ATV

Author: ATVLive

  • ​Çfarë ka ndodhur me yllin rus të tenisit, Maria Kirilenko?

    ​Çfarë ka ndodhur me yllin rus të tenisit, Maria Kirilenko?

    Maria Kirilenko është një ish-yll i tenisit, e cila bëri emër me aftësitë e jashtëzakonshme në tenis dhe me pamjen e saj elegante. Por si u bë ajo e famshme dhe çfarë është duke bërë tani?

    Kirilenko ka lindur në Moskë të Rusisë më 25 janar të vitit 1987. Ajo tregoi aftësi tejet të mira në tenis në moshë të hershme, duke e fituar Canadian Open dhe US Open si juniore, raporton KosovaPress.

    Kirilenko e filloi karrierën si profesioniste në vitin 2001, dhe bëri debutimin e saj në WTA në vitin 2002. Rusja vazhdoi të ngjitej në ranglistë dhe e fitoi titullin e saj të parë në vitin 2005, duke mposhtur Anna-Lena Gronefeld në finalen e China Open.

    Një vite më vonë, Kirilenko arriti sukses kur hyri në top 20 e tenisteve më të mira në botë për herë të parë në karrierën e saj. Në vitin 2007, ajo e fiton titullin e dytë të karrierës në WTA, duke fituar Sunfeast Open në Kolkata të Indisë. Në total, Kirilenko fitoi gjashtë tituj WTA në karrierë, ndër ta edhe turneun prestigjioz të Barcelonës.

    Kirilenko nuk fitoi kurrë një Grand Slam, por garoi në turnetë më të mëdhenj për shumë vite. Rezultati më i mirë i saj ishte në çerekfinale të Australian Open, French Open dhe Wimbledon. Në US Open, ajo kurrë nuk kaloi më tej se raundin e katërt.

    Kirilenko gjithashtu u fokusua edhe në karrierën dyshe si teniste. Në fakt, ajo ishte më e suksesshme në lojën çift, se e vetme. Në lojën në çift, ajo fitoi plot 12 tituj dhe arriti në finale të Australian Open dhe French Open.

    Pas një lëndimi në vitin 2013, Kirilenko luajti sezonin final të saj në vitin 2014, duke garuar në çdo Grand Slam përveç Australian Open. Ajo u pensionua të njëjtin vit, pas karrierave të suksesshme si teniste e vetme dhe në lojën dyshe.

    Në jetën e saj private, Kirilenko kishte marrëdhënie me ish-tenistin Igor Andreev, para se të fejohej me lojtarin e ice hockey, Alexander Ovechkin. Kirilenko dhe Ovechkin u fejuan, por nuk u martuan për arsye personale.

    Por, Kirilenko gjeti dashurinë më vonë në jetë, kur ajo u martua me Alexei Stepanov, kreun e Komitetit të Shërbimeve Publike të Moskës, në janar të vitit 2015.

    Kirilenko dhe Stepanov u bënë prindër për herë të parë në vitin 2015, kur lindën një djalë, ndërsa në vitin 2017 pritën në jetë një vajzë.

    Krahas tenisit dhe jetës së saj të dashurisë, Kirilenko shijoi karrierë edhe si modele. Për disa vite, ajo ishte një nga fytyrat e koleksionit Adidas të Stella McCartney.

  • ​Izrael-Gaza: BE bën thirrje për “korridore dhe pauza” për ndihmat humanitare

    ​Izrael-Gaza: BE bën thirrje për “korridore dhe pauza” për ndihmat humanitare

    Udhëheqësit e BE-së kanë bërë thirrje për “korridore dhe pauza” si një mjet për të dërguar ndihma humanitare shumë të nevojshme në Gaza.

    Pas më shumë se pesë orësh bisedimesh në një samit në Bruksel, në një deklaratë të përbashkët u kërkua qasje e sigurt dhe e papenguar.

    Izraeli filloi bombardimin e Gazës dhe ndërpreu karburantet, ushqimet dhe furnizimet e tjera pas sulmit të Hamasit në të cilin u vranë 1.400 njerëz dhe 224 u morën peng.

    Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, thotë se më shumë se 7.000 njerëz janë vrarë në territor që atëherë dhe se sistemi i saj shëndetësor po përballet me kolapsin total, me një të tretën e spitaleve që nuk funksionojnë dhe pjesa tjetër trajton vetëm rastet e urgjencës.

    Vetëm sasi të vogla ndihmash kanë filluar të arrijnë në Gaza ditët e fundit.

    Samiti i liderëve të BE-së është takimi i tyre i parë ballë për ballë që nga sulmet e 7 tetorit.

    Deklarata e tyre dënon sulmet e Hamasit dhe “thekson fuqishëm të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.

    “Këshilli Evropian shpreh shqetësimin e tij më të madh për përkeqësimin e situatës humanitare në Gaza dhe bën thirrje për qasje dhe ndihmë të vazhdueshme, të shpejtë, të sigurt dhe të papenguar humanitare për të arritur tek ata në nevojë përmes të gjitha masave të nevojshme, duke përfshirë korridoret humanitare dhe pauzat për nevoja humanitare”, thuhet në deklaratë.

    Kjo mund të mos duket shumë, por për një institucion që përfaqëson 27 vende me disa pikëpamje thelbësore të kundërta për konfliktin izraelito-palestinez – është një kompromis.

    “Pauza humanitare” nënkupton intervale të shkurtra prej vetëm disa orësh, në mënyrë që BE-ja të mund “të punojë ngushtë me partnerët në rajon për të mbrojtur civilët, për të ofruar ndihmë dhe për të lehtësuar qasjen në ushqim, ujë, kujdes mjekësor, karburant dhe strehim, duke siguruar që ndihma e tillë të mos keqpërdoret nga organizatat terroriste”, thuhet në deklaratë.

    BE-ja nuk është një fuqi ushtarake – gjithçka që ata mund të bëjnë, në të vërtetë, është të ushtrojnë presion diplomatik dhe të japin ndihmë.

    Dhe në fund të fundit, kjo deklaratë mund të mos ndryshojë asgjë. Më herët sot Benny Gantz, një anëtar i kabinetit të luftës të Izraelit, tha se vendi do të merrte vendime për planet e tij të luftës në Gaza, bazuar në interesat e veta. /BBC

  • ​Shoqëria civile: Nga 400 milionë euro të ndara për bujqit, vetëm 186 milionë u implementuan

    ​Shoqëria civile: Nga 400 milionë euro të ndara për bujqit, vetëm 186 milionë u implementuan

    Mbi 50 për qind e tokës në Kosovë është kualifikuar të jetë tokë bujqësore, megjithatë sektori formal bujqësor mbulon vetëm 3.9 për qind të fuqisë punëtore të përgjithshme. Ndërkaq, inflacioni në Kosovë është rritur mbi 12 për qind.

    Kështu u tha në konferencë për media nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), i cili në në konsorcium me Grupin për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) dhe Institutin GAP, prezantoi raportin tematik me temën “Bujqësia në fokus: roli, impakti dhe keqpërdorimet e fondeve mbështetëse”.

    “Disa prej atyre që janë ndihmuar nga persona të caktuar, kanë abuzuar me paranë publike duke I mbyllur fermat, duke mashtruar ministrinë ose duke mos i implementuar ato deri në fund… Ka fermerë që nuk kanë ku t’i mbajnë lopët dhe detyrohen t’i sheshin ato”, thuhet në këtë raport.

    Hulumtuesja dhe koordinatorja e projektit, Laura Nushi tha se gjatë pesë viteve të fundit rreth 400 milionë euro janë ndarë nga Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në mbështetje të fermerëve dhe bujqve, derisa shtoi se rreth 200 milionë euro prej tyre janë implementuar. Ajo shtoi se pavarësisht kësaj, numri i popullsisë që jeton në varfëri në Kosovë mund të arrijë deri në 26 për qind.

    “Përkundër faktit që gjatë pesë viteve të fundit buxheti i ndarë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për Kosovën ka arritur në 396.100 milionë euro aq sa kemi mundur ne të mbledhim nga raportet që ata i kanë publikuar. Fatkeqësisht vetëm 186.300 milionë euro janë implementuar. Për dy vitet e fundit, për vitin 2021/2022, raportet ende nuk janë të publikuara. Ndërkaq, për vitin 2023 ende nuk është publikuar vetë programi për zhvillim rural që ka për qëllim ndarjen e granteve nëpërmjet kritereve të përcaktuara. Edhe pse është ndarë ky buxhet kaq shumë i madh, afërsisht rreth 400 milionë, fatkeqësisht numri i popullsisë që jeton në varfëri në Kosovë mund të arrijë nën apo në kufi 26 për qind, ku prej tyre 23 për qind nuk mund as të përballen me rritjen e çmimeve të produkteve bujqësore, primare dhe esenciale që janë për jetesë”, tha Nushi.

    Nushi tha se inflacioni në Kosovë është rritur për 12.7 për qind, derisa potencoi se vetëm muajt e fundit ky inflacion është rritur për 4.2 për qind.

    “Ku është më të vërtetë efikasiteti apo impakti i granteve apo subvencioneve në bujqësi, nëse ne hasim në rritje të çmimeve në treg, duke marrë parasysh që vetë ato para të granteve dhe subvencioneve janë parat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, para publike… Inflacioni në Kosovë është rritur për 12.7 për qind gjatë viteve të fundit, ndërkaq vetëm muajt e fundit inflacioni në Kosovë është rritur për 4.2 për qind në bazë të statistikave të mbledhura nga ASK. Rreth 54.23 për qind e Kosovës të jetë tokë bujqësore vetëm 3.9 për qind të fuqisë punëtore të përgjithshme i mbulon ky sektor, gjë që hasim në migrimin e popullsisë dhe mungesën e personave apo bujqve dhe fermerëve të cilët edhe dëshirojnë të punojnë në tokat tona bujqësore”, tha Nushi.

    Ajo shtoi se është evidente që bujqësia në Kosovë përkundër parakushteve të favorshme për të qenë një vend i vyer bujqësor, vazhdon të përballet me sfida të mëdha të cilat e pengojnë zhvillimin e tij si një sektor me vlerë të shtuar, sipas saj për shkak të politikave të gabuara dhe mungesës së vizionit për të promovuar zbatimin e strategjive efektive në shumë nën sektorë të saj.

    Ndërsa, në raportin “Bujqësia në fokus” janë dhënë disa rekomandime të cilat përfshijnë uljen e kriterit për subvencione dhe grante, të përditësohet lista e zezë që përmban emrat e bujqve që kanë qenë të përfshirë në korrupsion dhe të kryhen studime rreth mundësive të përshtatshmërisë për kultivimin e kulturave bujqësore.

    Rekomandime këto, për të cilat hulumtuesi në INDEP, Liron Gjocaj bëri thirrje që të merren për bazë për shkak se janë në të mirë të të gjithë vendit.

    “Shpresojmë që të gjitha rekomandimet e punimit dhe thirrjet tona të hasin në një derë të hapur dhe këto rekomandime të merren për bazë për shkak se nuk janë rekomandimet më të mira të shoqërisë civile apo të një target grupi, por janë në të mirë të gjithë vendit”, potencoi Gjocaj.

    Ndër të tjera në këtë raport thuhet se ‘grantet iu jepen njerëzve të fuqishëm dhe në vend se ato t’i jepen atyre që kanë nevojë deh që mbajnë bagëtitë e tyre në stalla dhe kushte mjerueshëm ministria u jep grante atyre që kanë para dhe janë milionerë’. /kp

  • Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, të hënën vjen në Kosovë

    Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, të hënën vjen në Kosovë

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të hënën do të udhëtojë në Prishtinë, ku do të takohet me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, thuhet në njoftimin zyrtar në ueb faqen e Komisionit Evropian, përcjell atvlive.tv.

    “Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të dielën do të nisë një vizitë katërditore në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Mal të Zi, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Ky do të jetë rasti për të diskutuar bashkëpunimin dypalësh dhe veçanërisht për t’u prezantuar më në detaje udhëheqësve rajonalë Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Ajo të hënën do të udhëtojë për në Prishtinë, ku do të takohet me Presidenten dhe kryeministrin e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti”, thuhet në njoftim. /atvlive.tv

  • Çfarë ka pranuar Kurti dje në Bruksel? – Flet gazetari Fatlum Jashari

    Çfarë ka pranuar Kurti dje në Bruksel? – Flet gazetari Fatlum Jashari

    Gazetari i ATV-së, Fatlum Jashari, në emisionin A LIVE, ka dhënë më shumë detaje takimet e djeshme të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me liderët e BE-së.

    Ai thotë se, plani i propozuar nga SHBA dhe BE, i cili është pranuar nga kryeministri Kurti, ende vazhdon të mbetet misteriaoz dhe krejt ajo që dihet për të, është se bëhet fjalë për një ‘model modern evropian’.

    “Kryeministri Kurti e ka pranu këtë draft që është paraqitur, që kryeministri e quan draft për menaxhimin e komunitetit serb që është pika e 7 e lidhur me nenin 10, pastaj që rrjedhin obligimet nga marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Mund të ketë ndoshta ndonjë model të kombinuar, mund të ketë ndoshta ndonjë emër tjetër që i përshtatet për të përmbushur obligimet nga marrëveshja e ratifikuar e vitit 2013. Mbetet të shihet se si do të ecën. Kryeministri Kurti e ka pranuar si bazë të mirë dhe thuhet se do të ketë diskutime ende për këtë model të asociacionit që BE-ja thotë se është model modern evropian, për të vënë në pah se nuk do të ketë modele ballkanike që përfshihen në këtë propozim”, tha gazetari Jashari.

    Ai përmend dy modele si opsione të mundshme, bëhet fjalë për modelin e komunitetit suedez në Finlandë dhe atë të komunave me shumicë Gjermane në Belgjikë.

    “Përmbajtja e planit mbetet ende misterioze, ndonëse janë përmendur disa modele të mundshme si opsione në diskutim, është përmendur modeli i komunitetit suedez në Finlandë që, siç e ka shpjeguar edhe profesori Arsim Bajrami, është më shumë një model kulturor, një lloj autonomie kulturore/edukative, ku komuniteti suedez në Finlandë gëzon të drejtat e arsimimit në gjuhën e tyre, të punës në institucione, të marrjes së vendimeve dhe gjithçka në institucione ne gjuhën suedeze krahas gjuhës Finlandeze dhe modeli i komunave me shumicë Gjermane ne Belgjikë që janë të vendosura në mes të Gjermanisë, Holandës, Luksemburgut, e që për dallim prej Kosovës, përbëjnë një territor më kompakt, pra janë më të ngjitura afër njëra-tjetrës”, shpjegoi Jashari.

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Hoti njofton për gjetjen e mbetjeve mortore të personave të zhdukur gjatë gërmimeve të fundit në Prizren

    Hoti njofton për gjetjen e mbetjeve mortore të personave të zhdukur gjatë gërmimeve të fundit në Prizren

    Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, përmes një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin A LIVE në ATV, e konfirmoi se pas gërmimit në varrezat e Arbanës së Prizrenit, kanë hasur në mbetjet mortore të një personi të zhdukur, që kanë qenë në kërkim.

    Ai tha se tani mbetet që rezultatet e ADN-së ta japin fjalën e fundit.

    “Ne, në Arbanë të Prizrenit, kemi qenë në kërkim të paktën të një personi të zhdukur që ka qenë pjesë e një grupi që ka qenë i zhdukur prej 11 personash prej kohës së luftës, prej krimeve të luftës dhe ta kemi parasysh kemi qenë në varrezat e Arbanës së Prizrenit, që ka qenë goxha sfiduese për ekipet tona për me i gjetë mbetjet mortore të këtij personi, por që fatmirësisht, kemi hasur në mbetje mortore që potencialisht, bazuar në ekspertët tanë, janë pikërisht të personit të zhdukur që ne kemi qenë në kërkim, por natyrisht rezultatet e ADN-së pastaj i verifikojnë”, tha Hoti.

    Ai tha se gjatë ditës së djeshme kanë qenë edhe në lagjen Tusuz të Prizrenit, pikërisht në varrezat e këtij vendit, ku dyshohet se janë disa persona që ende janë të zhdukur.

    “Menjëherë dje kemi qenë në lagjen Tusuz që është po ashtu në Prizren, në varrezat e këtij vendi dhe aty kemi shënjestru vendin, sepse aty dyshojmë se kemi disa persona të cilët janë ende të zhdukur dhe të cilët dyshojmë se janë pikërisht në ato varreza, por që do të jetë sfiduese sepse ato janë edhe varreza të natyrshme, por edhe varreza që mund të ketë persona të zhdukur”, njoftoi Hoti. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Haradinaj: Kurti e vendosi Kosovën në pozicion të duhur, bëri hap të madh përpara

    Haradinaj: Kurti e vendosi Kosovën në pozicion të duhur, bëri hap të madh përpara

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka përshëndetur hapat e ndërmarrë nga kryeministri Albin Kurti të enjten në Bruksel, pasi u shpreh i gatshëm ta nënshkruajë edhe Marrëveshjen Bazë, edhe draftin e ofruar për Asociacionin.

    Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Haradinaj tha se të enjten Kosova ka bërë një hap të madh në rrugën e saj përpara.

    “Dje Kosova ka bërë një hap të madh përpara. Kryeministri Kurti e ka vendos Kosovën në pozicion të duhur pas shumë gabimeve dhe pas një kohe të gjatë të humbur në dialog”, ka thënë Haradinaj.

    “Besoj që edhe presidenti Macron ndihet mirë. Kosova i ka mbajtur fjalët. I ka mbajtur fjalët kryeministri Kurti. Udhërrëfyesi i Ohrit është konfirmuar dje me gatishmërinë për zbatim. Lus BE-në që të vazhdojë me liberalizimin e vizave sepse qytetarët e kanë merituar këtë me kohë”, ka thënë kreu i AAK-së.

    Qëndrime të kundërta nga AAK-ja lidhur me zhvillimet në procesin dialogues kanë mbajtur partitë e tjera opozitare.

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu tha se kryeministri Kurti dje i ka bërë “dëm të pariparueshëm funksionimit të shtetit të Kosovës”.

    Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi e kritikoi Kurtin për pranimin e Asociacionit për të cilin tha se “u vranë njerëz në këtë vend”.

  • ​Superliga e Shqipërisë rikthehet me dy ndeshje interesante

    ​Superliga e Shqipërisë rikthehet me dy ndeshje interesante

    Superliga e Shqipërisë i rikthehet sot aksionit me dy ndeshje tejet interesante, të vlefshme këto për xhiron e 10 të këtij sezoni.

    Me fillim nga ora 14:00 stadiumi “Zeqir Ymeri” do të jetë nikoqir i përballjes mes Kukësit dhe Vllaznisë, raporton KosovaPress.

    Kukësi zë vendin e nëntë në tabelë me 10 pikë, dy më pak se Vllaznia në vendin e pestë me 12 pikë të arkëtuara.

    Po ashtu, ndeshje sot do të zhvillojë edhe Laçi, i cili nga ora 17:00 luan si mysafirë i Erzenit.

    Laçi renditet i treti në tabelë me 13 pikë, krahas Erzenit që zë vendin e shtatë në kuotën 11 pikëve.

    Programin e plotë të ndeshjeve të sotme në Superligën e Shqipërisë e gjeni më poshtë.

    14:00 Kukësi – Vllaznia

    17:00 Erzeni – Laçi

  • Shkëmbim zjarri midis ushtarëve pakistanezë dhe indianë në kufi

    Shkëmbim zjarri midis ushtarëve pakistanezë dhe indianë në kufi

    Ushtarët pakistanezë dhe indianë të vendosur përgjatë kufirit të diskutueshëm në Xhamu dhe Kashmir shkëmbyen zjarr të enjten vonë, transmeton Anadolu.

    Të shtënat e fundit u raportuan pranë Sialkot në anën pakistaneze dhe Xhamu në anën tjetër të kufirit.

    “Të shtënat filluan pasi një dron indian tentoi të hyjë në territorin pakistanez dhe u rrëzua nga forcat pakistaneze”, raportoi “Dawn News”, duke cituar burime ushtarake.

    Ushtria e Pakistanit ende nuk është prononcuar lidhur me rastin. Sipas Forcave të Sigurisë Kufitare të Indisë (BSF), forcat pakistaneze “hapën zjarr të paprovokuar” përgjatë kufirit në Xhamu të enjten mbrëma.

    “Forcat e BSF-së iu përgjigjën menjëherë zjarrit”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se një civil dhe një pjesëtar i BSF-së janë plagosur.

    Javën e kaluar, dy pjesëtarë të BSF-së u plagosën pasi forcat pakistaneze hapën zjarr përgjatë kufirit ndërkombëtar në rajonin Xhamu, njoftoi agjencia lokale e lajmeve “Press Trust of India”.

  • LVV bojkoton seancën, Tahiri: Pushteti po frikësohet të ballafaqohet në Kuvend

    LVV bojkoton seancën, Tahiri: Pushteti po frikësohet të ballafaqohet në Kuvend

    Në seancën e veçantë të thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ku në rend dite ishte miratimi i deklaratës në mbështetje të rezolutës së Parlamentit Evropian, munguan deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka kritikuar partinë në pushtet për mungesë në këtë seancë të veçantë. Sipas tij, pushteti po frikësohet të ballafaqohet në Kuvend.

    “Fatkeqësisht edhe sot po shihet se shumica parlamentare është duke e bojkotuar Kuvendin edhe kur ka tema të cilat drejtpërdrejt ndërlidhen me interesin e vendit dhe jo të një beteje politike. Në takimin e Kryesisë ka pasur një dakrodim të plotë mes Grupeve Parlamentare që me u mbajt një seancë, Kuvend ky që do i jepte një mbështetje Rezolutës së Parlamentit Evropian, i cili në 28 pika ka bërë përgjegjëse të drejtpërdrejt shtetin serb për ngjarjet në Banjskë, rezolutë e cila shkon përtej dhe e dënon sistemin e drejtësisë së Serbisë , respektivisht Gjykatën që liroi Milan Radoiciqin pas kërkesës së Prokurorisë, shkon tutje dhe e dënon Serbinë për lidhjet e saj politike dhe institucionale me federatën ruse dhe Kinën, shkon tutje dhe e dekonspiron politiken e Serbisë në raport me pozicionin e BE-së rreth sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të invazionit dhe luftës në Ukrainë, shkon edhe më tutje, Parlamenti Evropian kërkon nga vendet mos njohëse që të njohin sa më shpejtë Kosovën dhe vendet të cilat nuk e kanë dënuar sulmin në Banjskë, të bëjnë atë sa më shpejtë”, theksoi Tahiri, përcjell KP.

    Tahiri bojkotimin e LVV-së e quan si veprim të papërgjegjshëm dhe frikë që të balalfaqohen me Kuvendin e Kosovës.

    “Para këtyre pikave është një shpjegim se cili ka qenë rrugëtimi i Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në procesin e integrimit te BE-s, dialog e me radhë. Nuk është sot koha për një betejë politike të ulët mes opozitës dhe pozitës, qëllimi është se si Kuvend të bëjmë një veprim së paku të shprehim një falënderim dhe të konfirmojmë qëndrimin tonë politik në raport me Rezolutën e Parlamentit Evropian, E shoh si një veprim të papërgjegjshëm, e shoh si pamaturi dhe si një frikë nga VV mos të ballafaqohet me Kuvendin e Kosovës, nuk e di çka po i frikëson kaq shumë mos me qenë në Kuvend”, tha Tahiri.

    Mazhornaca nuk mori pjesë as dje (e enjte) në seancën e jashtëzakonshme të thirrur për të diskutuar për ngritjen e koeficientit të pagave.

    Ndërkaq, kujtojmë se për të dënuar sulmin në Banjskë, javën e kaluar Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë, ku kërkon përballje pa vonesë e autorëve të sulmit me drejtësinë.