ATV

Author: ATVLive

  • ​Kurti priti delegacionin norvegjez nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës

    ​Kurti priti delegacionin norvegjez nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur një delegacionin norvegjez nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE), të udhëhequr nga deputetja Ingjerd Schou.

    Sipas njoftimit të Kryeministrisë, aty u diskutua për aplikimin e Kosovës dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës.

    “Kryeministrit ritheksoi dhe rikonfirmoi përkushtimin e vendit tonë për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare dhe për respektimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, si vlera kryesore e Këshillit të Evropës e të përbashkëta me Kosovën”, thuhet në njoftim.

    Aty thuhet gjithashtu se Kurti e ka falënderuar Norvegjinë për përkrahjen e kandidaturës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    “Ai e njoftoi delegacionin nga Norvegjia me aktualitetin politik, zhvillimet e fundit, dhe punën e qeverisë. Diskutuan për përfitimet e qytetarëve të Republikës së Kosovës nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe për progresin në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit në dy vitet e fundit që e kanë bërë aplikimin tonë të natyrshëm”, theksohet në njoftim./KP

  • ​Forumi i Strategjisë së Robotikës 2023 mbahet në Sofje

    ​Forumi i Strategjisë së Robotikës 2023 mbahet në Sofje

    Një forum për inovacione në robotikë dhe teknologji autonome, i titulluar “Forumi i Strategjisë së Robotikës 2023: Bullgaria në Epokën Dixhitale: AI, Automatizimi dhe Robotika”, nisi të martën në Sofia Tech Park.

    Ngjarja organizohet nga Shoqata Profesionale e Robotikës, Automatizimit dhe Inovacioneve.

    Vizitorët mund të takojnë inxhinierë të rinj bullgarë që tregojnë risi në robotikën industriale dhe zgjidhjet e automatizimit, si dhe kompani bullgare të specializuara në robotikë, automatizim, prodhim inteligjent dhe teknologji industriale, të cilët po shfaqin robotët dhe teknologjinë e tyre më të re, raporton BTA.

    Ka edhe program seminari, ku përfaqësues të degës flasin për trendet në prodhimin e robotëve bullgarë, sfidat me të cilat përballet siguria kibernetike në fabrikat bullgare, si dhe hyrjen e inteligjencës artificiale në industri.

    Forumi i Strategjisë së Robotikës po zhvillohet që nga viti 2019.

    Në hapje të forumit, zëvendësministri i Inovacionit dhe Rritjes, Georgi Angelov, tha se ministria e tij ka për qëllim të rikthejë Bullgarinë si një vend për inovacione të teknologjisë së lartë, sipërmarrje dhe transferim teknologjik.

    Robotika është një nga fushat prioritare në Bullgari, Evropë dhe botë, shtoi ai, siç citohet nga Ministria e Inovacionit.

    Ai tha gjithashtu se në kuadër të Programit për Konkurrueshmëri dhe Inovacion në Ndërmarrje janë gati të nisin dy procedura: për krijimin e inovacioneve në ndërmarrje dhe për inkorporimin e tyre.

  • ​PSD me aksion para Ministrisë së Shëndetësisë: Spitalet janë në gjendje të mjerueshme

    ​PSD me aksion para Ministrisë së Shëndetësisë: Spitalet janë në gjendje të mjerueshme

    Partia Socialdemokrate ka mbajtur aksion para Ministrisë së Shëndetësisë duke hedhur letra higjienike dhe vendosur fotografi në këtë objekt. Nga PSD ka deklaruar se gjendja në spitale është e mjerueshme dhe sipas tyre kjo reflekton dështimin e qeverisë.

    Donjeta Demolli nga PSD, tha se kërkojnë nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të dalë nga zyra dhe të shoh gjendjen në të cilën ndodhen spitalet.

    “Këto fotografi, kjo ekspozitë që po e shihni është gjendja aktuale e spitaleve e Kosovës sot, kemi ardhur me ia sjell ministrit këto fotografi të zmadhuara sepse ai nuk po del prej zyrës tij dhe pedanterinë po e mban vetëm për vete e jo për qytetarët e Kosovës, kemi ardhur ta ftojmë ta shoh gjendje në teren e kur të sheh gjendjen ne teren nuk mundet të veprojë e të ndërmarrë diçka me ndryshuar gjendjen sepse aq keq është në spitalet e Kosovës gjendja shqetësuese është banale… Aty ku qytetarët e Kosovës shkojnë për t’u shëruar, shkojnë për të përmirësuar mirëqenien e tyre e gjendjen e tyre shëndetësore ka rrezik që mund të infektohen, e ministri i Kosovës nuk e ka përgatitë as tenderin për pastërti e as për mirëmbajtën e QKUK-së e spitaleve të Kosovës” tha Demolli.

    Sipas Demollit, ministri Vitia në vend që të merret me problemet shëndetësore të spitaleve publike po kontribuon për spitalet private.

    “Ka radhë të gjata të cilat janë stërzgjatur pasi që ka ardhur ministri, ka radhë të gjata për intervenime, ka mungesë stafi shëndetësor, ka mungesë të barnave esenciale ka mungesë të aparaturave e çka të ju shkon në mend në QKUK ka mungesë. Ministri në ndërkohë nuk po punon për të përmirësuar gjendjen në shëndetësi publike, ai është duke punuar përmes udhëzimeve administrative që të favorizojë spitalet private, shëndetësinë private aty ku punoi deri vonë, dhe ku faktikisht po shihet që është duke kontribuar edhe sot” shtoi Demolli

    Demolli gjendjen e spitaleve të Kosovës e quajti dështim të qeverisë/

    “Hapësirat e spitaleve në Kosovë duhet me qenë vende ku përmirësohet shëndeti sepse shëndeti është e drejt themelore e çdo qytetari dhe kjo gjendje e cila është ofendim edhe për qytetarët e Kosovës edhe për stafin shëndetësor i cili punon me devotshmëri për të rritur mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve, e të cilët siç e kemi parë dy vitet e fundit nuk po shohim asnjë përmirësim nuk po shohim shpresë dhe po largohen masivisht nga Kosova… Dështimi i qeverisë është kjo pamje që ne po e shohim sot, ne nuk kemi nevojë për ministër pedant për veten e vet, me mindil për veten e vet por kemi nevoje për spitale higjienike, për higjienë në vendet ku i kemi pacientët, ku i kemi qytetarët të cilët kanë nevojë për pastërti dhe më shumë kushte më të mira” tha Demolli./kp

  • ​IPK arrestoi pesë të dyshuar në operacionin e koduar “Ulpiana”

    ​IPK arrestoi pesë të dyshuar në operacionin e koduar “Ulpiana”

    Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar pesë persona, në mesin e tyre një zyrtar policor, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, armëmbajtje pa leje dhe bixhoz të kundërligjshëm.

    Në orët e hershme të mëngjesit, IPK, i mbështetur nga njësi të reagimit të shpejtë të policisë ka zbatuar një urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë për kontroll dhe sekuestrim të dëshmive që do të gjenden gjatë kontrollit.

    Operacioni zhvillua në pesë lokacione të ndryshme ndaj të dyshuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të kundërligjshëm.

    “Gjatë kontrolleve të lokacioneve të ndryshme hetuesit e IPK-së kanë sekuestruar gjësende të ndryshme përfshirë disa telefona mobil, dy USB, para të gatshme, dy pistoleta etj. Të ndaluar si pjesë e këtij operacioni janë pesë persona të dyshuar, një zyrtar policor dhe katër qytetarë”, ka njoftuar IPK.

    Veprat penale për të cilat dyshohen të dyshuarit janë: “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, “Armëmbajtje pa leje”, “Dhënie ndihme kryesit të veprës penale pas kryerjes së veprës penale” dhe “Organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të kundërligjshëm”./KP

  • ​Borrell: Kosova dhe Serbia të fillojnë zbatimin e marrëveshjes në bazë të propozimit tonë

    ​Borrell: Kosova dhe Serbia të fillojnë zbatimin e marrëveshjes në bazë të propozimit tonë

    Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia duhet që “pa vonesa” të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve, bazuar në propozimin e BE-së.

    Borrell tha se kërkohet që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim në zbatimin e asaj që ranë dakord gjatë këtij viti.

    “Të dyja palët ranë dakord për këtë rrugë drejt normalizimit më herët këtë vit. Kjo është diçka e detyrueshme për ta dhe kërkohet nga palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim në këtë zbatim. Dhe shpresoj që së shpejti të nxjerrim një deklaratë me konsideratat e ministrave për këtë dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Çfarë duam ne? Çfarë kërkojmë ne? Është që të fillohet zbatimi në bazë të propozimit tonë pa vonesa të mëtejshme, dhe kjo përfshin detyrimin e të dyja palëve që të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e kaluara të dialogut”, tha Borrell.

    Ai foli në një konferencë për media pas takimit jo formal të zhvilluar në Nju Jork me ministrat e Jashtëm të BE-së.

    Ai deklaroi se i ka informuar ministrat për raundin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi, të mbajtur më 14 shtator në Bruksel.

    “I informova ministrat për takimin e fundit të nivelit të lartë të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilin e prita javën e kaluar. Ministrat shprehën mbështetje të fortë për Përfaqësuesin e Lartë për lehtësimin e dialogut dhe për Përfaqësuesin Special, Miroslav Lajçak. Shprehën shqetësimin për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të tyre sipas marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Normalizimi është një proces, është një rrugë, dhe është zbatim”, tha ai.

    Në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Marrëveshjen bazike në Bruksel dhe më vonë për Aneksin e zbatimit të saj, në Ohër.

    Por raundi i fundit i dialogut në Bruksel, i zhvilluar më 14 shtator, ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

    Pas këtij takimi, përfaqësuesit e BE-së deklaruan se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm për të çuar procesin përpara ndërsa ky i fundit tha se kishte paraqitur një plan për zbatimin e marrëveshjes por që i njëjti është refuzuar nga Serbia dhe evropianët.

    Kurti gjithashtu akuzoi emisarin e BE-së, Miroslav Lajcak, për pozicionim kundër Kosovës./KP

  • Nagavci: Edukimi parafillor do të bëhet i obliguar nga viti i ardhshëm

    Nagavci: Edukimi parafillor do të bëhet i obliguar nga viti i ardhshëm

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci deklaroi se edukimi parafillor do të bëhet i obligueshëm nga viti i ri shkollor 2024/2025. Sipas saj, ky ligj specifikon qartësisht edhe dënimin e çfarëdo forme të dhunës.

    Kështu ka thënë ajo gjatë prezantimit të Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, ku shtoi se do të shtohet cilësia e kujdesin dhe edukimit në fëmijërinë e hershme.

    Në lansimin e këtij ligji, ministrja Nagavci tha se faza e fëmijërisë kërkon vëmendje të veçantë.

    “Fëmijëria është pjesa më e ndjeshme e jetës së njeriut. Dhe si e tillë është një fazë që kërkon vëmendje të veçantë dhe kujdes të vazhdueshëm nga familja, shoqëria dhe natyrisht edhe nga politikëbërësit. Vitet e para të jetës së secilës fëmijë, janë thelbësore për zhvillimin fizik të individit, për zhvillimin psikologjik dhe emocional, sepse në atë periudhë ndërtohet dhe ndikohet si asnjëherë më shumë nga ambienti përreth duke perceptuar dhe përpunuar informacione të panumërta që lënë ndikim dhe gjurmë të pashlyeshme në secilin individ”, u shpreh Nagavci.

    Nagavci shtoi se edukimi parafillor do të bëhet i obligueshëm nga viti i ardhshëm shkollor.

    “Ligji i ri për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme i sjell disa risi të theksuara në krahasim me kuadrin ligjor ekzistues. Unë do të përmend disa shkurtimisht disa prej tyre. Por dua të veçoj faktin se edukimi parafillor do të bëhet i obligueshëm nga viti i ardhshëm shkollor. Se ligji mbështet edhe edukimin në familje dhe ofron familjet për familjet ndihmëse në kujdesin dhe edukimin e fëmijëve. Se rrisin në mënyrë të gjithanshme cilësinë e kujdesit dhe edukimin në fëmijëri të hershme. Se shtohet bashkëpunimi i gjithë institucioneve dhe natyrisht edhe përgjegjësia për të gjithë të rriturit që do të punojnë me fëmijë, përfshirë edhe dënimin e çfarëdo forme të dhunës, e cila jo që nuk është e ndaluar edhe me ligjet tjera por specifikohet qartësisht edhe në këtë ligj”, shtoi Nagavci.

    Shefja e UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman tha se përfshirja e fëmijëve në edukimin e hershëm nuk është i kënaqshëm.

    “38 për qind e 3-4 vjeçarëve në Kosovë kanë qasje në edukimin e hershëm. Dhe ende jemi larg nga targetët e BE-së që është 95 për qind. Ky ligj na ofron një udhërrëfyes të mirë, që është cak i planit strategjik në arsimin në Kosovë. Kjo rritje mund të ndodhë shpejt dhe në mënyrë të barabartë, përmes krijimit të klasave të reja dhe ofrimin e arsimit në fëmijërinë e hershme. Ligji i ri po ashtu ka për qëllim që të përmirësojë cilësinë me rolin e kurrikulës dhe inspektimet e cilësisë”, theksoi ajo.

    Udhëheqësja e Divizionit për Edukimin Parashkollor në Ministrinë e Arsimit, Labëri Luzha tha se ky ligj do të zbatohet në të gjitha institucionet e edukimit në fëmijërinë e hershme, për fëmijët prej lindjes deri në moshën gjashtë vjeçare.

    “Ky ligj ka për qëllim ofrimin e shërbimeve cilësore, gjithëpërfshirëse në të gjitha format e organizimit të edukimit në fëmijërinë e hershme në Kosovë. Si dhe përcakton normat për organizimin, funksionimin, mbikëqyrjen, përgjegjësitë institucionale, profesionale të të gjithë akterëve që ofrojnë edukimin në moshën e hershme. Ky ligj zbatohet për të gjitha institucionet në fëmijërinë e hershme, prej lindjes deri në moshën gjashtë vjeçare, deri kur ata fillojnë edukimin fillor në klasën e parë. Të drejtën e të gjithë fëmijëve për edukim cilësor gjithëpërfshirës bazuar në nevojat individuale të tyre; shëndetin, mirëqenien dhe mbrojtjen e fëmijëve; krijimin e mekanizmave për sigurimin e ofrimit të shërbimeve të integruara; Përcaktimin e detyrave dhe përgjegjësive të ofruesve të shërbimeve në Edukimin në Fëmijërinë e Hershme; mentorimin, monitorimin, inspektimin, financimin dhe sanksionimin e ofruesit të shërbimeve”, përfundoi ajo.

    Në korrik të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës është miratuar Ligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme. /kp

  • Edukatorja e mbulon kokën me çantë pas intervistimit

    Edukatorja e mbulon kokën me çantë pas intervistimit

    Tri edukatoret që keqtrajtuan trevjeçarin janë intervistuar nga Policia e Kosovës.

    Njëra prej të dyshuarave për keqtrajtim të 3 vjeçarit në çerdhen “Gëzimi ynë”, ka dalë nga stacioni policor në Fushë-Kosovë.

    Duke dashur t’u ikë mediave, ajo ka vendosur çantën si mburojë për të mos u identifikuar.

    Një trevjeçar dyshohet se është rrahur e tërhequr zvarrë në institucionin parashkollor “Gëzimi ynë”, në Fushë-Kosovë.

    Për këtë rast Policia e Kosovës dhe inspektorët e MASHT-it kanë zbarkuar në këtë institucion parashkollor shtetëror.

  • ​Theret me thikë një tifoz i Newcastle para ndeshjes me Milanin

    ​Theret me thikë një tifoz i Newcastle para ndeshjes me Milanin

    Një tifoz i Neëcastle u dërgua me urgjencë në spital mbrëmjen e së hënës pasi u godit me thikë dhe Policia italiane po heton nëse sulmi ka të bëjë me ndeshjen Milan-Newcastle United në Ligën e Kampionëve që zhvillohet sonte.

    Tifozi anglez u godit në shpinë dhe dy herë në krahë, por nuk besohet të jetë në gjendje kritike, përcjellë KosovaPress.

    “Sky Sport” pretendon se Policia italiane po heton nëse sulmi kishte lidhje me futbollin dhe nëse ultrasit e Milanit kanë ndonjë lidhje me të.

    Mbi 6,500 tifozë të Newcastle priten në Milano për ndeshjen e parë të Magpies në Ligën e Kampionëve pas 20 vitesh sot.

    Situata momentalisht është nën kontroll në qendër të qytetit të Milanos pa asnjë tension midis tifozëve kuqezi dhe tifozëve anglezë.

  • Driton Latifi: Ndeshja Drita – Prishtina është vendimtare për të ardhmen e trajnerit Vavalis

    Driton Latifi: Ndeshja Drita – Prishtina është vendimtare për të ardhmen e trajnerit Vavalis

    Analisti i njohur i futbollit kosovar, Driton Latifi, është i ftuar në emisionin ‘EKIPI A’ në ATV.

    Latifi duke e komentuar barazimin e Dritës me Fushë Kosovën ka deklaruar që trajneri Akis Vavalis nuk i ka punët mirë.

    ‘Tifozët e Dritës nuk është që durojnë shumë. Mendoj që sfida e radhës e Dritës me Prishtinën do të jetë vendimtare edhe trajnerin Akis Vavalis’ tha Latifi.

    Kujtojmë që Drita aktualisht deri me tani ka zhvilluar 5 ndeshje dhe ka vetëm një fitore dhe 3 barazime, duke grumbulluar kështu pesë pikë.

  • Ballkani barazoi me Dukagjinin, Gani Sejdiu: Klubi nga Suhareka e ka vëmendjen te garat evropiane

    Ballkani barazoi me Dukagjinin, Gani Sejdiu: Klubi nga Suhareka e ka vëmendjen te garat evropiane

    Trajneri i mirënjohur kosovar, Gani Sejdiu sonte është i ftuar në emisionin ‘EKIPI A’ në ATV.

    Sejdiu duke e komentuar ndeshjen Dukagjini – Ballkani e cila përfundoi 1:1, ka deklaruar që skuadra e cila po drejtohet nga Ilir Daja vëmendjen e ka më shumë në garat evropiane.

    ‘Pa dashur me minimizu angazhimin e Dukagjinit, por mendoj që skuadra e Ballkanit aktualisht vemendjën e ka të ndeshja të cilët do ta zhvillojnë të enjten në garat evropiane’ tha Sejdiu.

    Emisionin live mundeni ta ndiqni më poshtë.