ATV

Author: ATVLive

  • Hasani: Udhëzimi për largimin e kryetarëve kundërkushtetues, nëse shkon në Gjykatë do të rrëzohet

    Hasani: Udhëzimi për largimin e kryetarëve kundërkushtetues, nëse shkon në Gjykatë do të rrëzohet

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka thënë se një udhëzim administrativ i lëshuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për largimin e kryetarëve të komunave nga funksioni, është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai e mbështet këtë qëndrim te mungesa e një Ligji për iniciativë qytetare apo referendum.

    Mes tjerash, Hasani, aktualisht profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se pushteti po tregon mungesë vullneti për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës, dhe se dorëheqja e kryetarëve të katër komunave të banuara me shumicë serbe në atë pjesë do të ishte vendimi më i duhur.

    Zoti Hasani, a është udhëzimi i ri administrativ për largimin e një kryetari komune në përputhje me Kushtetutën e Kosovës?

    Enver Hasani: Jo, sepse caktimi i të drejtave dhe detyrimeve, dhe mënyra e realizimit të tyre, duhet fillimisht të përcaktohet me ligj. Kushtetuta kërkon ligj. Këtu bëhet fjalë për demokracinë e drejtpërdrejtë, që është kategori kushtetuese, dhe mënyrat e realizimit të saj përcaktohen me ligj, zakonisht quhet Ligj për iniciativën qytetare, Ligj për referendum, ose Ligj për referendum dhe iniciativë qytetare. Kushtetuta tregon se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë subjekt i referendumit. Pastaj, ligjvënësi është i lirë që t’i përcaktojë këto dy çështje. Por, këto dy çështje nuk i ka rregulluar Kuvendi i Kosovës, dhe për pasojë ky udhëzim e ka uzurpuar një autorizim ligjor të Kuvendit, dhe e ka normuar një çështje që është dashur të normohet me Ligjin për iniciativën qytetare.

    Çfarë mund të ndodhë tash?

    Enver Hasani: Jam shumë i sigurt se nëse përfundon në Gjykatë Kushtetuese, ky ligj rrëzohet për arsyet që i thashë, por edhe për arsyen tjetër, që udhëzimin administrativ me përmbajtje të thellë të normave ligjore e ka nxjerrë organi administrativ, që është dikasteri ministror. Ky është konflikt i hapur i interesit, sepse këtu nuk bëhet fjalë për specifikimin e procedurave të realizimit të një të drejte, por caktohen të drejta shtesë prej autorizimit të zëvendëskryesuesit, pastaj mandatimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për organizim të zgjedhjeve, gjë që mund ta bëjë vetëm ligji, jo udhëzimi administrativ.

    Sipas jush, a mund të procedojë KQZ-ja me këtë udhëzim, nëse i bëhet kërkesë për largim të një kryetari komune?

    Enver Hasani: KQZ-ja, me këtë udhëzim, nuk mund të procedojë, sepse nuk mund t’i japë urdhër për procedim organi administrativ, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, për shkak se atë mund ta bëjë vetëm ligjvënësi. Nenet 70 dhe 71 [të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale] kanë autorizimin ligjor, dhe caktohen me ligj iniciativat për rregullat normative dhe politika komunale. Për ato ekzistojnë dispozita ligjore, për nenin 72 nuk ekzistojnë, dhe për pasojë nuk ka autorizim për nxjerrje të udhëzimit administrativ. Udhëzimet nxirren për ta zbatuar një ligj, një normë ligjore, dhe duhet të ketë autorizim në ligj. Neni 72 nuk flet fare për autorizim të ministrisë, as Qeverisë, as askujt. Flet për ligj, e ligji nuk ekziston.

    Sipas Ligjit për Vetëqeverisje lokale, zgjedhjet e parakohshme për kryetarë mbahen në tri raste: nëse kryetari jep dorëheqje, nëse qytetarët e kërkojnë shkarkimin e tij përmes peticionit, dhe nëse kryetari nuk paraqitet në vendin e punës për më shumë se një muaj, pa arsye.

    Enver Hasani: Largimi përmes peticionit i ka dy faza. Faza e parë është iniciativa me 20 për qind, dhe faza e dytë është faza e organizimit të zgjedhjeve. Aty ku të organizohen, duhet të shtrohet pyetja: “A jeni për largim të kryetarit të komunës? Po ose Jo”. Kështu formulohet ajo. Këtë formulim nuk mund ta bëjë organi administrativ, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Atë e bën vetëm ligji, duhet bërë ligj. Kjo nuk mund të bëhet me udhëzim.

    Radio Evropa e Lirë: Po në rast se shkohet përpara me këtë udhëzim, a mund të ketë ai ndikim edhe në komunat tjera?

    Enver Hasani: Ai udhëzim shihet që është bërë nga njerëz që e njohin drejtësinë, përkundër që është kundërkushtetues dhe kundërligjor. Ai nuk vlen vetëm për komunat e veriut, vlen për krejt Kosovën. Përmes një udhëzimi të tillë, për gjashtë muaj mund të përmbysen të gjitha rezultatet e zgjedhjeve, gjë që është e ndaluar, është tërësisht jokushtetuese. Aty përmendet 45-ditëshi. Pse përmendet ai afat, me çfarë të drejte? Duhet pasur autorizim ligjor. Pastaj, ku është logjika e autorizimit të KQZ-së, përmes udhëzimit administrativ të ministrisë? KQZ-ja është organ, vetë është organ administrativ. Ata dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal janë të barabartë para ligjit. Ato e zbatojnë ligjin, direkt. Ato e marrin udhëzimin prej ligjit, jo prej njëra-tjetrës.

    Sipas jush, cila është rruga e duhur për dalje nga situata në veri?

    Enver Hasani: Kjo është çështje e mungesës së vullnetit politik nga ana e pushtetit. Nëse pushteti do të donte ta rregullonte këtë punë, kjo çështje do të harrohej. Do të mund të ulej me opozitën dhe t’i thoshte se ne bëmë zgjidhje, i mbajtëm zgjedhjet siç na tha Kushtetua e ligji, dhe siç na përkrahen miqtë tanë ndërkombëtarë. Miqtë tanë nuk e konsiderojnë, sipas standardeve të shteteve të tyre, këtë rezultat, dhe ne për pasojë jemi të delegjitimuar.

    Unë mendoj që Kosova nuk po i bën nder vetes. Mund t’iu thuhet [kryetarëve], ose mos shkoni një muaj në punë, ose jepni dorëheqje. Shumë më dinjitoze është të jepet dorëheqje dhe të mos shkohet në punë, sesa të largohen me nënshkrim. Sepse, në atë mënyrë, pushteti vetëm po u kundërvihet tezave të veta qe pesë-gjashtë muaj, që ata janë legjitimë. Ata nuk janë legjitimë aty. Ata janë legalë, sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, por legjitimiteti aty është zero.

  • ​Përqindja e shpenzimeve për arsim në Itali shumë më e ulët se mesatarja e BE-së

    ​Përqindja e shpenzimeve për arsim në Itali shumë më e ulët se mesatarja e BE-së

    Italia shpenzon 4.1% të PBB-së (Prodhimit të Brendshëm Bruto) të saj për arsimimin e fëmijëve, një përqindje shumë më e ulët se mesatarja evropiane prej 4.8%, tha Save the Children Italia në një raport të mërkurën.

    Raporti tha se kjo mungesë investimi shkaktoi disa probleme, duke përfshirë mungesën e vendeve për çerdhe dhe mungesën e numrit të shkollave që ofrojnë dreka shkollore dhe programe me kohë të plotë për të ndihmuar familjet në të cilat punojnë të dy prindërit, raporton ANSA.

    Në raport thuhet se, ndërsa sektori i shkollave ishte në qendër të vëmendjes gjatë pandemisë COVID-19, përqindja e shpenzimeve për arsimin jo të lartë ka rënë që kur ka përfunduar urgjenca shëndetësore.

  • ​Një muaj arrest shtëpiak për të dyshuarin për marrje ryshfeti

    ​Një muaj arrest shtëpiak për të dyshuarin për marrje ryshfeti

    Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar një muaj arrest shtëpiak personit S.D, i cili dyshohet për kryerje të veprës penale “Marrje ryshfeti”.

    Gjykatësja e procedurës paraprake e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit.

    Në njoftimin e gjykatës është bërë e ditur se paraburgimi mund të caktohet në rast të mos respektimit të masës së arrestit shtëpiak.

  • Basketboll/ Superliga nis më 22 shtator, shorti hidhet nesër

    Basketboll/ Superliga nis më 22 shtator, shorti hidhet nesër

    Federata e Basketbollit e Kosovës ka njoftuar se, të enjten do të hidhet shorti për Superliga-t e Kosovës në basketboll.

    Në zyrat e FBK-së nga ora 11:00 do të bëhet hedhja e shortit për edicionin e ri të Prince Caffe Superligës, kurse nga ora 11:30 do të bëhet tërheqja e shortit për Superligën e Femrave.

    Edicioni i ri në Prince Caffe Superligën e Kosovës në basketboll do të fillojë më 22 shtator, ndërsa xhiroja e parë te femrat është më 6 tetor.

  • Numri i turistëve që vizituan Kosovën shënon rritje

    Numri i turistëve që vizituan Kosovën shënon rritje

    Përgatiti: Jeta Selmanaj

    Këtë vit numri i turisteve që si destinacion zgjodhën Kosovën për të vizituar, ka shënuar rritje.

    Vetëm në korrik të këtij viti numri i vizitorëve vendorë dhe të huaj ishte 71 mijë e 341, prej tyre 34,73 për qind, ishin vendorë dhe 65,27 për qind ishin të jashtëm.

    Krahasuar me muajin korrik të vitit 2022 sa ishin 53 mijë e 820 vizitorë kishte rritje të numrit të përgjithshëm të vizitorëve për 32,6 për qind.

    Në njoftimin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për turizmin, thuhet se numri i net-qëndrimeve ishte 177 mijë e 383, prej tyre 42,64 për qind nga vendorët dhe 57,36 për qind nga të huajt.

    Numrin më të madh të vizitorëve të brendshëm e ka rajoni i Pejës me 7 582 vizitorë dhe 38 145 net-qëndrime.

    Sa u përket vizitorëve të huaj, krahasuar me periudhën paraprake (Korrik 2022) ka rritje të vizitoreve për 21,24%. Në total, 45 566 vizitorë të huaj, nga të cilët numri më i madh është nga:

    Shqipëria, Gjermania, Zvicra, Turqia etj, thuhet në raportin për Statistikat e Hotelerisë për muajin korrik 2023 të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

    Pavarësisht problemeve me infrastrukturë e e shumë problemeve të tjera që përcjellin turizmin në vend, Kosova ka potencial për turizëm, sidomos atë natyror.

    Duke filluar nga Bjeshkët e Rugovës që ndodhen në qytetin e Pejës, atraksion tjetër turistik është edhe ujëvara e Drinit të Bardhë në Radac, dy pika turistike jo shumë larg njëra tjetrës.
    Tutje, Kalaja e Prizrenit është një vend tjetër i bukur e që ia vlenë të vizitohet nga turistë vendor e të huaj.

    Koosva poashtu ka pasuri nëntokësorë, e disa nga to mund të përjetohen duke vizituar shpellën e Gadimës në Lipjan e vetmja shpellë e Mermetit në Kosovë.

    Pak kilometra nga Prishtina gjendet Ulpiana, aty ku edhe filloi historia e hershme e një qyteti të hershëm Ilir, e që u mbulua nga pluhuri i harresës për dekada, por tani Ulpiana është një atraksion arkeologjik e turistik që në vete gërsheton aq shumë në pak metra katrorë.

    Në vitet e fundit, në qytetin e bukur të Gjakovës po promovohet për vizita Shpella e Kusarit.

    Jo fort larg Gjakovës, në fshatin Rudë të Malishevës, gjendet Ujëvarat e Mirushës, ndryshe e njohur edhe si Park Regjional i Natyrës, një ndër destinacionet më të bukura që ka Kosova.

    Vende të tjera që ia vlen të vizitohen në Kosovë, ndër të tjera, janë edhe Kalaja e Artanës, Liqenati në Bjeshkë të Rugovës, e bjeshkët e Prevallës.

    Më shumë detaje rreth kësaj çështje i gjeni në emisionin “A LIVE”, të cilin e gjeni në videon më poshtë:

  • Një muaj nga vrasja në Runik, të dyshuarit ende nuk janë identifikuar

    Një muaj nga vrasja në Runik, të dyshuarit ende nuk janë identifikuar

    Të dyshuarit për vrasjen e N.L (39-vjeçar) dhe plagosjen e tre të tjerëve në fshatin Runik të Skenderajt, mbeten ende të paidentifikuar.

    Kjo është bërë e ditur për “Betimi për Drejtësi” nga zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

    “Njoftoheni se të dyshuarit nuk janë identifikuar, por prokuroria në bashkëpunim me policinë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme hetimore sipas ligjit për identifikimin e të dyshuarit-ve, dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet përgjigjen e tij.

    Ndryshe, Policia e Kosovës (PK) kishte njoftuar se një person ka mbetur i vdekur ndërsa tre të tjerë janë plagosur, si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një kafene në Runik të Skenderajt.

    Lajmin e kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë për rajonin e Mitrovicë, i cili tha se rasti ka ndodhur pas mesnatës, ndërsa shtoi se dyshohet se dy persona të maskuar kishin hyrë në kafene, kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

    I njëjti theksoi se personi që ndërroi jetë nga të shtënat është N.L (39-vjeçar), kurse tre të lënduarit tjerë janë dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    “Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor. Bazuar në hetimet fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar (po ashtu nga arma e zjarrit) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur”, konfirmoi Zahiti.

    Sipas Policisë në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja.

    “Gjitha veprimet e ndërmarra policore, janë udhëhequr nga prokurori i rastit i cili ka dalë në vend të ngjarjes ndërsa i njëjti ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Hetuesit e Sektorit Rajonal, janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e kryesit/ve të veprës si dhe zbardhjen e kësaj vepre penale”, konfirmoi ai.

  • ​Rashkaj: Po nisem drejt Kosovës, shpresoj në rezultat pozitiv

    ​Rashkaj: Po nisem drejt Kosovës, shpresoj në rezultat pozitiv

    Stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë arenë e përplasjes ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës në shtunën mbrëma, ndeshje kjo e vlefshme për kualifikimet për në Kampionatin Evropian të futbollit që zhvillohet vitin e ardhshëm.

    Në këtë ndeshje, Kosova do të hyj nën urdhrat e trajneri të ri, Primozh Gliha i cili zëvendësoi francezin Alain Giresse, ndërsa stadiumi do të jetë i stërmbushur pasi brenda pak orësh i shitën të gjitha biletat që ishin në dispozicion, raporton KosovaPress.

    E në mesin e këtyre tifozëve do të jetë edhe ish-mesfushori i Kosovës, Anel Rashkaj. Vet Rashkaj ka zbuluar për KosovaPress se do të udhëtoj drejt Kosovës ekskluzivisht për ta parë këtë ndeshje.

    Rashkaj ka thënë se shpreson në rezultat pozitiv për Kosovën dhe sipas tij, nëse kjo ndodh, atëherë do të ishte shumë i rëndësishëm për rritjen e moralit të ekipit.

    “Po do të jem në “Fadil Vokrri” dhe shpresoj në rezultat pozitiv dhe në rast se e arrijmë një rezultat pozitiv do të ishte shumë i rëndësishëm për moralin e ekipit tonë”, ka thënë Rashkaj.

    Kujtojmë se Rashkaj jeton në Suedi, dhe nga atje udhëton që të jetë në përkrahje të “Dardanëve” në “Fadil Vokrri”.

  • ​Konfiskohen 1.5 ton ilaçe ilegale në aeroportin e Brukselit

    ​Konfiskohen 1.5 ton ilaçe ilegale në aeroportin e Brukselit

    Belgjika ka konfiskuar më shumë se 1.6 milionë tableta të barabarta me 1.5 ton ilaçe ilegale në aeroportin e Brukselit, thanë autoritetet të mërkurën.

    Konfiskimi, që është një nga konfiskimet më të mëdha në BE në vitet e fundit, u krye më 14 korrik në një ngarkesë me fara liri në aeroportin e Brukselit, i njohur gjithashtu si aeroporti Zaventem, tha në një deklaratë Agjencia Federale për Barnat dhe Produktet Shëndetësore.

    Ilaçet u gjetën pas një inspektimi nga Agjencia Federale për Sigurinë e Zinxhirit Ushqimor në bashkëpunim me njësinë e hetimit special të agjencisë së mjekësisë dhe doganat, raporton AA.

    Ilaçet ilegale përfshijnë Careforce-100, Cobra-120, Pregacare-300 dhe Artvigil-150, që përmbajnë përbërësit aktivë pregabalin, armodafinil dhe pregabalin.

    Njësia speciale e hetimit nisi një hetim për barnat, duke paralajmëruar se përdorimi i barnave ilegale përbën rrezik serioz për shëndetin.

  • ​Stuhia Daniel: Dy të vdekur dhe tre të zhdukur

    ​Stuhia Daniel: Dy të vdekur dhe tre të zhdukur

    Dy persona humbën jetën gjatë stuhisë Daniel që përfshiu Greqinë të martën.

    Sipas Brigadës së Zjarrfikësve, një grua 87-vjeçare e zhdukur nga dita e djeshme në zonën e Paltsi, rajoni i Magnezisë, është gjetur në një grumbull me dru, ndërsa 8 zjarrfikës kanë arritur të nxjerrin trupin e saj.

    Të martën, një 51-vjeçar humbi jetën si pasojë e rënies së një muri, për shkak të sasisë së madhe të ujit, raporton ANA-MPA.

    Po ashtu, Brigada e Zjarrfikëses tha se ka informacione për dy persona të zhdukur në fshatin Paltsi.

    Një tjetër person, një 42-vjeçar, i cili u përfshi nga vërshimi i ujërave në përroin Aghia Ekaterini të Volos është gjithashtu i zhdukur.

    Është pezulluar qarkullimi në autostradën Athinë-Selanik nga Nikea, Larisa deri në kufijtë e rajonit të Magnezisë për shkak të kushteve ekstreme të motit dhe përmbytjeve që kanë mbuluar rrugën.

    Drejtoria e Policisë së Qarkut Thesalisë njoftoi se do të ndërpritet qarkullimi për të gjitha mjetet në të dy drejtimet.

  • Trenjakët Rea, Rona dhe Erris Lila zgjedhin Kolegjin AAB për studimet e tyre

    Trenjakët Rea, Rona dhe Erris Lila zgjedhin Kolegjin AAB për studimet e tyre

    Rea, Rona dhe Erris Lila kanë zgjedhur Kolegjin AAB për të filluar studimet duke u bërë kështu pjesë e studentëve tanë, shtuar faktin se janë trenjakët më të veçantë që kemi parë ndonjëherë.

    Rea do jetë studente e Fakultetit të Psikologjisë, Rona në Fakultetin e Arkitekturës dhe Errisi në Fakultetin Ekonomik.