe municione për të cilët kishin nevojë kryetarët e Kosovës e të Dibrës, të cilët vinin në Mat për t’u furnizuar. Edhe një herë Mati u bë qendra e Shqipërisë dhe bijtë e tij nuk i braktisën të ardhurit por i mbajtën në familjet e tyre të pa ndarë në ushqime. Gjatë qeverisjes së Ismail Qemalit, Zogu mbrojti interesat e kësaj qeverie duke kundërshtuar edhe Esat Pashë Toptanin. Në kohën e ardhjes dhe përpjekjeve të Princ Vidit që të instalonte qeverinë e tij në Shqipëri, ai e përkrahu atë. Në pranverën e 1914, plasi një kryengritje kundër Vidit (e cila mendohej se ishte ideuar nga Esat Pashë Toptani). Zogu u vu në ndihmë të Princ Vidit dhe kërkoi nga forcat rebele që të tërhiqeshin dhe mos të rrezikonin interesat kombëtare. Mbas një përgjigje negative nga ana e rebelëve, ai marshon drejt Elbasanit dhe Krujës, i thyen forcat rebele dhe vendoset në Krujë. Gjatë kohës që ishte në Krujë, Princ Vidi largohet nga Shqipëria dhe ia lë administrimin e vendit një përfaqësie ndërkombëtare, kjo bëri që edhe Zogu, të tërhiqej nga Kruja drejt Matit. Në luftën e parë botërore Mbreti Zog u rreshtua ne krah te Austro-Hungarisë dhe vuri në dispozicion të luftës 10.000 luftëtarë (çliron Skraparin dhe Durrësin). Më 3 Mars 1916, Zogu, thërret Kongresin Kombëtar, në Elbasan për të diskutuar mbi fatin e Shqipërisë. Kjo iniciativë e tij, në fillim pati mbështetjen nga Austro-Hungaria, e cila më vonë u tremb dhe e pengoi. Ky akt bëri që Zogu, të tërhiqej nga Lufta e Parë Botërore, si shenjë revolte kundër këtij veprimi. Austriakët, ngaqë ishte nip i Esat Toptanit donin ta internonin. E ëma, i kërkon ndihmë At Pal Dodajt, atëherë në Rubik, që t’i shpëtonte të birin. At Dodaj, shkon në Burgajet, e vesh si frat Ahmetin e merr në Kuvendin e Rubikut. Me ndërhyrjen e At Dodajt, Zogu shkon me studime në Austri në një Akademi Ushtarake. Në Janarin e 1917, mbas vdekjes së Franc Jozefit, në Vjenë u bë kurorëzimi i Karlit dhe u ftua një delegacion nga Shqipëria. Mbas kësaj ceremonie austriakët i kërkuan Zogut, që të qëndronte në Vjenë, vend i cili kishte ofruar bursa për një grusht shqiptarësh, e kishte plane për vendin tonë. Atje takon dhe Çatin Saraçin. Ai u detyrua të vendosej në Vjenë deri në përfundim të Luftës. Në 1919, Shqipëria rrezikonte realisht ndarjen, kështu që Zogu, rikthehet në aktivitetin politik duke kërkuar që të mbahej një kongres kombëtar për të mbrojtur fatet e Shqipërisë, kongres që u mbajt në Lushnjë me 21-31 janar 1920 i siguruar me 9,000 vete nga ai (Kongresi e emëroj ministër te brendshëm).

    Më 11 shkurt 1920 pas kundërshtisë italiane për të mos lejuar vendosjen e qeverisë në kryeqytetin e vendit në Durrës, Zogu çan barrikadën dhe siguron vendosjen e qeverisë dhe Këshillit të Naltë në Tiranë. Më 6 mars 1920 së bashku me ministrin e Drejtësisë bën bashkimin e Shkodrës me pjesën tjetër të vendit. Në shkurt–nëntor 1920 stabilizon rendin në Shqipëri. Në nëntor 1920 suksesi i tij ngjall xhelozi dhe si pasojë e saj, qeveria jep dorëheqjen. Më 5 prill 1921 zgjidhet deputet i Partisë Popullore në Këshillin Kombëtar. Më 4 nëntor 1921, emërohet nga qeveria, komandant të operacioneve ushtarake për krahun lindor kundër serbëve. Më 14 dhjetor 1921 pas shtypjes së grushtit të shtetit vjen në Tiranë dhe siguron qetësinë e vendit. Më 24 dhjetor 1921 emërohet sërish ministër i Punëve të Brendshme.

    Më 1922 ndryshon mbiemrin, duke hequr prapashtesën turke -olli, dhe duke lënë thjesht Zogu.

    Në mars 1922 i bën ballë rebelimin të forcave opozitare duke ruajtur kryeqytetin nga anarkia. Më 2 dhjetor 1922 për herë të parë emërohet kryeministër. Në këtë post, Zogu ishte i pari që nisi punën për hartimin e ligjeve organike të ministrive. Për këtë qëllim ai ngriti grupet e ekspertëve me nga dy përfaqësues për çdo ministri. Në shtator 1923 Zogu konfirmohet edhe si kryetar i Partisë Popullore. Në dhjetor 1923, Zogu arrin të sigurojë numrin më të madh të votave në zgjedhjet për Kuvendin Kushtetues, por pa arritur numrin e duhur për krijimin e qeverisë së re. Për herë të parë ai zgjidhet me dy mandate, në Dibër dhe në Durrës. Më 23 shkurt 1924 për shkakun se Zogu me anë të një koalicioni me independentistët siguroi një shumicë të re, iu organizua një atentat brenda Kuvendit Kushtetues. Zogu plagoset gjatë hyrjes së tij në parlament nga Beqir Valteri me 24 shkurt. Tek Zogu po hynte në derë Valteri, i cili qëlloi me qetësi tre herë mbi trupin e Ahmet Zogut. Zogu mori tre plumba, një në dorë, një në kofshë dhe një në bark. Në sallën e parlamentit pllakosi një atmosferë tepër e rëndë, pasi duke qenë se shumica e deputetëve ishin të armatosur, ekzistonte rreziku i një përleshjeje të armatosur mes palëve kundërshtare. Pas disa sekuencave të frikshme Beqir Valteri u ndalua dhe Eljaz Vrioni mori fjalën për të qetësuar situatën, ndërsa, Zogu nga vendi dhe me zë të lartë foli: “Zotërinj, nuk është hera e parë që ngjet një gjë e tillë, ndaj ju lutem miqve të mi ta harrojnë për një çast atë çfarë ngjau dhe të merren me vonë me këtë punë”. Kjo ndërhyrje e Zogut dhe e Vrionit shmangu një kasaphanë të vërtetë në sallën e Asamblesë. Iu afrua Eqrem Bej Vlora me dr. Simonidhin që verifikoi dëmin që kishin bërë dy plumba që e kishin marrë kalimthi duke e çarë thellë, njëri në kofshë e tjetri në baqth; plagët u lidhën përkohësisht. I shoqëruar me një eskortë të fuqishme, kryeministri u strehua në shtëpinë e tij, dhe filloi të kurohej pa problem nga që plagët ishin shumë më të lehta se sa që ishin pritur, plagë të cilat nuk penguan të priste as vizitat e miqve. Madje Zogu përfitoi nga rasti të takohej vetë me atentatorin. Më tej jep dorëheqjen. Gjendja acarohet. Në maj–qershor 1924 opozita organizon një grusht shteti. Qeveria “Vrioni” që u rrëzua më 10 qershor 1924 e kishte emëruar ditët e fundit të saj, komandant për shtypjen e grushtit të shtetit në veri.

    Në qershor 1924 për të mos i dhënë rrugë gjakderdhjes, Zogu largohet në Jugosllavi. Gjykata politike e kundërshtarëve të tij politikë e dënon me vdekje në mungesë. Në dhjetor 1924 me vendim të qeverisë “Vrioni” dhe me përkrahjen e fuqive të mëdha, Zogu rikthen legjitimitetin e rrëzuar në qershor 1924. Më 6 janar 1925 Këshilli i Naltë e dekreton kryeministër dhe ministër të Brendshëm.

    Më 25 janar 1925, Kuvendit Kushtetues shpalli Republikën Shqiptare. Dhjetë ditë më vonë, Ahmet Zogu u zgjodh nga Kuvendi Kushtetues, kryetar i republikës, duke qenë në të njëjtën kohë edhe kreu i pushtetit ekzekutiv. Gjatë kësaj kohe, Ahmet Zogu riktheu stabilitetin në vend, si dhe mundësoi nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme ekonomike, politike e ushtarake që forcuan pozitën e Shqipërisë.

    Paqëndrueshmëria e stabilitetit politik të vendit në vitet ’20, detyroi një grup parlamentarësh të propozonin shqyrtimin e regjimit shtetëror në Shqipëri, parlamenti vendosi në favor të këtij propozimi. Mbas zgjedhjeve të parakohshme më 25 Gusht 1928, u propozua ndërrimi i formës së qeverisjes, u formua komisioni statusor, i cili propozoi ndërrimin e formës së regjimit nga republikë në monarki. Ky propozim u hodh në votim dhe parlamenti më 30 Gusht 1928, vendosi që Asambleja Kushtetuese të proklamojë Shqipërinë Mbretëri Demokratike Parlamentare të Trashëgueshme.

    Më 1 shtator 1928, Asambleja Kushtetuese proklamoi: “Mbret të Shqiptarëve” nën emrin “Zog I”. Ceremonia e kurorëzimit ishte planifikuar për në orën pesë, por në katër e gjysmë dhoma e bardhë e parlamentit ishte mbushur plot me deputetë, punonjës civilë, kryetarë të fiseve disa të veshur me frakë dhe të tjerë me feste prej leshi të bardhë. Krerët e misioneve të huaja ishin gjithashtu të pranishëm, edhe pse përpiqeshin të mos binin në sy. Rasti ngrinte pyetje të vështira protokolli, ndaj duke reflektuar verdiktet pezull të qeverive të tyre, diplomatët kishin zgjedhur veshje mëngjesi, pa dekorime. Për të dëshmuar se pjesëmarrja e tyre ishte informale ato u futën në turmën e mbledhur në hollin modest, duke ua lënë hapësirën e rezervuar për to korrespondentëve të “Associated Press”.

    Ai u betua (Formula e betimit):

    “Unë Zogu, Mbret i Shqiptarëve, në çastin në të cilin po hedh këmbën mbi Thronin e Mbretnis Shqiptare dhe po marr në duer Pushtetin Mbretnuer, betohem përpara fuqisë së Zotit me mbajte Bashkimin Kombëtar, Independencën e Shtetit dhe Tokat. Betohem edhe të mbahem besnik ndaj Statutit dhe të veproj mbas pikave të tij dhe mbas ligjeve që ndodhen në zbatim, duke pas parasysh kurdoherë të mirën e popullit. Zoti më ndihmoftë”.

    Më 7 prill 1939 duke mos pranuar kushtet e pushtimit fashist, largohet nga Shqipëria. Më 8 prill 1939 vendoset në Greqi dhe fillon jetën në mërgim. Duke iu trembur një reagimi negativ nga ana e qeverisë italiane autoritetet greke informuan menjëherë Romën se mbreti dhe suita e tij prej 113 vetash nuk do të lejoheshin që të organizonin kurrfarë veprimtarie politike në Greqi. Hapi tjetër ishte ushtrimi i një presioni të vazhdueshëm ndaj mbretit që ky i fundit të largohej nga Greqia. Gjithashtu fillon organizimin e rezistencës së armatosur. Më 3 maj 1939 mbërrin në Turqi, ku pritet nga autoritet më të larta të vendit dhe nga shqiptarët. Më 30 qershor 1939 niset për në Evropë. Më 2 maj 1939 familja mbretërore e shoqëruar nga tetë vetë mbërriti në Turqi, ku qëndrimi i saj ishte më i këndshëm. Në Stamboll mbreti gjeti shumë përkrahës të tij me të cilët pati mundësi të takohej pasi turqit u ruheshin më pak italianëve sesa grekët. Për shkak të fjalëve që u përhapen në lidhje me ngjitjen sërish në fron, e kjo mund të bëhej e mundur vetëm me ndihmën e një Fuqie të Madhe, shumë shpejt ai u largua dhe nga Turqia dhe i hodhi sytë drejt Britanisë. Ai e informoi ambasadorin në Ankara për dëshirën e tij për t’u vendos në Londër. Përgjigja i erdhi në mes të qershorit pasi mbreti u zotua se nuk do të përfshihej në asnjë aktivitet politik. Me qëllim që të shmangte një udhëtim pranë kufijve të Italisë ose përmes Gjermanisë, Zogu dhe suita e tij u detyruan të ndërmarrin një udhëtim të gjatë përmes Evropës Lindore e Qendrore, i cili përfshiu etapa ndalesash në Rumani, Poloni, Lituani, Finlandë e Suedi. Më 2 korrik 1939, mbërrin në Rumani ku pritet nga Mbreti Karol i Rumanisë. Më 15 gusht 1939, mbërrin në Paris, ku vendoset dhe merr me qira një shtëpi. Këtu vihet në kontakt me autoritet më të larta të Francës duke u kërkuar atyre leje për të ushtruar njëfarë aktiviteti politik. Kjo kërkesë iu refuzua megjithatë ai qëndroi në Francë deri në prag të pushtimit të saj nga gjermanët. Më 22 qershor 1941, mbërrin në Mbretërinë e Bashkuar. Vendoset dhe fillon aktivitetin e tij në Londër. Fillimisht qëndron në Hotelin Ritz dhe më vonë merr me qira një shtëpi në Parmoor. Qëndron në Mbretërinë e Bashkuar deri në përfundim të luftës. Më 18 mars 1946, vendoset në Egjipt mbasi merr një ftesë nga Mbreti Faruk i Egjiptit.

    Në pasluftë, më 29 gusht 1955, mbërrin në Francë dhe vendoset në fillim në Paris. Më 27 prill 1938 martohet me konteshën hungareze Geraldina Appony, ku veshjet e dasmës, si zakonisht, vinin nga dora e Gjon Lacës. Më 9 prill 1961, Ahmet Zogu shuhet në Spitalin e Sursnes afër Parisit në orën 16 në moshën 65-vjeçare./KP/

  • ​Osmani uron vitin e ri shkollor: Beteja për dije nuk përfundon kurrë

    ​Osmani uron vitin e ri shkollor: Beteja për dije nuk përfundon kurrë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar vitin e ri shkollor.

    “Me mendje të hapura për dije dhe zemra të mbushura me emocione, nxënësit tanë po e nisin këtë vit të ri shkollor, i cili është një kapitull i ri, një mundësi për të mësuar diçka të re, për ta sfiduar veten dhe për ta zgjeruar horizontin e dijes”, ka thënë presidentja Osmani.

    Më tej, presidentja Osmani ka theksuar se beteja për dije nuk përfundon kurrë.

    “Ndërsa po nisni një vit të ri shkollor, le ta sjellim në vëmendje se arsimimi nuk ka të bëjë vetëm me libra dhe teste, por me kultivimin e ndjeshmërisë, të menduarit kritik dhe kreativitetin. Beteja për dije nuk përfundon kurrë. Urime 1 shtatori! Sukseset e shënofshin çdo ditë të këtij viti shkollor!”, ka theksuar Osmani.

  • A mund të zgjidhen mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi deri më 2030?

    A mund të zgjidhen mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi deri më 2030?

    Qeveria e Kosovës tha se e mirëpret vizionin e shprehur nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, se BE-ja do të mund të pranojë vende të reja anëtare deri në vitin 2030, por se ato “nuk duhet të importojnë konflikte nga e kaluara”.

    Në një deklaratë me shkrim dhënë Radios Evropa e Lirë, Qeveria tha se ka marrëveshje me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve dhe se ajo është e përkushtuar për zbatimin e tyre.

    Sipas saj, i takon Serbisë “të sillet me përgjegjësi”.

    Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të enjten se është Prishtina ajo që “nuk do zgjidhje”.

    Dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

    Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur.

    Kosova, dhjetorin e kaluar, ka aplikuar për anëtarësim në BE, ndërsa Serbia është vend kandidat nga viti 2012.

    Zgjidhja e mundshme

    Njohësit e integrimeve evropiane dhe të proceseve politike në Kosovë dhe në Serbi kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me gjasat e dy vendeve për t’i normalizuar marrëdhëniet deri në fund të kësaj dekade.

    Demush Shasha, nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane, thotë se, nëse shikohet historia e deritashme e dialogut Kosovë-Serbi, ka pak vend për optimizëm se kontesti ndërmjet dy vendeve mund të zgjidhet shpejt. Por, sipas tij, kjo nuk është e pamundur.

    “Nëse dëshirojmë ta jetësojmë këtë vizion, pra deri më 2030, atëherë, që nga sot ose nesër, liderët duhet të fillojnë të sillen në mënyrë radikale ndryshe. Kjo më së shumti do të testohet në çështje të ndjeshme politike, si dialogu për normalizimin e marrëdhënieve [ndërmjet Kosovës dhe Serbisë]. Patjetër që 7 vjet janë më se të mjaftueshëm që Kosova dhe Serbia të mësohen të jetojnë si dy fqinj, sikurse që jetojnë Sllovenia dhe Kroacia, Gjermania dhe Austria etj.”, thotë Shasha për Radion Evropa e Lirë.

    Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, thotë se insistimi i BE-së dhe SHBA-së në vazhdimin e dialogut, i cili ka muaj që ka ngecur, tregon se Perëndimi po përpiqet ta çojë përpara procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

    “… pastaj, kur procesi të arrijë në fund, kur Serbia të jetë para dyerve të Bashkimit Evropian, unë jam i bindur që Serbia, medoemos, do ta kërkojë një marrëveshje me Kosovën [për normalizim], që t’i hapet dera për të hyrë në BE, sepse ndryshe, e ka të pamundur të hyjë në BE”, thotë Demhasaj.

    “Por, normalisht, nëse Kosova bëhet pengesë për arritjen e një marrëveshjeje të tillë, atëherë kjo do t’i shkaktojë telashe [asaj] për sa i përket këtij procesi [të integrimit në BE]”, shton ai.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të fundit më 2 maj – nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Nga ajo kohë, mes dy vendeve ka pasur një sërë tensionesh dhe krizash.

    Më 30 gusht, BE-ja përsëriti thirrjen për të dyja që të krijojnë një klimë për vazhdimin e dialogut.

    “Palët po bëjnë të kundërtën e normalizimit”

    Në Serbi, njohësit e proceseve politike shprehen më pesimistë sa i përket mundësisë që Kosova dhe Serbia t’i zgjidhin të gjitha kontestet deri në fund të kësaj dekade.

    Aleksandar Popov, drejtues i Qendrës për Rajonalizëm në Novi Sad, thotë se praktikat e deritashme në dialogun Kosovë-Serbi kanë treguar se palët u shmangen obligimeve që dalin nga marrëveshjet e arritura.

    Për më tepër, thotë ai, në dy vjetët e fundit, palët kanë krijuar situata që nuk premtojnë se do të ndryshojnë qasje në procesin e normalizimit të raporteve.

    “Të dyja palët, thjesht, bëjnë gjithçka të kundërt nga ajo që do ta sillte situatën në normalitet… [Normalizimi i marrëdhënieve] do të varet nga ajo se a do të mbeten në pushtet garniturat e njëjta në Kosovë dhe në Serbi. Do të varet edhe nga fakti se sa do të jetë Perëndimi energjik në presionin ndaj palëve, që problemet të zgjidhen”, thotë Popov për Radion Evropa e Lirë.

    Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, vlerëson se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të varet në veçanti vetëm nga këto dy vende.

    Sipas tij, vetë Bashkimi Evropian si tërësi është treguar joserioz në qasjen e tij ndaj këtij problemi, sepse pesë vende të tij – Greqia, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja – nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.
    Janjiq thotë se, nëse Bashkimi Evropian do t’i bindë këto vende që ta njohin Kosovën, atëherë procesit të zgjidhjes së kontestit Kosovë-Serbi do t’i hapej rruga.

    “Të jem preciz. Në qoftë se ata [BE-ja] janë seriozë në çfarëdo qoftë, si dhe në vendosjen e përparësive të tyre, ata nga Komisioni Evropian, së pari, duhet të merren vesh me ato pesë shtete. Pra, ‘a e pranojmë ne Kosovën si shtet dhe shoqëri demokratike, sipas parimeve të vitit 1990’? Ato quhen parime për pranimin e shteteve të reja, pra shteteve të reja demokratike në Evropë. Pse nuk po e bëjnë këtë?”, shprehet Janjiq.

    Pavarësisht të gjithave, bashkëbiseduesit e REL-it thonë se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, do të varet më shumë nga vendimi politik i BE-së, sesa nga përmbushja e kritereve për anëtarësim.

    Nuk është hera e parë që nga BE-ja përmendin data konkrete për zgjerim, por ato nuk janë respektuar.

    Për shembull, Strategjia e Komisionit Evropian për Zgjerimin e Ardhshëm, e publikuar në vitin 2018, parashikoi se Serbia dhe Mali i Zi mund të bëhen anëtare të BE-së deri në vitin 2025.

    Kanë mbetur edhe 18 muaj deri në datën e synuar, por të dyja vendet kanë bërë pak përparim në procesin e anëtarësimit, ndërkohë që fundi i negociatave as që duket.

    Në cilën fazë të integrimit janë vendet e tjera të rajonit?

    Serbia dhe Mali i Zi konsiderohen lidere në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE.

    Mali i Zi ka statusin e kandidatit që nga viti 2010 dhe ka hapur negociatat në vitin 2012. Serbia, kandidate nga viti 2012, i ka hapur negociatat në vitin 2014.

    Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë dritën jeshile për hapjen e negociatave në vitin 2022.

    Bosnje dhe Hercegovina ka marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar./REL

  • Rreth 100 mijë të rinj në Kosovë nuk janë as në shkollë, as në trajnime e as në punë

    Rreth 100 mijë të rinj në Kosovë nuk janë as në shkollë, as në trajnime e as në punë

    Rreth dy të tretat e popullsisë në Kosovë apo 1 milion 195 mijë e 426) janë popullsi në moshë pune.

    Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) njofton se shkalla e personave joaktiv në moshë pune vazhdon të mbetet mjaft e lartë, 61. 4 për qind, duke u rritur për 0,7 për qind, krahasuar me vitin 2021.

    Në raportin e publikuar për Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për 2022 nga ASK thuhet se janë gati 1.2 milion qytetarë në moshë pune, mbi 400 mijë janë të punësuar, rreth 60 mijë janë të papunë dhe mbi 733 mijë qytetarë janë joaktivë, që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.

    Shqetësuese sipas ASK-së është edhe një fakt tjetër, 98 mijë e 705 të rinj nuk janë as në shkollë, as në trajnime e as në punë.

    “Shkalla e jo-aktivitetit vazhdon të mbetet mjaft e lartë (61,4 %), duke u rritur për 0,7%, krahasuar me vitin paraprak. Shkalla e jo-aktivitetit tek femrat ishte shumë e theksuar me 78,0 %, krahasuar me meshkujt, 44,5 %”, thuhet në raportin e publikuar për Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për 2022 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

    Po ashtu sipas ASK-së, shkalla e punësimit ishte 2,7% më e lartë sesa në se në vitin paraprak(2021), shkalla e papunësisë ishte më e ulët për (- 8,1%), kurse tek të rinjtë (15-24 vjeç), shkalla e papunësisë ishte më e ulët për (-16,6%) sesa në vitin paraprak.

    Sipas ASK-së, shkalla e papunësisë në Kosovë për vitin 2022 është 12.6%.

    Po ashtu sipas këtij raporti, persona aktiv ishin 21 mijë 571 më pak se në vitin paraprak, persona joaktiv ishin 14 mijë e 698 më pak se në vitin paraprak, persona të punësuar ishin 20 mijë e 509 më shumë se në vitin paraprak dhe persona të papunësuar ishin 42 mijë e 80 më pak se në vitin paraprak. /kp

  • Abdixhiku: Paaftësia e Qeverisë po na kushton

    Abdixhiku: Paaftësia e Qeverisë po na kushton

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, teksa është deklaruar rreth çështjes së sigurimit të librave shkollorë për nxënësit, e ka akuzuar Qeverinë për paaftësi, që sipas tij, po kushton.

    Në videon e publikuar nga ai në Facebook, ku shihet një qift nga Prishtina duke u përpjekur t’i sigurojë librat e klasës së tretë për fëmijën e tyre, Abdixhiku ka thënë se ky qift do të duhej të kishte brenga tjera, por shteti ka vendosur t’i ngarkojë prindërit me detyrat e vetë shtetit.

    “Pamjet që po i shihni janë pamje të përpjekjes së përditshme të prindërve kosovarë të cilët, pa asnjë nevojë e asnjë logjikë, u bënë subjekt i eksperimentit komplikues të Qeverisë. Pritje në rend, paqartësi mbi blerjen e librave, bartje nëpër librari të ndryshme e aplikime për rimbursim janë disa nga telashet e panevojshme – tërësisht të panevojshme – të krijuara nga vet qeveria”, ka thënë ai.

    Ai ka shtuar se në vend të 4.8 milionë eurove, bizneset tani do t’i përfitojnë 6 milionë euro si subvencionim.

    “Paaftësia pra kushton. Paranoja dhe më shumë. Por sot, çfarë na kushton më së shumti është koha. Ajo po na rrëshqet para syve. Në vitin 2023, do të duhej të flisnim për digjitalizim të shkollave, për klasë me 20 nxënës, për kodimin si lëndë obligative, për intelegjencën artificiale si subjekt mësimi. Do të duhej të flisnim për fëmijët tanë si forcë moderne që bën të ardhmen tonë. Në vend të kësaj, po merremi – merreni me mend – me blerjen e librave dhe maltretimin e panevojshëm të prindërve. Do të merremi me ballafaqime të tilla sepse është mendësia e mospunës, ankesës e paranojës që s’lë shtetin e shoqërinë të bëjë zhvillim”, ka theksuar më tej ai.

  • Hoti: Miliona euro më shumë për librat

    Hoti: Miliona euro më shumë për librat

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, thotë se për shkak të neglizhencës e paaftësisë së Qeverisë, buxhetit të shtetit do t’i kushtojnë miliona euro më shumë librat për nxënësit.

    Ai shprehet se “librat do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit miliona euro më shtrenjtë pasi tani duhet paguar edhe marzhën e shitësve me pakicë të librave”.

    Prandaj, ai thotë “imagjinoni si do kishin reaguar këta mashtrues sikur kjo të ndodhte në qeveritë paraprake”.

    Sipas tij, problemi me librat do të pamundësoj nisjen e rregullt të mësimit.

    Reagimi i tij i plotë:

    Miliona euro më shumë nga buxheti për libra për shkak të neglizhencës e paaftësisë.

    Shtëpitë botuese do të marrin nga libraritë, apo shitësit me pakicë, shumën e njëjtë të buxhetit sikurse që ofertuan në tenderin e qeverisë, ndoshta edhe më shumë.

    Por, librat do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit miliona euro më shtrenjtë pasi tani duhet paguar edhe marzhën e shitësve me pakicë të librave.

    Për keqardhje ku ka degraduar qeverisja e vendit. Imagjinoni si do kishin reaguar këta mashtrues sikur kjo të ndodhte në qeveritë paraprake.

    Është viti i dytë me radhë që mësimi nuk fillon me rregull. Vitin e kaluar qeveria ishte në luftë me sindikatat dhe u humbën shumë javë mësim. Këtë vit problemi me librat do të pamundësoj nisjen e rregullt të mësimit.

  • Kthimi i 1.1 milionë eurove të vjedhura nga Thesari i Shtetit, reagon Bajrami

    Kthimi i 1.1 milionë eurove të vjedhura nga Thesari i Shtetit, reagon Bajrami

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se duhet të kthehen e do të kthehen çdo cent që është vjedhur nga buxheti i shtetit.

    Ky reagim i saj erdhi pas kthimit të 1.1 milionë eurove të vjedhura nga thesari i shtetit.

    “Duhet të kthehen e do të kthehen çdo cent e euro të vjedhura në Buxhetin e Shtetit sikurse që janë kthyer 1.1 milionë e vjedhura nga Thesari. E hajnat le të kalben në BURG” ka thënë ajo.

    Tutje, Bajrami ka shtuar se beson në organet e drejtësisë, dhe edhe sot do t’i denonconte hajnat që janë në burg.

    Kam besuar dhe besoj në organet e drejtësisë se do ta kryejnë punën deri në kthimin e çdo centi në Thesarin e Shtetit. Edhe sot dhe përgjithmonë do ta bëja të njëjtin veprim që kam bërë, duke i denoncuar HAJNAT që sot janë në burg. Dikush atëherë dhe ndërkohë e ka parë denoncimin tim si gabim dhe unë e kam pranuar këtë gabim. Prapë do ta bëja të njëjtin gabim dhe do të denoncoj kushdo që prek djersën e këtij populli”, ka thënë ajo.