ATV

Author: ATVLive

  • Kurti e konfirmoi lajmin për vrasjen e rreshterit nga njerez me maska, thotë se ende ka të shtëna ndaj policisë

    Kurti e konfirmoi lajmin për vrasjen e rreshterit nga njerez me maska, thotë se ende ka të shtëna ndaj policisë

    Kryeministri Kurti pak më parë njoftoi për vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri në fshatin Banjskë të Leposaviqit.

    Kurti, në Facebook ka shkruar se “në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë”.

    “Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda.”

    Postimi i plotë:

    Të dashur qytetarë,

    Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda.

    Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve.

    Policia e Kosovës e ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B. Polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë. Ngushëllime familjes dhe të gjithëve për policin tonë të vrarë. Shërim të shpejtë e të plotë policit të plagosur.

  • Një polic është vrarë si pasojë e një sulmi të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit

    Një polic është vrarë si pasojë e një sulmi të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit

    Personat e maskuar e bllokuan rrugën me kamionë dhe kanë shtënë në drejtim të policisë.

    Dyshohet se ata janë barrikaduar brenda Manastirit në Banjska, ku edhe po vazhdohet me shkëmbim zjarri mes tyre dhe policisë.

  • Supremja refuzon ankesën e mbrojtjes, i dënuari për krime lufte Svetomir Baceviq mbetet në burg

    Supremja refuzon ankesën e mbrojtjes, i dënuari për krime lufte Svetomir Baceviq mbetet në burg

    Përgatiti: N. Luta & A. Hajdaraj

    Gjykata Supreme i ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë së të dënuarit për krime lufte në Pejë, Svetomir Baçeviq dhe mbrojtësit të tij, të ushtruara kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.

    Kërkesa e paraqitur nga vetë i dënuari, i cili kishte deklaruar në ankesë se vendimet e të dy gjykatave paraqesin hakmarrje ndaj tij, sipas Supremes nuk ka bazë ligjore.

    Tutje sipas kësaj Gjykate nuk qëndrojnë as pretendimet e mbrojtjes lidhur me dëshminë e të dëmtuarës Tixhë Kadrijaj.

    “Dëshmitarja e përshkruan personin i cili e ka marrë nga shtëpia e saj si “ai i B. dhe i thoshin hajn dhe se nuk ka qenë në uniformë”. Po ashtu, dëshmitarja që nga fillimi ka thënë se nuk është në gjendje ta identifikojë tani personin në fjalë për shkak se kjo ka ndodhur 20 e më shumë vjet më parë. Pra e dëmtuara-dëshmitarja asnjë moment nuk ka pretenduar se e ka identifikuar të dënuarin, por e ka dhënë përshkrimin sipas kujtesës së natës kritike si dhe ka përshkruar ngjarjen dhe faktin se as atëherë nuk e ka njohur, por bashkëshorti i saj, Rexhepi, atë natë i ka thënë se “e kemi kojshi, mos u tut”, ndërsa e ka cek se ky person ka pas armë. Andaj, edhe nuk mund të pranohet pretendimi se e dëmtuara e ka ndryshuar deklaratën ngase e njëjta asnjëherë nuk ka pretenduar se e njeh të dënuarin dhe se mund ta identifikojë”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

    Mbrojtja e të dënuarit Baçeviq, respektivisht avokati Dejan Vasiq kishte pretenduar se edhe dëshmitari serb, që ishte fqinji i saj nga fshati Bellopojë e Pejës kishte dhënë deklaratë kundërthënëse me viktimën, mirëpo sipas Supremes, gjykata e shkallës së parë e kishte konstatuar si të drejtë dhe se i dënuari kishte marrë peng Tixhë Kadrijajn pa dëshirën e saj, e nën kërcënimin e armës.

    “ Dëshmitari i cili e përshkruan ngjarjen duke deklaruar se e dëmtuara ishte e mbështetur për muri, duke qëndruar në këmbë e frikësuar, ndërsa S. ishte në distancë prej gjysmë metri nga ajo dhe bisedonte diçka me te. Më tutje, dëshmitari e përshkruan se si kishte grushtuar të dënuarin dhe e kishte e marrë të dëmtuarën, të cilën e kishte kthyer në shtëpinë e saj e cila kishte mbetur aty deri në fund të luftës”, thuhet tutje në vendimin e Supremes të publikuar të premten”, thuhet më tej në aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

    Svetomir Baçeviq është dënuar me pesë vjet burgim për krime lufte në Bellopojë të Pejës dhe rrëmbim të Tixhë Kadrijajt nga ky fshat. Vendimin e shkallës së parë e kishte vërtetuar edhe Apeli.

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti: Rritja ekonomike në dy vite ka qenë 7.9 për qind

    Kurti: Rritja ekonomike në dy vite ka qenë 7.9 për qind

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se rritja ekonomike në dy vite ka qenë 7.9 për qind.

    Sipas tij, kjo rritje është më e larta se çdo herë tjetër për dy vite rresht që nga shpallja e Pavarësisë.

    “Vitin e parë të qeverisjes rritja ekonomike ishte 10.7%, më e larta në historinë e vendit. Në vitin e dytë rritja ekonomike ishte 5.2% (2022). Rritja mesatare në dy vite ka qenë 7.9%, më e larta se çdo herë tjetër për dy vite rresht që nga shpallja e Pavarësisë. Trendi i rritjes ekonomike ka vazhduar edhe këtë vit”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    Tutje, ai ka thënë se vlera e eksporteve në vitin 2022 është rritur për 447 milionë euro ose dyfishuar në krahasim me vitin 2020.

    “Për periudhën janar-korrik të këtij viti vlera e eksporteve ka qenë 468 milionë euro, që është përafërsisht aq sa ka qenë totali i vlerës së eksporteve në vitin 2020 (474 milionë euro). Deri në fund të 2023 pritet që vlera eksporteve për herë të parë të arrijë shifrën 1 miliard euro. Si rezultat, raporti eksport-import është ngushtuar nga gati 1 me 9 sa ishte në vitin 2019, në më pak se 1 me 6 sa është aktualisht. Ndërkohë që, për herë të parë, në tremujorin e dytë të këtij viti ekonomia e vendit tonë ka tejkaluar shifrën prej mbi 400 mijë vendeve aktive të punës”, tha kryeministri.

    Sipas tij, gjatë qeverisjes së deritanishme, buxhetit të shtetit i janë shtuar mbi 770 milionë euro të hyra, kurse ekonomisë 2.1 miliardë euro vlerë.

    “Të hyrat tatimore janë rritur për rreth 2/3, ndërkohë që Investimet e Huaja Direkte janë dyfishuar. Trendi i rritjes së Investimeve të Huaja Direkte ka vazhduar edhe sivjet. Sipas të dhënave të Bankës Qendore të Kosovës, për periudhën janar-maj 2023 kemi 20.7% më shumë investime se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, ka thënë ai më tej.

    Kryeministri ka thënë se këtë rritje ekonomike, qeveria e tij e ka ndarë me qytetarët duke rishpërndarë në total 842 milionë euro përmes masave të ndryshme mbështetëse për qytetarë dhe stimuluese për biznese, dhe pa krijuar borxhe të reja.

    “Deficitin buxhetor në vitin 2022 e kemi ulur në nivel historik duke e zvogëluar atë për mbi -90% në krahasim me vitin 2020. Kurse inflacioni në muajin korrik ishte më i ulëti në gjithë Gadishullin Ballkanik, me vetëm 2.4%”, ka thënë në fund kryeministri Albin Kurti.

  • Ende s’dihet zyrtarisht cilat projekte “preken” nga masat e BE-së

    Ende s’dihet zyrtarisht cilat projekte “preken” nga masat e BE-së

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Që nga korriku, Qeveria nuk e ka treguar numrin e projekteve të cilat ndikohen nga masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian. Listën potenciale me projektet të cilat mund të zvarriten si pasojë e pezullimit të bashkëpunimit financiar mes Kosovës dhe BE-së, nuk e ka as Komisioni për Integrime Evropiane.

    “Qysh kur Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ne e kemi thirrë për raportim zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi, por ai nuk ka treguar për listën e projekteve. Pastaj ne i jemi drejtu edhe përmes një emaili, por nuk ka përgjigje, pra qe 2-3 muaj nuk kemi listë. Po presim këto ditë”, tha Rrezarta Krasniqi, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane.

    Kryetarja e Komisionit për Integrime thotë se Kosova ka humbur shumë me vendosjen e masave ndëshkuese.

    “Megjithëse nuk kemi një listë zyrtare, ka shumë projekte që preken, Kosova ka humbur shumë”, tha Krasniqi.

    Masat ndëshkuese, krahas suspendimit të vizitave bilaterale, përfshijnë ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA.

    Ndërkohë, më shumë se 62 milionë Euro është vlera e përgjithshme e mjeteve financiare që BE-ja u zotua t’i ndajë për Kosovën, në fund të vitit të kaluar, në kuadër të Instrumentit të Para Anëtarësimit – IPA III.

    Një pjesë e këtyre parave janë të dedikuara për përmirësimin e mjedisit, infrastrukturën për trajtimin e ujërave të zeza dhe energjinë e gjelbër.
    Në kuadër të mjeteve të zotuara, në vlerë 1 miliard euro për Ballkanin Perëndimor për adresimin e krizës energjetike, BE-ja tashmë ia ka ndarë Kosovës 67.5 nga 75 milionë Eurot e fazës së parë.

    Sipas dokumentit të Bashkimit Evropian, që e posedon ATV-ja, 55 milionë euro të tjera, fonde që aktualisht janë të suspenduara, janë të planifikuara për dy projekte të energjisë solare: parkun foto-voltaik të KEK-ut dhe atë të Termokosit për ngrohjen e kryeqytetit.

    Një projekt tjetër që mund të zvarritet është salla koncertale në Prishtinë.

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Vendimi i apelit për rastin e 11 vjeçares, kush e shkroi një shkresë anglisht që viktima e përktheu

    Vendimi i apelit për rastin e 11 vjeçares, kush e shkroi një shkresë anglisht që viktima e përktheu

    Në vendimin e Gjykatës së Apelit të siguruar nga ATV-ja përveç shkeljeve esenciale që kolegji në përbërje prej tre gjyqtarëve ka gjetur në vendimin e shkallës së parë rreth rikualifikimit të veprave penale, e vërtetimit të fakteve vendimtare, përmendet, edhe se si psikologia kishte ndërhyrë gjatë shqyrtimit gjyqësor pa qenë palë në procedurë.

    Gjykata e shkallës së dytë e ka konsideruar shkelje një rast kur porkurorja kishte lejuar ndërhyrjen e piskologes në rrjedhën e intervistimit të 11 vjeçares.

    Aty përmendet një shkresë në gjuhën angleze, për të cilën nuk dihet kush e ka shkruar, por që e dëmtuara e kishte përkthyer vetë në gjuhën shqipe.

    “Duke i propozuar gjykatës, që të lexohet një shkresë e shkruar në gjuhën angleze nga e dëmtuara, për shkak se njëjta ndjehet më mirë me leximin e kësaj shkrese, sepse është më lehtë për viktimën që të shprehet në gjuhën angleze, në një gjuhë tjetër në mënyrë që të shkëputet nga ngjarja për shkak të traumave që ka përjetuar, dhe këtë arsyetim të psikologes e rrëzon menjëherë e dëmtuara se nuk qëndron ky arsyetim për faktin e thjeshtë vetë e përkthen në gjuhën shqipe”, thuhet në vendimin e Apelit.

    “E dëmtuara e përkthen në gjuhën shqipe dhe këtë rrethanë e lejon prokurorja gjatë marrjes në pyetje, dhe nuk e dijë pse nuk ka reaguar psikologia kur ka filluar e dëmtuara që këtë shkresë ta përkthejë në gjuhën shqipe, kur e ka vërejtur se nuk e paska shqetësuar të dëmtuarën e mitur përkthimi I asaj shkrese, përkundër në qoftë se do të duhej të lexohej një shkresë e tillë ajo duhet lejuar vetëm nëse përpiluesja nuk është e qasshme përkatësisht nuk mund të sigurohet prezenca e saj, apo për arsye tjera, apo për faktin se nuk dihet kush e ka shkruar atë shkresë”, thuhet tutje në vendimin e Apelit.

  • Zija Rexhepi merr drejtimin si drejtor i ATV-së

    Zija Rexhepi merr drejtimin si drejtor i ATV-së

    Gazetari dhe prezantuesi i njohur, Zija Rexhepi, është emëruar drejtor i ATV-së, televizionit më të madh në vend.

    Rexhepi sjell në rolin e tij të ri një përvojë të pasur, të fituar gjatë karrierës në fushën e medias.

    Para emërimit në ATV, Rexhepi ka mbajtur pozita udhëheqëse në Kolegjin AAB, ku vazhdimisht ka dhënë rezultate kulmore. Shkathtësia e tij drejtuese dhe përkushtimi ndaj përsosmërisë njihen mirë brenda industrisë së medias.

    Rrugëtimi i Rexhepit me ATV-në nisi që në fillimet e televizionit, ku kishte kaluar nga RTK.

    ATV-ja është projekt i “Media Invest”, që funksionon mbi themelet e Kolegjit AAB, i cili nëpërmjet Fakultetit të Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë̈, për me shumë se dy dekada me radhë, u ka dhënë mediave në Kosovë profesionistë të spikatur dhe të përkushtuar.

    Për më pak se tri vite që nga themelimi, ATV vazhdon te jetë televizioni më i shikuar në Kosovë.

  • Shumica e grave të punësuara në sektorin privat, nuk i raportojnë ngacmimet seksuale në punë

    Shumica e grave të punësuara në sektorin privat, nuk i raportojnë ngacmimet seksuale në punë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Frika nga largimi i detyroi 69 për qind të grave të mos i raportojnë ngacmimet seksuale në vend të punës. Nga 600 nga të anketuara, 10 për qind e tyre thonë se ishin ngacmuar seksualisht në vend të punës.

    Hulumtimi është kryer nga agjencia konsulente “IDRA” në kuadër të konferencës “Ngacmimi seksual në sektorin privat në Kosovë”.

    Në anën tjetër, punëdhënësit thanë se asnjëherë nuk kanë mbajtur ndonjë trajnim lidhur me këtë çështje.

    Duke qenë të punësuara në pozita më të ulëta se burrat dhe në biznese që udhëhiqen nga burrat, sipas Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, gratë në sektorin privat janë shumë të ekspozuara ndaj ngacmimeve seksuale.

    Sipas hulumtimit, gratë kanë pasur tendencë të besojnë se më tepër ekziston ngacmimi verbal.

  • Rreth 78 milionë euro u shpenzuan në kontrata njëburimore, vitin e kaluar

    Rreth 78 milionë euro u shpenzuan në kontrata njëburimore, vitin e kaluar

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Mbi 67 milionë euro është vlera e kontratave njëburimore, të cilat i ka lidhur Korporata Energjetike e Kosovës vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti.

    Kjo shifër ka tejkaluar vlerën e parashikuar për modernizimin e turbinave të B1 dhe B2 për afro 1.5 milion euro. Sipas një raporti të publikuar nga Demokraci Plus, përpos KEK-ut, institucionet që lidhën më së shumti kontrata njëburimore, gjatë viteve 2019-2023, janë Komuna e Prishtinës, ajo e Gjakovës dhe ajo e Ferizajt.

    Situata konsiderohet alarmante, meqë numri i kontratave është rritur nga viti në vit.

    Një problem tjetër që ndikon në lidhjen e kontratave njëburimore vlerësohet të jenë edhe kapacitetet joadekuate të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

    Në vitin 2022, vlera e shpenzuar në kontrata njëburimore arrinte rreth 78 milionë euro, derisa në vitin 2021 ishte 51 milionë euro.

  • Pushteti nuk ka vota për projektligjin e shëndetit riprodhues

    Pushteti nuk ka vota për projektligjin e shëndetit riprodhues

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Partia në pushtet, ndonëse ka shumicën e mjaftueshme të deputetëve për ta votuar projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
    nuk po arrin ta çojë përpara, meqë pëlqimin për të, nga fillimi nuk e kanë dhënë disa deputetë të saj.

    “Lejon gratë e pamartuara të bëjnë fëmijë, gjithashtu edhe adoleshentët, dhe lejon që meshkujt prej moshës 23-vjeçare të mund të mbesin steril”, tha deputeti i LV-së, Visar Korenica.

    Së paku tre herë në Kuvend ka dështuar votimi në parim i këtij projektligji.
    Në seancën e fundit, atë të së enjtes, ndonëse ishte pikë e rendit të ditës, projektligji u shty për një ditë tjetër.

    Megjithatë, deputetët e pushtetit, sikurse Visar Korenica, do ta votonin në parim projektligjin, por vetëm nëse për votim në lexim të dytë do të ketë ndryshime në disa nene.

    Qëndrim të njëjtë me Korenicën ka edhe Shemsedin Dreshaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Seanca e radhës në të cilën ky projektligj do të jetë sërish në rend dite, nuk është caktuar. Ndërkaq, nëpërmes këtij ligji, Kuvendi po synon që shërbimi i fekondimit artificial të lejohet edhe në sektorin publik.

    Deri tash vetëm klinikat private e kanë ofruar këtë shërbim. Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se tenderi për blerjen e pajisjeve që do të mundësojë realizimin e fertilizimit të asistuar mjekësor, ka dështuar.