ATV

Author: ATVLive

  • Policia e Kosovës në bashkëpunim me AUV-in ka gjetur dhe asgjësuar rreth 2000 kg mish me afat të skaduar

    Policia e Kosovës në bashkëpunim me AUV-in ka gjetur dhe asgjësuar rreth 2000 kg mish me afat të skaduar

    Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësia Rajonale Prishtinë, përmes rrugëve operative ka pranuar “Informatë” mbi dyshimin që disa nga prodhuesit e produkteve të mishit, janë duke abuzuar me produktet me afat të skaduar, duke filluar nga shitja e tyre me çmim më të lirë, e deri tek ri-përpunimi i tyre dhe ofrimi për konsum tek qytetarët.

    Më datën 20.10.2023 në konsultim me Prokurorinë Themelore, është realizuar Plani Operativ në bashkëpunim me Inspektoratin e AUV-it me ç’ rast janë kontrolluar disa kompani, në tri lokacione të ndryshme (Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë), ku është bërë kontrollimi i gjithmbarshëm i mallrave/produkteve dhe dokumentacionit përcjellës.

    Në lokacionet e inspektuara/kontrolluara, janë gjetur rreth 2000 kg (dymijë kg) mish dhe produkte të mishit me afat të skaduar, ku një pjesë është asgjësuar ndërsa një pjese iu janë marr mostrat për dërgim në laborator.

    Pas inspektimit të lokacioneve, është përpiluar procesverbal mbi ecurinë e operacionit, ndërsa është iniciuar rasti “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”, ku nga njësitet e DHKEK-së janë duke vazhduar veprimet operativo-hetimore.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e të gjitha dukurive negative, dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave përgjegjës pavarësisht funksionit që ata kryejnë.

  • Kurti: Vitin e ardhshëm buxheti për komuna do të jetë 742 milionë euro – mbështetja vetëm sa është shtuar

    Kurti: Vitin e ardhshëm buxheti për komuna do të jetë 742 milionë euro – mbështetja vetëm sa është shtuar

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë të ditur se buxheti për komunat në vitin e ardhshëm do të jetë 742 milionë euro.

    I pari i qeverisë tha se në vitin 2021 buxheti ishte 547 milionë, sivjet 654 milionë euro, ndërsa vitin tjetër do të jetë 195 milionë më shumë se vitin e parë të qeverisë së udhëhequr nga ai.

    “Pra mbështetja jo vetëm që nuk ka munguar, por ajo vetëm sa është shtuar. Granti i përgjithshëm për komuna tani është më i larti ndonjëherë. Kemi zgjeruar bashkëpunimin në fushën e mjedisit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal përmes ‘Kartës së Komunës së gjelbër dhe të qëndrueshme’”.

    “Në dhjetor 2021 inauguruam ngrohjen me biomasë në Komunën e Gjakovës. Ndërkaq në proces e sipër është studimi i fizibilitetit për ngrohje qendrore në gjithsej tetë komuna, në mënyrë që qytetarët të kenë ngrohje të qëndrueshme me çmim të përballueshëm”, shkroi Kurti, transmeton Klankosova.tv.

    Më tej, Kurti tha se anëtarësimi në organizatën ndërkombëtare “Open Government Patnership”, e ka rreshtuar Kosovën me shtetet më demokratike në zotimin për qeverisje të hapur, llogaridhënës e gjithëpërfshirës.

    “Miratimi i Ligjit të Performancës do ta rrisë transparencën e komunave ndaj qytetarëve. Kurse lansimi i Platformës E-Komuna ua lehtëson qytetarëve marrjen e shërbimeve komunale”.

    “Ndër të tjera, në këto dy vjet e gjysmë janë nënshkruar gjithsej 15 nisma për bashkëpunim ndërkomunal dhe ndërkombëtar, kemi mbështetur afër 150 projekte të ndryshme kapitale në komuna përmes programeve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrisë për Zhvillimin Rajonal, mbi 1500 të rinj nga 10 komuna të ndryshme kanë përfituar nga programi ‘Komunat për të rinj’, dhe janë ndarë 3 milionë euro për ndërtimin e shtëpive të komuniteteve jo shumicë”, shkroi Kurti.

  • Regjistrimi i popullsisë rrezikon të dështojë, ASK-ja kërkon shtyrje të procesit deri në prill të 2024-ës

    Regjistrimi i popullsisë rrezikon të dështojë, ASK-ja kërkon shtyrje të procesit deri në prill të 2024-ës

    Zëvendëskryeshefi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Ilir Berisha, ka thënë se ka dërguar kërkesë në Qeveri që procesi i regjistrimit të popullsisë të shtyhet deri në prill të 2024-ës, për shkak të sfidave që është përballur ky institucion, raporton Ekonomia Online.

    Këtë e ka bërë të ditur gjatë raportimit të premten në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

    Berisha ka thënë se sfidat e këtij procesi janë mungesa e tabletave, trajnimi i stafit si dhe procesi i regjistrimit në komunat veriore.

    Ai ka thënë se si ASK janë duke paraparë që regjistrimin përveç me metodën e tabletave, ta bëjnë edhe me dy metoda të reja duke përfshirë këtu edhe regjistrimin online përmes e-Kosovës.

    “Jemi vone me testim e tablateve, kjo pasi kompania fituese ka dështuar që t’i sjellë tabletat më kohë, për këtë kemi shkëputur kontratën me atë kompani. Kemi nënshkruar marrëveshje me një kompani të re e cila brenda 14 dite do t’i sjell tabletat. Tabletat duhet të jenë se paku një muaj përpara datës së fillimit të regjistrimit, ne ende nuk i kemi. Trajnimi do të bëhet me tableta, ne po tentojmë që regjistrimi të mbaroj në këtë vit. Sfidat janë këto, mungesa e tablateve, stafi në teren dhe një çështje tjetër që ne e kemi cekur vështirësitë në katër komunat veriore për shkak të ngjarjeve të 24 shtatorit, pasi sipas rekomandimeve në vendet ku situatat nuk janë të qetë nuk preferohet të bëhet regjistrimi”, tha ai.

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka pyetur kryeshefin e ASK-së se si do të bëhet regjistrimi për anëtarët e familjeve që janë në jashtë vendit dhe si do të regjistrohen shtëpitë që janë mbyllur.

    Ai po ashtu ka pyetur Berishën nëse ky proces do të filloj në nëntor, pavarësisht sfidave që i përmendi.

    Berisha tha se për ta është paraparë plotësimi i një formulari të veçantë po ashtu edhe mundësi që ata të regjistrohen edhe online.

    Por sipas tij për diasporën të dhënat nuk do të jenë të sakta 100 për qind.

    “Ata do të regjistrohen me një formularë të veçantë. Regjistrohet si shtëpi e pa banueshme. Ne kemi parapa që ata të regjistrohen edhe online, jemi në bashkëpunim me Ministrin e Punëve të Jashtme. Thirrjet për këto do të jenë publike. Ne konsiderojmë që për popullsinë jo rezidente për diasporën tonë nuk do të arrijmë që të jemi të saktë 100 për qind”.

    Berisha duke ju përgjigjur deputetit Hoti tha se kanë dërguar kërkesën për të shtyrë datën e regjistrimit të popullsisë.

    “Kemi dërguar kërkesën që të shtyhet data e fillimit të regjistrimit. Propozimi dërgohet por vendimi merret nga qeveria”, u shpreh Berisha.

    Hoti tha se është për keqardhje që ky proces të dështoj për shkak të tabletave.

    Kritika për vonesa, pati edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku. Ai tha se këto shtyrje po tregojnë se regjistrimi i popullsisë nuk do të bëhet sipas standardeve evropiane.

    “Metoda që ju po e përmendni është vetëm farsë dhe nuk tregon seriozitet as nga Qeveria as nga ju si ASK. Dikush duhet që të jap përgjegjësi për këtë”, tha ai.

    Ndërsa Berisha tha se kanë kërkuar që regjistrimi i popullsisë të fillojë në prill të vitit të ardhshëm.

    Sipas tij me metodën që është paraparë që të filloj regjistrimi i popullsisë me tabletë është e pa mundur që procesi të filloj me 1 nëntor, por sipas tij, ASK është duke shikuar metoda të tjera që të fillojë këtë proces.

  • Shefi ushtarak i Iranit paralajmëron ShBA-në për pasojat e dërgimit të armëve në Izrael

    Shefi ushtarak i Iranit paralajmëron ShBA-në për pasojat e dërgimit të armëve në Izrael

    Irani paralajmëroi ShBA-në për pasojat e dërgimit të armëve në Izrael, duke thënë se kjo do ta ndërlikonte më tej situatën në Gaza, sipas gazetës shtetërore të lajmeve të Iranit, Tasnim.

    “Mbështetja e gjerë e Shteteve të Bashkuara, përfshirë dërgimin e armëve dhe municioneve për regjimin sionist, konsiderohet si pjesëmarrje e qeverisë amerikane në krimet e regjimit sionist. Kjo e ndërlikon më tej situatën në Gaza”, tha të premten shefi i shtabit të Forcave të Armatosura iraniane, gjeneralmajor Mohammad Bagheri gjatë një bisede telefonike me Ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, Yasar Guler, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

    Bagheri tha gjithashtu se nevojiten “veprime serioze” për të parandaluar krimet e luftës dhe bëri thirrje që ndihma humanitare të dërgohen në Gaza.

  • ​Një radio sinjal 8 miliardë vjeçar arriti në Tokë

    ​Një radio sinjal 8 miliardë vjeçar arriti në Tokë

    Astronomët kanë regjistruar valë radio misterioze që u deshën 8 miliardë vjet për të arritur në Tokë. Është një nga shpërthimet më të largëta dhe më të fuqishme të radios së shpejtë (FRB) të vëzhguara ndonjëherë.

    Në fakt, shpërthimi i FRB 20220610A zgjati më pak se një mili-sekondë, por në atë fraksion të një momenti lëshoi ​​aq energji sa lëshon Dielli ynë gjatë 30 vjetëve.

    Shpërthimet e shpejta të valëve të radios janë një nga misteret më magjepsëse në univers. Këto janë sinjale jashtëzakonisht të fuqishme, disa lëshojnë më shumë energji se 500 milionë diej dhe zgjasin më pak se sa hap e mbyll sytë. Një nga karakteristikat më të rëndësishme të FRB-ve është se ato janë jetëshkurtra dhe të paparashikueshme. Zakonisht shfaqen papritur në një pjesë të qiellit dhe zgjasin vetëm disa mili-sekonda.

    Përsëritja e FRB-ve, domethënë kur nuk është vetëm një interval, por disa me radhë, janë shumë të rralla dhe tërheqin veçanërisht vëmendjen e astronomëve. Disa nga FRB-të e përsëritura ndodhin periodikisht, në intervale të rregullta, çdo disa ditë ose muaj.

    “Duke ardhur nga një grup i vogël galaktikash”

    Astronomët duke përdorur një seri teleskopësh të fuqishëm në Australi (ASKAP, Australian Square Kilometer Array Pathfinder) zbuluan FRB 20220610A dhe zbuluan se nga vinte.

    “Me ASKAP, ne ishim në gjendje të përcaktonim se nga erdhi”, tha astronomi Stuart Ryder nga Universiteti Macquarie në Australi, siç raportohet nga CNN.

    “Më pas kërkuam burimin e saktë, galaktikën, me teleskopin shumë të madh në Kili. Ne zbuluam se ajo vinte nga një galaktikë që është më e vjetër dhe më e largët se çdo burim tjetër FRB-sh i vëzhguar deri më tani, dhe se ka të ngjarë për të qenë brenda një grupi të vogël galaktikash që kalojnë përmes procesit të bashkimit”, shtoi ai.

    Misteri i origjinës së FRB

    Burimi i këtij FRB të lashtë është një grup prej dy ose tre galaktikash që tani po kalojnë procesin e bashkimit, ndërveprimit dhe formimit të yjeve të rinj. Ky zbulim është në përputhje me hipotezën se magnetet ose disa objekte të tjera me energji të lartë të formuara pas shpërthimit të yjeve janë përgjegjës për shpërthimet e shpejta të valëve të radios.

    Magnetarët janë yje neutron me fusha magnetike jashtëzakonisht të forta dhe yjet neutron janë bërthamat e shembura të yjeve masivë që kanë arritur fundin e jetëgjatësisë së tyre dhe kanë hedhur pjesën më të madhe të materialit të tyre në hapësirë.

    “Edhe pse ne ende nuk e dimë saktësisht se çfarë i shkakton këto shpërthime të mëdha energjie, ky hulumtim tregon se FRB-të janë një fenomen i zakonshëm në univers dhe se ne mund t’i përdorim ato për të zbuluar lëndën midis galaktikave dhe për të kuptuar më mirë strukturën e universit,” tha astrofizikani Ryan Shannon nga Universiteti në Australi.

    Hulumtimi “Një shpërthim i shpejtë i radios ndriçuese që heton Universin në zhvendosjen e kuqe 1”, u botua në revistën “Science”.

  • Osmani emëron anëtaren e re të KQZ-së nga Partia Demokratike Turke

    Osmani emëron anëtaren e re të KQZ-së nga Partia Demokratike Turke

    Presidentja Vjosa Osmani, në përputhje me kompetencat e saj, ka emëruar anëtaren e re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Mufera Srbica Şinik të propozuar nga Partia Demokratike Turke të Kosovës (KDTP).

    Në ceremoninë e betimit para Presidentes, anëtarja e re e KQZ-së deklaroi se do t’i kryejë detyrat e saj si anëtare e KQZ-së në mënyrë të ndershme, besnike, të paanshme dhe profesionale.

  • Ballkani i pandalshëm, mposht Lirinë me rezultat të thellë

    Ballkani i pandalshëm, mposht Lirinë me rezultat të thellë

    Në kuadër të xhiros së 10, kampioni aktual i ‘Albi Mall Superligës’ Ballkani nuk ka lejuar befasi.

    Në ndeshjen e zhvilluar në Suharekë, të drejtuarit e trajnerit Ilir Daja kanë fituar me rezultat 4:1 përballë Lirisë së Prizrenit.

    Megjithatë, befasia ndodhi në minutën e 16, kur Liria kaloi në epërsi me golin e mbrojtësit Melos Zenunaj. Me këtë rezultat përfunduan edhe 45 minutat e parë.

    Në pjesën e dytë Ballkani ishte skuadër komplet tjetër dhe kështu e përmbysë epërsinë e skuadrës mysafire.

    Në minutën e 46, Albin Berisha realizoi nga pika e penalltisë për 1:1, vetëm 4 minuta më vonë reprezentuesi i Kosovës, Lumbardh Dellova realizoi për 2:1, me pas në skenë doli Almir Kryeziu i cili shënoi dy gola.

    Ish lojtari i Dritës realizoi në minutat 55 dhe 79.

    Pas kësaj fitore Ballkani ka grumbulluar 23 pikë dhe kështu e ka përforcuar pozitën e parë në ‘Albi Mall Superligë’.

    Kujtojmë që te Enjten Kampioni i Kosovës në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë e pret Astanën, ndeshje kjo e vlefshme për rrethin e dytë në Konferencë Ligë.

  • Borrelli arrin në Uashington, merr pjesë në samitin ShBA-BE ku do të diskutohet edhe për Ballkanin

    Borrelli arrin në Uashington, merr pjesë në samitin ShBA-BE ku do të diskutohet edhe për Ballkanin

    Situata në Ballkanin Perëndimor dhe angazhimi i përbashkët në këtë rajon do të jetë një prej temave të samitit në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimit Evropian (BE) që zhvillohet më 20 tetor në Uashington.

    Së fundmi, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Joseph Borrel ka konfirmuar se ka arritur në këtë samit.

    “Mbërrita në Uashington për të marrë pjesë në samitin e sotëm ShBA-BE. Ne jemi të përkushtuar të forcojmë partneritetin tonë për vitet në vijim. Së bashku, ne duam të punojmë për një botë më të sigurt dhe më të qëndrueshme, për një të ardhme paqësore dhe të begatë për të gjithë”, ka thënë ai.

    Një ditë pas mbajtjes së samitit në Uashington, në Kosovë dhe Serbi do të nisin vizitën i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me kolegët e tij nga Gjermania, Franca dhe Italia. Vizita e përfaqësuesve ndërkombëtarë synon të ringjallë dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Në BE kanë thënë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që ShBA-ja të mbështesë dialogun Kosovë-Serbi, por edhe rolin udhëheqës të BE-së si lehtësues në këtë proces.

    Samiti ShBA-BE është i pari që zhvillohet pas më shumë se dy vjetësh. Nikoqir i takimit të së premtes do të jetë presidenti amerikan, Joe Biden, ndërkaq nga BE-ja në këtë samit do të marrin pjesë presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

    Në këtë takim pritet të shprehet mbështetja e përbashkët për luftën e Ukrainës kundër agresionit rus.

  • BE: E nevojshme më shumë mbrojtje nga terrori islamist

    BE: E nevojshme më shumë mbrojtje nga terrori islamist

    Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz kërkoi të enjten (19.10.2023) në Bundestag gjatë deklaratës qeveritare një “qëndrim të prerë” kundër antisemitizmit dhe urrejtjes ndaj Izraelit. Ministrja e Brendshme Nancy Faeser deklaratën e kancelarit e shtroi si temë në takimin e rregullt të ministrave të Brendshëm të BE-së në Luksemburg.

    Demonstratat e dhunshme nuk mund të tolerohen. “Duhet vepruar ashpër. Për ne është në fokus mbrojtja e të gjithë hebrenjve. Unë dënoj, atë që ka ndodhur në Berlin gjatë natës. Çfarë nuk është në rregull, është shpërthimi i dhunës, e aq më keq kundër policëve”, tha Faeser në kuadër të këtij takimi.

    Në Berlin pavarësisht ndalimit të demonstratës ishin mbledhur qindra demonstrues pro-palestinezë, policë dhe zjarrfikës u sulmuan dhe u plagosën.

    Edhe në qytete të tjera europiane ka pasur manifestime proteste kundër veprimeve të Izraelit kundër organizatës islamiste palestineze Hamas, të klasifikuar si organizatë terroriste nga BE, SHBA dhe vende të tjera. Në Athinë u mblodhën 10.000 vetë. Protesta kaloi e paqtë. Në Bruksel është planifikuar për në fundjavë një manifestim i madh.

    Përforcohen masat mbrojtëse ndaj institucioneve të hebrenjve

    Ministrat e Brendshëm të BE-së ndjekin me shqetësim pasojat e krizës në Lindjen e Mesme ndaj gjendjes së sigurisë në vendet e tyre. Gjermania dhe Austria kanë përforcuar masat mbrojtëse ndaj institucioneve të hebrenjve. Minsitrja gjermane, Nancy Faeser dhe homologu i saj austriak Gerhard Karner në një konferencë të përbashkët shtypi thanë, se Gjermania dhe Austria për shkak të historisë së tyre të errët kanë një përgjegjësi të veçantë. Gjermania naziste aneksoi më 1938 Austrinë në Rajhun Gjerman. Nga të dy këto shtete vinin dorasit e Shoah-së. Ministri i Brendshëm i Austrisë Gerhard Karner tha, se nuk mund të pranohet, që aktualisht fëmijët hebrenj kanë frikë të shkojnë në kopshte e shkolla prej sulmeve antisemitise. Kjo duhet të ndryshojë.

    Ministrja Nancy Faeser dënoi sërish ashpër “përmasat barbare” të sulmit terrorist të Hamasit në Izrael: “Eshtë sulmi më i rëndë që pas Shoah-së.” Pas fillimit të një ofensive të mundshme të Ushtrisë së Izraelit në terren në Rripin e Gazës mund të ashpërsohet gjendja e sigurisë dhe dhuna kundër institucioneve të hebrenjve. “Jemi të përgatitur me autoritetet e sigurisë për të gjitha eventualitetet. Ndaj e kemi intensifikuar mbrojtjen. Ne do ta mbajmë këtë intensitet edhe për javët e muajt në vazhdim”, tha ministrja e Brendshme gjermane duke iu përgjigjur pyetjes së Deutsche Welles në Luksmeburg.

    Rreziku i terrorit rritet nga kriza në Lindjen e Mesme

    Jo vetëm rreziku për sulme antisemitiste rritet, por edhe rreziku për terror në përgjithësi. Në Bruksel një azilkërkues i refuzuar nga Tunizia me sa duket për motive islamiste vrau dy tifozë suedezë futbolli dhe plagosi një tjetër. Grupi terrorist “Shteti Islamik” mori përgjegjësinë për këtë sulm.

    Edhe në Francë javën e kaluar pati një viktimë si pasojë e një atentati me thikë të kryer nga një çeçen për motive islamiste. Ministrja belge e Punëve të Brendshme, Annelies Verlinde u deklaroi homologëve të saj, se dorasi nga Brukseli ndodhej që prej dymbëdhjetë vjetësh në BE, ka qenë i ndjekur penalisht, ka qenë i dënuar me burg në Suedi dhe kishte aplikuar katër herë në vende të ndryshme për azil. Të gjitha aplikimet e tij ishin refuzuar. Aplikimi i fundit i refuzuar ka qenë më 2019 në Belgjikë, prej nga ai megjithatë nuk ishte larguar dhe qendronte në ilegalitet.

    Kërkesa për më shumë dëbime të azilkërkuesve të refuzuar nga BE

    Ky rast, sipas shumë ministrave të Brendshëm të BE-së tregon, se sistemi aktual i dëbimeve nuk funksionon. Po ashtu duhet të përmirësohet shkëmbimi i të dhënave ndërmjet vendeve anëtare në BE. Aktualisht komunikimi mes policisë dhe autoriteteve të azilit në disa vende të BE-së si në Belgjikë lë mjaft për të dëshiruar.

    Bavari: Kontrolle në kufi nga policia kufitare

    Përgjigja ndaj terrorit dhe migracionit ilegal është shtimi i kontrolleve në kufijtë e brendshëm të BE-së.

    Shpesh dëbimi i azilkërkuesve të refuzuar dështon edhe se vendet e origjinës nuk i pranojnë shtetasit e tyre. Në këtë drejtim Komisioni i BE-së në të ardhmen do t’i përmbahet më fort legjislacionit për vizat. Nëse një shtet refuzon të pranojë azilkëkruesit e refzuar që dëbohen nga vendi ku kanë aplikuar, atëherë BE-ja mund të rivendosë ose të ashpërsojë regjimin e vizave për shtetasit e tjetër të këtij vendi. Ky qendrim ka pasur efekt në rastin e Irakut, Pakistanit dhe Bangladeshit duke bërë që këto vende të rrisin kuotat e pranimit të të riatdhesuarve, vuri në dukje komisarja e BE-së Ylva Johansson.

    Me shtimin e migrantëve shumë shtete si Gjermania, Austria, Hungaria, Italia dhe Franca rivendosën kontrollet në pikëkalimet kufitare. Me këtë synohet të luftohet kriminaliteti i kontrabandistëve të migrantëve, tha minisstrja gjermane Nancy Faeser. Po ashtu kontrollet ndihmojnë edhe në kërkimin dhe ndalimin e të dyshuarve për terror, thuhet nga vendet e tjera të BE-së. Megjithatë kontrollet sistematike dhe të vazhdueshme janë në kundërshtim me rregullat bazë të hapësirës Shengen që garanton liri maksimale të lëvizjes. Ministri austriak Gerhard Karner e përshkruan kështu situatën: “Shengeni nuk ka marrë fund, por është dëmtuar.” Kjo marrëveshje mund të riparohet me një sistem të ri azili dhe me një mbrojtje më të mirë të kufijve të jashtëm të BE-së.

    Hebrenjtë në Gjermani: Frikë prej dhunës

    Duhet të dëbohen më shumë migrantë direkt në kufijtë e jashtëm të BE-së. Kjo duhet arritur me një paketë të re rregullash për azilin në BE, e cila deri në fund të vitit duhet të diskutohet në Parlamentin e BE-së dhe të zbatohet për dy vjet. Deri atëherë, sipas ministres Nancy Faeser, duhet të vazhdojnë përkohësisht kontrollet e jashtëzakonshme në kufijtë e hapësirësh Shengen. “Ne e bëjmë këtë jo për të zemëruar, ata që udhëtojnë për punë çdo ditë nga njeri vend i BE-së në tjetrin, por për të kapur kontrabandistët”, shpjegoi ministri i Brendhsëm austriak Karner.

  • Përmbyllet Panairi “AgroKos”, prodhuesit kërkojnë mbështetjen e institucioneve

    Përmbyllet Panairi “AgroKos”, prodhuesit kërkojnë mbështetjen e institucioneve

    Panairi Ndërkombëtar “AgroKos”, është përmbyllur të premten në Prishtinë. Në këtë Panair kanë marrë pjesë 130 biznese nga shumë vende për të prezantuar produktin e tyre, raporton Ekonomia Online.

    Esat Berisha, nga “Arti Fruti” nga Prizreni, tha se është për herë të parë në “AgroKos”. Ai thotë se deri më tani nuk ka marrë ndonjë mbështetje nga institucionet shtetërore.

    “Ne më aroni kem filluar 2017, në panairin ‘AgroKos’, kam pas fate të jam për herë të parë, ma herët nuk kemi pasur mundësi se aronia ka lyp edhe kohë që të zhvillohet, procedurat sikur çdo panair është e thjesht aplikimi nuk është e komplikume, na kanë informuar organizatorët e panairit, deri tash nuk kemi mbështetje të asnjë institucioni”.

    Xhemile Krasniqi nga Shoqata e Bletarëve “Mimfa” nga Obiliqi, thotë se ka pasur fatin që të përkrahej nga komuna, për biznesin e saj, por thotë se kanë nevojë ende për më shumë mbështetje.

    “Synimi im është bletaria më qene se është organizatë joqeveritare tu pa gratë që kanë nevojë për një vetë punësim dhe kjo është ideja ime që kam sot edhe grupin e grave më ushqime tradicionale, është hera e parë që kam marrë pjesë në këtë panair aplikimi nuk ka qenë farë i shtirë meqenëse komuna na ka mbulua shpenzimet i jam mirënjohëse edhe komunës sonë”.

    Bastri Veseli, nga “Leoni Group” nga Prishtina, thotë se vitin e kaluar i ka subvenciono Qeveria ndërsa këtë vite kanë investuar vet në shtim të kapaciteteve, raporton EO.

    “Çdo vite ne marrim pjesë në panairin ‘AgroKos’, mbështetjen prej institucioneve është e kënaqshme, institucionet kanë reflektuar pozitivisht dhe jemi shumë të kënaqur më përkrahjen edhe suportin, gjersa nga Ministria e Tregtisë, Ministria e Bujqësisë nga të gjithë janë enpatik ndaj prodhuesit vendorë, aplikacioni është standard dhe ka kushtet e veta të pagesës, vitin e kaluar na ka subvenciono Qeveria këtë vite jemi me vetë financim”.

    Ndërsa Elita Bytyqi, “Vidasus Voda” nga Gjakova, tha që është hera e dytë e pjesëmarrjes në këtë panair, dhe që aplikimi ka qenë shumë i thjeshtë.

    “Në kemi çdo vite dëshire me marrë pjesë në panairin ‘AgroKos’ sepse është një që na ka mbështetur më së shumti që nga starti ku vazhdimisht ata na ftojnë ne qe të marrim pjesë për arsye që është një promovim shumë i mirë i produkteve, mbështetja prej ‘AgroKos’ është shumë e madhe, ne kemi filluar të marrim pjesë që nga viti i kaluar, aplikimi ka qenë shumë i thjeshtë”.