ATV

Author: ATVLive

  • Tri raste të vetëvrasjeve brenda 24 ore

    Tri raste të vetëvrasjeve brenda 24 ore

    Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve kanë ndodhur tri vetëvrasje, një në Graçanicë, Ferizaj dhe në Pejë.

    Sipas policisë, Njësitet policore mbrëmë kanë pranuar një informatë se një person është pa shenja jete në Suvi-Do të Graqanicës. Policët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë gjetur viktimën mashkull kosovar, i cili dyshohet se ka bërë vetëvrasje. Në vendin e ngjarjes njësitet policore kanë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë dhe një gëzhojë cal-9mm, e cila dyshohet se është përdorur.

    Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës, ndërsa me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Në lidhshmëri me rastin, në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti i armbajtës pa leje ndaj prindit të viktimës mashkull kosovar, pasi që arma-pistoleta, e cila është gjetur në vendin e ngjarjes ka qenë në pronësi të prindit të tij të viktimës. Rasti në proces hetimor.

    Kurse, në Pejë, është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar, ku afër tij është gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti duke u hetuar.

    Policia njofton se nga QKUK është raportuar se viktima femër kosovare, e cila ishte sjell nga Ferizaj në gjendje të rëndë shëndetësore ka vdekur.

    Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Ndërsa, rasti është cilësuar si vetëvrasje.

  • Kurti: Përvojën e këtyre kualifikimeve ta shfrytëzojmë për përgatitjet e kampionatit botëror 2026

    Kurti: Përvojën e këtyre kualifikimeve ta shfrytëzojmë për përgatitjet e kampionatit botëror 2026

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar se pa lojtarët kryesorë, kundër një ekipi që është në mesin e Top 15 kombëtareve të futbollit në botë, si mysafire, Kosova mbrëmë përsëri gjeti mënyrën për të na gëzuar me barazim në Basel, sikurse edhe në Prishtinë.

    Kurti ka falënderuar djemtë e ekipit për emocionet në çdo ndeshje.

    “Përvojën e fituar gjatë këtyre kualifikimeve, ta vëmë në funksion të përgatitjeve për fushatën e kampionatit botëror 2026. Zvicrës ia urojmë kualifikimin në Euro 2024”, ka shkruar ai.

  • LDK sot mban Kuvendin Zgjedhor

    LDK sot mban Kuvendin Zgjedhor

    Lidhja Demokratike e Kosovës sot do të mbajë kuvendin e 10 zgjedhor.

    Ky kuvend do të mbahet në sallën e sporteve në Pallatin e Rinisë dhe do të nisë në orën 10:00.

    Mediet mund të marrin pamje në fillim të punimeve, si dhe fjalimin e Lumir Abdixhiku.

    Gjithashtu, pas përmbylljes së procesit zgjedhor kryetari i LDK-së deklarohet për medieNdërsa në orën 17:00 LDK mban Konventën Programore ku do të shpalosen 100 zotimet.

  • Përfundon fushata informuese për liberalizimin e vizave, qytetarët jo aq të informuar

    Përfundon fushata informuese për liberalizimin e vizave, qytetarët jo aq të informuar

    Pas kumtimit të lajmit se nga një janari qytetarëve të Kosovës do t’iu mundësohet lëvizja e lirë në zonën shengen të BE-së, Qeveria hapi fushatën për informim e qytetarëve rreth lëvizjes pa viza.

    Pas më shumë se një muaj në terren pikat statike dhe ato moblie në terren përmbyllën punën të premten.

    Për disa qytetarë, kjo kampanjë informimi shërbeu dobishëm.

    “Jemi informu. I kam lexu dhe kam dëgju lajmet. Gëzohemi, do të jemi më të lirë të shëtisim Evropën”, ka thënë Zylfi Arifi.

    E megjithatë, pati edhe nga ata që nuk kanë dëgjuar fare për fushatën.

    “Jo se di unë. Nuk kam parë diçka”, ka deklaruar Fehrije Zekaj.

    “Nuk jam informu shumë. E di që vizat do bëhen në 2024 edhe e kam marrë vesh nga familja”.

    Ndërsa, Qeveria thotë se gjatë kohës sa fushata qëndroi e hapur në terren ka pasur interesim të madh të qytetarëve për të marrë informacione.

    “Nga data 5 tetor, deri më 17 nëntor, vizituam lokacione të ndryshme anembanë Kosovës, duke përfshirë dhe 4 komunat në veri. Informatat që kemi marrë nga terreni gjatë zhvillimit të fushatës kanë qenë pozitive. Ka patur interesim të lartë në pajisjen me informata gjatë fushatës në terren e do të vijojmë edhe në javët pasardhëse të fuqizojmë mesazhin e informatave të nevojshme për qytetarët, për shfrytëzimin pozitivisht të lëvizjes së lirë pa viza”, ka thënë Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

    Sipas zyrës së zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, fushata do të vazhdojë ende në forma të tjera, përmes mediave, rrjeteve sociale e shpërndarjes së informatave me video mesazhe e grafika informuese.

    E, kosovarëve veçse kanë nisur t’u bëhen thirrje për vizitat jashtë vendit siç qe ajo Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.

    Në vitin 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave por megjithatë, lidhur me këtë ishin shprehur dyshime nga disa vende anëtare.

    Më 18 prill, Parlamenti Evropian miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

  • Merr fund ëndrra evropiane për Kosovën

    Merr fund ëndrra evropiane për Kosovën

    Ka përfunduar pa fitues ndeshja tejet interesante mes Zvicrës dhe Kombëtares së Kosovës, ku kjo e fundit është përshëndetur nga Kampionati Evropian Euro 2024.

    Pas plot 90’ minutave lojë të zhvilluara në stadiumin “St. Jakob-Park”, Kosova ka barazuar 1:1 si mysafire e Zvicrës, raporton KosovaPress.

    Zvicra kaloi në epërsi në minutën e 47’ përmes golit të Ruben Vargas, para se Kosova të barazonte me golin e Muhamet Hysenit në minutën e 82’.

    Me pikët e reja, Zvicra ngjitet në kuotën e 17 pikëve në vendin e dytë në Grupin I dhe siguron biletën drejt Evropianit Euro 2024.

    Në anën tjetër, Kosova zë vendin e katërt me 11 pikë të arkëtuara.

    Rezultati final i ndeshjes, 1:1.

  • Skena apokaliptike në Kinë: Qindra zogj të ngordhur bien nga qielli

    Skena apokaliptike në Kinë: Qindra zogj të ngordhur bien nga qielli

    Një histori e çuditshme vjen nga qyteti Laibin, në rajonin jugor kinez të Guangxi, ku u filmua një tufë e madhe e dallëndysheve.

    Zogjtë fluturuan mbi qytet dhe më pas, për ndonjë arsye të pashpjegueshme, filluan të binin në tokë.

    Pamje të tilla të kujtojnë filmat e apokalipsit. Banorët e tronditur pohojnë se janë me qindra zogj të shtrirë në tokë, gjë që vërtetohet nga fotot e publikuara në rrjetet sociale.

    Në kulturën kineze, zogjtë e ngordhur përfaqësojnë dëshpërimin dhe fatkeqësinë. Thuhet se zogjtë, të cilët fluturojnë në jug drejt klimave më të ngrohta në dimër, mund të kishin ngrirë në temperaturën nën zero, por kjo nuk shpjegon pse kaq shumë ngordhën në të njëjtën kohë, shkruan gazeta britanike “The Sun”.

  • E konfirmon vëllai i Thaçit: Specialja ua anulon vizitat familjarëve dhe miqve të ish-krerëve të UÇK-së

    E konfirmon vëllai i Thaçit: Specialja ua anulon vizitat familjarëve dhe miqve të ish-krerëve të UÇK-së

    Familjarëve dhe miqve të ish-krerëve të UÇK-së që janë në Hagë sot u janë anuluar vizitat pa asnjë arsyetim nga ana e administratës së Qendrës së Paraburgimit.

    Ani pse kishin bërë shpenzimet e tyre, pra në blerjen e biletave e fluturimit dhe rezervimet e vendqëndrimeve në Hagë, sot në mënyrën më të papërgjegjshme janë njoftuar nga Dhomat e Specializuara me vetëm një fjali: “Me keqardhje ju informojmë se vizita juaj është anuluar.”

    Vizitat u janë anuluar edhe familjarëve të ngushtë të ish-krerëve të UÇK-së, që kishin shkuar tashmë në Hagë, pa ua dhënë asnjë sqarim atyre.

    Këtë gjë e ka konfirmuar edhe Blerim Thaçi, vëllai i ish-presidentit, Hashim Thaçi, ku për media ka thënë se nesër kishin lënë takim me Thaçin, atyre sot u është anuluar vizita.

    Ai tutje ka thënë se kjo sjellje është e papranueshme për ata si familjar.

    “Sot, deri sa ishim nisur për të shkuar në Hagë dhe i kishim bërë të gjitha rezervimet e nevojshme atje, pasi që nesër kishim vizitë të konfirmuar te vëllai ynë, na ka ardhur një njoftim që na është anuluar vizita, pa na e dhënë asnjë arsye, asnjë sqarim. I njëjti njoftim u kishte shkuar edhe vizitorëve të tjerë. Për ne si familje, kjo sjellje është vërtet e papranueshme. Jo vetëm që po i mbajnë të paraburgosur jashtë çdo praktike juridike, duke ua shkelur edhe të drejtat njerëzore, por tash po na penalizojnë edhe neve, familjarëve të tyre, duke mos na lejuar as që t’i vizitojmë e takojmë familjarët tonë. Përpos që po i mbajnë padrejtësisht në burg që tri vjet, tash po mundohen t’i izolojnë edhe më shumë, duke mos iu lejuar as vizitorë. Kjo nuk ka lidhje me drejtësi.” – ka thënë vëllai i ish-presidentit Thaçi, Blerim Thaçi.

    Ndërkohë, Parim i Përgjithshëm i Udhëzuesit të Punës për “Vizitat dhe komunikimet” të Gjykatës Speciale, të paktën në dokumentet e shkruara të tyre, thuhet se është mundësimi i ruajtjes së marrëdhënieve personale me anëtarë të familjes dhe persona të tjerë nëpërmjet vizitave, thirrjeve telefonike dhe letërkëmbimit.

    Mirëpo, sot ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli i kanë vizituar dy bashkëpartiakët e tyre, Uran Ismaili dhe Memli Krasniqi.

    Kështu ka njoftuar i pari i PDK-së, Memli Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se në Hagë i kanë gjetur të gjithë së bashku dhe ballëlartë, si gjithmonë dhe me Kosovën në mendje e zemër.

    “Bashkë me Uranin, vizituam përsëri në Hagë, Presidentin Hashim Thaçi e Kryetarin Kadri Veseli. Dyert e hekurta, korridoret e gjata e muret e larta, çdo ditë e më shumë po e humbasin betejën kundrejt zemrave, besimit dhe kurajos së çlirimtarëve tanë. I gjetëm të gjithë bashkë ballëlartë – si gjithmonë – dhe me Kosovën në mendje e zemër, që vazhdon t’i frymëzojë, t’i mbajë të fortë e krenarë secilin.” – ka shkruar Krasniqi.

    Ai tutje ka thënë se “gjithmonë me ta dhe pranë tyre, deri në ditën e shumëpritur të triumfit të drejtësisë! Sepse, dielli do të lind përsëri!”

  • Familjarëve të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, pa asnjë sqarim iu anuluan vizitat

    Familjarëve të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, pa asnjë sqarim iu anuluan vizitat

    Edhe pse i kishin të konfirmuara vizitat nga Njësia e Paraburgimit e Gjykatës Speciale, shumë familjarëve dhe miqve të krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, sot ato u janë anuluar pa asnjë arsyetim nga ana e administratës së Qendrës së Paraburgimit.

    Me dhjetra persona që këto ditë kishin vizita të konfirmuara në Hagë, të cilët kanë bërë shpenzime me blerjen e biletave të fluturimit dhe rezervimet e vendqëndrimeve në Hagë, sot në mënyrën më të papërgjegjshme janë njoftuar nga Dhomat e Specializuara me vetëm një fjali: ‘’Me keqardhje ju informojmë se vizita juaj është anuluar’’.

    Kanal 10 ka mësuar se vizitat u janë anuluar edhe familjarëve të ngushtë të ish-krerëve të UÇK-së, që kishin shkuar tashmë në Hagë, pa ua dhënë asnjë sqarim atyre.

    Ndërkohë, Parim i Përgjithshëm i Udhëzuesit të Punës për ‘’Vizitat dhe komunikimet’’ të Gjykatës Speciale, të paktën në dokumentet e shkruara të tyre, thuhet se është mundësimi i ruajtjes së marrëdhënieve personale me anëtarë të familjes dhe persona të tjerë nëpërmjet vizitave, thirrjeve telefonike dhe letërkëmbimit.

    Po ashtu, siç nuk ndodh askund në botë, shumë përkrahësve të ish-krerëve të UÇK-së që thjeshtë dëshirojnë të shkojnë për t’i takuar dhe vizituar ata në Qendrën e Paraburgimit, kohëve të fundit po iu refuzohen aplikacionet me arsye banale, kinse në formularët e tyre nuk kanë arritur ta dëshmojnë afërsinë, pa u pyetur fare të paraburgosurit nëse duan apo jo t’i pranojnë si vizitorë.

    Përkundër që procesi gjyqësor po zvarritet tejmase shumë, në Kosovë është rritur agresiviteti i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me bastisje dhe sekuestrime telefonash.

    Deri më tani nga trupi gjykues janë dëgjuar vetëm 37-të dëshmitarë, ndërkohë që ish-krerët e UÇK-së i kanë bërë këtë muaj tri vjet qëndrim në paraburgim.

  • Kosova u19 mposht me rezultat të thellë Ukrainën u19 dhe merr pozitën e parë në grup

    Kosova u19 mposht me rezultat të thellë Ukrainën u19 dhe merr pozitën e parë në grup

    Kombëtarja e Kosovës U19 ka shkatërruar totalisht kombëtaren e Ukrainës U19 me rezultat 4:0.

    Në ndeshjen e zhvilluar në Malta, të përzgjedhurit e trajnerit Adil Maliqi që nga minuta e parë kanë qenë skuadër superiore përballë ukrainaseve.

    Golat janë shënuar nga Gashjani i cili ka realizuar dy gola, kurse nga një gol e kanë shënuar Bujupi dhe Rama.

    Pas kësaj fitore Kosova U19, tani renditet e para në grup me 4 pikë. Ku deri me tani ka një fitore dhe një barazim. Sfidën tjetër Kosova e zhvillon me Maltën U19 dhe është favorit për të fituar.

     

  • “Zhbllokimi” i rrugës për faturim të energjisë në veri, i lidhur me asociacionin

    “Zhbllokimi” i rrugës për faturim të energjisë në veri, i lidhur me asociacionin

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Gati një vit e gjysmë pas licencimit të Elektroseverit, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dha shpresë se javën e ardhshme mund të bëhet hapi zhbllokues drejt nisjes së faturimit të energjisë në katër komunat me shumicë serbe në veri.

    Pas takimit në Bruksel, të enjten, ai tha se nënshkrimi i kontratës ndërmjet Elektrosverit dhe KEDS-it duhet të ndodhë gjatë javës së ardhshme.

    “Është tepër afër. Faktikisht duhet vetëm të nënshkruhen dokumentet dhe duhet një vendim i ZRRE-së për propozimin për tarifat të cilin ka propozuar Elektroseverit karshi KEDS-it. Në atë moment që ZRRE-ja thotë që këto tarifa janë të pranueshme, sepse të njëjtat duhet të përkthehen në MAR-in e KEDS-it gjatë vitit 2024, në atë moment që e marrin këtë dakordim më nuk ka arsye për Elektroseverin që të mos e vendosë nënshkrimin”, tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

    Pa dhënë detaje, në KEDS thanë se janë në sinkron me institucionet shtetërore.
    Paralajmërimi për nënshkrimin e kontratës, gjë që sipas Udhërrëfyesit për Energjinë do të duhej bërë më së largu 10 ditë nga licencimi i Elektroseverit, shihet në kontekst më të gjerë.
    Teksa përmendi edhe rritjen e interesimit për pajisje me pasaporta dhe me targa të Kosovës në katër komunat në veri, opinionisti Fitim Mulolli vlerësoi se nuk është rastësi që diçka e tillë ndodh në kohën kur Qeveria në parim është pajtuar për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Një element tjetër është kërkesa për pagesën e energjisë elektrike. Është një grup indikatorësh që çojnë të besosh se ose ka ndonjë marrëveshje verbale që paralelisht të bëhen këto gjëra, ose kemi një presion të madh nga faktorët ndërkombëtarë mbi Serbinë dhe serbët në veri që të fillojnë të integrohen si duhet”, tha Mulolli.

    Krahas vlerësimit se asociacioni përbën pikë kritike, opinionisti Bekim Kabashi theksoi se krahas paralajmërimeve për energjinë edhe pajisja me targa, tregojnë se situata po lëviz drejt deeskalimit dhe zbatimit.

    “Tash jemi në fazën e implementimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është pjesë e kësaj marrëveshje, te neni 10 dhe 7. Dhe, tash nëse flasim për zbatimin e marrëveshjeve të cilat kanë filluar, po shihet një dritë në fund të tunelit për implementimin e tyre, edhe ato janë pjesë e asaj marrëveshje në Bruksel, aneks i Ohrit. Në këtë rast edhe marrëveshja për energjinë elektrike”, tha Kabashi.

    Në Shkurt të këtij viti, kryeministri Albin Kurti njoftoi se kostoja e përgjithshme buxhetore nga mos-pagesa e energjisë elektrike në katër komunat në veri, që nga viti 1999, është rreth 320 milionë euro.

    Kjo kosto mund të rritet në rreth 350 milionë, nëse përfshihen humbjet e këtij viti.