ATV

Author: ATVLive

  • Beqa: S’kam luajtur bastore, po të kisha provuar kisha humbur – se nuk di

    Beqa: S’kam luajtur bastore, po të kisha provuar kisha humbur – se nuk di

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ka folur lidhur me deputetin e komuniteteve joshumicë, Erxhan Galushi, i cili u pa të enjten duke luajtur bastore në seancën e Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tij, kjo çështje është e rregulluar me Ligj. Përderisa kur u pyet a do të lunte vet, ai tha se “që po të kisha luajtur do të kisha humbur se nuk di”.

    “Çdo gjë që është e legalizuar, është më mirë e kontrolluar me Ligj dhe çdo gjë që nuk është e legalizuar është e pakontrolluar dhe është shkelje ligjore, pavarësisht se a luan deputeti apo dikush tjetër”, tha Beqa, teksa tregoi nëse ka luajtur ndonjëherë vetë bastore.

    “Nuk kam luajtur se nuk jam shumë që i përcjelli lojërat edhe pse më pëlqen shumë. Kështu që po të kisha luajtur do të kisha humbur se nuk di me luajt”.

  • Samiti i BE: Scholz thekson mbështetjen për Izraelin

    Samiti i BE: Scholz thekson mbështetjen për Izraelin

    Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz u angazhua në samitin e BE për të pasur besim tek Izraeli. “Izraeli është shtet demokratik me shumë parime humanitare”, tha Scholz në takimin e nivelit të lartë të BE-së në Bruksel.

    “S’kam asnjë dyshim”, që ushtria e Izraelit respekton rregullat e së drejtës ndërkombëtare. Në samitin e BE-së synohet, që ne “së bashku të bëjmë edhe njëherë të qartë, se e mbështesim Izraelin në mbrojtjen e vendit të tij ndaj sulmit të tmerrshëm të Hamasit”, theksoi Scholz.

    Ai shtoi, se BE angazhohet për lirimin e pengjeve që mbahen nën dhunën e Hamasit radikal islamik si dhe për mbështetjen humanitare të banorëve në Rripin e Gazës, që edhe vetë janë “viktimë e Hamasit”, tha Scholz. “Ndaj është e rëndësishme, që të avancojmë me ndihmën humanitare”, theksoi kancelari.

    Bashkimi Europian megjithatë ende është në kërkim të një linje unike lidhur me konfliktin në Lindjen e Mesme. Vende anëtare si Belgjika e kritikojnë Izraelin për veprimet kundrejt Rripit të Gazës. Edhe presidenti i Këshillit të BE-së Charles Michel theksoi në samitin, që i vazhdon punimet edhe të premten (27.10.2023), se Izraeli duhet “të veprojë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

    Pa unanimitet për armëpushimin në Rripin e Gazës

    Vendet anëtare të BE-së nuk janë unanim lidhur me çështjen e shpalljes së një “armëpushimi” më saktë një “armëpushimi humanitar”, sikurse doli në pah gjatë takimit të ministrave të jashtëm në Luksemburg. Disa shtete, si Spanja, Irlanda dhe Sllovenia e përkrahën këtë kërkesë të formuluar për herë të parë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

    Të tjera vende si Gjermania, Çekia dhe Austria u shprehën kundër. Këto vende druajnë, se kërkesa të tilla mund të vlerësohen si ndërhyrje në të drejtën e vetëmbrojtjes së shtetit të Izraelit. Tani kryetarët e shteteve dhe të qeverive duhet të gjejnë një pozicion të përbashkët./DW/

  • Ahmeti takon Grenellin: Vetëm njohja e ndërsjellë Kosovë-Serbi do të sillte paqen në rajon

    Ahmeti takon Grenellin: Vetëm njohja e ndërsjellë Kosovë-Serbi do të sillte paqen në rajon

    Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, është takuar me ish-emisarin amerikan, Richard Grenell, në Shkup.

    Ahmeti tha se me të foli për dialogun Kosovë-Serbi dhe se erdhën në përfundim se vetëm njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë do të sillte paqen në rajon.

    “Mbrëmë në Shkup takova z. Richard Grenell, ish i dërguar special i ish Presidentit Amerikan Trump për dialogun Kosovë – Serbi si dhe ish shef i shërbimit kombëtar amerikan të inteligjencës. Në takim diskutuam për zhvillimet në rajon, në veçanti midis Prishtinës dhe Beogradit dhe bashkërisht konkluduam që normalizimi i marrëdhënieve nëpërmjet të njohjes së ndërsjellë do të sillte paqe të qëndrueshme në tërë rajonin”.

    Gjithashtu, Ahmeti tha se me të folën edhe për procesin në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe luftëtarëve të tjerë të lirisë që po mbahen në një proces të stërzgjatur padrejtësisht.

    Në takim prezent ishte edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i cili po ashtu vjen nga BDI-ja.

    Takimi i Ahmetit me Grenellin vjen pasi ish-emisari i Trump u dekorua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të mërkurën.

    Vuçiq ia ka dorëzuar Grenellit “Urdhrin e Flamurit Serb” për “shërbime të dalluara në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit paqësor dhe të marrëdhënieve mes Serbisë dhe SHBA-ve”, ndërsa e ka falënderuar për “mprehtësinë e tij” gjatë angazhimit në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

  • Eurodeputeti gjerman me kritika të ashpra për Borrellin: E vetmja pengesë që ai e përmend, është Asociacioni

    Eurodeputeti gjerman me kritika të ashpra për Borrellin: E vetmja pengesë që ai e përmend, është Asociacioni

    Gjatë ditës së djeshme në Bruksel u zhvilluan bisedime të reja lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

    Në këto bisedime nuk pati takim midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq. Të dy këta zhvilluan takime të ndara me liderët evropianë, Olaf Scholz dhe Emanuel Macron e Meloni.

    Pas takimeve Borrell tha se puna po vazhdon dhe se për Kosovën dhe Serbinë s’ka zgjidhje tjetër përveç asaj që del nga dialog.

    Por lidhur me deklaratën e këtij të fundit ka reaguar eurodeputeti gjerman, Reinhard Butikofer.

    Butikofer është shprehur i shqetësuar duke thënë se Borrell po i fajëson të dyja palët në mënyrë të barabartë duke mos kujtuar aktin e agresionit serb të 24 shtatorit.

    “Kjo është vërtet interesante: 1. E vetmja pengesë, e cila Borrell përmend, është Asociacioni. A nuk kishte pengesa nga pala serbe? A është e drejtë të “harrohet” përmendja e të gjitha akteve të fundit të agresionit serb? 2. Kryeministri Kurti tha publikisht se ishte i gatshëm të firmoste gjithçka që BE-ja vendosi në tryezë, ndërsa Vuçiq refuzoi një gjë të tillë.Pra, pse atëherë bën Borrelli fajëson të dyja palët në mënyrë të barabartë? 3. A i kujtohet Borrellit që Parlamenti Evropian kërkoi heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës? Pse nuk flitet për këtë? Sa shumë pyetje”, ka shkruar Butikofer.

  • Të shtëna me armë në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, vriten 3 emigrantë

    Të shtëna me armë në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, vriten 3 emigrantë

    Tre emigrantë kanë mbetur të vrarë në një shkëmbim zjarri të ndodhur herët mëngjesin e sotëm në ndërtesat e braktisura të ish-pronës bujqësore “Baçka” në afërsi të vendbanimit Horgosh, në Serbi.

    Ngjarja ka ndodhur në zonën kufitare me Hungarinë, raporton Euronews Serbia. Një emigrant mbeti i plagosur.

    Të shtënat kanë ndodhur jashtë vendbanimit dhe sipas RTS-së, banorët e atij fshati janë të alarmuar dhe që nga mëngjesi i sotëm në rrjetet sociale raportojnë të shtëna të gjata nga drejtimi i zonës kufitare.

  • Ndotja e Badocit me mangan, flasin nga IKSHPK-ja: Ndikon në sistemin psikik të fëmijëve

    Ndotja e Badocit me mangan, flasin nga IKSHPK-ja: Ndikon në sistemin psikik të fëmijëve

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) tashmë 10 ditë ka apeluar qytetarët të mos pinë ujë nga liqeni i Badocit, si dhe për mospërdorim të tij në amvisëri për shkak të vlerave të rritura të manganit. Kjo pasi konsiderohet se mund të shkaktojë probleme shëndetësore, sidomos te fëmijët e vegjël, duke ndikuar negativisht në rritjen e tyre.

    Këto dhe për ndikimet tjera të rritjes së vlerave të manganit, në një intervistë për KosovaPress tregon koordinatorja për monitorimin e ujit, Burbuqe Nushi-Latifi.

    Nushi thotë se rritja e vlerës së manganit është fenomen, i cili ndodh në sezonin e vjeshtës dhe pranverës dhe se nuk është hera e parë që ndodh një përzieje e ujit me mangan.

    “Vlera e manganit, paraqitja e manganit është një fenomen natyror, i cili lajmërohet në sezonin e pranverës dhe në sezonin e vjeshtës. Nuk është hera e parë që kemi pasur këto lloj telashe, por asnjëherë këtë kohëzgjatje dhe këto sasi të manganit. Këtë vit është pak më shumë. Kjo është paraqitur para një jave, 10 ditë në momentin që kemi marrë informacionet prej laboratorit që janë vlerat e ngritura, normal jemi aktivizuar komplet ekipi i IKSHPK-së, është informuar kompania dhe prej atij momenti jemi në bashkëpunim me kompaninë çdo ditë… Vlerat e larta nuk tolerohen më shumë se 10 ditë brenda një viti, po rasti jonë nuk e ka atë vlerë të lartë edhe pse ka qëndru 10 ditë tashmë”, thotë Nushi.

    Sipas koordinatores së ujit Nushi, vlerat e manganit nuk janë shumë të larta, por nuk preferohet për pije. Ajo tha se mangani ndikon më së shumit te fëmijët e moshave të hershme, por nuk preferohet për pije as te të rriturit pasi simptomat që shkaktohen nga mangani mund të provokojnë edhe sistemin psikik.

    “Mangani është metal esencial, i cili ndodhet çdo kund në natyrë, futet në organizëm me shumë rrugë, futet edhe me ushqim, edhe me ujë edhe prej ajrit mundet… Në një anë të manganit vlerat e gjetura përkundër faktit që janë pak më të larta se udhëzimi administrativ i cili i kërkon, vlerat nuk janë aq sa që të paraqesin rrezik të lartë ose të domosdoshme për organizëm në kushte kur ka vlera të shtuara mbi 1 gram, se standardi është 0.05… Mangani me vlera shumë të larta, të shtuara përkundër faktit se është metal esencial mundet të paraqet probleme në sistemin nervor qendror mirëpo akcent të posaçëm e ka të fëmijët prej 0 deri 5 vjet e kryesisht te foshnjat prej 0 deri 6 muaj të cilat ushqehen me qumësht pluhur, pse është me rëndësi kjo se tek qumështi pluhur ka doza të larta të manganit dhe shtimi i ujit me mangan të lartë mund të provokojë që ky fëmijë të rritet më vonë, meqenëse krejt e kanë këtë kimi tek akumulatorët, mund të provokojnë çrregullime në zhvillimin e tyre psikik, nuk kanë koncentrim e kështu me radhë”, thotë ajo.

    Derisa rekomandimi për mos pirje të ujit qëndron ende, deri në njoftimin e radhës nga IKSHPK-ja, Nushi thekson se mangani mund të largohet me ndërrimin e temperaturave ditëve të ardhshme.

    “Rekomandimet tona ende qëndrojnë për vet faktin se si autoritet shëndetësor që jemi të thirrur për zbatimin e udhëzimit administrativ ne duhet gjithsesi t’i referohemi udhëzimit administrativ, që ky ujë është i ndjeshëm për fëmijët e vegjël. Mirëpo kur japim rekomandime, atëherë nuk munden me cek 20-vjeçarët nuk munden me pi, ata 30-vjeç, por është rekomandim i gjeneralizuar. Sot p.sh. në vlerat tona kemi ulje te dukshme të manganit shumë në krahasim me ditët e para mirëpo ende është mbi vlerën e redaktuar… Po shpresojmë me ndërrimin e temperaturave bie mangani, po shpresojmë brenda javës, deri në fund të javës duhet të qetësohet situata”, përfundon ajo.

    Kujtojmë se më 19 tetor, sasia e madhe e detektuar e elementit kimik, mangan, bëri që Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) të kërkojë nga qytetarët që furnizohen me ujë nga fabrika e ujit e këtij liqeni, të mos e përdorin atë për pije dhe gatim.

    Qytetarët i janë përgjigjur këtij rekomandimi dhe tashmë po furnizohen me ujë të ofruar nga KRU-ja me autobot.

  • Presidentja Osmani mban fjalim para 1300 pjesëmarrësve nga 76 shtete të ndryshme

    Presidentja Osmani mban fjalim para 1300 pjesëmarrësve nga 76 shtete të ndryshme

    Gjatë ditës së djeshme, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në prezencë të 76 shteteve dhe rreth 1300 pjesëmarrësve nga të gjitha kontinentet, mbajti fjalim në World Food Prize Foundation.

    Gjatë fjalimit, ndër të tjera, ka përmendur “Darkën e Lamës” dhe ka shpjeguar domethënien e saj.

    Ajo tha se këtë festë e ka rikthyer në Kosovë, presidenti Ibrahim Rugova.

    “Dua të përmend se themeluesi i pavarësisë së Kosovës, presidenti Rugova, ka rikthyer traditën mijëvjeçare, festën që ne e quajmë “Darka e Lamës”. Një mënyrë unike për të shprehur mirënjohjen për bekimet e tokës, kulturat e shquara nga puna e fermerëve tanë. Rast perfekt për të shprehur mirënjohjen tek miqtë dhe partnerët nga e gjithë bota për miqësi e partneritet”, tha Osmani para të pranishmëve.

    Darka e Lamës e njohur edhe si darka e lamijeve, darka e fushës, darka e bereqetit, është një festë dhe ditë tradicionale e shënuar, që në fakt ka të bëjë me kremtimin e përfundimit të të korrurave të drithërave, e të korrave vjeshtore, e shtruar për të festuar vitin e bereqetshëm.

    Këtë vit, presidentja Osmani, këtë organizim e ka shënuar me Policinë e Kosovës në kampin “Enver Zymeri” në Mitrovicë, në shenjë mirënjohjeje për gratë e burrat në uniformë.

  • Senatori Peters: Një marrëdhënie e fortë SHBA-Kosovë, thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan

    Senatori Peters: Një marrëdhënie e fortë SHBA-Kosovë, thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan

    Senatori amerikan nga Michigani, Gary Peters ka takuar ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla.

    Peters në një postim në X shkruan se një marrëdhënie e fortë ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës është thelbësore për stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon.

    “Më vjen mirë që u takova me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla. Një marrëdhënie e fortë midis dy kombeve tona është thelbësore për stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon”, shkruan ai.

    Ndryshe, disa javë më parë bashkëkryesuesit e Grupit për Çështje Shqiptare në Senatin e SHBA-ve, senatorja Joni Ernst (republikane nga Iowa) dhe senatori Gary Peters (demokrat nga Michigan) i kanë drejtuar letër Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken, edhe për Luginën e Preshevës dhe kauzën e drejtë të shqiptarëve etnikë atje.

  • Deputetja britanike: Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë në Serbi, asnjë llogari për rolin e Beogradit

    Deputetja britanike: Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë në Serbi, asnjë llogari për rolin e Beogradit

    Deputetja britanike, Alicia Kearns ka rikujtuar sot se janë bërë një muaj që kur Milan Radoiçiq ka pranuar fajësinë për sulmin në Banjskë të Zveçanit, ndërkaq ai vazhdon të jetë i lirë në Serbi.

    Kearns në një postim në X shkruan se po ashtu kanë kaluar një muaj dhe asnjë përgjegjësi për rolin e Beogradit.

    “Tashmë ka një muaj që Radoiçiq ka pranuar fajësinë për sulmin paraushtarak në Kosovë me armë të ofruara nga Beogradi. Megjithatë ai mbetet i lirë në Serbi. Pa asnjë llogari për rolin e Beogradit.

    Unë i kam parë armët dhe kam takuar familjen e Afrim Bunjakut, ata meritojnë drejtësi…”, shkruan Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns.

    Ndryshe, më 24 shtator Policia e Kosovës u sulmua në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagos një tjetër.

    Në kundërsulm, Policia e Kosovës vrau tre terroristë dhe arrestoi disa tjerë.

    Përgjegjësinë për sulmin e ka marr Milan Radoiçiq që në atë kohë ishte nënkryetar i Listës serbe dhe person i afërt me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

  • Tetë vjet nga nënshkrimi i MSA-së me Bashkimin Evropian

    Tetë vjet nga nënshkrimi i MSA-së me Bashkimin Evropian

    Kosova ka nënshkruar më 27 tetor 2015 në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.

    Kjo marrëveshje u cilësua e një rëndësie historike për integrimin politik, ligjor dhe ekonomik të Kosovës në Bashkimin Evropian.

    Marrëveshja për Stabilizim-Asociim kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë se mekanizmat e tij të qeverisjes dhe të shoqërisë civile përmbushin standardet e BE-së.

    Nënshkrimi i MSA-së u bë nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në Strasburg. /KP