ATV

Author: ATVLive

  • Moti për sot dhe nesër

    Moti për sot dhe nesër

    Dita e sotme në vendin tonë nisi me reshje të shiut, ndërsa gjatë pas ditës pritet të ketë vranësira të herë pas hershme.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Peja me 13 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 28 gradë Celsius.

    Mot i ngjashëm pritet të mbizotëroi edhe nesër, ku herë pas here pritet të ketë edhe reshje të shiut.

    Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë Prishtina me 11 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Mitrovica me 29 gradë Celsius. /atvlive.tv

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Kurti për Kushtetutën e Kaçanikut: Kosova Republikë u bë fakt historik më 7 shtator e realitet politik më 17 shkurt

    Kurti për Kushtetutën e Kaçanikut: Kosova Republikë u bë fakt historik më 7 shtator e realitet politik më 17 shkurt

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka shkruar ne 33 vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, duke kujtuar ata që dhanë kontributin në shkrimin e saj.

    Kurti tha se autori i saj, profesor Gazmend Zajmi dhe një grup i përbërë nga juristët më të zotë të Kosovës, u mblodhën fshehur në Prishtinë për të ndarë detyrat mes tyre. Sipas Kurtit, do ta hartonin një kushtetutë demokratike për ta shpallur Kosovën republikë,

    “Ata do ta hartonin një kushtetutë demokratike për ta shpallur Kosovën republikë. Preambulen e Kushtetutës dhe kapitullin Dispozitat e Përgjithshme, e mori përsipër ta hartonte Profesor Kurtesh Saliu. Kapitullin Rendi Ekonomik dhe Social, do ta hartonte Profesor Ejup Statovci. Kapitullin Liritë, të Drejtat dhe Detyrat e Njeriut dhe Qytetarit e mori për detyrë ta hartonte Profesor Ismet Salihu. Kapitullin Kushtetutshmëria dhe Ligjshmëria, do ta hartonte Fatmir Fehmiu. Kapitulli Organet Republikane iu caktua për detyrë Halit Muharremit. Kurse kapitulli Dispozitat Kalimtare dhe të Fundit, do ta hartonte Profesor Riza Smaka. Në një kohë rekorde prej më pak se një muaji, ata e përgatitën Kushtetutën e Republikës së Kosovës, tekstin e së cilës, teknikisht e shkroi Nexhmije Ajazi”, ka shkruar Kurti ne Facebook.

    Kurti foli edhe për rrethant në të cilat u miratua kjo Kushtetutë.

    “Qëllimisht u vendos që mbledhja të mbahej në qytetin e Kaçanikut, qëllimisht në një ditë të premte dhe qëllimisht në mbrëmje vonë. Organizimi i mbledhjes së Kuvendit të Kosovës, në Kaçanik i ishte ngarkuar një këshilli të përbërë nga Hebib Shehu, Bedri Kyçyku, Fadil Raka, Refik Raka, Sabit Raka dhe Maksut Hoxha. Shumë njerëz të tjerë, kryesisht banorë të Kaçanikut u angazhuan në këtë organizim”.

    “Një grup i parë do t’i priste delegatët 3 kilometra jashtë Kaçanikut. Derisa të vinte koha e caktuar për mbledhje, një grup i dytë do t’i sistemonte delegatët duke i strehuar ata te familjet Shehu, Lika, Burrniku, Kuka, Shurdhani etj. Një grup tjetër i përbërë nga ish policë, të prirë nga Tahir Çaka, e kishte për detyrë të ofronte sigurinë për mbajtjen e mbledhjes dhe të kujdestaronte”.

    “Ata ishin të armatosur dhe të gatshëm për t’i mbrojtur delegatët në rast se ky organizim merrej vesh nga policia. Një grup ishte caktuar për përcjelljen e delegatëve pas takimit. Paraprakisht ishin menduar tri rrugë për tërheqjen e delegatëve nga Kaçaniku: rruga e parë, ishte përmes Hanit të Elezit; rruga e dytë shkonte nëpërmjet fshatrave Gajre, Ivajë, Kotlinë dhe Glloboqicë; si dhe rruga e tretë kalonte nga Stanet e Brrutëve në Dërnogllavë dhe prej andej në Bllacë”, shkroi Kurti.

    Më tej, kreu i qeverisë tha se delegatët që kishin ardhur direkt në mbledhje, priteshin te stacioni i trenit në Kaçanik nga delegati Naser Gashi bashkë me Emin Rekën, të cilët sipas tij, i shoqëronin delegatët deri në Shtëpinë e Kulturës.

    “Në rast se gjërat do të shkonin keq, ishte menduar që mbledhja të mbahej në shkollën e fshatit Nikaj të Kaçanikut, ky si një plan B, për të cilin ishte angazhuar Shefket Guri.

    Bibliotekistët Isa Gashi dhe Haki Raka do ta përgatisnin sallën ku do të mbahej mbledhja në Shtëpinë e Kulturës në Kaçanik, kurse Refik Verbani do të kujdesej për teknikën e zërimit”.

    “Për ta dëshmuar këtë ngjarje historike, ishin ftuar gazetari Zenun Çelaj, fotoreporteri Enver Bylykbashi dhe kameramani Mamer Dogani. Të tyre janë fotografitë dhe videoincizimet aq të mirënjohura të asaj mbledhje. Nënshkrimet e delegatëve ishin marrë që më parë, por në mbledhje arritën të merrnin pjesë rreth 80 nga 111 delegatët e Kuvendit të Kosovës”.

    “Kështu plot 33 vite më parë, më 7 shtator të vitit 1990, në ora 20:00, në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Kaçanik nisi mbledhja që do ta shpallte Kosovën republikë. Mbledhja u drejtua nga Iljaz Ramajli, Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, kurse Rezolutën për Republikën e Kosovës e lexoi Halit Muharremi, Sekretari i Kuvendit”.

    “Kushtetuta e Republikës së Kosovës, u miratua “duke u mbështetur në traditën demokratike shekullore përparimtare e liridashëse të kombit shqiptar” si dhe “duke u mbështetur në luftën çlirimtare”, përveçse “në pajtim të plotë me parimet e demokracisë e të barazisë dhe në bazë të së drejtës për vetëvendosje”. Ajo e shprehu vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës në fillim të një dekade luftërash në Jugosllavi, një dhjetëvjetësh nga i cili Kosova doli e çliruar nga Serbia pushtuese, falë rezistencës së popullit të saj dhe luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbështetur nga aleatët tanë”, shkroi Kurti.

    Kurti, më tej tha se nga parullë popullore e demonstratave të vitit 1981, “Kosova Republikë”, u bë fakt historik në Kaçanik më 7 shtator 1990, përpara se të bëhej realitet politik më 17 shkurt 2008.

  • 33 vjet nga shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut

    33 vjet nga shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut

    Në këtë datë të vitit 1990 delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, që kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik të atij viti, e formalizuan këtë deklaratë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

    Nga protagonistët e miratimit të saj, 7 Shtatori është cilësuar si identitet i historisë së re të Kosovës.

    Kushtetuta e republikës së Kosovës është shpallur në Kaçanik, pasi ishte qyteti më i afërt me kufirin me Maqedoninë, dhe mundësia e shpalljes së Kushtetutës ishte më e lehtë.

    Në atë kohë, Kosova ishte e okupuar tërësisht nga forcat policore dhe ushtarake të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, pasi nga 2 korriku, kur u lexua deklarata e pavarësisë, filloi një aparteid i regjimit të Millosheviçit ndaj Kosovës dhe qytetarëve shqiptarë./KP

  • Osmani sot takohet me Stoltenberg

    Osmani sot takohet me Stoltenberg

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të takohet sot (e enjte) me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në selinë e NATO-s në Bruksel.

    Edhe pse misioni paqeruajtës është prezent në Kosovë që nga viti 1999, i njëjti vazhdon t’iu referohet krerëve shtetërorë pa titujt e pozitave përkatëse.

    Në agjendën e publikuar nga Zyra për media e NATO-s, presidentes Vjosa Osmani as kësaj radhe nuk i janë referuar me pozitën që e mban si e para e Republikës të Kosovës, porse vetëm “Ms. Vjosa Osmani – Sadriu from Kosovo”.

    Ndërkaq aty bëhet e ditur se pas takimit Osmani dhe Stoltenberg do të mbajnë konferencë për media.

    Sipas njoftimit, konferenca është paraparë të mbahet në ora 14:30.

  • Haxhiu: Prokurori special po i hakmerret qeverisë Kurti

    Haxhiu: Prokurori special po i hakmerret qeverisë Kurti

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në emisionin CONTEXT në ATV, duke komentuar rastin rezervave shtetërore, tha se Prokuroria Speciale po i hakmerret qeverisë Kurti.

    “Nuk mundemi me mohu edhe me heshtë faktin që kemi një hakmarrje të Prokurorisë, kryesisht prokuroria speciale ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ne e kemi dëgjuar nga vetë zyrtarët brenda Prokurorisë, që edhe vendimet të cilat nuk kanë asnjë ndikim as financiar e as nuk janë vendime përmbajtjesore, shkojnë edhe kontrollohen nga Prokuroria Speciale, në kuptimin që ‘mos po i nxojmë diku’ që kanë shkelur diku një ligj. Unë i bëj thirrje Prokurorisë që secilin vendim timin, qoftë tek një administrativ dhe të tjera ta trajtojnë atë”, tha Haxhiu.

    Veprimet të cilat rezultuan me bastisje dhe arrestime, Haxhiu i quajti ‘filma të lodht” të prokurorisë speciale, që sipas saj, po duan ta bindin opinionin se edhe në qeverinë Kurti ka afera korruptive.

    “Vetë fakti çfarë kanë bërë me rastin e rezervave shtetërore, për shembull, e keni parë Gjykata e Apelit ka thënë që nuk ka justifikim për t’i mbajtur në paraburgim për faktin se nuk konsiderohet që personat e dyshuar kanë kryer vepër penale. E ata shkun si nëpër filma ashtu të bëjnë skena, kishe po nxjerrin dosje, po sigurisht që kur vjen n’shpi te unë, kur vjen n’shpi te ti, n’shpi të tjerëve, diçka ke me marrë dosje ose kur shkon në institucion, na kemi laptopa, kemi telefona, t’i ke mi marrë, ke mi sekuestru, konfesku e të tjera. Tash kur duken ato në popull, konsiderohet që megjithatë paskan gjetur diçka. Filma të lodht të tyne, ka filma shumë të mirë, po mirëpo këto filma të lodht të Prokurorisë Speciale dhe ata le të vazhdojnë hetimet, domethënë ata janë të lirë komplet t’i bëjnë punët që i kanë nisur ndaj meje, ndaj Rozetës, ndaj krejt Qeverisë, ndaj Kryeministrit Kurti, hiç problem s’e kemi”, u shpreh Haxhiu.

    Ajo akuzoi prokurorinë që ka miliona lëndë që përmbajnë keqpërdorim të miliona eurove, për të cilat nuk kanë filluar as hetimet.

    “Çështja është që kjo nuk është drejtësi, duke qenë që miliona lëndë, si me thënë ë lëndë që përmbajnë keqpërdorim të milionave i ka dërgu infrastruktura, ekonomia, industria, drejtësia, financat, arsimi edhe nuk kanë fillu asgjë hetime. Pra, nëse Prokuroria do zgjedhtë që të merret edhe me ato, ke politikanë të cilët dyshohen për miliona euro, të cilët janë të lirë dhe akuzojnë Qeverinë për krim e korrupsion”, tha Haxhiu.

    Ajo thotë se në Qeverinë Kurti nuk ka ministri të korruptuar, përndryshe sipas saj, vet kryeministri Kurti nuk do i lejonte me të jenë ministra as një minutë.
    “Tash merre me mend, ata enden lirshëm prej foltores të Kuvendit në konferenca për shtyp, Qeveria Kurti nuk ka ministra të korruptuar. Po të kishte, unë jam e bindur që Kryeministri Kurti jo një minutë, po një sekondë nuk do ta lejonte që të jetë ministër”, tha Haxhiu. /atvlive.tv

  • 24 vjet nga themelimi, policëtt ende pa sigurim shëndetësior e jetësor

    24 vjet nga themelimi, policëtt ende pa sigurim shëndetësior e jetësor

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Armë, robotikë, automjete, autoblinda, motorë, pajisje të forenzikës dhe ato të mjekësisë, janë ekspozuar në sheshet e kryeqytetit, me rastin e 24-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.

    Për punën e suksesshme të zyrtarëve policorë ka folur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili, po ashtu, ka theksuar se po bën përpjekje që ky institucion të ketë mbështetje më të madhe nga Qeveria.

    “Tashmë Policia e Kosovës është institucioni me besueshmërinë më të madhe në shoqërinë tonë”, tha Sveçla.

    Në këtë përvjetor, drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, ka bërë të ditur se Policisë do t’i shtohen rreth 500 pjesëtarë të rinj.

    “Ne veç e kemi pasur një konkurs para një muaji, do t’i marrim të paktën 400 deri në 500 zyrtarë të rinj dhe rekrutimi do të vazhdojë çdo vit”, tha Hoxha.

    Për sfidat e zyrtarëve policorë ka folur kryetari i Sindikatës, Imer Zeqiri. Sipas tij, edhe 24-vjetori i Policisë së Kosovës i gjeti ata pa sigurim shëndetësor.

    “Me sfidat që i ka treguar për këto 24 vjet dhe të mos ketë ende një sigurim shëndetësor dhe jetësor, kjo ka qenë kërkesë e kahershme e Sindikatës të Policisë së Kosovës por nuk kemi marrë përgjigje, nga asnjë qeveri deri më tani”, tha Zeqiri.

    Juristja Dorentina Bujupi ka kërkuar nga institucionet përkatëse që t’i realizojnë kërkesat e policisë.

    “Institucionet t’i realizojnë kërkesat e Policisë së Kosovës”, tha Dorentina Bujupi, juriste.

    Gjatë shënimit të 24-vjetorit, gjithashtu, janë shfaqur disa prej aksioneve të Policisë, që konsiderohen si operacionet më të rëndësishme që janë kryer nga zyrtarët policorë.

  • Buxhetohen miliona euro, por nuk blihen armë e paisje

    Buxhetohen miliona euro, por nuk blihen armë e paisje

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Ekspozimi i armëve të llojeve dhe të kalibrave të ndryshëm si dhe makinerisë dhe pajisjeve policore në sheshin e Prishtinës, ka qenë një nga pikat kryesore të shënimit të Ditës së Policisë.

    Mirëpo, nëse shikohen raportet e shpenzimeve të dy viteve të fundit, shihet se Ministria e Brendshme nuk ka armatimin dhe pajisjet që i ka planifikuar.

    Ministria sivjet ka blerë autoblinda në vlerë rreth 4 milionë e gjysmë Euro, kurse kjo është gjysma e buxhetit prej 9,6 milion Eurove që Ministria i ka ndarë për autoblinda dhe automjete të veçanta.

    Duhet thënë se këto pajisje ishin paraparë edhe ën buxhetin e vitit të kaluar, ishin ndarë 7 milionë Euro në buxhet, por blerja kishte dështuar.

    Vjet kanë qenë të ndara në buxhet rreth 1,7 milionë Euro për armë, por blerjet kanë qenë në shkallë shumë të ulët.

    Sivjet janë të buxhetuara 1 milionë e gjysmë euro për armë dhe pajsije speciale dhe në gjashtëmujorin e parë është ekzekutuar 40% e këtij buxheti, rreth 580 mijë Euro.

    Shifra milionëshe mbërrin edhe totali i mjeteve të buxhetuara për ndërtimin e renovimin e godinave si depoja e armëve ose stacionet policore, mirëpo, në gjashtë muaj janë shpenzuar 3% të këtij buxheti.

    Që nga muaji shkurt, kur u miratua ligji për paga, policët nuk kanë marr asnjë cent për rrezikshmëri, shtesë kjo që iu premtua se do të ju paguhet në formë retroaktive.

  • Gjykimi për korrupsion e kontrabandë ndaj 20 policëve të veriut

    Gjykimi për korrupsion e kontrabandë ndaj 20 policëve të veriut

    Përgatiti: Nora Luta

    Filloi gati një orë me vonesë.

    Nga 20 të akuzuarit, zyrtarë policorë të nacionaliteteve serbë e shqiptarë, vetëm Oliver Kuzmanoviq nuk paraqitet në sallën e gjykimit.

    Mungesën e tij për shkaqe shëndetësore e arsyetoi para trupit gjykues avokatja e tij, teksa u vendos që seanca të shtyhet për në tetor.

    Njëzet policë që punonin në veri, përfshirë komandantin e stacionit policor Zvezdan Spasojeviq akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kontrabandë me mallra, e marrje ryshfeti, e disa nga ta për armëmbajtje pa leje.

    Por, sipas mbrojtjes, Prokuroria i ka njoftuar se në fjalën përfundimtare që ishte planifikuar të jepej këtë të mërkurë, do të tërhiqet nga ndjekja penale për veprën “marrje e ryshfetit”.

    Aktakuza nga Prokuroria Speciale ishte ngritur në qershor të vitit 2020.

    Sipas aktakuzës, ata mundësuan kontrabandë me mallra nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas, gjatë vitit 2017 deri në vitin 2019.

  • Komuna e Gjilanit lë studentët pa bursa

    Komuna e Gjilanit lë studentët pa bursa

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Ardiana Jashari, studente e vitit të tretë, në Departamentin e Gazetarisë, në Universitetin “Hasan Prishtina”, edhe këtë vit i ka plotësuar kushtet për të qenë përfituese e bursës komunale.

    Por ajo dhe shumë studentë të tjerë të Gjilanit nuk do të jenë përfitues të bursave komunale, pasi komuna ende nuk ka shpallur konkurs, i cili do të duhej të ishte hapur që në muajin prill.

    “Unë si studente e Gjilanit kam pritur që si vitin e kaluar të hapet konkursi për me përfitu bursën komunale, por pritja ka qenë e kotë pasi që komuna e Gjilanit doli me njoftimin se nuk do të ketë konkurs për bursa. Për mua si student, ky vendim i komunës nuk është i drejtë, pasi në një mënyrë po dëmtohemi ne studentët, po na mohohet e drejta legjitime për të përfituar bursën komunale, bursë kjo e cila është një ndihmesë e madhe për secilin student. Ne studentët e vitit të tretë nuk kemi të drejtë të aplikojmë dhe kjo gjë paraqet problem për ne”, tha Ardiana Jashari, studente e gazetarisë.

    Ajo kritikon komunën se as nuk i njoftoi paraprakisht, derisa bën thirrje për ndryshimin e këtij vendimi.

    “Gjëja më e çuditshme në këtë mes është se komuna thotë se nuk ka buxhet për të ndarë bursa për vitin akademik 2022/2023, por në anën tjetër thotë se do të ndajë bursa për vitin akademik 2023/2024, unë kërkoj nga komuna që ta ndalojnë këtë vendim dhe të na ofrojë të drejtën për përfitim të bursës komunale”, u shpreh Ardiana.

    Komuna e Gjilanit, në një përgjigje me shkrim për ATV-në, tha se kjo çështje do të diskutohet në mbledhjen e kuvendit Komunal gjatë muajit shtator.

    “Çështja e bursave është proceduar në Kuvend, për seancën e shtatorit. Sapo të votohet në seancën e Kuvendit, të muajit shtator, menjëherë do të shpallet konkursi, dhe, studentët mund të aplikojnë në konkurs”, thuhet në përgjigjen e Hekuran Rapucas nga komuna e Gjilanit.

    Në vitin akademik 2021/2022, komuna e Gjilanit ka ndarë 289 bursa, në vlerë prej 150 mijë eurosh për studentët e Gjilanit, derisa gjatë vitit akademik 2019/2020, ka ndarë 200 bursa me vlerë 100 mijë euro.

  • Kurti në Estoni, pjesë e samitit global të partneritetit për qeveri të hapur

    Kurti në Estoni, pjesë e samitit global të partneritetit për qeveri të hapur

    Përgatiti: Nexhmie Hyseni

    Sulmet kibernetike ndaj Kosovës nga aleatët e Rusë po ndikojnë dukshëm në dialogun Kosovë – Serbi, tha këtë të mërkurë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në samitin Global të Partneritetit për Qeveri të Hapur.

    Ai në këtë panel diskutimi që po mbahet në Tallin të Estonisë, tha se këto veprime në Kosovë janë duke u intensifikuar.

    “Në kohë të ndjeshme kur vendi ynë është i përkushtuar ndaj procesit të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin tonë verior, Serbinë, si dhe pjesëmarrjen e plotë të të gjitha pakicave në procesin demokratik të vendit, pa ndërhyrje të huaja, këto kërcënime kibernetike, si dezinformimi, bullizmi kibernetik dhe format e tjera, janë veçanërisht të dëmshme. Kjo është arsyeja pse angazhimi dhe pjesëmarrja jonë në këtë ngjarje janë më të rëndësishme se kurrë”, tha Kurti.

    Në muajin gusht, Kosova u anëtarësua në Partneritetin për Qeveri të Hapur, që numëron 75 vendeve anëtare.

    Duke iu drejtuar përfaqësuesve të shteteve anëtare dhe aktivistëve të shoqërisë civile, kryeministri tha se ndihet i nderuar që është në mesin e tyre.

    “Duke qenë pjesë e organizatës Kosova vendoset në skenën ndërkombëtare, si një vend i përkushtuar për t’i hapur parimet e qeverisë dhe për këtë arsye i sinjalizon komunitetit global se Kosova është e përkushtuar ndaj qeverisjes së mirë, praktikave dhe është e gatshme të mbahet përgjegjëse për angazhimet e saj dhe të mësojë nga ata që kanë marrë praktikat e qeverisjes së hapur”, u shpreh Kurti.

    Në Tallin të Estonisë, kryeministri Kurti u takua me homologen e tij Kaja Kallas, me të cilën folën për situatën politike në vend dhe në rajon. Kurti zhvilloi takim edhe me kryeshefin Ekzekutiv të Partneritetit për Qeveri të Hapur, të cilit ia nënvizoi rëndësinë dhe nevojën për mbështetje nga kjo organizatë në fillimin e zbatimit të Planit Kombëtar, teksa shprehu falënderimin e tij për bashkëpunimin e deritanishëm.