ATV

Author: ATVLive

  • ​Policia jep detaje për gjetjet mortore në Skenderaj

    ​Policia jep detaje për gjetjet mortore në Skenderaj

    Njësitet e DHKRL-së së bashku me komisionin qeveritar për persona të zhdukur dhe IML-në, kanë zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me ç’ rast në fshatin Prekaz i Poshtëm, kanë gjetur mbetje eshtrave që dyshohet se janë të së paku tre personave, të cilët dyshohet se janë në listën e personave të zhdukur gjatë periudhës së luftës së fundit në vitin 1999.

    Njësitet e angazhuara janë në proces të kryerjes së veprimeve të nevojshme.

  • ​Alarmi i ri i motit ekstrem është lëshuar në Toskanë

    ​Alarmi i ri i motit ekstrem është lëshuar në Toskanë

    Një alarm i ri i motit ekstrem është lëshuar në Toskanë, ku përmbytjet së fundmi vranë tetë persona.

    Shkollat dhe parqet do të mbyllen sot në Livorno dhe në provincën Massa Carrara.

    Alarmi portokalli është shpallur pasi një valë e re e motit të keq ka mbërritur në Itali, duke prekur kryesisht rajonet qendrore dhe jugore.

    Gjithashtu do të ketë një alarm të verdhë të premten në Kalabri, Sardenja, Abruzzo, Basilicata, Lazio, Molise, Pulia, Siçili, Umbria dhe Campania. /ANSA/.

  • ​Izraeli nuk planifikon të pushtojë, okupojë apo qeverisë Gazën

    ​Izraeli nuk planifikon të pushtojë, okupojë apo qeverisë Gazën

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, thotë se vendi nuk po kërkon të pushtojë, okupojë apo qeverisë Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës së tij me Hamasin.

    Benjamin Netanyahu i tha televizionit amerikan Fox News se një “forcë e besueshme” do të ishte e nevojshme për të hyrë në enklavë nëse është e nevojshme për të parandaluar shfaqjen e kërcënimeve militante.

    “Ne nuk kërkojmë të pushtojmë Gazën, nuk kërkojmë të okupojmë Gazën dhe nuk kërkojmë të qeverisim Gazën,” tha ai, duke shtuar se do të kërkohet një qeveri civile, por se Izraeli gjithashtu do të duhet të sigurojë se një sulm si ai i 7 tetorit, në të cilin Hamasi vrau rreth 1400 njerëz, nuk do të përsëritet më.

    “Pra, ne duhet të kemi një forcë të besueshme që, nëse është e nevojshme, do të hyjë në Gaza dhe do të vrasë vrasësit. Sepse kjo është ajo që do të parandalojë rishfaqjen e një entiteti të ngjashëm me Hamasin”, tha ai. /BBC/

  • ​Kurti kërkon nga Bosnja zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime

    ​Kurti kërkon nga Bosnja zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti gjatë qëndrimit në Paris, dje zhvilloi një takim me kryetarin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zeljko Komsiq dhe anëtarin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegonivës, Denis Beciroviq.

    Sipas një komunikate të Qeverisë, tema qendrore të bisedës ishin Procesi i Berlinit, përkatësisht marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të tij dhe përfitimet dhe domosdoshmëria e zbatimit të plotë të tyre, mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve dhe zhvillimet në rajon.

    “Theks të veçantë nga ana e kryeministrit Kurti iu dha nevojës për zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime të nënshkruar në Berlin në nëntor të vitit të kaluar, e cila ende nuk është ratifikuar nga Bosnja dhe Hercegovina. Kryeministri Kurti, kryetari Komsiq dhe anëtari i Presidencës, Beciroviq gjithashtu diskutuan rreth mundësive dhe potencialin për shtim të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë e të arsimit”, thuhet në komunikatë.

  • Kryhet transplanti i parë i syrit të njeriut

    Kryhet transplanti i parë i syrit të njeriut

    Kirurgët në Nju Jork kanë kryer transplantin e parë të syrit te njeriut, një arritje që u cilësuar si një zbulim i madh edhe pse pacienti nuk e ka rifituar shikimin në sy.

    “Fakti që ne kemi transplantuar një sy është një hap i madh përpara, është diçka që është menduar me shekuj, por nuk është bërë kurrë”, tha Eduardo Rodriguez, mjeku që drejtoi ekipin që kreu operacionin, i cili zgjati 21 orë.

    Pacienti është veterani ushtarak i Arkansas, Aaron James, fytyra e të cilit preku një tel të ndezur ndërsa punonte si punonjës i mirëmbajtjes elektrike në Oklahoma në qershor 2021.

    Aksidenti e la atë me djegie të rënda në anën e majtë të fytyrës, duke përfshirë syrin e majtë, hundën dhe buzët dhe dëmtime të shumta në krahun e tij të majtë.

    “Unë do të doja të falënderoja donatorin dhe familjen e donatorit. Pa ata, asgjë nga këto nuk do të ishte e mundur,” tha James.

    Operacioni për transplantin e pjesshëm të fytyrës dhe të gjithë syrit kërkoi ndihmën e 140 kirurgëve.

    Syri i transplantuar tregon shenja “të jashtëzakonshme” të shëndetit të mirë, por James ende nuk mund të shohë dhe shpreson se me kalimin e kohës shikimi i tij do të kthehet dhe se operacioni inovativ që i është nënshtruar do të ndihmojë në transplantimin e mjekësisë.

    “Është shpresa ime më e madhe. Nëse mund ta shoh do të jetë fantastike. Nëse operacioni hap një rrugë të re në fushën mjekësore, unë jam plotësisht në favor të tij,” tha James për CNN.

  • Ja kur pritet të bie bora e parë në Kosovë

    Ja kur pritet të bie bora e parë në Kosovë

    Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror ka dhënë parashikimin e motit në Kosovë për ditët në vijim

    Në njoftimin e ASHNA-së, bëhet e ditur se bora e parë në Kosovë në viset e ulëta do të bie në fundin e javës së ardhshme.

    “Pas shiut që ra të mërkurën që lamë pas në sasi mbi mesatare, vendi ynë ditëve në vijim dhe javën që vjen do të përshkohet me riga lokale shiu që do të jenë të shtuara në intenzitet në intervale kohore të shkurtëra, sipërfaqet në nivelet mbi 1200m lartësi mund të mbulohen edhe nga shtresa të cekëta bore.

    Temperaturat minimale do të sillen nga 03°C deri në 05°C ndërsa temperaturat maksimale nga 10°C deri në 13°C.

    Erërat do të jenë kryesisht jug-jugperëndimore, me rritje në intensitet përgjatë ditës nga 03 m/s deri në 20m/s.

    Shtresat e petkut të bardhë sipas modeleve në dispozicion pritet të zënë vend në sipërfaqet e ulëta jo para fundit të javës së ardhshme” thuhet në njoftimin e ASHNA-së.

  • Kurti takon kryesuesin e Presidencës së Bosnjës, flasin për lëvizjen e lirë mes dy vendeve

    Kurti takon kryesuesin e Presidencës së Bosnjës, flasin për lëvizjen e lirë mes dy vendeve

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Paris ka takuar kryetarin e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zeljko Komshiq dhe anëtarin të Presidencës, Denis Beçiroviq.

    Gjatë takimit ata kanë diskutuar rreth rëndësisë së zbatimit të plotë të marrëveshjeve që janë arritur në kuadër të Procesit të Berlinit.

    Ata po ashtu kanë shqyrtuar mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

  • Oficeri i FSK-së shpërblehet me medaljen e argjendtë në një garë në Kroaci

    Oficeri i FSK-së shpërblehet me medaljen e argjendtë në një garë në Kroaci

    Një oficier i Forcës së Sigurisë së Kosovës është shpërblyer me medalje të argjendë gjatë një gare që është zhvilluar në Kroaci.

    Kështu ka bërë të ditur FSK-ja përmes një njoftimi për media.

    Oficeri Vllasa në kategorinë 35-40 vjeç, arriti të grumbulloi pikë dhe të radhitet në vendin e dytë dhe të shpërblehët me “Medaljen e argjendtë”.

    Njoftimi i plotë:

    Nëntoger Emir Vllasa pjesëmarrës nga Kosova në garën, Military Crossfit competition “Virbus Unitis 2023” që është mbajtur në Republikën e Kroacisë, në garën shumë sfiduese ku pjesëmarrës ishin njësi të ndryshme të sektorit të sigurisë, ushtarakë, policë, njësi speciale intervenuse, forca detare, zjarrfikës, gardian etj, ka arrritur rezultate të larta duke u radhitur i dyti në kategorinë ku ishte pjesmarrës.

    Gara ishte individuale dhe e ndarë në kategori në bazë të moshës dhe gjinisë, oficeri Vllasa në kategorinë 35-40 vjeç, arriti të grumbulloi pikë dhe të radhitet në vendin e dytë dhe të shpërblehët me “Medaljen e argjendtë”.

  • Analistët serbë thonë se Serbia e ka njohur de fakto Kosovën

    Analistët serbë thonë se Serbia e ka njohur de fakto Kosovën

    Analistët në Beograd thonë se marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe ajo e Ohrit nënkuptojnë se Serbia e ka njohur Kosovën si shtet, por që këtë duhet ta pranojnë edhe institucionet e Serbisë.

    Ata përmendin njohjen e dokumenteve dhe një sërë çështjesh tjera, por thonë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po nguron ta pranojë.

    Nga Serbia kërkohet dhënia e rezultateve në raport me Kosovën, që është njohja de facto.

    Sipas njohëseve të zhvillimeve, raporti vjetor i Komisionit Evropian ku kërkohet nga Serbia që t’i përmbushë obligimet në dialog, është në njëfarë mënyre thirrja për ta njohur sovranitetin e Kosovës.

    Dushan Janjiq, analist politik nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, ka thënë se ofrimi i njohjes de fakto të Kosovës nga Serbia është në kuadër të marrëveshjes së Ohrit.

    “Në thelb, kjo do të thotë se Serbia e pranon se në realitet ekziston Republika e Kosovës dhe jo e ashtuquajtura Kosovë, madje as ajo me yll. Në kuptimin juridik dhe diplomatik, kjo nënkupton, siç shkruhet në marrëveshjen e shkurtit, pezullimi i veprimeve për pengimin e njohjes së Kosovës dhe krijimin e pengesave për Kosovën në organizatat ndërkombëtare”, tha për televizionin publik Dushan Janjiq.

    Edhe pse Beogradi zyrtar refuzon që me marrëveshjet e arritura e ka pranuar de fakto Kosovën, për analistët kjo nënkupton një gjendje faktike dhe të qartë, por që në Serbi po manipulohet.

    “Presidenti i Serbisë tha se i pranoi marrëveshjet pa nënshkrim, a do të thotë kjo se një fjalë e dhënë në komunikimin zyrtar të një lideri dhe një politikani nuk do të thotë asgjë. Marrëveshjet nënkuptojnë që Serbia nuk do ta pengojë hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë OKB-në. Me marrëveshjet e Brukselit, të gjitha institucionet realisht e kanë njohur Kosovën, pasi hyrja e përfaqësuesve serbë në institucione, pastaj njohja e dokumenteve, çfarë është kjo nëse nuk është njohje”, tha gazetari Rade Radovanoviq.

    Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është një nga kërkesat kryesore për Serbinë në rrugën e saj evropiane. Në Beograd vlerësohet se nga Serbia kërkohet që t`i zbatojë marrëveshjet edhe nëse nuk janë nënshkruar dhe se Perëndimi nuk do të pranojë vonesa për shkak të zgjedhjeve apo kushteve të tjera.

  • Vrasje në tentativë në Podujevë, KFOR-i dhe FSK-ja deminojnë një granatë

    Vrasje në tentativë në Podujevë, KFOR-i dhe FSK-ja deminojnë një granatë

    Policia e Kosovës njofton se një person dje (e enjte) në Podujevë ka raportuar se persona të panjohur kanë shtënë me armë dhe janë larguar me shpejtësi me një veturë në drejtim të panjohur.

    Policia këtë rast e ka cilësuar vrasje në tentativë dhe kanë bërë të ditur se njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar pesë gëzhoja të armës, po ashtu një granatë dore me siguresë është gjetur në rrugë, me ç’rast njësitet për deminim nga KFOR dhe FSK kanë bërë tërheqjen e mjetit pa incidente.

    “Podujevë 09.11.2023-02:08. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se persona të panjohur pasi kanë shtënë me armë zjarri, janë larguar me shpejtësi me një veturë në drejtim të panjohur. Lidhur me rastin njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar pesë (5) gëzhoja të armës, po ashtu një granatë dore me siguresë është gjetur në rrugë, me ç’rast njësitet për deminim nga KFOR dhe FSK kanë bërë tërheqjen e mjetit pa incidente. Në konsultim me prokurorin, rasti është kualifikuar si më lartë dhe ndodhet në proces hetimor”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.