ATV

Author: ATVLive

  • Ky do të jetë centrali më i madh i energjisë diellore në botë

    Ky do të jetë centrali më i madh i energjisë diellore në botë

    Vendet në rajonin e Gjirit Persik po kalojnë ngadalë drejt burimeve të rinovueshme të energjisë. Por ata ende duan të eksportojnë naftën e tyre. Deri më tani, rezervat e lëndëve djegëse fosile, si nafta dhe gazi, konsideroheshin si garanci e pasurisë për shtetet në Gjirin Persik. Por shtetet e Gjirit tani kanë filluar të largohen nga karburantet fosile.

    Aktualisht po ndërtohen centrale të energjisë së rinovueshme në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar, të cilët janë ndër më të mëdhatë në botë. Katari, për shembull, ndërtoi një sistem diellor përpara Kampionatit Botëror 2022 që mbulon dhjetë për qind të nevojave të vendit për energji.

    Një qytet në shkretëtirë po ndërtohet në Arabinë Saudite që do të furnizohet ekskluzivisht me energji të rinovueshme. Neo, siç quhet ndryshe, thuhet se ka sistemin e vet diellor për hidrogjenin e gjelbër. Edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat do të organizojnë konferencën e OKB-së për klimën këtë vit, po ndërtojnë atë që thuhet të jetë centrali më i madh i energjisë diellore në botë.

    Projekte si këto synojnë të ndihmojnë në arritjen e qëllimeve tona klimatike. Arabia Saudite dëshiron të prodhojë 50 për qind të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të energjisë deri në vitin 2030, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe duan të arrijnë 44 për qind të energjisë së rinovueshme deri në vitin 2050.

    Megjithatë, aktualisht Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite janë ndër 15 emetuesit më të mëdhenj të CO2, së bashku me shtetet e tjera të Gjirit – Bahreini, Omani, Kuvajti dhe Katari. Në krye të listës është Katari, i cili emeton 35.59 ton CO2 për person. Për krahasim: në Gjermani emetohen 8.09 tonë për person.

  • Këngëtarja rumune që mahniti me interpretimin “Mora Fjalë”, viziton Prekazin

    Këngëtarja rumune që mahniti me interpretimin “Mora Fjalë”, viziton Prekazin

    Andreea Vilcan, këngëtare nga Rumania, ka publikuar ‘coverin’ e një prej këngëve më të njohura, “Mora fjalë”.

    “Çka ndodhi në Kosovë uroj të mos ndodhë askund në botë. Kjo këngë flet për historinë e legjendarit Adem Jashari që sakrifikoi tërë familjen për liri. Sot ndërsa po këndoj këtë këngë, zemra ime qan për ngjarjet dhe vuajtjet që Kosova ka kaluar. Ju dua Kosova”, ka thënë ajo në hyrje të videos, duke njoftuar ndjekësit e saj me mesazhin e këngës.

    Vilcan kishte paralajmëruar po ashtu se më 28 nëntor do të vizitojë Kosovën.

    Ajo ishte dje në Prekaz teksa ka ndarë edhe pamje me ndjekësit.

  • ​Dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi

    ​Dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi

    Ka dështuar shqyrtimi i projektligjeve që ishin paraparë të mbahen të mërkurën në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

    Shkak për këtë është bërë një kërkesë e mazhorancës që kjo mbledhje të shtyhet për një ditë tjetër

    Ferat Shala, kryetar i Komisionit, tha se shumica parlamentare taktikisht po ikë nga debatet për ligje të rëndësishme siç janë ai për Fondin Sovran dhe Ligji për Metrologji.

    “Kjo është një praktikë që shumica parlamentare po e përdor taktikisht për t’i ikur debatit për ligjin e Fondit Sovran dhe për ligjet e tjera të ndjeshme të cilat po e prekin ekonominë e vendit. Mungesa e debatit lë për të kuptuar se kemi të bëjmë me një ligj jo zhvillimor”, tha Shala.

  • Ish-komandanti i UÇK-së, Sabit Geci konvertohen në katolik

    Ish-komandanti i UÇK-së, Sabit Geci konvertohen në katolik

    Sabit Geci, ish-komandant i njohur i UÇK-së, është konvertuar në katolik.

    Famullia e Shën Mihillit në Doblibarë ka postuar një fotografi, në të cilin shihet Sabit Geci.

    Ndërsa në mbishkrimin e fotografisë, kjo famulli ka shkruar “pagëzimi i ish-komandantit të UÇK-së Sabit Geci”.

    “Pagëzimi i ish-Komandantit të UÇK-së Sabit Geci.

    “Kastriot, unë po të pagëzoj në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit Shenjt! Amen” – shkruhet aty.

  • ​Fitorja e Ukrainës ndaj Rusisë është edhe në interes të NATO-s, thotë shefi i aleancës

    ​Fitorja e Ukrainës ndaj Rusisë është edhe në interes të NATO-s, thotë shefi i aleancës

    “Është në interesin e Ukrainës dhe NATO-s që Kievi të triumfojë në luftën ndaj Rusisë,” tha të mërkurën shefi i aleancës.

    “Pra, është e rëndësishme që solidariteti ynë me Ukrainën të mos demonstrohet vetëm me fjalë, por edhe me vepra”, tha Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba në Bruksel.

    Në konferencën e mbajtur përpara takimit të Këshillit NATO-Ukrainë dhe në margjinat e bisedimeve midis ministrave të jashtëm aleatë, Stoltenberg shprehu mirënjohjen e tij për vendet anëtare për mbështetjen e tyre për Kievin.

    Ai gjithashtu vuri në dukje se takimi i këshillit do të përqëndrohet në më shumë ndihmë për Ukrainën.

    “Sepse është në interesin e Ukrainës, por edhe në interesin tonë të sigurisë që Ukraina të triumfojë… si një komb sovran i pavarur në Evropë”, shtoi Stoltenberg.

    Ukraina po bëhet ‘de facto’ anëtare e NATO-s

    Kuleba, nga ana tjetër, tha se Ukraina aktualisht ka “ushtrinë më të fortë dhe më të përgatitur për beteja në Evropë”.

    “Ne po rrisim ndërveprimin tonë me NATO-n. Ne po bëhemi pothuajse një ushtri de facto e NATO-s për sa i përket qasjeve tona të menaxhimit të kapaciteteve teknike dhe parimeve të drejtimit të një ushtrie”, shtoi Kuleba. /Anadolu Agency/

  • ​Digjet banesa në Fushë Kosovë, shkak mbushësi i telefonit

    ​Digjet banesa në Fushë Kosovë, shkak mbushësi i telefonit

    Një banesë është përfshirë nga zjarri në Fushë Kosovë dje në orët e hershme të mëngjesit.

    Personi që jetonte aty ka bërë të ditur në polici se si pasojë e një mbushësi të telefonit (adapter) nga zjarri i është përfshirë banesa e tij.

    Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për lëndime në njerëz.

    “Rruga e Pejës, Fushë Kosovë 28.11.2023 – 04:25. Viktima mashkull shtetas i huaj, ka informuar se si pasojë e një mbushësi të telefonit (adapter) nga zjarri i është përfshirë banesa e tij. Njësiti përkatës policor dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë shuar zjarrin. Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për lëndime në njerëz”, thuhet në raportin e policisë.

  • ​Armëpushimi i zgjatur gjashtë-ditor hyn në ditën e tij të fundit – çfarë do ndodhë tani?

    ​Armëpushimi i zgjatur gjashtë-ditor hyn në ditën e tij të fundit – çfarë do ndodhë tani?

    Izraeli thotë se ka shpresë se armëpushimi mund të zgjatet përsëri, dhe Hamasi ka treguar se është i hapur për këtë.

    Shefat e inteligjencës nga Izraeli, SHBA dhe Egjipti kanë zhvilluar bisedime në Katar për të diskutuar një marrëveshje të re të mundshme, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Kjo mund të përfshijë lirimin e personelit ushtarak, të rrëmbyer gjatë sulmit vrasës nga Hamasi më shumë se 50 ditë më parë. Rreth 160 persona mbeten në robëri.

    Në Izrael, zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu tha se kishte marrë një listë me emrat e atyre që do të lirohen më vonë sot – familjet e tyre po njoftohen.

    Për çdo shtetas izraelit të kthyer, tre palestinezë do të lirohen nga burgjet izraelite.

    Në Gaza, më shumë furnizime humanitare po hyjnë – por agjencitë e ndihmës thonë se ende nuk mjafton. Dhe në Bregun Perëndimor të pushtuar, ka raporte për përleshje ndërsa ushtria izraelite kryen një operacion në Jenin.

  • Festë për 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, pati edhe në Kosovë

    Festë për 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, pati edhe në Kosovë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Si rrallëherë në Kuvendin Komunal të Prishtinës pati atmosferë feste e shtrëngim duarsh. Debat nuk pati, por shënohej 28 Nëntori.

    “28 Nëntori për ne është shumë më shumë sesa një datë, sepse është një testament i gjallë i qëndrueshmërisë sonë, shpallje e pavarësisë e festë e lirisë. Ky është manifestimi i identitetit tonë”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

    Në seancë qe ftuar edhe një mysafir nderi. Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, tha se festa të tilla janë simbol i bashkimit të shqiptarëve.

    “Ne sot po shënojmë Pavarësinë e Shqipërisë, rikonfirmoj mbështetjen tonë të palëkundur për sovranitetin dhe prosperitetin e Kosovës tonë të dashur. Le të reflektojmë edhe për ruajtjen e lirisë së fituar. Qytetarët tanë në Kosovë, dijeni që Shqipëria qëndron me ju, jo vetëm sot por çdo ditë. Le të vazhdojë kjo marrëdhënie e vëllazërisë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Malaj.

    Në kryeqytet përveç seancës solemne u mbajtën edhe aktivitete të tjera. Komuna e Prishtinës ka organizuar edhe Koncertin në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe shpalosjen e flamurit kombëtar.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Komunat ankohen, OSHP-ja po vonohet në trajtimin e ankesave

    Komunat ankohen, OSHP-ja po vonohet në trajtimin e ankesave

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Vonesa në marrjen e vendimeve nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, mund të ndikojë që disa prej komunave të mos e realizojnë në tërësi buxhetin e planifikuar për këtë vit.

    Komuna e Vushtrrisë, mund të jetë njëra prej tyre.

    “Procedurat në Komunën e Vushtrrisë janë në bazë të ligjit, por ankesat e operatorëve po na zvarrisin, dhe tash shtrohet pyetje nëse çdo gjë është në rregull, kush ma kompenson kohen mua. Tash unë qysh me e realizu buxhetin, në në pyetje rreth 500 mijë euro”, tha kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi.

    Me problemin e njëjtë ballafaqohet edhe Komuna e Lipjanit, kryetari i së cilës, vonesat në OSHP i sheh problem shumë serioz.

    “E kemi pas një projekt, në fakt i ka 6 muaj që është atje dhe ende nuk kemi vendimmarrje nga OSHP-ja dhe është pengesë e jashtëzakonshme, sepse buxheti ecë, viti përfundon dhe mjetet mund të na humbin”, tha kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti.

    Ndërkohë, Organi Shqyrtues i Prokurimit për vonesën në marrjen e vendimeve arsyetohet me mungesë të stafit.

    “OSHP-ja ju njofton se aktualisht posedon një volum të madh të lëndëve, të cilat janë në pritje të vendimmarrjes, si dhe Paneli shqyrtues (PSH) është duke punuar me intensitet maksimal për t’i pajisur me vendime të gjitha ankesat të cilat janë duke u trajtuar. Duhet theksuar faktin se kapacitetet njerëzore për draftim të vendimeve dhe marrje të vendimeve janë të pamjaftueshme, krahas një volumi kaq të madh të ankesave”, thuhet në arsyetimin e OSHP-së.

    Teksa aktualisht, ajo që njihet si “Gjykata e Tenderëve” është duke funksionuar me vetëm 3 anëtarë, numri i ankesave brenda këtij viti ka arritur në 950.

    Ndryshe, Komuna e Vushtrrisë në 9-mujorin e parë për investime kapitale shpenzoi vetëm 16% të buxhetit, derisa Komuna e Lipjanit 31%.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Për festën e 28 Nëntorit nuk punojnë disa QMF në Prishtinë

    Për festën e 28 Nëntorit nuk punojnë disa QMF në Prishtinë

    Përgatiti: Sara Shehu

    Gjatë ditëve të javës kjo Qendër e Mjekësisë Familjare në lagjen Kalabria në Prishtinë, i hap dyert për pacientët nga ora 7:00 e mëngjesit. Por, këtë të martë ishte e mbyllur për shkak të Festës së 28 Nëntorit.

    Krejt çka mund të shihnin pacientët ishte ky lajmërim i vendosur në dyert e oborrit të qendrës.

    Me të njëjtin hall u përballën edhe banorët e lagjes së Muhaxherëve, pasi që QMF-ja 11 nuk punoi.

    “Shumë keq se ne kemi nevojë me marrë shërbime, jemi të sëmurë koha e bën të veten. Për gjithë këtë qytet është shumë pak me punu 6 qendra vetëm është shqetësuese”, thotë një banore.

    Ligji për festat zyrtare, megjithatë, lejon që punëtorët shëndetësorë të mos dalin në punë, por pacientëve kjo nuk u pëlqen.

    “Është absurde duhet me kanë hapur se sëmundja nuk vetë ka nevoja të ndryshme e posaçërisht njerëzit e moshuar, është dashur me kanë hapur”, tha Arsim Gashi, pacient.

    Në anën tjetër, drejtori i QKMF-së në Prishtinë, Bujar Gashi, përmes një përgjigje me shkrim ka thënë për ATV-në se gjatë 28 nëntorit vetëm 5 qendra kanë ofruar shërbime mjekësore për pacientët duke thënë se aq mjaftojnë.

    “Në Prishtinë për 28 Nëntorin, 24 orë punojnë Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, QMF 4, QMF 5, ndërsa QMF 1 dhe QMF 6 punojnë 12 orë. Në ditë feste aq është e mjaftueshme për shërbimet që kërkohen”, tha drejtori i QKMF-së në Prishtinë, Bujar Gashi.

    Ndryshe, Kujdesi Parësor në Prishtinë përpos QKMF-së, ka 17 Qendra të Mjekësisë Familjare dhe 15 Ambulanca të Mjekësisë Familjare.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë: