ATV

Author: ATVLive

  • Nis vaksinimi kundër gripit sezonal

    Nis vaksinimi kundër gripit sezonal

    Përgatiti: Sara Shehu

    Në ditën e parë të nisjes së vaksinimit kundër gripit sezonal, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë kishte interesim nga qytetarët për t’u vaksinuar.

    “Çdo gjë ke shkëlqyeshëm, e mora vaksinën, s’më ra as me pritë. A në vitin e kalum s’e kom marr vaksinën kundër gripit, i kom ra pishman se m’ka mundu shumë gripi”, tha Musa Prevlukaj, pacient.

    “E mora vaksinën pa problem, kujdesi super, s’pata as dhimbje as kurrgjë”, tha Nazmi Binaku, pacient.
    Sipas drejtoreshës në Njësinë e Vaksinimit në QKMF, Xhevahire Canolli, deri në orët e pasdites së kësaj të hëne, janë vaksinuar mbi 50 qytetarë, kryesisht të moshuar.

    “Sot ka filluar procesi i vaksinimit kundër gripit sezonal këtë vit, sikurse edhe vitin e kaluar procesi i vaksinimit do të jetë lehtësisht i arritshëm nga qytetarët. Me qenë se qytetarët do të kenë mundësi që këtë shërbim përveç në Qendrën Kryesore të QKMF-së, ta marrin edhe në 13 qendra të tjera të Mjekësisë Familjare, duke përfshirë këtu edhe qendrën e re që gjendet në lagjen Veternik. Më shumë se 50 qytetarë kanë marr vaksinën. Vaksinimi kundër gripit sezonal u rekomandohet grupeve në rrezik të lartë, siç janë personat e moshuar mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike të zemrës, mushkërive, me diabet, grave shtatzënë, fëmijëve të vegjël nën 5 vjeç, si dhe personelit shëndetësor”, tha Canolli.

    Përveç Prishtinës, procesi i vaksinimit kundër gripit sezonal ka filluar edhe në komunat e tjera. Derisa për këtë proces, Ministria e Shëndetësisë konfirmon për ATV-në, se janë siguruar mbi 85 mijë vaksina.

    “Ministria e Shëndetësisë, përmes UNICEF-it, ka siguruar 85.500 vaksina kundër gripit sezonal për qytetarët. Ndërkohë, kostoja e këtyre vaksinave është 556.379.63 USD”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

    Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u është bërë apel qytetarëve, që të vaksinohen në mënyrë që gripi të shmanget më lehtë.

  • BE-ja pret bashkëpunim pa kushte nga Serbia, paralajmëron pasoja

    BE-ja pret bashkëpunim pa kushte nga Serbia, paralajmëron pasoja

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Serbia, sipas Bashkimit Evropian, nuk mund të fshihet prapa mos-njohjes së Kosovës për të penguar kompletimin e hetimit për sulmin terrorist të 24 Shtatorit në Banjskë, në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

    Duke e njohur si zyrtar hetimin e Policisë së Kosovës, të mbështetur nga EULEX-i, BE-ja u përgjigj për refuzimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për bashkëpunim me Kosovën, me pretekst mosnjohjen.

    “Ne presim nga Serbia, jo vetëm bashkëpunim të plotë, por gjithashtu bashkëpunim të pakushtëzuar. Nëse ka vullnet, ka rrugë. S’ka nevojë askush të fshihet prapa formaliteteve të njohjes ose jo-njohjes, ka mjaftueshëm mënyra për të ndarë gjetjet, për të bashkëpunuar, për të kontribuuar në hetimin e plotë, sepse ajo që ndodhi më 24 shtator ishte shumë serioze dhe ka nevojë të qartësohet tërësisht. Sepse do të ketë pasoja. Prandaj duhet të hetohet tërësisht”, tha zëdhënësi i BE-së për Politike të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

    Teksa theksoi se rezultati i hetimit do të përcaktojë hapat e mëtejmë dhe qasjen e BE-së ndaj Serbisë, Kosovës dhe dialogut, zëdhënësi Stano kërkoi që të dyja shtetet të bëjnë gjithë çfarë është e mundur për deeskalim të shpejtë.

    “Mesazhi nga Përfaqësuesi i Lartë, nga shtetet anëtare, por dhe partnerët ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, është që të kthehen në dialog. Kjo është rruga e vetme e mundshme për ta zgjidhur problemin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kthimi në dialog, është pa mëdyshje mesazhi për të dyja palët, duhet të ktheheni në dialog, ndryshe nuk do të zgjidhni problemet”, tha Stano.

    Vendosja e sanksioneve ndaj Serbisë, procedurë e cila kërkon unanimitet të plotë brenda BE-së, është përjashtuar si mundësi, për shkak të refuzimit të Hungarisë.

    Mundësi mbesin masat politike dhe ekonomike, si nivel më i ulët i ndëshkimit.

    Përkundër raportimeve se ka një pako masash të përgatitur kundër Serbisë, BE-ja ende nuk ka njoftuar ndonjë vendim lidhur me këtë.

    Krerët shtetërorë të Kosovës e kanë bërë të qartë pozicionin se nuk do të kthehen në dialogun e Brukselit, pa ndëshkimin e Serbisë për përgjegjësinë e saj në atë që e vlerësojnë “akt agresioni, nëpërmjet sulmit terrorist-paramilitar” të 24 Shtatorit.

  • Dëshmon ish-gazetari Nebojsa Radoseviq, pretendon se u ndalua nga UÇK-ja

    Dëshmon ish-gazetari Nebojsa Radoseviq, pretendon se u ndalua nga UÇK-ja

    Përgatiti: Nora Luta

    Pa ndonjë përvojë në gazetari Nebojsha Radosheviq, kishte nisur rrugëtimin e tij në këtë fushë nga raportimi për luftën në Kosovë.

    Radosheviq, dikur gazetar i Tanjugut, agjenci e lajmeve në Serbi, është ulur në bankën e dëshmitarit këtë të hënë, për të dëshmuar në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

    Prokuroria pretendon se ai ishte ndaluar nga disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur gjatë luftës së fundit po udhëtonte me fotoreporterin Vladimir Dobriçiq, që ishte i dyshuar edhe për krime lufte në Kroaci.

    “Janë mbajtur të ndaluar në 4 vende për 41 ditë, përfshirë edhe një vend në Sedllar, ajo që ai beson se është Kleçka. Gjatë kësaj kohe një anëtar i UÇK-së ia ka vendosur një armë në gojë dhe ai ka pasur logon e UÇK-së. Ai është kërcënuar me thikë dhe ai dëgjonte dy policë serbë që bërtisnin, sepse po i rrihnin. Radosevic dhe Dobricic janë dënuar, sepse kanë udhëtuar në territorin e UÇK-së pa leje dhe pa verifikim dhe u dënuan me 60 ditë burgim”, tha prokurori Andrew Boyle.

    Por, në pyetjen e mbrojtjes së Hashim Thaçit, Radosheviq pranoi se automjeti i tyre nuk kishte pasur logo identifikuese të ndonjë mediumi. Avokati Gregory Keohe vuri në pikëpyetje përvojën e Radosheviqit si gazetar, pasi ai e kishte braktisur shkollimin, dhe kishe ardhur në Kosovë në kohën kur ishin shtuar luftimet.

    “Ata ju punësuan si reporteri i vetëm në Prishtinë, në vend që të punësonin dikë që kishte përvojë në gazetari? Pse automjeti ku ishit ju dhe Dobiqiq nuk kishte shenjë identifikuese si medium”, tha Keohe.

    “Thjesht nuk e kishim dhe jo çdo automjet ka një shenjë në të”, tha Radosheviq.

    “Po, pajtohem me ju. Nuk kisha përvojë, por mësova”, tha me tej Radosheviq.

    “A kishte punuar Dobricic për shërbimin informativ serb, siç kishte bërë në Bosnjë e Kroaci, e të dhënat e tij ishin si fotoreporter për Tanjugun për të fshehur identitetin?”, tha Keohe.

    “Jo, nuk është e vërtetë për mua, për atë nuk më intereson”, u përgjigj Radosheviq.

    Dëshmitari e pranoi se një prokuror serb ishte prezent gjatë kohës që Radosheviqit ishte marrë në pyetje në Hagë në vitin 2019, teksa refuzoi të tregonte nëse ishte përpjekur ta fshihte identitetin e tij.

    “Ama kur ju ndaloi UÇK-ja, u përpoqët ta fshihni identitetin e juaj. Ama fakt është se kur shkuat në pikën e kontrollit kur patë ushtarët e UÇK-së, ju i thatë Dobricicit të ikte me vrap”, pyeti Keohe.
    “Nuk është e vërtetë, iu thamë jemi gazetarë. I thashë të kthehej mbrapa”, ishte përgjigja e Radosheviq.

    Por Radosheviq, dëshmitari i 28-të në këtë gjykim, ka thënë se nuk ishte në dijeni se Dobriçiqi ishte i përfshirë në krime lufte.

    Ai punoi si gazetar deri në vitin 2021 për KosovoOnline, e cila, sipas mbrojtjes së Thaçit, financohet nga qeveria e Serbisë.

    Dëshmia e tij do të vazhdojë gjatë kësaj jave, ku do të merret në pyetje nga ekipet e tjera të mbrojtjes.

  • Nga nesër Turqia merr komandën e KFOR-it

    Nga nesër Turqia merr komandën e KFOR-it

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Si njëra ndër shtetet me më së shumti forca të diskoluara në Kosovë, Turqia nga nesër do ta marrë edhe udhëheqjen e KFOR-it.

    Özkan Ulutaş, nga e marta do ta zëvendësojë paraardhësin e tij, Angelo Michele Ristuccia, si komandant i KFOR-it.

    Megjithatë, marrja e komandës nga një shtet mik i Kosovës, sipas njohësve të sigurisë, nuk përbën ndonjë favor për vendin, pasi KFOR-i vepron me të njëjtin mision.

    Pasi tha se nacionaliteti nuk përbën dallim, profesori i lëndëve të sigurisë Fatmir Çollakaj vlerëson se rëndësi ka profili i komandantit.

    Pas zhvillimeve të fundit në veri, specifikisht sulmi terrorist në Banjskë, KFOR-i ka rritur praninë e tij në Kosovë.

    Vetëm sot edhe 200 ushtarë nga Britania kanë arritur në Kosovë për ta përforcuar misionin e KFOR-it, ndërkohë që forca ushtarake erdhën edhe nga Rumania.

  • Nisin negociatat, ky është shteti që po ndërmjetëson mes Izraelit dhe Hamasit

    Nisin negociatat, ky është shteti që po ndërmjetëson mes Izraelit dhe Hamasit

    Ministria e Jashtme e Katarit ka konfirmuar për agjencinë e lajmeve Reuters se po ndërmjetëson ndërmjet organizatës ushtarako-politike palestineze Hamas dhe Izraelit.

    Përmendet se palët ndërluftuese mund të shkëmbejnë të burgosurit.

    “Jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha palët. Prioriteti ynë është ndalimi i gjakderdhjes, lirimi i të burgosurve dhe parandalimi i përhapjes së konfliktit”, tha të hënën zëdhënësi i Ministrisë, Majed Al-Ansari.

    Negociatat, Katari i ka zhvilluar në koordinim me SHBA-në që nga mbrëmja e së shtunës.

  • Netanyahu zotohet se do ta “ndryshojë Lindjen e Mesme” në luftën me Hamasin

    Netanyahu zotohet se do ta “ndryshojë Lindjen e Mesme” në luftën me Hamasin

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do ta “ndryshojë Lindjen e Mesme” në lutën e shtetit të tij me grupin militant palestinez, Hamas, përderisa ushtria e tij po vazhdon ta sulmojë nga ajri Rripin e Gazës.

    “Ajo se çfarë do të përjetojë Hamasi do të jetë e vështirë dhe e tmerrshme… ne do ta ndryshojmë Lindjen e Mesme”, u tha Netanyahu zyrtarëve nga jugu i shtetit, ku militantët e Hamasit kryen një sulm të befasishëm mëngjesin e 7 tetorit.

    “Ky është vetëm fillimi… ne do t’i mposhtim ata me forcë, me forcë të jashtëzakonshme”, shtoi ai.

    Militantët e Hamasit hynë në qytete dhe komunitete në jug të Izraelit mëngjesin e së shtunës, teksa nga Gaza u lëshuan breshëri raketash në territorin e Izraelit.

    Ky është sulmi më vdekjeprurës që Izraeli ka përjetuar në dekada.

    Izraeli u kundërpërgjigj duke kryer sulme intensive ajrore në Rripin e Gazës, i cili që nga viti 2007 kontrollohet nga Hamasi.

    Mbi 700 persona janë vrarë në Izrael që kur Hamasi nisi sulmet më 7 tetor. Ndërkaq, në Rripin e Gazës është raportuar se të paktën 560 persona janë vrarë. /rel

  • Ambasadori Hovenier: “Asociacioni të bëhet urgjentisht, por me kufizime”

    Ambasadori Hovenier: “Asociacioni të bëhet urgjentisht, por me kufizime”

    Themelimi i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe “duhet të ndodh urgjentisht”, ka thënë ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

    Në një intervistë me prestiogjiozen ndërkombëtare “Bloomberg”, Hovenier ka thënë se formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe është një kërkesë e kahmotshme e ShBA-ve.

    Ai tha se komuniteti serb në Kosovë “ka një numër shqetësimesh dhe Asociacionin e shohin si një mënyrë që ndihmon në adresimin e atyre kërkesave”.

    Megjithatë, Hovenier theksoi se një Asociacion i tillë nuk duhet të përmbajë kompetenca ekzekutive dhe “duhet të ketë kufizime, sepse ne besojmë se pa këto kufizime mund të bëhet diçka problematike ose burim destabiliteti”.

    Në lidhje me sulmet e grupit paramilitar në Banjskë që u udhëhoqën nga terroristi Millan Radoiçiq, dhe marrjen e përgjegjësisë për sulmet terroriste nga ky i fundit, Hovenier u shpreh se “nuk besoj se këto do të jenë fjalët e fundit mbi këtë [çështje]”.

    “Ne jemi në dijeni se ai ka thënë se e ka bërë këtë vetë. Ne nuk besojmë se kjo do të jetë fjala përfundimtare për këtë [çështje]”, tha Hovenier. “Puna duhet të vazhdojë për të përcaktuar përgjegjësin përfundimtar”.

  • Dëgjohen sirenat në të gjithë Jerusalemin, Hamasi lëshon sërish raketa

    Dëgjohen sirenat në të gjithë Jerusalemin, Hamasi lëshon sërish raketa

    Krahu i armatosur i Hamasit ka konfirmuar se ka lëshuar raketa drejt Jerusalemit, raporton Reuters.

    Hamasi tha se lëshoi raketa në përgjigje të bombardimeve të ushtrisë izraelite.

    CNN, ashtu si The Guardian raportuan para pak çastesh se “sirenat po dëgjohen tani në të gjithë Jerusalemin”.

    Ekipet e CNN në Jerusalem dëgjuan një seri shpërthimesh menjëherë pasi u aktivizuan sirenat.

    Luftimet po vazhdojnë, ndërkohë që raportohet për të paktën 800 izraelitë të vrarë deri më tani, dhe 2,400 të plagosur.

  • Shqipëri, inflacioni në shtator 4.1 për qind

    Shqipëri, inflacioni në shtator 4.1 për qind

    INSTAT raportoi se në muajin shtator 2023, inflacioni (çmimet e konsumit) shënoi 4.1 për qind ose 0.1 për qind më lart se në gusht.

    Kjo ngritje në Shqipëri, u nxit nga çmimet më të larta të ushqimeve, karburanteve dhe shërbimeve arsimore.

    Krahasuar me muajin shtator 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 7,9%, pasuar nga grupet “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 5,4%, “Argëtim dhe kulturë” me 4,9%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,7%, “Veshje dhe këpucë” me 3,2%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,1%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,0%, “Shërbimi arsimor” me 2,3%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,1%, “Shëndeti” me 1,4% dhe “Komunikimi” me 1,1%. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 7,2%.

    Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 24,1%, pasuar nga nëngrupet “mish” me 9,4%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 8,3%, “fruta” me 7,5%, “peshk” me 4,2%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 3,3%, “bukë dhe drithëra” me 2,1%, etj.

    Krahasuar me muajin gusht 2023, çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” u rritën me 1,7%, pasuar nga çmimet e grupit “Transporti” me 1,3%, “Argëtim dhe kulturë” me 1,2%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,1%, “Veshje dhe këpucë” me 0,8%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,4%, “Shëndeti” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,3% secili dhe “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,2%, transmeton ATSh.

    Rritja vjetore e çmimeve në muajin shtator është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +2,80 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,41 pikë përqindje.

  • ​Federata Evropiane e Boksit do të bëjë dokumentar për Donjeta Sadikun

    ​Federata Evropiane e Boksit do të bëjë dokumentar për Donjeta Sadikun

    Donjeta Sadiku është njëra nga boksierët më të suksesshme të Kosovës ndër vite.

    Ajo në karrierën e saj ka tituj të shumë vendor dhe ndërkombëtar, në mesin e të cilave edhe dy herë si kampione ballkanike.

    Për të arriturat e saj, Federata Evropiane e Boksit do të realizojë një dokumentar.

    Lajmin e ka bërë të ditur Federata e Boksit të Kosovës në njoftimin e lëshuar për vizitën që Presidenti i Federatës Evropiane të Boksit,

    “Ju njoftojmë se nesër më 10 tetor 2023 në ora 11:00 në Shtëpinë e Sporteve në Prishtinë, Federata e Boksit do të organizojë konferencë me rastin e arritjes së Presidentit të Federatës Evropiane të boksit EUBC z. Ioannis Filippatos me ekipin e tij, i cili ka ardhë të vizitojë Federatën e Boksit të Kosovës dhe njëherit ekipi i tij do të bëjë një film dokumentar me boksieren Donjeta Sadiku dhe për arritjet e boksit Kosovar.”, thuhet në njoftimin e Federatës së Boksit.