ATV

Author: ATVLive

  • ​Tirana e veshur me flamujt e BE-së, këngë e valle popullore në Samitin e Berlinit

    ​Tirana e veshur me flamujt e BE-së, këngë e valle popullore në Samitin e Berlinit

    Kanë mbetur një orë që nga fillimi i punimeve të Samitit të Berlin, i cili për herë të parë po mbahet jashtë vendeve të BE-së, konkretisht në Shqipëri.

    Tirana është veshur me flamujt e Bashkimit Evropian. Teksa mësohet se veç takimeve zyrtare liderët evropianë do të priten me disa element surprizë, tradicionalë, si këngë e valle popullore.

    Piramida do të jetë mjedisi kryesor ku do të zhvillohen aktivitetet, që nisin në orën 11 të mëngjesit të 16 tetorit e përfundojnë në orën 19:30. Në hyrje të piramidës është vendosur edhe tabela e Samitit ku do të realizohet fotoja e përfaqësuesve të BE-së, me mikpritësin Edi Rama.

    Samiti do të hapet me fjalën e kryeministrit Rama, kancelarit gjerman Olaf Scholz, presidentes së Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen dhe presidentit të këshillit të BE-së, Charles Michel.

    Më tej do të ketë dy forume pune me tematikë integrimin e rajonit në tregun unik me BE dhe sfidat e mundësitë për investime e rritje në Ballkan. Në drekën e punës të planifikuar në orën 14 do të diskutohet mbi marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

    Pasditja e të hënës do të jetë edhe më ceremoniale me hapjen zyrtarisht të piramidës e cila do të shoqërohet me vizita në godinë e shfaqje të një video të transformimit të piramidës.

    Në agjendë planifikohet edhe një konferencë e përbashkët për shtyp mes Ramës, kancelarit Scholz dhe presidentes së KE-së, Von der leyen; që pas samitit të BE-së, në 6 dhjetor e shndërrojnë sërish Tiranën si kryeqytetin evropian me Samitin e Berlinit.

    Në samit pritet të nënshkruhen disa marrëveshje që kryesisht lidhen me zhvillimin ekonomik të rajonit.

  • ​Sot ditëlindja e Enver Hoxhës, çfarë dihet për fëmijërinë e tij

    ​Sot ditëlindja e Enver Hoxhës, çfarë dihet për fëmijërinë e tij

    Enver Hoxha ishte djalë i një familjeje modeste gjirokastrite. Ai besohet se ka lindur më 16 tetor 1908 në lagjen Palorto, në familjen e Halil dhe Gjyle Hoxhës. Pavarësisht se 16 tetori ishte festa e ditëlindjes së tij, kërkimet dokumentare për të janë të rrëmujshme.

    Në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, për Enver Hoxhën, janë shënuar 5 ditëlindje të ndryshme. Regjistri i bashkisë Gjirokastrës, nr. 6, fleta 75 shënimet për lagjen “Teqe-Meçite-Hazmurat”, shënon se Enver Hoxha, ka lindur më 12 maj 1908.

    Shënimi sqaron se prindërit e tij janë Halil (babai) dhe Gjylo (nëna)”. Në Liceun e Korçës, Hoxhës i janë shënuar dy ditëlindje: 17 qershor dhe 3 tetor (vitet 1929 e 1930).

    Në Francë, figuron me ditëlindje 3 tetor ndërsa gazeta “Bashkimi” 1946 vendoste si ditëlindje 3 shtatorin. 16 Tetori, ditëlindja që ai festonte vetë u bë publike në gazetën Bashkimi më 16 tetor 1947. Por këto të dhëna s’kanë luajtur ndonjë rol në biografinë e tij. Janë me gjasë produkt i kaosit që shoqëronte Shqipërinë në atë kohë.

    Ai kishte një vëlla më të madh të quajtur Beqir, i cili vdiq në moshë të re nga tuberkulozi, dhe tre motra Fahrien, Haxhon dhe Sanijen.

    Enver Hoxha e kaloi fëmijërinë dhe adoleshencën e tij në dy qytete të Shqipërisë, në Gjirokastër dhe në Korçë.

    Gjirokastra luajti rol pothuajse modest në formimin e tij, ndërsa Korça është qyteti ku ai u formua vërtet. Transferimi i Hoxhës në Korçë ndodhi në mbarim të vitit të dytë liceal.

    Në tetor 1930, Enver Hoxhës iu dha një bursë nga qeveria e Zogut për të studiuar biologji në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Montpeljesë, Francë.

    Në korrik të vitit 1936, Enver Hoxha kthehet përfundimisht në Shqipëri. Për disa ai drejtoi Shqipërinë me nder për 40 vite, kurse për pjesën tjetër, Hoxha sundoi Shqipërinë gjatë kësaj periudhe. Ai ishte kryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura nga viti 1944 deri në vdekjen e tij.

    Ai shërbeu si kryeministër i Shqipërisë, 1944-1954 dhe në kohë të ndryshme ka shërbyer si ministër i jashtëm dhe si ministër i mbrojtjes.

    Vitet e fundit të jetës ishin rënduar për Hoxhën për shkak të diabetit që i ishte diagnostikuar shumë vite më parë. Fillimi i prillit do të shënojë edhe fundin e jetës së tij. Pasi i janë paralizuar këmbët edhe goja, pëson një ishemi më 9 prill 1985 vdes më 11 prill 1985.

  • 99 goditje me kamxhik, nga Irani reagojnë për dënimin e mundshëm të Ronaldos

    99 goditje me kamxhik, nga Irani reagojnë për dënimin e mundshëm të Ronaldos

    Ditët e fundit ka pasur shumë raportime rreth Cristiano Ronaldos. Shkak për këtë ishin raportimet e mediave se superylli do të dënohet me 99 goditje me kamxhik sapo të shkelë në tokën iraniane.

    Kjo për arsye se portugezi përqafoi një grua në udhëtimin e tij të fundit në Iran. Kjo konsiderohet tradhti bashkëshortore në këtë vend mysliman dhe mediat kanë dhënë versione të ndryshme, duke aluduar edhe në një nisje zyrtare të hetimeve rreth kësaj çështje, përcjellë KosovaPress.

    Por, ambasada iraniane në Spanjë tani ka hedhur poshtë të gjitha raportet dhe ka folur qartë rreth kësaj situate duke mohuar se ka pasur një vendim të gjykatës për këtë çështje.

    “Ne mohojmë rreptësisht se ka pasur një vendim gjykate kundër një atleti ndërkombëtar në Iran”, shkroi ambasada në rrjetet sociale.

    Nga ana tjetër, ish-sulmuesi i Real Madridit dhe Manchester United asnjëherë nuk i ka komentuar këto raportime.

  • Mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    1 mijë e 406 gjoba trafiku janë shqiptuar në 24 orët e fundit në vendin tonë.

    Sipas statistikave të përgjithshme të policisë, gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur 22 aksidente me të lënduar dhe 23 me dëme materiale.

    Në 24 orët e fundit janë arrestuar edhe shtatë persona dhe shtatë janë dërguar në mbajtje.

  • Vdes Martti Ahtisaari

    Vdes Martti Ahtisaari

    Ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari, është ndarë nga jeta, në moshën 86-vjeçare.

    Njoftimi u bë nga Presidenca finlandeze.

    Ahtisaari ishte njeriu kyç që ndërmjetësoi në bisedimet për statusin e Kosovës, e cila u kurorëzua me pavarësinë e bazuar në planin e tij.

    Ahtisaari ishte fitues i Çmimit Nobel për Paqe, në vitin 2008.

    Ahtisaari shërbeu në pozitën e presidentit të Finlandes nga viti 1994 deri në vitin 2000.

    Gjatë karrierës, Ahtisaari shërbeu edhe në disa pozita të rëndësishme në Ministrinë e Jashtme të këtij vendi si dhe në OKB.

    I pikëlluar për vdekjen e 86 vjeçarit u shpreh edhe presidenti aktual i Finlandes Sauli Niinisto.

    “Marti Ahtisaari besonte në njerëzit, qytetërimin dhe mirësinë, dhe ai jetoi një jetë të mrekullueshme, të jashtëzakonshme. Ai ishte presidenti i kohërave të ndryshimit, i cili e çoi Finlandën në epokën globale të BE-së”, tha ai.

    Së fundi, ai ishte mënjanuar nga jeta publike, pasi vuante nga sëmundja e Alzheimerit.

  • Samiti i Berlinit: Kurti sot do të takohet me kancelarin Scholz

    Samiti i Berlinit: Kurti sot do të takohet me kancelarin Scholz

    Sot në Tiranë, do të mbahet Samiti i Berlinit.

    Aty do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

    Është paralajmëruar edhe një takim mes tij dhe kancelarit të Gjermanisë Olaf Scholz.

    Ndërkaq të dielen kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, deklaroi se në këtë samit nuk do të diskutohet rreth agresionit të Serbisë mbi Kosovë, të kryer më 24 shtator.

    Ai tha se hapësira për diskutim të hapur mes të pranishmëve është e programuar, dhe se nuk është një samit i cili merr përsipër të gjejë zgjidhje për probleme lidhur me çështjen e Banjskës, por janë probleme që trajtohen dhe duhet të zgjidhen nën ombrellën e BE-së.

  • U vetaksidentua duke punuar me traktor, vdes një person në Novobërdë

    U vetaksidentua duke punuar me traktor, vdes një person në Novobërdë

    Dy persona janë vetaksidentuar teksa punonin me traktor, ku njëri ka humbur jetën, ndërkaq tjetri ka pësuar lëndime trupore.

    Bëhet e ditur se vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërkaq i lënduari është dërguar në emergjencën e Gjilanit.

    “Është raportuar se dy viktima meshkuj kosovarë derisa kanë qenë duke punuar me traktor dyshohet se kanë humbur kontrollin dhe kanë shkaktuar vet-aksident dhe si pasojë kanë pësuar lëndime me ç’rast njëri nga ta ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa viktima tjetër në emergjencën e Gjilanit”.

    “Lidhur me rastin vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor. Me vendim të prokurorit trupat e pajetë të viktimave u janë lejuar familjarëve për ceremoni mortore”, thuhet në raport.

  • Von Der Leyen: Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezë, dialogu rruga e duhur për të ardhmen

    Von Der Leyen: Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezë, dialogu rruga e duhur për të ardhmen

    E pyetur për situatën e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen foli në lidhje me Marrëveshjen e Ohrit e cila ishte bazuar në planin franko – gjerman.

    Apeli i saj ishtë që Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezën e dialogut për të normalizuar marrëdhënien,

    “Marrëveshja e Ohrit, është baza për pajtimin nëpërmjet dialogut të BE. Është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezë për të normalizuar marrëdhënien mes tyre dhe kjo është e vetmja mënyrë nëpërmjet dialogut. Kjo është rruga e duhur për të ardhmen. Kosova dhe Serbia do të jenë pjesë e BE. Pra pajtimi angazhimi, bashkëpunimi tërësisht të domosdoshme dhe vendi për ta bërë këtë është dialogu” tha Von Der Leyen.

  • Udhëheqësit e BE-së: Mbështesim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten

    Udhëheqësit e BE-së: Mbështesim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten

    Udhëheqësit kombëtarë të Bashkimit Evropian thanë se mbështesin të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten.

    Sipas tyre kjo e drejtë është në përputhje me ligjin humanitar dhe ndërkombëtar, raporton Al Jazeera.

    “Bashkimi Evropian dënon në termat më të ashpër të mundshëm Hamasin dhe sulmet e tij terroriste brutale dhe pa dallim në të gjithë Izraelin dhe shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetëve”, thuhet në deklaratën e Këshillit Evropian.

    “Nuk ka asnjë justifikim për terrorin. Ne theksojmë fuqimisht të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten në përputhje me të drejtën humanitare dhe ndërkombëtare përballë sulmeve të tilla të dhunshme dhe pa dallim”

    “Ne përsërisim rëndësinë për të siguruar mbrojtjen e të gjithë civilëve në çdo kohë në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare”, shtuan ata.

  • Kurti udhëton drejt Tiranës për Samitin e Procesit të Berlinit

    Kurti udhëton drejt Tiranës për Samitin e Procesit të Berlinit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është nisur mbrëmë drejt Tiranës.

    Ai, siç njofton zyra e tij, është nisur për kryeqendrën e Shqipërisë, për të marrë pjesë ne Samitin e Procesit të Berlinit.

    “Në margjina të samitit, Kryeministri Kurti do të ketë takime bilaterale, përfshirë atë me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz”, thuhet në kumtesë.

    Kujtojmë se nesër mbahet me 16 tetor mbahet për herë të parë Samiti i Procesit të Berlinit jashtë kufijve të BE-së.