ATV

Author: ATVLive

  • Sulmohet një zyrtar i Ndërmarrjes “Prishtina Parking”

    Sulmohet një zyrtar i Ndërmarrjes “Prishtina Parking”

    Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking”, ka njoftuar se i është sulmuar një zyrtar nga një qytetar në rrugën “Johan V. Hahn”.

    Sipas njoftimit thuhet se sulmi ka ndodhur më datën 13 Tetor 2023, në rrugën “Johan V Hahn” në Prishtinë. Për këtë sulm janë njoftuar Policia e Kosovës, si dhe u janë ofruar pamjet.

    Postimi i plotë:

    Nëpërmjet kësaj komunikate, shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me sulmin nga një qytetar ndaj punonjësve tejet të zellshëm të N.P.L. “Prishtina Parking”.

    Sulmi ka ndodhur më datën 13 Tetor 2023, në rrugën “Johan V Hahn” në Prishtinë. Për këtë sulm janë njoftuar Policia e Kosovës, si dhe u janë ofruar pamjet të cilat në mënyrë tejet të qartë paraqesin sjelljen tejet korrekte dhe profesionale të zyrtarëve tanë ndaj qytetarit në fjalë, e po ashtu paraqesin sulmin brutal dhe të paprovokuar nga qytetari ndaj zyrtarit të N.P.L. “Prishtina Parking”.

    Megjithatë është tejet e çuditshme dhe shqetësuese se përkundër pamjeve dhe raportimit të rastit nga zyrtarët e sulmuar, institucionet ligjzbatuese kanë lënë të lirë sulmuesin.

    Zyrtari ynë ka qenë në orarin e punës duke realizuar kontrolle në zonën e cila si hapësirë është e dizajnuar si parking vetëm për banorët rezidentë. Jemi të indinjuar nga ky sulm, e po ashtu nga reagimi i institucioneve përgjegjëse, sidomos për faktin se zyrtari ynë ka qenë duke e kryer detyrën, që e lehtëson qasjen në parking për banorët e lagjes në fjalë, që karakterizohet si pjesë me ngarkesë.

    Nga N.P.L. “Prishtina Parking” i bëjmë apel institucioneve ligjzbatuese për mos tolerim të sulmeve të tilla dhe që sulmuesi të marrë dënimin e merituar nga organet e rendit. Cenimi i tillë i integritetit profesional e personal ndaj zyrtarëve që kanë përkushtim të thellë për të siguruar shërbime cilësore ndaj qytetarëve, është i papranueshëm. Sulme të tilla cenojnë edhe funksionimin normal të ndërmarrjes.

  • KFOR-i dhe Policia e Kosovës me patrullime të përbashkëta “brenda zonës së tyre të përgjegjësisë”

    KFOR-i dhe Policia e Kosovës me patrullime të përbashkëta “brenda zonës së tyre të përgjegjësisë”

    KFOR-i dhe Policia e Kosovës kanë zhvilluar patrulla të përbashkëta në kufi. Ushtarët e KFOR-it nga Komanda Rajonale West (RC-W), zhvilluan patrulla të përbashkëta me Policinë e Kosovës brenda zonës së tyre të përgjegjësisë, “me qëllim të monitorimit të territorit dhe sigurimit të një kornize adekuate të sigurisë”.

    “KFOR-i është gjithmonë i përkushtuar për të mbështetur paqen, bashkëpunimin dhe përparimin për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, sipas mandatit të saj, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, duke kontribuar në mirëmbajtjen e një Mjedisi të Sigurt dhe Lirinë e Lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

  • ​Organizimi i tregut dhe cilësia e produkteve bujqësore diskutohet në Istog

    ​Organizimi i tregut dhe cilësia e produkteve bujqësore diskutohet në Istog

    Në Istog është mbajtur takimi regjional informues rreth projektit “Organizimi i tregut për produktet bujqësore”, i cili mbështetet nga BE për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe implementohet nga ekspertë vendas e ndërkombëtarë.

    Në këtë takim morën pjesë udhëheqës të këtij projekti, drejtorë të Bujqësisë nga komuna të ndryshme të vendit, si dhe fermerë, të cilët patën mundësi të parashtrojnë pyetje dhe të informohen më shumë rreth projektit.

    Udhëheqësi i projekti, Martin Buse ka theksuar rëndësinë e këtij projekti, duke thënë se ka për synim sigurimin e qasjes në përafrimin e praktikave më të mira në tregun bujqësor dhe statistikat bujqësore.

    Ai shtoi se marrë parasysh praktikat konkurruese në nivel të tregut vendor dhe atij ndërkombëtar, do e mbështesin Kosovën në këto standarde.

    Sipas tij, ky koncept pritet të përfundojë në muajin dhjetor.

    “Kjo së paku ka dy komponenta, implementimin e produkteve bujqësore në treg, pemë dhe perimet, që janë produktet kryesore për Kosovën. Statistikat po ashtu janë të rëndësishme për digjitalizimin e aktiviteteve, në zhvillim që duhet të implementohen dhe ndërtohen. Prandaj, ky projekt është implementuar dhe është duke arritur fundin e tij në dhjetor të këtij viti, vetëm duhet të pajtohemi për disa muaj të zgjatjes për shkak të zvarritjes është bërë kjo zgjatje, në fushën e statistikave në veçanti…Këtë koncept synojmë të impelmentojmë në Kosovë…Synimi kryesor i këtij projekti është sigurimi i qasjes në përafrimin e praktikave më të mira në treg bujqësor dhe statistikat bujqësore që është synimi kryesor i të gjithë fermerëve dhe palëve të involvuara në bujqësi. Marrë parasysh praktikat konkurruese në nivel të tregut vendor dhe atij ndërkombëtar, dhe synimi është që të mbështes Kosovën në përqafimin e këtyre standardeve dhe të bëjë një organizim të tregut për produktet bujqësore… Synimi tjetër është implementimi i një sistemi informativ të integruar bujqësor”, tha ai.

    Buse derisa tregoi më shumë detaje për projektin, tha se në këtë drejtim Kosova duhet të përgatitet për anëtarësimin në BE-së.

    Ai ka prezantuar edhe elementet kryesore të ligjit.

    “Mund të thoni se s’jeni anëtar të BE, por duhet të përgatiteni, që është vet Marrëveshja e Stabilizim Asocimit. Rezultatet e projektit, legjislacioni primar, sekondar, duhet të vendoset, të krijohet që të kemi, pastaj kemi edhe kornizën legjislative sekondare që janë udhëzimet administrave, të cilat janë prezantuar për të fuqizuar implementimin në nivel ministror. Pastaj kemi disa tregtarë në tema të ndryshme dhe rezultati tjetër është sistemi bujqësor, tjetra është fizibiliteti i aktiviteteve për të shpërndarë dhe për të njoftuar palët e përfshira për aktivitetet dhe për rezultatet e projektit që po e bëjmë përmes këtyre takimeve…Si aktivitet kryesor është hartimi i ligjit për tregun e brendshëm dhe produktet bujqësori. Gjithashtu, është bërë edhe përgatitja e ligjeve sekondare, të cilat prekin secilën praktikë për bujqësinë dhe nivelet e saja dhe ne kemi kërkuar që Ministria e Bujqësisë ta ketë këtë udhëzim administrativ, dhe nga kjo mund të shohim elementet krahasuese të organizatave prodhuese si diçka që duhet të kemi parasysh. Rezultat tjetër është ndërtimi i kapacitetit institucional e trajnimi dhe standardet e tregut. Kemi pasur trajnimin për inspektimet e eksportit dhe importit. Këto janë elementet kryesore të ligjit dhe si i përshkruan ai”, shtoi Buse.

    Menaxheri vendor i projektit, Alush Sadikaj ka treguar për standardet e tregut.

    “Standardet e tregut janë standarde në masë të madhe vullnetare, të cilat aplikohen në të gjitha fazat e tregtimit të produkteve bujqësore. Në rastin tonë duhet t’i përmbahemi standardeve minimale të produkteve që shiten në treg, akoma nuk jemi në atë fazë. Jemi në një fazë ku tregu akoma është pak kautik, i paorganizuar dhe produktet janë fare të paselektuarë. Për standarde kanë nevojë prodhuesit për të ngritur vlerën e prodhimit në raport me tregtarët. Në qoftë se prodhuesit prodhojnë produkte cilësore, në mënyrë të veçantë i trajtojnë gjatë procesit së vjeljes, pra ne të gjithë jemi vendas, e dimë si trajtojnë pemët gjatë vjeljes, nuk kemi kujdesin e duhur, dhe si rrjedhojë produktet që dalin në treg nuk janë të standardit jo të klasat ekstra, por as të klasat parë, pra kushti kryesor është procesi i vjeljes”, tha Sadikaj.

    I pyetur nga drejtoria e Bujqësisë së Klinës se kur do të hyjë ligji në fuqi, Sadikaj tha se për shkak të agjendës së Kuvendit, mund të shtyhet për vitin tjetër.

    “Ligji është në fazën e dytë të leximit të Parlamentit të Republikës së Kosovës, ka kaluar gjitha fazat paraprake. Janë draftuar fazat e legjislacionit dytësor dhe po presim që ligji të hyjë në fuqi, kemi pas shpresa të hyjë në këtë vit, por për shkak të agjendës së Kuvendit, mund të shtyhet për vitin tjetër. Kjo është një fushë e re për Kosovën dhe shpresoj të implementohet sa më shpejtë”, tha Sadikaj.

    Mes tjerash, Alushaj ka folur edhe për organizatave të prodhuese. Ai konsideron se në Kosovë duhet të jenë rreth 20 fermerë të organizuar, ani pse minimumi parashihet të jetë pesë anëtar.

    “Organizatat prodhuese në rastin tonë konkret janë organizim vullnetar sipas ligjit që është në procedurë. Pra, në Kosovë parashihet të jenë minimumi pesë anëtarë, por duke pas parasysh fragmentimin e tokës në Kosovë dhe madhësinë e fermerëve, duhet të jenë të paktën 20 e sipër fermerë të organizuar për të bërë një organizatë prodhuese funksionale…Organizata prodhuese nuk është biznes, nuk regjistrohet në MINT, por regjistrohet në Ministrinë e Bujqësisë si entitet”, tha Sadikaj.

    Po ashtu, udhëheqësi i projektit, Buse tha se qëllim tjetër është parandalimi i emetimit të produktit që është i mbrojtur me ligj, në mënyrë që të mos keqpërdoret nga pala që s’ka të bëjë fare me atë produkt.

    “Qëllimi është parandalimi i emetimit të produktit që është i mbrojtur me ligj, që është përmes etiketimit e faktorëve tjerë që janë të rëndësishëm për standardet për të siguruar këtë aspekt që duhet të etiketohet dhe të përmendet kush është riietiketues. Nëse kjo keqpërdoret nga pala që s’ka të bëjë me atë produkt, është falsifikim…Kjo nëse ndodh duhet të mbrohet, pasi e njëjta është e mbrojtur me ligj…Çdo pjesë e procesimit dhe e produktit, duhet të jetë bazuar në regjionin specifik…Produktet e mbrojtura i referohen edhe procesimit dhe përgatitjes që ndodh në regjion, e që nënkupton që regjioni është një kriter ku produkti procesohet dhe në cilën pjesë mund të ndodhë kjo. Së paku 85 për qind, e rrushit në rast të verës duhet të vijë nga zona gjeografike, ku bëhet inspektimi i verës”, tha Buse.

    Në fund takimit është bërë edhe prezantimi i ëebsites për gjithë fermerët që janë të interesuar rreth projektit.

    Organizata e Tregut të Përbashkët (CMO) është shtylla e parë, si pjesë e Politikave të Përbashkëta Bujqësore (CAP) në Bashkimin Evropian. CAP u krijuar në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të 20-të, si përgjigje ndaj situatës në vende evropiane pas Luftës se Dytë Botërore.

  • ​Gratë prezantojnë disa produkte bujqësore në panair

    ​Gratë prezantojnë disa produkte bujqësore në panair

    Gratë nga zonat rurale në vend kanë ekspozuar për shitje produkte të ndryshme bujqësore në panair.

    Me rastin e Ditës së Gruas Rurale, EcoKosWomen, ministri i Bujqësisë, Faton Peci tha se aktivitetet e tilla qesin në dritë kualitetin e produkteve vendore dhe krijojnë mundësitë e rrjetëzimit mes fermerëve, por njëkohësisht ndërlidhjet mes qytetarit si konsumator dhe prodhuesve.

    Ministri Peci tha po ashtu se në kuadër të granteve për vitin 2022 është shënuar një rekord i përkrahjes për gratë në kuadër të Ministrisë, me një shumë prej 7.2 milionë eurove.

    “Në kuadër të Programit të Granteve për vitin 2022 , ne kemi një rekord të përkrahjes për gratë, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë me rreth 7.2 milionë euro. Dhe në kuadër të saj, jo vetëm në aspektin e ngritjes së plantacioneve të reja, por njëkohësisht edhe në aspektin e përpunimit dhe masave tjera që ne i kemi ndërmarrë si Qeveri”, theksoi Peci.

    Shefja e zyrës së “UN Women” në Kosovë, Vlora Tuzi Nushi tha se gratë rurale edhe pse ndihmojnë e kultivojnë ushqimin, në shumicën e rasteve mbesin mjaft të diskriminuara në shumë aspekte.

    “Kjo temë e ka një qëllim për rritjen e vetëdijes për të gjithë ne, sepse kudo në botë jo vetëm në Kosovë, gratë rurale edhe pse ndihmojnë e kultivojnë ushqimin për mbarë botën, në shumicën e rasteve vetë mbesin mjaft të diskriminuara në shumë aspekte. Së pari qasja në tokë, në pronësi, puna e papaguar e barabartë, e grave që marrin në krahasim me burrat janë shumë arsye pse shënohet kjo datë”, vijoi Nushi.

    Valdete Sahiti nga Komuna e Vitisë për për shumë se gjatë vjet merret me prodhimimtarinë e disa produkteve bujqësore, dhe ajo për këtë panair ka bërë nëntë artikuj të ndryshëm.

    “Janë disa produkte që edhe i kultivojmë edhe i konservojmë vetë ose i përpunojmë si ajvarin , pinxhurin e të tjera. Produkti më i rëndë që është me bërë është ajvari… Me këtë veprimtari merrem tash e gjashtë vjet…

    Këto dy vitet e fundit ka filluar shumë të rritet vetëdijesimi tek qytetarët për produktet vendore dhe më shumë për cilësi”, tha Sahiti.

    Ndërsa, qëllimi i këtij panairi është që të vlerësohet puna e grave rurale, dhe që të fitojnë sa më shumë nga puna e mundimshme që ato bëjnë.

    Dita e Grave Rurale është një ngjarje e rëndësishme, për të nderuar kontributin e çmuar të grave në bujqësi. Panairi është një ditor, sot (e hënë) deri në orën 17:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. /kp

  • ​Euro 2024/ Top lojtarët që rrezikojnë të mos marrin pjesë

    ​Euro 2024/ Top lojtarët që rrezikojnë të mos marrin pjesë

    Ndeshje pas ndeshje, thuajse po arrijmë në përfundim të kualifikueseve për Kampionatin e ardhshëm Evropian të futbollit.

    Nëse do të duhej të bënim një bilanc tani, ka shumë lojtarë të klasit botëror që do të humbnin këtë Kampionat Evropian. Është e qartë se duhet marrë parasysh opsioni i playoff-it, që do të thotë se kushdo që përfundon i treti në grup ka mundësinë të kualifikohet tutje, të gjitha të lidhura me rezultatet në Ligën e Kombeve dhe pikët e grumbulluara gjatë rrugës.

    Duke u rikthyer te lojtarët që mund të mungojnë në Euro 2024, Polonia e Leëandoëskit është sigurisht në rrezik, duke kaluar te Hollanda e Virgil Van Dijk, përcjellë KosovaPress..

    Kroacia e Modric dhe shokëve të tij është gjithashtu në rrezik, aktualisht në vendin e tretë me Uellsin që zë vendin e dytë në grupin D dhe Turqinë e Montellës tashmë të kualifikuar.

    E njëjta gjë vlen edhe për Suedinë, e cila në rast të dështimit për të fituar sot kundër Belgjikës, mund t’i thotë lamtumirë kualifikimit direkt, duke pasur parasysh paraqitjen e shkëlqyer të Austrisë në Grupin F. Pas disfatës së djeshme ndaj Spanjës, Norvegjia e gjen veten pesë pikë prapa vendit të dytë, Skocisë dhe për rrjedhojë Haaland dhe ekipi i tij gjithashtu rrezikojnë të humbasin pjesëmarrjen në Euro 2024.

  • Michel – Kosovës dhe Serbisë: Mos i leni ‘fantazmat’ e së kaluarës të ju vjedhin të ardhmen

    Michel – Kosovës dhe Serbisë: Mos i leni ‘fantazmat’ e së kaluarës të ju vjedhin të ardhmen

    Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, duke aluduar në tensionet në veri të Kosovës pas agresionit të Serbisë më 24 shtator, deklaroi sot (e hënë) se konfliktet dypalëshe nuk duhet të mbajnë peng të ardhmen.

    Në hapjen e Samitit të Berlinit që po mbahet në Tiranë, Michel tha se nuk duhet lënë “fantazmat” e së shkuarës të mbajnë peng të ardhmen e vendeve.

    Ai tha se nuk mund të ketë bashkëpunim pa pajtim.

    “Nuk mund të lëmë konflikte dypalëshe të na mbajnë peng, zgjidhja e tyre mund të jetë më e dhimbshme se reformat, por duhet bërë, mos i lini fantazmat e së shkuarës të iu vjedhin të ardhmen. Në fakt tensionet e Kosovës e kanë sjellë këtë në vend të parë. Nuk ka asnjë bashkëpunim pa pajtim, nuk ka një të ardhme të qëndrueshme pa pajtim. Të gjithë e dimë që pajtimi kërkon kurajo politike dhe fokus të sinqertë tek e ardhmja, kjo do të jetë fryma për këtë samit që do të zhvillohet në Bruksel”, tha ai.

    Ai tha se pikërisht Procesi i Berlinit luan rol të rëndësishëm në nxitje të bashkëpunimit efektiv dhe operativ mes partnerëve perëndimor dhe Bashkimit Evropian, derisa përsëriti se BE-ja duhet të përgatitet për të mirëpritur anëtarët e ri deri më 2030.

    “Ky Proces i Berlinit luan rol të rëndësishëm, për të nxitur bashkëpunimin efektiv dhe operativ mes partnerëve tanë perëndimorë e Bashkimit Evropian, duke pasur integrimin në BE si dritën orientuese. Në fakt udhëtimi juaj ka nisur më shumë se 20 vite më parë në Ballkanin Perëndimor megjithatë ka qenë një rrugë mjaft e ngadaltë, zhgënjyese për ju në rajon dhe për ne Bashkimin Evropian, por tashmë të gjithë e dinë se është koha për të arritur premisën tonë për të realizuar këtë premtim… BE duhet të përgatitet për të mirëpritur anëtarë të ri dhe duhet të jemi gati në të dyja anët deri në 2030”, tha ai.

  • ​Të enjten dy seanca, në votim edhe disa marrëveshje ndërkombëtare

    ​Të enjten dy seanca, në votim edhe disa marrëveshje ndërkombëtare

    Të enjten do të mbahen dy seanca plenare, ku deputetët do të votojnë edhe disa marrëveshje ndërkombëtare. Kështu është vendosur në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ku deputeti i LVV-së, Armend Muja shtoi se PDK e ka bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në votim. Ai u shpreh se arsyeja e mos-pjesëmarrjes në votim të kësaj partie është sanksionimi i Kosovës në Bashkimin Evropian.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja u shpreh se zgjedhjet nuk janë në dobi të opozitës në këtë kohë, por që shtoi se për këtë nuk frikësohet Lëvizja Vetëvendosje.

    “Të enjten do të jenë dy seanca, një seancë e cila në mëngjes do të mbahet me kërkesë të opozitës dhe e dyta do të mbahet sipas rendit të ditës dhe aty do të hidhen në votim disa marrëveshje ndërkombëtare. Marrëveshja ndërkombëtare që do të hidhet në votim është mirë që të kuptohet nga publiku, janë dy marrëveshje të financuara nga qeveria gjermane, një marrëveshje për bujqësi për zonën malore me qeverinë gjermane, tjetra është për KOST-in sa i përket riparimit të linjave të fuqisë 110 dhe 220. Një marrëveshje tjetër që hidhet në votim është me Qeverinë e Danimarkës sa i përket përdorimit të burgjeve të Kosovës, një marrëveshje tjetër është linja hekurudhore Prishtinë-Mitrovicë një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm”, u shpreh ai.

    Muja shtoi se puna e Kuvendit po vështirësohet, meqë opozita nuk po heq dorë nga qëndrimet.

    “Ju e dini që ne kemi pasur vështirësi që gjashtë-shtatë muaj që këto marrëveshje të votohen. Sipas nenit 19 dhe 20 kërkohet shumica që këto marrëveshje të votohen. Mjerisht, për shkak të abstenimit apo mos-votimit nga partitë opozitare, këto marrëveshje nuk kalojnë. Sot ne na u tha zyrtarisht nga Partia Demokratike të Kosovës që arsyeja pse këto marrëveshje nuk i votojnë është për shkak se Kosova është nën sanksione ndërkombëtare. Mendoj që është e padrejtë ndaj qytetarëve, sikurse që ishin sanksionet. Mendoj që edhe logjika e sanksionimit të Kosovës a qenë gabim tashmë, masat ishin të padrejta. Është për keqardhje që një subjekt politik paska marrë pozicionim të tillë, por gjithsesi e sinqertë që ta kuptojmë që pas 6-7 muajve na u tha sinqerisht se pse ato nuk po votohen”, shtoi ai.

    Pas mbledhjes së kryesisë, Muja shtoi se qeveria i ka plotësuar të gjitha përkushtimet e Bratislavës dhe se u takon qytetarëve në veri të vendit që të ndryshojnë kryetarin e komunës.

    “Ne si shumicë parlamentare e kemi bindjen që qeveria i ka plotësuar të gjitha përkushtimet e Bratislavës. Parimisht jemi shumë të interesuar që çdo subjekt politik të merr pjesë në zgjedhje, sikurse edhe qytetarët e atij vendi. Megjithatë, është e fundit që mund të moralizojë për këto çështje Lista Serbe. Unë besoj që sa i përket Listës Serbe kemi disa çështje për të sqaruar, sa i përket atyre çështjeve të mbarëvajtjes ose inicimit të procesit zgjedhor, udhëzimi administrativ është miratuar dhe i takon qytetarëve në rast që ata e duan që ta ndryshojnë kryetarin e komunës, ju takon qytetarëve”, u shpreh ai.

    Teksa komentoi agresionin në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator, Muja shtoi se forcat e rendit duhet të kërkojnë ekstradimin e Milan Radojiçiqit.

    “Forcat tona të rendit por edhe ato të sistemit gjyqësor duhet të bëjnë përpjekjet maksimale që të kërkojnë ekstradimin e tij, por jo vetëm të atij, të të gjithë pjesëmarrësve është e rëndësishme. Kosova duhet të përkushtohet edhe për urdhërdhënësit politik ata që e kanë mbështetur politikisht, financiarisht, logjistikisht. Aty duhet të jetë fokusi, nuk është e mjaftueshme vetëm për një individ, sepse aty kishte një aparat të tërë shtetëror. Vuçiq, Mojsiloviç, Vuçeviq që është ministër i Mbrojtjes, Vulin shef i BIA-s, këto janë figura me rëndësi jetike që t’i përkushtojmë më shumë vëmendje”, shtoi ai./KP

  • Bërnabiq bojkoton fotografinë familjare të Samitit të Berlinit, shkak flamuri i Kosovës

    Bërnabiq bojkoton fotografinë familjare të Samitit të Berlinit, shkak flamuri i Kosovës

    Bërnabiq bojkoton fotografinë familjare të Samitit të Berlinit, shkak flamuri i Kosovës
    Ka përfunduar sesioni i parë i samitit të Procesit të Berlinit.

    Pas kësaj liderët e Bashkimit Evropian së bashku me ata të Ballkanit Perëndimor, kanë bërë fotografinë e përbashkët, mirëpo ka munguar kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila ka bojkotuar atë për shkak të flamurit të Kosovës.

    Para atyre kanë performuar një grup vallëtarësh nga të gjitha komunitetet në Shqipëri.

  • Rama kërkon bashkëpunim më të madh: Premtimet e Samitit të Berlinit s’u realizuan plotësisht

    Rama kërkon bashkëpunim më të madh: Premtimet e Samitit të Berlinit s’u realizuan plotësisht

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka kërkuar bashkëpunim më të madh të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe atyre jo anëtare.

    Në hapjen e punimeve të Samitit të Berlinit që po mbahet në Tiranë, Rama tha se i njëjti është një moment historik për fqinjësinë e mirë mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    Megjithatë, Rama tha se premtimet ekonomike të Procesit të Berlinit, i cili ka nisur para nëntë viteve nuk janë zbatuar plotësisht.

    Ai përmendi një deklaratë të ish-kancelares gjermane Angela Merkel se demokracia pa infrastrukturë nuk mund të funksionojë.

    “Gjatë këtyre 9 viteve kemi dëshmuar takime të panumërta midis nesh dhe palës së BE. Ne edhe u bëmë pionerë të iniciativave tona. Për këto 9 vite kemi përftuar mjaft përvojë duke shkëmbyer pikëpamje dhe duke mësuar që të biem dakord që nuk biem dakord. Më duhet të theksoj se premtimet ekonomike të Procesit të Berlinit nuk janë realizuar plotësisht për ta thënë në mënyrë të butë. Angela Merkel e theksoi këtë në Procesin e Berlinit në takimin e Polonisë dhe tha që demokracia pa infrastrukturë nuk mund të funksionojë si duhet”, tha ai.

    Mirëpo ai u shpreh i lumtur me angazhimin dhe hapat konkret të Komisionit Evropian për mbështetjen ekonomike ndaj rajonit ballkanik.

    “Është për t’u përgëzuar Ursula dhe komisioni. Tashmë po marrim hapa për ndryshime kryesore politike dhe ekonomike. Tashmë jemi në pikën kur diskutojmë tregtinë. Procesi është penguar nga çështje afatgjata midis disa vendeve të rajonit. Fqinjët tanë të BE-së kanë marrë të paktën mbi 4500 euro për frymë, ndërkohë që vendet tona marrin 138 euro për frymë. Procesi i anëtarësimit i bazuar në merita duhet të vazhdojë për të mirën tonë”, tha ai.

    Ndërkaq, nënvizoi sfidat me të cilat po hasin vendet e Ballkanit Perëndimor.

    “Sfida më e madhe politike është ndarja e dhimbshme midis anëtarëve të BE-së dhe jo anëtarëve të BE-së. Të jetosh pa BE-në nuk është e lehtë, sfidat me të cilat përballen vendet jo anëtare të BE-së nuk është e lehtë. A mund të përballojmë këto ndasi midis vendeve të BE-së dhe vendeve jo anëtare”, tha Rama./kp

  • Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes në koordinim me SHBA-në

    Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes në koordinim me SHBA-në

    Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka mbajtur dëgjim publik për projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Deputetë dhe përfaqësues të institucioneve kanë diskutuar për rëndësinë e ngritjes së kapaciteteve të inteligjencës, marrë parasysh kërcënimet e fundit dhe agresionin serb.

    Kryesuesi i grupit punues të këtij projektligji, deputeti Enver Dugolli theksoi se ky institucion do të jetë në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes.

    “Ne e kemi AKI-në që është institucion edhe kushtetues edhe ligjor, inteligjencë kemi tek policia, inteligjencë kemi edhe tek dogana, prandaj tash po e bëjmë edhe në Ministrinë e Mbrojtjes. Dhe, është shumë me rëndësi që në këtë fazë të diskutojmë sepse jemi bash në momentin e duhur që ta bëjmë ligjin sa më të mirë dhe sa më të zbatueshëm edhe që të mos ketë më pastaj në zbatim probleme ku shfaqen sa i përket kompetencave, raportimit dhe sa i përket aspekteve tjera profesionale”, deklaroi ai.

    Ai ka pyetur përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes për modelin që është përzgjedhur për krijimin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

    Gjenaral Gëzim Hazrolli tha se në diskutim me partnerin amerikan janë pajtuar që trajnimin e stafit dhe ngritjen e kapaciteteve ta bëjnë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Bazuar në një plan që është bërë me lidershipin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, ne kemi marrë vendim që në vitin e parë ta draftojmë dhe të aprovojmë politikat e zhvillimit të këtij kapaciteti, që është draftuar dhe aprovuar. Viti i dytë ka qenë draftimi i koncept-dokumentit bazuar në legjislaturën që kërkohet për mbarëvajtjen e krijimit të legjislaturës në vend dhe është draftuar dhe miratuar koncept-dokumenti nga Qeveria e Kosovës. Dhe viti i tretë ka qenë planifikim që të draftohet Ligji për ngritjen e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Në kontekst të kësaj, dua të përmend që gjatë gjithë fazave, grupet punuese kanë qenë të ftuar të gjithë akterët vendor që draft-ligji qysh në fazat e para të ketë imputet e nevojshme”, u shpreh ai.

    Ai shtoi se Kosova është vendi i fundit në rajon që nuk ka këtë model për informacionin.

    “Sot Ministria e Mbrojtjes dhe FSK ka një kapacitet të inteligjencës, ky kapacitet është i koncentruar në të gjitha nivelet, nivelin taktik-operacional dhe strategjik dhe ne jemi duke prodhuar për çdo ditë ose në vazhdimësi atë sa kemi mundësi që lidershipin tonë ta pajisim dhe ta ndihmojmë me informacion të nevojshëm për marrjen e vendimeve në kohë dhe vendimeve të drejta. Në aspektin e nevojës të përshpejtimit të kësaj, kërcënimet dhe rreziqet globale dhe rajonale dhe në vendin tonë janë për çdo ditë të nivelit ose të aspektit të tillë, që duhet të jemi shumë vigjilent dhe të nevojshëm që të prodhojmë inteligjencë për shkak që kërcënimet janë duke ndryshuar formë dhe impakt në përditshmëri. Dhe jemi të vetëdijshëm që kohëve të fundit kemi pasur ballafaqim dhe kemi pasur kërcënime të tilla, që kanë kërcënuar vendin me një agresion të hapur, që është fushë që duhet ta analizojmë shumë mirë dhe t’i përgjigjemi me kapacitet që ka nevojë”, shtoi ai.

    Këshilltari ushtarak i kryetares së shtetit, Sefer Isufi theksoi se presidentja dhe kryeministri do të interferojnë në përmbajtjen dhe qëllimin që ka agjencioni.

    “Edhe një çështje që është relevante që detyrimisht na interferon në kuadër të këtij ligji nga autoriteti kushtetues i presidentes, është edhe autoriteti që e merr vendimin apo e dekreton drejtorin e këtij agjencioni. Grada e drejtorit është gjeneralbrigade, detyrimisht autoriteti i presidentes dhe kryeministrit interferon edhe në përmbajtjen edhe qëllimin që ka agjencioni. Kështu që ne të gjitha këto çështje do t’i analizojmë, vlerësojmë dhe do t’i adresojmë në kuadër të grupit që do të punojë në vazhdim”, deklaroi ai.

    Mbështetje për këtë projektligj ka dhënë edhe Agjencia Kosovare për Inteligjencë, ku u tha se do të ndajnë përvojën dhe trajnimet.

    “Sa i përket shqetësimit që është struktura e njëjtë, cikli i informacionit të rrjedhjes dhe grumbullimit por edhe trajtimit njëfarë forme t’i determinon disa struktura që janë më shumë se të domosdoshme. Tash nëse është agjenci, patjetër që duhet të ketë një strukturë të grumbullimit, një strukturë të drejtimit dhe një strukturë të analizimit të informacionit. Kërcënimet nga jashtë, muri i jashtëm është më shumë se i domosdoshëm, qysh dje është dashur ta kemi, por tjetër që disa procese na determinojnë që ta bëjmë apo t’i funksionalizojmë më vonë”, deklaroi ai. /KP