ATV

Author: ATVLive

  • Gjendet trupi i pajetë i edhe një sulmuesi të dyshuar në veri

    Gjendet trupi i pajetë i edhe një sulmuesi të dyshuar në veri

    Prokuroria e Kosovës ka konfirmuar të hënën se e ka gjetur trupin e pajetë të edhe një sulmuesi të dyshuar në veri të vendit, duke e çuar në katër numrin e sulmuesve të vrarë.

    Trupi i pajetë është gjetur rreth 1.5 kilometra larg “vendit të incidentit”, një ditë pasi një grup prej dhjetëra personave të armatosur e sulmuan Policinë e Kosovës.

    Lajmi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga prokurori Naim Abazi.

    “Jemi duke bërë përpjekje ta identifikojmë atë për momentin, pasi nuk kishte dokumente identifikimi me vete”, tha Abazi.

    Abazi tha se, po ashtu, është në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një automjet tjetër me armatim.

    Policia e Kosovës u sulmua nga persona të maskuar në orët e hershme të së dielës pasi shkoi për t’i larguar barrikadat e vendosura në Banjskë, të cilët u strehuan në manastirin e fshatit më vonë.

    Si pasojë, zyrtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra dhe disa të tjerë u plagosën.

    Të dielën, autoritetet kosovare thanë se tre sulmues u vranë gjatë sulmit, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, u arrestuan.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të dielën se një “formacion terrorist dhe kriminal prej 30 vetave” mori pjesë në sulm.

    Gjendja në veri të Kosovës të hënën është e qetë, por qasja për në fshatin Banjskë në Komunën e Zveçanit është ende e mbyllur nga policia e Kosovës, pas sulmit vdekjeprurës të së dielës nga persona të armatosur dhe maskuar.

    Njësia Speciale e Kosovës e ka vendosur një automjet të blinduar dhe vetura të tjera në kryqëzimin Ballaban, i cili dërgon në Banjskë.

    Duke folur në një konferencë për gazetarë, Kurti i përshkroi sulmuesit e armatosur si “një njësi e organizuar profesionale, që ka ardhur për të luftuar në Kosovë”.

    Ai i bëri thirrje grupit që t’iu dorëzohet autoriteteve kosovare.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”.

    Vuçiq e dënoi vrasjen e policit të Kosovës, duke thënë se ajo “nuk mund të justifikohet”, por mohoi se Beogradi kishte ndonjë lidhje me sulmin.

  • Vajza e policit të vrarë në Veri prek me fjalët për babain: Vendin tënd në shtëpi nuk e zëvendëson askush

    Vajza e policit të vrarë në Veri prek me fjalët për babain: Vendin tënd në shtëpi nuk e zëvendëson askush

    “Vendin tënd në shtëpi nuk e zëvendëson askush”, janë fjalët e vajzës së policit të vrarë dje në Veri të Kosovës, Afrim Bunjaku, të cilat i tha në mbledhjen komemorative në nderim të veprës së tij.

    Arbenita Bunjaku, 25 vjeçarja tutje vazhdoi duke thënë se “Ti flijove vetën për liri për këtë vend që ne dhe Kosova të jemi krenar me ty”.

    Polici i vrarë pas vetes ka lënë përveç vajzës edhe dy djemë dhe gruan.

  • Ambasadori gjerman: Athua a do të na bashkohet Lista Serbe kundër sulmit vrastar ndaj Policisë së Kosovës?

    Ambasadori gjerman: Athua a do të na bashkohet Lista Serbe kundër sulmit vrastar ndaj Policisë së Kosovës?

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i është drejtuar Listës Serbe, duke pritur një rreshtim të tyre kundër sulmit të djeshëm terrorist në Kosovë.

    Nga ky sulm terrorist mbeti i vdekur polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërkaq u plagos një dhe u lënduan dy persona.

    “Sikurse krejt bota, edhe Kisha Ortodokse Serbe dënon ngjarjet e djeshme: Athua a do ta ndërpresë heshtjen e saj Lista Serbe dhe të na bashkohet në qëndrimin tonë të qartë kundër këtij sulmi vrastar ndaj Policisë së Kosovës?”, ka shkruar Rohde në platëformën “X”.

  • Osmani e nderon me urdhrin “Hero i Kosovës” Afrim Bunjakun: Sulmi kishte për qëllim destabilizimin e rajonit

    Osmani e nderon me urdhrin “Hero i Kosovës” Afrim Bunjakun: Sulmi kishte për qëllim destabilizimin e rajonit

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se ka ndarë urdhrin post-mortum “Hero i Kosovës”, për policin e vrarë, Afrim Bunjaku, raporton Ekonomia Online. Ajo tha se Bunjakut, ka qenë gardian i sigurisë se Kosovës e prej sot është heroi Kosovës.

    E para e shtetit pohoi se heroizmi Bunajkut do të jetë frymëzim për të gjithë, duke bërë thirrje që të jemi të bashkuar, kundër terrorizmit.

    Osmani shtoi se sulmi i djeshëm kishte për qëllim që ta destabilizonte jo vetëm Kosovën, por edhe të gjithë rajonit. “Ra në mbrojte të dinjitetit të Republikës sonë, andaj sot në emër të qytetarëve tanë do t’i ndaj urdhrin, post-mortom, urdhrin më të lartë të Kosovës. Dje u sfiduan nga banda terroriste të dirigjuara nga Beogradi dhe ai bëri ata që duhet, mbrojte integritetin territorial dhe vuri dinjitetin”.

    “Ai tregoi trimëri të pa shoq. Heroizmi i tij lë të na frymëzoj që të jemi të gjithë të bashkuar, kundër terrorizim. Republikën e Kosovës nuk do të arrij askush ta gjunjëzoj deri sa Kosova ka heronj si Afrim Bunjaku”, tha ajo.

  • Çfarë po ndodh në veri, a pati incidente tjera? – Tregon gazetari i ATV-së direkt nga vendi i ngjarjes

    Çfarë po ndodh në veri, a pati incidente tjera? – Tregon gazetari i ATV-së direkt nga vendi i ngjarjes

    Policia e Kosovës edhe gjatë ditës së sotme është duke punën në hapësirat e Manastirit në Banjskë dhe për rreth saj, raporton gazetari i ATV-së, FATLUM Jashari, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, nga vendi i ngjarjes.

    Informacionet jozyrtare na thonë se Policia gjatë kryerjes së hetimeve sot ka hasur sërish në një makinë me armatim, por që saktësisht nuk e dihet lokacioni i makinës që është gjetur me armatim dhe municione.

    Paraprakisht, Policia e Kosovës mbrëmë deri orët e vona ka vazhduar punën për bartjen e automjeteve nga Banjska në drejtim të kampit të njësisë speciale në Mitrovicë të Jugut në kampin Belvedere, atje ku më vonë do të bëhet ekspozimi i të gjitha mjeteve të konfiskuara, të cilat janë përdorur nga grupi terrorist në sulmin ndaj Policisë së Kosovës.

    Në mesin e tyre janë parë edhe në fotografi që janë shfaqur, është një autoblindë, një mjet i blinduar që është i tipit policoro-ushtarak, por në këtë rast ngjan më shumë në atë të policisë edhe për shkak të ngjyrës së kaltër që ka.

    Po ashtu janë edhe një mori automjetesh të njohura si xhip, të cilat janë bartuar nga Banjksa dhe janë dërguar në bazën e njësisë speciale.

    Njësoj do të bëhet prezantimi i tyre bashkë me një sasi armatimi dhe municioni të cilat janë gjetur në Manastirin e Banjskës dhe hapësirat për rreth dhe po ashtu edhe armatimi dhe municionet që janë gjetur dje në afërsi të fshatit Rudar, bashkë me radiolidhjet, me ç’rast ishin arrestuar katër persona të cilët ishin duke i bartuar ato mjete e që dyshohet se të njëjtit janë të ndërlidhur me grupin terrorist që kanë sulmuar Policinë e Kosovës. /atvlive.tv

  • Dugolli: Vuçiqi nuk u distancua, ai përkrahu dhe u solidarizua me grupin terrorist

    Dugolli: Vuçiqi nuk u distancua, ai përkrahu dhe u solidarizua me grupin terrorist

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, në emisionin A LIVE në ATV, tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, edhe pse mundohej të distancohet dhe fajin t’ua hedh serbëve të Kosovës, ai prapë nuk u distancua, por përkundrazi përkrahu dhe u solidarizua me aksionin e grupit terrorist.

    “Vuçiqi ndonëse në një far forme u distancu, mundohej të distancohej nga veprimi i djeshëm, por ai nuk u distancu, por përkundrazi e përkrahu aksionin e u solidarizu, por deshi prapë të instrumentalizojë qytetarët serbë të Mitrovicës dhe të veriut të Kosovës, deshi t’i instrumentalizojë, pra fajin t’ua hedh atyre. Nuk kishte të bënte asgjë me qytetarë, ata ishin njerëz të stërvitur, të uniformuar me pajisje dhe armatim ushtarak, pra një demamtim i plotë i asaj që mundohej që Vuçiqi të paraqiste, e diçka që ka ndodh dhe ua ka prishë planet edhe Vuçiqit edhe Serbisë është se fatbardhësisht, qytetarët serbë, të cilat dua t’i falënderoj, dua t’ua njoh këto merita, nuk iu bashkëngjitën aksionit, gjë që ata kanë llogaritë, edhe ky grupi terrorist edhe Serbisë, kanë llogaritur që qytetarët serbë do t’i mbështesin këto veprime të këtij grupi terrorist gjë që nuk ndodhi”, tha Dugolli.

    Ai tha se ky ishte një skenar i Serbisë dhe Vuçiqit, i cili përfundimisht dështoi.

    “Pa dyshim se një skenar i Serbisë, i Vuçiqit dështoi përfundimisht, pra ishte një skenar të cilin e ka përgatitur, e ka planifiku dhe ekzekutu Serbia Zyrtare sepse është e pamundur që një
    formacion i tillë me kaq arsenal të madh të armatimit dhe pajisjeve të ketë pasur mundësi të zhvillohet në Kosovë pa mbështetjen dhe direktivat nga Serbia Zyrtare”, vlerësoi Dugolli. /atvlive.tv

  • Rashiq: Vuçiqi s’mund të thotë asnjë fjali pa gënjyer e manipuluar

    Rashiq: Vuçiqi s’mund të thotë asnjë fjali pa gënjyer e manipuluar

    Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq ka folur për sulmet e së dielës ndaj policisë së Kosovës, në Banjskë të Zveçanit.

    Rashiq në TV Nova theksoi se nata në Banjskë ka kaluar e qetë.

    “Askush nuk e di se çfarë mund të ndodhë më pas. Dje ka pasur një lloj formacioni paraushtarak që veproi në një mënyrë që, së pari, për mendimin tim është absolutisht jonormale. Është e sigurt që hetimet për autorët do të vazhdojnë, ju e dini që ishin rreth tridhjetë të tillë, gjë që më tej çon në faktin se do të ketë tension dhe se qytetarët do të jenë nën presionin jo vetëm afër Banjskës por edhe në të gjitha vendet e tjera ku jetojnë serbët”, tha Rashiq.

    Rashiq theksoi se e ka ndjekur dje konferencën për shtyp të presidentit Aleksandar Vuçiq. Sipas tij, Vuçiqi nuk mund të thotë asnjë fjali pa thënë gënjeshtra, insinuata dhe manipulime.

    “E pashë për herë të parë dhe u konfirmua edhe një herë që presidenti Vuçiq nuk mund të thotë asnjë fjali të zgjatur pa thënë gënjeshtra të rënda, insinuata dhe manipulime. Nuk ka thënë asgjë, e shihni vetë se çfarë do të thotë, fajëson serbët e Kosovës, distancohet prej tyre. Gjithashtu, ajo që besohet se është informacion i pakonfirmuar dhe e marr me pak kripë, besohet se prej disa muajsh ka një kamp që shërben për të rekrutuar ata të rinj, le ta quajmë, kampe ilegale afër Rashkës. Besohet se janë paguar për këtë, nuk e di kush e ka organizuar, por jam i sigurt se nëse ka një gjë të tillë, jam i sigurt se autoritetet e rendit në Serbi do ta dinin. Ndoshta nuk mund të organizoheni, sepse thuhet se në ato rekrutime, në ato trajnime të policisë ushtarake kanë qenë 300 veta, pa e ditur strukturat e sigurisë në Serbi”, tha Rashiq dhe shtoi se nëse Vuçiq dinte gjithçka, si të mos dinte për ngjarjet në fshatin Banjskë.

    Në Kosovë është shpallur ditë zie, vendimi është marrë nga presidentja Vjosa Osmani në shenjë respekti për policin e vrarë në afërsi të Banjskës. Presidentja e Kosovës, në përputhje me kushtetutën, ka vendosur që e hëna e 25 shtatorit të shpallet ditë zie kombëtare për nder të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të Kosovës, njoftoi Presidenca e Kosovës.

  • “Dyshohet se ka armatim”- prokurori i rastit në veri tregon se çfarë është duke u hetuar

    “Dyshohet se ka armatim”- prokurori i rastit në veri tregon se çfarë është duke u hetuar

    Prokurori special i rastit në veri, Naim Abazi, ka bërë të ditur se janë duke u lokalizuar disa shtëpi dhe automjete në Banjskë të Zveçanit, nën dyshimin për armatim.

    Prokurori Abazi, për “Betimi për Drejtësi” ka thënë se aksioni është ende në procedurë dhe se po merren edhe disa veprime shtesë, sikurse është identifikimi i personave të tjerë që kanë bashkëpunuar në rast.

    “Jemi në atë drejtim, tu punu hala në atë drejtim, për me mujt me identifiku edhe persona tjerë që janë të përshirë në këtë aktivitet kriminal”, ka thënë Abazi.

    Gjithashtu Abazi bëri të ditur se janë sekuestruar edhe disa kamera në lokacionin e manastirit lidhur me këtë ngjarje.

    “Jemi tu i identifiku edhe kamerat dhe lokacionet e ndryshme po ashtu kemi sekuestruar disa kamera, dëshmitarët jemi tu i identifiku. Janë plotë veprime tjera që ndoshta s’mundem me i listu për shkak të hetimeve që janë tu u bë”, tha tutje prokurori Abazi.

    Më tej, Abazi ka deklaruar se nga Prokuroria Speciale do të parashtrohen edhe kërkesa për paraburgime.

    “Po patjetër, po, po do të ketë veprime dhe do të ketë kërkesa që do të adresohen edhe përmes gjykatës edhe veprime tjera”, ka thënë prokurori Abazi.

    Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, mbrëmë ka njoftuar 6 persona janë ndaluar për përfshirje në sulmin ndaj Policisë, dyshohen për vepra terroriste në Banjskë të Komunës së Zveçanit.

  • Kolgeci: Gjendja e policit Alban Rashiti është stabile, do të lirohet për në shtëpi

    Kolgeci: Gjendja e policit Alban Rashiti është stabile, do të lirohet për në shtëpi

    Gjendja e policit të plagosur në veri, Alban Rashiti është stabile dhe i njëjti gjatë ditës do të lirohet për në shtëpi, raporton EO.

    Këtë e ka konfirmuar drejtori i Kirurgjisë Torakale, njëherësh edhe doktori i cili e pranoi në spital, Nazmi Kolgeci.

    Sipas tij, pacienti është operuar dhe ka marrë trajtimet e nevojshme në Klinikën e Kirurgjisë, në QKUK.

    “Për fat të mirë gjendja është e mirë dhe ne për pak presim ta lirojmë prej spitalit. Dje unë kam qenë në kujdestari dhe e kam pranuar policin, i cili ka ardh me lëndime me armë zjarri, në regjionin e krahun e majtë dhe regjionin e toraksit të majtë”.

    “Pas pranimit e kemi bërë edhe intervenimin kirurgjik, ku është bërë heqja e predhës metalike që ka qenë në anën e majtë të gjoksit”.

    “Trajtimi kryesor është trajtimi kirurgjik, pastaj është bërë trajtimi me medikamentozë që është akoma duke vazhduar deri tash kur po flasim”.

  • Kuvendi anulon mbledhjen e kryesisë dhe të komisioneve

    Kuvendi anulon mbledhjen e kryesisë dhe të komisioneve

    Me kërkesën e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, mbledhja e Kryesisë, e paraparë për sot, anulohet.

    Kjo është bërë sipas vendimit të presidentes Vjosa Osmani-Sadriu, për shpalljen e zisë shtetërore në Republikën e Kosovës, ditën e hënë.

    Kuvendi ka hequr nga njoftimet edhe dy komisione të cilat janë paraparë të mbahen sot.