ATV

Author: ATVLive

  • Osmani pritet të takohet me liderët e Kroacisë, kjo është agjenda e saj

    Osmani pritet të takohet me liderët e Kroacisë, kjo është agjenda e saj

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka udhëtuar dje për në Kroaci për një vizitë zyrtar dyditore me ftesë të homologut të saj kroat, Zoran Milanoviç.

    Osmani përveç Zagrebit, do të vizitoj edhe Karllovacin dhe Rijekën, thuhet në njoftimin e presidencës kroate

    Osmani do të takohet sot me homologun e saj për të vazhduar pastaj edhe me kryetarët e Kuvendit të Kroacisë dhe të Qeverisë së Republikës së Kroacisë.

    Gjatë qëndrimit të saj në Kroaci, ndër të tjera e para e vendit do të takohet edhe me pjesëtarët e komunitetit shqiptar që jetojnë në Kroaci.

    Sipas njoftimit, udhëheqësit e të dyja shteteve do të diskutojnë për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës, situatën politike dhe të sigurisë në Evropën Juglindore, ngjarjet aktuale në veri të Kosovës dhe perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës dhe vendeve të tjera të Evropës Juglindore.”, njofton presidenca kroate.

    “Kroacia mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë mbështetjen për dhënien e statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.”, thuhet në njoftimin e presidencës.

    “Presidenti Milanoviç tashmë u ka bërë thirrje publikisht anëtarëve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë. Dhe në fjalimin e tij të fundit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, presidenti Milanoviç theksoi se Kroacia mbron njohjen universale të Republikës së Kosovës dhe të drejtën e saj për të ekzistuar si anëtare e barabartë e bashkësisë së kombeve.”, përfundon njoftimi i presidencës.

    Ndërkaq, Presidentja Osmani është shprehur e lumtur që po e nis këtë vizitë.

    “E lumtur që filloj vizitën time zyrtare në Republikën e Kroacisë, një nga aleatët më të vendosur të vendit tonë”, ka shkruar presidentja në X.

  • MPJD: Tetë kosovarë largohen nga Izraeli, në pritje edhe shtatë të tjerë

    MPJD: Tetë kosovarë largohen nga Izraeli, në pritje edhe shtatë të tjerë

    Tetë shtetas të Kosovës, që kanë kërkuar ndihmë në Ambasadën e Kosovës në Jerusalem, janë larguar nga territori i Izraelit, tha Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.

    “Ndërkohë, në Ambasadën e Republikës së Kosovës janë lajmëruar edhe shtatë shtetas të tjerë me të cilët Ambasada është në komunikim të vazhdueshëm për t’i ofruar zgjidhje. Të lajmëruarit janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore”, tha MPJD.

    Sipas MPJD-së, nga informacionet e deritanishme nuk raportohet se ndonjë shtetas i Kosovës është vrarë apo plagosur gjatë përleshjeve që po vazhdojnë mes forcave izraelite dhe militantëve palestinezë të Hamasit.

    Militantët e Hamasit nisën një sulm të befasishëm më 7 tetor ndaj Izraelit. Ky i fundit u kundërpërgjigj me sulme ajrore në Rripin e Gazës.

    Deri më tani është raportuar se mbi 700 persona në Izrael janë vrarë, ndërkaq në Gaza është raportuar për të paktën 560 viktima.

    Një ditë më herët, autoritetet në Shqipëri bënë të ditur se 40 shqiptarë, në mesin e tyre dy shtetas të Kosovës, u evakuuan nga Izraeli.

    MPJD u bëri thirrje shtetasve të Kosovës që kanë nevojë për ndihmë të kontaktojnë në numrin emergjent të Ambasadës së Kosovës në Izrael: +9720586340450

  • ​SHBA, Britania e Madhe dhe aleatët dënojnë sulmin e Hamasit, mbështesin Izraelin

    ​SHBA, Britania e Madhe dhe aleatët dënojnë sulmin e Hamasit, mbështesin Izraelin

    Udhëheqësit e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë lëshuan një deklaratë të përbashkët të hënën duke dënuar sulmin e grupit palestinez Hamas ndaj Izraelit dhe shprehën mbështetjen e tyre për Tel Avivin.

    “Sot, ne…shprehim mbështetjen tonë të palëkundur dhe të bashkuar për Shtetin e Izraelit dhe dënimin tonë pa mëdyshje të Hamasit dhe akteve të tij të tmerrshme të terrorizmit,” thanë ata, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    “Ne e bëjmë të qartë se veprimet terroriste të Hamasit nuk kanë asnjë justifikim, nuk kanë legjitimitet dhe duhet të dënohen universalisht. Nuk ka asnjë justifikim për terrorizmin. Ditët e fundit, bota ka parë me tmerr se si terroristët e Hamasit masakruan familjet në shtëpitë e tyre. masakruan mbi 200 të rinj që shijonin një festival muzikor dhe rrëmbyen gra të moshuara, fëmijë dhe familje të tëra, të cilët tani po mbahen si pengje”, thuhet në deklaratë.

    Udhëheqësit përsëritën gjithashtu mbështetjen e tyre për Izraelin në përpjekjet e tij për të mbrojtur veten.

    “Ne theksojmë më tej se ky nuk është një moment që asnjë palë armiqësore ndaj Izraelit të shfrytëzojë këto sulme për të përfituar.

    “Të gjithë ne njohim aspiratat legjitime të popullit palestinez dhe mbështesim masa të barabarta drejtësie dhe lirie për izraelitët dhe palestinezët. Por mos bëni gabim: Hamasi nuk përfaqëson ato aspirata dhe nuk ofron asgjë për popullin palestinez përveç më shumë terror dhe gjakderdhje”, thuhet në deklaratë.

    “Gjatë ditëve në vijim, ne do të mbetemi të bashkuar dhe të koordinuar, së bashku si aleatë dhe si miq të përbashkët të Izraelit, për të siguruar që Izraeli të jetë në gjendje të mbrojë veten dhe përfundimisht të vendosë kushtet për një rajon paqësor dhe të integruar të Lindjes së Mesme”, thuhet në deklaratë.

  • “Dardanët” zhvillojnë sot stërvitjen e parë për sfidën me Andorran

    “Dardanët” zhvillojnë sot stërvitjen e parë për sfidën me Andorran

    Kosova do ta vazhdojë rrugëtimin në fazën e grupeve të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian Euro 2024 me ndeshjen e radhës, atë kundër Andorras në udhëtim.

    “Dardanët”, nën urdhrin e tranerit Gliha do ta zhvillojnë sot stërvitjen e parë në Kampion Nacional në Hajvali me fillim nga ora 11:30, raporton KosovaPress.

    Për këtë ballafaqim nuk do të jenë në dispozicion Shkëlqim Vladi dhe Ismajl Beka, kurse në dyshim është anësori Edon Zhegrova.

    Ndeshja ndërmjet Andorras dhe Kosovës do të zhvillohet më 12 tetor.

  • Aftësitë e inteligjencës izraelite vihen në dyshim, pas sulmit nga Hamasi

    Aftësitë e inteligjencës izraelite vihen në dyshim, pas sulmit nga Hamasi

    Për palestinezët në Gaza, Izraeli nuk ua ndan tyre sytë kurrë. Dronët vëzhgues gumëzhijnë nga qielli vazhdimisht. Kufiri tejet i sigurt është i mbushur me kamera të sigurisë dhe me ushtarë në tokë. Agjencitë e inteligjencës i përpunojnë burimet dhe i përdorin aftësitë kibernetike për të nxjerrë shumë informacione.

    Por, duket se sytë e Izraelit ishin mbyllur para sulmit të papritur befasues të grupit militant, Hamas, i cili i theu pengesat në kufirin izraelit dhe i dërgoi qindra militantë brenda Izraelit për ta kryer një sulm të madh gjatë të cilit u vranë qindra njerëz dhe e shtynë rajonin drejt konfliktit.

    Agjencitë e inteligjencës së Izraelit e kanë fituar një aureolë të pathyeshmërisë në dekadat e fundit, për shkak të një sërë arritjesh. Izraeli i ka parandaluar komplotet në Bregun Perëndimor, i ka përndjekur gjoja agjentët e Hamasit në Dubai dhe është akuzuar se ka vrarë shkencëtarë bërthamorë të Iranit në zemër të Iranit. Madje edhe kur përpjekjet e tyre kanë ngecur, agjencitë si Mossad, Shin Bet dhe inteligjenca ushtarake e kanë ruajtur misterin e vet.

    Por, sulmi i së shtunës, i cili e zuri Izraelin të papërgatitur në një festë të madhe hebraike, e vë në dyshim këtë reputacion dhe ngre pikëpyetje për gatishmërinë e vendit përballë një armiku më të dobët, por të vendosur.

    Rreth 24 më vonë, militantët e Hamasit po i vazhdojnë betejat me forcat izraelite brenda tokës Izraelite, ndërsa qindra izraelitë janë rrëmbyer nga Hamasi dhe po mbahen në Rripin e Gazës.

    “Ky është një dështim i madh”, tha Yaakov Amidror, ish-këshilltar për siguri kombëtare i kryeministrit Benjamin Netanyahu.

    “Ky sulm, në fakt, dëshmon se aftësitë [e inteligjencës] në Gaza nuk ishin të mira”.

    Amidror nuk deshi ta shpjegojë këtë dështim, duke thënë se mësimet duhet të mësohen kur të qetësohen gjërat.

    Admirali Daniel Hagari, zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, e pranoi se ushtria është e detyruar të shpjegohet para popullit, por tha se tani nuk është koha.

    “Së pari, ne luftojmë, e pastaj hetojmë”, tha ai.

    Disa thonë se është tepër herët të fajësohet vetëm inteligjenca. Ata e theksojnë një valë të dhunës së vogël në Bregun Perëndimor e cila i ka zhvendosur disa burime ushtarake atje dhe kaosin politik që e ka kapluar Izraelin, për shkak të vendimeve të Qeverisë së ekstremit të djathtë të Benjamin Netanyahut për ta ndryshuar gjyqësorin. Plani kontrovers i Netanyahut e ka kërcënuar unitetin e ushtrisë së fuqishme të Izraelit.

    Megjithatë, mungesa e papritur e informacioneve paraprake rreth planit të Hamasit për të sulmuar me shumë gjasë do të shihet si fajtori kryesor për ngjarjet që çuan drejt sulmit më vdekjeprurës kundër Izraelit në dekadat e fundit.

    Izraeli i tërhoqi trupat dhe ardhësit nga Rripi i Gazës në vitin 2005, duke mos pasur më informacione nga afër të ndodhive në këtë territor. Por, madje edhe pasi Hamasi e mori Gazën nën kontroll më 2007, Izraeli kishte përparësinë, duke përdorur inteligjencën teknologjike dhe njerëzore.

    Izraeli pretendonte se i dinte vendndodhjet e sakta të liderëve të Hamasit dhe sikur e dëshmoi këtë kur i vrau liderët militantë, nganjëherë derisa ata po flinin në dhomat e tyre. Izraeli ka ditur ku t’i sulmojë tunelet nëntokësore të përdorura nga Hamasi për lëvizjen armëve dhe luftëtarëve, duke shkatërruar rrugëkalime të fshehta me kilometra të gjata.

    Me gjithë këto aftësi, Hamasi ia doli ta mbante të fshehtë planin. Sulmi i furishëm, për të cilin me gjasë janë dashur muaj të tërë planifikimi dhe stërvitje të përpikta dhe ku janë përfshirë shumë grupe militante, duket se nuk është vërejtur fare nga radari i inteligjencës izraelite.

    Amir Avivi, një gjeneral i pensionuar izraelit, tha se duke mos pasur qasje brenda Gazës, shërbimet e sigurisë së Izraelit janë varur shumë nga mjetet teknologjike për të siguruar informacione të inteligjencës.

    “Pala tjetër mësoi se si të merret me mbizotërimin tonë teknologjik dhe ata nuk e përdorën më teknologjinë e cila mund të jetë e diktueshme”, tha Avivi.

    “Ata janë kthyer në Epokën e Gurit”, tha ai, duke shpjeguar se militantët nuk i kanë përdorur telefonat apo kompjuterët dhe se punën e ndjeshme e kanë kryer në dhoma të cilat janë ruajtur në veçanti nga spiunimi teknologjik, ose janë futur thellë nën tokë.

    Por, Avivi thotë se dështimi është më i madh se thjesht mbledhja e informacioneve të inteligjencës dhe se shërbimet e sigurisë së Izraelit dështuan ta nxjerrin një përfundim të saktë me informacionet e inteligjencës që po i merrnin, duke e keqkuptuar qëllimin e Hamasit.

    Shërbimet e sigurisë së Izraelit e kanë parë Hamasin në vitet e fundit si një grup të interesuar në qeverisje, i cili do kërkonte ta zhvillonte ekonominë e Gazës dhe ta përmirësonte standardin e jetesës për popullsinë prej 2.3 milionë të Gazës.

    Avivi dhe të tjerët thonë se e vërteta është se Hamasi, i cili bën thirrje për shkatërrimin e Izraelit, ende e sheh këtë si qëllim kryesor të vetin.

    Në vitet e fundit, Izraeli i ka lejuar deri në 18.000 punëtorë palestinezë nga Gaza të punojnë në Izrael, ku ata mund të fitojnë pagë rreth 10 herë më të lartë se në enklavën e varfër bregdetare. Shërbimet e sigurisë e kanë parë ketë si një mënyrë për ta ruajtur qetësinë.

    “Në praktikë, qindra nëse jo mijëra burra të Hamasit e përgatitën këtë sulm befasues për disa muaj, pa lejuar që ai të zbulohej”, shkroi komandanti i mbrojtjes Amos Harel për të përditshme Haartez.

    “Rezultati është katastrofë”, shtoi ai.

    Aleatët, të cilët i shkëmbejnë informacionet e inteligjencës me Izraelin, thanë se agjencitë e inteligjencës e kishin keqinterpretuar realitetin.

    Një zyrtar i inteligjencës egjiptiane tha se Egjipti, i cili shpesh shërben si ndërmjetësues mes Izraelit dhe Hamasit, kishte folur vazhdimisht me Izraelit për “diçka të madhe”, pa shpjeguar më shumë.

    Ai tha se zyrtarët izraelitë ishin përqendruar në Bregun Perëndimor dhe nuk i kishin kushtuar rëndësi kërcënimit nga Gaza.

    Qeveria e Netanyahut përbëhet nga përkrahësit e ardhësve hebrenj në Bregun Perëndimor, të cilët kanë kërkuar reagime të ashpra nga forcat e sigurisë ndaj një vale në rritje të dhunës atje në 18 muajt e fundit.

    “Ne i kemi paralajmëruar ata se një situatë e tillë do të shpërthente, shumë shpejt, dhe se do të ishte diçka e madhe. Por, ata i nënvlerësuan këto paralajmërime”, tha zyrtari, i cili foli në kishte anonime për shkak se nuk ishte i autorizuar të fliste në media për përmbajtje të ndjeshme të inteligjencës.

    Izraeli ka qenë, po ashtu, i zënë dhe i ndarë nga plani i Netanyahut për ndryshimin e gjyqësorit. Netanyahu ishte paralajmëruar vazhdimisht nga shefat e mbrojtjes, si dhe nga disa ish-liderë të agjencive të inteligjencës së Izraelit, se plani i tij ndarës po krijonte ndasi në shërbimet e sigurisë së vendit.

    Martin Indryk, i cili shërbeu si i dërguar special për bisedimet izraelito-palestineze gjatë Administratës së Barack Obamas, tha se ndarjet e brendshme për ndryshimet në gjyqësor ishin faktor i rëndësishëm që ndikuan që Izraeli të zihej i papërgatitur.

    “Kjo i shqetësoi Forcat e Sigurisë së Izraelit dhe bëri që ato ta humbnin përqendrimin”, tha ai. /AP/REL

  • “Atë kurrë s’duhet me e ftu, hiç”- Prepolli i ashpër me lojtarin e Malishevës që refuzoi të luajë për Kosovën U21

    “Atë kurrë s’duhet me e ftu, hiç”- Prepolli i ashpër me lojtarin e Malishevës që refuzoi të luajë për Kosovën U21

    Analisti i futbollit, Arsim Prepolli, në emisionin EKIPI A në ATV, duke komentuar refuzimin që i ka bërë futbollisti i Malishevës, Drilon Hazrollaj, kombëtares së Kosovës U21, tha se këtë të fundit “kurrë nuk duhet me e ftu në kombëtare”.

    “Duhet me qenë shumë korrekt. Qysh mundesh me i kërku selektorit ‘po vi në kombëtare për me luajt. Është e palogjikshme, e pa kuptueshme, e pa diskutueshme”, tha Prepolli. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Lumi: Dënimi me gjobë nga UEFA do të ishte gjëja më e vogël për ne, nëse do shfaqnim banerë politik kundër Izraelit

    Lumi: Dënimi me gjobë nga UEFA do të ishte gjëja më e vogël për ne, nëse do shfaqnim banerë politik kundër Izraelit

    Gazetari dhe analisti i sportit, Alban Lumi, në emisionin EKIPI A në ATV, tha se në rast se do të shfaqej ndonjë baner politik kundër Izraelit nga tifozët tanë, dënimi me gjobë nga UEFA do të ishte gjëja me e vogël, pasi që sipas tij, do të pësonim shumë si shoqëri.

    “Në këtë rast, dënimi ndoshta do të jetë gjëja më e vogël që ne do të pësojmë një dënim në gjobë për Federatën tonë, por do të pësojmë shumë si shoqëri, pasi që ne duhet që të qëndrojmë indiferent dhe duhet ta dënojmë çfarëdo dhune që vjen nga çdo kush. Ne e dimë vet, që jemi të asaj moshe që kemi përjetu dhunë këtu nga dikush tjetër, nga ajo Serbi që vazhdimisht proklamon banera të tillë”, tha Lumi.

    Ai besoj se një gjë e tillë nuk do të ndodh në stadiumin “Fadil Vokrri”, për shkak se në njërën anë, Dardanët janë grupi i tifozëve që e kanë përkrahur Kosovën në mënyrën më dinjitoze, dhe në anën tjetër policia dhe shërbimet inteligjente nuk do ta lejojnë një gjë të tillë.

    “Po mënoj që rreziqet më të mëdha në këso raste vijnë prej grupeve të organizume dhe grupi me i organizuar i tifozëve të Kombëtares tonë janë Dardanët. Ata vazhdimisht shprehur përkrahjen e tyre për Kosovën në mënyre dinjitoze dhe asnjëherë nuk kanë marrë qoftë edhe vërejtjen më të vogël nga UEFA apo persona përgjegjëse për këtë punë. Mendoj se në këtë pikë jemi mirë. Gjithashtu edhe policia e Kosovës dhe shërbimet tona inteligjente janë në nivel, së paku nga këndi i ynë sa i kemi parë kanë qenë në nivel të tyre dhe nuk besoj se do të lejonin të ndodh një gjë e tillë në stadiumin “Fadil Vokrri”, por gjithsesi ndeshja është e një rreziku të lartë dhe nuk besoj se do të zhvillohet”, theksoi Lumi. /atvlive.tv

  • Shala: Kosova e përgatitur për të ofruar sigurinë e nevojshme në ndeshjen me Izraelin, tani mbetet që UEFA ta caktojë terminin

    Shala: Kosova e përgatitur për të ofruar sigurinë e nevojshme në ndeshjen me Izraelin, tani mbetet që UEFA ta caktojë terminin

    Eksperti i Sigurisë, Drizan Shala, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin EKIPI A në ATV, tha se Institucionet e Kosovës janë të përgatitura që të ofrojnë sigurinë e nevojshme për ndeshjen mes Kosovës dhe Izraelit.

    Ai tha se tani mbetet që UEFA ta japë dritën jeshile se kur do të luhet ndeshja, dhe kjo për shkak të situatës në Izrael që tani është në gjendje lufte.

    “Mund të themi me përgjegjësi të plotë se në rast se planifikon UEFA ta zhvillojë ndeshjen e futbollit në bazë të rrethanave dhe kushteve aktuale në Izrael, sepse lojtarët e të kombëtares së Izraelit, pjesa më e madhe jetojnë dhe vepron në Izrael dhe ku dihet se tani edhe hapësira ajrore është e bllokuar si shkaktarë e shpalljes së gjendjes së luftës atje dhe lëvizja e kombëtares do të jetë bukur shumë më e vështirësuar për të lëvizur në drejtim të Evropës dhe respektivisht për të marrë pjesë në ndeshjen me kombëtaren e Kosovës. Kjo mbetet çështje e UEFA-s për të përcaktuar ndoshta një termin më të ri. Por, çka mund të themi më përgjegjësi të plotë, në aspektin operacional dhe në aspektin e institucional të sigurisë të Republikës së Kosovës, Kosova ka kapacitete të mjaftuara, qoftë ato inteligjente, qoftë ato policore, për të garantuar çdo kombëtare lëvizjen, qëndrimet tyre në Kosovë duke të krijue edhe perimetra të caktuara të Sigurisë”, tha Shala.

    Ai përmendi edhe rastin kur kemi patur të bëjmë me një akt terrorist sa i përket kombëtares së Izraelit në ndeshjen e cila është zhvilluar në Shkodër, akt ky i cili është parandaluar me sukses.

    “Kjo po e dëshmon faktin që në këtë aspekt institucionet e Kosovës të Sigurisë dhe Inteligjencës ka një bashkërendim dhe një bashkëpunim edhe mes shërbimeve të caktuara të rajonit, por njëkohësisht edhe me partnerët tanë strategjikë dhe mbi këtë bazë rrjedha e informacioneve të cilat mund t’i vijnë në drejtim të institucionit të Kosovës për të marrë masa preventive në drejtim të kombëtares së Izraelin, mund të themi me përgjegjësi të plotë që çdo kombëtare, respektivisht edhe Izraeli që do të vijë në territorin e Kosovës do të ketë sigurinë maksimale të ofruar nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës, por njëkohësisht duke u mbështetur edhe nga Shërbimi apo Agjencioni Kosovar i Inteligjencës për të garantuar një rrjedhje të mirë të kësaj loje nga ndikimi i mundshëm të ndonjë aktiviteti terrorist në drejtim të tyre”, tha Shala. /atvlive.tv

  • Muaji i tetë, infermierët pa shtesa të rrezikshmërisë

    Muaji i tetë, infermierët pa shtesa të rrezikshmërisë

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Së paku pesë ditë të javës, Afërdita Xhelili-Dervishaj, punën e saj e ushtron e rrethuar nga aparate me radioaktivitet.

    Mirëpo, për këtë rrezikshmëri në vendin e punës, kryeteknikja që punon në mjekësinë nukleare të QKUK-së, ka më shumë se tetë muaj që nuk merr shtesa.

    “Ne jemi një departament që ka rrezikshmëri mjaft të madhe, pasi që ka mjete radioaktive dhe është problem shumë i madh, ne kemi bërë kërkesa që të ketë më shumë numër të stafit, por që këto kërkesa nuk na janë përfillur. Ne si repart, si klinikë kemi një rrezikshmëri të madhe. Nuk është mirë dhe nuk është jetike që një infermier të qëndrojë gjatë me një vend radioaktiv, kështu që mungesa e stafit na bën që të qëndrojmë më gjatë dhe të kryejmë punë përtej normës që na takon neve”, tha Xhelili-Dervishaj.

    Xhelili-Dervishaj, po ashtu, kërkon që orët shtesë dhe puna në ditë feste të paguhen ekstra pagës që marrin.

    “Të paguhen festat, të paguhen vikendet, për shkak që ne infermierët dalim me orë më tepër, edhe pse e kemi pushimin dy ditë, ne dalim me orë shtesë që nuk paguhemi dhe nuk kemi asnjë beneficion tjetër më tepër”, tha Xhelili-Dervishaj.

    Hallin e njëjtë, si të Xhelili-Dervishajt, e ka edhe nënkryetari i sindikatës së QKUK-së, Agron Kryeziu.

    “Ka tetë muaj që infermierëve nuk u janë paguar shtesat e rrezikshmërisë në punë dhe kjo është për t’u çuditur, ne e kemi marrë që 22 vite rrezikshmërinë, ne nuk e dimë arsyen pse është ndalë shtesa e rrezikshmërisë, prej momentin që ka hyrë në fuqi Ligji i Pagave, rrezikshmëria nuk është paguar”, tha Agron Kryeziu, nënkryetar i sindikatës së QKUK-së.

    Nga Ministritë kompetente nuk kanë kthyer përgjigje për ATV-në në lidhje me këtë çështje.

    Për këtë të hënë, disa infermierë kishin paralajmëruar një protestë pikërisht për mosekzekutimin e shtesave të rrezikshmërisë, mirëpo ajo është anuluar.

  • Interesimi i lartë për mamografi krijon tollovi në QKMF

    Interesimi i lartë për mamografi krijon tollovi në QKMF

    Përgatiti: Sara Shehu

    Deri në dy orë shumë gra kanë pritur për të kryer Mamografinë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

    “Vallahi shqetësuese janë këto tollovi, se boll frika e sëmundjes, plus këto pritje po janë stresuese. Tu u kanë n’ketë gjendje po duhet me menu për pritje për me kry mamografinë”, thotë një paciente.

    Radiologu Hamit Sahiti, i cili është edhe përgjegjës i shërbimit të radiologjisë në Nivelin e Kujdesit Parësor në Kryeqytet, thotë se gratë vetëm gjatë muajit tetor interesohen për kryerjen e Mamografisë.

    “Kemi fluks të lartë të pacientëve për të kryer mamografinë, por që nuk domethënë mamografia me u kry vetëm këtë muaj pasi ne e ofrojmë edhe muajve të tjerë, por që interesimi nuk është i njëjtë, nga 1 tetori deri sot janë bërë 160 mamografi”, tha Sahiti.

    Ndryshe, Drejtoria e Shëndetësisë në Prishtinë, gjatë tërë muajit tetor, do të ofrojë mamografi falas në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, atë të lagjes “Dardani dhe në QMF “Veternik”.

    Në kuadër të muajit rozë në Komunën e Prishtinës, por edhe komunat e tjera janë mbajtur aktivitete të ndryshme për ndërgjegjësim ndaj kancerit të gjirit.