ATV

Author: ATVLive

  • BE-ja në linjë të njëjtë me Zelenskyn për rrezikun nga ndikimi i Rusisë në Ballkan

    BE-ja në linjë të njëjtë me Zelenskyn për rrezikun nga ndikimi i Rusisë në Ballkan

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Pretendimet e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se Rusia po synon nisjen e një lufte midis vendeve të Ballkanit, i ka mbështetur edhe Bashkimi Evropian të premten.

    Zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë, Peter Stano, tha se BE-ja ndan shqetësimin e shprehur nga Zelensky se Rusia do të tentojë të provokojë konflikte në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    “Për një kohë të gjatë kemi thënë se Rusia po bën përpjekje për të ushtruar ndikim malinj edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pra, po, ky është shqetësimi që ne e ndajmë dhe ky nuk është shqetësim i ri, por shqetësim që ka qenë me ne për një kohë. Ne në këtë pikë pajtohemi me presidentin e Ukrainës dhe e dimë që Rusia po bën gjithçka, që mundet që të mbjellë pakënaqësi, jo stabilitet politik, ndikim të huaj, manipulim informatash dhe tjera”, tha Stano.

    Stano shoi se për këtë arsye BE-ja ka shtuar ndihmën për partnerët në vendet e Ballkanit Perëndimor që të përballen me këto kërcënime.

    Presidenti ukrainas bëri thirrje që t’i kushtohet vëmendje Ballkanit Perëndimor, pasi Rusia ka plan të gjatë për ta destabilizuar atë. Shqetësim të njëjtë ka edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

    “Rajoni ynë po përballet me tentativa destabilizuese, që me shumë gjasë, regjisorin e kanë në Rusi, por akterët kryesorë janë nga vetë regjioni. Kosova është përballur disa herë këtë vit, edhe në muajt maj dhe qershor, e së fundmi më 24 shtator, me skenarë që kanë vetëm një qëllim, destabilizimin, madje jo vetëm të Kosovës, por edhe të gjithë rajonit. Ne e mbështesim planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor. Bashkimi Evropian duhet të reformohet dhe të zgjerohet. Nuk duhet të ketë përfitues të fondeve pa i përqafuar vlerat e BE-së”, tha Bislimi.

    Pas deklaratave të presidentit ukrainas, reagoi edhe deputetja britanike, Alicia Kearns, e cila përsëriti paralajmërimet për nevojën e strategjisë së qartë dhe të përbashkët në Ballkan.

  • Dorëheqja e anëtarit të bordit të OSHP-së zvarrit trajtimin e ankesave

    Dorëheqja e anëtarit të bordit të OSHP-së zvarrit trajtimin e ankesave

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Organi Shqyrtues i Prokurimit ka mbetur edhe pa një anëtar të Bordit.
    Për arsye personale, siç e ka theksuar në letrën e dorëheqjes, të cilën e ka siguruar ATV-ja, Agon Ramadani, dha dorëheqje nga pozita e anëtarit të Bordit të OSHP-së.

    Sipas atyre, që e monitorojnë punën e Organit Shqyrtues të Prokurimit, mungesa e një anëtari të Bordit do të zvarrisë trajtimin e ankesave.

    “Dorëheqja e Ramadanit do të ndikojë direkt në zgjatjen e afatit për vendime nga OSHP-ja. Ramadani ka pasur lëndë në shqyrtim, për të cilat tashmë duhet të angazhohet dikush tjetër nga Paneli Shqyrtues për t’i trajtuar. Për fatin e mirë me angazhimin e anëtarit të ri, Isa Hasani, në muajin tetor, OSHP-ja mbetet funksionale, por kjo na jep sinjal se shumë aktivitete të prokurimit, të cilat kanë përfunduar në këtë organ, vendimet për to do të prolongohen shkaku i vonesave në vendimmarrje nga OSHP-ja, pasi numri i ankesave në këtë organ, ka dy muaj që ka kaluar numrin e ankesave të parashtruara me numrin paraprak”, tha Dardan Gashi nga “Democracy Plus”.

    Në qershor të vitit të kaluar, Kuvendi pati zgjedhur anëtarë të Bordit – Nita Bejtën, Kimete Gashin, Vedat Peterqojn dhe Agon Ramadanin – dhe kryetaren Vjosa Gradinajn.

    Mbi një vit ishin bllokuar qindra miliona euro në institucionet e ndërmarrjeve publike, si pasojë e moszgjedhjes së Bordit të OSHP-së.

  • Ende pa filluar, “dështon” seanca e Kuvendit Komunal të Prishtinës

    Ende pa filluar, “dështon” seanca e Kuvendit Komunal të Prishtinës

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Organizimi i parkingjeve dhe menaxhimi i mbeturinave janë vetëm dy nga pikat e rendit të ditës që pritej të diskutoheshin në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

    Por, pas shtyrjes së diskutimit për më shumë se një orë, seanca e jashtëzakonshme dështoi.

    “Si kryetar i kryeqytetit dhe thirrës i kësaj seance ju kërkoj që ajo të anulohet dhe të gjitha pikat e agjendës të futen në mbledhjen e radhës dhe të merren parasysh sugjerimet e marra në mbledhjen e KPF-së. Respekt Përparim Rama”, tha kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Pëllumb Bajqinovci.

    Me t’u anuluar seanca pas kërkesës së kryetarit Përparim Rama, filluan kritika të ashpra nga asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

    “Nuk ka ndodhë deri më tani që të anulohet një mbledhje akoma pa filluar, arsyeja është që mes PDK-LDK ka krisur çështja e kompetencave dhe interesave, këta nuk i kanë numrat dhe tani anuluan seancën”, tha shefi i grupit të asamblistëve të LV-së, Gëzim Sveçla.

    Ndërkaq, asamblistë të AKR-së thanë se humbësit më të mëdhenj nga dështimi i seancës janë qytetarët.

    “Ai është duke i lënë qytetarët të presin për secilën pikë të rendit të ditës që secila është më e rëndësishme se tjetra, nuk ka qenë i pranishëm në asnjë mbledhje, kjo është papërgjegjësi, është qeverisje diktatoriale”, tha Gëzim Mehmeti, asamblist i AKR-së.

    Kjo, ishte hera e parë që një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës nuk mbahet.

  • Fillon gjykimi ndaj Zoran Vukotiqit, akuzohet për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë

    Fillon gjykimi ndaj Zoran Vukotiqit, akuzohet për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë

    Përgatiti: Nora Luta

    I dënuar dy herë për krime lufte në Kosovë, Zoran Vukotiq u soll nën masa të rrepta të sigurisë, nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Pallatin e Drejtësisë të premten.
    Ballafaqimin me drejtësinë Vukotiq do ta vazhdojë për një tjetër akuzë për dhunë seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Megjithatë gjatë seancës fillestare që u mbyll për publikun, 53 vjeçari ka mohuar fajësinë. Për të mbrojtur identitetin e viktimës, Prokuroria Speciale kërkoi që i tërë gjykimi të zhvillohet i mbyllur.

    Aktakuza e ngritur nga prokurorja speciale Drita Hajdari, e ngarkon Vuktoqin se si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Serbisë ka kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptarë gjatë një sulmi të gjerë kundër popullatës civile në vitin 1999.

    Sipas aktakuzës së siguruar nga ATV-ja, Vukotiq e kishte goditur viktimën me thikë në pjesë të ndryshme të trupit.

    “Viktima mundohet të rezistojë, mirëpo i pandehuri Zoran me thikë e pret në pjesën e poshtme të gjoksit të majtë, sikur edhe nëpër duar. Gjatë
    dhunimit, viktima ka pësuar lëndime të rënda fizike dhe psikike të përhershme”, thuhet në aktakuzën e PSRK-së ndaj Zoran Vukotiqit.

    Sipas aktakuzës, viktima ishte dhunuar edhe nga tre persona të tjerë, të cilët bashkë me Vukoticin kishin hyrë me forcë në shtëpinë e saj, dhe të njëjtit dyshohet se ia vranë babanë.

    “Këta katër persona, me të hyrë në shtëpi, fillimisht kanë filluar ta bastisin shtëpinë dhe pasi kishin gjetur një shishe të plastikës me jod dhe një me alkool, ata i ishin afruar babait të saj, duke i thënë në gjuhën shqipe “ti po i ndihmon UÇK-së”, të cilin njëri prej tyre e kishte goditur me kondak të armës në shpinë dhe e ka rrëzuar në dysheme, përderisa babai i saj i ishte kthyer personit që fliste shqip duke i thënë: “Çka po të bëj ty Zoran, pse po më mëshon”, thuhet më tej në aktakuzën e PSRK-së ndaj Zoran Vukotiqit.

    Kjo është aktakuza e pestë ndaj Zoran Vuktoiq, i cili aktualisht është në vuajte të dënimit edhe për një rast tjetër të dhunimit gjatë luftës në Kosovë. Apeli ia rriti dënimin nga dhjetë sa ia kishte shqiptuar gjykata e shkallës së parë në 13 vjet burgim, dhe i njëjti u vërtetua edhe nga Supremja.

    Ndërkohë edhe tri raste tjera janë ndaj tij për krime lufte në territorin e Komunës së Vushtrrisë, por të cilat nuk janë gjykuar që kur janë kthyer në rigjykim në vitin 2019.

    Vukotiq ishte ekstraduar në Kosovë nga autoritetet e Malit të Zi në vitin 2016, dhe që atëherë ndodhet në Burgun e Sigurisë së Lartë.

  • Ëndrra bëhet realitet, Shqipëria do të luajë në Kampionatin Evropian Euro 2024

    Ëndrra bëhet realitet, Shqipëria do të luajë në Kampionatin Evropian Euro 2024

    Kombëtarja e Shqipërisë e ka siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian Euro 2024, që do të mbahet në Gjermani.

    Pas plot 90’ minutave lojë të zhvilluara në stadiumin “Zimbru”, Shqipëria ka barazuar 1:1 si mysafire me Moldavinë, raporton KosovaPress.

    Golin për kuqezinjtë e shënoi Sokol Cikalleshi nga penalltia në minutën e 25’, kurse te Moldavia golashënues ishte Vladislav Baboglo në minutën e 87’.

    Shqipëria ishte e vetëdijshme që i duhej vetëm një pikë për ta siguruar kualifikimin në Evropianin Euro 2024, hera e dytë kjo që “kuqezinjtë” kualifikohen në një turne evropian.

    Me pikët e reja, Shqipëria ngjitet në kuotën e 14 pikëve në vendin e parë, krahas Moldavisë që tani zë vendin e tretë me 10 pikë, aq sa ka edhe Polonia në vendin e katërt.

    Rezultati final, 1:1.

  • Kryesuesi i KGJK-së thotë se vendimet e pushtetit po e cenojnë pavarësinë e gjyqësorit

    Kryesuesi i KGJK-së thotë se vendimet e pushtetit po e cenojnë pavarësinë e gjyqësorit

    Përgatiti: Nora Luta

    Komentet dhe vlerësimet e pushtetit ekzekutiv rreth vendime të gjyqësorit, janë konsideruar shpeshherë si ndërhyrje në drejtësi nga shoqëria civile. Kritik ndaj ekzekutivit rreth komenteve për gjyqësorin, ishte të premten edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj.

    Në hapje të konferencës “Ditët e Gjyqësorit”, Zogaj bëri thirrje për përmbajtje në komentime ndaj vendimeve të gjyqtarëve. Ndërsa, vendimet e Qeverisë rreth uljes së pagave, sipas Zogajt, e cenojnë rëndë pavarësinë e gjyqësor.

    Ndërkohë, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, tha se përkundër sfidave e vështirësive në gjyqësor, është arritur që lëndët të përfundojnë në kohë rekorde.

    Konferenca “Ditët e Gjyqësorit” organizohet çdo vit dhe ka për qëllim vlerësimin e gjendjes aktuale të sistemit gjyqësor, përmbushjen e planeve të punës, sfidat dhe objektivat strategjike për avancimin e funksionimit të sistemit gjyqësor.

  • Mbahet seanca fillestare ndaj personit që akuzohet se vrau nënën

    Mbahet seanca fillestare ndaj personit që akuzohet se vrau nënën

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në këtë shtëpi në Pejë, para 7 muajve u gjet e vrarë kryefamiljarja. Për vrasjen akuzohet i biri i saj, Urim Hyseni, ndaj të cilit këtë të premte u mbajt seanca fillestare.

    Me aprovim të avokatit, prokurores dhe mbrojtëses së viktimave, për shkak të gjendjes psikike të të akuzuarit, seanca u zhvillua e mbyllur.

    Pos prokurores e avokatit, rreth rrjedhës së seancës nuk folën as familjarët.

    Sipas aktakuzës të cilën për shkak të ndjeshmërisë së rastit ATV-ja e publikon vetëm pjesërisht, 30-vjeçari në momentin kritik kishte përgjegjësi të ulët mendore. Në aktakuzë thuhet se 30-vjeçari i shkaktoi nënës së paku 22 plagë me tri thika të ndryshme të kuzhinës.

    “Pas një mosmarrëveshjeje mes të pandehurit dhe viktimës për motive ende të panjohura, derisa gjendeshin në paradhomën e katit të parë të shtëpisë, ai pasi merr thikën e parë në kuzhinë, konkretisht në sirtarin e dytë të komodinës në krahun e majtë, kthehet dhe me të e sulmon duke e goditur në kokë, në pjesën e përparme të gjoksit, e pastaj kthehet e merr thikën tjetër, në po të njëjtin vend, dhe pasi i afrohet viktimës, vazhdon goditjet në pjesë të ndryshme të trupit dhe ekstremiteteve të sipërme, për të vazhduar edhe me thikën e tretë, me të cilën e goditë në shpinë, kraharor e qafë, duke ia shkaktuar gjithsej 22 plagë shpuese.”, thuhet në aktakuzë.

    Sipas aktakuzës, pas sulmit fillestar kishte ndërhyrë dëshmitarja N.H. dhe i akuzuari ishte larguar përkohësisht nga viktima. Derisa, N.H. kishte dalë për të kërkuar ndihmë, 30-vjeçari ishte kthyer edhe një herë dhe ia kishte shkaktuar plagët fatale, duke ia këputur kokën.

    Pas fillimit të hetimeve, ishte urdhëruar ekzaminim psikiatrik, i cili tregon se Urim Hyseni vuan nga një çrregullim i personalitetit kufitar, që hyn në klasifikimin e sëmundjeve mendore.

    Brenda seancës, ATV-ja kupton se i akuzuari pohoi me kokë kur u pyet nëse e pranon fajësinë. Megjithatë, nuk është e qartë nëse trupi gjykues do ta marrë parasysh këtë, duke e konsideruar gjendjen psikike të të akuzuarit.

  • Përfundon fushata informuese për liberalizimin e vizave

    Përfundon fushata informuese për liberalizimin e vizave

    Përgatiti: Benita Zeneli

    “Liberalizimi i vizave mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të asaj që njihet si zona Schengen”.

    Kjo është vetëm një prej disa informatave që janë ndarë me qytetarët e Kosovës gjatë një muaji, prejse ka filluar fushata informuese për liberalizimin e vizave.

    Fushata u përmbyll të premten në kryeqytet. Megjithatë, njohësit e proceseve të ndërlidhura me BE-në, thonë se Qeveria nuk bëri mjaftueshëm në aspektin e informimit.

    Duke e konsideruar valën e emigrimit në shtetet evropiane, opinionisti Arbnor Sadiku thotë se fushata duhet vazhduar ende, sepse liberalizimi nuk vlen për punë në Schengen.

    Parlamenti Evropian miratoi në prill të këtij viti vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Nga 1 janari 2024 bartësit e pasaportës së Kosovës do të mund të udhëtojnë drejt zonës Shengen pa viza për qëndrime deri në 90 ditë.

  • Mozzik viziton Kadri Veselin në Hagë

    Mozzik viziton Kadri Veselin në Hagë

    Reperi i njohur, Mozzik ka vizituar ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli në Hagë, ku po qëndron si i paraburgosur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Gramoz Aliu tha se me Veselin biseduan për gjëra frymëzuese dhe qeshëm shumë së bashku.

    Ai tha se Veseli u ka bërë të fala të gjithëve.

    “Vallai Kadria o burrë amo burrë burrë ata që e njofin e njofin. Disa djem atëherë me disa armë që morën rrugën për me çliru Kosovën , po rrinë në burg. Po e paguajnë shumë shtrenjtë çmimin e lirisë. E dhimbshme , e trishtë se në çfarë horizonte është lakuar lufta e pastërt e UÇk-së .

    Lutem që rinia, brezi i ri të informohet me historinë e shtetit tonë më shumë , me luftën me lirinë dhe me gjithçka që po kalojmë. Biseduam shumë gjëra frymëzuese e besa edhe qeshëm shumë së bashku.

  • Investimet më të mëdha për vitin 2022 ishin në ndërtim

    Investimet më të mëdha për vitin 2022 ishin në ndërtim

    Gjatë vitit 2022, vlera e investimeve në nivel vendi, në ndërmarrje ishte 1 miliard e 136 milionë e 988 mijë e 425 euro, sipas të dhënave më të reja nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

    Sipas rezultateve të Anketës së Statistikave të Investimeve në Ndërmarrje për vitin 2022, investimet në ndërtim zënë pjesën kryesore të investimeve me 53,0%.

    Investimet e tjera që zënë një peshë të konsiderueshme janë ato në makineri dhe pajisje me 42,7%, ndërsa investimet e tjera me një peshë më të vogël në kuadrin e totalit të investimeve janë: investimet në asete të prekshme me rreth 3,7%; investimet në produktet e pronësisë intelektuale me 0,4%; si dhe investimet biologjike të kultivuara dhe serrat në bujqësi me rreth 0,1%.

    Investimet sipas kategorive, 2022 në (%)

    Investimet sipas aktivitetit ekonomik

    Aktivitetet me më së shumti investime ishin tregtia me shumicë dhe pakicë (26,8%), ndërtimtaria (25,2%), prodhimi (15,8%).

    Investimet sipas aktivitetit ekonomik, 2022 në (%)

    Investimet sipas madhësisë së ndërmarrjeve

    Në vitin 2022, përqindja më e madhe e investimeve të ndërmarrjeve kosovare ishte te ndërtimi, pajisjet dhe makineritë me mbi 90,0%.

    Ndërsa, përqindja më e madhe e investimeve në vend nga ndërmarrjet e vogla (10 – 49 punëtorë) me 44,4%, ndërmarrjet e mesme (50 – 249 punëtorë) me 24,3%, dhe mini-ndërmarrjet (1-9 punëtorë) me 22,7%.

    Investimet sipas madhësisë së ndërmarrjeve, (%)

    Investimet sipas rajoneve

    Sipas rezultateve në nivel vendi, në vitin 2022, përqindja më e lartë e investimeve të ndërmarrjeve sipas rajoneve ishte në Prishtinë (49,9%), Prizren (11,3%), Mitrovicë (9,9%), Gjilan (8,9%), Pejë (7,4%), Ferizaj (6,7%), dhe Gjakovë (6,0%).

    Investimet sipas regjioneve dhe kategorisë së investimeve, (%)

    Blerjet e reja, të importuara dhe investimet në vijim

    Në kuadrin e blerjeve të reja investive prin ndërtimtaria (28,3%), tregtia me shumicë dhe pakicë (24,2%), prodhimi (16,1%), furnizim me energji elektrike, gaz avull dhe ajër të kondicionuar (10,6%), ndërsa sektorët e tjerë kanë përqindje më të ulët.

    Sektorët që prijnë në blerje të importuara ishin prodhimi (24,7%), tregtia me shumicë dhe pakicë (23,1%), informacioni dhe komunikimi (17,1%), ndërsa sektorët e tjerë kanë përqindje më të ulët.

    Te blerjet investive prin tregtia me shumicë dhe pakicë (46,6%), ndërtimtaria (24,4%), aktivitetet e patundshmërisë (7,9%), aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike (7,8%), ndërsa sektorët e tjerë kanë përqindje më të ulët.

    Burimet e mjeteve për financimin e investimeve

    Sa i përket burimit të investimeve, rreth 50,6% e vlerës së investimeve të ndërmarrjeve ishte realizuar nga fondet e veta dhe 35,1% nga bankat vendore. Ndërkaq, burimet e tjera zënë një peshë më të vogël në kuadrin e burimeve totale për investime.

    Burimet e investimeve, (%)