ATV

Author: ATVLive

  • Kërcënohet deputetja e Kuvendit të Kosovës

    Kërcënohet deputetja e Kuvendit të Kosovës

    Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, njofton se gjatë ditës sotme (e mërkurë) është kërcënuar dy here.

    Deputetja e Kuvendit të Kosovës, ka reaguar në Facebook se një herë është kërcënuar rrugës duke shkuar në punë dhe herën e dytë në zyrën e saj në Fakultetin e Mjekësisë.

    “Unë sot jam kërcënuar dy herë. Njëherë rrugës duke ardhur në punë dhe e dyta në zyrën time në Fakultet. Le ta kuptoj kushdo që është pas që nuk munden me më kërcënua, shantazhua dhe që vendimet e mija do të jenë gjithmonë në të mirë institucioneve dhe qytetarit”, ka shkruar ajo.

  • ​Prishtina fiton Superkupën Kosovë-Diasporë

    ​Prishtina fiton Superkupën Kosovë-Diasporë

    FC Prishtina është fituese e Superkupës Kosovë-Diasporë, pasi që e ka mposhtur FC Kastriotin Stukenbrock.

    Në ndeshjen që u zhvillua në Kampin Nacional në Hajvali, Prishtina e mposhti 4:0 FC Kastrioti Stukenbrock, raporton KosovaPress.

    Rezistenca e Kastriotit u thye në minutën e 65’, kur Diar Halili shënoi për 1:0, teksa në minutat e fundit Prishtina u shfaq edhe më efikase, duke realizuar edhe tre gola tjerë përmes Albin Krasniqit (minua e 85’), Hasan Hysenit (minuta e 88’) dhe Jalen Miller Blesas (minuta e 90’).

    Trajneri i Prishtinës, Debatik Curri në këtë ndeshje u dha më shumë hapësirë futbollistëve që kanë pasur minutazhë më të vogël gjatë këtij edicioni në Superligën e Kosovës.

  • Qytetarë të shumtë dhe ish-luftëtarë vizitojnë Gucatin në shtëpi

    Qytetarë të shumtë dhe ish-luftëtarë vizitojnë Gucatin në shtëpi

    Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati i liruar nga Haga, së bashku me familjen e tij kanë hapur dyert e shtëpisë për mysafirë dhe bashkëluftëtarë nga të gjitha trevat e Kosovës.

    Diskutimet e tyre të vazhdueshme i kanë për lirimin e luftëtarëve të tjerë të cilët po mbahen në Hagë.

    Gucati sot pritet të bëjë nderime te varrezat e dëshmorëve në Marinë dhe në Kompleksin Memorial të familjes Jashari në Prekaz.

  • ​Arrestohen dy persona të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore

    ​Arrestohen dy persona të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore

    Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë, ka arrestuar dy persona të dyshuar për kryerje të veprës penale trafikim me njerëz, si dhe janë identifikuar dy viktima të trafikimit.

    Më datën 18.10.2023, pas informacioneve të pranuara për dyshimet lidhur me kryerje të veprës penale trafikim me qenie njerëzore, Sektori Qendror i Hetimeve nga DHTQNj, në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë, ka zhvilluar hetime intensive, ku janë arrestuar A. K. (1978), shtetas kosovar dhe R. K. (1991), shtetase e Shqipërisë, nën dyshimet se kanë kryer veprën trafikim me njerëz.

    Lidhur me rastin me vendim të prokurorit kompetent, personat e dyshuar dërgohen në mbajtje, ndërsa viktimat e përfshira në rast u janë nënshtruar procedurave për trajtim të viktimave të trafikimit, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

  • Komisioni Evropian propozon forcimin e mekanizmave për pezullimin e vizave

    Komisioni Evropian propozon forcimin e mekanizmave për pezullimin e vizave

    Komisioni Evropian ka paraqitur një pako me propozime për të ruajtur më mirë kufijtë e jashtëm të BE-së dhe për menaxhimin më efikas të imigrimit ilegal. Në këtë paketë mes tjerash Komisioni Evropian ka propozuar edhe forcimin e mekanizmave të pezullimit të liberalizimit të vizave për ato vende, qytetarët e të cilave mund të hyjnë në BE pa viza.

    Mekanizmat e pezullimit të liberalizimit të vizave tashmë ekzistojnë sipas rregullores së vitit 2018.

    Me propozimin e ri të Komisionit Evropian, liberalizimi i vizave do të mund të pezullohet edhe për shkak të mos përshtatjes së regjimit të vizave të atyre vendeve me regjimin e vizave të BE-së për shtetasit e tretë.

    Komisioni Evropian ka përmendur rajonin e Ballkanit Perëndimor si shembull, i cili dëshmon se një vend mund të bëhet pikë transiti për imigrantët ilegalë drejt BE-së për shkak se mund të hyjnë pa viza në një vend fqinj.

    Burimet e Komisionit Evropian në mënyrë të veçantë kanë përmendur Serbinë, e cila ua kishte hequr vizat shtetasve të vendeve si Kuba, Tunizia, Burundi, dhe disa vendeve të tjera për të hyrë në Serbi. Kjo kishte ndikuar që një numër i shtetasve të këtyre vendeve të hynin në Serbi pa viza e pastaj të kalonin në Bashkimin Evropian.

    Vetëm pas insistimit të Bashkimit Evropian, Serbia kishte nisur të përshtatë regjimin e saj të vizave me atë të Bashkimit Evropian. Kërkesa për përshtatje me regjimin e vizave të BE-së Komisioni ka pasur edhe për vendet tjera të rajonit të Ballkanit.

    Serbia, në fillim të vitit 2022, ka pasur liberalizim vizash për 22 shtete, të cilat nuk kanë pasur liberalizim për lëvizje në BE. Ky numër tash është zvogëluar në 12, por Komisioni kërkon nga Serbia që të vazhdojë të shënojë përparim në këtë drejtim.

    Më së shumti progres në përshtatjen me politikën e vizave të BE-së ka shënuar Maqedonia e Veriut, ndërsa më shumë progres kërkohet nga Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina.

    Të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor gëzojnë liberalizimin e vizave nga ana e BE-së. Edhe për Kosovën BE-ja ka miratuar vendimin për liberalizimin e vizave dhe ai do të nisë të zbatohet nga 1 janari i vitit 2024.

    “Kur këto vende partnere të Ballkanit Perëndimor kanë bërë përparim në përshtatjen e regjimit të vizave me atë të BE-së, kjo ka pasur ndikim në zvogëlimin e numrit të imigrantëve ilegalë në BE përmes kësaj rruge”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

    Komisioni Evropian të mërkurën ka publikuar edhe raportin e gjashtë të monitorimit të mekanizmave për pezullimin e liberalizimit të vizave për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

    “Raporti konkludon se të gjitha këto shtete duhet të bëjnë hapa të mëtejmë për t’u përshtatur me politikën e vizave të BE-së dhe të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të parandaluar aplikimet e pabazuara për azil. Përpjekje shtesë duhet të bëhen edhe për të parandaluar imigrimin ilegal, si dhe luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në raportin e KE-së.

    Sipas mekanizmave aktualë për pezullimin e vizave, ky proces mund të niset vetëm në disa raste specifike, si për shembull rritja e menjëhershme dhe domethënëse e numrit të imigrantëve ilegalë apo rrezikut për sigurinë kombëtare.

    Janë katër skenarë kur Mekanizmi i pezullimit të vizave do të aktivizohej:

    1. Në rast të rritjes së konsiderueshme – mbi 50% – të migrimit të parregullt.

    2. Në rast të rritjes së konsiderueshme – mbi 50% – të kërkesave për azil me shkallë të ulët pranimi, rreth 3-4%.

    3. Në rast të rënies së bashkëpunimit për riatdhesimin e shtetasve që përjashtohen nga BE-ja, si rezultat i qëndrimit të parregullt.

    4. Në rast të rrezikut të shtuar për sigurinë e shteteve anëtare të BE-së, veçanërisht për vepra penale të rënda.

    Sipas propozimit të Komisionit Evropian të mërkurën, arsye për pezullimin e liberalizimit të jetë “mospërshtatja e mjaftueshme me regjimin e vizave të BE-së, kërcënimet hibride dhe ekzistimi i dhënies së shtetësisë për investime”.

    Komisionarja e BE-së për çështje të brendshme, Ylva Johanson, ka thënë se është shumë e rëndësishme që të ndalet praktika e shitjes së pasaportave nga vendet që gëzojnë liberalizimin e vizave.

    “Ka shtete që gëzojnë liberalizimin e vizave e që ua shesin shtetësinë personave të ndryshëm, shpesh me dosje kriminale, me emra të ndryshuar, e pastaj ata mund të hyjnë në BE pa viza”, ka thënë ajo.

    Me këtë ajo ka arsyetuar propozimet që vendet, të cilat do ta shesin në këtë mënyrë shtetësinë e tyre, të përballen me mundësinë e pezullimit të liberalizimit të vizave nga ana e BE-së.

    Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, ka thënë se fokus i veçantë në politikën e përbashkët të migrimit duhet të jetë riatdhesimi i suksesshëm i atyre personave, të cilëve u është refuzuar qëndrimi në territorin e Bashkimit Evropian.

    Ai ka theksuar se në këtë pikë shumë shtete të BE-së nuk kanë pasur sukses t’i dëbojnë personat, për të cilët është lëshuar vendimi përkatës i autoriteteve për të lëshuar territorin e BE-së. Kjo, sipas tij, ka ndikuar që në rrugët e qyteteve evropiane të ketë njerëz me qëndrim ilegal që janë përfshirë në akte të krimit dhe terrorizmit.

    “Edhe kryesi i sulmit terrorist në Bruksel, edhe ai në Francë, kanë qenë duke qëndruar ilegalisht, edhe pse kanë pasur urdhër ta lëshojnë territorin e këtyre vendeve”, ka thënë Schinas.

    Ai ka shtuar se asnjë politikë e menaxhimit të migrimit nuk do të jetë e suksesshme pa pasur sukses në riatdhesimin e personave që nuk mund të qëndrojnë në territorin e BE-së.

  • Stano ia bën të qartë Vuçiqit: Serbia do të duhet të tërhiqet nga të gjitha marrëveshjet me Kinën, përpara se të anëtarësohet në BE

    Stano ia bën të qartë Vuçiqit: Serbia do të duhet të tërhiqet nga të gjitha marrëveshjet me Kinën, përpara se të anëtarësohet në BE

    Serbia do të duhet të tërhiqet nga të gjitha marrëveshjet dypalëshe me palët e treta si Kina, në ditën e pranimit në Bashkimin Evropian, tha sot zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    Stano shpjegoi se Serbia mund të lidhë marrëveshje tregtare me vende apo organizata të tjera përpara se të anëtarësohet në BE, me kusht që ato të mos bien ndesh me dispozitat e Marrëveshjes së Asociimit dhe Stabilizimit.

    Në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE, Serbia mori përsipër të tërhiqet nga të gjitha marrëveshjet bilaterale për tregtinë e lirë në ditën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian” – tha Stano për Radio Evropën e Lirë, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes tregtare ndërmjet Serbisë dhe Kinës.

    Ai shtoi se tërheqja e Serbisë nga marrëveshjet tregtare me palët e treta nuk është “një kusht i ri, por një rregull i përgjithshëm që zbatohet për të gjitha vendet kandidate që duan të anëtarësohen në BE”.

    Serbia dhe Kina nënshkruan sot në Pekin një sërë marrëveshjesh në prani të presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe presidentit kinez Xi Jinping, ndër të cilat më e rëndësishmja është Marrëveshja e Tregtisë së Lirë.

  • Hamasi lëshon raketa drejt avionit të Scholz

    Hamasi lëshon raketa drejt avionit të Scholz

    Kancelari gjerman Olaf Scholz u detyrua të largohej nga avioni pak para nisjes nga Tel Avivi, për shkak të një sulmi raketor. Pasagjerëve iu kërkua të shtriheshin në tokë.

    Sipas Welt, në momentin e sulmit ka pasur edhe gazetarë të cilët janë detyruar të shtrihen në pistë. Dy raketa të Hamasit u neutralizuan mbi aeroport nga sistemi mbrojtës Iron Dome i Izraelit. Kancelari nuk u shtri në pistën e avionit, por përkundrazi shkoi në një kontejner për t’u strehuar. Pas disa minutash, pasagjerët arritën të hipnin sërish në aeroplan.

    Kancelari gjerman Olaf Scholz tha sot se ai kishte diskutuar mënyrat për të marrë ndihma humanitare për civilët në Rripin e rrethuar të Gazës.

    “Gjermania dhe Izraeli janë të bashkuar si shtete demokratike, duke vepruar në bazë të drejtësisë dhe ligjit edhe në situata ekstreme… Kam diskutuar me kryeministrin Netanyahu mënyrat për t’i lejuar njerëzit në Gaza të marrin ndihmë humanitare sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi Scholz në konferencën për shtyp që dha me kryeministrin izraelit.

    “Ne duam të mbrojmë civilët dhe të parandalojmë vdekjet e civilëve”, tha kancelari gjerman./abcnews.al

  • Abdixhiku: “Rruga e Re” është një alternativë politike më ndryshe që është bërë deri më tani për vendin

    Abdixhiku: “Rruga e Re” është një alternativë politike më ndryshe që është bërë deri më tani për vendin

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në emisionin CONTEXT në ATV, ka shpalosur detaje rreth programit të ri qeverisës “Rruga e Re”.

    Ai thotë se zhvillimin e këtij programi si alternativë qeverisëse për vendin, si parti me mbi 300 ekspertë të fushave të ndryshme, kanë punuar për më shumë se një vit, ku gjatë kësaj periudhe kanë pasur takime të vazhdueshme me qytetarët, biznese të shumta si dhe mërgatën shqiptare.

    ““Rruga e Re” në thelb është një alternativë politike më ndryshe prej që është bërë deri më tani. Në rolin e vet origjinal të një partie opozitare, ne e kemi menduar që periudha sa jemi në opozitë duhet të zhvillohet rreth dhënies së alternativave konkrete për qytetarët tanë. Gjashtë muaj pas zgjedhjeve të fundit lokale, pas fitores, pas një debakli të madh në zgjedhjet nacionale, gjashtë muaj pas kësaj ne kemi mbajtur konventën programore lidhja për të armen në Prishtinë. Në këtë konventë ne kemi ndërtuar 28 grupe, dhe në këto grupe ne kemi ndërtuar rreth 300 ekspertë, të brendshëm dhe të jashtëm të LDK-së. Nga prilli deri në qershor kemi bërë përgatitjet për ciklin të vetëm komunikues që e ka pas Kosova me qytetar “LDK ju dëgjon” dhe kemi qenë në takime nëpër çdo qytet prej qershorit 2022 deri në qershor 2023. Kam folë me qytetarë tanë, kam provuar të kuptoj nga ta sfidat dhe problemet që i kanë për Kosovën dhe kam provuar të gjej edhe rrugën politike për Republikën tonë. Në këtë kohë kam zhvilluar dhe vizita në biznese jashtë vendit, në kryeqendrat kryesore në Uashington, Berlin dhe Paris, pa asnjë dallim. Kam organizuar takime me mërgatën tonë në katër takime dhe tubime që kam pasur atje dhe në qershor të këtij viti, pas disa përpjekjeve për të ndërtuar një frymë përtej LDK-së, kam mbajtur katër takime që kanë marrë pjesë media dhe opizionistë, kam vazhduar me shoqërinë civile, kam vazhduar me ligjërues dhe diplomat dhe kam përfunduar me sektorin privat”, tregon Abdixhiku.

    Ai thotë se programii “Rrugës së Re” ka disa, pra pjesën ideologjike orientuese të LDK-së si parti e qendrës së djathtë, sepse aty janë vlerat dhe pikëpamjet tona edhe për orientimet sheqerore edhe për të drejtat e njeriut edhe për orientimet pro perëndimore dhe ka pjesën e programit qeverisës në të cilin janë shtruar mbi 100 projekte. /atvlive.tv

  • Abdixhiku: Opozita në Kosovë është e ndarë, kemi bindje krejtësisht të ndryshme

    Abdixhiku: Opozita në Kosovë është e ndarë, kemi bindje krejtësisht të ndryshme

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se opozita në Kosovë është e ndarë dhe kanë bindje krejtësisht të ndryshjme.

    “Termin opozitë, unë kategorikisht e kundërshtoj si terminologji politike, përveç që është funksion në parlament, por si trup i përbashkët nuk është. Është e qartë në diskursin politik në Kosovë ku opozita portretizohet si një, e nuk jemi një për besë. Kjo është shumë me rëndësi ta kuptojmë të gjithë. Ne jemi parti të ndara dhe në shumë hapa, kemi bindje krejtësisht të ndryshme”, tha Abdixhiku.

    Ai tha se pushteti i konvenon që opozitën ta portretizojë si një, por sipas tij, e vërteta qëndron ndryshe.

    “Unë sinqerisht nuk dua të flas për partitë tjera opozitare, sepse Kosova ka shumë probleme në vend për të bërë temë për partitë opozitare, as nuk dua t’i gjykoj se si i marrin vendimet, por dallojmë substancialisht në mënyrën e veprimit opozitar edhe sot siç është në parlament. LDK mban qëndrim bukur befasues mbi partitë tjera opozitare për mos votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Është gabim”, tha Abdixhiku. /atvlive.tv

  • ​Kurti: Kosova me rritje prej 114% në eksportin e shërbimeve të TIK-ut

    ​Kurti: Kosova me rritje prej 114% në eksportin e shërbimeve të TIK-ut

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka dekoruar se sektori i TIK-ut është shtyllë e rëndësishme për ekonominë tonë, me bilanc tregtar të jashtëzakonshëm, me rritje prej 114% në eksportin e shërbimeve të TIK-ut në vitin 2022.

    Kurti i bëri këto komente gjatë hapjes së përfaqësisë në Kosovë të kompanisë prestigjioze zvicerane SELISE në Parkun e Inovacioneve dhe Trajnimeve në Prizren.

    Sipas një komunikate, kryeministri ritheksoi angazhimin e palëkundur të Qeverisë për të ofruar mjedis të favorshëm për të bërit biznes.

    Në takimin me kryetarin e bordit të SELISE, Kurt Ëeber, dhe drejtorin kryesor operativ në SELISE, Bobby Leu, Kurti tha se sektori i TIK-ut është shtyllë e rëndësishme për ekonominë tonë, me bilanc tregtar të jashtëzakonshëm, me rritje prej 114% në eksportin e shërbimeve të TIK-ut në vitin 2022.

    Kryeministrit tha se Qeveria synon që avantazhet e digjitalizimit të arrijnë në çdo cep të Kosovës, e të mos lënë askënd mbrapa, duke veçuar lidhjen e fshatit të fundit me internetin brezgjerë gjatë këtij viti.

    “Qeveria jonë është e përkushtuar për zhbllokimin e rritjes së mëtejshme brenda këtij sektori, duke u përafruar ngushtë me agjendën ambicioze për transformimin digjital në administratë publike, arsim”, shëndetësi dhe ekonomi, tha Kurti.

    Duke theksuar angazhimin e Qeverisë, kryeministri veçoi trajnimin e më shumë se 3,500 të rinjve në fushën e TIK, ofrimin e kuponave të trajnimit për më shumë se 900 të rinj, ndarjen e 1 milion euro për bursa për vajzat që ndjekin studimet në fushat STEM në vitin 2021, si dhe dyfishimin e këtij buxheti në 2 milionë.

    Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren, me mbi 50 objekte, i shtrirë në një hapësirë prej mbi 40 hektarësh, u vlerësua si gurthemel i ekosistemit të inovacionit në vend. U theksua bashkëpunimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, që po investon 8 milionë euro në ITP, me qeverinë gjermane, e cila ka investuar 5 milionë euro, në zhvillimin e infrastrukturës së këtij parku.

    Duke biseduar për investimet tjera në ekosistemin e inovacionit, u veçua inaugurimi i Parkut për Teknologji Digjitale “Tech Park Prishtina” në Bërnicë, investim ky prej 1.2 milionë eurosh nga Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Ekonomisë.