ATV

Author: ATVLive

  • Bislimi: Asociacioni nuk është diskutuar në Bruksel, vlerësimin e fundit e jep Kushtetuesja

    Bislimi: Asociacioni nuk është diskutuar në Bruksel, vlerësimin e fundit e jep Kushtetuesja

    Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator për dialogun me Serbinë, ka thënë se shqetësimet e ngritura se po krijohet një autonomi për serbët në veri përmes Asociacionit janë të individëve që po shpërndajnë drafte dhe jo të qeverisë. Bislimi ka shtuar se ekzekutivi nuk punon me shqetësime, por në bazë të analizave, për më tepër, sipas tij draftin e Asociacionit të propozuar nga emisarët euro-amerikanë do ta vërtetojë Gjykata Kushtetuese dhe jo analistët në studio televizive dhe as politikanët.

    Bislimi tha se në takimin e së enjtes në Bruksel me të dërguarin e Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nuk është diskutuar për draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pasi, siç ka thënë ai, pozicioni i Kosovës është bërë i qartë që më 26 tetor nga kryeministri Albin Kurti, në takim me liderët evropianë.

    “Tek pika e Asociacionit ne nuk kemi diskutuar për arsye se kemi thënë se pozicioni është i qartë dhe është prezantuar nga kryeministri Kurti më 26 tetor. Rrjedhimisht gjithkush që iu thotë që në Bruksel është shkuar për të diskutuar për Asociacionin, vetëm ka bërë dezinformim pasi nuk është diskutuar fare…Shqetësimet për (autonomi) janë të individëve të atyre që shpërndajnë drafte. Ne nuk punojmë me shqetësime dhe ne punojmë me analiza. Për më tepër kushtetutshmërinë e draftit të dërguar nga miqtë tanë ndërkombëtar e vërteton Gjykata Kushtetuese, as analistët në studio dhe as politikanët. Janë njerëz që marrin pagë mujore për me vlerësuar kushtetutshmërinë e dokumenteve që iu rezervohen atyre”, tha Bislimi.

    Duke folur për mundësitë e zgjedhjeve të parakohshme në veri, Bislimi tha se kanë pranuar të shmanget kërkesa që në kuadër të nënshkrimeve për peticion të nevojitet edhe numri i telefonit të nënshkruese, pas shqetësimeve të BE-së.

    “Për zgjedhjet në veri ne vetëm kemi diskutuar komplikimet e mundshme të cilat pala ndërkombëtare ka mundur t’i konstatojë nga hapat që kemi ndërmarrë deri tani. Më konkretisht ata kanë pasur shqetësimin se në formularët ku do të plotësohet peticioni është kërkuar edhe numri i telefonit të nënshkruese dhe kanë menduar se kjo nuk është konfrom rregullave për mbrojtjen e privatësisë. Ne kemi treguar gatishmërinë që ky element i formularit të shmanget…Kërkesa për me gjetur mekanizëm për të shkuar në zgjedhje të parakohshme nuk ka ardhur nga kryeqendra, por nga vet qytetarët serb nga komunat e veriut. Ne pastaj ju kemi treguar instrumentin që ata duhet të përdorin për këtë preferencë që kanë. Ju takon atyre që të vendosin se në cilën ditë apo përmes cilës OJQ apo parti politike do të fillojnë procesin”, theksoi Bislimi.

    Krahas kësaj, Bislimi tha se zbatimi i marrëveshjes për energji është tepër afër.

    “Është tepër afër, faktikisht vetëm duhet të nënshkruhen dokumentet. Po ashtu duhet një vendim i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për propozimin për tarifat që i ka propozua elektroserveri karshi KEDS-it. Në atë moment që ZRRE-ja thotë se këto tarifa janë të pranueshme për arsye se të njëjtat duhet të përkthehen në marrjen e KEDS-it gjatë vitit 2024. Në atë moment që ata marrin këtë dakordim nuk ka arsye për Elektroserverin që të vendos nënshkrimin”, tha ai.

    Këto komente Bislimi i bëri pas pjesëmarrjes në tryezën ndërparlamentare të Komisioneve për Punë të Jashtme të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

  • Kualifikimi i Shqipërisë do të sjellë festë të madhe në Tiranë

    Kualifikimi i Shqipërisë do të sjellë festë të madhe në Tiranë

    Kombëtarja Shqiptare e futbollit do të ballafaqohet sonte me Moldavinë, sfidë nga e cila do t’i mjaftonte vetëm një pikë për ta siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian të futbollit që zhvillohet vitin e ardhshëm në Gjermani.

    Organizimi për këtë ndeshje është jashtëzakonisht i madh, madje ajo do të transmetohet në një ekran gjigant në sheshin “Skënderbeu” në qendër të Tiranës, aty kur pritet të mblidhet një numër i madh i tifozëve kuq e zi.

    Gazetar i “Topnews”, Erjon Halili ka thënë për KosovaPress se entuziazmi në Shqipëri është i jashtëzakonshëm para përballjes Moldavi-Shqipëri dhe përgatitjet për festë tashmë janë bërë.

    Halili më tutje ka zbuluar se menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, skuadra do të niset drejt Tiranës, aty ku në rast të kualifikimit, në aeroportin Rinas do të priten nga një numër i madh i tifozëve.

    Sa i përket ndeshjes, Halili thotë se të gjithë lojtarët janë në formën më të mirë, por që trajneri brazilian, Silvinjo u ka kërkuar atyre që të tregojnë profesionalizëm dhe pjekuri gjatë 90 minutave në fushë

    Momentalisht, Shqipëria është lidere e grupit E me 13 pikë, e ndjekur nga Republika e Çekisë me 11 dhe Polonia me 10 sosh.

  • U paralajmërua hapja e Ambasadës në Poloni, Presidentja e emëron shef të misionit Drilon Gashin

    U paralajmërua hapja e Ambasadës në Poloni, Presidentja e emëron shef të misionit Drilon Gashin

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka emëruar Drilon Gashin si shef të misionit të Kosovës në Varshavë.

    Osmani tha se ky është një mision historik në marrëdhëniet në mes vendeve, teksa shtoi se kjo nxit lidhje edhe më të forta në mes të Kosovës dhe Polonisë.

    “I lumtur që kemi emëruar z. Drilon Gashi, një kosovaro-amerikan i suksesshëm, si shef i misionit në misionin tonë në Varshavë. Kjo shënon një moment historik të rëndësishëm në marrëdhëniet tona dhe pasqyron angazhimin tonë për të nxitur lidhje edhe më të forta ndërmjet 🇽🇰& 🇵🇱”, ka thënë ajo.

    Ishte kryeministri Albin Kurti ai i cili pati paralajmëruar hapjen e ambasadës së Kosovës në Poloni.

  • Kundërshtimi i prokurores Fitore Sadikaj ndaj vendimit të kryesuesit të Këshillit – KPK-ja diskuton me dyer të mbyllura

    Kundërshtimi i prokurores Fitore Sadikaj ndaj vendimit të kryesuesit të Këshillit – KPK-ja diskuton me dyer të mbyllura

    Këshilli Prokurorial i Kosovës të premten ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm, raporton Ekonomia Online. Ndonëse takimi ishte i hapur për medie, KPK-ja fillimisht kërkoi që në pikën ku diskutohet kundërshtimi i prokurores Fitore Sadikaj ndaj vendimit të kryesuesit të Këshillit për moskonfirmimin e statusit të kandidatit për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të mbahet me dyer të mbyllura.

    Zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Veton Shabani, tha se për shkak të konfidencialitetit, kjo pikë e rendit të ditës do të mbahet me dyer të mbyllura.

    Krahas kësaj pike, në rend dite janë edhe konfirmimi i listës së kandidatëve të cilët kanë aplikuar për pozitën Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Konfirmimi i listës së kandidatëve të cilët kanë aplikuar për pozitën Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

  • Policia shton kontrollet për verfikimin e shoferëve që nuk i kanë pajisjet dimërore

    Policia shton kontrollet për verfikimin e shoferëve që nuk i kanë pajisjet dimërore

    Policia në Mitrovicën e Jugut ka shtuar aktivitetet për vetëdijesimin e shoferëve që të “Mos e drejtojnë automjetin pa pajisje dimërore”.

    Sipas njoftimit, Policia nga data 15 nëntor po shpërndajnë fletëpalosjeve për shoferë me këshilla kryesore për përgatitjen dhe ngasjen e automjeteve gjate sezonit dimëror.

    Me fillimin e sezonit dimëror, njësitet policore do të rrisin kontrollin nëpër akset rrugore ku në fokus do të jenë pajisjet dimërore për automjete.

    Për drejtuesit e automjeteve që nuk respektojnë rregullat e parapara sipas ligjit të komunikacionit rrugorë 05/L-088, do të shqiptohen gjoba sipas: Nenit 227.5 për persona fizik gjobë është 40 euro, ndërsa sipas nenit 227.6 për persona juridik gjobë është 100-300 euro, bëhet e ditur në njoftim.

    Policia e Kosovës apelon tek të gjithë shoferët për kujdes të shtuar të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor si dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugës.

  • Vrau nënën në formë mizore: Mbyllet seanca ndaj Urim Hysenit

    Vrau nënën në formë mizore: Mbyllet seanca ndaj Urim Hysenit

    Me kërkesë të mbrojtëses së viktimave Zymreta Bashiq, është mbyllur seanca fillestare të premten në Gjykatën Themelore në Pejë, ndaj të akuzuarit për vrasjen e nënës në mënyrë mizore, Urim Hyseni.
    Mbrojtësja e viktimave Bashiq, kërkoi që seanca të mbyllet për publikun për shkak që rasti ka të bëjë me çështje familjare, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ky propozim u mbështet nga prokurorja Sahide Gashi dhe mbrojtësi i të akuzuarit Hyseni, avokati Asdren Mekaj. Më pas, si i tillë u aprovua nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova.

    Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e ngritur më 9 tetor 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, i akuzuari Urim Hyseni më 14 prill 2023, në shtëpinë e tij në Pejë, ka privuar nga jeta në mënyrë mizore nënën e tij, vitimën H.H., në rrethanat e përgjegjësisë së zvogëluar mendore në shkallë esenciale. Aktakuza thotë se pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit dhe viktimës, për motive ende të panjohura, derisa gjendeshin në paradhomën e katit të parë të shtëpisë, i akuzuari në mënyrë mizore kyen vrasjen e viktimës.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer vepën penale “vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar 1.3 e 1.4, lidhur me nenin 18, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal, ku dënimi parashihet me burg prej 10 vitesh deri në burgim të përjetshëm. Neni 18, paragrafi 2 dhe paragrafi 1 shpjegojnë se personi që ka paaftësi mendore dhe aftësi të zvogëluar mendore konsiderohet penalisht përgjegjës, por këto rrethana merren parasysh nga gjykata kur vendos për kohëzgjatjen dhe llojin e sanksionit ose masës së trajtimit të detyrueshëm.

    Më 14 prill 2023, Policia e Kosovës kishte konfirmuar se një person dyshohet se e ka vrarë nënën e tij në Pejë. Më 11 maj i ishte vazhduar edhe për dy muaj paraburgimi Hysenit.

  • MKRS mbështetë financiarisht Komitetin Paralimpik të Kosovës

    MKRS mbështetë financiarisht Komitetin Paralimpik të Kosovës

    MKRS mbështetë financiarisht pjesëmarrjen e parë të paraatletëve të Kosovës në Lojërat Paralimpike Paris 2024.

    Komiteti Paralimpik i Kosovës së fundi është anëtarësuar në Komitetin Paralimpik Evropian dhe Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar, duke i mundësuar kështu paraatletëve kosovarw që në vitin e ardhshëm të garojnë për herë të parë në Lojërat Paralimpike që do të mbahen në Paris, duke gëzuar të drejta të plota.

    Përmes memorandumit të nënshkruar sot ndërmjet ministrit Hajrulla Çeku dhe presidentes së KPK-së, Njomza Emini, MKRS mbështetë financiarisht Komitetin Paralimpik të Kosovës me qëllim të përgatitjes së ekipit paralimpik të Kosovës për pjesëmarrjen në Paris.

    Në Lojërat Verore Paralimpike 2024 pritet që të marrin pjesë mbi 160 shtete me më shumë se 4000 parasportistë, të cilët do të garojnë në 22 sporte të ndryshme. Kosovën në këtë ngjarje pritet ta përfaqësojnë dy parasportistët, Grevist Bytyqi dhe Vjollca Hoxha.

  • Jep dorëheqje anëtari i Bordit të OSHP-së, Agon Ramadani

    Jep dorëheqje anëtari i Bordit të OSHP-së, Agon Ramadani

    Agon Ramadani ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

    “Arsyeja e dorëheqjes ka të bëjë kryesisht me punën time profesionale, angazhimin dhe ambiciet e së ardhmes në këtë drejtim”, thuhet në letrën e tij të dorëheqjes, të cilën e ka siguruar ATV.

    Kuvendi pati zgjedhur në qershor të vitit të kaluar anëtarët e Bordit – Nita Bejta, Kimete Gashi, Vedat Peterqoj dhe Agon Ramadani – dhe kryetaren e tij, Vjosa Gradinaj-Mexhuani.

    Deri atëherë, mbi një vit ishin bllokuar qindra miliona euro në institucionet e ndërmarrjeve publike si pasojë e moszgjedhjes së Bordit të OSHP-së. /atvlive.tv

  • “Dardanët” nisen drejt Zvicrës

    “Dardanët” nisen drejt Zvicrës

    Lojtarë e Kombëtares së Kosovës janë nisur drejt Zvicrës, atje ku të shtunën këto dy kombëtare do të ballafaqohen ne Basel në një sfidë mjaftë të rëndësishme për të dy skuadrat.

    Zvicrës i nevojitet fitorja për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian Euro 2024 pasi barazimi me Izraelin e komplikoi situatën në grupin I për helvetikët, raporton KosovaPress.

    Nga ana tjetër, Kosova vjen e motivuar pas triumfit ndaj Izraelit në Prishtinë me rezultat 1-0 dhe një fitore eventuale të shtunën mund t’i rikthente gjasat për kualifikim, edhe pse ato mbeten minimale.

    Zvicra dhe Kosova ballafaqohen të shtunën ne Basel me fillim nga ora 20:45.

  • Guvernatori Ismaili në takimet e nivelit të lartë në BQE, diskutojnë për valutat digjitale

    Guvernatori Ismaili në takimet e nivelit të lartë në BQE, diskutojnë për valutat digjitale

    Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i kryesuar nga Guvernatori Ahmet Ismaili po merr pjesë në takime të nivelit të lartë në Bankën Qendrore Evropiane (BQE) me guvernatorët dhe zëvendësguvernatorët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, lidhur me integrimin në sistemin evropian të bankave qendrore, përkatësisht në skemën e pagesave SEPA dhe sistemin e pagesave të shpejta TIPS.

    Punimet i hapi anëtari i Bordit Ekzekutiv të BQE-së, Piero Cipollone i cili ka zëvendësuar Fabio Panetta që rishtas është emëruar Guvernator i Bankës së Italisë. Nga Cipollone u dhanë mesazhet kryesore mbështetëse për këtë nismë.

    Në komunikatë thuhet se në kuadër të katër sesioneve, ku prezantojnë bankat qendrore nga shtetet e rajonit edhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës përmes Guvernatorit Ismaili, prezantoi punën aktuale dhe planet e BQK-së për zhvillim dhe modernizim të sistemit të pagesave, me qëllim të ndërlidhjes me sistemet rajonale dhe me Bashkimin Evropian.

    “Në margjina të këtyre takimeve nga ekspertët e Bankës Qendrore Evropiane, Bankës së Italisë, Bankës së Francës dhe Bankës Qendrore të Gjermanisë u trajtuan tema mbi infrastrukturën e tregut financiar, zhvillimet dhe risitë për instrumentet e pagesave, teknologjitë e reja, valutat digjitale të bankave qendrore dhe euron digjitale”, thuhet në komunikatë.

    BQE-ja në kuadër të mbështetjes së projektit të BE-së për Modernizimin e Sistemeve të Pagesave të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe objektivave të G20-së, po mbështet me nisma konkrete siç është ajo e ndërlidhjes së sistemeve të pagesave dhe përfshirjes së rajonit tonë në sistemet e Bashkimit Evropian.

    Në këtë kuptim, Republika e Kosovës është pjesë e kësaj agjende, ku BQK-ja ka përfshirë në kuadër të Planit të Strategjik si një objektivë mundësimin e pagesave të shpejta 24/7, me qëllimin përfundimtar pjesëmarrjen në sistemin e pagesave TIPS.

    Avancimi i sistemit kombëtar përmes mundësimit të pagesave “instant” (24/7), si dhe ndërlidhja me sistemin TIPS është objektiv i BQK-së, i cili kur të arrihet do të ketë ndikim të madh në ekonominë e vendit tonë, rajonit, diasporës, si dhe qarkullimin e pagesave për shkëmbimet tregtare me BE-në, si partneri më i madh tregtar i Republikës së Kosovës.