ATV

Author: ATVLive

  • Salah ia dhuron fitoren Liveproolit në derbi përballë Everton

    Salah ia dhuron fitoren Liveproolit në derbi përballë Everton

    Skuadra e Liverpool-it e ka shënuar fitoren e gjashtë këtë edicion në Premier Ligën angleze.

    Në ndeshjen hapëse të javës së nëntë në Premier Ligë, Liverpool e ka mposhtur Evertonin në derbin e qytetit me rezultat 2:0.

    Njeriu kryesor i kësaj sfide ka qenë sulmuesi Mohamed Salah, i cili ka shënuar të dyja golat.

    Sidoqoftë, pjesa e parë përfundoi pa gola. Krejt çfarë vlen të përmendet është përjashtimi me karton të kuq i mbrojtësit Ashley Young në minutën e 37.

    Në pjesën e dytë kur po zhvillohej minuta e 75 gjyqtari i takimit akordoi penallti për ‘Të kuqtë’ i pa gabueshëm u tregua Salah i cili mposhti portierin Pickford.

    Salah nuk u ndal me kaq, ‘mbreti egjiptian’ siç e ka nofkën nga tifozët e Liverpoolit, realizoi për 2:0 në minutat shtesë. Në fakt meritën më të madhe për këtë gol e kishte sulmuesi Darwin Nunez i cili asistoi në mënyrë perfekte.Me këtë rezultat përfundoi takimi.

    Aktualisht Liverpool ka mbledhur 20 pikë dhe renditet në pozitën e parë , kurse Everton ka vetëm 7 pikë dhe renditet në pozitën e 16 në Premier Ligë./Atvlivet.tv

  • Ndeshja e shtatë pa fitore për Prishtinën, Gjilani mposht Fushë Kosovën

    Ndeshja e shtatë pa fitore për Prishtinën, Gjilani mposht Fushë Kosovën

    Kanë përfunduar dy ndeshjet e sotme të Superligës së Kosovës, ku kemi rezultate interesante.

    Skuadra e Prishtinës nuk po arrin ta gjejë rrugën e fitores në Superligë, ku barazoi 0:0 si mysafire e Feronikelit ’74, raporton KosovaPress.

    Feronikeli arriti ta gjejë golin, por që u anulua nga VAR-i për shkak të pozitës jashtë lojë.

    Ndërkaq, pas plot 90’ minutave lojë të zhvilluara në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, SC Gjilani e ka mposhtu me rezultat minimal 1:0 Fushë Kosovën.

    Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Kushtrim Shabani, i cili i siguroi fitoren Gjilanit në minutën e 67’.

    Rezultatet finale:

    Feronikeli ’74 0:0 Prishtina

    Gjilani 1:0 Fushë Kosova

  • Gjykata Komerciale reagon rreth deklarimeve publike, për rastin e marrjes së vendimit për “Rruga A”!

    Gjykata Komerciale reagon rreth deklarimeve publike, për rastin e marrjes së vendimit për “Rruga A”!

    Gjykata Komerciale e Kosovës, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me deklarimet e zyrtarëve shtetëror, lidhur me rastin e marrjes së vendimit për caktimin e masës së sigurisë, përkatësisht shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të OshP-së në rastin “Rruga A”, e cila është në procedurë pranë Dhomës së Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale.

    “Përmbajtja dhe retorika e mediave, si dhe deklaratat e politikanëve, mund të kenë ndikim të madh në opinionin publik dhe besimin në institucionet gjyqësore. Andaj, është e rëndësishme që të ndërtohet një kulturë e respektimit të vendimeve gjyqësore dhe të kujdesemi për të mos paragjykuar ato, duke lënë gjyqtarët të punojnë në mënyrë të pavarur dhe të bazuar në ligj dhe fakte”, ka deklaruar Gjykata.

    Tutje, Gjykata Komerciale në reagimin e saj njofton se palët kanë të drejtën e tyre të shfrytëzimit të mjeteve juridike për vlerësimin e vendimit nga instancat më të larta gjyqësore, andaj nuk duhet të paragjykohet çështja pa marr epilog përfundimtar.

  • Uji, i papijshëm për ata që furnizohen nga Badoci

    Uji, i papijshëm për ata që furnizohen nga Badoci

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Pasi piu një gotë ujë, Armend Metaj kishte ndier simptoma helmimi. Uji, i cili buronte nga ujësjellësi rajonal i Prishtinës, u bë shkaktar që ai të kërkonte trajtim mjekësor muaj më parë.

    “Njerëzit mund të helmohen nga uji, rasti konkret më ka ndodhur mu, jam infektuar në lukth prej ujit, ka mundur me ndodh edhe prej ushqimit që është pastruar nga ai ujë, ama kryesore është uji, kjo gjë edhe faktohet”, tha Metaj.

    Ai thotë se situata mund t’i kishte ndodhur prapë atij e shumë qytetarëve nëse IKSHP-ja nuk do të kishte dalë me njoftim për cilësinë aktuale të ujit nga Badoci, që sipas rezultateve laboratorike rezultoi me rritje të vlerës së manganit.

    Aktualisht, ujin nga rezervat e Badocit qytetarët po e përdorin për shërbime të tjera, por jo pirje.

    “Ne këtë ujë nuk mundemi me përdor për pirje, përveç për pastrim ose diçka se mundemi të helmohemi”, tha Metaj.

    Arjeta Mjeku, zëdhënëse e ujësjellësit “Prishtina“, tha se nuk ka arsye për shqetësim. Sipas saj, prania e manganit gjatë stinës së vjeshtës është dukuri natyrore.

    “Nuk ka vend për shqetësime, sepse është dukuri natyrore dhe kjo kalon, është rezultati i stinës së vjeshtës, nuk është hera e parë nëse mangani paraqitet për një kohë të shkurtër”, tha Mjeku.

    Me qëllim të lehtësimit të kësaj situate e cila, sipas KRU-së, është çështje ditësh, ujësjellësi ka vendosur autobote në rrugën Muharrem Fejza, Hajvali, Kishnicë e Graçanicë, përmes të cilave qytetarët mund të furnizohen me ujë të pijshëm deri në njoftimin e radhës.

  • Rrugë e re që e lidh Prishtinën me Fushë Kosovën

    Rrugë e re që e lidh Prishtinën me Fushë Kosovën

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Kolonat e gjata të trafikut në kryeqytet, pritet që së shpejti të reduktohen.

    Komuna e Prishtinës do të hapë një rrugë të re, e cila do të bëjë lidhjen me Fushë-Kosovën, nëpërmjet nënkalimit në rreth-rrotullimin e Lakërishtës.

    Shtimi i një rruge anësore, sipas njohësit të komunikacionit, Burim Krasniqi, do të jetë zgjidhje për ngarkesën e trafikut në segmentin rrugor më të ngarkuar, atë “Tirana” dhe “Bill Clinton”

    Para afro 7 muajve, përmes hapjes së një rruge tjetër, e cila kalon nëpër tunelin e stacionit të Autobusëve, është mundësuar lidhja e lagjes “Dardania” me atë “Kalabria”.

  • Plagosen tre persona në Laktishtë, policia jep detaje

    Plagosen tre persona në Laktishtë, policia jep detaje

    Policia e Kosovës ka konfirmuar për ATV-në se rreth orës 19:00 tre persona janë plagosur me armë zjarri në lagjen Lakrishtë në Prishtinë.

    Lajmin për ATV-në e ka konfirmuar zëdhënsja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    “Sot rreth orës 19:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në lagjen Lakrishte në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare  dyshohet se me armë zjarri janë plagosur tre persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin  veprimet hetimore për arrestimin e dy personave të dyshuar ( të cilët janë identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë. /atvlive.tv

  • Opozita kërkon alternativa, nëse Qeveria s’e paguan rrymën në veri

    Opozita kërkon alternativa, nëse Qeveria s’e paguan rrymën në veri

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Pas një takimi në Bruksel me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, me 19 korrik, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi deklaroi se nënshkrimi i kontratës mes KEDS-it dhe Elektroseverit për faturimin e rrymës në veri është afër.

    Por, katër muaj pas, Zyra e Rregullatorit për Energji konfirmoi se udhërrëfyesi për energji ka ngecur pikërisht te kjo marrëveshje që KEDS-i duhet ta nënshkruajë me kompaninë serbe, Elektrosever.

    “Në proces janë marrëveshjet komerciale me KEDS-in për shërbimet në katër komunat veriore, si dhe çështje të tjera për ofrimin e qasjes në nënstacionin e Vallaqit”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.

    Madje, edhe disa prej pikave që nisën të zbatohen, nuk u çuan deri në fund.

    “ZRRE-ja është informuar se baza e të dhënave është pranuar nga KOSTT-i dhe KEDS-i, mirëpo këto të dhëna nuk i përmbajnë të gjitha elementet që kërkohen për bazën e të dhënave”, thuhet më tej në përgjigjen e ZRRE-së.

    Përderisa, udhërrëfyesi vazhdon të mos zbatohet, vlera e humbjeve në katër komunat veriore vetëm në pjesën e parë të këtij viti, është mbi 20 milionë euro.

    Teksa barra për mbulimin e humbjeve i bie KOSTT-it, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ditë më parë tha se ekzekutivi nuk ka ndarë mjete financiare për pagesën e rrymës në veri.

    Nëse Qeveria vendos që rrymën e shpenzuar nga qytetarët e komunave veriore të mos e paguajë më, sipas opozitës, duhet të dilet me alternativa të tjera.

    “Është lehtë me thanë se ne nuk e paguajmë. Por kur e thua një gjë të tillë, atëherë duhet të dilet me një alternativë. Barra i bie KOSTT-it e që faktikisht e ka një gjendje shumë të renduar”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

    “Gabimi është që një çështje teknike është kthyer në politike…”, tha deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

    Qytetarët në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryesisht me shumicë serbe – nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar nga viti 1999.

    Gjatë viteve, borxhi i tyre është paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës dhe prej vitit 2017 nga Qeveria e Kosovës.

  • Nis ndërtimi i çerdhes në Godanc të Shtimes

    Nis ndërtimi i çerdhes në Godanc të Shtimes

    Kryeministri, ministrja e Arsimit dhe kryetari i Shtimes, vunë gurthemelin për ndërtimin e çerdhes në Godanc të Shtimes, e cila do të kushtojë rreth 415 mijë euro.

    “Edukimi i hershëm është vendimtar për karakterin dhe tejet i rëndësishëm për karrierën e këtyre fëmijëve, një ditë kur ata do të rriten”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Mirëpo, kjo çerdhe nuk do të jetë e vetmja për këtë komunë, e cila udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje.

    “Deri në fillim të muajit të ardhshëm, do të finalizohet edhe çerdhja e cila është duke u ndërtuar në Muzeqinë të Shtimes dhe kemi paraparë për vitin e ardhshëm edhe çerdhen në Petrovë, të cilat janë disa nga investimet në këtë komunë”, tha ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

    Sipas kryetarit Qemajl Aliu, në katër anët e Shtimes do të ketë çerdhe.

    “Ne kemi fatin me projekte konkrete dhe të studiuara mirë, nga një çerdhe që e kemi gjetur në Komunën e Shtimes, brenda këtij mandati katërvjeçar t’i shtojmë edhe tri çerdhe të tjera”, tha Aliu.

    Punimet e çerdhes së Godancit pritet të përfundojnë brenda dy vjetësh. Çerdhja me kapacitet për më shumë se 70 fëmijë, pritet të funksionalizohet menjëherë. /atvlive.tv

  • Në Kushtetuese, ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil

    Në Kushtetuese, ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil

    Përgatiti: Nora Luta

    Një tjetër ligj i miratuar në Kuvend do t’i nënshtrohet vlerësimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

    Të premten, në sirtarët e kësaj gjykate është dorëzuar kërkesa nga Partia Demokratike e Kosovës, për të parë nëse Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil është në përputhje me Kushtetutën e vendit.

    PDK-ja e kishte kontestuar në Kushtetuese edhe shkarkimin e anëtarëve të këtij Këshilli.

    Avokati Faton Fetahu ka përmendur të paktën katër nene që, sipas tij, nuk janë në përputhje me Kushtetutën, përfshirë rritjen e numrit të anëtarëve dhe heqjen e imunitetit të tyre.

    Ky ligj nuk është në përputhje me Kushtetutën, sipas LDK-së, e cila ka dorëzuar të njëjtën kërkesë në Gjykatë të premten.

    Ligji është miratuar javën e kaluar në Kuvend, por vetëm me votat e deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Përveç LDK-së, e PDK-së, edhe AAK-ja kishte paralajmëruar se do ta dërgojë ligjin në kushtetuese.

  • Ja sa milionë euro do t”i kushtojnë qeverisë pagat e 13-ta për policinë

    Ja sa milionë euro do t”i kushtojnë qeverisë pagat e 13-ta për policinë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Bazuar në pagën mesatare dhe numrin e zyrtarëve policorë, më shumë se 20 milionë euro pritet t’i kushtojnë buxhetit të shtetit 4 paga të 13-ta, nëse Gjykatat Themelore u japin të drejtë, pas padisë që bënë ndaj Qeverisë.

    Ata paditën Qeverinë për moszbatimin e Udhëzimit Administrativ mbi Marrëdhënien e Punës.

    Por, 20 milionë euro, sipas ish-ministrit të Brendshëm, Valdet Hoxha, nuk janë aq problem për Qeverinë, meqë pagat nuk do të ekzekutoheshin njëkohësisht.

    Skeptik për ekzekutimin e tyre, megjithatë, është një ish-ministri i Financave.

    “Qeveria nuk është duke i kryer pothuajse asnjë nga obligimet që janë të paraparë me ligj, kështu që këto gjëra që parashihen me udhëzime as që do t’i futë në listë për t’u marrë me të…”, tha ish-ministri i Financave, Haki Shatri.

    Megjithatë, vendimet e Gjykatës detyrojnë Qeverinë t’i përmbushë obligimet, thotë Hoxha.

    Zyrtarë policorë kanë paditur Qeverinë në periudha të ndryshe kohore dhe në grupe, në disa Gjykata Themelore, pasi nuk i morën pagat e 13-ta.