ATV

Author: ATVLive

  • Lajçak flet për takimin me Bislmin e Petkoviqin: Diskutimet ishin të dobishme

    Lajçak flet për takimin me Bislmin e Petkoviqin: Diskutimet ishin të dobishme

    Ndërmjetësuesi i BE-së, për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se me kryenegociatorët e kosovare dhe asaj serbe, sot patën diskutime të dobishme për progress në shumë pika.

    Këtë, Lajçak e shkroi në një reagim të tij në platformën X, ndërsa flet për takimin si raund tjetër i bisedimeve Kosovë-Serbi.

    ”Sot prita kryenegociatorët, të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq, për një raund të takimeve të dialogut në Bruksel. Diskutimet tona ishin të dobishme për të bërë përparim në një sërë çështjesh në agjendën tonë”.

  • Kurti takon politikanen nga Bosnja e Hercegovina, flasin për nevojën e udhëtimit të lirë mes dy vendeve

    Kurti takon politikanen nga Bosnja e Hercegovina, flasin për nevojën e udhëtimit të lirë mes dy vendeve

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot anëtaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të Bosnjës dhe Hercegovinës, Sabina Çudiq.

    Ata kanë diskutuar për mundësitë dhe format e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe për potencialin e këtij bashkëpunimi për qytetarët e të dyja vendeve, si dhe për situatën në rajon në kohë të krizave të shumëfishta në Evropë dhe botë.

    “U theksua edhe nevoja e udhëtimit të lirë ndërmjet dy vendeve, e që marrëveshja për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në kuadër të Procesit të Berlinit më së miri e adreson, si hap i rëndësishëm i përafrimit dhe rritjes së shkëmbimit ndërmjet shtetasve të Kosovës dhe Bonjës dhe Hercegovinës. Kryeministri Kurti e përgëzoi deputeten Ćudić për qëndrimet e saj, e falënderoi për vizitën, dhe i ofroi asaj bashkëpunim të mëtejmë”, thuhet në komunikatën e dorëzuar nga Zyra e Kryeministrit.

  • Hapet Forumi Ndërkombëtar “Ulpiana”

    Hapet Forumi Ndërkombëtar “Ulpiana”

    Nën organizimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës u mbajt hapja zyrtare e Forumit Ndërkombëtar Ulpiana.

    Në fjalën e saj hapëse, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, derisa ka folur për rolin dhe rëndësinë e mërgatës dhe diasporës për Republikën e Kosovës, vuri në pah se: „Që nga fillimi i punës sonë si qeveri, jemi përqëndruar në gjetjen e zgjidhjeve për problemet më urgjente: Si të adresohen institucionalisht të drejtat dhe nevojat e tyre, si të përfaqësohet më së miri në arenën ndërkombëtare kultura e tyre, si t’i tërheqim për të kontribuar në Kosovë intelektualisht, profesionalisht, financiarisht dhe strategjikisht. Si të forcojmë profesionistët jashtë vendit dhe angazhimin e tyre ta kanalizojmë në funksion të reformave në Kosovë. Si të lidhim fëmijët dhe miqtë e tyre me Kosovën“.

    Kryeministri Albin Kurti, duke përshëndetur pjesëmarrësit e Forumit Ulpiana theksoi: „Diaspora jonë është më shumë se një grup individësh që jetojnë jashtë vendit, është fuqi e gjallë, një urë që lidh vendin tonë me botën. Kontributi i diasporës së Kosovës është i pakrahasueshëm, duke përfshirë këtu edhe rolin e saj në formësimin e shtetit tonë. Së bashku ne mund të ndërtojmë një shtet i cili lulëzon nga fuqia e qytetarëve të vet, brenda dhe jashtë kufijve. Kjo e bën Forumin Ulpiana, të parin e këtij lloji, të jetë një platformë kyçe në një kohë kur ndjenja e përkatësisë vihet në pikëpyetje më shumë se kurrë. Duhet të ofrojmë ato lidhje me vendlindjen, të cilat më së miri përputhen me aftësitë dhe talentet e mërgatës tonë.“

    Kingsley Aikins, Kryeshef ekzekutiv i “The Networking Institute”, pasi përgëzoi Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dhe në mënyrë të veçantë zëvendësministren Liza Gashi, për iniciativën e guximshme të organizimit të këtij forumi, shpërfaqi përvoja interesante ndërkombëtare të kontributit dhe përfshirjes së diasporës në faza të ndryshme historike të shteteve të ndryshme.

    Në Forumin Ndërkombëtar “Ulpiana”, po marrin pjesë përfaqësues nga 21 shtete tế ndryshme me gjithsej 48 folës.

    Punimet e Forumit Ulpiana do të jenë të përqëndruara në panele ekspertësh nga sektorë të ndryshëm si: akademia, shoqëria civile, biznesi, të cilët do të diskutojnë tema specifike, të lidhura me angazhimin e diasporës dhe zhvillimet ndërkombëtare, përfshirë kulturën, zhvillimin ekonomik, diplomacinë publike, sigurinë, teknologjinë, të rinjtë dhe hartimin e politikave.

  • Përmbyllet fushata e informimit për liberalizimin e vizave për Kosovën

    Përmbyllet fushata e informimit për liberalizimin e vizave për Kosovën

    Sot përmbyllet fushata e informimit për liberalizimit e vizave për Kosovën.

    Kampanja përmbyllëse do të mbahet në Sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, nga ora 10:00 deri 15.00 .

    “Kamioneta jonë do të jetë në shërbimin tuaj për tju informuar dhe mundësuar të bëheni pjesë e kuizit dhe të fitoni një udhëtim në Vjenë me datën 1 Janar 2024. Shorteu i atyre që kan qëlluar 5 pyetjet e sakta do të mbahet LIVE të hënën në emisionin e mëngjesit në RTK.”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe nga 1 janari 2024 qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë drejt zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtra. Udhëtimi pa viza nënkupton se mund të udhëtoni lirshëm në shtetet e zonës Shengen, por nuk do të mund të punoni.

    Parlamenti Evropian miratoi në prill të këtij viti vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, me çka edhe procedurat vendimmarrëse për këtë çështje u përmbyllën.

    Miratimi në Parlamentin Evropian ishte bërë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

  • Zhduket një grua në Pejë

    Zhduket një grua në Pejë

    Është zhdukur një grua në Pejë, njofton policia e Kosovës. Policia ka nisur tashmë hetimet për këtë rast.

    “Pejë / 04.11.2023. Më 16.11.2023 ankuesja kosovare ka raportuar në polici se viktima femër kosovare ka dalur nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj. Rasti në hetime”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Një burrë në Prishtinë njofton se ka pranuar mbi 1 mijë euro false

    Një burrë në Prishtinë njofton se ka pranuar mbi 1 mijë euro false

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të falsifikimit të parave në Prishtinë.

    Sipas policisë, një person ka raportuar se kanë pranuar kartëmonedha të falsifikuara në vlerë prej 1120 euro.

    Rasti është duke u hetuar nga policia.

    “Prishtinë / 16.11.2023 – 09:00. Një mashkull kosovar ka raportuar se janë pranuar kartëmonedha të ndryshme në vlerë të përgjithshme prej 1120 € që dyshohet të jenë të falsifikuara. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në njoftim.

  • Vidhet një veturë në Prishtinë

    Vidhet një veturë në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për vjedhjen e një veture në Prishtinë, shkruan Gazeta Express.

    Rasti është duke u hetuar nga policia.

    “Prishtinë / 15.11.2023 – 10:00-22:00. Më 16.11.2023 ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se nga person-a të panjohur i është vjedhur vetura e tij. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Rusia ka paguar qindra mijëra euro për një gazetar gjerman

    Rusia ka paguar qindra mijëra euro për një gazetar gjerman

    Sipas raportimeve të mediave, gazetari gjerman dhe biografi i Putinit, Hubert Seipel dyshohet të ketë marrë qindra mijëra euro nga Rusia pa informuar shtëpitë mediatike për të cilat punonte, përfshirë këtu edhe transmetuesit publik NDR dhe ZDF, si dhe të përjavshmen Der Spiegel.

    Duke cituar dokumente konfidenciale nga Qiproja, Spiegel dhe programi i dytë ZDF i Gjermanisë raportojnë se gazetari i mirënjohur gjerman, Hubert Seipel hyri në një “marrëveshje sponsorizimi” prej 600.000 eurosh në mars 2018 për të “shkruar një libër për politikën në Federatën Ruse”.

    Sponsori bujar është De Vere Worldwide Corporation, një kompani në det të hapur nga Ishujt e Virgjër Britanikë. Me sa duket i përket konsorciumit të oligarkut rus Alexei Mordashov, i cili ka qenë nën sanksionet e BE-së që nga sulmi rus në Ukrainë për shkak të afërsisë së tij me presidentin rus Vladimir Putin.

    Në kontratën e sponsorizimit të vitit 2018, sipas Spiegel, thuhet se bëhet fjalë për një libër “për mjedisin politik në Federatën Ruse, i cili duhet të botohet në vitin 2019.” Ka të dhëna se kjo nuk është kontrata e parë e tillë sponsorizimi. Domethënë, shënimi i shkruar në kontratën e arritur nga gazetarët tregon për një kontratë të ngjashme për librin e parë të Seipel për Putinin, botuar në vitin 2015.

    Seipel, gazetari të cilit i beson Putini

    Ky gazetar gjerman ka ndikuar ndjeshëm në imazhin që gjermanët kanë për Vladimir Putinin prej vitesh – dhe e ka intervistuar disa herë ate. Ai shkroi biografinë e Putinit, e cila u botua në Gjermani, në vitin 2015 me titullin, “Putini, vështrim brenda pushtetit”. Gjashtë vjet më vonë, pasoi libri “Fuqia e Putinit. Pse Evropa ka nevojë për Rusinë”.

    Të dy librat u botuan nga shtëpia botuese e njohur e Hamburgut “Hoffmann und Campe”. Botuesi tani ka njoftuar se nuk dinte asgjë për pagesat nga Rusia dhe njoftoi një rishikim të të gjithë rastit. Po ashtu, në komunikatën për media thuhet se për shkak të mbulimit aktual mediatik, është vendosur “që libri të mos ofrohet më në shitje”.

    Në faqen e Programit të Dytë të televizionit gjerman, me të cilin Seipel ka bashkëpunuar rreth pesëmbëdhjetë vjet më parë, në tekstin për këtë rast shkruhet: “Miliona gjermanë e shohin presidentin rus me sytë e Seipel”.

    NDR: portreti i Putinit, intervistë me Snowden

    Për programin rajonal të shërbimit publik gjerman NDR, Seipel realizoi filmin dokumentar “Unë, Putini – një portret” (2012), në të cilin ai portretizohet si një burrë shteti që “kujdeset pa u lodhur për vendin e tij të madh”. Dy vjet më vonë, ai foli drejtpërdrejt me Vladimir Putinin në Moskë dhe arriti të regjistrojë një intervistë me denoncuesin e famshëm amerikan, Edward Snowden, të cilit iu dha azil në Moskë. Për këtë intervistë, Seipel mori një çmim prestigjioz televiziv gjerman.

    Seipel vetëm tani e ka informuar NDR-në se ka marrë para nga Alexei Mordashov përmes dy kontratave të sponsorizimit nga viti 2013 dhe 2018, por ka theksuar se objekti i kontratës kanë qenë dy libra. NDR, për të cilën gazetari gjerman ka punuar për herë të fundit në vitin 2019, beson se është një konflikt interesi dhe se ai është dashur t’i raportojë ato kontrata në kompaninë e prodhimit televiziv për të cilën prodhon emisione me të njëjtën temë. “Ekziston dyshimi se ne, pra edhe shikuesit tanë, jemi mashtruar qëllimisht. Ne do ta kontrollojmë këtë tani dhe po shqyrtojmë hapat ligjorë”, tha CEO i NDR, Joachim Knuth.

    Ky është rasti i parë i zbuluar në të cilin një gazetar perëndimor me ndikim merr shuma të mëdha dhe mbi të gjitha sekrete parash nga elita ruse e mbledhur rreth Putinit. Në një intervistë televizive në vitin 2021, Seipel mohoi ekzistencën e mbështetjes financiare për punën e tij në Rusi.

    Ai tani mohon ndikimin e atyre parave në punën e tij gazetareske, duke treguar një klauzolë të kontratës sipas së cilës ai “nuk ka asnjë detyrim” ndaj sponsorit në lidhje me vetë projektin, pra “përmbajtjen dhe përbërjen e librit”.

    Tani për tani, është e sigurt se një nga gazetarët dhe autorët më të respektuar të televizionit gjerman, Hubert Seipel, ka tronditur rrënjësisht reputacionin e tij gazetaresk duke fshehur qindra mijëra eurot që mori nga qarqet e afërta me Putinin.

    Sipas të përjavshmes Der Spiegel dhe Programit të Dytë të televizionit gjerman ZDF, “kontratat e sponsorizimit” janë zbuluar si pjesë e projektit të gazetarisë investigative ndërkombëtare “Cyprus Confidential”, i cili merret me afera të dyshimta në Qipro.

  • Regjistrimi i veturave në veri të vendit po vazhdon me interesim të shtuar

    Regjistrimi i veturave në veri të vendit po vazhdon me interesim të shtuar

    Më 1 dhjetor përfundon afati i paracaktuar nga Qeveria e Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale serbe në RKS. Pas kësaj date, automjetet me targa ilegale nuk do të kenë mundësi që të regjistrohen në Kosovë. Nga 1 nëntori deri më tani, janë regjistruar 1 mijë e 660 automjete.

    Procesi i regjistrimit të veturave nga targat ilegale serbe në targa RKS po vazhdon me një interesim të shtuar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e afatit për riregjistrimin e automjeteve me targat ilegale serbe me akronimet “PR”, “KM”, “GL”, e tjerë për qytetet e Kosovës.

    Targat “KM” tashmë i kanë zëvendësuar me RKS edhe këtë dy qytetarë serbë që në kushte anonimiteti treguan për RTK-në se pse i larguan targat e dikurshme.

    “I kam larguar sepse çka është për të gjithë është edhe për mua. Unë nuk mund të jem i veçantë nga të tjerët. Jam njeri i hapur dhe kuptoj gjerat si shkojnë. Le te jetë ashtu, paqe e qetësi”, tha ai.

    “I largova për arsye se nuk ka pasur mundësi të regjistroj në KM. Nuk ke mundur të lëvizësh në Serbi dhe të kthehesh. Ky ka qenë problemi. Për mua është njëjtë”, tha ai.

    Nga fillimi e deri më 16 nëntor, me targa RKS janë regjistruar 1 mijë e 660 automjete që kishin targa ilegale serbe, ka thënë për Radio Kosovës zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Mitrovicës, Veton Elshani.

    Duke folur për interesimin e shtuar të qytetarëve serbë për regjistrimin e automjeteve me targa RKS, analisti serb, Branislav Kerstiq, thotë se kjo po bëhet për dy arsye.

    “Shumica e nënshtetasve të shtetit të Kosovës të nacionalitetit serb, nga veriu e kanë kuptuar se Beogradi është duke hequr dorë nga Kosova. Po ashtu, ky vendim i Qeverisë së Kosovës duket se është shumë serioz”, tha ai.

    Qeveria e Kosovës vendimin për zgjatjen e afatit për ri-regjistrimin e automjeteve me targa ilegale serbe e mori më 30 tetor. Ky vendim parasheh që pas datës 1 dhjetor 2023, pronarët e mjeteve të pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri me datë 21 prill 2022, nuk do të kenë më mundësinë që këto mjete t’i regjistrojnë me targa RKS, të hyjnë apo të qarkullojnë në dhe përmes territorit të Republikës së Kosovës.

  • Analisti boshnjak për ngjarjen e Bansjkës: Sulmi i 24 shtatorit ka treguar se Beogradi ka vullnet për përdorimin e dhunës

    Analisti boshnjak për ngjarjen e Bansjkës: Sulmi i 24 shtatorit ka treguar se Beogradi ka vullnet për përdorimin e dhunës

    Sulmi paraushtarak nacionalist serb në Banjskë, në veri të Kosovës, i cili rezultoi në vdekjen e një oficeri të policisë së Kosovës dhe plagosjen e dy të tjerëve, përfaqëson shembullin më të rëndë të dhunës në vend që nga fundi i luftës së vitit 1999 dhe ndërhyrjes së NATO-s.

    Kështu thotë gazetari dhe analisti boshnjak, Jasmin Mujanoviq.

    Sipas tij, Banjska ka treguar provat më të besueshme se Beogradi ka një vullnet të ripërtërirë për të përdorur dhunën për të formësuar kushtet politike në shtetet fqinje.

    “Përfshirja e drejtpërdrejtë e shërbimeve të sigurimit shtetëror serb në sulm – përmes sigurimit të armëve dhe municioneve, përdorimit të objekteve të tyre ushtarake për përgatitjen e sulmit dhe lidhjeve të njohura të sulmuesve me nivelet e larta të udhëheqjes serbe – kërkon një reagim përmbajtësor nga kryeqytetet e Kuintit dhe vetë qeveria e Kosovës”

    Mujanoviq ka përpiluar edhe një raport prej pesë pikash, duke rekomanduar veprimet politike për t’iu përgjigjur në mënyrë të duhur ngjarjeve në Banjskë, duke siguruar mbi të gjitha se Beogradi nuk do të rrezikojë ndonjë përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës.

    “Pasojat kredibile dhe ngritja e kapaciteteve bindëse parandaluese në Prishtinë janë kyçe për të garantuar stabilitetin e Kosovës dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Nëse elementët nacionalistë serbë tolerohen të besojnë se dhuna është edhe një herë një mjet i lejueshëm i ndikimit politik, ata nuk do të rrezikojnë thjesht sigurinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Me kalimin e kohës, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi gjithashtu ka të ngjarë të jenë në shënjestër. E njëjta gjë do të rezultonte gjithashtu në një regres të mëtejshëm demokratik në Serbi, gjë që do të rriste gjithashtu gjasat për konflikt ndërshtetëror në rajon”, ka shkruar Mujanoviq në një analizë të publikuar në Oktapus.

    “As NATO dhe as BE-ja nuk mund të përballojnë një tjetër krizë me disa fronte në rajon, veçanërisht duke pasur parasysh ndryshimin e theksuar të kushteve gjeopolitike globale që nga shkurti i vitit 2022. Prandaj, nëse zbatohen rekomandimet në këtë raport, jo vetëm që do të përmirësonin ndjeshëm stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës, por gjithashtu do të siguronte interesat e Perëndimit në ruajtjen e një mjedisi paqësor në të gjithë Ballkanin Perëndimor”

    Kjo, në fund të fundit, sipas analistit boshnjak, është edhe shtytja kryesore analitike e këtij teksti: duke theksuar se është në interes të komunitetit euroatlantik, para së gjithash, të ketë një Kosovë sovrane, demokratike, siguria e së cilës ruhet në mënyrë të besueshme nga shërbimet e saj të zbatimit të ligjit dhe të sigurisë.

    “Në këtë aspekt, Serbia, në kursin e saj aktual, është një kundërshtar, jo partner. Por, duke çimentuar mbështetjen dhe angazhimet perëndimore për Kosovën, ne mund të sigurojmë, me kalimin e kohës, se klasa politike e Serbisë do të pranojë se trajektorja e saj aktuale maksimaliste është një propozim humbës: ndërkombëtarisht, por edhe brenda vendit. Një shtet i fortë, sovran i Kosovës – së bashku me Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi – janë pakrahasimisht mjetet më të mëdha në dispozicion të komunitetit euroatlantik për të lehtësuar përfundimisht pranimin e vërtetë në shoqërinë serbe se luftërat jugosllave kanë mbaruar dhe se projekti nacionalist dhe ekspansionist serb – qoftë i quajtur si “Serbia e Madhe” apo “Bota Serbe” – janë mposhtur”, shkruan Mujanoviq.