ATV

Author: ATVLive

  • Kaos në Kuvendin e Shqipërisë, tym e karrige të përmbysura

    Kaos në Kuvendin e Shqipërisë, tym e karrige të përmbysura

    Deputetët e opozitës zhvillimet e seancës së të enjtes fillimisht tentuan t’i ndërprenë me përmbysjen e karrigeve dhe rrethimin e foltores.

    Derisa kryetarja e Kuvendit vendosi të mos i ndërpresë punimet, deputetët e Partisë Demokratike ndezën edhe tymues brenda sallës plenare.

    Për largimin e tymuesve u desh ndërhyrja e gardës.

    Ndërsa, për deputetët që shkaktuan kaos ministri i Brendshëm, Taulant Balla, paralajmëroi veprime në përputhje me ligjin.

    Pas fjalimit të shkurtër të Ballës, nën mjegullën e tymit e krismave në tavolinë nga opozitarët, deputetët socialistë votuan disa projektligje.

    E, kur deputetët e pushtetit po votonin, kryetari i PD-së, Sali Berisha, po transmetonte drejtpërdrejt në Facebook, fjalimin e tij në lidhje me zhvillimet brenda.

    Këto zhvillime vijnë pas protestës disa-ditore të deputetëve të opozitës, të cilët pretendojnë se Kuvendi është kthyer në një mekanizëm në shërbim të kryeministrit Edi Rama.

    Ditë më parë disa deputetë të opozitës hynë nga dritaret në Kryesinë e Kuvendit, pas vendimit për përjashtimin e 26 ligjvënësve të opozitës nga Parlamenti. /atvlive.tv

  • Në tri shkolla, komuna e Prishtinës hap kabinete të logopedisë

    Në tri shkolla, komuna e Prishtinës hap kabinete të logopedisë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Në këto karrige çdo ditë ulen nxënësit që kanë nevojë për konsultime me logopedë. Këto seanca logopedie po bëhen pa pagesë për 20 nxënësit e shkollës fillore “Emin Duraku”, në kryeqytet, falë një projekti të Drejtorisë së Mirëqenies Sociale.

    “I kemi gjashtë logopedë, të cilët po mbajnë konsulta falas për 20 fëmijë. Kjo është shumë e kushtueshme, por është bërë e mundshme falë një projekti nga komuna e Prishtinës, projekt ky njëvjeçar, për të cilin ne po mundohemi që ta rrisim kohën”, tha drejtori i shkollës “Emin Duraku”, Visar Osmani.

    Nga komuna e Prishtinës thonë se krijimi i këtyre kabineteve ishte i domosdoshëm.

    “Ky projekt është shumë i rëndësishëm për Drejtorinë e Mirëqenies Sociale, që ndërlidhet me mundësinë e barabartë për gjithë fëmijët që kanë probleme me artikulim të fjalive, këtë projekt e kemi filluar, në shkollën “Emin Duraku” në bashkëpunim të ngushtë me Institutin Kosovar për Logopedi. Ka pasë rezultat shumë të mirë se u pa dita-ditës edhe artikulimi më i mirë i fjalëve”, tha Adelina Sahiti, drejtoreshë e mirëqenies sociale në Kuvendin Komunal në Prishtinë.

    Prania e logopedëve në shkolla, po cilësohet e rëndësishme edhe nga njohës të arsimit. Porse, sipas tyre, fillimisht duhet identifikuar fëmijët që kanë probleme në të folur.

    “Prezenca e logopedëve në shkollave dhe vetëdijesimi i komunitetit në shkolla për ndihmën e logopedëve, shpresoj që të kemi një numër të logopedëve për identifikim të fëmijëve në nevojë. Më e rëndësishmja nëse këto seanca bëhen në shkollë paraqet një ambient më të rehatshëm dhe më të pranueshëm për fëmijët”, tha Rinor Qehaja, njohës i arsimit “Edd Guard”.

    Përveç shkollës “Emin Duraku”, në kryeqytet me kabinete logopedie janë pajisur edhe shkollat “Asim Vokshi” e “Mehmet Gjevori”. Ndërkaq, projekti i njëjtë është duke u zbatuar edhe në Fushë-Kosovë, në shkollën “Mihal Gameno”.

  • Një vit nga dorëheqjet e policëve në veri, asnjëri prej tyre s’u kthye në punë

    Një vit nga dorëheqjet e policëve në veri, asnjëri prej tyre s’u kthye në punë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Një vit më parë, Policia e Kosovës mbeti pa rreth 550 pjesëtarë. Policët e komunitetit serb që shërbyen në komunat veriore, zhveshën uniformat në vazhdën e dorëheqjeve nga institucionet e Kosovës.

    Tash e një vit, asnjëri prej tyre nuk është kthyer në polici.

    Ndonëse, pjesëtarë të tjerë të rinj u pranuan në konkurse të reja më vonë, por edhe në mesin e tyre disa dhanë dorëheqje për shkak të presionit. Nga ta vetëm njëri u kthye.

    Megjithatë, kthimi i tyre, qoftë vullnetarisht, s’do të duhej pranuar pa vlerësime.

    Për vendet që mbetën të zbrazura pas dorëheqjeve të policëve serbë, Qeveria vazhdimisht u bëri thirrje qytetarëve të këtij komuniteti të konkurrojnë.

    Megjithatë, në disa konkurse që hapi Policia, interesimi nuk ishte edhe aq i madh.

    Siç mëson ATV-ja vetëm rreth 50 policë nga komuniteti serb shërbejnë në komunat veriore.

  • Pezullohet tenderi 1.2 milionësh për t’i furnizuar policët me këpucë

    Pezullohet tenderi 1.2 milionësh për t’i furnizuar policët me këpucë

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Tenderi 1.2 milionësh për furnizim me këpucë për pjesëtarët e Policisë, i rihapur në korrik të këtij viti, aktualisht është pezulluar. Pas ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit, Policia e Kosovës vendosi për pezullim deri një vendim tjetër.

    Për t’i furnizuar me këpucë pjesëtarët e saj, Policia kishte hapur tender edhe në nëntor të vitit të kaluar, i cili kishte dështuar. Asnjëra prej gjashtë kompanive të interesuara nuk i kishte plotësuar specifikat e kërkuara.

    “Sipas gjetjeve dhe konstatimeve të Autoritetit Kontraktues, i cili ka bërë analizimin e mostrave në procedurën e vlerësimit, rezulton se mostrat e ofruara nuk i përmbushin disa kritere të specifikimeve teknike. Në bazë të mostrave të prezantuara nga ana e OE ankues, shihet se këpucët nuk i plotësojnë disa nga kërkesat e specifikimit teknik, këpucët e ofruara nga ana e OE ankues nuk e kanë të integruar shtresën ortopedike, ashtu siç kërkohet, po ashtu nuk e kanë të shënuar numrin në këpucë”, thuhet në reagimin nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.
    Andaj, Paneli Shqyrtues kishte kërkuar që në rast të ritenderimit, të kihet kujdes me vendosjen e specifikave teknike për këpucët e policëve.

    “Numrat duhet të jenë të shënuar në këpucë, andaj Paneli Shqyrtues obligon Autoritetin Kontraktues, që në rast të ritenderimit të specifikojë kërkesat e paraqitura në Dosjen e Tenderit, në mënyrë të qartë që gjatë ofertimit Operatori Ekonomik të mos ofertojë me kuptime të dyanshme”, thuhet më tej në reagimin nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

    Zvarritja e një tenderi që ka për qëllim përmirësimin e kushteve të punës për policët, është për keqardhje, sipas Diana Metushit, nga Instituti Demokratik i Kosovës.

    Ajo shtoi se në shumicën e rasteve shkaktari për zvarritje të tenderëve është faktori njeri.

    Policia është pyetur në lidhje me tenderin në fjalë, por nuk ka kthyer përgjigje. Sidoqoftë, sipas informatave të ATV-së, ky institucion ka vite që nuk i ka furnizuar zyrtarët policorë me këpucë.

  • Refugjatët afganë vendosen në hotele në qendër të Prishtinës

    Refugjatët afganë vendosen në hotele në qendër të Prishtinës

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Dhomat e këtij hoteli në qendër të Prishtinës janë kthyer në vendstrehim për dhjetëra refugjatë afganë, pas mbylljes së kampit Liya në Bondsteel, ku qëndronin prej para dy vjetësh.

    Megjithëse, lëvizin shpesh në rrugët ku banojnë, refugjatët hezitojnë të flasin për qëndrimin tani e tutje në Kosovë.

    Në këtë drejtim po punon edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili për ATV-në e konfirmoi mbylljen e kampit, më 30 shtator.

    “Një numër i vogël afganësh mbeten në Kosovë dhe vazhdojnë të marrin kujdesin dhe ndihmën e SHBA-së. Ne po punojmë për t’i identifikuar zgjidhjet e duhura dhe afatgjata për këta individë dhe për anëtarët e familjeve të tyre”, thuhet në përgjigjen e DASH-it.

    Ministria e Punëve të Brendshme deri në transmetimin e kronikës, nuk u përgjigj nëse mund t’u ofrojnë mbështetje refugjatëve të mbetur në Kosovë pas mbylljes së kampit. Megjithatë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit vlerësoi angazhimin e Kosovës për pranimin e tyre.

    “Roli unik i Kosovës si një nga partnerët e parë, që ofroi për të pritur transitin e Afganistanit, është një nderim për dhembshurinë dhe bujarinë e popullit të saj dhe për përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në sigurinë globale”, thuhet më tej në përgjigjen e DASH-it.

    Afro 1900 refugjatë afganë u strehuan në Kosovë pas verës së vitit 2021, kur në Afganistan pushtetin e morën talibanët.

    Disa prej tyre u vendosën në Kampin Liya e disa në kampin pranë Bechtel – Enkas, i cili u mbyll në prill të vitit 2022, pasi fillimisht refugjatët ishin zhvendosur në shtete tjera.

  • Hungaria thotë se BE-ja nuk duhet të fillojë bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën

    Hungaria thotë se BE-ja nuk duhet të fillojë bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën

    Hungaria nuk po dëshiron që Bashkimi Evropian të fillojë bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën.

    Në vend të kësaj, ai duhet të ofrojë një formë “partneriteti të privilegjuar” për vendin, tha shefi i kabinetit të kryeministrit hungarez, Viktor Orban në një konferencë sot.

    Udhëheqësit e vendeve të BE-së do të vendosin muajin e ardhshëm nëse do të pranojnë rekomandimin e Komisionit Evropian për të ftuar Kievin të fillojë bisedimet e anëtarësimit sapo të përmbushë kushtet përfundimtare, duke përfshirë rritjen e masave mbrojtëse për pakicat kombëtare.

    Rekomandimi i komisionit është një moment historik i rëndësishëm në rrugën e Kievit drejt integrimit perëndimor, por çdo vendim i tillë kërkon unanimitet të 27 anëtarëve të bllokut, me Hungarinë që shihet si pengesa kryesore e mundshme, raporton The Guardian, transmeton Klankosova.tv.

    Hungaria, anëtare e BE-së, ka thënë se nuk do të mbështesë integrimin evropian të Ukrainës nëse Kievi nuk ndryshon ligjet e tij për pakicat, veçanërisht në lidhje me arsimin. Budapesti është përplasur me Kievin për atë që thotë se janë kufizime të të drejtave të rreth 150 mijë hungarezëve etnikë për të përdorur gjuhën e tyre amtare.

    Kryeministri hungarez Viktor Orban tha muajin e kaluar se strategjia e BE-së për luftën Rusi-Ukrainë “ka dështuar” dhe ai nuk shihte asnjë arsye që Hungaria të dërgonte paratë e taksapaguesve të saj për të mbështetur vendin e goditur nga lufta.

  • Aeroporti i Prishtinës shpërblen udhëtarin e 3-miliontë për vitin 2023, me një pushim në Turqi

    Aeroporti i Prishtinës shpërblen udhëtarin e 3-miliontë për vitin 2023, me një pushim në Turqi

    Ardit Alaj nga Deçani, është udhëtari i tremiliontë që ka udhëtuar përmes aeroportit “Adem Jashari” në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

    Alaj, së bashku me bashkëshorten e tij, Kaltrinën, janë shpërblyer me një udhëtim njëjavor në Turqi.

    Zëdhënësja e ANP “Adem Jashari”, tha se Aeroporti ka arritur një moment historik të jashtëzakonshme prej 3 milionë udhëtaresh!

    “Para se gjithash, me lejoni që në emër të kompanisë te shpreh falënderimet tona për secilin prej jush – mysafirët tanë te nderuar, udhëtaret e nderuar, stafi i përkushtuar, partnerët e përkushtuar të linjave ajrore dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë arritje të jashtëzakonshme. Se bashku, ne kemi bere histori”, tha ajo.

    E Ardit Alaj, i cili po udhëtonte drejtë Gjermanisë, falënderoi ANP-në për këtë befasi.

  • ​Zbulohet nëse Shqipëria ka interesim në Ibrahimovicin

    ​Zbulohet nëse Shqipëria ka interesim në Ibrahimovicin

    Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në grupmoshat U21, Alban Bushi ka zbuluar nëse Shqipëria ka shprehur interesim në sulmuesin me prejardhje kosovare, Arijon Ibrahimovic.

    Ibrahimovic më herët është aktivizuar me grupmoshat e reja të Gjermanisë, ndërsa ka të drejtë të luajë edhe për Kosovën, raporton KosovaPress.

    Trajneri Bushi e konfirmoi interesimin e Shqipërisë për Ibrahimovic.

    “Çdo lojtar shqiptarë kudo që është, në çdo kampionat të Evropës ne e kontaktojmë. Nuk diskutohet fare që ka pasur kontakte Shqipëria. Për arsye të njëanshme të lojtarit, mund të presë Gjermaninë ose diçka tjetër, për këtë arsye nuk është thërritur. Por çdo lojtar shqiptarë që është në kampionatet e Evropës që luan dhe ka nivel për ekipin Kombëtar është i kontaktuar 100 % nga ne”, tha Bushi.

    Ibrahimovic është në huazim nga Bayern Munichu te skuadra italiane Frosinone, tek e cila shënoi gol në ndeshjen e fundit kundër Empolit në Serie A.

  • Deputeti i Parlamentit Evropian: Raporti i BE-së për Serbinë është më negativi deri tani, ngjarja në Banjskë nuk është harruar

    Deputeti i Parlamentit Evropian: Raporti i BE-së për Serbinë është më negativi deri tani, ngjarja në Banjskë nuk është harruar

    Deputeti i Parlamentit Evropian Klemen Groshel tha në një bisedë me korrespondentin evropian N1 se raporti për progresin e Serbisë është më negativi deri më tani. Groshel përkujtoi se diskutimi në Parlamentin Evropian tregoi se perceptimi i Serbisë në institucionet evropiane për momentin nuk është shumë i mirë.

    “Ky raport është më negativi deri më tani për Serbinë. Në raportet e mëparshme, Komisioni Evropian ishte më simpatik ndaj Serbisë dhe kishte mesazhe pozitive. Në këtë raport, që do të thosha se është neutral, ngrihen disa pika, siç është dialogu me Kosovën. Është e rëndësishme të theksohet se ajo që shkruhet në Raport dhe ajo që Komisioneri Evropian tha në Parlamentin Evropian janë dy gjëra të ndryshme. Po ashtu, debati në PE tregoi se pozicioni i Serbisë nuk është tamam më i miri në qarqet e Bashkimit Evropian”, theksoi Groshel.

    Sipas tij, komentet pozitive të Qeverisë së Serbisë për raportin duhet të shihen në kontekstin e fushatës parazgjedhore që ka filluar.

    “Më duhet të theksoj për publikun serb se nëse nuk ka përparim në kapitujt 23 dhe 24 që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe lirinë e mediave, atëherë nuk ka hyrje në Bashkimin Evropian. Dhe kjo është mjaft e qartë, pavarësisht nga qëndrimi i Qeverisë së Serbisë”, nënvizoi Groshel.

    Ai paralajmëroi se pikëpamjet e komisionerit Oliver Varhelyi për gjendjen e shtetit të së drejtës dhe medias ndryshojnë nga qëndrimi zyrtar i Bashkimit Evropian dhe se Varhelyi është në marrëdhënie të mira me presidentin hungarez Viktor Orban.

    “Të mos harrojmë se fjalën e fundit e ka Këshilli i BE-së. Me sa mund të shoh, qëndrimet e shumicës së vendeve anëtare janë mjaft të qarta dhe shumë më negative se ato të komisionerit Varhelji”, tha Groshel.

    Ai tha se në Bashkimin Evropian shtrohet pyetja nëse Serbia po shkon drejt Bashkimit Evropian, drejt Kinës, apo drejt Moskës.

    “As ngjarjet në Kosovë, në Banjskë nuk u harruan. Varësisht se si Serbia do të bashkëpunojë me atë ngjarje, varet se cilat do të jenë hapat e ardhshëm të Komisionit Evropian dhe Bashkimit Evropian. Në prapavijë ende ka masa kufizuese, nuk do të them sanksione dhe tashmë është e qartë që Kosova tashmë i ka. Nëse Serbia nuk i përmbush pritshmëritë, do të ketë një politikë radikale të Bashkimit Evropian ndaj saj”, përfundoi Groshel.

  • QKMF-ja në Bardhosh bëhet me shërbim laboratorik

    QKMF-ja në Bardhosh bëhet me shërbim laboratorik

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka vizituar Qendrën e Mjekësisë Familjare të rinovuar në Bardhosh, e cila do të ofrojë edhe shërbimin laboratorik.

    Rama në një postim në Facebook, ka shkruar se mbi 10 mijë banorë të fshatrave, Bardhosh, Trudë, Bërnicë e Epërme dhe e Poshtme do të mund të marrin shërbimet e duhura mjekësore e laboratorike në këtë Qendër Mjekësisë Familjare.

    Rama këtë vizitë e ka bërë me drejtorin e Shëndetësisë Dr.Izet Sadiku.

    Ndryshe, Qendra e Mjekësisë Familjare në Bardhosh punon 12 orë në ditë.

    “Aktualisht jemi duke i rinovuar 10 QMF, në mënyrë që stafit të Qendrave të Mjekësisë Familjare të ju ofrojmë kushte më të mira të punës e pacientëve ambiente më të rehatshme”, ka shkruar Rama.