ATV

Author: ATVLive

  • BQK: Qytetarët e Kosovës rreth 50 për qind të shpenzimeve të udhëtimit i harxhuan në Shqipëri

    BQK: Qytetarët e Kosovës rreth 50 për qind të shpenzimeve të udhëtimit i harxhuan në Shqipëri

    Rreth 50 për qind e shpenzimeve të udhëtimit të qytetarëve të Kosovës u harxhuan në Shqipëri, thuhet në raportin e Bilancit të Pagesave të prezantuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

    Sipas BQK-së, shpenzimet e udhëtimit të kosovarëve jashtë vendit për muajin qershor janë rritur për 18 për qind.

    “Shpenzimet e udhëtimit të kosovarëve jashtë vendit, gjatë muajin qershor kanë arritur vlerën e 58.9 milionë eurove që paraqet rritje prej 18 për qind, prej të cilave rreth 46 për qind janë shpenzimet në Shqipëri”, thekson BQK-ja.

    Për sa i përket shërbimeve, 90 për qind të shpenzimeve të udhëtimit është krijuar nga diaspora e Kosovës.

    “Kategoria kryesore e shërbimeve janë shërbimet e udhëtimi. Vetëm gjatë muajit qershor në Kosovë shërbimet e udhëtimit kanë arritur vlerën 141.3 milionë euro, vitin e kaluar në këtë periudhë kanë qenë 132.3 milionë euro apo 7 për qind më të ulëta se këtë vit. Rreth 90 për qind e shpenzimeve të udhëtimit në Kosovë, përkatësisht 126.6 milionë euro janë shpenzimet e diasporës. Krahasuar me periudhën e njëjtë vitin e kaluar, diaspora këtë vit ka shpenzuar rreth 15 për qind më shumë”, thekson raporti.

    Deficiti i bilancit tregtar deri më muajin qershor arriti në vlerën e 2.1 miliardë eurove, që është niveli më u lartë krahasuar me vitin paraprak, ndërsa shërbimet kanë shënuar bilanc pozitiv, me një rritje prej 36 për qind.

    “Bilanci tregtar në mallra në kuadër të Bilancit të Pagesave, deri në qershor 2023, kishte deficit në vlerë prej 2.1 miliardë euro, që është deficit më i madh tregtar krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Shërbimet, deri në qershor 2023, kanë shënuar bilanc pozitiv në vlerë 553.2 milionë euro, që paraqet rritje prej 36 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022 apo 407.8 milionë euro”, vijon BQK-ja.

    Institucioni më i lartë financiar në vend pohon se investimet e huaja direkte janë rritur për 14 për qind.

    “Bilanci i investimeve direkte në Kosovë deri në qershor 2023 shënoi rezultat prej 271.9 milionë euro, që tregon se vlera e tyre ishte 374.2 milionë euro, është më lartë se të investuara nga kosovarët jashtë që janë 101.9 milionë euro. Investimet direkte arritën vlerën e 374.2 milionë euro e që paraqet rritje prej 14 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar, prej 327.3 milionë euro deri në qershor 2022”, shton ky institucion.

    Derisa investimet tjera shënuan vlerë negative.

    “Investimet tjera (investimet në depozita, kredi dhe në kredi tregtare) deri në qershor 2023 kanë shënuar vlerë negative prej 135.9 milionë euro dhe cila i atribuohet kryesisht rritjes së borxhit të jashtëm në Kosovë, në vlerë prej 285.4 milionë euro deri në qershor 2022. Bilanci i investimeve në letra me vlerë, pa përfshirë letrat me vlerë në kuadër të aseteve rezervë, deri në qershor 2023 janë rritur për 86.7 milionë euro”, shton BQK-ja.

    Në fund raportit thuhet se asetet rezervë janë rritur për 78.6 milionë euro, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak rritja ishte për 171.8 milionë euro.

  • Berisha thotë se “Dardanët” do ti presin me koreografi dhe duartrokije Xhakën e Shaqirin

    Berisha thotë se “Dardanët” do ti presin me koreografi dhe duartrokije Xhakën e Shaqirin

    E shtuna e ardhshme e 9 shtatorit, do të zbresë në fushë, në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, kombëtaren dardane dhe Zvicrën, në sfidën e vlefshme për kualifikueset e kampionatit europian, “Euro 2024”.

    Brenda 5 orëve, biletat në dispozicion, jo vetëm për të parë nga afër këtë ndeshjes të kombëtares, por edhe yjet shqiptarë të kombëtares zvicerane, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, janë shitur të gjitha.

    Por si do të priten në tokën dardane, Xhaka e Shaqiri? Dhe a është menduar dicka speciale për ta?

    “Përgatitjet për Kosovën janë gjithmonë në atë nivelin e vet sepse kur luan kombëtarja jonë, ne nuk veçojmë dikë. Mund ta veçojmë ndonjë shtet mik si Amerikën, Anglinë, pse Gjermaninë, për të tjera nuk kemi diçka të veçantë që duhet ta veçojmë këtë ndeshje me Zvicrën. Ndeshja me Zvicrën është me rëndësi për Kosovën sepse kemi çaluar ne rezultate, përndryshe nuk do të thoja që është ndonjë ndeshje e veçantë. Zvicra përveç që është një shtet që ka votuar kundër Kosovës në pranimi në UEFA dhe FIFA, nuk e shoh që është diçka e veçantë”, u shpreh drejtuesi i “Dardanëve”, Lul Berisha.

    Berisha thotë se interesi për këtë ndeshje ishte i madh, por sipas tij për të parë jo vetëm Kosovën, por edhe Zvicrën e yjet e saj.

    Kosovë-Zvicër, përtej patriotizmit, a do të jetë një ndeshje e luajtur në fushë?

    “Ne do t’i duartrokasim sepse janë pjesë e kombit tonë, janë shqiptar, janë të Kosovës, do t’i duartrokasim aq sa është mundësia jonë, përndryshe ne duhet të luftojmë me ta në fushën e blertë, lojtarët tanë po mendoj…Koreografitë nuk zbulohen në të gjithë botën, kjo është ligj. Po, do të ketë, unë besoj që do të jetë shumë e veçantë, por do të jetë për Kosovën dhe për shqiptarët, jo për dike special”, përfundoi Berisha.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar se gjatë ditës së sotme do të mbajë mot me diel.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 dhe 13 gradë celsius, ndërsa ato maksimale do të lëvizin ndërmjet 26 dhe 30 gradë celsius.

    “Të dielen do të mbajë mot me diell. Vranësira të pakta mund të shfaqen rreth relievit malor. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26-30 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja e lehtë deri mesatare’’, thuhet në njoftim.

  • Nuk ka më kolona në pikat kufitare

    Nuk ka më kolona në pikat kufitare

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar pak më herët i ka përditësuar të dhënat mbi fluksin në pikat kufitare.

    Sipas këtyre të dhënave, nuk ka kolona në asnjë pikë kufitare, as në hyrje e as në dalje.

  • Gjenden shpesh në tryezat e kosovarëve: Ushqimet që shkaktojnë kancer nëse i hani në mëngjes

    Gjenden shpesh në tryezat e kosovarëve: Ushqimet që shkaktojnë kancer nëse i hani në mëngjes

    Sigurisht që të gjithë e dimë se të ngrënit mëngjes është e rëndësishme, por ajo që shumë njerëz s’dinë është se si ndihen gjatë ditës kur konsumojnë ushqimet e gabuara për mëngjes.

    Jo vetëm kaq, por të ngrënit shëndetshëm mëngjes redukton mundësinë e zhvillimit të kancerit dhe diabetit. Ja cilat janë ushqimet që duhet të shmangni për mëngjes për të pasur shëndet sa më të mirë.

    Proshutë, sallam dhe salçiçe

    Mishi i përpunuar ka nitrate që lidhen me kancerin kolorektal. Në fakt, Instituti për Kërkime ndaj Kancerit në SHBA, ka publikuar së fundi 10 gjëra që duhet të bëni për të reduktuar riskun e zhvillimit të kancerit. Shmangja e nitrateve është rregulli numër një. Por çfarë do të thotë kjo për ata që hanë mish në mëngjes? Që duhet të ndryshojnë menunë e mëngjesit, sigurisht!

    Drithëra të sheqerosura

    Si mund ta bëjmë diferencën midis sheqerit të keq dhe ati të mirë për shëndetin tonë? Disa drithëra janë përplot me karbohidrate dhe sheqer. Kur i hani, sheqeri në gjakun tonë i thumbon menjëherë ato dhe i dërgon në fund. Nëse doni që energjitë tuaja të mos dërrmohen që në mëngjes, është mirë që t’i shmangni këto drithëra. Në vend të tyre, zgjidhni drithëra me shumë fibra dhe proteina. Nëse doni edhe opsione të tjera, ushqehuni me drithëra që përmbajnë arrorrë për të përftuar më shumë proteina dhe fibra.

    Petulla të paketuara me shurup artificial

    Ndërsa shurupet natyrale kanë ëmbëlsues të shëndetshme, ekzistojnë një sërë shurupesh artificiale nëpër dyqane që e kanë të lartë nivelin e shurupit fruktoz të drithërave. Ëmbëlsuesit që derivojnë nga drithërat janë gjithashtu prezent në të shumtën e ushqimeve të paketuara. Shurupi i tepërt fruktoz i drithërave çon në obezitetin abdominal, i cili ruhet midis organeve. Ky është obeziteti që çon në kancer. Një studim i fundit i publikuar në një revistë për shëndetin, e lidh nivelin e lartë të shurupit fruktoz të drithërave me diabetin.

  • Serbët e veriut me kushte për zgjedhjet e reja

    Serbët e veriut me kushte për zgjedhjet e reja

    Për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme në katër komunat veriore të vendit, popullata serbe që është shumicë në këto zona, ka kushte.

    Ata gjatë një bashkëbisedimi për KosovaPress, thonë se duan që fillimisht të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, pastaj që policia të tërhiqet nga veriu, të lirohen të gjithë të burgosurit serbë, si dhe kryetarët shqiptarë të komunave të tërhiqen, në mënyrë që ata pastaj të marrin pjesë në zgjedhjet që do të organizoheshin nga Qeveria e Kosovës.

    Svetomir Boshkoviq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, thotë se mbajtja e zgjedhjeve në veri është e nevojshme, por pasi të plotësohen të gjitha kushtet të cilat serbët ka kohë që po i kërkojnë.

    Ai përmendi krijimin e Asociacionit, tërheqjen e të gjitha forcave policore nga veriu, si dhe lirimin e hapësirave komunale e arsimore, si kusht për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje.

    ‘Është e duhur që zgjedhjet të mbahen, të jenë legale dhe legjitime. Mirëpo ka kushte që së pari duhet plotësuar… Të tërhiqen të gjitha forcat policore, të lirohen hapësirat komunale dhe arsimore…Kusht është poashtu formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe i cili është nënshkruar para njëmbëdhjetë vitesh…Parakushte janë këto, ky është kushti (për të nënshkruar peticionin)’, ka thënë Boshkoviq.

    Edhe Lubomir Miljkoviq, e ka kushtëzuar pjesëmarrjen në zgjedhje.

    Ai veç tjerash, ka përmendur lirimin e të gjithë të burgosurve serbë, si kusht për të dalë në zgjedhje.

    ‘Zgjedhjet duhet të mbahen, por duhet të plotësohen kushtet, të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, të lirohen të arrestuarit, do të thotë të plotësohen të gjitha kushtet… edhe kryetarët e rrejshëm që janë të cilët nuk përfaqësojnë shumicën, ata përfaqësojnë një pakicë… Sipas të gjitha gjasave popullata nuk do të dalë (për të nënshkruar peticionin) … derisa kushtet të mos plotësohen, dyshoj se do të bëhet diçka’, theksoi Miljkoviq.

    Mileva Bashcareviq, po ashtu qytetare nga veriu i Mitrovicës, tha se shqiptarët e serbët duhet të jetojnë së bashku dhe të kenë të drejta të barabarta.

    Mirëpo shtoi se serbët kërkojnë disa kushte tashmë të njohura, pa plotësimin e të cilave ata nuk do të marrin pjesë në zgjedhje.

    ‘Duhet të mbahen zgjedhjet, të formohen komunat me shumicë serbe dhe të jetojmë të gjithë së bashku dhe të kemi të drejta të barabarta… Edhe policët të jenë serbë e shqiptarë… Nuk do të dalin qytetarët në zgjedhje nëse nuk ka Asociacion të komunave me shumicë serbe’, tha ajo.

    Në anën tjetër, Emir Azemi, njohës i zhvillimeve politike nga veriu i Mitrovicës, ka bërë të ditur se për situatën në veri të vendit, duhet patjetër një marrëveshje politike mes palëve në proces, si dhe garanci e fortë nga ana e SHBA-së, për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

    Ai preferon dorëheqjen e kryetarëve si opsion më të lehtë dhe më të mirë, për shkak se, siç u shpreh, procesi i zgjedhjeve përmes peticionit, është shumë i komplikuar dhe i pamundur.

    Azemi ka potencuar se nënshkrimi i peticionit për shkarkimin e kryetarëve nga ana e 20 përqind të votuesve, që nënkupton fazën e parë të procesit, është i mundur dhe mund të realizohet. Mirëpo, siç tha ai, procesi do të komplikohet gjatë fazës së dytë, e cila përfshinë daljen e 50 përqind plus një të votuesve.

    Sipas tij, nëse në komunën e Mitrovicës Veriore janë 20 mijë votues në listën e votuesve, kjo nënkupton se duhet të dalin të nënshkruajnë 10 mijë plus një votues, gjë që është e pamundur.

    Mitrovica e Veriut, shtoi ai, ka rreth 12 mijë banorë rezidentë, dhe nëse në fazën e dytë duhet të votojnë mbi 10 mijë qytetarë, atëherë do të jetë e pamundur ose do të duhej që një person të votojë shumë herë për të arritur pesëdhjetë plus njëshin dhe në këtë mënyrë do të lëndohej procesi zgjedhor.

    ‘Unë mendoj se për situatën në veriun e Kosovës duhet një marrëveshje politike mes palëve në proces, një granci e fortë e SHBA-së se ky proces zgjedhor nuk duhet të dështojë, nuk do të ketë ndërhyrje siç ka pasur në të kaluarën, dhe të ketë zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, ku do të marrin pjesë Lista qytetare, subjekte politike, dhe të dalin struktura nga vullneti qytetarë dhe assesi nga presioni, as nga detyrimi që mund të vije nga jashtë ose nga brenda, dhe në një formë të përmbyllet ky proces i riintegrimit të komunave të Kosovës me shumicë serbe… Pra thënë ndryshe, mendoj se peticioni prej 20 për qind mund të jetë një proces ose vullnet politik për të dëshmuar se serbët do të marrin pjesë në zgjedhje, por nëse shkohet në fazën e dytë që është pesëdhjetë plus një, mendoj se këtu do të ngecet, këtu do të dështojë procesi, sepse për mendimin tim është e paarritshme dhe e pamudur, siç shihet nga e kaluara që të dalin mbi 10 mijë qytetarë të votojnë në një proces zgjedhor… Është shumë e vështirë të arrihet që të votohet pesëdhjetë plus një, në një proces pas njëzetë përqindëshit që është paraparë me udhëzimin administrativ’, sqaroi për KosovaPress Azemi.

    Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme në komunat veriore të Kosovës përmenden si opsion për shtensionimin e situatës, pasi marrja e detyrës nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, ka shkaktuar tensione e trazira që nga 26 maji e tutje, ndërsa në këto zgjedhje do të duhej të sigurohej pjesëmarrja e serbëve si votues, por edhe si kandidatë.

  • Vetaksidenti tragjik në autostradën “Ibrahim Rugova”: Vdes gruaja, shoferi dhe tre fëmijë dërgohen në spital

    Vetaksidenti tragjik në autostradën “Ibrahim Rugova”: Vdes gruaja, shoferi dhe tre fëmijë dërgohen në spital

    Një grua ka vdekur, ndërsa ngasësi i veturës dhe tre fëmijë kanë pësuar lëndime si pasojë e një vetaksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova” mëngjesin e së shtunës.

    Një gjë të tillë e ka njoftuar Policia e Kosovës në raportin ditor, teksa njofton se vetura është rrokullisur si pasojë e mos-përshtatjes së shpejtësisë.

    “AKSIDENT TRAFIKU ME FATALITET – Autostrada Ibrahim Rugova (km-24) 02.09.2023 – 06:10. Drejtuesi mashkull kosovar, derisa ishte duke drejtuar veturën, dyshohet nga pakujdesia dhe mospërshtatja shpejtësisë kushteve të rrugës ka shkaktuar vet aksident, duke u rrokullisur me veturë”, thuhet në njoftimin e PK-së.

    Policia njofton se, si shkak i kësaj, një grua nga lëndimet vdekjeprurëse ka vdekur përgjatë transportimit për në spital. Ndërkaq, ngasësi i veturës dhe të tre fëmijët janë dërguar për trajtim mjekësor.

    “Si pasojë, lëndime vdekjeprurëse ka pësuar pasagjerja kosovare, e cila gjatë transportit për në spital ka ndërruar jetë, ndërsa lëndime kanë pësuar vetë drejtuesi, i cili për shkak të lëndimeve serioze është dërguar në QKUK, po ashtu lëndime kanë pësuar edhe tre fëmijë pasagjerë në veturë, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor në spitalin rajonal në Prizren”, përfundon njoftimi i policisë.

  • Pacientët spitalor s’presin për rezonancë magnetike – Nuza: Një mjek u largua në sektorin privat e një u pensionua

    Pacientët spitalor s’presin për rezonancë magnetike – Nuza: Një mjek u largua në sektorin privat e një u pensionua

    Tri aparatura sa i ka në dispozicion aktualisht Klinika e Radiologjisë, ka bërë që listë të pritjes të mos ketë për pacientët spitalor. Krahas kësaj, kjo klinikë po e shfrytëzon edhe aparaturën në Pediatri për mosha të reja, e që zakonisht dedikohet për fëmijë, raporton Ekonomia Online.

    Drejtoresha e kësaj klinike, Shkëndije Nuza, ka thënë për Ekonomia Online se edhe Radiologjia është prekur nga ikja e mjekëve por që nuk ka lënë zbrazëtirë të madhe. E një tjetër ka thënë se është pensionuar në fillim të këtij viti.

    Ajo ka thënë për Ekonomia Online, se aktualisht qëndrojnë mirë me infermierë dhe se punësimi i dhjetë të rinjve u ka lehtësuar shumë punën.

    Nuza ka folur edhe për punën që bëhet në këtë klinikë, duke thënë se gjatë sezonit të verës, ka më pak kërkesa për rezonancë magnetike.

    E pikërisht kjo gjë, ka bërë që menaxhmenti ta shfrytëzojë këtë mundësi për të ulur numrin nga lista e pritjes.

    “Në një periudhë gjashtë mujore ne e kemi pasur rezonancën magnetike në Onkologji jashtë funksionit për shkak të vërshimeve dhe ka pësuar defekt aparati dhe kemi funksionuar me vetëm një aparat, dhe për kundër kësaj, asnjë pacientë nga lista e pritjes nuk iu është shtyrë termini dhe funksionalizimi në fillimvit i rezonancës në Onkologji dhe funksionalizimi muajve të fundit i rezonancës në Pediatri, ka ndikuar shumë dhe sidomos është revitimi i listave dhe në përgjithësi çdo pacient që ka ekzistuar në listën e pritjes, thirret dhe vendoset për t’u kryer. Është rritur numri i pacientëve ditor. Përveç rasteve të paradites, gjithmonë është e dedikuar për pacientët spitalor dhe duke pasur parasysh që sezona e verës ka më pak raste, ne e kemi shfrytëzuar këtë rast për ta ulur numrin”, ka thënë Nuza, teksa shtoi se rezonancën në Pediatri po e shfrytëzojnë edhe për mosha të reja.

    “Rezonanca në Pediatri, po ashtu bën pacientë të moshave të reja dhe jo vetëm fëmijë dhe në përgjithësi ka ardh tek ulja e listës së pritjes dhe jemi në fund të dhjetorit”, u shpreh ajo.

    Nuza ka deklaruar se pacientët që janë të shtrirë në QKUK, nuk kanë nevojë për terminë. Ajo ka thënë se renditja bëhet nga klinika përkatëse.

    “Ne e bëjmë një orar të klinikave të cilat kanë kërkesa për ekzaminime me rezonancë magnetike dhe në kuadër të shërbimit është i domosdoshëm ekzaminimi me rezonancë magnetike dhe i caktojmë terminët ditor. Shembull e kemi Neurologjinë dhe Neurokirurgjinë që i kanë çdo ditë terminet e veta dhe i kryejnë pacientët e tyre. Pacientët spitalor nuk bëjnë termine në Klinikën e Radiologjisë. Renditjen e pacientëve apo ekzaminimin në baza ditore të pacientëve në klinikat përkatëse e bëjnë klinikat në bazë të diagnozës së pacientit”, u shpreh Nuza.

    E nga punësimi i infermierëve të rinj në QKUK, Klinika e Radiologjisë ka arritur t’i marrë 10. Me këtë rast, Nuza ka thënë se me pensionimin e një mjeku dhe një largimi për në sektorin privat, aktualisht nuk ka pasur lëvizje të tilla.

    “Me staf për momentin, një mjek është pensionuar në fillim të vitit dhe një mjek ka kaluar në sektor privat, ndërsa teknikë kohëve të fundit 10 teknikë i kemi marrë të rinj që na kanë lehtësuar jashtëzakonisht punën, për arsye se Radiologjia çdo ditë rritet me numër të shërbimeve, ndërsa kemi qenë në numër të paktë me staf teknik e që ne varemi shumë nga puna e tyre dhe tash jemi shumë më mirë në krahasim siç kemi qenë më herët. Nga Klinika e Radiologjisë nuk ka pas që kanë dalë jashtë shtetit”, ka thënë Nuza.

  • ZKA për herë të parë ka kryer auditimin e performancës së institucioneve për trajtimin e rasteve

    ZKA për herë të parë ka kryer auditimin e performancës së institucioneve për trajtimin e rasteve

    Përgatiti: Nora Luta

    Brenda periudhës 2020-2022 mbi 90% e rasteve të dhunës në familje nuk janë klasifikuar në Stacionin në Prishtinë, ndërsa në atë të Pejës nuk janë klasifikuar mbi 60% të rasteve.

    Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në një auditim të performancës së institucioneve për trajtimin e rasteve të dhunës në familje ka konsideruar se klasifikimi i dobët dhe jo unik i rasteve, ka reflektuar në planifikim të mangët për trajtimin e duhur të këtyre rasteve.

    Sipas ZKA-së, ka mangësi në angazhimin e hetuesve primarë, përfshirje të mbrojtësve të viktimave, shqyrtim të rasteve me kohë nga organet e drejtësisë, si dhe regjistrim të rasteve të raportuara.

    “Viktimat nuk kanë përkrahje sociale, në veçanti mungon përkrahja e tyre në aspektin ekonomik. Gjithashtu, mungojnë programet për trajtimin e kryesve të veprës. Policia gjatë intervenimit dhe ofrimit të shërbimeve emergjente reagon në kohë optimale, mirëpo janë identifikuar dobësi në angazhim të hetuesve policorë. Kurse në Qendrat për punë sociale ka mungesë të përcaktimit të punëtorëve socialë. Nga institucionet e drejtësisë, përkatësisht gjykatat janë evidente vonesat në trajtimin e rasteve të dhunës në familje”, thuhet në raportin e ZKA-së.
    Anëtarë të shoqërisë civile që monitorojnë këto raste thonë se rekomandimet e ZKA-së duhet të zbatohen në praktikë.
    Sipas Anton Nrecajt, infrastruktura ligjore nuk mungon, por vullneti i institucioneve duke nisur nga Ministria e Drejtësisë.
    Në anën tjetër, në Ministrinë e Drejtësisë thonë se do të ketë angazhim që rekomandimet të adresohen.

    Ndërkohë, ky auditim është fokusuar në regjionin e Prishtinës dhe në atë Pejës, për shkak të numrit më të madh të rasteve të raportuara të dhunës, gjatë periudhës 2020-2022.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Qeveria ka konfirmuar takimin e radhës të nivelit të lartë në kuadër të dialogut por, jo temat

    Qeveria ka konfirmuar takimin e radhës të nivelit të lartë në kuadër të dialogut por, jo temat

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Më 14 shtator, Brukseli do t’i bëjë bashkë në një takim të radhës, kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vucic.

    Takimi në mesin e këtij muaji me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, u konfirmua edhe nga ekzekutivi kosovar, veçse për agjendën, thanë se do të njoftojnë me kohë.

    Megjithatë, profesori Valon Murtezaj pret që në kryeqendrën evropiane, palët të shkojnë me propozime konkrete për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.

    “Takimi që është paralajmëruar në mes të shtatorit në Bruksel, do të jetë një takim për vazhdimin e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas një periudhe tensionesh, eskalimesh dhe tani situata është e qetë, e deeskaluar dhe prej palëve. Sigurisht pritet që të shkojnë me vendime konkrete, me propozime konkrete për t’i zbatuar ato marrëveshje, për të cilat janë dakorduar me herët dhe ky do të jetë qëllimi kryesor i takimit. Nuk është takim për ta zvarritur zbatimin e marrëveshjeve, por është takim për të konfirmuar suksesin apo për të treguar se çka është bërë për të zbatuar ato se çka janë palët janë dakorduar”, tha Murtezaj.

    Bashkimi Evropian thirri takimin në kohën kur masat ndëshkuese ndaj Kosovës vazhdojnë të jenë në fuqi.

    “Pikërisht për atë, pala kosovare, e përsëris, do të duhej t’i zbatonte ato që ka premtuar, pra ato që është zotuar se do t’i zbatojë dhe kjo pastaj do të kishte një ndikim direkt në reagimin nga Bashkimi Evropian. Kosovës, nuk duhet në fund të fundit, t’i interesojë sjellja e palëve të tjera, por të punojë me veten”, tha Murtezaj.

    Por këmbëngulja e palës serbe, në kërkesën për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, mund të ndikojë që edhe ky takim të përfundojë pa ndonjë progres të theksuar.

    “Nuk pres ndonjë rezultat pozitiv, sepse pala serbe është barrikaduar pas kërkesës së saj për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ky takim mund të jetë mbase veç një takim sa për t’u rikthyer në procesin e dialogut dhe për të treguar mbi dinamikën e re të dialogut, gjatë shtatorit e këndej”, tha Fidan Ukaj, politolog.

    Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, në Bled të Sllovenisë, përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak, njoftoi se takimi do të ketë në fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e kërkesave të 3 Qershorit, për deeskalim të situatës në veri të Kosovës.

    Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, u zhvillua më 2 Maj, ndërsa më 22 Qershor, në Bruksel, liderët e dy shteteve zhvilluan takime të ndara me Përfaqësuesin e Lartë, Josep Borrell.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: