ATV

Author: ATVLive

  • Memli Krasniqi reagon ashpër ndaj Beogradit pas sulmeve të fundit në Veri

    Memli Krasniqi reagon ashpër ndaj Beogradit pas sulmeve të fundit në Veri

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se sulmi i të dielës në fshatin Banjskë në veri është sulm direkt ndaj shtetit të Kosovës.

    Në sulmin në Banjskë vdiq një rreshter policor, ndërsa u plagos një polic kufitar.

    Krasniqi në postim në Facebook u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve për vetëpërmbajtje, ndërsa ka ftuar partnerët ndërkombëtarë ta dënojnë sulmin dhe t’i kërkojnë Serbisë ndalimin e ndërhyrjeve në territorin e Kosovës.

    “Jam i tronditur nga lajmi për vrasjen e një pjesëtari të Policisë së Kosovës dhe plagosjen e një tjetri, sot në pjesën veriore të Kosovës. I shpreh ngushëllimet më të thella familjes së policit të rënë në detyrë, ndërsa policit të plagosur i uroj shërim sa më të shpejtë. Sot, në këtë moment të dhembjes, qëndrojmë të bashkuar në përkrahje të policëve tanë, të cilët, përkundër sfidave ditore e sulmeve të bandave kriminale të kontrolluara nga Beogradi, po mbrojnë sovranitetin shtetëror në pjesën veriore të shtetit tonë. Ftoj të gjithë që ta dënojnë fuqishëm këtë sulm kriminal kundër Policisë së Kosovës, që është sulm direkt kundër shtetit të Kosovës. Kërkoj nga organet përgjegjëse që hetimet e plota të bëhen sa më shpejt dhe përgjegjësit të sillen para drejtësisë për të marrë dënimet meritore. Në të njëjtën kohë, apeloj tek të gjithë qytetarët për vigjilencë e vetëpërmbajtje, sepse përshkallëzimi i situatës në veriun e vendit tonë i konvenon vetëm Serbisë dhe bandave kriminale nën kontrollin e saj. Po ashtu, ftoj partnerët ndërkombëtarë të Kosovës që të dënojnë qartë sulmin dhe t’i kërkojnë Serbisë urgjentisht ndalimin e ndërhyrjeve në territorin e Kosovës dhe provokimit të mëtejmë të situatës”, ka shkruar Krasniqi.

  • ​Pjesëtarë të policisë në shtëpinë e rreshterit të ndjerë Bunjaku

    ​Pjesëtarë të policisë në shtëpinë e rreshterit të ndjerë Bunjaku

    Pranë shtëpisë së policit të vrarë, Afrim Bunjaku, po qëndrojnë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

    Në Samadrexhë të Vushtrrisë po vërehen edhe lëvizje të familjarëve të të ndjerit.

    Mësohet se rreshteri i vrarë në orët e para të mëngjesit ka qenë baba i tre fëmijëve.

    50-vjeçari u vra në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, në fshatin Banjska të Zveçanit ku është sulmuar patrulla policore nga grupe kriminale serbe.

    Deri para pak minutash pranë shtëpisë ka qëndruar edhe autoambulanca.

  • ShBA dënon ashpër sulmet ndaj Policisë së Kosovës: Autorët të sillen para drejtësisë

    ShBA dënon ashpër sulmet ndaj Policisë së Kosovës: Autorët të sillen para drejtësisë

    Ambasadori i ShBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka dënuar ashpër sulmet e orkestruara e të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës.

    Reagimi i diplomatit amerikan vjen pasi të dielën, mjë zyrtar i Policisë së Kosovës është vrarë, në veri të Kosovës.

    Po ashtu, sipas Policisë, si pasojë e sulmit është plagosur një zyrtar policor dhe një tjetër është lënduar.

    Hovenier, shkroi se Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

    Ai shtoi se autorët duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi dhe do të sillen para drejtësisë.

    “I shpreh ngushëllimet në emër të Shteteve të Bashkuara familjes për vdekjen e rreshterit të Policisë së Kosovës të vrarë në krye të detyrës”, thuhet në deklaratën e Hovenierit, të cilën e ka shpërndarë në platformën “X”.

  • Vrasja e policit në veri, Balje: Ju jeni heronjtë tanë

    Vrasja e policit në veri, Balje: Ju jeni heronjtë tanë

    Deputetja Duda Balje ka reaguar pas vrasjes së zyrtarit policor në Veri.

    Ajo u ka shprehur ngushëllime familjes së policit të vrarë, teksa të plagosurit i ka uruar shërim të shpejtë.

    “Ngushëllime familjes së policit të vrarė! I lutem Zotit t’ju japë forcë dhe durim. Policit të plagosur u uroj shërim të shpejtë. Ju jeni heronjtë tanë🇽🇰🇽🇰🇽🇰”, ka shkruar ajo në një postim në “Facebook”.

  • Policia e KFOR-i shihen në afërsi të Banjskës

    Policia e KFOR-i shihen në afërsi të Banjskës

    Forca të shtuara të Policisë së Kosovës bashkë me KFOR-in janë parë të stacionuara në rrugën Mitrovicë – Leposaviq, përkatësisht në afërsi të Banjskës.

    E gjithë kjo vjen pasi mbrëmë rreth orës 02:35 të mëngjesit, nga grupe kriminale ka mbetur një polic i vrarë dhe një tjetër i plagosur.

    Sipas policisë, deri te shkëmbimi i zjarrit ka ardhur pasi një grup personash me dy kamionë kanë bllokuar urën që çon në fshatin Banjskë.

    Pas reagimit të tri njësive të policisë, me të hasur në vendin e ngjarjes, të njëjtit janë sulmuar me zollë, granata dore e armë zjarri, ku të shtënat po vazhdojnë akoma.

  • Haradinaj reagon pas ngjarjeve në Veri, ka një kërkesë për organet e rendit dhe një paralajmërin për Serbinë

    Haradinaj reagon pas ngjarjeve në Veri, ka një kërkesë për organet e rendit dhe një paralajmërin për Serbinë

    Kryetari i AAK’së, Ramusha Haradinaj, ka thënë se është i tronditur nga vrasja e një polici në Veri dhe plagosja e një tjetri.

    Ai ka thënë se ky sulm terrorist është goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.

    Haradinaj ka shkruar se Beografi duhet të “heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë”.

    “Ky sulm terrorist është goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon! Beogradi duhet që urgjentisht të heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë. Është investuar shumë për paqen dhe askush nuk do të lejohet ta rrezikojë atë”, ka shkruar Haradinaj.

    Haradinaj ka ftuar organet e rendit, KFOR’in dhe aleatët e sigurisë që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për ta zbardhur këtë situatë dhe për të sjellë autorët para drejtësisë.

    “Ftoj organet tona të rendit për bashkërendim të veprimeve me KFOR dhe aleatët tanë të sigurisë të prirë nga Amerika, dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për ta zbardhur gjithë këtë situatë dhe për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit e këtij akti. Rendi dhe ligji s’ka alternativë! Ngushëllime për familjen e policit që humbi jetën dhe shërim të shpejtë për policin e plagosur!”

  • Vrasja dhe plagosja e policëve në Leposaviq, Osmani e ndërpret vizitën në Nju Jork: Sulme të organizuara nga Serbia

    Vrasja dhe plagosja e policëve në Leposaviq, Osmani e ndërpret vizitën në Nju Jork: Sulme të organizuara nga Serbia

    Zyra e Presidencës ka reaguar pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Veri, ku u vra një polic dhe një tjetër u plagos.

    Osmani ka thënë se ky sukm është i planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe.

    “Vrasja e një polici dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës, e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës.”

    Ajo ka thënë se këto sulme e dëshmojnë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia.

    “Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po e destabilizojnë Kosovën dhe rajonin.

    Osmani ka thënë se sulmet kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ajo ka deklaruar se pret që aleatët ta dënojnë “agresionin e hapur të Serbisë ndaj Kosovës” dhe “ta mbështesin Kosovën në përpjekjen e saj për vendosjen e rendit dhe ligjit si dhe ruajtjen e sovranitetit në çdo pjesë të Republikës së Kosovës.”

    Presidentja ka shprehu ngushëllim familjes së policit të vrarë dhe ka thënë se autorët nuk do të mund t’i ikin drejtësisë.

    “Familjes së policit të vrarë ju shprehim ngushëllime të thella dhe i sigurojmë se autorët e këtyre akteve terroriste nuk do të mund t’i ikin drejtësisë. Ftoj të gjithë qytetarët, institucionet dhe subjektet politike që të qëndrojnë të bashkuar në këtë kohë kur po sfidohet hapur integriteti territorial, siguria dhe sovraniteti i Republikës sonë. Si Presidente e Republikës kam besimin e plotë në djemtë dhe vajzat tona nga Policia e Kosovës”.

    Osmani ka anuluar të gjitha aktivitetet e parapara për të hënën dhe të martën në Neë York, dhe qysh sot do të niset për në Kosovë.

  • Tensionet në Veri| Mbyllet pika kufitare në Bërnjak

    Tensionet në Veri| Mbyllet pika kufitare në Bërnjak

    Pika kufitare në Bërnjak është mbyllu për hyrje nga Serbia.

    Mbyllja e kësaj pike vjen pas rritjes së tensioneve në veri të vendit, ku në orët e mëngjesit u vra një polic i Kosovës dhe u plagos një tjetër nga grupe kriminale.

    Në lidhje me këtë, kanë reaguar të gjithë liderët e shtetit, ku e kanë dënuar si akt dhe kanë bërë thirrje që kryesit e kësaj vepre të dalin para drejtësisë.

  • Ky është polici nga Samadrexha e Vushtrrisë që u vra në veri

    Ky është polici nga Samadrexha e Vushtrrisë që u vra në veri

    Siç raportohet, Afrim Bunjaku, nga fshati Samadrexhë e Vushtrrisë, është rreshteri që mbet i vrarë sot pas sulmit nga persona të armatosur në Leposaviq.

    Kurti e ka konfirmuar vrasjen e Bunjakut, mirëpo ia kishte shkruar vetëm inicialet A.B. pa ia përmendur emrin e plotë.

    “Policia e Kosovës e ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B. Polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë. Ngushëllime familjes dhe të gjithëve për policin tonë të vrarë. Shërim të shpejtë e të plotë policit të plagosur.”

    Përveç Bunjakut, nga ky sulm ka mbetur i plagosur edhe një polic tjetër.

    Pak më parë, Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin dhe ka thënë se prej grupit të armatosur ka të shtena armësh kohë pas kohe.

  • Reagon Konjufca për vrasjen e policit: Sulm i strukturave të drejtuara nga Serbia

    Reagon Konjufca për vrasjen e policit: Sulm i strukturave të drejtuara nga Serbia

    Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka reaguar pas vrasjes së një polici dhe plagosjes së një tjetri në veri të vendit, për të cilin tha se është sulm terrorist i strukturave kriminale të drejtuara nga Serbia.

    Konjufca tha se ky është një sulm i drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues të Kosovës, veprimeve për rend e ligj por edhe cenim i sovranitetit dhe sigurisë së vendit.

    “Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këtë agresion të hapur kundrejt Kosovës”.

    “Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së policit të vrarë, ndërsa policit të plagosur shërim sa më të shpejtë”, tha Konjufca.

    Tutje, ai kërkoi që autorët e këtij krimi urgjentisht të sillen para drejtësisë, teksa ftoi institucionet e drejtësisë të veprojnë menjëherë.